Dreri Nga zoti Lef Nosi

Dreri (Rrëfenjë sipas një gruaje të moçme)  Nga zoti Lef Nosi 

Shkëputur nga libri: Këndime englisht-shqip or Albanian-english reader. Nga Margaret M. Hasluck

Përshtatur përralla me gjuhën e sotme, Valbona Nathanaili

Na ishte kush na ishte. Na ishte një herë një i pasur. Ky i pasuri na kishte një vajzë dhe një djalë. Vajza ishte aq e bukur, sa biri i mbretit, kur e pa, ra menjëherë në dashuri me të. Por i ati nuk donte t’ia jepte vajzën, me gjithë këmbënguljen e tij. Një ditë prej ditësh, e vendosi: mori gruan, vajzën e djalin dhe ikën në një vend tjetër. Mbas disa kohësh, gruaja dhe burri vdiqën. Fëmijët, motër e vëlla, mbetën vetëm dhe shumë shpejt u varfëruan.

Biri i mbretit nuk e kishte harruar vajzën e bukur. Vazhdonte ta kërkonte në të gjitha vendet. Por edhe i vëllai, njëlloj si babai, nuk donte që motra e tij të martohej me birin e mbretit. Një ditë prej ditësh, vëllai i thotë motrës: motër, unë do të bëhem dre. Ti do të jetosh lart, te ky plepi. Unë do të vi çdo ditë, në drekë dhe në darkë, e do të sjell ushqim. Ti do të zbresësh nga plepi dhe do të hamë bashkë.

Te rrënjët e plepit ishte një burim i ftohtë. Një ditë, ndërsa kthehej nga gjuetia, biri i mbretit u ul të shplodhej e të pinte pak ujë të ftohtë. Kali, kur pa në ujin e burimit, shkëlqimin e bukurisë së vajzës, hingëlliu fort. Kur pa edhe djali i mbretit në ujë, njohu vajzën, ngriti kokën dhe ju lut që të zbriste.

Por vajza nuk zbriti. Jo, – i tha, – kam frikë. Isuf-dreri më ka thënë që po zbrita më ha njëri. I biri i mbretit i’u lut e i’u lut, por vajza nuk zbriti. I mërzitur, kthehet në pronat e tij dhe filloi të mendonte se çfarë mund të bënte. E vendosi! Të nesërmen dërgon njerëzit e tij të sharrojnë pemën. Ata sharronin pak, por sa vinte dreri, largoheshin nga frika. Dreri e lëpinte pemën në plagën që kishte lënë sharra dhe pema bëhej edhe më e fortë, edhe më e lartë. Kështu, çdo ditë, derisa njerëzit e mbretit nuk erdhën më. I mërzitur edhe më shumë, i biri i mbretit nuk dinte çfarë të bënte më. Një grua e moçme, kur e pa ashtu të mërzitur, i’u afrua dhe i tha: “Vajzën e zbres unë nga pema, por dua një çiflik si shpërblim”. Biri i mbretit pranoi.

Gruaja e moçme mori një tepsi, ca miell e hi, pak dru zjarri dhe u nis për tek vendi ku ishte vajza. Poshtë pemës, pranë burimit, ndezi zjarrin dhe filloi të gatuante bukën, por në vend të miellit, në tepsi hidhte hi.

E sheh vajza nga lart dhe i thërret: “Nëne, jo ashtu, jo, se në vend të miellit po merr hi”. E dëgjon gruaja e moçme dhe i thotë: “Ah, moj bijë, e mjera unë që nuk shoh mirë nga sytë. Zbrit poshtë dhe më ndihmo se dua të bëj bukë dhe t’ia çoj birit tim në arë”. Por vajza i përgjigjet: “Nuk zbres dot, se më sheh biri i mbretit dhe më merr për grua”.

Të nesërmen gruaja e moçme kthehet përsëri dhe vepron po njëlloj, por vajza nuk zbret. Të pasnesërmen, gruaja e moçme shkon përsëri poshtë pemës, po me vete kishte një dash dhe një thikë. Birit të mbretit i thotë të qëndrojë prapa pemës – vajza nuk e shihte dot – ndërsa ajo fillon të therrë dashin. Vajza e sheh dhe i thërret: “Çfarë po bën, moj nëne? Kujdes se po e therr dashin nga kurrizi i thikës”. “Ah moj bijë, – i thotë prapë gruaja e moçme, unë e mjera nuk shoh nga sytë, zbrit poshtë dhe më ndihmo.” Këtë radhë, vajzës i mbushet mendja dhe zbret. Sapo zbret, i biri i mbretit i afrohet, e kap, e hipën në vithe të kalit dhe e çon në sarajet e veta.

Kur vjen Isuf-dreri me bukën në drekë, e gjen pemën bosh. E motra nuk ishte. I shkon pas erës dhe mbërrin deri në pronat e mbretit, aty ku ishte e motra.

Motër, jam këtu, hajde, – thërret Isuf-dreri.

Nuk mundem, – i’a kthen motra. – Më kanë mbyllur me çelës.

Po unë çfarë të bëj, – thotë Isuf-dreri dhe, pa marrë përgjigje, largohet.

Biri i mbretit vuri kurorë me vajzën, u martuan dhe u bënë burrë e grua.

Riza Braholli, mësuesi poet. Poezi të zgjedhura

Poezi të reja

Zjarri i zjarreve

E kam dashur gjithmonë atë kohë/ Kur njerëzit  bënin dashuri me Perënditë

Ne ndezëm zjarrin e zjarreve mbrëmë

Përtej, në botën e mjergullës ishim

Në dhera  të tilla ku kurrë s’kemi qenë

Të dy, unë e ti me mishin e shpirtin

Të dy kapërthyer si dheu nën rrënjë

 

Si ishim ashtu, as fjetur, as zgjuar?

Një shekull a dy a kush e mban mend

Lëndinash pa fund me frerët lëshuar

Mëgojëzën si kuajt e hanim me dhëmb

E prapë e sërish të unshëm, të vluar

 

Më thuaj ç’qe kjo që sytë na panë

Që eshtrat kërcisni e eshtrat vërrisnin

E drita terrohej tej kohës pa anë

Shuhej e ziente si ujët me plisin

Me plisin e shkosur në muajt e thatë

 

Sa poshtë e përmbi, sa dritë e sa natë

E ikshme si re e prekshme si tokë

Si hëna në udhën e ciklit të gjatë

Kur hedh pëshpërimat e fundit mbi flokë

E bota fundoset mes paqes së artë

 

Ne ndezëm zjarrin e zjarreve mbrëmë

Të shtatën e ditëve u ulëm e pamë

Se bota që nisëm ish ngritur më këmbë

Pastaj u rishtrimë për aktin e mbramë

Dhe hëngrëm çarçafët e fundit me dhëmbë

 

Nga vëllimi poetik “Mallkim Virgjërie”

Trishtimin kam zog

Përmes xhamash drita hyn me përtesë

As veten s’e pyes përse

Përgjumet zogu në fund të folesë

Harrimi në zemër më fle

 

Patkonjtë e fundit godasin mbi gurë

E troku shuhet ngadalë

E muzgu kotet e tretet ndër drurë

Përgjumet e varfëra mëhallë

 

Fillojnë e ndrijnë qirinj flakështrembër

Dritaret si shpirtërat në muzg

Kujtimi i zbrazur nga zemra në zemër

Me vramje , me hije më mbush

 

Tej xhamash shkon drita të vdes

Jo, veten s’e pyes përse

Në zemër më s’kam asnjë shpresë

Trishtimin e kam zog në fole

 

Nga vëllimi poetik “Mallkim Virgjërie”

Në ëndërr

Kockat ndjej të krisë port’ e vjetër

Çezma, Bana ime këngën rrjedh

E bekuara nëna ime vetëm

Udhëve me bastun si hënëz bredh

 

Melodi e drunjtë zbret mbi gurë

Mjegullëz e bardhë mbi kalldrëm

Gurët-gjinj të lagur feksin butë

Një trishtim i ëmbël që të dhemb

 

Pastaj përmbi plloça fshes’ e barit

Fëshfërima ledhash nëpërmend

Si e ngrohta jug’ që zgjon beharin

Si e ngrohta buz’ që mallin end

 

Shtyj jorganin e dal nga ëndrra

Përmbi Dajt një ftua hëne zverdh

Një merak më ngjizet e them: – Nëna!

 

Foto kryesore: Me rastin e 55 vjetorit të ditëlindjes së autorit, z. Riza Braholli, lokali “Muza e bardhë”. Në sfond të fotos, George Peabody Library, Johns Hopkins University, Baltimore, Maryland, ShBA (Fotocredit: Valbona Natahanaili).

 

Në fillimet e tranzicionit Nga Dr. Valbona Nathanaili

Në fillimet e tranzicionit

Refleksione rreth librit të ish-kryeministrit të Qeverisë së Stabilitetit, z. Ylli Bufi

Nga Dr. Valbona Nathanaili

Qershor, 2016

Libri “Në fillimet e tranzicionit”, me autor ish-kryeministrin e Qeverisë së Stabilitetit, z. Ylli Bufi, vjen tamam në kohë, si për ta na rikujtuar edhe një herë, se 25 vjet pas vitit 1991,udhëhiqemi nga të njëjtët emra që bëjnë të njëjtat sherre, si dhe jetojmë në të njëjtën situatë politike, po aq kaotike dhe dëshpëruese. Por ndërsa në fillim të viteve 1990 ishte një shoqëri që ëndërronte për më mirë dhe për më shumë, sot edhe më ëndërrimtari ka thyer kokën pas murit të zhgënjimit dhe edhe më naivit i janë hapur sytë nga përmasat e dështimit. Në këta 25 vjet, klasa jonë politike nuk ka dështuar vetëm në dy gjëra: në aftësinë për të qenë e paaftë për të drejtuar dhe në përkushtimin për të menduar vetëm për vete. Kryefjala e çdo nisme të tyre ka filluar dhe mbaruar me: Çfarë fitoj unë, personalisht? Po fëmijët e mi, gruaja ime, kushërinjtë e mi? Kaq ka qenë amplituda e mendimit. Përtej saj, boshllëk. Dhjetë luftëra të ishin bërë, nuk besoj se do sillnin me shumë dëm e shkatërrim, më shumë rrënim e varfëri, më shumë demoralizim e shpresë-humbje. Deri dje duhej të shporreshin nga postet që kanë uzurpuar; sot duhet të futen në burg për këtë moçal në të cilin e kanë shndërruar Shqipërinë. Dhe të kthejnë çdo lekë të vjedhur!

Libri përmban ngjarje të zhvilluara gjatë gjithë harkut të ekzistencës së kësaj qeverie, afro 180 ditë, treguar, kryesisht, sipas kujtimeve të vetë autorit, sepse përveç dokumenteve, një vend të rëndësishëm zë edhe pasqyrimi i bisedave dhe takimeve formale e informale të autorit, me personazhe që kanë marrë vendime në emrin tonë, por influencuar thjesht nga interesa të çastit, në mos nga mungesa e vizionit ose një karakter i deformuar.

Viti 1991 është një mish-mash partish dhe organizatash, që kërkojnë vetëm pushtet. Partia e Punës, Partia Demokratike, Partia Republikane, Partia Socialdemokrate, organizata OMONIA, konfederata, sindikata…

“Drejtuesit e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura nuk pranonin të uleshin në një tavolinë me ata të Konfederatës. Për këtë arsye, m’u desh t’i takoja veç e veç,” – me synimin për të pasur mbështetjen e tyre, shkruan autori, në rolin e kryeministrit të kohës.

Po aq të lodhshme janë përpjekjet për të formuar kabinetin. Një kakofoni pazaresh për poste ministrash e drejtimi. Në përpjekjet për të krijuar qeverinë, sipas autorit:

“Sabri Godo u shpreh i pakënaqur me numrin e dikastereve që kisha caktuar për Partinë Republikane, donte më shumë.”  Nga ana tjetër, “Kisha menduar se me Skënder Gjinushin do ta kisha të lehtë bisedën, por më doli ndryshe. Ai jo vetëm u ankua për numrin e paktë të dikastereve të rezervuara për partinë e tij, por insistoi që të merrte Ministrinë e Arsimit dhe atë të Mbrojtjes. I shpjegova se për këto ministri, tashmë, kisha rënë dakord me Nanon dhe Berishën, por Gjinushi vazhdoi të ngulte këmbë në kërkesat e tij. Atëherë, u detyrova që si zgjidhje t’i ofroj postin e sekretarit të Shtetit për Arsimin.”

Për autorin e parathënies, Afrim Krasniqi, këto ngjarje janë çelësi për të lexuar Shqipërinë e sotme. Në mendimin tim, po, nëse do të ishin shkruar 25 vjet më parë dhe ndoshta do i binin kambanave që do mund të dëgjoheshin. Sot janë kujtime. Sepse ne kemi 25 vjet që jemi han pa porta, kështu që për çfarë duhet çelësi kur nuk ka portë për të hapur? Për më tepër, kur nuk ka mbetur gjë pa lexuar nga historia e Shqipërisë së sotme. Edhe më analfabeti e di se si vazhdojnë fletët e shkruara të historisë sonë edhe, të paktën, për disa vite në vijim, me këta pseudo-politikanë që kemi. Janë ato faqe që, duke filluar nga viti 1991, kur të udhëhiqemi nga njerëz të mençur dhe të përgjegjshëm për detyrën që kanë marrë, duhet të përmbajnë vetëm një fjali: kalo 25 vjet më pas.

Por kujtime ose jo, libri është një mundësi e mirë për të pasuruar bibliotekën me një autor, i cili më shumë se të hynte në histori, pati guximin të dilte prej saj. Dhe të mbahet mend për deklaratën e famshme të 6 ditëve bukë që kishim për të ngrënë.

Foto kryesore: Shkëputur nga libri, f. 142

NË FILLIMET E TRANZICIONIT Autor Ylli Bufi 

NË FILLIMET E TRANZICIONIT. Qeveria e stabilitetit, një marrëveshje politike apo një kompromis i përkohshëm? Autor Ylli Bufi 

Botim i UET Press, 420 faqe, çmimi 900 lekë, ISBN 978-9928-190-75-8. Tiranë, qershor 2016.

Përmbajtja: FILLIMI I TRANZICIONIT DEMOKRATIK: Rënia e Murit të Berlinit dhe ndikimet në Shqipëri/ Zgjedhjet e para shumëpartiake dhe parlamenti pluralist / Rënia e Qeverisë Nano dhe marrëveshja politike për një qeveri pluraliste. KRIJIMI DHE PROGRAMI I QEVERISË SË STABILITETIT: Negociatat për formimin e Qeverisë / Programi dhe votbesimi i Qeverisë. SHQIPËRIA RIKTHEHET NË FAMILJEN E KOMBEVE DEMOKRATIKE: Vizitat e ministrit të Jashtëm italian De Mikelis / Rezoluta e Parlamentit Europian / Vizita e ministrit të Jashtëm gjerman H. Gensher / Shqipëria pranohet në KSBE / Vizita e Sekretarit amerikan të Shtetit  / Takimi i parë me kryeministrin italian Xhulio Andreotti / Takimi me Papën Gjon Pali ll  / Ftohtësia franceze dhe vizita e Kushner në Tiranë / Presidenti i Italisë Françesko Kosiga në Tiranë  / Takimi me kryeministrin grek K. Micotaqis / Përsëri në Romë me kryeministrin italian Xhulio Andreotti / Shpërbërja e ish-Jugosllavisë dhe problemi i Kosovës / Në Maltë për bashkëjetesën fetare. PËRBALLIMI I KRIZËS EMERGJENTE: Komitetet ekzekutive të përkohshme pluraliste / Kuvendi vlerëson punën e qeverisë / Viti i eksodeve masive të shqiptarëve / Fillon operacioni “Pelikan” / Pafajësi apo amnisti për ish-të dënuarit dhe ish të përndjekurit politikë / Rendi publik – pika e nxehtë e stabilizimit / Intervistë e Kryetarit të Këshillit të Ministrave, Ylli Bufi. PROGRAMI I REFORMËS EKONOMIKE: Debati për ligjin e tokës / Iniciativa e lirë – themeli i ekonomisë së tregut / Si e kuptonim reformën 25 vjet më parë / Diskutimi i Programit të Reformës në Kuvend / Reforma Ekonomike, 10 vjet pas fillimit të saj. VLERËSIMET AMERIKANE: Vizita në SHBA / Anketimet amerikane të USIA-s.RËNIA E QEVERISË SË STABILITETIT: Debatet për shpejtimin e datës së zgjedhjeve / S. Berisha tërheq ministrat e PD nga qeveria  / Dorëheqja e Qeverisë së Stabilitetit / Pse ra Qeveria e Stabilitetit? / Intervistë në TVSH. ANEKS

Pjesë nga libri: Sali Berisha tërheq ministrat e PD nga qeveria

Gjatë muajit nëntor, mbledhjet e grupit parlamentar, por edhe të kryesisë së PD ishin të ngarkuara me anatemimin e punës së qeverisë dhe të ministrave të saj. Thelbi i argumenteve për të dalë nga qeveria ishte se ‘komunistët po fitonin terren nga bashkëqeverisja me demokratët’, gjë që rrezikonte fitoren e PD në zgjedhjet e ardhshme. Një mbledhje e stërgjatur e grupit parlamentar të PD ndërpreu, për dy ditë, zhvillimin e seancës plenare të Kuvendit Popullor. Në përfundim të kësaj mbledhjeje, Arben Imami, në emër të grupit parlamentar, bëri një deklaratë, ku shpreheshin shqetësimet për gjendjen ekonomike dhe sidomos për rendin dhe për mënyrën e drejtimit të RTSH.
Shqetësimet e PD u shprehën në mënyrë ultimative. Paskëtaj, fillimisht, në një mbledhje tjetër të grupit parlamentar dhe pastaj në mbledhjen e datës 25 nëntor të kryesisë së partisë u formuluan kërkesat që PD do të vinte për të kushtëzuar qëndrimin e saj në qeveri. Ato ishin katër:

  • arrestimi i bllokmenëve,
  • shkarkimi i drejtorit të përgjithshëm të Radiotelevizionit,
  • gjetja e fajtorëve për vrasjet e 2 prillit
  • afrimi i datës së zgjedhjeve.

Më datë 26 nëntor mblidhet Këshilli Kombëtar dhe grupi parlamentar i PD, me synimin për t’u vënë vulën katër kushteve, të cilat nuk kishin asnjë lidhje me veprimtarinë dhe me kompetencat e qeverisë. Ato morën vulën e Këshillit Kombëtar të PD-së në këtë mbledhje. U la një afat katërditor për negocimin e kushteve.

Mbledhja u dominua tërësisht nga radikalët. Të gjithë anatemuan qeverinë dhe ministrat e PD, të cilët mungonin në këtë mbledhje, me përjashtim të Preç Zogajt. Në librin e tij, Zogaj kujton: “më duhej t’i mbroja ministrat nga agresioni i më të tërbuarve në radhët e radikalëve. Shkëmbyem fjalë të rënda dhe fyerje të ndërsjellta.”

Sali Berisha kishte vendosur të shkonte në zgjedhje në gjendje lufte dhe jo në detantë me socialistët…

Të nesërmen e mbledhjes së përbashkët të grupit të deputetëve të PD dhe të Këshillit Kombëtar, Rilindja Demokratike botoi Deklaratën e mëposhtme:

“Aktivi i përbashkët i grupit të deputetëve dhe i Këshillit Kombëtar të PD, në mbledhjen e sotme të datës 26.11.1991, konstatoi se Shqipëria ka hyrë në një krizë të përgjithshme politike. Qeveria e Stabilitetit, e cila u gjend si zgjidhje politike e vetme dhe gati e detyrueshme gjashtë muaj më parë, sot ndodhet në kufijtë e falimentimit të plotë. Ekuilibri politik që duhej të mbante në këmbë Qeverinë e Stabilitetit, më se një herë është prishur brutalisht nga Partia Socialiste, nuk është fjala këtu për sabotimin e heshtur të sa e sa vendimeve me natyrë ekonomike, që fillojnë me ligjin e tokës dhe mbarojnë me vendimet e fundit për privatizimin e ndërmarrjeve. Nuk e kemi fjalën, gjithashtu, as për morinë e nëpunësve monistë, që vazhdojnë të mbushin aparatet shtetërore, që, si një mur gome, kanë rrethuar dhe veshur të gjitha strukturat shtetërore të vjetra, për t’i mbrojtur nga goditjet e forcave të reja demokratike. Por këtu bëhet fjalë për shkelje të hapura të bashkëjetesës politike midis forcave politike në një shtet demokratik, siç janë, mbajtja nën kontroll e televizionit të shtetit, pavarësisht nga protestat e hapura të mbarë opinionit demokratik shqiptar dhe të vetë punonjësve të këtij institucioni, si dhe vazhdimi i qëndrimit në krye të këtij institucioni të një drejtori marksist, të emëruar në mënyrë të paligjshme.

Sot janë bllokuar dhe po lihen në harresë gjyqe të tilla, si ai i Shkodrës, apo hetimi mbi vjedhjet dhe përdorimet e nomenklaturës së kuqe, të cilat janë guri i provës për një shtet të ri demokratik. Në këto procese të mëdha Shqipëria demokratike shikonte dosjen e themeleve të shtetit të ri juridik dhe kishte shpresën se ato do të shërbenin për të mbyllur një faqe të zezë në historinë e vendit dhe do të hapnin rrugën për bashkimin kombëtar.

Por populli shqiptar, tejet i lodhur nga kriza e rëndë ekonomike, po deziluzionohet gjithnjë e më tepër dhe po humbet besimin në këtë qeveri dhe parlament.

Në këto kushte, kur shtetin shqiptar po e drejtojnë forca okulte dhe kur fatet e vendit ndodhen në udhëkryq, PD, duke pasur
parasysh rolin e saj si forca kryesore e opozitës, vendosi që të shtrojë përpara Qeverisë, Parlamentit, si dhe partive të tjera që
bëjnë pjesë në qeveri, duke përfshirë dhe Partinë Socialiste, këto kërkesa, plotësimi i të cilave do të shërbente për zhbllokimin e
krizës politike:

  1. Zgjedhjet e lira të përgjithshme të zhvillohen jo më larg se data 23 shkurt 1992
  2. Të rifillojë procesi i gjyqit të Shkodrës dhe të ndëshkohen fajtorët e këtij krimi politik.
  3. Problemi i RTV shqiptar, të zgjidhet konform normave kushtetuese dhe Kartës së Helsinkit.
  4. Të arrestohen bllokmenët e akuzuar për shpërdorime në kurriz të popullit dhe shtetit shqiptar.

Aktivi i deputetëve dhe i Këshillit Kombëtar të PD vendosi që në qoftë se këto kërkesa nuk do të realizohen deri më 3 dhjetor
1991, PD do të largohet nga Qeveria e Stabilitetit Kombëtar, për të kaluar në një opozitë aktive, të ndershme dhe konstruktive në shërbim të interesave të larta të popullit dhe kombit shqiptar”.

Por vendosja e këtyre kushteve ishte një veprim i pakuptimtë dhe jo institucional. Kujt i viheshin këto kushte? Qeverisë? Asnjëri prej kushteve nuk ishte në kompetencë të saj, prandaj ajo nuk mund të negocionte. Apo i viheshin Partisë Socialiste? Aq më tepër, kjo parti nuk kishte asnjë lidhje institucionale me kërkesat e PD. PS do të jepte, gjë që e kishte dhënë, vetëm opinionin e saj për datën e zgjedhjeve.

Dukej qartë që, përmes kushteve, PD donte të gjente një zgjidhje për kohezionin e brendshëm të saj. Radikalët u vinin kushte të moderuarve brenda PD-së, për t’i vënë ata në vështirësi. Prandaj dhe negociatorë u vetëcaktuan dy të moderuar: Neritan Ceka dhe Genc Ruli. “Doni ta mbani qeverinë, negocioni me komunistët për të zgjidhur këto kushte”, kjo ishte arsyeja pse u vendosën kushtet nga radikalët. Kushtet, në fakt, ishin vetëm pretekst për të justifikuar para opinionit veprimin që po ndërmerrnin për rrëzimin e qeverisë.

Meqenëse caktimi datës së zgjedhjeve është kompetencë e presidentit të Republikës, ai thirri në Presidencë, në mbrëmjen e datës 2 dhjetor, përfaqësuesit e të gjitha partive, si dhe kryetarin e Kuvendit, Kastriot Islami, dhe mua, si kryetar i Këshillit të Ministrave. Ishte një takim krejtësisht formal. Mendimet e partive politike për zgjedhjet e parakohshme ishin të ndryshme. PD kërkonte që ato të mbaheshin më 20-23 shkurt, PSD propozonte 15 marsin, kurse PS, fundin e marsit. Presidenti kërkoi prej
tyre që brenda datës 20 dhjetor ato të dërgonin me shkrim në Presidencë datat e propozuara prej tyre dhe pastaj do të ishte ai që do të dekretonte datën e zgjedhjeve. Presidenti nuk pranoi të negocionte asnjë nga çështjet e tjera, që përfshiheshin në kushtet ultimative të PD, sepse i vlerësoi se nuk ishin në kompetencë të tij. Dukej se Presidenti ishte tepër i nervozuar me
ultimatumin për arrestimin e bllokmenëve, sidomos të Nexhmije Hoxhës, por diti ta përmbajë veten. “Unë nuk e kam të drejtën e ndërhyrjes në punët e organeve të drejtësisë, – tha ai. – Çdo ndërhyrje do të ishte joligjore dhe antikushtetuese”.

Në datën 27.11.1991, nga tre ministrat republikanë, Teodor Kareco, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Fatos Bitincka, ministër i Transporteve, dhe Alfred Karamuço, kryetar i Komisionit të Kontrollit të Shtetit, unë mora një promemorie. Promemoria, megjithëse i drejtohej Kryesisë së Këshillit të Ministrave me kërkesën për shqyrtim të
menjëhershëm, ishte botuar më parë më gazetën e Partisë Republikane.

Për këtë arsye, unë mblodha qeverinë për ta analizuar atë. Në promemorie rreshtoheshin një sërë problemesh që lidheshin, kryesisht, me Ministrinë e Transporteve dhe me Komisionin e Kontrollit të Shtetit dhe, duke marrë shkas nga këto probleme, bëheshin kritika për mënyrën e funksionimit të qeverisë dhe të drejtimit të saj prej kryeministrit.

Në fakt, promemoria ishte një gjest politik i Partisë Republikane dhe e kryetarit të saj, Sabri Godo, i cili, duke nuhatur sesi po zhvilloheshin ngjarjet politike, nxitonte të hidhte një hap për prishjen e qeverisë para se këtë hap ta bënte Sali Berisha. Qeveria, e mbledhur për këtë qëllim më datën 28.11.1991, nuk e pranoi përmbajtjen e promemories dhe u kërkoi autorëve të saj që ta tërhiqnin atë. Ministrat republikanë nuk pranuan. Meqenëse mospranimi i promemories ishte konsideruar si kusht i pjesëmarrjes së mëtejshme të tyre në qeveri, më datë 31.11.1991 unë i propozova Presidentit të Republikës shkarkimin nga detyra të ministrave republikanë. Në fakt, ndjeva një keqardhje për ministrat, që ishin të detyruar nga Sabri Godo të
bënin një veprim të tillë.

Pas përfundimit të mbledhjes natën vonë, Neritan Ceka dhe Genc Ruli i kërkuan një takim të veçantë Presidentit të Republikës për të negociuar me të zgjidhjen e kushteve të PD, sidomos pikën që lidhej me arrestimin e Nexhmije Hoxhës. Ai, siç ka deklaruar publikisht, nuk mori përsipër asgjë tjetër, përveç atyre për të cilat u fol në mbledhjen me përfaqësuesit e partive.
Ceka dhe Ruli bënë ç’ishte e mundur që të evitonin prishjen qeverisë.

Të nesërmen ata biseduan edhe me titullarët e Hetuesisë dhe të Prokurorisë së Përgjithshme për të bërë të mundur nxjerrjen e urdhrit të arrestimit për Nexhmije Hoxhën dhe për bllokmenët e tjerë, që, me sa dukej, përbënte kushtin më të rëndësishëm për S. Berishën. Por, pavarësisht nga kjo, Sali Berisha filloi konferencën e shtypit të njoftuar, për largimin e ministrave të PD nga Qeveria e Stabilitetit.

Atdheu si Dasanta H. Rrëfime dhe refleksione Autor Vladimir Myrtezai

Atdheu si Dasanta H. Rrëfime dhe refleksione Autor Vladimir Myrtezai

Botim i UET Press, 444 faqe, çmimi 1000 lekë, ISBN 978-9928-190-79-6. Tiranë, korrik 2016.

Disa fjalë për hyrje nga autori 

Ky është rrëfimi i një njeriu, që e kundroi kohën si shans në postimet dhe arratisjet e fantazisë, duke besuar se do ishte një dëshmitar me vlerë, ku herë si objekt dhe herë ndërsjelltazi do ishte brenda ngjarjes në mënyrë fatale, me besimin se po e jetonte botën si ëndërrimtar. Por jo nga ata ëndërrimtarë të fortë, që vijnë e ndryshojnë botën në lidhje me vlerën për ta jetuar atë përmes cilësisë; një ndërgjegje e ngarkuar me përgjegjësinë që e merr realitetin si shkas të veprës së tij. Një njeri që nuk kish lidhje me punën, rregullin, ligjet, hierarkitë, as me pemën e familjes; por si një formë, shtjellë e mbarsur me fotografimin e kohës, që më shumë se e mësuar është një e dhënë natyrale e stampuar de facto. Ky njeri mendon se e ka sjellë fati në atdheun e tij (zonë e frymë krijuese) si pasqyrë të kundër-kohës, për të rrëfyer e artikuluar në mos veten, shoqërinë. Për fat, në “atdheun” jo shumë të rregulluar në strukturë, po të dekontraktuar në ngërçe historie (si forma zhvillimi), që si e tillë iu afrua ta jetonte me vëmendjen më absolute që meriton një jetë njerëzore! Nëse ky personazh i rrëfyer do ishte një bimë, me patjetër do mbinte rrëzë një sqolli ku lahen enët dhe qarkullojnë ujëra. Një njeri që kur haste në realitete arti i dukej sikur i kishte jetuar më parë; dhe, në të kundërt, kur hynte në soditjen e gjallë të natyrës, i shëmbëllehej vetja sikur po panoramonte një vepër arti live. Për fat, ky njeri e ndjen veten të ambalazhuar nga koha e tij, si një mundësi unike për të lëvizur brenda një lënde të fshehtë e të kodifikuar me hapje konkave për nga mbyllja dhe fshehtësia e hershme për t’u shndërruar, më pas, kah koniciteti, kah hapja e danguar si njollë drejt së panjohurës nesër. Një shenjë ndërgjegjeje si një zonë e kulluar dhe e paprekur nga të gjallët, por e projektuar më vonë po për ta. Ky realitet i dyfishtë i ngjan dhe i puthitet çdo krijuesi që duket si i mbivendosur mes njerëzve, i panatyrshëm dhe në shumë pika pamjeje herë naiv, herë demode e jashtë kohe, e herë si përjashtim i të dyjave në një padallueshmëri në rrafsh krejt të ulët në shestim. Por të gjitha zerohen nëse ky frymor nuk do shfaqë natyralitetin e tij, formën e hapur për t’u shprehur me zë jo të lartë, por e zezë në të bardhë, për të dëshmuar kësisoj atdheun e tij parak: artin, apo formën iluzive (ku nuk i jepte llogari kurrkujt), për të cilin u investua jo si zgjidhje e çështjes, por si zgjedhje e saj; për të shënjuar në kohë në të gjitha trajtat e shquara që i afroi fati i të qenit i pranishëm. Ky njeri e bën këtë gjë, pasi nuk ka mundësi të tjera veç këtij fakti dhe një mundësie natyrale për të vrojtuar e qenë mes jetës. Sërish me ndrojtje e në një mundësi të pamundur për të jetuar një përvojë krejt tjetër në lloj: pamundësinë si projektim i tij për të jetuar, për shembull, një dimension të humbur e të pafat – luftën. Gjërat e mëdha të rrisin, të voglat të shtojnë kureshtjen, ndërsa arti të zhvendos herë nga njëra e herë nga tjetra.

Përmbajtja 

Të dielat / Shtëpia kazermë / Marrëzi në zheg / Ambalazhet e Bar Lux / Sallahane / Dy kohët e Migjen Prespës / Fotografi e zmadhuar Dekalogu si paradhomë / Dashuria në formën e kapotës  / Bores / Kthina në muzg / Sirtarët / Dhomat e mendjes / Dekori / Koleksionisti / Dushanka / Liceu / Hëna mbi komo / Fast-food, ose lëçitje urbane / Sanella / Shkrimtarët / Barok – Roksana D / Postritual / Tatoci / Sehirxhinjtë, pasqyra përkundër / Sqetullat e natës / Jeta si festë / Dekorata / Dashuria e parë / Tallava / Troku i zhurmave nën asfalt / Sarhoshi / Ajër me kusht / Parajsë dhe bunker / Parfumi / Esma / Take it easy! / Takimi në vilën Guy Savoy / Vagonë të harruar pa stacion / Dyrrotaku kontrapedal / Atdheu si Dasanta H. / “Tokio” / Pika shiu dhe arna / Fuga në ajër / Xhixha / Trishtimi për Hurmanë / Erë mbi shkurre / Simbiozë nga anonimati / I vetmuari / Kuqo / Njolla mbi tavolinë / Viki

HËNA MBI KOMO (pjesë nga libri, f. 153)

Orana Hyka përsillej si somnambul netëve të zgjatura, e zbrujtur nga pagjumësia e dallgëzimi rrethor i orendive të zakonta përreth. Një dialog i heshtur tashmë, një rit i përsëritur.
Dalëngadalë po i dorëzohej këtij lloj fataliteti për të qenë më së shumti një përsëritje e sendeve relikte që bashkëjetonin me të, në pagjumësi stoike e të tretur gjatë, si refleks i netëve të pafundme; një grua e vetmuar, jo e zakontë, më së shumti në terr e në dritëhije. E trembnin deri në neveri mëngjeset dhe normaliteti i njerëzve të robotizuar ngakërkesat e ethshme të sistemit ku jetonte dhe përzgjedhja e luftës së përditshme për të mbijetuar. Zhytej në anonimatin e asgjësë, për t’u tretur si pa kuptim e arsye nga ditët normale. Zgjedhja e saj për të qenë pjesë e jetës nuk mund të ishte e ngjashme me ca krijesa si të mbijetuara e të barabitura në një front mediokër e super të zakonshëm, që i kish sjellë në derë fati dhe ndërrimi i kampeve. Orana Hyka ishte një tjetër prerje, e vetëpërjashtuar nga luftërat që fatalisht do vetëkryhej në ciklin e saj, si një pemë, ashtu e vetmuar e në sindromën e lartësuar të narcizmit të saj. Në fakt, e gjithë historia e Orana Hykës qëndronte kundruall një joshjeje që natyra ia kish falë butësisht, si epiqendrën e të gjitha ndërvarjeve që ajo do krijonte në ecejaket e buta e të mbyllura, si një femër klasi, e bollshme në mundësi për nga ndikimi.
Vërtitej natën e përzgjatur nën valët e reflekset e helmëta të televizorit, që sa vinte dhe më shumë po armiqësohej kategorikisht.
Nuk e kish dashur as dhe një herë këtë shkëlqim sipërfaqësor dhe ndërmjetësimin e të ashtuquajturës rehati e informacionit,
apo ndarje e kurioziteti të gatshëmkulturor, pasi vetë formimi i saj i takonte një udhëtimi krejt të brendshëm, të pa huazuar nga
ndikues të këqij e lojtarë të dukshëm mendjesh prodhuar enkas në avantskenë.
Nganjëherë stepej në gjëra themelore në qasjen ndaj objekteve klasike, duke dëgjuar muzikë të hershme e përsëritur diçka që kish të bënte me faktorë të largët dimensionesh madhore, diçka kapitale që ndjellte hapësirë shëtitëse; ndjesi të tendosura emocionesh të shtrira e të thella; ose provokonte pramje në paqe, diç më shumë se një kuriozitet i konsoliduar në vëmendjet e mëdha të gjindes së kultivuar. Aleatët e saj më të qëndrueshëm ishin të lexuarit ritual dhe disqet e vjetër muzikorë, ku humbiste me gjithsej dhe krejt e çliruar; një ajër i madh i afrohej si një fatalitet qenësor, si pa një mundësi të dytë zgjedhjeje. Orana Hyka ekzistonte në dëshirë si një pavëmendje e madhe dhe e anashkaluar. Ndihej e përzgjedhura e fatit të saj, si një histori kalamendëse që i ish dashur t’i jepte trajtë me fuqinë e një femre me peshë e prezencë, për të siguruar kësisoj ajrin e duhur si rezistencë karshi rastësive anarkike dhe ironisë së fatit; ose thjesht fatit, që i vinte krejt në të kundërt, si kompozim i
rastësishëm njerëzor, ndrequr me gabime.
Shtëpia e saj, ose më saktë dhoma e preferuar e ndenjes gjendej në katin e dytë. Ajo ishte hapësira më e vëzhguar, si bashkëshoqëruese e të gjithë kalvarit me ornamentet dhe veprat e artit në një shije të kërcyer e ekstravagante; duhma shungulluese jashtë këtij volumi tredimensionësh që i përplasej në ballë si një pllangëurie e drite, për të çarë këtë lloj terri, me të cilin bashkëjetonte. Ajo ndjehej simbolikisht xhevahiri i shndritshëm në sëndukun e vet të mugët, me ca atmosferë kohe, që shpërndahej në errësirë me gjendje përndritëse e inkandeshente. Nuk ishte veç një rast i dyshuar, si jashtë të zakonshmes, apo si një sindromë e zgjedhjes së hapësirës për t’u kryer në fatalitet rrethanash të ngarkuara, në një pezulli të zgjatur të asaj që e quajmë pritje të një rrethane të përputhur si shtegdalje.
Dërrmohej së qeshuri për ironitë fatale, sepse ashtu ngadalë kishte nisur të binte dakord me gjithë atë çfarë e rrethonte në formë pushtimi. Nga kulmet e pamjes njerëzore dhe llastimet e kohës në favor, kish rënë si padashur në një gropë ku i duhej ta merrte veten me të mirë, dhe të përpiqej ta justifikonte shpirtërisht boshin dhe gjendjen e ndezur, si një prani e domosdoshme që duhej dashur.
Për çudi, nuk ndjente trishtim. Ishte një dorëzim ndjenjash. Nënqeshi sërish dhe mendoi se si një rrethanë apo akt izolimi
mund të të zgjojë të tilla ndjenja periferike e të vetmuara, që rrënonin një kult të ri, si formë refraktare dhe e allasojtë, duke e
ngritur vetë heshtjen dhe meditimin në një armë apo mjet të ri komunikimi, të paorganizuar e si me humor të zvargur.
– Mundet… – pohoi me vete.
– Ka edhe kështu.
Orana Hyka zbriti në katin poshtë dhe iu dorëzua një dushi të ngrohtë, si për t’u pastruar për pak nga kllapitë e zgjatura. Për pak përhumbi në zgjedhjen e veshjeve intime dhe u zhyt në ujë, pa menduar më gjatë, duke i lënë vetes kohë. Nën ndjesinë e përditshme të ujit, që e prekte si një aleat stoik në ndarjen e kënaqësive të zgjatura. Një përditshmëri që prishej si ritual nga …

vijon …

Fjalimet TED. Udhërrëfyesi zyrtar i TED-it për të folurit në publik Autor CHRIS ANDERSON

Fjalimet TED. Udhërrëfyesi zyrtar i TED-it për të folurit në publik

Autor CHRIS ANDERSON

Përktheu nga anglishtja Valbona NATHANAILI

Prishtinë, 2016: Shtëpia Botuese “Pema” Çmimi: 8€ / 1100 lekë, 336 f.

Pjesë nga parathënia e autorit

Synimet i këtij libri janë të shpjegojë si arrihet mrekullia e një të folure të fuqishme në publik, si dhe t’u pajisë me njohuritë e duhura për të dhënë më të mirën gjatë një procesi të tillë. Por ka diçka që duhet theksuar që në fillim.

Nuk ekziston një mënyrë e vetme për të mbajtur një fjalim shumë të mirë. Ndonëse bota e njohurive është shumë e madhe, spektri i folësve, audiencës dhe i tematikave përsëri është shumë i ndryshëm për të. Çdo përpjekje për të zbatuar një formulë të vetme, me gjasë do të dalë huq. Audienca e kupton menjëherë dhe ndihet e manipuluar.

Nga ana tjetër, edhe sikur, në një kohë të caktuar, të ekzistonte një formulë e suksesshme, ajo nuk do mund të rezistonte për një kohë të gjatë. Kjo, sepse pjesë domethënëse e kërkesës për të pasur një fjalim fantastik është freskia e tij. Ne jemi njerëz. Ne nuk na pëlqejnë gjërat që janë thënë një herë. Nëse fjalimi që mbani le përshtypjen se është i ngjashëm me atë të dikujt tjetër, dëgjuar më parë, është e sigurt që do të ketë më pak ndikim. Gjëja e fundit që do kërkoja kur mbaj një fjalim, është të tingëllojë i njëjtë për çdo njeri, ose që dikush të mendojë se po kërkoj t’ia hedh.

Thënë këto, nuk duhet t’i konsideroni këshillat e këtij libri si rregulla që përshkruajnë një mënyrë të vetme për të folur. Në të vërtetë, mendoni për to si një ofertë, me një set instrumentesh, hartuar për të inkurajuar ndryshueshmërinë. Nga to, zgjidhni dhe përdorni ato që bëjnë për ju dhe për mundësinë për të folur që ju jepet e me të cilën duhet të përballeni. Detyra e parë dhe e fundit që keni kur mbani një fjalim është të gjeni dhe të thoni diçka që ja vlen. Por jo vetëm. Ta thoni me vërtetësi dhe, në mënyrë unike, sipas jush.

Një gjë e tillë vjen natyrshëm, më shumë sa mund ta mendoni. E folura në publik është një art i lashtë, ngulitur thellë në mendjen tonë. Zbulimet arkeologjike tregojnë se qindra mijëra vjet më parë të parët tanë mblidheshin rreth zjarrit, në vende të caktuara, për të mbajtur takime të rregullta. Në çdo kulturë të planetit tonë, me zhvillimin e gjuhës, njerëzit mësuan të ndajnë historitë, shpresat dhe ëndrrat e tyre me njëri-tjetrin. Përfytyroni një skenë tipike. Ka rënë mbrëmja. Zjarri bubulon. Drurët kërcasin dhe lëshojnë shkëndija nën një qiell xixëllues. Një i moshuar ngrihet. Sytë e të gjithëve nguliten në fytyrën e tij të zgjuar dhe të rrudhur, ndriçuar nga drita e zjarrit që vallëzon në të. Historia fillon. Ndërsa i moshuari flet, secili nga dëgjuesit përfytyron, me mendjen e tij, ngjarjet që po tregohen. Përfytyrimi ngjall të njëjtat emocione që përjetojnë edhe personazhet e historisë. Ky është një proces shumë i fuqishëm, një formatim i drejtpërdrejtë i shumë mendjeve në një. Për një kohë të caktuar, të gjithë njerëzit rreth zjarrit veprojnë sikur të jenë një formë e vetme jete. Ata ekzaltohen së bashku, kërcejnë së bashku, këndojnë së bashku. Nga një gjendje e tillë e përbashkët, pak i ndan nga hapi tjetër, dëshira dhe vendosmëria për të vepruar së bashku, për të ndërmarrë një udhëtim, nisur një betejë, ngritur një ndërtesë a festuar për një rast.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe sot. Për një udhëheqës, ose mbrojtës të një kauze, e folura në publik është çelësi për të ndjerë empati dhe nxitur kurajë, për të ndarë njohuri dhe ndryshuar perceptime, për të promovuar një ëndërr që mendon se duhet të jetë e përbashkët. Po, e folura në publik sot ka fituar dimensione të reja pushteti. Hapësira e vogël rreth zjarrit e të parëve tanë, sot ka marrë përmasa globale, është bërë gjithë planeti ynë. Falë internetit, një bisedë e vetme, në një teatër të vetëm, mund të përfundojë në sytë e veshët e miliona njerëzve. Pikërisht sikundër shtypi i shkruar amplifikon pushtetin e autorëve, uebi amplifikon pushtetin e folësve. Aksesi në ueb mundëson çdo njeri, në çdo vend të botës (pak a shumë, brenda një dekade, ky akses do jetë i mundshëm pothuaj edhe për çdo fshat) të lidhet direkt me mësuesit më të mirë dhe të mësojë direkt nga ta, nga shtëpitë e tyre. Papritmas, ky art i lashtë ka marrë përmasë globale.

Ky revolucion është shkëndija e rilindjes së të folurës në publik. Shumë nga ne kanë vuajtur vite të gjatë mërzitjeje leksionesh në universitet, predikime pafund në kishë, ose roll-your-eyes predictable political stump speeches. Nuk duhet të ndodhë më kështu.

Kur bëhet në mënyrën e duhur, një fjalim mund të elektrizojë dëgjuesit në një dhomë dhe transformojë pikëpamjet e tyre. Kur bëhet në mënyrën e duhur, një fjalim është më i fuqishëm se çdo formë të shkruari. E shkruara na jep fjalët. E folura mbart një tërësi elementesh të rinj. Kur ne ngulim sytë tanë në sytë e atij që flet, dëgjojmë tonin e zërit të tij, ndjejmë dobësi, inteligjencë dhe pasion, në mënyrë të pavetëdijshme, sinkronizohemi me aftësi të gdhendura brenda nesh prej qindra e mijëra vjetësh, aftësi në gjendje të galvanizojnë, të japin pushtet e frymëzojnë.

Për më tepër, këto aftësi, sot, jemi gjendje t’i shumëfishojmë në përmasa që shkojnë përtej çdo përfytyrimi të të parëve tanë. Ne jemi të aftë të tregojmë, me bukurinë e një qartësie që shkon deri në detajet më të vogla, çdo imazh që një njeri mund të fotografojë ose përfytyrojë. Ne jemi të aftë të bëjmë një video ose muzikë. Ne jemi të aftë të hartojmë një projekt kërkimor që përfaqëson gjithë dijen njerëzore, të arritshëm nga kushdo që ka një aparat smartphone.

Lajmi i mirë është që këto aftësi mund të mësohen. Absolutisht po. Kjo do të thotë që ekziston një superpushtet i ri, nga i cili mund të përfitojë çdokush, i ri a i vjetër qoftë. Quhet teoria e prezantimit. Ne jetojmë në erën ku, mënyra më e mirë për të lënë gjurmë në këtë botë, nuk është më t’i shkruash letër botuesit ose të publikosh një libër. Por thjesht të ngrihesh dhe të flasësh… sepse, si fjalët, ashtu edhe pasioni me të cilën ato thuhen, mund të shpërndahen në të gjithë botën me shpejtësi disa herë atë të dritës.

Në shekullin XXI, teoria e prezantimit duhet të mësohet në çdo shkollë. Në të vërtetë, përpara erës së librit, teoria e prezantimit ishte pjesë e mësimeve bazë në shkollë, ndonëse me një emër disi të modës së vjetër, retorikë. Sot, në erën e internetit, duhet të ringjallim edhe një herë këtë art fisnik dhe ta bëjmë dimension të katërt të shkollës. Pra, fëmijëve t’u mësojmë lexim, shkrim, mbledhje e zbritje… dhe retorikë.

Kuptimi kryesor i fjalës është thjesht “arti i të folurit me efektivitet”. Katërcipërisht, ky është qëllimi i këtij libri. Të rimodeloj retorikën për erën moderne. Të ofrojë pika të dobishme referimi për një të mësuar të ri të prezantimit.

Përvoja jonë këtu, në TED, përgjatë këtyre viteve të fundit, mund të ndihmojë në përcaktimin e mënyrës. TED filloi si një konferencë vjetore, ku bashkoheshin, në një, fushat e teknologjisë, argëtimit dhe dizajnit (nga rrjedhin edhe akronimet e emrit). Por vitet e fundit është zgjeruar, duke përfshirë çdo tematikë me interes publik. Folësit TED kërkojnë që idetë e tyre të dëgjohen edhe nga ata që janë jashtë fushës së tyre, duke mbajtur fjalime të shkurtër dhe të përgatitur me kujdes. Për kënaqësinë tonë, kjo formë e të folurit në publik ka rezultuar shumë e kërkuar, në masën që, më vitin 2015, gjatë një viti, folësit TED janë parë, on-line, nga më shumë se një miliard njerëz.

Së bashku me kolegët e mi kemi punuar me qindra folës TED, duke i ndihmuar si të qartësojnë mesazhet e tyre dhe si t’i shprehin ato. Këta njerëz të mrekullueshëm na kanë ndryshuar plotësisht mënyrën e perceptimit të botës. Për afro një dekadë kemi debatuar plot pasion me njëri-tjetrin, se si saktësisht këta folës kanë arritur aty ku janë. Ulur në karrige pranë një tavoline të rrumbullakët, do thosha fatlumë, të intriguar dhe të paduruar, të informuar dhe të frymëzuar, kemi pasur mundësinë t’u kërkojmë këshilla, direkt, se si duhet të përgatitet e të mbahet një fjalim fantastik. Falë madhështisë së tyre, kemi mundur të marrim njohuri pa fund se si mund të arrihet diçka kaq e jashtëzakonshme në vetëm pak minuta.

Bashkëpunimi me folësit TED dhe me kolegët e mi të talentuar i jep këtij libri bashkautorësi. Veçoj, nga kolegët, Kelly Stoetzel, Bruno Giussani dhe Tom Rielly, të cilët jo vetëm kanë luajtur rol kryesor, për shumë vite me radhë, në formësimin e qasjes dhe formatit “Fjalimet TED”, por edhe në evidentimin dhe paraqitjen para publikut të shumë folësve të jashtëzakonshëm në platformën tonë, sikundër edhe në organizimin e eventeve kryesore TED.

Një mbështetje shumë e mirë ka qenë mençuria kolektive, përbërë nga mijëra evente TEDx,* organizuar në shumë vende të botës, sipas modelit tonë. Përmbajtja që na ofrojnë ato shpesh janë surprizuese dhe të këndshme për ne, duke na ndihmuar, në të njëjtën kohë, për të çuar edhe më tej nivelin e të kuptuarit se çfarë mund të arrihet nëpërmjet një fjalimi publik.

Misioni i TED është të ushqejë shpërndarjen e ideve të fuqishme. Për ne ka pak rëndësi nëse kjo arrihet nëpërmjet të ashtuquajturës TED, TEDx ose ndonjë forme tjetër të të folurit në publik. Por, ku dëgjojmë se edhe të tjerë kanë vendosur të organizojnë konferenca të stilit “Fjalimet TED”, mbushemi me kënaqësi. Së fundmi, idetë nuk kanë pronësi. Ato kanë jetëgjatësinë e tyre. Ne kënaqemi kur shohim rilindjen e artit të të folurit publik, kudo që ndodh dhe tek kushdo që e zbaton.

Për rrjedhojë, synimi i këtij libri nuk është thjesht të përshkruajë si të mbash një fjalim për TED. Por është shumë më i gjerë se kaq. Synimi është të mbështesim çdo formë të të folurit publik që kërkon të shpjegojë, frymëzojë, informojë ose bindë, pavarësisht nëse ka lidhje me biznesin a arsimin, pavarësisht nëse mbahet në një skenë publike. Po, shumë nga shembujt e sjellë në libër janë nga “Fjalimet TED”, por jo vetëm sepse janë më familjarë për ne. “Fjalimet TED” kanë gjeneruar shumë entuziazëm në këta vitet e fundit dhe, pikërisht për këtë, mendojmë se kanë diçka për t’i ofruar botës mbarë në fushën e të folurit publik. Akoma, mendojmë se parimet mbi të cilat mbështeten mund të shërbejnë si një themel shumë i mirë në zgjerimin e teorisë së prezantimit.

Në libër nuk do të gjeni këshilla specifike rreth, për shembull, si të mbani një fjalë në një dasmë, ose si të përgëzoni kolegët e kompanisë me rastin e rritjes së shitjes, ose si të flisni gjatë një leksioni në universitet. Por do të gjeni mjete dhe njohuri që mund t’u hyjnë në punë në të gjithë rastet e mësipërme dhe, në një vështrim më të gjerë, sa herë që do ju duhet të flisni përpara një publiku. Më shumë se kaq, shpresojmë t’u bindim të mendoni rreth së folurës në publik në një mënyrë krejt tjetër, në një mënyrë që, sikundër do e vlerësoni, duhet të jetë tejet entuziaste dhe fuqidhënëse. Zjarri i të parëve, sot ka marrë një kuptim të ri. Është zjarri që përhapet nga mendja në mendje, nga ekrani në ekran, është zjarri i ideve, koha e të cilave po troket.

Kjo ka rëndësi. Idetë i kanë dhënë kuptim progresit njerëzor dhe, më tej, janë zbatuar në praktikë, vetëm kur njerëzit i kanë ndarë me njëri-tjetrin dhe kanë qenë të gatshëm të bashkëpunojnë. Që nga koha e të parëve tanë, kur ata, së bashku, u përpoqën të vënë së fundmi një mamuth, deri në atë të Armstrongut, që vuri hapin e parë në Hënë, njerëzit e kanë shndërruar fjalën e folur në arritje të përbashkëta të mrekullueshme.

Sot, më tepër se kurrë, kemi nevojë për këtë. Kemi nevojë për ide, në gjendje t’u japin zgjidhje problemeve të mprehta. Kemi nevojë që këto ide të mos mbeten të padukshme a të izoluara, thjesht sepse njerëzit e shkëlqyer që i kanë në mendje, ose kanë mungesë vetë-besimi për t’i paraqitur, ose nuk dinë si t’i ndajnë me të tjerët në mënyrë efektive. Kjo është një tragjedi. Në çastin që një ide e duhur paraqitet në mënyrën e duhur, ajo mund të shpërndahet, me shpejtësinë e dritës, në mbarë botën, duke zënë rrënjë në mendjet e miliona njerëzve, për të përfituar prej saj ose treguar se sa e mirë është, si ju dhe folësi që kërkon të flasë, ashtu edhe pjesa tjetër e njerëzimit, që ka nevojë të dijë se çfarë keni për të thënë.

Jeni gati?

Le ta ndezim zjarrin.

*Për organizimin e një TEDx-i lokal, organizata aplikon për marrjen e një licence, pa pagesë, që e lejon të organizojë një event të ngjashëm TED në vendin e saj. Çdo ditë organizohen 8-9 TEDx-e lokale, në vende të ndryshme të botës.

Përmbajtja 

Prolog: Epoka e re e zjarrit Baza. 1. Teoria e prezantimit. Aftësia qe mund të ndërtohet./ 2. Ndërtimi i idesë. Aftësia për një fjalim mbresëlënës. 3. Grackat e zakonshme. Katër stile fjalimesh që duhen shmangur. 4. Linja kryesore. Cili është argumenti juaj? Mjetet e fjalimit. 5. Lidhja. Ji personal. 6. Narracioni. Joshja e parezistueshme ndaj historisë. 7. Shpjegimi. Si të shpjegosh konceptet e vështira. 8. Bindja. Arsyeja mund të ndryshojë mendjet përgjithmonë. 8. Zbulimi. Më le pa frymë! Procesi i përgatitjes. 10. Pamjet. Këto slide të vrasin sytë! 11. Skenari. Të memorizohet apo jo? 12. Prova. Prit, kam nevojë të bëj prova! 13. Hap dhe mbyll. Cila është përshtypja që dëshironi të lini pas? Në skenë. 14. Gardëroba. Çfarë duhet të vesh? 15. Përgatitja mendore. Si t’i kontrolloj nervat? 16. Modeli. Foltore, ekrani i vetëbesimit, kartat me shënime, apo (gëlltituni) asgjë nga këto? 17. Zëri dhe paraqitja. Jepuni fjalëve gjallërinë që meritojnë. 18. Risi në formatimin e një fjalimi. Të mirat (dhe të këqijat) e spektrit të plotë të fjalimit. Refleksion. 19. Rilindja e fjalimit. Ndërlidhja e dijes. 20. Pse ka rëndësi kjo: ndërlidhja e njerëzve. 21. Radha jote. Sekreti i filozofit. Mirënjohje/ Indeks i emrave

Rreth autorit

CHRIS ANDERSON është president i TED dhe përgjegjës-kurator për Fjalimet TED. Anderson është diplomuar pranë Universitetit të Oksfordit dhe, më pas, ka kryer disa trajnime në fushën e gazetarisë. Përpara se vëmendja e tij të thithej nga TED, ka botuar dhe krijuar më shumë se 100 revista dhe faqe ueb të suksesshme. Më vitin 2001, organizata jofitimprurëse e drejtuar nga ai, merr drejtimin e TED. Mantra e tij për TED, – “ide që ja vlen të shpërndahen”, – vazhdon të lulëzojë në shkallë ndërkombëtare. Aktualisht  jeton në NewYork.

Vlerësime nga disa folës TED për librin e Chris Anderson 

ADAM GRANT, profesor Wharton, autor i Give and Take dhe Originals:  

Ky libër është jo vetëm më i ploti në fushën e të folurit në publik, por edhe i shkëlqyer në perceptimin e mënyrës se si duhet të komunikojmë dhe të paraqitemi. Nëse keni planifikuar të artikuloni edhe një fjalë të vetme me zë të lartë, ky është libri që duhet të lexoni. Libri më mbush me shpresën se fjalët munden, në ditët tona, të ndryshojnë botën.

ELIZABETH GILBERT, autor i Eat, Pray, Love dhe The Signature of All Things:

Asnjë njeri në botë nuk e kupton më mirë artin dhe shkencën e të folurit në publik se Chris Anderson. Ai ka mbështetur dhe frymëzuar, kandisur dhe inkurajuar shumë folës, për një periudhë të gjatë kohore, – mua përfshirë, – sikundër na ka ndihmuar të japim më të mirën e mundshme të performancës sonë në skenë, edhe kur kemi qenë në kulm të nervave dhe të dërrmuar. Anderson është personi perfekt që duhej ta shkruante këtë libër dhe është një bekim për shumë njerëz.

STEVEN PINKER, profesor në Harvard, autor i How the Mind Works dhe The Sense of Style:

Fjalimet TED kanë rishpikur artin e retorikës së shekullit XXI. Lamtumirë akademizma sipërfaqësorë, fjalë shkencore pa kuptim, moralizime pompoze, ekzaltim nga PowerPoint, – sot e dimë se “idetë që ja vlejnë të shpërndahen” munden, me të vërtetë, të shpërndahen në largësi dhe të depërtojnë në thellësi, me qartësi dhe stil. Ky libër e rivendos retorikën në vendin e tij të nderit, si një nga aftësitë më të domosdoshme për një qytetar të edukuar.

Sir KEN ROBINSON, reformator në fushën e edukimit, autor i Creative Schools:

Në këtë libër, Chris Anderson dhe grupi drejtues i TED, për herë të parë, na paraqesin gjithshka kemi mësuar rreth duhet dhe nuk duhet në fushën e të folurit në publik. A ekziston ndonjë recetë e vetme për të folurin në publik? Sigurisht, jo. Por sigurisht, po, ekzistojnë disa përbërës kryesorë që ndihmojnë në gatimin e saj, të cilat grupi TED i paraqet në këto faqe me saktësi, entuziazëm dhe gjallëri (të cilat, edhe këto vetë bëjnë pjesë te përbërësit kryesorë). Një udhërrëfyes frymëzues dhe bashkëkohor në artin e respektuar të oratorisë.

Vlerësime për librin

STEVEN JOHNSON, autor i How We Got to Now dhe Emergence:

Fjalimet TED mund të klasifikohet si “Eseja e ditëve tona”, – e njëjtë me pamfletin e shekullit XVIII dhe rubrikën OP-ED të gazetave të shekullit XX. Fjalimet TED është udhërrëfyesi i kësaj gjinie të re të të shkruarit, hartuar nga një njeri që i shndërroi, këto fjalime, në një forcë globale.

VALBONA NATHANAILI, përkthyese e “Fjalimet TED”, autore e librave “Ambasadorët tanë, pikëtakime të diplomacisë me krijimtarisë”, “Rruga e mundimshme e shkollës shqipe, 1912-1944” dhe “Arsim dhe pabarazi”:

Të kesh një ide dhe ta transmetosh në një grup të caktuar janë dy gjëra të ndryshme. Chris Anderson na tregon se si të mbushim hapësirën ndërmjet folësit dhe publikut me një bashkësi fjalësh, të cilat të zgjedhura, renditura, paraqitura dhe artikuluar në mënyrën e duhur, e shndërrojnë të folurin në një mjet të fuqishëm komunikimi.

Për këdo që është frymëzuar ndonjëherë nga një Fjalim TED… Një udhërrëfyes i brendshëm për mbajten e fjalimeve mbresëlënës

Chris Anderson, nga viti 2001, vit në të cilin mori drejtimin e TED, na ka treguar se si fjalimet e shkurtër, por të mbajtur me mjeshtëri, shndërrohen në faktorë për çlirimin e empatisë, nxitjen e entuziazmit, shpërndarjen e dijes dhe krijimin e një ëndrre të përbashkët. Një fjalim, i mbajtur në mënyrën e duhur, mund të elektrizojë pjesëmarrësit e një salle dhe të transformojë pikëpamjet e një audience në shkallë botërore. Një fjalim, i mbajtur në mënyrën e duhur, është më i fuqishëm se çdo formë të shkruari.

Ky libër shpjegon se, si të folurit në publik mund të shëndërrohet në një art të mrekullueshëm, ndërkohë që ju ofron njohuritë që duhet të keni për të dhënë më të mirën e mundshme. Këto njohuri nuk janë një bashkësi formulash. Për më tepër, i njëjti fjalim nuk mund të mbahet dy herë njëlloj, sikundër dy fjalime të ndryshëm nuk mund të mbahen në të njëjtën mënyrë. Por ekzistojnë mjetet që mund të ndihmojnë e lartësojnë çdo folës.

Chris Anderson punon, pas skene, me të gjithë folësit TED. Në këtë libër paraqiten e analizohen disa nga folësit që na kanë frymëzuar më shumë, – veçojmë Sir Ken Robinson, Amy Cuddy, Elizabeth Gilbert, Salman Khan, Dan Gilbert, Monica Lewinsky, si dhe shumë të tjerë, emrat dhe referencat ndaj të cilëve do i gjeni në libër. Në libër trajtohet, në mënyrë sistematike dhe hap pas hapi, nga mënyra se si mund të bëheni mjeshtër në hartimin e përmbajtjes së fjalimit që do të mbani në publik, deri në të qenit sa më efektiv në skenë. Libri është manuali i shekullit XXI për një komunikim vërtet efektiv. Libri klasifikohet si “duhet-lexuar” për çdo njeri që është i gatshëm të ndikojë publikun me idetë e tij.

 

Ali Asllani, intervistë dhe disa fragmente poezish

ALI ASLLANI (1882-1966)

Ali Asllani u lind në Vajzë (Vlorë) më 1882. Ndërron jetë në Tiranë më 1966. Shkollën fillore e kreu në Vlorë, ndërsa gjimnazin në Janinë. Në Stamboll i kreu studimet në degën politiko shoqërore – administrative. Gjatë gjithë jetës ka punuar në administratën shtetërore: sekretar i përgjithshëm i Presidencës të Këshillit të Ministrave të Qeverisë së Ismail Qemalit më 1912-1914, administrator në qytete të ndryshme shqiptare, veçuar Vlorën e Tiranën. Ka qenë ambasador i Shqipërisë në Sofje e në Athinë.

Mbas Luftës së Dytë punon si përkthyes në Institutin e Shkencave (paraardhësi i Akademisë së Shkencave), deri sa del në pension, më 1951. Ali Asllani fillimet e veta letrare i ka në turqisht, duke botuar shkrime në revista të kohës, ndërsa shqip i takojnë viteve 1913-1914.

Sipas Jani Lili, në një intervistë realizuar më shkurt 1942Ali Asllani është poeti që u lidh ngushtë me tokën dhe Jetën Shqiptare: “Nuk këndon vetëm se ndjen jetën e brendshme të artistit të vërtetë, por sepse ndjen thellë shpirtin e popullit t’onë me gjithë dëshirat e llaftaret e tij. Poeti i jetës, i realitetit, poeti i natyrës shqiptare. Është piktori i gjallë i jetës së kaluar, dhe jo artisti imitonjës i fakteve, por poeti që lartësoi jetën t’onë në ideal. Nuk niset nga ëndëra, por nga realiteti, të cilin e zbukuron dhe na e paraqet në gjallërinë e tij plastike, si një ëndërë të artë, të dalurë nga thelbi i së vërtetës. Përqafoi me dashuri shpirtin e pasur shqiptar, u mundua bashkë me ‘të, u gëzua dhe qau si njeri i vërtetë. Munt të themi pa frikë përgënjeshtrimi se është poeti i jetës, në kuptimin e thellë të fjalës”.

Jani Lili: Arti në shërbim të popullit, në shërbim t’Atdheut.

Ali Asllani: Vjersha duhet të thotë diçka, të ketë një ideal brënda sajë, e që të mundet t’a thotë mirë atë që mbyll, duhet të dalë nga shpirti i popullit, nga jeta e gjallë. Nuk e ndaj Artin në aksioma, kur them këtë; themën më përpara nga të gjitha e ndjen vetë artisti, krijonjësi, por në vënd që ta bëjë vetëm për veten e tij, këtë prekje artistike i shfaq dhe ndjenjat e tija i dorëzon në popull. Me qënë se ai i ndjen dhe preket, domethën kënaq shpirtin e vet artistik, atëherë pse shkruan? Për veten? Le t’i mbaj në sirtar të pabotuara. Arti është art kur është i zoti të na sjellë në botën e tij, kur na prek, por nuk do të thotë se duhet të jetë i pakuptuarshëm, ose i thellë dhe i errët me zor. Më vjen tani ndërmënd një kasiomë artistike: Kemi nevojë për një gjuhë që të flasë si numurat për të gjithë njerëzit. Kemi nevojë për një art që të prekë të egërit dhe të qytetëruarit, të kulturuarit dhe injorantët. Artistët e mëdhenj si thotë një poet, janë të mërguar nga qielli këtu në tokë, janë dhuratë për të gjithë botën. Arti i tërë botës bashkohet në qëllimin e tij të shenjtë. Dhe që të kuptojë populli artin duhet që ky të jetë i thjeshtë, si është e kthjelltë një vepër klasike. Artisti duhet të jetë njeri më përpara. Arti del nga realiteti dhe zotësia e artistit qëndron këtu: duhet të kapërcejë realitetin me frymën e tij, duhet të nxjerrë dhe të shfaqë me intuitën e tij gjithë atë lëndën e bukur që nuk e shquan dot një njeri i thjeshtë.

Hanko Halla  

  1. Halla ka marr mashën urat po i shkrep,

Trungu i ullirit digjet me gazep,

Digjet maja – maja, sidomos bujashka,

Në dimër moj bija, zjarri shum u dashka…

Dhe i lumtë goja kush ka thën më par,

Xhan e shpirt o burrë, xhan e shpirt o zjarr,

Buk të that në sofër, buk dhe asgjë tjetër,

Burri rroft sa malet, dhe zjarri në vatër…

  1. Rreth e rrotull zjarrit murmurit njeriu,

Ehhh, gjithkush ka të tijat, plaku dhe i riu…

Dikush bën të mira, e s’ka par të mira…

Ta dini është pjekur keq në takllaira,

Plagve të tija si gjendet melhemi,

Dhe dertin e shpirtit se shkruan kalemi…

Edhe llafazanet do vijnë tju bezdisin,

pasi kot së koti zën e kakarisin,

Ruajuni nga fjala, se zgjatet edhe zgjatet,

se me pash njeriu s’ka se si të matet…

Më dëgjoni bija vazhdon halla plak,

do tju them një fjalë, fjalë pa kapak…

Erdhi koh e keqe, koha e flamosur,

është prishur dynjaja, bota është marrosur,

Dikush nuk ka miell, tjetri s’ka as thes,

fundi fjalës bota është e pabes…

… Hallës nuk i hahet, Hallës nuk i pihet

me të ren’e saja fare s’po i kihet

Nusen nuk e dashka sa në od’ s’e qaska

dhe që kur se erdhi, hal’ në sy e paska!

Dhe që kur se erdhi Halla paska thënë

nuk më duket nusja nuse për të qënë

Lum shtëpi e babës diti dhe e nxori

mjer’ shtëpi e burrit, ra në lak e mori!

Tani – vazhdon Halla – si do ia bëj hallit?

Çar t’i bëj zemanit, pa për sy të ballit

do i thoshja djalit jepi pak e hak

edhe ktheje prapa, bosh me tre tallak!

Shko andej nga erdhe, erdhe kot së koti

se paraja kallpe vete te i zoti!

Zonja Lu

… Një ditë burri u sëmur / dy plevite në një vend
Një sëmundje shumë e rëndë / Zonja Lu u prish nga mendtë
Dhe i thotë burrit të saj / Nëse mbyllen sytë e tu
Unë veten do ta vras
Dhe bej be që atë çast ? më ke pranë e më ke pas…
Ti ma bëre shtratin tim / Kryefron të dashurisë
Dhe unë varrin tënd do ta bëj ? Shtratin tim te nusërisë.

–  Jo, të lutem, – i thotë burri, shumë të lutem mos e bëj!
– Mirë at’here, unë do mbetem / Gjithë jetën një e ve…

– Jo, të lutem, Luja ime / Mos e bëj dhe këtë be!
– Si pra unë të duroj / Në më zentë kjo rrebe?
Pra të paktën do të mbyllem / Dhe do rreshkem disa vjet…
– Jo, të lutem Luja ime / Është e shkurtër jetë e shkretë.

Vetëm prit e ki durim / Sa të thahet varri im.

Tash poeti ra e fjeti /Ra e fjet’ për motë jete
Gjëmë e madhe që e gjeti…
Zonja Lu thërret bërtet / Me oi e me oi
Per atë që bënej fli

Një minutë e dy vili!
Ç’më gjet mua, ç’më gjet mua
Ulurin e zeza grua / U plagos, u shkatërrua
U plagos e u gjakos / Me biçakun e fildishtë
Fije fije bëri floket / Copë – copë i bëri mishtë.

Pas dy ditëve vjen një djalë / Një djalosh një bukurosh
E i thotë zonjës Lu / Ti shëndoshë e unë shëndoshë!
Ti e unë një çift i ëmbël / Çift i bukur, çift me shije
Çift, o çift që s’ka të dytë / Si dy kokërra qershije.

Mirpo zonja është besnike / Ka dhenë fjalën ka berë be
Sa të thahet varri burrit / Doemos do rrijë e ve
Meqe varri është i freskët / Është i njomë e është i ri
Që të thahet shpejt e shpejt
Zonja Lu i bën veri!

Hakërrim 

Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar,

dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar’

Vetëm vetëm dallavera, dhe në dëm të këtij vendi

që ju rriti, që ju ngriti, që ju ngopi, që ju dendi!

Pyeta valet vogëlushe

Pyeta valët vogëlushe;

mu si krahët e një gushe

përmbi supe nga një shkumë,

kush më pak e kush më shumë,

venë e vinë e shkojnë e shkasën

dhe përhera për ty flasën.

Valëza, o valëza,

farë e fis me vashëza,

ku e keni shoqen tuaj?

Ruaje zot nga erë e huaj!

Pyeta zoga, pyeta zogj,

pyeta zemrën që m’u dogj,

pyeta lulet nëpër baça,

nëpër baça, që un’ plaça,

muaj e vitra po të pres,

vidi-vidi pëllumbeshë!

Vidi-vidi zogëza,

farë e fis me zojëza,

ku e keni shoqen tuaj?

Një minutë e gjat’ një muaj!

Vidi-vidi pëllumbeshë!

për ty qaj e për ty qeshë,

për ty qesha; gjithë jeta

me gjith’ lule, me gjith’ fleta,

u bë fli për ata sy;

çdo gëzim ta fala ty!

E çdo brengë e mbajta vetë.

Tash afroi e thënë e shkretë,

dhe un’ s’di ku jam, ku vete,

rroj për ty e vdes për vete!

Foto kryesore

Ballina e botimit të vitit 2004, Hanko Halla Poemë Autor Ali Asllani / Xhevahir Lleshi (red.) Tiranë: Uegen, 48 faqe.

Duke kënduarë një librë: “The Peaks of Shala” Autor Rose Wilder Lane Nga Lumo Skëndo

Duke kënduarë një librë: “The Peaks of Shala” Autor Rose Wilder Lane

Nga Lumo Skëndo

Botuar në gazetën ‘Dielli’ të Bostonit, më 14 prill 1923

Kjo veprë shkrue prej Rose Wilder Lane, është një volum 224 faqesh, me një panoramë të madhe, nandë fotografi, një hartë. – London dhe Sidney, Chapman and Dodd. 1922, si edhe në Shtëpinë botonjëse Harper’s, New York.
Zonja Rose Lane s’është e panjohurë ndër Shqiptarë. Është një Amerikane që udhëtoj në malësi të Shkodrës, në Mat, dhe ndënj nja gjashtë muaj në Tiranë, vjetën 1922.
Sikundrë që e thotë edhe vetë, zonja Lane bëri udhëtimin në Shqipëri dhe njohu Shqipëtarët po thua se padashurë, kundrë deshirës së sajë: ishte duke vajturë nga Mal-i-zi në Stamboll, kur një zonjë e Kryqit të kuq amerikan, një mike e sajë e bindi të vejë e të shohë Shqipërinë, të mos humbasë këtë rasje tani që ndodhesh kaq afrë këti vendi, se ishte një rasje që s’gjendetë lehtë e nuk sheh njeriu nierz aq të çudiçmë si Arbëreshët. Edhe zonja Lane, e tërhequrë prej kurjozitetit të gjendetë në pjekje me një popull primitiv dhe t’interesantshmë nga pikëpamja socjologike dhe historike, morri udhën e malevet, të vejë të shohë Shalën dhe Shaljanët.
Ideja e sajë qe e vendosurë: e dinte se do të gjente përpara një racë të mbeturë më pas se nga gjithë racat e Evropësë, për të mos thënë të botësë, një popullsi që i kundrëqëndron çdo përparimi, çdo qytetërimi, çdo gjëjes së re që del nga barbarija e kohës së mesme, e kohës së parë, ndoshta edhe të ditëvet prehistorike.
Po, që në fillim, autoresha ndjen një simpati për kombin e “egrë” (fq.15) e bën të thotë një mike të sajë: “Sa gënjeshtrë! këto i bën propaganda e huaj. Si mund të thotë njeriu se Shqiptarët rrinë kundrë qytetërimi? Do thënë se kanë kundrëqendruarë një mësytjeje me armë mijë vjetësh, se u kanë vënë krahrorin Përsëvet, Grekëvet, Romakëvet, Mongolëvet, Serbëvet, Tyrqëvet, dhe kanë mbajtur gjuhën dhe zakonet e tyre të hershme. A e di se Grekët kanë marrë prej Shqipëtarvet emërat e perëndive të tyre? a e di se e ëma e Aleksandrit të math qe një grua shqipëtare? a e di se pashallarët e Tyrqisë, urdhëronjësit e Misirit, njerëzit e mbëdhenj të Italisë janë Shqipëtarë?…”
Edhe këtë simpati për banorët e zallit t’Adriatikut zonja Rose e ndjen kurdoherë më të madhe: sa më mirë i njeh Shqipëtarët, aqë më tepër i do; sa më s’afërmi i sheh, aqë edhe nderimi i sajë për ta i shtohetë. Edhe kështu vete gjer në funt të veprësë, çdo faqe duke na dhënë një dëshmi të re për ndjenjatë plot mëshirë, për zëmrën e njomë dhe të mirë të autoreshësë së re.
Ay që shkruan këto radhë ka biseduarë disa herë me autoreshën e libresë që po analizojmë, dhe ka parë me një çudi të kandshme sinqeritetin e ndjenjavet të saj për vëndin t’ënë. “Dëshira e ime, më thoshte zonja Lane, është që të vete të rronj në Shqipëri, të punoj për të, të shuguronj aktivitetin dhe zëmrën t’ime për këtë vënd…” Edhe dy vjet më parë, në Paris, zonjusha Mosley Williams, një engleze që padyshim gjith Tirana e mban fort mirë ment, më thoshte: “Mbase ke të drejtë, jam e marrë. Po të jesh sigur se ay që e sheh një herë Shqipërinë, më s’e harron dot, dhe është e pamundurë që të mos e dojë.”
Shehi Sadiu i Përsisë ka të drejtë kur rrëfen në Bostan parabolin këtu poshtë: – Një njeri pau në ëndrë një ëngjëll fort të bukurë, dhe e pyet cili është prej të katrë kryeëngjëllëvet? – Jam djalli! më fletë krijesa, nukë jam kryeëngjëll. – Si? Djalli? dhe un të pandehnja të shëmtuarë e të lik; të kanë përshkruarë kurdoherë kaq keq. – Unë kështu si më sheh jam, po kalemi është në dorë t’anmiqëvet”. Padyshim, në aplikim me Shqipëtarët paraboli do të kishte pakë eksagjeratë, po fundi është i gjallë për neve.
Pa le të kthehemi në libra. Zonja Lane nisetë nga Shkodra me dy tjatrë zonja amerikane, dhe me z. Rrok Perolli që të mbushë funkcjonet e një dragomani, po më mirë akoma të një prisi të mëntshim që dëshiron t’a bëjë vendin e tij t’a duanë të huajtë, dhe t’i bëjë të huajtë, vizitonjësit e ardhurë së largu, t’a duan vendin e tij. Si shok udhëtarët kanë dhe një djalë dy-mbë-dhjetë vjeç, Rexhebin. Rexhon e voglë, kujt autoresha i admiron inteligjencën dhe çuditetë si një djalë një pëllëmbë kuvëndon dhe traton me malësorët burra si një shok, si një baras. Udhtimi s’mbajti shumë, mezi 15 ditë.
Dhe nga ky udhëtim, nga njohja e banorëvet të Arbërisë, njohje e plotësuarë me një udhëtim të dytë në Mat, dhe një ndënjtje gjymës moti në Tiranë, zonja Lane na siell një librë të lehtë (kjo është fjala që përdor vetë për veprën e vet) të kandshme, të zbukuruarë me një optimizmë të patundurë që dëften një karakter burrënor, padyshim dhe pak romantik, një dëshirë për të parë sende të panjohura, po me vullnet për t’i kuptuarë, për të hyrë në shpirt dhe në frymë të gjësë që shikon dhe studjon, dhe jo vetëm për të nginjurë një kurjozitet. Shekimet e çdo dite, notat e shënuara në shtëpit e malsorëvet, pranë zjarit, tek bënte kafenë ose cingarin i zoti i shtëpisë, në mes të dy bisedimevet kanë pranuar faqet e – The Peaks of Shala – Majët e Shalësë.
Ardhurë në vënt pa no një paragjykim politik, pa no një ide të formuarë, pa diturë se qysh ishte vendi dhe populli që po vizitonte, veç se ato të paka që kishte kënduarë ose dëgjuarë prej shkrimevet për p r o p a g a n d ë, autoresha kishte mëndjenë të lirë të formojë një gjykim të themeluarë mi observatat e sajë. Dhe këto që observon i japin një ide të favorëshme për banorët e truallit t’Arbërisë: i gjen të mençim, seriozë, huaj-pritësë, simpatikë, që mentojnë të duhenë. U njeh vuajtjet e tyre, pa drejtsinë që u-bë për ta në caktimin e kufivet prej Fuqivet të mëdha, dhe vëren se ky komb i mbeturë pas prej qytetërimit, ka një vullnet që të përparojë, që të punojë për të mos mbeturë prapa të tjerëvet, dhe shënjon me një mënyrë të hollë dëshirën e malsorëvet për shkolla shqipe dhe nxitimin e djemvet për të frekuentuarë këto shkolla.
Zonja Lane – që pa dyshim ka një ndjenjë artistike të zhvilluarë – flet edhe shpesh për bukurinë fizike të racësë, vëren me kënaqsi hollsirat e tipit, një hollsi që shumë shkrimtarë të huaj, para saj, e kanë zënë në gojë në veprat e tyre.
Mi bregoren e voglë – janë fjalët e saja – të shtruarë me bar të njomë, mi të cilin kishin rënë petalet e një molle të lulëzuarë, Shqipëtarët rrinin dhe preheshin, kafshë të bukura dhe të kandshme (beantiful, graceful animals)” (fq.31). Ca më poshtë takon një grua nga Shala, martuarë në Shosh: “Fytyra e saj pakë si e djegurë nga dielli, me sy të mbëdhaj, me formë delikate, qe më e bukura që kam parë gjer më sot… Zëri i saj qe i ëmblë, dhe duart dhe këmbët e saj sikur t’i kishte një skultor do të marrosesh. Në çdo restaurant të Parisit gishtat e hollë të saj, thonjtë delikatë dhe me bajame, bilekët e hollë, aristokratikë, do të tërheqnin vërejtjen e gjithë botës” (fq.32-33).
Edhe kështu me çdo rasje, tekdo që sheh Shqipëtarë e Shqipëtarka, kudo që i observon me ato sy të sajë, që kanë parë shum kombe të ndryshme, me atë kritikë që e ka shetiturë nga Oqeani i qetë (Zonja Lane është nga Kalifornija) gjer në zallet e Detit të Zi, me lëndën e bëgaçme që ka diturë të mbledhë për të barabiturë çdo popull, në cillësitë e tij fizike, morale dhe psikollogjike. Se zonja Lane di të kuvendojë bukurë, dhe – e asht më e vështirë – di të bëjë tjatrin të kuvëndojë. Kshtu na rrëfen çë i thonë malësorët për orën, për këto krijesa të padukura, keq ose mirëbërse, ora që e ndien nierinë, që e mpron, nga çdo e keqe, ose që e shfryn në vdekje.
Një herë tjatrë na rrëfen çë mejton Shqipëtari për gruanë, për martesën, për lumtërinë. Flet Lulashi, një kryetar “pa dyshim më i bukuri burrë që kemi parë gjer më sot.” Bisedohet për vlesën që në djep, vlesë dhe martesë ku çupa s’ka asnjë vullnet, asnjë zgjedhje, po prindët e saj, ose vëllezërit, kanë të drejtë t’ja japin kujt të duanë, për qejf ose interesë të tyre, pa u-kujdesurë për lumtërinë e gocësë; zonja Rosë mejton se kjo është një shpërdorim i keq i fuqisë mashkullore, i auktoritetit të burravet kundrë dobësisë, për dëm të atyre krijesave që s’kanë forcën e një mashkulli. Dhe kërkon të kupëtonjë çë mejtojnë vetë Shqipëtarët e Shalës; pyet a munt të jetë i lumturë njeriu në këtë konditë të martesës. Po Lulashi, njeriu i malevet që përfytyron psikollogjinë e kombit të tij, çuditetë me këtë pyetje dhe thotë se lumtërija e njeriut s’ka të bëjë me martesën.
– Po ç’është ahere lumtërija? pyet autoresha.
“- Lumtërija; përgjigjetë Lulashi, vjen nga qielli, vjen nga dielli, nga drita dhe hijet e malevet, nga gjethët e njomë të parëverësë. Lumtërija vjen edhe prej prëhjeve kur jemi të lodhurë, prej ngrenëjesë kur jemi të urtë, prej zjarit kur kemi mardhurë. Vjen kur këndojmë këngë bashkë me shokë, kur ecim në shkepat dhe e ndiejmë vetëhenë më të fortë se shkëmbi; ka dhe një lumtëri që ndien njeriu, në luftë, po ajo është tjatrë send. Për neve martesa s’ka të bëjë kurrgjë me lumtërinë t’ënë.”
Vërtet, në një vent ku gjër fjala grua është përjashtua prej bisede, kur dashurija shikonet si një turp e mëkatë, nukë munt të imaxhinojë njeriu një gjykim më të drejtë se është ky i Lulashit t’ënë. Zgjedhja në martesë nuk lot no një rol: burri martohet për të marrë një grua, dhe çupa, që ditën që fati e heth në këtë botë e di se prindët ose vëllezërit do t’a japin, në mos dhe do t’a shesin një mashkulli.
Por, duke u ngjiturë në shkallë të qytetërimit, me tëhollim të ndjenjavet, dhe duke u-shtuarë nevojat e mëndjesë dhe të zëmrësë, me përparimin e estetikës ose të sentimentalitetit, njeriu xë të shquajë në mes të individëvet, të zgjedhë, pëlqejë, të ndiejë se lumtërija e tij s’është një çfarë do njeri, por një prej tyre, me atë që pandehë se do të shkojë një jetë më të kandshme, nga shkaku i cillësivet morale dhe fizike që sheh ne ktë.
Në Shqipëri gruaja nuk lot një rroll, përveç rrollit tragjik për vrasje: shum prej vrasjevet në malet t’ëna kanë për shkak gruanë, gruan si plaçkë, si pronë, sepse prindërit ose vëllezërit e saj duanë t’a japin ose t’a shesin ashtu si u do qejfi. Influenca tëhollonjëse e gruasë, veprimi i saj për të na bërë jetën më të hollë, më të njomë dhe më të gratshme akoma s’është ndjerë.
Po le të vimë në librat e zonjësë Lane. Autoresha, që të mund të ketë kuptuarë mëndimin dhe shpirtin e një populli, ka pasurë për ndimës karakterin e mirë të sajë, këtë vetijë që di të kënaqetë me punëtë si i gjen, pa eksigjencë, e lumtur, ndoshta, të gjendetë në një element që del nga jeta që njehë vetë. Di të rrinjë pranë vatrës dhe të kuvëndojë me malësorët, duke pirë duhan, kafe dhe raki, knaqetë me të flejtur si mund, me të ecurë më këmbë, një herë dhe me opinga, fort e gëzuarë kur sheh, dëgjon dhe mëson një gjë të re, pa u-qarë as nga një vështirësi, as nga një vuajtje të udhësë, duke marrë çdo send me hymor të mirë.
Kështu, për shëmbllë, një ditë i u-duhë të presë, të ketë durim gjer afrë mëngjezit, sa të shtrohetë darka, darka e mjerë me një copë mish, bukë kollomoqi dhe gjizë, dhe këto pas lodhjevet të një ditësë të gjatë në gërxhet e Shalësë.
Po vuajtja e sajë ka qenë në të këthyerë në Shkodrë, aherë kur ka frikë se mos e zënë pnemonija; mezi gjën një mushkë; po, kur i kishin dhënë fjalë që të dalin në katrë të mëngjezit – për t’arrijturë mbrëmanet në Shkodrë – mezi nisën më tetë! Zonja Rose duron me një padurim të math; në fund vihetë në udhë, po prisi i sajë refuzon të arrijë natën në Shkodrë, proponon dhe intrigon që të shkojnë natën në një katund nga shkaku se është në gjak me njerëzit e Kirit. Po amerikanëja ka vullnet dhe malësori s’bën veç se të bindetë përpara një dëshire femënore. Edhe natën, në dritë të yjvet, hypurë mi mushkë të voglë dhe pri prej një prisi, zonja Rose shkon nga malet madhshtore, nga më të bukurat male të dheut. Se autoresha admiron natyrën e egrë dhe piktoreske të Shqipërisë, e gjen vëndin t’ënë më të bukur se nga Svicera, më të interesantshim dhe më romantik.
Zonja Rose, në ethe, me frigën e pnemonis mi udhë të Shkodresë ku shpreson të gjejë një mjek dhe një çlodhje, pyet shokun e voglë: – U lodhe, Rexh? – Jo, zonja Lane, – Po ç’ke, pra? – Po mentonj se zotërija e jote do të kthehi në shtëpi t’uaj dhe do të na haroni. Thoni se do të vini prapë në Shqipëri, po s’do të kthehini kurr. Aq që ikën haron shpejt; mëndja ndëron; mëndja është si ujët e një lumi. Edhe ne do të ju harojmë. Po donja që t’a ndalonj këtë natë: është kaqë e bukur! – Edhe unë.
Zonja Lane s’e harroj Shqipërinë. Tek jam duke shkruarë këto radhë, kam përpara syvet një artikull të saj në World Travelers (vol. XV., Ni 3, mars 1923) Unknown Albania – Shqipëri e panjohurë.
Zonja Lane për neve Shqipëtarët merr vënd pranë mikeshës t’ënë të madhe, Zonjës Durham, dhe i jemi mirënjohës për ndjenjat e saj që çfaq me aqë fisnikëri. Në një kohë ku miqtë t’onë s’janë të shumtë, ç’do manifestë simpatije ka të drejtën për gratitudën t’ënë.
Edhe këtu, pa u-dhënë fund këtyre radhëve, dua të kujtonj sa një detyrë patriotike e madhe është për Shqipëtarët të përpiqena që çdo i huaj që viziton, çdo i ardhurë së largu që shkel truallin t’ënë, të mund të kthehetë me një kujtim të mirë, me një nështypje miqësore në zëmër të tij.

Foto kryesore: Kolazhi i fotove, sipas librit të Eleni Laperi “Rose Wilder Lane”

Fugë për violinë Autor Tedi Papavrami

Fugë për violinë Autor Tedi Papavrami

Përktheu nga frëngjishtja Blerta Hyska Redaktor Ajola Xoxa

Botues UET Press f. 252 Çmimi 1200 lekë

Libri është një përmbledhje e jetës së violinistit me famë botërore Tedi Papavrami. Ngjarjet hapen në Tiranë e mbyllen në Francë, dy vendet që ndikuan në formësimin e tij jo vetëm si profesionist, por edhe si njeri. Papavrami është kujdesur të mos harrojë asgjë: njerëz që e ndihmuan, rrethana të favorshme, personazhe të diskutueshëm, – të gjitha janë aty. Libri është shkruar me pasion e dashuri, mirënjohje e mall, një homazh për të gjithë ata që e ndihmuan në rrugën e shndërrimit nga një fëmijë i talentuar në një prej violinistëve më të mirë në botë. Me shumë modesti, Papavrami shprehet: “Unë nuk besoj tek fati. Një talent i madh fare mirë mund të dështojë, ose të kalojë pa u vënë re”.

Libri lexohet me një frymë dhe është interesant edhe për trajtimin filozofik që u bën shumë prej marrëdhënieve të krijuara në etapa të ndryshme të jetës së tij, – kësaj të fundit Papavrami nuk rreket aspak t’i shpëtojë, por gjithmonë në mënyrë të matur dhe më shumë si rrjedhojë e përvojës personale, se citimeve nga libra të atij lloji. Libri është botuar për herë të parë në frëngjisht dhe është një nga librat më të kërkuar nga lexuesi francez. Për botimin frëngjisht Papavrami ka bashkëpunuar me një nga shtëpitë botuese më të mira, Robert Laffont.

Tedi Papavrami  ka studiuar në Conservatoire National Superieur de Musique në Paris, nën drejtimin e Pierre Amoyal. Në vitin 1987 është diplomuar në Konservatorin e Lozanës (Francë). Tedi Papavrami jeton aktualisht në Zvicër, ku që prej vitit 2008 është profesor violine në Shkollën e Lartë të Muzikës në Gjenevë. Në vitin 2010 ka fituar “Diapazonin e Artë” për diskun e tij Bah Bartok.  Violinist me famë ndërkombëtare si solist dhe muzikant dhome, ose si violinë e parë, me disa nga orkestrat simfonike më të njohura në skenat e shumë vendeve të mëdha të botës.

Bashkëpunon me Kurt Sanderling, Antonio Pappano, Armin Jordan, Emmanuel Krivine, Manfred Honeck, François-Xavier Roth, Thierry Fischer, Gilbert Varga dhe M. Aeschenbacher. Ka qenë pjesë e Schumann Quartet (shoqëruar edhe në piano) për nëntë vjet. Nga viti 2011 prezantohet në shumë koncerte me serinë e plotë të sonatave të Bethoven luajtur trio: në violinë Tedi Papavrami, piano François Frédéric Guy dhe violinçel Xavier Phillips.

Aktualisht Tedi Papavrami jeton në Gjenevë, Zvicër dhe nga viti 2008 është profesor i violinës pranë Haute École de Musique de Genève. Ai luan me violinën e tij Christian Bayon – ndërtuar posaçërisht për të nga mjeshtri i njohur. Është i martuar me një mjeke psikiatre.

Paralelisht me karrierën e violinistit, që prej vitit 2000 është përkthyes në frëngjisht i shkrimtarit Ismail Kadare. Ka edhe disa role në kinematografi.

Kanë thënë

 Le Nouvel Observateur:

Përtej saktësisë stilistike, shkëlqimit teknik, bukurisë absolute të tingullit, tek Tedi Papavrami të mahnit pasioni.

Në kopertinën e botimit, nga Robert Laffont:

Violinist me famë ndërkombëtare si solist dhe muzikant dhome, Tedi Papavrami jeton aktualisht në Zvicër, ku që prej vitit 2008 është profesor violine në Shkollën e Lartë të Muzikës në Gjenevë. Në vitin 2010 ka fituar “Diapazonin e Artë” për diskun e tij Bah Bartok. Paralelisht me karrierën e violinistit, që prej vitit 2000 është përkthyes në frëngjisht i shkrimtarit Ismail Kadare.

 Çmime 

Tedi Papavrami ka fituar disa çmime të rëndësishme ndërkombëtare. CD e fundit e Tedi Papavramit me sonatat e Izaisë sapo ka fituar “Diapazonin e artë” dhe “Choc”, dy vlerësimet më të mira të revistave të specializuara në këtë fushë në Francë “Diapazon” dhe “Classica”.

Pjesë nga libri 1

Shija e një vepre, e një fjalie, e një modulacioni ose një metafore, e ndier plotësisht, e rrënjosur tek ne, mbijeton në qenien tonë dhe shfaqet më vonë, duke nxjerrë një ditë në sipërfaqe pjesë të vetes që as vetë nuk e njihnim. Ndoshta nuk jemi kurrë aq shumë vetvetja sa kur shijojmë ndjeshmërinë e tjetrit, kusht i nevojshëm për të dhënë pak nga vetja jonë në atë që do transmetojmë kur të na vijë radha. Ky konstatim shënoi fillimin e një qetësie të re për mua. Ai më bënte të mundur t’u përgjigjesha pyetjeve shumë të hershme rreth identitetit të një interpretuesi, stilit të tij dhe mundësisë për të pasur një personalitet që shquhet menjëherë. Pa e kuptuar, kisha reshtur së menduari për këtë. Kalimi nga Shqipëria tek Franca, nga shqipja tek frëngjishtja, nga partitura tek interpretimi, nga një instrument tek tjetri, kishte qenë, në fund të fundit, rrugëtimi i përhershëm i jetës sime. Ai ishte ndoshta edhe identiteti im.

Pjesë nga libri 2

Përparimi në muzikë nuk është kaq i thjeshtë. Edhe pse duhet një punë e përditshme e vazhdueshme dhe një durim i pafund, ky është vetëm kuadri i domosdoshëm; gjithçka qëndron në identifikimin e saktë të të metave tona dhe mënyrave për t’i korrigjuar. Nëse nuk e kuptojmë këtë, mund të punojmë në instrument dhjetë orë në ditë për dekada me radhë dhe, cilido qoftë talenti, madje edhe formimi i shkëlqyer fillestar, i vetmi rezultat që do të arrijmë është rënia e pandreqshme. Në shumicën e rasteve shpejtësia e rënies është në proporcion me zellin dhe seriozitetin e shpenzuar. Është mizore dhe e padrejtë, por ja që kështu është.