ÇINGIJE DAFINA

Shkëputur nga romani “KRONIKAT E MJEGULLËS”

Autor BASHKIM HOXHA

Botues: ONUFRI / Shkurt, 2019 / Çmimi 1 200 lekë

Ka gjithmonë një çingije që shoqëron ngjarjet historike

Shtëpia e Dafinës kishte plot sixhade nëpër mure. Me sa duket, ishte pasioni i saj të mblidhte sixhade punuar me dorë me peizazhe nga më të ndryshmet. Venecia. Stambolli. Një shkretëtirë me një deve që ecën përmes saj. Piramidat e Egjiptit. Një luan. Një tigër me turirin e nxjerrë midis disa gjetheve të stërmëdha të gjelbra. Meka. Një peizazh kinez. Qëndronte mbyllur në shtëpi dhe udhëtonte me vështrim në gjithë botën, sa nga njëri qytet në tjetrin, pa lëvizur nga shtrati, humbiste mendjen nga ajo dhomë e ngushtë, mjaftonte vetëm të qëndronte me sytë mbërthyer mbi sixhade.

Ata që e njihnin, thoshin që Dafina mburrej se nuk shkonte ajo nëpër botë, por vinte bota tek ajo. Kishte shijuar turq, grekë, francezë, italianë, një amerikan, dy bullgarë, një serb, shqiptarë po se po, me shumicë. Vinin tek ajo si në një pelegrinazh drejt tokave të shenjta. Nuk ndiznin qiri. Shuanin zjarrin që kishin brenda vetes. Ndonjëherë i dukej vetja si ato pjatat prej llamarine mbuluar nga dylli i shkrirë i qirinjve të tretur.

I gostiti me ujë trëndafili.

Pastaj nisi të përshkruajë atë ditë.

– E kujtoj mjaft mirë! Ka qenë një ditë e madhe. Këtu ziente.

Dafina tashmë ishte një grua e rreshkur dhe nuk e kishte më shkëlqimin e njëzet e ca viteve më parë. Në vend të faqeve ngjyrë trëndafili, kishte dy kocka të nxjerra, mbuluar me një cipë të zezë të rrahur keq e të rreshkur nga dielli.

Këto vite jeta e saj kishte marrë rrokapjekthi, si këngë pa fund. Strofë pas strofe kishte ndërruar katër burra. Me Kostën nuk kishte qëndruar gjatë. Ai nuk ia fali që qëndroi me Zenel agën për të mësuar këngë të tjera dhe e kishte sikterisur. Por edhe Zenel aga iku shpejt. Menjëherë pasi u shpall pavarësia, një muaj më vonë, ai shiti shpejt e shpejt disa prona dhe një mëngjes u kthye në dhomën e saj dhe i tha se ishte e lirë të ikte ku të donte. Ai vetë po ikte në Turqi, prej nga nuk donte më të kthehej.

– Më merr edhe mua me vete, – i kishte thënë ajo, por ai ishte i prerë.

– Jo. Po e bëjmë edhe një herë të fundit këtu dhe shiko e ndreqe vetë jetën tënde. Me këtë trup që ke, nuk ngelesh pa bukë!

Bënë dashuri si asnjëherë tjetër, ndoshta sepse ishte dita e fundit.

Që atëherë ajo gjithmonë ëndërronte dashurinë e ditës së fundit.

“Nuk ka si dashuria e ditës së fundit. Është si puna e të vdekurit, që para se të ikë, bëhet edhe një herë i bukur, i hip ai nuri që quhet nuri i vdekjes”.

Me dashuritë e ditës së fundit, ajo nuk qëndroi gjatë me askënd. Dorë pas dore, këngë pas kënge, dhe tani kishte mbetur e vetme dhe këndonte nëpër dasma me orkestrat që ndërroheshin njëra pas tjetrës.

– Atë natë mua më thërritën për të kënduar.

– Çfarë këndove?

– Sigurisht, këngë patriotike. Këngën e flamurit!

Ajo nisi të mërmëriste:

Flamur i kuq

E shkabë e zezë

Valëvitu ti në erë valëvitu…

– Po kjo këngë sikur është krijuar më vonë, – vërejti Misto.

– Më vonë mund ta kesh dëgjuar ti. Zenel aga vdiste për këtë këngë. Burrat ishin mbledhur te dritarja dhe Zenel aga më thoshte: “Lëre këngën. Qëndis flamurin sa më parë.” Po unë qëndisja flamurin dhe këndoja. Një gjë aq e madhe nuk bëhej pa këngë. Njësoj si fëmija. Pa ninulla nuk rritet.

Pastaj ajo nisi të fliste gjatë për Zenel agën.

Zenel aga ishte pak qejfli, por ishte i mirë. Madje, edhe kur bënte dashuri, thoshte se i bënte sevap ndonjë gruaje vetmitare. Për të sharja më e rëndë nuk ishte “Të bëfsha nënën, motrën apo gruan.” Në fund të fundit, me këtë sharje, ti e ke ftuar atë për të ndarë kënaqësinë. Sharja e tij më e rëndë ishte “Të mos bëfsha nënën, gruan apo motrën”, i bindur se ia kishte mohuar kështu kënaqësinë dhe e kishte ndëshkuar.

– Iku dhe na la. Ishim mirë me të. Jemi kaq bosh pa Zenel agën, – psherëtiu Dafina.

– Po patjetër do ikte, – tha Misto duke iu drejtuar më shumë Ferdinandit se Dafinës.

Dikur edhe kjo tokë që quhej Shqipëri ka qenë pjesë e një perandorie të madhe dhe banorët e saj kishin qenë perandorakë. Vërtet një cep i humbur, por ama një pjesëz perandorie me të gjithë madhështinë e organizimit që përfaqëson ajo dhe me gjithë kryqëzimet e rrugëve që sillnin gjëra interesante dhe me madhështi. Menjëherë pas pavarësisë, gjithçka duket, sikur papritur, e humbet rëndësinë. Taksidarët nuk vijnë më nga Stambolli, por nga Tirana, dhe ndodh që njeriu që prisje, të ishte komshiu që ti e njihje fare mirë. Karvanët e mëdhenj harroji. Vijnë vetëm disa karroca të shtrembra ose ndonjë makinë dhe zonjat më të rëndësishme që bujnë, janë motrat e mbretit kur dalin në këto anë për gjueti. Po ndoshta nuk mendonte kaq thellë dhe ka ikur fare thjesht. Ka kërkuar një aventurë, larg. Me mbylljen e kufijve, edhe shanset e aventurës zvogëlohen. Njerëzve si ai u merret fryma në hapësira të ngushta dhe kërkojnë aventurë në hapësirat e mëdha pakufi të perandorisë. Shumë-shumë, aventurat e tij do të përmblidheshin me disa gra provinciale si Dafina që thonë se iu qep deri te karroca, mundi edhe të hipte në të, por që njerëzit e panë se si Zenel aga e hodhi poshtë si plaçkë e pavlerë ndanë rrugës, ndërsa karroca ikte përtej kufijve.

– Të hodhi nga karroca dhe prapë s’e heq dot nga mendja, – e ngacmoi Misto Dafinën.

– Mirë ma bëri! Ç’më donte mua me vete. Ma kishte pirë lëngun. Bakllava pa sherbet më la kur iku. Atje ku shkonte kishte plot turkesha.

Dhe qeshi.

Pastaj filloi të tregonte se i ishte dukur e çuditshme që Zenel beu i tha të linte këngën, se ai për këngë vdiste. Shumë këngë i kishte mësuar prej tij. Këngët e tij ishin me shumë kuptime. Ishte shejtan i madh dhe ta hidhte, por kënga e flamurit nuk kishte asnjë kuptim tjetër, veç flamurit.

– E kam vrarë mendjen se mos fshihet ndonjë marifet pas vargjeve, por nuk kam gjetur gjë.

Flamur i kuq,

me shkabë të zezë,

valëvitu ti në erë, valëvitu…

– Për çfarë bisedohej atë natë?

– Vetëm për flamurin. Unë nuk isha në bisedat e tyre se qeshë e zënë me qëndisjen, por nga zërat e lartë dëgjoja se diskutuan gjatë, nëse duhej ta ngrinin flamurin apo jo. Jashtë qyteti ziente dhe dikush theu një xham. Oh, sa u trembëm! Qëlloi pas shpinës sime, atje ku isha ulur unë dhe qëndisja. I ndjeva ciflat e xhamit, por nuk u tremba. Kishte shumë burra në atë sallë dhe veçanërisht Zenel aga do të kujdesej për mua patjetër. Edhe ajo zhurma e tmerrshme…

– Çfarë zhurme?

– Atë natë dëgjoheshin shumë zhurma të çuditshme. Një si trokëllimë çizmesh, një si uturimë. Ky qytet gjithë kohën nuk kishte nxjerrë zë. Tanimë uturinte frikshëm.

– Kush e theu xhamin? – pyeti Misto.

– Njerëzit jashtë! Kishte nga ata që e deshën ikjen e turqve, kishte nga ata që gëzonin prej kësaj. Mund të ketë qenë gur gëzimi, se ne festat nuk i quajmë pa rrëmujë dhe pa kurban. Megjithëse u tha se gurin e hodhi ajo kurva.

– Cila?

– Hëna. Iu fut në shtrat sa deshi Azis beut dhe kur ai e martoi me Masarin, i hodhi gurët në xhama nga zemërimi.

– Tani këtë fjalën kurvë…

– Kurvë është. Kurvë ishte, – tha Dafina me zemërim. – Çuditesh që e them unë. Unë nuk jam kurvë. Jam çingije. Unë bëj art kur shkoj me të tjerë.

Ferdinandi u skuq kur dëgjoi për herë të dytë historinë e të atit me këtë grua që quhej Hëna.

Mënyra brutale si e kishte përshkruar marrëdhënien e tyre Dafina, i dha të kuptojë se kishte qenë një ngjarje e bujshme, që kishte lënë gjurmë jo vetëm në jetën e të dyve, por edhe në historinë pa ngjarje të këtij fshat-qyteti të përbaltur ku mjegulla nuk tretej asnjëherë.

Bijtë asnjëherë nuk i gjykojnë etërit, ata vetëm i pranojnë, por Ferdinandi nuk ishte rehat kur dëgjonte që kjo histori kishte mbetur edhe pas kaq shumë vitesh.

Misto e vuri re trazimin e tij dhe ndërhyri në bisedë.

– Pra, atë natë është thyer një xham.

– Po. Ajo kurva e ka thyer, – insistoi Dafina.

Ata dolën nga shtëpia e Dafinës dhe hipën përsëri në karrocën që i priste.

– Është thyer një xham Ditën e Pavarësisë. E kupton se çfarë mjerimi historik kemi përjetuar dhe sa shumë madhështi duam t’i japim këtij çasti? E kupton detyrën e vështirë që kemi ne, historianët? – ia ngatërroi Misto muhabetin Ferdinandit dhe për ta çoroditur akoma më keq, shtoi: – Për të hyrë në histori, Neroni dogji gjithë Romën. Dyzetmijë veta shkuan në gijotinë në kohën e revolucionit francez. Dhjetë milionë u vranë vetëm në Luftën e Parë Botërore dhe prapë ka shtete që me një këmbë, me ndrojtje, hyjnë dhe duan të qëndrojnë në histori. Nuk mund të ketë histori pa të vrarë e shkatërrime. Këtu është thyer një xham. Dhe kërkojmë të na marrë historia.

– Kjo do të thotë se nuk ia vlejnë këto biseda, – këmbënguli përsëri Ferdinandi.

– Pak a shumë. Por ne nuk dorëzohemi lehtë, – i tha Misto. -Ne do ta shkruajmë historinë dhe do t’u japim tërë seriozitetin e duhur edhe këtyre ngjarjeve vulgare e banale. Në fund të fundit, jeta njerëzore e tillë është. Historitë normale me dashuri e tradhti ndodhin edhe në çaste të rëndësishme historike.

Ferdinandi ishte konfuz.

– Më thuaj, si është kjo historia e babait tim me këtë grua që është hera e dytë që e dëgjoj.

– Në këtë histori ka më shumë fantazi se me historinë, – filloi Misto.

– Me sa kuptoj unë, babai yt ka qenë një burrë i bukur dhe këto gra e kanë ëndërruar. Në nivelin e njeriut primitiv është vështirë të ndash ëndrrën nga realiteti pas kaq shumë vitesh. Ja, për shembull, si t’u duk rrëfimi i saj?

– Jo bindës. Me mllef.

– Jo për atë historinë e dashurisë.

– Po për çfarë?

– Për praninë e saj historike në atë dhomë burrash kur ngrihej flamuri. E beson ti?

– Jo.

– Është një mashtrim. Thotë se ishte e ftuar atje si çingije dhe se po qëndiste flamurin duke kënduar këngë patriotike. Edhe çingije, edhe patriotike. Është një mashtrim që e ka shpikur tani që priste të fliste me ne. Ka shumë krijimtari dhe fantazi. Në një mënyrë kaq të trashë korrigjohet historia.

– Korrigjohet historia?

– Oh, historia është e mbushur vetëm me korrigjime. Ngjarjet mbarojnë një ditë. Historia rishkruhet e rishkruhet. Historianët janë si gjedhët që ripërtypin e ripërtypin, edhe kur ushqimi ka mbaruar. Por rishkrimi i historisë nuk është aq shumë nevojë e historianëve. Është e atyre që vijnë pas saj. Kush të mundet, pasi ngjarja ka mbaruar, përpiqet të korrigjojë apo t’i japë kuptim pozicionit të tij në histori.

– Historia është fakt, – kundërshtoi me zë të dobët Ferdinandi. – Ju me siguri e keni fjalën për interpretimin e saj.

– Historia gjithmonë është interpretim. E kam fjalën për historinë që shkruajmë ne, jo për atë që ka ngjarë.

– Oh, jo, të lutem. Kjo është herezi.

– E gjithë jeta, djalosh, është një herezi. Gjithë çfarë na mësojnë në shkollë, kemi për t’i flakur tej. Ashtu siç flakim përditë tej të dhjetë porositë. A i dimë mirë të dhjetë porositë? I dimë. Çfarë bëjmë në jetë? Shkelim secilën prej tyre, jo një nga një, por të gjitha së bashku, përditë.

Kur mbeti vetëm, Ferdinandi ishte si i hutuar. U ul në ballkon dhe pa disa drita të mekura që po ndizeshin tek-tuk.

“Epo, kur do edhe ky qytet të hyjë në histori”, – shfryu. – “Mos ngeltë vend në botë pa hyrë. E bukura është se ky qytet kërkon me çdo kusht të hyjë në histori. Por jo me atë që kishte ndodhur. Ky qytet po e jeton më pas historinë që duhej të kishte ndodhur”.

E rikrijon historinë në mënyrën e tij.

Ndryshe.

Histori e re në çdo mëngjes të ri.

KUR TË VDES & TË DUA Nga Havzi Nela

Nga HAVZI NELA (20 shkurt 1934 – 10 gusht 1988)

KUR TË VDES

  • Kur të mësoni se kam vdekë,

Kur të thoni: “Ndjesë pastë!”

A e dini se çfarë kam hjekë

Unë, poeti zemërzjarrtë?

  • Kur të pyesni: “Ku e ka vorrin?”,

Kur t’kërkoni me ma gjetë,

Thoni: “Ai urreu mizorin”,

Thoni: “Dheu s’ka me e tretë”.

  • Thoni: “Ai e deshi jetën,

Jeta n’vuetje e dërrmoi”.

Thoni se ka mbrojtë të drejtën,

Grusht tiranësh nuk duroi.

  • Thoni: “Desh, kërkoi lirinë

Si skifter në fluturim,

Provoi prangat, t’errtë qelinë,

Për të mjerët lëshoi kushtrim”.

  • Thoni: “Dritë ai kërkoi,

E vetë dritë nuk pa me sy”.

Thoni: “Për njerzinë këndoi

E për vete mbajti zi”.

  • Thoni se e qorroi terri,

Thoni: “Dielli nuk e ngrohu”.

Thoni se e trishtoi tmerri

E të shtypunit i tha: “Çohu!”

  • Kur të vijë të çelë pranvera,

Kur bilbili nis me këndue,

Mbi vorr tim me gur’e ferra,

Nji tufë lule me ma lëshue.

  • Prekni vorrin, mos ngurroni,

Kush ka lindë, ai ka me vdekë,

Veten ju kur t’a ngushlloni,

Thoni: “Gjallë kurkush s’ka mbetë!”

TË DUA

  • Me të thanë: të due, kjo asht fare pak,

Oh, sa e vogël duket kjo fjalë!

Dashuninë time nuk e shpreh aspak;

Zemrën që buçet, derdhen shkumb’ e valë.

  • Me të thanë se bota pa ty asht nji hiç,

Ti s’do ta besosh, do t’qeshish me mue;

Për ty sot jam nda me tanë shok’ e miq,

Më shohin me inat, veç pse unë të due.

  • Kur unë thom: je dielli, hana pesëmbëdhjetë,

Të tjerët të shajnë, nxjerrin helm e vner,

Ti, për mu, e dashtun, gjithmonë ke me mbetë,

Trandafil i bukur, kur çel në pranverë.

  • Të due, oh, të due, po digjem si zjarri,

Të due sa s’thuhet, nuk shprehet me gojë,

Për dashuninë tande nuk më kalb as varri,

Për nji puthje buzësh, u thava, o zojë.

  • Të due për trupin, shtatin si selvi,

Për synin filxhan, vetullën kaleshë,

Për faqet, për gojën, buzët si qershi,

Por ma shumë për shpirtin, kur ambël më qesh.

  • Del, oh del, e dashtun, mos më le të vuej!

Bota le të flasin, e kanë nga zilia;

Del, mos rri e mbyllun, fjalën mos ma luej!

Kush flet keq për ne, i vraftë Perëndia!

 

GRUEJA SHQYPTARE (Amë e bi) Nga Vinçenc Prenushi

 Imzot Vinçenc Prennushi (Shkodër, 04. 09. 1885 – Durrës, 19. 03. 1949)

GRUEJA SHQYPTARE (Amë e bi)

  • Ka ra rrezja nder bajama!

T’ bin e vet kshtu e pvetë e ama:

– Ç’ke, moj bi, qi kjan e fshan?

Kjan e fshan, e vetllat vran? –

  •  Kjava shum, mori lum nana,

Tuj qindisë e m’ra gjylpana;

M’ra gjylpana nën balkue,

E jam ulë tash me e kërkue. –

  • Po çka kje qi lodt t’i xori?

Ku kje dhima, a ku kje zori?

A por, drue, mos m’je harlisë,

Qysh se kjan – o tuj qindisë.

Pasha nanën nuk mund t’ bari,

Qi të më ndezet bija zhari!

Do t’ a dijë e zeza nanë,

Pse ti vetllat shpesh m’i vranë;

Pse ç’kah mot, moj, buza s’ t’ qeshet

E n’ argtime zemra s’ t’ ndeshet.

  • Nuk a’ gja, moj nanë s’ a’ gja;

Por po t’ tham, se as kot s’ jam vra:

Diçka vlon n’ kët çerdhe zanash;

Vlon dashtni, si n’bija nanash!

Nanë, dashtnija m’ ka molisë,

Prandej kjaj – o tuj qindisë! –

  • T’u thafët goja, bi, ç’po thue?

A kaq shpejt ti m’ je tërbue?

Po shikjo, moj bi kërcuna,

Se, po bana ‘i herë e t’ xuna,

Bana e t’ pava tuj m’ dalë n’ derë,

Nuk m’ ke pshtim, jo metsha e mjerë! –

  • Jam shqyptare e bi shqyptari,

E ato fjalë, nanë, s’ mund i bari:

S’ ke me m’ pa, jo, tuj dalë n’ derë,

Si kujton, pse m’ ke për nderë;

As, moj nanë, nuk jam harlisë

Veç pse kjaj – o tuj qindisë,

E shka n’ zemer m’ ka pengue,

Asht gja e dejë, o nanë, për mue. –

  • Fillon nana tash me u vra:

Diçka nakel së mjerës i asht ba;

Don me çilë të ngriten gojë;

Por dro e mjera mos t’ gabojë:

  • Fol, moj bi, mos m’ len ndër grepa,

Mos më mshef gja, moj, se do djepa

I kam luejtë der tash e m’ ke

Dhelpën t’ vjetër: Ty sot be

T’ paça lshue, tash me m’ diftue,

Se pse zemra peshë t’asht çue. –

  • Nanë, dashtnija m’ ka molisë,

Prandej kjaj – o tuj qindisë. –

Bindej nana, gja s’kuptote,

Por, të mirën kah i a dote

Muer me t’ amël e i tha e mjera:

  •     Mori bi, moj si prendvera,

Pash njat diell e pash njat hanë,

Pash njat Zot, qi kthiell e vranë,

M’ difto sot, ç’sokol ke xanë? –

  • Çfarë sokolit thue, moj nanë?

T’ thaçë, moj, t’thaçë se s’m’a ban ndera,

S’m’a ban shpija, as s’m’a ban dera

Me luejtë mendsh, moj nanë, mas kuej:

S’ i kam dhanë, jo, fjalë kurrkuej.

E po t’ tham: Se n’ t’ endun t’ motit,

Po t’ tham, po, me besë të Zotit,

Ty due fjalët me t’ i ndigiue,

As s’ kam mend me t’ u largue.

Zemren dysh un s’ mund e daj:

M’ len t’ qindisi, m’ len të kjaj! –

U ngri nana, lodt i pshtuen;

Para s’ bis fort syt i u xuen.

Kaluen dit e kaluen net,

Vajza ma me gojë s’ po flet:

Me gojë s’ flet edhe na a’ smue,

Rat e mjera á tuj lingue:

Lingon keq n’at shtrojë deket

E shpesh paket edhe meket.

Ftyra e sajë porsi flok bore;

Mndash, gjylpanë s’i hjekë prej dore;

Or punon e tuj punue,

Shef pëlhuren se á marue:

I lshon syt mi të më mall

Edhe e puthë e e ven në ball.

  • Nana vajzen tuj dihatë

Shpesh e ndien e: – Mori e ngratë,

A njimend s’don me m’ diftue,

Se pse zemra peshë t’ asht çue? –

  • Nanë, dashtnija m’ ka molisë;

Kjava mjaft-o tuj qindisë!

Kjava mjaft… – Ma desht t’ligjrojë,

Por iu kput ksajë fjala n’ gojë.

Si fjalë tjera nuk mund të xori,

Mndash, gjylpanë prap n’ dorë i mori;

Por dy duerët, porsi florini,

Mi pelhurë deka i a ngrini.

  • Kuku nana kjan me lot,

Se ç’me gjet mue t’meren sot!

Se ç’e gjet të zezen nanë

Nen ket diell e nen ket hanë! –

  • Merr pelhuren, qi pat enë

Bija e sajë; kishte pasë kenë

Kuq e zi e m’ te qindisë

Gjet dashtnin qi e kisht’ molisë.

N’ krye t’ flamurit kisht’ punue,

Për rreth shqypje, m’ dorë prarue,

Fjalët e hershme, fjalët e të Parve:

Se Shqypnia asht e Shqyptarve;

E ndër skaje fjalët “liri”.

Merr nanë-shkreta e pshtiell at bi,

Qi, pa njofët tjeter dashtni,

Ishte shkri veç për Shqypni.

  • Eni bija, zana malit,

Ju qi kjani n’ dekë t’ njij djalit,

E, permysë mi ket bujare,

N’ te nderoni bin shqyptare;

E tuj puthë e mall e vajë

Njat flamur, qi dora e sajë

Diejti aq bukur me qindisë,

Pse dashtnija e kisht’ molisë;

Lidhniu tok: Përherë dashtnija

Për vend t’ uej t’ u jet stolija;

Pe, po kje qi, si kjo bi,

Rriten vashat në Shqypni,

N’ vend do të shkojë-o fjala e t’ Parve

Se Shqypnia asht e Shqyptarve.

Lidhniu tok, si bajshin motit

Ato bijat e Kastriotit,

E broh’ritni n’ gzim e n’ vajë:

Rrnoftë Shqypnija e flam’ri i sajë.

who’s who Visar Zhiti

who’s who Visar Zhiti

Datëlindja: 02/12/1959 Vendlindja: Durrës / Diplomë: Fakulteti Gjuhë  e Letërsi, Instituti i lartë Pedagogjik, Shkodër.

Master: Roma, Pontifica Facolta Teologica San Bonaventura, PEACE BUILDING MANAGEMENT: per costruire la pace nel mondo. Medio Oriente-Balcani. / Gjuhët e huaja: anglisht, italisht, rusisht

Bashkëshortja: Edlira Agaj Zhiti / Fëmijët: Atjon Zhiti    

Motoja në punë: Të zhvillojmë kulturën e takimit, ashtu siç porosit Papa Françesku, duke njohur do të duam më shumë e do të bëjmë më mirë.

Është një nga shkrimtarët më të njohur bashkëkohorë në Shqipëri, që lëvron poezinë, prozën, esenë. Po kështu edhe gazetarinë e përkthimin. I ati i tij – mësues dhe aktor, autor vjershash dhe veprash skenike, ishte me origjinë nga Tomorica, ku “lartësohet Olimpi i shqiptarëve”, ndërsa nëna nga Kolonja. Fiset e tyre përmendeshin për patriotizëm dhe arsimdashje.

Visar Zhiti u rrit në Durrës, ku familja ishte shpërngulur për t’iu shmanguar përndjekjes që nisi pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Babai punonte si hamall në port, megjithëse intelektual, kishte mbaruar Normalen e Elbasanit dhe kishte qenë në Itali për më shumë dije. Si shtëpi kishin bërë një magazinë veglash pune…

Visari fillon klasën e parë në qytetin e tij të lindjes, në Durrës, por shkollën 8-vjeçare dhe gjimnazin i mbaroi në qytetin e Lushnjës, sepse i ati i tij emërohet mësues në fshatrat e atij rrethi, pastaj, falë talentit si aktor, bëhet një nga themeluesit e Teatrit të Estradës profesioniste në Lushnjë. Visari nis shkrimet e para.

Në fillimin e viteve ’70 të shekullit të kaluar, që do të kritikoheshin si “vite të liberalizmit”, Visarit i del e drejta e studimit për të vazhduar studimet në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës, sot Universiteti “Luigj Gurakuqi”.

  • 1975 – 1979 – mësues në fshatin Vilë të rrethit të Kukësit. Pas botimit të poezive të para në organet e shtypit, pas Pleniumit IV të PPSH-së 1973, i refuzohet botimi i përmbledhjes së parë poetike “Rapsodia e jetës së trëndafilave”. Sipas akt-ekspertizës, libri ishte kundër Realizmit Socialist dhe autori kundërshtar i regjimit.
  • 1979/ 8 nëntor – e arrestojnë në qytetin e Kokësit. I konfiskojnë dorëshkrimet, rreth 39 fletore e blloqe me poezi, tregime, ditar etj., të cilat ende nuk janë gjetur.
  • 1980/14 prill – Gjyqi. Dënohet me 10 vjet burg, me heqje të së drejtës elektorale, të ushtrimit të profesionit dhe të botimit.
  • 1980 – 1983 – i burgosur politik në kampin e minierës së Spaçit, rrethi i Mirditës.
  • 1983 – 1987 – i burgosur politik në kampin e minierës së Qafë-Barit, rrethi i Pukës.
  • Vazhdon të shkruajë poezi fshehurazi edhe në burg. Aty humb dhe romani i tij i parë “Vizatimet e një mësuesi fshati”.
  • 1987 – 1990 – lirohet dhe punon si punëtor me tre turne në fabrikën e tullave në Lushnjë. Edhe pas burgut nuk pranon bashkëpunimin me Sigurimin e Shtetit, duke përballuar presione dhe pasojat e rënda. (Dokumenti i mospranimit gjendet në dosjet e tij dhe është bërë i njohur dhe nga media)   
  • 1990 – 1992 – angazhohet gjallërisht në lëvizjen për përmbysjen e diktaturës dhe vendosjen e demokracisë në vend dhe punon si gazetar në organin e parë të shtypit opozitar “RD”, Tiranë.
  • 1992 – 1993 – emërohet drejtor në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, aty ku nisi kalvari i tij. Bëhet anëtar i Komitetit Shqiptar të Helsinkit.
  • 1993 – 1995 – në Kuvendin e Shqipërisë / Drejtor i Zyrës së Shtypit, i Bibliotekës dhe Arkivit.
  • 1995 – martohet me znj. Edlira Agaj. Lind djali i tyre, Atjon Zhiti. Kalon në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në Drejtorinë e Europës dhe më pas në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë, Itali, – ministër këshilltar
  • 1996 – Deputet i qytetit të Lushnjës. Zgjidhet drejtpërsëdrejti me vota nga populli.
  • 1996 – 1999 – Lë mandatin e deputetit dhe rikthehet në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë, Itali.
  • 1999 – 2001 – në Ministrinë e Punëve të Jashme, në Drejtorinë e Diasporës.
  • 2001 – 2006 – Gazetar i lirë, anëtar në “International Federation of Journalists”.
  • Anëtar i Këshillit Kombëtar të Radio-Televizioneve (KKRT) / Anëtar në Këshillin Bashkiak të qytetit të Tiranës.
  • Mars 2006 – në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ministër Këshilltar në Ambasadën e Shqipërisë në Romë, Itali.
  • Shtator 2010 – në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë.
  • Prill-shtator 2013 – Ministër i Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve.
  • 2015 – Qeveria shqiptare e propozon për ambasador në Vatikan.
  • Maj 2015 – Qershor 2017 – Kreu i Ambasadës së Shqipërisë, I Ngarkuar me Punë pranë Selisë së Shenjtë dhe Urdhrit Sovran Militar të Maltës.
  • Korrik 2017 – Ministër Këshilltar, Ambasada e Shqipërisë në Washington, SHBA.

 SPECIALIZIME

  • 1991 – Komunikim Social, specializim nga Universiteti Katolik i Milanos dhe Udines, Itali.
  • 1991 – 1992 – Kualifikim në media, stazh gazetarie në gazetat “Il sole 24 ore”, “Corriere della sera”, “Avvenire” në Milano, Itali.
  • 1993 – Fondacioni “Heinrich Bëll”, për krijimtari, me bashkëshorten, Eda. Këln, Gjermani.
  • 1994 – Specializim për Bibliotekat dhe Arkivat Parlamentare, në Belgjikë (Bruksel) dhe Luksenburg.
  • 1994 – Në Bibliotekën e Kongresit Amerikan, me bashkëshorten, Eda, në Washington, SHBA.
  • 2006 – Specializim për diplomaci,  në Kajro, Egjipt.

Specializime të tjera në Tiranë, kurs anglez për zëdhënës institucionesh, për këshilltarët bashkiakë, organizuar nga “ProHelvetia”, etj.  Master:  Tetor 2007- tetor 2008: PEACE BUILDING MANAGEMENT- për costruire la pace nel mondo. Medio Oriente-Balcani. Pontifica Facolta Teologica San Bonaventura, Roma. E kreu me bashkëshorten e tij, Edën dhe së bashku mbrojtën temën: “Shqiptarët, një komb, dy shtete, faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkan”. Udhëheqës i temës ishte historiani Antun Sbutega, ambasador i Malit të Zi pranë Selisë së Shenjtë.

Botime

  1. 2017     Si na erdhi ai, i ndaluari, Tiranë,
  2. 2016    Valixhja e shqyer e përrallave Për ata që rriten Autorë Visar Zhiti & Atjon Zhiti (vizatimet) / Loredan Bubani (red.) Tiranë: Omsca-1, ribotim, 218 faqe.
  3. 2014    Lajmëtarët e vrarë Antologji: portrete, poezi e prozë Autor Visar Zhiti / Loredan Bubani (red.) Tiranë: UET Press, botimi i dytë, 382 faqe., me foto.
  4. 2014   Si është Kosova, poezi, Prishtinë, 2014.
  5. 2012    Rrugët e ferrit Burgologjia ime për Spaçin dhe më parë Autor Visar Zhiti / Loredan Bubani (red.) Tiranë: Omsca-1, 573 faqe.
  6. 2012    Ferri i çarë Burgologjia ime për Qafë-Barin dhe më pas Autor Visar Zhiti / Loredan Bubani (red.) Tiranë: Omsca-1, 558 faqe.
  7. 2010    Panteoni i nëndheshëm ose Letërsia e dënuar Avitje për të kaluar murin Autor Visar Zhiti / Loredan Bubani (red.) Tiranë: Omsca-1, 190 faqe.
  8. 2009    Në kohën e britmës Roman Autor Visar Zhiti / Loredan Bubani (red.) Tiranë: Omsca-1, 361 faqe.
  9. 2008    Shekull tjetër Tregime Autor Visar Zhiti / Loredan Bubani (red.) Tiranë: Omsca-1, 200 faqe.
  10. 2006    V.V. dhe një vrasje e munguar Sprovë me biseda të ndërprera, copa dokumentesh, letra dhe poezi Autor Visar Zhiti / Mira Meksi (përg. për bot.) Tiranë: Onufri, 239 faqe.
  11. 2006   Në emër të a(r)tit, ese, intervista, Shkup, 2006.
  12. 2005    Thesaret e frikës Poezi Autor Visar Zhiti / Loredan Bubani (red.) Tiranë: Omsca-1, 244 faqe.
  13. 2004    Perëndia mbrapsht dhe e dashura Roman Autor Visar Zhiti / Loredan Bubani (red.) Tiranë: Omsca-1, 284 faqe.
  14. 2004   Djali dhe legjenda, tregim (shqip, maqedonisht, anglisht), Tiranë, 2004.
  15. 2003    Funerali i pafund Roman Autor Visar Zhiti / Loredan Bubani (red.) Tiranë: Omsca, 180 faqe.
  16. 2002    Ferri i çarë Roman i vërtetë Autor Visar Zhiti / Loredan Bubani (red.) Tiranë: Omsca-1, 453 faqe.
  17. 2001    Rrugët e ferrit. Rrëfim që s’do të doja të ishte i vërtetë Autor Visar Zhiti / Bujar Hudhri (përg. për bot.) Tiranë: Onufri, 471 faqe.
  18. 2000    Si shkohet në Kosovë Poezi Autor Visar Zhiti / Anton Papleka (red.) Tiranë: Toena, 117 faqe.
  19. 1997    Kohë e vrarë në sy Autor Visar Zhiti / Anton N. Berisha (zgjodhi) / Ali Podrimja (red.) Prishtinë: Rilindja, 175 faqe.
  20. 1996    Valixhja e shqyer e përrallave Rrëfenja për ata që rriten Autor Visar Zhiti / Gaqo Bushaka (red.) Tiranë: Toena, 123 faqe.
  21. 1996    Këmba e Davidit, tregime, Tiranë, 1996.
  22. 1996    Mëkat i trilluar Poezi Autor Resul Shabani / Visar Zhiti (zgjodhi) / Zija Çela (red.) Elbasan: Onufri , 123 faqe.
  23. 1995    Dyert e gjalla Poezi me dy akte dhe një intermexo Autor Visar Zhiti / Ramadan Musliu (red.) Tiranë: Eurorilindja, 108 faqe.
  24. 1994    Mbjellja e vetëtimave Autor Visar Zhiti / Resul Shabani (red.) Shkup: Flaka e vëllazërimit, 100 faqe.
  25. 1994    Hedh një kafkë te këmbët tuaja. Poezi të burgut: 1979-1987 Autor Visar Zhiti / Xhevahir Spahiu (red.) Tiranë: Naim Frashëri, 167 faqe.
  26. 1993    Kujtesa e ajrit Poezi Autor Visar Zhiti / Zija Çela (red.) / Tiranë: Shtëpia Botuese e Lidhjes së Shkrimtarëve, 209 faqe.

Është përkthyer: në italisht

  1. Croce di carne”, poezi, Napoli, 1997.
  2. Dalla parte dei vinti”, poezi, Romë, 1998.
  3. La vita”, poezi, Milano, 1998.
  4. Passeggiando all’indietro”, tregime, Napoli, 1999.
  5. Confessione senza altari”, poezi Napoli, 2012.
  6. Il visionario alato e la donna proibita”, roman, Cosenza, 2014.
  7. Le piaghe non hanno patria”, ese, Roma, 2015.
  8. Dov’ é la vita” – poezi shqip dhe italisht, Rimini, 2016.
  9. Il funerale senza fine” – roman, Cosenza, 2017.

Është përkthyer: në rumanisht

  1. Psalm”, poezi, Bukuresht, 1997
  2. Funeralii Nesfársite” roman, Bukuresht, 2008.

Është përkthyer: në maqedonisht

  1.         “Бoc и лyд”, poezi, Shkup 2001.

Është përkthyer: në anglisht

  1. The condemned apple”, poezi, Los Anxhelos, SHBA, 2005.

Është përkthyer: në kroatisht

  1. Izbrane Pjesme”, poezi, Zagreb, 2010

Ka përkthyer në shqip

  1. Adonis “Iluzioni i hapave të mi”, poezi.
  2. 2011    Ti, në grackë nën qepalla Poezi Autor Sebastiano Grasso / Përkthyer nga Visar Zhiti / Eda Agaj (krahasoi e red.) Tiranë: Uegen, 208 faqe.
  3. 2010    Anche se è aprile Autor Ismail Kadare / Elvira Dones (trad. di) / Visar Zhiti (trad. di) / Marina Giaveri (a cura di) / Nullo Minissi (prefaz. di) / Massimo Scotti (nota biogr. e bibliogr. essenziale di) Genova: San Giorgio; Associazione Culturale Lerici Pea. Përmbledhje poetike nga Ismail Kadare shoqëruar me një studim kritik nga Alessandro Scarsella: 99-104 faqe. Të dhëna biografike dhe një listë bibliografike e veprave të Kadaresë: 109-114 faqe.
  4. 2008    Për Shqipërinë time = For my Albania = Za mojata Al’banija Autor Nënë Tereza / poetizoi e mbarështoi në shqip Visar Zhiti  / Avni Spahiu (përkth. në angl.) / Resul Shabani (përkth. në maqed.) / Drita Starova (red.) Tiranë: 55.
  5. 2005    Poezi të shkruara mbi gurë: tanka Autor Ishikawa Takuboku / Përkthyer nga Visar Zhiti Tiranë: Toena, 100 faqe.
  6. 2003    Mësomë të dua Poezi shqip-anglisht = Teach me to love: albanian-english poetry Autor Nënë Tereza / Avni Spahiu (përkth. në angl.) / Visar Zhiti (përkth. në shqip) Prishtina: Rozafa, 235 faqe.
  7. 2003    Mësomë të dua Poezi shqip – gjermanisht = Lehre mich zu Lieben: Gedichte Albanisch – Deutsch Autor Nënë Tereza / Visar Zhiti (përkth. në shqip) / Pren Kola (përkth. në shqip) / Hans-Joachim Lanksch (përkth. në shqip) Prishtinë: Rozafa, 240 faqe, 8 fl. me il.
  8. 2003    Mërmërimë shenjtoreje Lutje, poezi Autor Nënë Tereza / Mblodhi dhe poetizoi Visar Zhiti  / Loredan Bubani (red.) Tiranë: Omsca-1, 153 faqe.
  9. 2002    Miloshi, heroi i Kosovës Legjendë, kronika dhe përkthime Autor Ago Agaj / Mblodhi dhe përktheu Visar Zhiti  Tiranë: Toena, 82 faqe.
  10. 2001    Qëndresa në sytë e Kosovës Album [Kosovar fortitude] Autorë Roland Tasho (foto) / Jusuf Vrioni (përkth. në angl.) / Artur Cekodhima (përkth. në angl.) / Visar Zhiti (përkth. në angl.) Tiranë: Onufri, 55 faqe, me foto.
  11. 1999    Santa albanese di nome Madre Teresa Visar Zhiti (cord. edit.) / Ylli Polovina (cord. edit.) / Pamela Eringi (disegni) Roma: Costanzo d’Agostino, 62 faqe.
  12. 1999    Ballkon i hapur Poezi Autor Federico Garcia Lorca / Zgjodhi e përktheu Visar Zhiti Tiranë: Toena, 104 faqe, me il. Botimi ka tre vizatime të autorit.
  13. 1998    Fati i ditës Poezi botërore Autor Mario Luzi / Zgjodhi e përktheu Visar Zhiti / Eugenio Scalambrino (red.) Elbasan: Onufri, 125 faqe.
  14. 1997    Takohemi nëpër lutje Poezi Autor Nënë Tereza / Zgjodhi e përktheu Visar Zhiti Tiranë: Çabej MÇM, 56 faqe.

Poezitë e Visar Zhiti janë përkthyer dhe përfshirë në antologji të ndryshme dhe në gjuhët frengjisht, gjermanisht, polonisht, holandisht, greqisht, hebraisht, flaminge, arabisht, serbisht, malazeze, boshnjake, kineze, esperanto, etj.

Po kështu krahas përgatitjes dhe pajisjes me parathënie të shumë autorëve të tjera, ka përgatitur librat nga krijimtaria e babait të tij, Hekuran Zhiti, poema, komedi, drama dhe botimet e birit të tij, Atjon Zhiti.

Krijimet e Visar Zhitit janë futur dhe ne tekste shkollash edhe jashtë vendit, janë bërë dhe këngë jo vetëm në gjuhën shqipe, por dhe në italisht, anglisht, kanë frymëzuar piktorë e kineastë për dokumentare e filma, ndërkaq artikujt e tij nëpër gazeta janë me qindra, edhe në shtypin e huaj ashtu si dhe intervistat në RAI në Itali, në Vatikan, Spanjë, Rumani, Maqedoni, Kroaci etj.

Ka marrë pjesë në shumë veprimtari kulturore e diplomatike, kombëtare e ndërkombëtare, është ftuar nga biblioteka e universitete të ndryshme, nga festivale e Panaire të Librit brenda dhe jashtë vendit, në parlament e senate, duke filluar nga Kosova e  Maqedonia, Mali i Zi, Kroacia, Sllovenia, në Greqi e Rumani, në Europë, Itali e Vatikan, në Francë, Gjermani, Belgjikë, Spanjë, Zvicër, Turqi, në Afrikë në Egjipt, e deri në SHBA, në Librarinë Kongresit Amerikan.

Vepra Visar Zhitit vlerësohet nga lexuesi dhe kritika, vendase dhe e huaj, për guximin artistik dhe të vërtetën që mbart, për gjuhën e gjallë, plot me metafora e kumbime, për imazhet sa tronditëse, po aq dhe magjepsëse, ku gërshetohen realizmi i ashpër me fantazitë, e përditshmja dhe kohët, gëzimi i jetës dhe besimi te njeriu, dashuria e pafund, dhembja dhe tragjizmi, dritëhijet dhe misteri. E shkruar në vende të ndryshme, në burg dhe në metropole, fshehurazi dhe rrugëve, ajo ruan një harmoni të veçantë, origjinale mes vetes dhe me bëmat e qëndrimet e autorit.

Çmime letrar, kombëtare dhe ndërkombëtare

  1. Leopardi d’oro, Milano, 1991.
  2. Racconta il tuo Dio, Milano, 1992.
  3. “Çmimi Kombëtar” për veprën më të mirë në poezi, nga Ministria e Kulturës, Tiranë, 1994.
  4. “Velija” – Çmimi mbarëkombëtar për letërsi, Tiranë, 1995.
  5. Gaetano Salveti, Romë, 1997.
  6. Ada Negri, Lodi Vecchio, 1998.
  7. Premio Internazionale per la poezia: “La cultura del mare”, San Felice Circeo, 1999.
  8. “Naim Frashëri”, Tetovë, Maqedoni, 2001.
  9. “Kalimerja”, Ulqin, Mali i Zi, 2002.
  10. “Çmimi i parë i poezisë”, Gjakovë, Kosovë, 2003.
  11. “Penda e argjendë”, për romanin më të mirë të vitit nga Ministria e Kulturës, 2003.
  12. “Asdreni”, Korçë, 2005.
  13. Libri më i mirë i Panairit, Shkupi, 2007.
  14. Premio Internazionale “Mario Luzi”, Romë, 2007.
  15. Shkrimtari i Vitit, Panairi i Librit, Tiranë, 2008.
  16. Çmimi letrar “B. Musliu”, Gjilan, Kosovë, 2009.
  17. Çmimi kombëtar “Gjergj Fishta”, për Librin më të mirë studimor, Ministria e Kulturës, 2010.
  18. Diploma e përkthyesit – PEN, Tiranë, 2011
  19. Çmimi i Madh i Letërsisë, – Çmimi Karrierës, Ministria e Kulturës, Tiranë, 2012.
  20. Çmimi “Kurora e poezisë”, Korçë, 2014.
  21. Çmimi “Libri më i mirë i vitit”, Gjakovë 2015.
  22. Çmimi “Azem Shkreli”, Pejë, 2015.
  23. Çmimi “Il linguaggio dell’anima” (Gjuha e Shpirit), Narni, Ars Academi, Itali 2016.
  • Është anëtar nderi i Festivalit Ndërkombëtar “Ditët e Naimit” të Tetovës në Maqedoni.
  • Është anëtar i Akademisë Internacionale të Arteve të Bukura, të Letërsisë dhe Shkencës “Alfonso Grassi” në Itali.
  • Është anëtar i PEN Clubit në Itali
  • Është i përfshirë në enciklopedi të vendit (“Fjalori Enciklopedik”) dhe të huaja (“Piccolo Treccani”), në Itali, Mbretëria e Bashkuar, SHBA, etj.

DEKORIME

Ka marrë medalje e dekorata nga universitete dhe bashki të ndryshme, shoqata dhe institucione brenda dhe jashtë vendit, madje në vitin 2012, me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, dekorohet nga Presidenti i Republikës “Mjeshtër i Madh”.

  1. Premio alla Carriera, Romë, 2000

Medalja e Artë e Meritës – Academia Angelico Costandiniana në Jubileun 700 vjetorit të “Pontificio Santuario Santa Casa Loreto”, Itali 2016.

Libra: Redaktor

  • 2015    Për atë që dua(m)… Ese, statuse në facebook, recensa, poezi e përkthime të një 19 vjeçari të përhershëm Autor Atjon Zhiti / Përgatiti botimin Visar Zhiti / Alfred Lela (red.) / Valbona Nathanaili (red.) Tiranë: UET Press, 230 faqe, me foto.
  • 2014    100 poezi Autor Lucian Blaga / Luan Topçiu (përkth. dhe parath.) / Redaktor Visar Zhiti Tiranë: 55, 128 faqe.
  • 2013    Ndryshe nga çdo jetë Poezi Autor Kujtim Aliaj / Përgatiti Visar Zhiti / Loredan Bubani (red.) Tiranë: Omsca-1, 204 faqe.
  • 2012    Dashuri e papërfunduar Autor Katina Vlahu / Helisabeta Caco (përkth.) / Redaktor Visar Zhiti Tiranë: Dituria, 75 faqe.
  • 2011    Të mblidhemi në Lushnjë Dramë me tre akte Autor Hekuran Zhiti / Redaktor Visar Zhiti Tiranë: Uegen, 70 faqe.
  • 2007    Shpirti çam Poezi te zgjedhura Autor Namik Selmani / Redaktor Visar Zhiti  / Xhemil Lato (red.) Tiranë: Weso, 172 faqe.
  • 2005    Shenjtor dhe djall Poezi Autor Bardhyl Londo / Zgjodhi, përgatiti dhe redaktoi Visar Zhiti  Tiranë: Toena, 317 faqe.
  • 2005    Flatra shiu (hajku) 222 hajku për shiun Autor Milianov Kallupi / Redaktor Visar Zhiti Elbasan: Egnatia, 115 faqe.
  • 2004    Trishtim blu Poezi Autor Bislim Ahmetaj / Redaktor Visar Zhiti / Uk Zenel Buçpapaj (përkth. në angl.) Tiranë: Mërgimi A&B, 115 faqe, me il. Botimi përmban poezi edhe në        angl.
  • 2004    Kryengritje shqiptare në parajsë (të ribësh atin tënd) Vjersha dhe poema Autor Hekuran Zhiti / Zgjodhi e përgatiti Visar Zhiti / Eda Agaj (Zhiti) (red.) Tiranë: Omsca-1, 285 faqe, me foto.
  • 2004    Atdheu është lakuriq Poezi Autor Trifon Xhagjika / Xhevahir Spahiu (zgjodh. dhe përg.) / Jorgo Bllaci (red.) / Redaktor Visar Zhiti Tiranë: Naim Frashëri, 134 faqe.
  • 2003    Simfonia e takave Poezi Autor Skënder Rusi / Redaktor Visar Zhiti Tiranë: Toena, 94 faqe.
  • 2002    Shkuma e erërave Poezi Autor Besnik Myftari / Redaktor Visar Zhiti Tiranë: Onufri, 88 faqe.
  • 2002    Lufta e Vlorës Tregim i një pjesëmarrësi Kronikë, histori e dokumente, portrete, dialogë e folklor Autor Ago Agaj / Redaktor Visar Zhiti Tiranë: Toena, 376 faqe.
  • 2002    Këtu poshtë këndohet ” live” Poezi Autor Rita Petro / Redaktor Visar Zhiti / Uk Zenel Buçpapaj (përkth. në angl.) Tiranë: Albas, 76 faqe.
  • 2001    Valë në shpirt Poezi Autor Dhimitër Gabici / Redaktor Visar Zhiti Tiranë: Albpaper, 71 faqe.
  • 2000    Strehët e gjahut Autor Shefqet Dibrani / Redaktor Visar Zhiti Prishtinë: Faik Konica, 116 faqe.
  • 1996    Evropa e pikëllimit tim. Poezi Autor Jonuz Krasniqi / Redaktor Visar Zhiti Tiranë, 69 faqe.
  • 1995    Mërmërima në karrocën e invalidit Poezi / Autor Pëllumb Guri /Ilir Levonja (red.) & Redaktor Visar Zhiti Tiranë: Tirana, 64 faqe.
  • 1995    Meridianët i mjekon bukuria. Poezi dhe tregime Autor Novruz Xh. Shehu / Redaktor Visar Zhiti Tiranë : Naim Frashëri, 90 faqe.
  • 1995    Dy vëllezër në një prangë Poezi dhe tregime / Autorë Çaush Çoku & Bedri Çoku / Redaktor Visar Zhiti & Nasi Lera (red.). Tiranë: Naim Frashëri, 134 faqe.
  • 1995    Drithmë jete Poezi Autor Kudret Kokoshi / Redaktor Visar Zhiti Tiranë: Naim Frashëri, 99 faqe.
  • 1995    Dosja e diktaturës Autor Pjetër Pepa / Redaktor Visar Zhiti Tiranë: Naim Frashëri, 360 faqe, me ilustrime.
  • 1994    Shpella e vrasjes Roman Autor Spartak Ngjela / Redaktor Visar Zhiti Tiranë: Apolonia, 146 faqe.
  • 1994    Kristale ndjenjash. Poezi Autor Alma A. Mera / Redaktor Visar Zhiti Krujë: Jerusalem, 67 faqe.
  • 1993    Në kërkim të tjetrit Poezi Autor Gazmend Kapllani / Redaktor Visar Zhiti Tiranë: Naim Frashëri, 82 faqe.

Demokratizimi i Shqipërisë, demokratizimi nga brenda Autor Theodore Kaltsounis

Demokratizimi i Shqipërisë. Demokracia nga brenda. Autor Theodore Kaltsounis

Përkthyen nga anglishtja: Milika Dhamo & Valbona Nathanaili    

ISBN 978-99956-39-90-7 / Tiranë, korrik, 2013

Besimi i Prof. Kaltsounis se demokracia mund dhe duhet të mësohet e aplikohet në shkollë

Book review

Nga Prof. Dr. Milika Dhamo & Prof. Asoc. Dr. Marjana Sinani 

Prof. Theodore Kaltsounis në këtë botim, sjell të strukturuar dhe në mënyrë analitike, përvojën prej një dekade të punës së tij në Shqipëri. Autori argumenton idenë e domosdoshmërisë së bashkërendimit të ndërtimit të institucioneve demokratike me zhvillimin e demokracisë “së brendshmi”. Ai analizon modelin e investimit strategjik të demokratizimit së brendshmi të Shqipërisë, një model që Ted e ideoi dhe udhëhoqi si edukator e sociopolitolog, por edhe si qytetar dhe shtetas i tri shteteve me histori të ndryshme zhvillimi të demokracisë.

Ted sjell në këtë manual mendimin e tij se “demokracia nuk importohet, por zhvillohet nga brenda”, se “përkujdesja për ndërtimin e institucioneve demokratike është e pamjaftueshme pa lartësimin e qytetarit”. Ai përshkruan punën stadiale të bërë në Shqipëri gjatë viteve 1992-2002 ku ai udhëhoqi me besimin dhe argumentet se shkolla është vendi ku mësohet dhe aplikohet demokracia. Prof. Kaltsounis përshkruan instrumentet, dimensionet dhe strategjitë e domosdoshme në fushën e edukimit për demokraci.

Përgjatë këtij libri shumë interesant, Prof. Kaltsounis rithekson besimin se të dokumentosh filozofinë, dilemat, paradokset, sfidat, zgjidhjet dhe gjithë itinerarin që kaloi projekti kombëtar “Edukimi për demokraci në shkollën Shqiptare”, në vitet 1995-2005, më shumë se detyrim vetiak i ndërmarrë që në vitin 1946, është detyrim profesional për t’i lënë shkollës shqiptare një histori suksesi në fushën e edukimit për demokraci. Ai përshkruan qëllimin, fazat, objektivat, terrenin shkollor shqiptar, ekspertizën shqiptare, ekspertizë që jo vetëm dëshironte, por dhe mësoi të përmbushë qëllimshëm disa nga dimensionet e edukimit për demokraci në gjithë hapësirën shkollore në Shqipëri.

Prof. Kaltsounis vjen me bilancin e aktiviteteve për demokraci së brendshmi që u shtrinë në një hark kohor relativisht të gjatë dhe që ngërthyen gjithë sistemin arsimor në mbarë vendin. Ai analizon perspektivat që hapën konferencat kombëtare fokusuar në edukimin qytetar demokratik në shkollë, potencialin që krijuan rreth 2500 mësues të trajnuar në gjithë vendin, shansin që dha botimi i 23 manualeve shkollore mbi demokracinë dhe mësimin e saj, qëndrueshmërinë që solli përfshirja e universiteteve të përgatitjes së mësuesve dhe vijimësinë qe solli ngritja e pesë Qendrave Universitare të Edukimit Qytetar Demokratik në Shkodër, Korçë, Gjirokastër, Elbasan dhe Tiranë.

Përgjatë këtij libri Ted vjen realist dhe inspirues. Ai arsyeton rreth idesë se rruga për të ndërtuar dhe brendësuar demokracinë deri në nivelet e të ndërgjegjshmes, përballet me “kurthet” që ngre e djeshmja. Ted zhvillon dhe mbron idenë se investimet e bëra në fushën e shkencave sociale në shkollë nuk humbasin; ato riciklohen, ri-përmasohen, në kontekste të reja. Ai shpjegon pse zgjodhi shkollën, nxënësit, mësuesit dhe tekstet për të zhvilluar mendimin dhe veprimin qytetar e demokratik si rrugë të zhvillimit të demokracisë, ndërkohë që rryma sociopolitologësh ende investohen vetëm në modelimin e institucioneve qeverisëse dhe elektorale si determinantë të demokracisë. Ted ndriçoi një rrugë të re veprimi, që çon në ndryshime afatgjata në kulturën politike qytetare.

Kanë thënë për librin:

Valbona Nathanaili, Drejtore, UET Press

Me një gjuhë të thjeshtë dhe të sinqertë, në libër përshkruhet teoria dhe praktika e një megaprojekti afro 20 vjeçar për instalimin e demokracisë në Shqipëri nga brenda. Truri dhe mekanizmi lëvizës i tij, autori i lindur dhe rritur në Shqipëri Theodore Kaltsounis, me mbështetjen e vazhdueshme të Universitetit të Washingtonit dhe të agjencive të ndryshme në ShBA, arrin të krijojë e konsolidojë një rrjet të gjerë qendrash në të gjithë Shqipërinë për mësimin e demokracisë në shkolla. Libri është një leksion i hapur për dashurinë dhe përkushtimin ndaj koncepteve të tilla si demokracia dhe të drejtat humane, vendlindja dhe origjina, puna në grup dhe vetëmohimi. Faleminderit Ted për këtë leksion!

Prof. Asoc. Dr. Tonin Gjuraj, Rektor, UET

Paradigma e tranzicionit ka qënë paradigma dominuese, që ka ndikuar dukshëm në studimet e ndryshme mbi demokratizimin në Shqipëri. Libri i Prof. Theodore Kaltsounis “Demokratizimi i Shqipërisë – demokracia nga brenda” bën një analizë të kësaj paradigme, të mungesës së traditës demokratike në Shqipëri, barrierave, supozimeve, koncepteve dhe hipotezave kryesore që janë zhvilluar gjatë procesit të demokratizimit, si dhe spjegimin e disa proceseve demokratike në vend.

Asnjë libër ndoshta nuk spjegon më mirë, më kuptueshëm, më thjesht dhe më qartë sesa ky libër parimet demokratike, vlerat dhe shprehitë demokratike, ku autori nënvizon vlefshmërinë e tyre për shoqërinë dhe politikën shqiptare, një kuadër konceptual të edukimit qytetar demokratik, si dhe rrugën që nisi Shqipëria në përqafimin e këtij edukimi, nëpërmjet projekteve të dobishme të mbështetura në çdo aspekt prej qeverisë së SHBA-ve dhe ekspertëve të saj më të mirë në këtë drejtim.

Publikime të mëparshme

  • Theodore Kaltsounis, Teaching Social Studies in the Elementary School (1969)
  • Theodore Kaltsounis (with Celia Stendler Lavatelli and Walter J. Moore), Elementary School Curriculum (1972).
  • Theodore Kaltsounis, Teaching Social Studies in the Elementary School: The Basics for Citizenship, First and Second Editions (1979-1987)
  • Theodore Kaltsounis, The World and its People: States and Regions, First and Second Editions (1982 and 1986)
  • Theodore Kaltsounis, Geography of States and Regions (1988)

Shënime rreth veprës së Viola Isufaj Nga Dr. Gazmend Krasniqi

Kadare në letrat e sotme franceze Autor Viola Isufaj

Nga Dr. Gazmend Krasniqi

Si çdo letërsi e botës, edhe letërsia shqipe i nënshtrohet sistemit të vet letrar. Si çdo vepër serioze letrare, edhe vepra e Kadaresë i nënshtrohet këtij sistemi, nga pikëpamja e pararendësve letrarë dhe e rrezatimeve të saj. Nga kjo pikëpamje, studimet letrare shqiptare i kanë borxhe kësaj vepre, përveçse cilësore, edhe voluminoze. Me këtë studim – Rrezatime të prozës së Kadaresë në letrat frënge– jemi përpara një përpjekjeje për ta zbutur këtë vërejtje.

Një tregim dy-tri faqesh, me titull “Përpara banjës”, ka tërhequr vëmendjen në një kulturë të madhe, siç është ajo franceze, ku ndër kohëra kanë dalë “baballarë” të tregimit, qoftë edhe duke përmendur vetëm Mopasanin. Ky tregim, që do të rrinte mirë në çdo antologji të tregimit botëror, sipas një tipologjie bloomiane (Harold Bloom), i takon prirjes ala Borges, pra e kundërta e tregimit ala Çehov. Megjithëse moderniteti i prozës sonë fillon me tregimtarë, Koliqi, Kuteli, Migjeni, Pashku etj., studimet shqiptare, për arsye të ndryshme, letrare dhe joletrare, vetëm në dekadat e fundit kanë filluar ta respektojnë këtë fakt, duke fituar një farë respekti ky zhanër, i cili mundëson një kritikë të arketipit, dhe jo të mimësis, që përjashton sociologjinë e letërsisë, kuptuar si lexim që përjashton vetë veprën.

Është rasti kur kapërcehet edhe koncepti eliotian se krijuesit e papjekur imitojnë, krijuesit e pjekur vjedhin,krijuesit e këqij e shtrembërojnë atë që marrin, kurse krijuesit e mirë bëjnë diçka më të mirë me të ose të paktën bëjnë diçka tjetër. Fjala remix, e përdorur më tepër në fushën e muzikës, në fushën e letërsisë kupton variantin alternativ të një teksti. Burimet e ndryshme tekstuale riorganizohen, duke përftuar fjali të reja, histori të reja dhe mënyra të reja të mendimit mbi fjalët. Remix-i jep dorë për konceptin e vatrës dhe daljes prej saj, pra çadra e mjeshtrit mbetet e rëndësishme si pikë reference për tekstin që fitohet. Kjo të kujton punishtet artistike të epokave të mëdha të artit, ku mund të flitet për kanune dhe thyerje kanunesh, duke përforcuar idenë se arti më tepër ka dalë nga arti sesa nga jeta.

Ballafaqimi me një kulturë dhe sistem tjetër letrar i japin vlerë mundësive së “leximit” të ri, për të afruar shkrirjen e horizonteve të perceptimit, horizontin e veprës – përbërësit e veprës, që e bëjnë atë të lexueshme – me horizontin e lexuesit, tërësinë e kritereve normative të përvetësuara nga lexuesi – sepse tregimi ofron studime të thelluara dhe të përparuara, gjithmonë sipas kodeve që afirmon vetë.

 

 

Loja artistike si frymë poetike Nga Riza Braholli

Loja artistike si frymë poetike

Analizë teksti: Është aq vonë” Olimbi Velaj

Nga Riza Braholli

 Poezia në fjalë është ndërtuar si një dialog i subjektit poetik me një personazh të munguar, i ligjëruar si një hapësirë e munguar e që shfaqet vetëm si refleks i përthyerjeve të ndjesive, gjykimeve, përsiatjeve të subjektit me … tjetrin. Përgjigjet e tij janë hapësira mungesore, që ne i lexojmë si përgjegjëse të të kundërtave: të thënat e subjektit poetik përkundruall heshtjes dhe hijes që ne krijojmë prej reflekseve të fjalëve të poetit. “Çdo shfaqje – thotë Greimas – është e papërsosur: ajo e fsheh qenien…”[1] Natyrisht, me shfaqje ai nënkupton tërësinë e një poezie si konkluzion të qenies poetike, por në rastin tonë mendojmë se na ndihmon për të kuptuar domethënien që rrjedh prej lojës poetike.

Ligjërimi është i ndërtuar me një ton bisedor e paksa pesimist, mllef e dhimbje. Mjetet artistike ndërtohen nga fjalë pa ngarkesa simbolike dhe në dukje të zakonshme, me një lloj defiguracioni, por që, në sajë të pranëvënieve alogjike të fjalëve, me ndërtime sintaktike ku i jepet përparësi mendimit poetik, fshehin gjendje e domethënie me artikulime situatash të befasishme e të freskëta, me një rrjedhë harmonike e të natyrshme.

Le të fillojmë së pari me titullin, të cilin e përcjell edhe te vargu i parë: “Është aq vonë,” që është dhe titulli i poezisë. Me këtë sintagmë poeti ndërton të gjithë kohezionin e logjikës përmbajtësore dhe artistike që është nënteksti “nuk mund.” Ky inversion me theksin ritmik te o-ja, (vonë); – vini re: shfaqet si një zanore e gjatë – mbart dhimbje, por ndërkohë është një pohim i mohimit dhe bëhet filli poetik me të cilin endet gjithë poezia.

Por le t’i marrim leksemat me radhë. Folja është, me të cilën fillon vargu, i përgjigjet një kryefjale të munguar që duhet të shprehë një kohë. Te ky përfundim na çon ndajfolja vonë, i cili përcakton një çast të caktuar kohor dhe, nga ana e tij, vendoset pas ngjarjes apo veprimit të ndodhur që ka lënë tërë këtë gjendje. Subjekti poetik tashmë shfaqet si një subjekt i gjendjes, dhe i tërë projekti poetik ndërtohet mbi këtë nëntekst mohues. Më tej, ndajfolja sasiore “aq”, e bën edhe më të thellë pamundësinë duke konkluduar një çast të papërcaktuar e dikotomik, jo aq kohor sa marrëdhëniesor. Pra ky titull kthehet në një lajtmotiv a fjalë kyç, siç pëlqejnë ta quajnë strukturalistët, (në të gjithë poezinë përsëritet katër herë) një deduksion rreth të cilit do të sillet e përsillet e gjithë materia poetike. Dhe, për të arritur deri te ky deduksion paraprak, ligjërimi kalon nëpër labirinthe e abstraksione të ngritura mbi lëndë fizike e metafizike, si reflekson i sendërtimeve që ndodhin në aktin dhënës, po dhe marrës.

Le të shikojmë strofën e parë,

Është aq vonë sa të të rilind / vetëm nëpër ngjyrën e plumbit / nëpër fletë që ti ndoshta kurrë s’i lexon / Është aq vonë sa për të të humbur / Në tingullin e harruar të sendeve…

Në dy vargjet e para: “Është aq vonë sa të të rilind / vetëm nëpër ngjyrën e plumbit…” shprehja figurative ngjizet me materie drejt një abstraksioni fin metonimik: …të të rilind / vetëm nëpër ngjyrën e plumbit… Zhvendosja kuptimore na çon drejt një hullie domethënëse që plotësohet me vargun pasues “nëpër fletë që ti ndoshta kurrë s’i lexon”; logjika mentale e poetike na çon pikërisht te përfundimi se gjithçka ka përfunduar, por që, me ndajfoljen ndoshta ajo lë një derë gjysmë të hapur, një deriçkë me shumë. Pasiguria këtu më tepër shfaqet si dëshirë, por njëherazi edhe si trishtim. Ndajfolja krijon një luhatje e dramacitet të brendshëm, që, siç do ta shikojmë edhe më poshtë, krijohet me prekje plot delikatesë, të denja vetëm për dorën e një qëndistareje. Poetesha, jo në modelin e reales, po e të modeluarës artistikisht, e profilizon veten si të tillë; ajo mund ta krijojë atë nëpër ngjyrën e plumbit, duke abstraguar metonimikisht me lapsin, mjetin e shkrimit e jo vetëm me mjetin…, me fjalën si frymë; ai mund të rilindë nëpërmjet artit; është arti që rilind realitete të tjera me të drejtën e rikrijimit. Mos harrojmë postulatin biblik: “E para ishte fjala”

Dy vargjet e tjera “Është aq vonë sa për të të humbur / Në tingullin e harruar të sendeve…,” vijnë si figurë-situatë. Loja artistiko – poetike është mjaft e sofistikuar dhe të vë para një labirinthi abstrakt e shumështresor: ndërtohet me një shtresim situatash, duke luajtur me mungesën si kontekst i saj. Situata e parë ndërtohet nga sintagma – kyç “është aq vonë” dhe “sa për të të humbur.” Sintagma e dytë i përgjigjet kësaj sintagme – kyç në logjikën e ndërtimit të raporteve e lidhjeve me shenjën “humbur.” Pra krijohet situata e një humbjeje. Nëse do ta ndërtonim mendimin sipas sintagmave “Është aq vonë…” dhe “…për të të humbur / Në tingullin e harruar të sendeve;” dhe, nëse sintagmën e dytë do ta shkëputnim nga konteksi kohor i së tashmes, – sepse ajo, në fakt, vjen si një situatë e së shkuarës, – atëherë, i tërë imazhi që na përfytyrohet, është një imazh që operon me të kundërtën e tij; humbja në vetvete shkakton dhimbje. Situata e dytë ndërtohet nga një metonimi – situatë gjithë lëvizje, “Në tingullin e harruar të sendeve…”, që njëkohshëm i përgjigjet pyetjes që rrjedh nga situata e parë. Ku? “Në tingullin…” që përceptohet nëpërmjet një përgjimi ku flasin tingujt, që natyrshëm duhet të jenë intime dhe heshtja bëhet e dukshme, pikërisht, në sajë të tingujve “të harruar.” Dhe nuk e di sa bindës jemi, por mendojmë se koherenca logjike, ndonëse e sofistikuar, ndërtohet mbi pohimin konkludues ”Është aq vonë”, si dhe dhimbjen ndaj harresës, duke i qëndruar besnik mungesës, fillit të nëntekstit mohues “nuk mund” dhe dhimbjes për këtë të mundshme, duke na tërhequr për dore nëpër honin e labirinthet e qenies, duke na treguar edhe plasat më të holla e më të thellë të dhimbjes të krijuara nëpërmjet një loje të ndërlikuar poetiko – psikologjike: e vetëdijshme për atë që po ndodh, e painteres, e gjendur midis njohjes të së vërtetës (së mundshme) dhe të pranimit të saj si të pashmangshme.

“Dyert u mbyllën /…” Ky imazh metonimik ndarës, me të cilin fillon strofa e dytë,

Dyert u mbyllën / xhamat vetëm nga jashtë po ngjiten me natën / ndërsa ti, ti se si je / në gjithë këtë përhumbje prej muzgu të athët…

 vjen si shprehje dikotomike, duke luajtur gjithmonë lojën e nëntekstit analogjik, mbështetur e potenciuar më tej me vargun në vijim: “… / xhamat vetëm nga jashtë po ngjiten me natën / …”  Le të marrim xhamin si materie e zakonshme; dihet për çfarë shërben: të izolojë, ndajë dy hapësira, por dhe t’i lërë ato të komunikojnë vizualisht, pra, të depërtojë drita. Këto dy cilësi kaq të rëndomta, në sajë të kontekstit, kthehen në mjete të holla shprehjeje artistike. Në një mënyrë, që ne do të thoshim naivisht, shohim një pohim të gjithëdijshëm që xhami ngjitet vetëm me një anë, “me natën nga jashtë,” duke pohuar e theksuar pikërisht ndarjen, që më nuk është një ndarje vetëm fizike, por më shumë shpirtërore, metafizike. Në fakt, nata, si imazh realist, është një “objekt,” arketip artistik i së keqes, që shërben për thellimin e domethënies drejt një kuptimësie koherente me përjetimin bosht, të shprehur që nga kreu e deri në fund: të ndarjes dhe të së pamundurës, për të rilindur atë që është e pamundur, se tashmë “Është aq vonë.”

Pra, interpretimi na çon në konkluzionin se tjetri është pjesë e natës, apo nata vetë dhe loja e krijimit vazhdon po me ato mjete të imta nëntekstore e mungesore, për t’u hapur dhe shfaqur e drejtpërdrejtë, duke i dhënë një tonalitet më të lartë e duke e pasuruar edhe me një ritëm të ri. Po të shohim elementet e saj eufonikë, shikojmë që i-ja është artikuluar tri herë dhe e ndjekur gjithashtu nga gjysmëtingullorja j dhe me zanoren e zgjatur e, që i jep një ton trishtues e veleritës, si një rënkim të fshehur: …ndërsa ti ti se si je / në gjithë këtë përhumbje prej muzgu të athët…

Ndoshta mund t’ju duket një gjykim naiv, por askush nuk e kundërshton dot se iii… pra i-ja e zgjatur, për shembull: iii sa i lig…, sa i keq!!!, megjithëse duket si shprehje naive fëmijërore, në tekst, e potencuar me ndajfoljen sa, ajo rezonon, jo vetëm objektin të cilit i drejtohet thënia, por dritëson edhe subjektin. Pra, përsëritja e aliterative e eufonike e i-së, e shkrirë me përemrin ti të përsëritur, na çon drejt një përmbajtjeje dhe domethënieje sintonike e harmonike në koherencë me atë çka shprehet në vargjet më sipër, po dhe në vargun pasardhës.

Le të zgjatim pak lupën edhe mbi këtë varg, në dukje plotës i mendimit të mësipërm poetik. Ajo çka na del nga shqyrtimi i fjalëve që fshehin figurativitet: “përhumbje,” “muzgu të athët,” është plotës edhe i ndjenjës. Shqyrtojmë fjalën përhumbje. Ky emër shërben për të metaforizuar të gjithë situatën (pra, atë çka u tha më sipër). Ndërsa metafora “muzgu i athët” është pjesë e dekorit tjetër, shkaktarit të përhumbjes, muzgut të athët. Nuk biem ndesh nëse themi se i-ja neveritëse që thamë më lart është në sintoni kuptimore e konotative me të athtën, të papëlqyeshmen që e shkakton atë. Gjithashtu, pa harruar reticencën që përsëritet në të katër strofat, që, në poezi, qëllimisht apo jo, janë renditur si një e tërë. Kjo figurë, hapësirë mungesore e vendosur qëllimisht katër herë e me një rezonim ritmik, na jep mundësi ta plotësojmë edhe më tej me shenja përkuese të kodit tonë gjuhësor. Pa e tepruar do të thoshim se kjo mënyrë të shprehuri i jep një tis fisnikërie buzëhollë e plot elegancë të përmbajtur.

Në strofën e tretë,

E ndezën dritën/ për të shfletuar relievin letargjik të tipareve / po s’mund të gjykoj / sepse brenda meje ka terr / gjer në dëshirën e ngadaltë të fundosjes / kur ti mbetesh një hije e bruztë ndajnate…

Poezia, në dukje, si vijimësi e mendimit poetik të strofës më sipër, vazhdon të na flasë drejtpërdrejt. E nis me një varg të zhveshur, pa ngarkesë figurative, por në sintoni me gjendjen përjetuese e emocionale të subjektit poetik, gjithashtu dhe si një vetëfshikullim i përmbajtur. Më tej, nëse e marrim si një të tërë me vargun më poshtë “E ndezën dritën / për të shfletuar relievin letargjik të tipareve”, atëherë do të thoshim se ai e kryen më së miri rolin e dyfishtë: a. i zhveshur, dhe b. si mjet poetik, tashmë jo si dritë e zakonshme, por si dritë që ndriçon e hyn brenda qenies për të zbuluar thellësirat dhe majat, gjë që ajo na e shpreh figurativisht me “…relievin letargjik të tipareve”, duke parë veten si një qenie komplekse e universale. Kështu, loja metonimike, si shprehësi moderne e fjalës, përdoret me masë e në vendin e duhur, duke ruajtur edhe lojën ritmike, edhe lojën kuptimore, të kodifikuara harmonikisht në të gjitha shtresat. Po pse  “letargjik”? As këto vogëlsira në dukje, nuk i shpëtojnë penës intuitive. Sapo analizuam në vargjet më sipër “përhumbjen.” Po a s’është letargjia përhumbje, përgjumje? Besoj nuk gaboj nëse them se kjo qasje është tepër moderne; ka një pranim të vuajtjes, të dhimbjes, qetësisht, si një gjë e natyrshme, duke na paraqitur edhe norma të reja qëndrimi në marrëdhëniet sociale. Në vargjet më tej, këto marrëdhënie, përveçse formalizojnë një gjendje artistike, shtrihen edhe në planin ideor e përmbajtësor, si për të thënë se e vërteta është e thellët dhe e errët duke krijuar një dramacitet të brendshëm më shumë me veten se me “tjetrin”; dhe kjo errësirë vjen si një gjendje, rezultat i kësaj marrëdhënieje që ne e shohim në zgrip: “po s’mund të gjykoj / sepse brenda meje ka terr…”

Gjykoj… përse gjykoj? Po çfarë mund të gjykojë? Mund të kemi një veprim të gabuar, një situatë, rrjedhojë e këtij veprimi, hamendje pa fund. Po vetë folja gjykoj dhe modalja mohore s’mund, e ndriçuar nga ndajfolja e shkakut, sepse. Pra ajo ka të drejtën të gjykojë dhe as që e vë në diskutim këtë drejtë, megjithëse është e vetëdijshme për luhatësinë e vet, sepse, po të shprehemi me fjalët e vargut: brenda meje (saj) ka terr. Le ta marrim në shqyrtim këtë sintagmë. Është terri ai që pengon gjykimin. Po ç’është ky terr? Metafora na shpërfaq një ngjyrim dramatik, një kompleksitet dëshirash, ndjenjash e përjetimesh që thellohet më tej me vargun: “gjer në dëshirën e ngadaltë të fundosjes.” Por le të hedhim dritë e të qartësojmë më tej sintagmën dëshirë e ngadaltë. Më sipër thamë se ndajfolja “ndoshta” krijon një luhatje e dramacitet të brendshëm. Mendojmë se ky dualitet përjetues shfaqet si një fill i hollë gjatë gjithë poezisë, duke krijuar një gjendje të trazuar e komplekse plot dramacitet. Pra e shikojmë edhe te kjo sintagmë që ftillohet edhe më shumë me fjalën “fundosje.” Kuptimi zhvendoset nga një zinxhir figurash abstraguese në të tre vargjet e strofës, sepse brenda ka terr, gjer në dëshirën e ngadaltë të fundosjes, kur ai mbetet një hije e bruztë ndajnate. Shohim se ndërtohen dy raporte të ndërthurura pazgjidhmërisht me njëri-tjetrin: raporti me tjetrin dhe raporti me veten. Përgjigjja duket se na çon drejt një domethënieje mjaft të mjegullt, por po ta shohim nga këndvështrimi përmbajtësor dhe ideor, duket sikur na thotë se çdo ndarje i ka të dy anët, viktimat. “Terri” në vetvete duket si i papërcaktuar, por ai errëson gjykimin dhe ky “terr” mund të vijë nga përplasjet, zjarret, shuarjet e dilemat e brendshme. Ajo nuk merr përsipër të na rrëfejë një histori; ne shohim e ndjejmë vetëm tinguj e ngjyra, përjetime, gjendje, mendime, ndjesi që vijnë nga raporte e marrëdhënie të përcaktuara estetike. ka një prirje për nga perceptimi i përvojës estetike dhe vihet re ndërtimi i raportit të qenies me të vërtetën. Dhe Greimas thotë: (…) përvoja estetike ka një moment që i mundëson subjektit hyrjen, qoftë edhe në mënyrë kalimtare, te e vërteta e tij dhe e botës.[2]

Në strofën e fundit,

Tashmë të ikshëm si dita që/ Kthejmë kokën pas / Pa e ditur, pa e mësuar / Çastin e funeralit pa varr / Është aq vonë / Ka mbërritur koha e epitafeve…

 duket se ideja e subjektit poetik fillon të marrë formë. Koha kryesore mbi të cilën ndërtohet diskursi është e tashmja; vëmë re përsëritjen e shpeshtë të foljes është, por edhe tashmë, si konkludim e si fakt kohor prej nga bëhet gjykimi. Por edhe koha e foljeve të tjera është në të tashmen. Megjithatë, i gjithë ky rrafsh kohor ndërtohet përkundër një rrafshi tjetër kohor mungesor që është e kaluara, e cila ka sjellë këtë stad ku subjekti, që në titull, përsërit  e përsërit “Është aq vonë.”

Gjithashtu, vëmë re se sfondi që shoqëron perceptimin e subjektit është një tonifikim ngjyrash me rezonim përmbajtësor: metafora mbiemërore “të ikshëm” – diçka e paqëndrueshme; krahasimi “si dita që thyhet” – përforcim analog i të paqëndrueshmes. Dita që thyhet është një perëndim dhe në mungesë të hollësive na shërben metafora foljore dikotomike thyhet. Konotacioni i parë është ai i perëndimit të diellit, që vjen i shoqëruar me të ngjitha ngjyrat e një pasditeje. Konotacioni i dyti me thyhet shtreson një kuptim tjetër në sintoni me gjendjen marrëdhëniesore që dihatet nëpër rreshta, asaj që vdes e që përfundon. Vini re fjalët: të ikshëm, dita që thyhet, kokën pas, nëse ua nënshtrojmë grilave konceptuale do të shikojmë se çlirojnë të njëjtat ngjyra që përkojnë me një fund jo aq të pëlqyeshëm, për të përfunduar te nënteksti i “Është aq vonë”, – me përgjegjësen, nuk mund.

Por, duke qenë se na shërben për t’i shkuar hipotezës sonë deri në fund, le të  mbetemi te nocioni i kohës që, në këtë strofë, shfaqet i dukshëm në të dy planet: e kaluara e tashmja. “Kthejmë kokën pas / pa e ditur, pa e mësuar / Çastin e funeralit pa varr.” Janë këto vargje që më në fund na zbardhin e i hapin udhë imagjinatës sonë, për të tentuar drejt thellësisë, të vërtetës së mundshme: e shkuara, padija çfarë ka ndodhur, çastin e thyerjes, funeralit, që alogjikisht s’ka varr, etj. Atëherë le t’i marrim me radhë. Të kthyerit e kokës pas është një shprehje metonimike që e zhvendos fokusin e hulumtimit tonë për nga e kaluara; (mjafton ndajfolja e mënyrës pas). Por të kthyerit e kokës shpesh ka edhe dhimbjen për atë çka lënë pas e jo vetëm si dëftim. – Gjithmonë i mbetemi dualitetit ndjesor e kuptimor që mbart kjo poezi: dua, po nuk mund.

Më poshtë të dy sintagmat shugurojnë po këtë dhimbje; e dhimbja bëhet më e madhe kur s’dihet “çasti i funeralit.” Kjo figurë metonimike, përveçse na çon prapa në kohë, na thotë se ajo që ka ngjarë është një vdekje, që i bie të jetë edhe e pakthyeshme, duke qenë në sintoni me shprehjen – kyç që e kemi përsëritur kaq shpesh: “Është aq vonë”. Përveç këtyre hamendësimeve fjala “pa varr,” së bashku me “Çastin e funeralit” ndërton një sintagmë retorike alogjike që na çon drejt përfundimeve logjike: Dashuria, miqësia nuk prishen në një ditë të vetme, në një çast të vetëm.

Izotopia e kësaj poezie shfaqet nga fillimi në fund me “Është aq vonë”. Nuk mund të mungonte kjo sintagmë në mbyllje të poezisë, që së bashku me vargun tjetër metonimik të shoqëruar me retiçencë “Ka mbërritur koha e epitafeve…”, kthehet në një deduksion logjik, kuptimor e artistik. Vëmë re se të dyja kohët, porsi dy drejtëza jo paralele, vinë e priten te ky varg i fundit, te “…koha e epitafeve…” Ky është përfundimi i një marrëdhënieje: i asaj  që ka sjellë “vdekjen”, figurativisht “…koha e epitafeve…;” dhe, i rrjedhojës shkak – pasojë,  “Është aq vonë”.

[1] Maria Pia Pocato: Semiotika e tekstit, metoda, autorë, shembuj, Përkth. Dhurata Shehri, “Shblu”, Tiranë, 2001, f.151.

[2] Maria Pia Pocato: Semiotika e tekstit, metoda, autorë, shembuj, Përkth. Dhurata Shehri, “Shblu”, Tiranë, 2001, f.152.

Ngjela dhe refleksionet e tij për “Parkun shqiptar njerëzor, 1991-1996”

Valbona Nathanaili

Book review

“Librat, thotë poeti Jean Paul, janë letra të gjata që ndahen mes miqsh”, kështu e fillon esenë e tij Peter Sloterdijk me titull “Rregulla për parkun njerëzor”.

“Shkrimi, vazhdon më tej Sloterdijk në të njëjtën ese, jo vetëm që hedh një urë midis miqësish tashmë të lidhura, ndonëse gjeografikisht të largëta, por shpesh merr formën e një joshje – e cila në gjuhën e magjisë së Europës së vjetër quhet actio in distans – me synimin për ta ftuar që t’i bashkohet rrethit.”

Më duket se nuk mund të gjeja hyrje më domethënëse për këtë shkrim për refleksionet e autorit Spartak Ngjela rreth një prej periudhave më të dhimbshme e, njëherazi më dramatike, të historisë sonë moderne; dhe nuk mund t’i shpëtoja ngasjes për t’u bërë pjesë e rrethit!

Nga ana tjetër, karakteri i veçantë që ka parku njerëzor i Sloterdijk duket se i përshtatet më së miri fabulës së librit të Ngjelës “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare”, volumi 3. Të dy autorët marrin përsipër të analizojnë zooparkun njerëzor, vetëm se me një ndryshim: Sloterdijk e shpall si synim të analizës së tij, Ngjela e nënkupton ekzistencën, shpesh në mënyrë të padukshme, por më shpesh me dashje, kur herë merr rolin e zbutësit dhe herë atë të të zbuturit, kur herë është gjykatësi dhe herë i gjykuari. Gjithsesi, tema e fshehur jo vetëm e librit, por edhe e vetë ekzistencës së Ngjelës është ftesa për t’u ndarë nga e kaluara për një të ardhme më të mirë dhe ajo e besimit të fitimit të luftës për njeriun ndërmjet “përpjekjeve për shtazërim me ato për shndërrimin në një kafshë të butë shtëpiake”.

Ngjela duket i vendosur për të dhënë ndihmesën e tij në ndriçimin e asaj periudhe dhe për këtë përdor një retorikë të thjeshtë e të qartë: ngjarjet fillojnë në vetën e parë njëjës e përfshijnë vetëm atë dhe përfundojnë në vetën e tretë shumës e na përfshijnë të gjithëve ne. Libri hapet me daljen nga burgu, kur i vetëm, në kërkim të miqve apo mundësisë për të patur të tillë, lëviz rrugëve të Tiranës dhe mbyllet me ngjarjet e dhimbshme të vitit të hidhur 1996. Ai akuzon: ne, shqiptarëve, koha e re, që po vinte, po na gjente të paaftë për të rikrijuar veten, edhe tani që kohën e kishim krejtësisht në favor; analizon: a do të mund, opozita e re, ta drejtonte Shqipërinë realisht drejt reformave demokratike? shtron pyetje të tipit: liderët e rinj të partive që po lindnin do orientoheshin nga absolutizmi apo pragmatizmi? Duke përdorur këto argumente, që në pamje të parë mund të duken shumë modeste, Ngjela është nxënës e mësues, lider dhe pjesë e tufës.

Parku ynë human 1991-1996 është nga më të diskutuarit e shqetësuesit dhe “funksionimi e mirëmbajtja e njerëzve në të” shpesh merrte trajtën e një misioni të pamundur. Sa është në gjendje libri i Ngjelës ta përshkruajë këtë fakt? Ndoshta duhet pritur libri i Preç Zogajt për të njëjtën periudhë për të përballur idetë e ndarë mendimet. Ose gjithkush ka perceptimet e tij që jo domosdoshmërisht mund të përputhen me ato të Ngjelës ose të Zogajt, për shembull sa i takon mënyrës së shpërblimit të “homo inhumanus-i të shfrenuar” në ngjarjet e asaj periudhe. E rëndësishme është të theksojmë se projektet intelektuale të Ngjelës gjithmonë hapin debate, pak rëndësi ka se çfarë forme kanë: libër apo bisedë e thjeshtë, drejtues partie apo institucioni. Sidoqoftë, në mënyrën si shtjellon ngjarjet duken të përziera ndenja e lirisë me atë të frikës nëse do mund të kapë ritmin; dhe maturia: e ka nisur shtruar, plot 1732 faqe në tri vëllime.

Nga ana tjetër, Ngjela është i vetëdijshëm për ato që pohon: vëllimi i tretë i refleksioneve të tij shkruhet afro 15 vjet mbas kohës së zhvillimit të ngjarjeve, gjatë të cilave e kemi parë jo vetëm të ndryshojë miqtë e armiqtë, por edhe të kalojë nga një grup në një tjetër, por gjithmonë pjesë e lidershipit. Mbi të gjitha, të bëjë zgjedhjen: t’u japë përgjigje të gjitha pyetjeve “të vjetra” që shumë nga ne kanë për ato kohë apo të devijojë, jo për të dizinformuar lexuesin, por për të ruajtur surpriza për një botim të ri.

Kërshëria për të lexuar librin e Ngjelës ka edhe një arsye tjetër. I izoluar për një periudhë afro 15 vjeçare, nga të cilat “për pesë vjet kisha ndenjur në një dhomë burgu me tim atë dhe sërish jeta më ishte dukur po e njëllojtë, sikur isha vetëm me veten time, edhe pse në fakt afërsia fizike me babanë tënd në një dhomë burgu është një përjetim i veçantë, që shumë pak njerëz e kanë përjetuar”, gjykimi i tij për ngjarjet bëhet nga një këndvështrim sui generis, i zhvilluar nga forma të ndryshme politiko-kulturore nga ato të “shumicës nga ne”, që periudhën e regjimit e kaluam kryesisht në bangat e shkollës. Për pasojë, është interesant sepse është ndryshe.

Leximet e mira i zbusin zakonet, thotë Sloterdijk. Arsyeja për të cilën vëllimi i tretë i autorit Ngjela vazhdon të ngjallë të njëjtin interes sikundër edhe dy të parët, është pikërisht sepse libri i Ngjelës është një libër i mirë!

KLUBI KARAVASTA Nga Maks Velo

KLUBI KARAVASTA Nga Maks Velo

Redaktore Valbona Nathanaili

  • Ky roman, në fillim, lindi si novelë. Tani po e botoj të plotë, në dy pjesë. Pjesa e parë, botuar nga Korbi (2004) dhe ribotuar nga Toena (2014), nuk ka asnjë ndryshim. Pjesën e dytë e shkrova mbas 12 vitesh, sepse e ndjeva që këtë vepër e kisha lënë të paplotësuar. Romani zhvillohet në një 10 vjeçar, gjatë viteve 1992-2002, një nga dhjetëvjeçaret më të rëndësishëm dhe dramatikë në historinë e Shqipërisë. Ngjarjet në pjesën e parë zhvillohen midis viteve 1992 deri më 1997, me rrëzimin e piramidave. Pjesa e dytë e romanit përfshin periudhën 1997-2002. Autori

PJESA E DYTË

Stuhia filloi papritur ashtu siç derdhet një shishe me bojë kine mbi një letër. Asgjë nuk ish e përcaktuar: deti, këneta, toka, qielli sikur luanin kumar, duke i marrë letra njëri-tjetrit. Madhështia e gjëmimeve shuante fëshfërimën e butë të kallamave. Shiu filloi me pika të mëdha. Kufijtë u zhdukën. Këneta foli …

“Jam magjistarja e deteve e tokave e qiejve. Jam skena ujore ku luhet shfaqja”.

Papritmas, larg, horizonti u skuq. Shiu pushoi. Një kallam drejtoi trupin. Një tufë rosash kuakërinë dhe pastaj morën fluturimin. Si në fillimin e botës.

Kallamat përkulen si femra. Mbi ujin e zi të kënetës, projektohet hija e tyre. Në asnjë vend tjetër qielli nuk është aq afër me tokën sa këtu. Këneta nuk lëviz se jetën e ka brenda saj në cekëtirë. Është mrekullia e palëvizshmërisë. Mbi kënetë edhe qielli ndalet, vetëm shpezët fluturojnë. Këneta është toka e mbytur, është dorëzimi, pranimi, pajtimi, pafajësia vetë.

Kur lejlekët nisin fluturimin duket sikur fillon së pari jeta mbi tokë. Këneta s’ka valë të fuqishme, valët e saj janë të buta, harmonike, si ledhatimi i femrës. Për njerëzit që duan shpendët, ajo është misteri i madh i takimit.

Peshkimi u vajti mbarë.

Tahiri e çonte peshkun në Tiranë, e ngarkonte në ca govata llamarine dhe e fuste në bagazhin e Benzit. Aty gjeti një dyqan që shiste peshk, pronari ishte nga Gjëmimasi.

Biseduan që dyqanit t’ia vinin emrin KARAVASTA dhe të shiste, kryesisht, peshk të Lagunës.

  • Do të të furnizojmë tri herë në javë me kocë, qefull, ngjala … do marrësh 40 për qind, ne do na japësh 60 për qind… po… po… kapet natën, në shi, në furtunë… pastaj transporti, pastaj humbjet tona…

Kështu e prenë.

Shitja shkonte mbarë, po tani u duhej me doemos një barkë e mirë me rrema… ta sigurojmë njëherë me rrema, pastaj më vonë shohim mos blemë një me motor të vogël…

U ndanë. Tahiri shkoi në Sarandë, Nesti në Vlorë dhe Vani në Veri, në Shën Gjin dhe në Shkodër, meqenëse në këto porte kish pasur Ndërmarrje Peshkimi. Kur u kthyen panë se më e leverdishme ish ajo që Nesti gjeti në Zvërnec të Vlorës. Aty Kooperativa kish pasur një brigadë që peshkonte. Kishin tre barka njërën donin ta shisnin.

Është në gjendje të mirë… pastaj dhe çmimi më duket i arsyeshëm, kërkojnë 300 dollarë amerikanë. Secili do paguajë nga 100. Besoj brenda muajit i zëvendësojmë. Më vonë doli nevoja për një Furgon Frigoriferik, dërguan Vanin se dinte edhe pak Italisht dhe e blenë në Bari, ish i përdorur, por në gjendje të mirë, punën e bënte. E morën lirë për 10.000 dollarë. Punën e shoferit e bënte herë Vani herë Tahiri. Ishin në rregull, para 5 vjetësh kishin marrë Licencën e peshkimit, paguanin në rregull taksat. Papritur doli një pengesë e paparashikuar… dëgjuan se Dajlani do të privatizohej…

Ishte Polici Hyskë Askushi që shpalli në kafene se Dajlani do të privatizohet… “e kanë kërkuar në Ministri….”

  • S’më besohet … sa llafe dalin… çdo ditë nga një thagmë…! tha Vani…
  • S’ka mundësi…nuk ka kënetë të privatizuar në botë! tha Tahiri…
  • Po mor po… po këtu ç’do gjë është përmbys… mjerë ne…! Tha Nesti…

Te gjithë shtetasit i kish zënë një sëmundje pa shërim si një epidemi kolere. Të gjithë donin të ndërtonin, nuk kish rëndësi çfarë. Nuk ngeli njeri pa ndërtuar o një kioskë, o një ballkon, o një mur pa leje. Ose duke bërë një pallat gjashtë katesh, o një vilë, apo haur për lopët a një dyqan. Vetëm në Mesas nuk kish asnjë ndërtim pa lejë. Kjo duhet të kish dy arsye, ose qytezën nuk e përfillte njeri, ose qyteza ish e mallkuar.

Se kush tha: “Këtu është fundi, vjen njeri në fund?. E do njeri fundin?“.

  •  Po pse Partia e bëri thoni Ju, bile ajo parashikoi edhe një urë për të ndërtuar matanë kanalit, dhe një Mesas tjetër, një binjak; një Mesas të dytë që do ish sot fundi i fundit.
  •  Vetëm Partia i bënte çudirat, Demokracia na e hoqi edhe atë pak dinjitet që kishim. S’ka çudira.
  •  Dinjitet nga frika, se edhe frika ka dinjitetin e vet.
  •  Jo or jo është magjia… nuk e dini kur po gërmonte Naska dolën dy kocka dhe ca lecka. Thanë na kanë bërë magji.
  •  E mo… më mirë që s’vjen kush. Dhe t’i lësh nuk ndërton njeri. Është si të hedhësh paratë në kënetë…

Vetëm matanë kanalit u dukën ca baraka, në fakt janë kotecë për pata, rosa e pula. Banorët i shtuan patat e rosat se peshku ua solli në majë të hundës. Rrallë kish ndonjë lopë se nuk kish me se t’i ushqenin. Mesasi s’lëvizi mbeti po ai, në fund të botës po i virgjër ama. Parullat socialiste në muret anësore i sheh edhe sot, nuk merrte njeri mundimin t’i lyente me bojë; pastaj sikur ish një pakt i pa shpallur midis banorëve që të mos i prishnin, se iu kujtonte atë kohën e kaluar, të hidhur, po që kohë e tyre ish, prapë se prapë. Një apartament e bleu një flokëzi nga Tirana. Thanë është shkrimtar. Kur e pyetën ç’do këtu, u përgjigj:

“Do internoj veten… me që nuk më internon njeri do e bëj vullnetarisht… se koha e internimeve ka kaluar… i kam zili ata, ish të burgosurit politikë… dhe ju që keni qenë internuar.

Nuk e kupton?… e po aty është frymëzimi , te vuajtja, dhe unë dua të vuaj vetë… t’i shkaktoj vuajtje vetes sime… isha në një seminar ndërkombëtar dhe të gjithë sa merrnin vesh se isha nga Shqipëria më thonin … Po ju keni qenë në burg?… Se kështu kemi dëgjuar që të tërë keni qenë të burgosur… çfarë t’ju thosha… unë nuk dija as se ku ishin vendet e internimit… tani do shkruaj një trilogji… po më duhet të njoh vuajtjet…

Në Kryeqytet nuk vuan dot, të gjithë bredhin pas lumturisë, unë dua të bredh pas vuajtjes… si, a kam botuar?… Po jam i shquar , jam i shquar prandaj jam i pabotuar… po kur të botohem… ama do marr dhenë”…

Ky qënkërka i lojtur…

I lojtur the… nuk më ofendon ore jo… hiç fare, po pa qenë i lojtur si mund të jesh shkrimtar… Pa më thuaj?…tani po mbaroj dramën DASHURI NE BUZE TE KANALIT… ç’përmbajtje ka? po ja kam dëgjuar se në kanal e bënin këtej nga Ju …

Doni të dini diçka për personin tim…? Jam Mërgim Çollaku…jap leksione te Gjuhë Letërsia… po…jam fejuar dy herë, po nuk ishin të përshtatshme, e para ishte shumë fshatare, e dyta ishte si shumë qytetare, nuk po gjej dot një mesatare… tani bashkëjetoj me një ish studenten time… deri tani mirë… megjithëse ç’të them nuk di të gatuaj…

____

Mesasi u bë i famshëm rastësisht nga gabimi i një gazetari danez. Peter Hammb, solli me vete një koleg, Hugo Shulzin. Hugo qëndroi në Mesas dy javë në apartamentin e Peterit …

Kur u kthye, shkroi një artikull për qytezën. Gabimisht ai kujtoi se emri Mesas vinte nga Messia dhe jo nga Mes, vija e mesme, ndarja përgjysmë. Shkroi se ai është qyteti i çudisë dhe i mrekullisë, se ai vend do bëhet Messia e Europës, do udhëheqë Europën e Bashkuar. Kjo zuri vend dhe nuk dëgjonte njeri ta korrigjonte.

  • E dëgjove mo, këtu kalon qendra …
  • Ç’qendër mo Naskë…?
  • Po qendra e botës mo Mitro… dhe nuk e dinim!
  • E po kështu janë gjërat nganjëherë, si padashur…
  • Po thonë se këtu do bëhen zyrat e Evropës…
  • Lum si ne… do pasurohemi..
  • Blejmë zinxhira, orë të vjetra, flori të përdorur, dekorata të punës të luftës, medalje trimërie… shesim makina roje, brisqe.

Çalamani u duk prapë si u zhduk ca kohë pa lajm e gjurmë. Nuk hapej, nuk tregonte ku kish qenë, po sipas të folurave kish qenë në Greqi dhe e kishin kthyer. Pastaj u bë sekser.

  • Dëgjo Lenë, mora vesh se ke një gjyq në Fier.
  • Mos kujto se ke të drejtë dhe do e fitosh, duhet të paguash. Unë e di si bëhet kjo punë, duhen 300.000 të vjetra, dhe e fiton gjyqin … kësaj i thonë punë … që gjyqin e fiton vetë … ku ka më mirë… vetëm bëji gati ato të shkreta. Ndryshe as mos prit gjë në favor.

Foto në të majtë: Në promovimin e librit të autorit Maks Velo “Klubi Karavasta”.

Anti-Social Media: The Impact on Journalism and Society. Edited by Mair, Clark, Fowler, Snoddy & Tait

Anti-Social Media: The Impact on Journalism and Society

Edited by John Mair, Tor Clark, Neil Fowler, Raymond Snoddy & Richard Tait.

Çmimi: £19.95; libri mund të porositet on-line në adresën elektronike: Richard@Abramis.co.uk 

Shkëputur nga: Open Democracy UK

Përshtati në shqip: Valbona Nathanaili

Përfytyroni bashkë me mua: Jemi në vitin 2004! Një student i vitit të dytë në universitetin e Harvardit me emrin Zuckerberg, ulur në krevatin e dhomës së tij, në konvikt, godet, pareshtur, tastierën e kompjuterit – po merret me idenë që ka “marrë borxh” nga dy studentë të tjerë. Për këtë, i duhet të shkruajë kodet e nevojshme që ta shndërrojnë këtë ide në realitet: një rrjet social i pranishëm në internet. Por përveç idesë i duhen edhe ca para, të cilat i merr borxh nga Eduardo Saverin, një nga shokët e tij. Shumë shpejt ideja shndërrohet në realitet. Ai e quan “The Facebook”.

Katërmbëdhjetë vjet më vonë, ish-studenti i Harvardit mishëron, në një, sa i takon pasurisë, John D. Rockefeller dhe William Randolph Hearst të marrë së bashku. Në fillimet e shekullit të 20-të, Rockefeller kontrollonte rrjedhën e naftës, ndërsa Hearst kontrollonte rrjedhën e informacionit. Në shekullin e 21-të, Zuckerberg kontrollon edhe rrjedhën e naftës së re (të dhënat), edhe rrjedhën e informacionit (sepse njerëzit i marrin gjithnjë e më shumë lajmet nga platforma që është nën kontrollin e tij). Perandoria Zuckerberg përfshin më shumë se 2.2 miliardë njerëz dhe vetë ai ushtron kontroll absolut mbi të. Në dokumentin që pasqyron aktivitetin e kompanisw së tij shkruhet:

  • Mark Zuckerberg, themeluesi ynë, kryetari dhe administratori, ka aftësinë të ushtrojë të drejtën e votës në respekt të një shumice që e ushtron këtë të drejtë mbi kapitalin tonë dhe po ashtu ka aftësinë të kontrollojë rezultatin për çështje që u paraqiten aksionarëve për aprovim, përfshirë zgjedhjen e drejtorëve dhe çdo bashkim, shkrirje ose shitje të të gjitha ose pothuaj të gjitha pasurive tona. Ky kontroll i përqendruar mund të vonojë, ndryshojë, ose parandalojë ndryshimin e kontrollit, bashkimit a shkrirjes, konsolidimit ose shitjes së të gjitha ose pothuaj të gjitha pasurive tona që mbështesin aksionarë të tjerë, ose në të kundërt, ky kontroll i përqendruar mund të rezultojë në përfundimin e një transaksioni që aksionarët e tjerë nuk e mbështesin…

Një përqendrim i tillë pushteti në kontrollin e korporatave është i pazakonshëm për institucionet e mëdha publike dhe ngre pyetje rreth dy karakteristikave shumë të rëndësishme në funksionimin e tyre: mënyrës së qeverisjes dhe përgjegjshmërisë sociale. Por këto probleme marrin natyrë akute në rastin e perandorisë së Zuckerberg, sepse zotëron jo vetëm pushtetin ekonomik të një monopoli (në fushën e rrjeteve sociale, Facebook nuk ka asnjë konkurrent serioz), por edhe sepse operon me një model biznesi që ndikon në proceset demokratike dhe, ndoshta, ka ushtruar ndikim edhe në rezultatet e referendumit “Brexit” të vitit 2016, edhe në zgjedhjet elektorale të ShBA, si edhe në raste të tjera.

Me këtë, nuk duam të themi se Zuckerberg vetë po udhëhiqet nga objektiva politikë të caktuar, – së paku jo për momentin. Por pretendimi është, që, a) sistemi i kompjuterizuar dhe i targetuar për reklama i Facebook-ut mund të shfrytëzohet (dhe është shfrytëzuar) nga aktorë të ndryshëm politikë në kërkim të transmetimit të mesazheve politikë ose ideologjikë tek përdoruesit e kësaj platforme, profili i të dhënave të të cilëve tregon se janë mikpritës të tyre; dhe që, b) rezultati i “armatosjes” së medias sociale mund të jetë, në rastin më të mirë, anti-social dhe, në rastin më të keq, anti-demokratik.

Por gjëja që të revolton më shumë në gjithë historinë e zbulimit të shfrytëzimit nga politika që i është bërë kësaj medie sociale në periudhën 2016-2017 është habia fillestare, si dhe mohimi i Zuckerberg dhe zyrtarëve të lartë të administratës së tij, se një gjë e tillë mund të kishte ndodhur!

Habia dhe mosbesimi i tyre referojnë disa ose të gjitha supozimet e mëposhtme:

  • shkallë shumë të lartë naiviteti politik
  • rastin serioz të një verbërie të vullnetshme për çfarë ndodh përreth
  • vendosmëri cinike për të shmangur diskutimin publik rreth shkakut kryesor të gjithë këtij shqetësimi: modelin e biznesit të korporatës dhe nivelin e llojin e përgjegjshmërisë që shoqërojnë pushtetin që zotëron pronari i saj.

Modeli i biznesit: kapitalizmi i vëzhgimit

Pesë korporatat më me vlerë në botën perëndimore: Apple, Alphabet (pronari i Google), Amazon, Microsoft dhe Facebook janë sipërmarrje digjitale. Nga këto, tre prej tyre, Apple, Amazon dhe Microsoft kanë, relativisht, modele konvencionale biznesi: prodhojnë të mira materiale, si dhe/ose shërbime, për të cilat ata që paguajnë janë konsumatorët; ndërsa dy të tjerat, Google dhe Facebook, ofrojnë shërbime që janë pa pagesë, në këmbim të së drejtës për të shfrytëzuar dhe monetarizuar informacionin personal të përdoruesit, po aq sa edhe për të gjurmuar të dhëna që kanë lidhje me të. Në këtë mënyrë, të dhënat e grumbulluara, të përpunuara dhe të grupuara, ofertohen te reklamues të mundshëm – klientët aktualë të kompanisë – ndërkohë që këta të fundit ndërtojnë strategjitë e tyre të reklamimit, duke zgjedhur te cili përdorues do e çojnë reklamën. Një filozofi e tillë përmblidhet shpesh me thënien: “Nëse shërbimi është pa pagesë, atëherë produkti jeni ju”.

Google dhe Facebook operojnë me ndihmën e asaj që ekonomistët e quajnë treg dy-kahesh: të ardhurat nga klientët (reklamuesit) në njërën anë, mbulojnë shpenzimet e përdoruesve në anën tjetër. Këto vitet e fundit është krijuar termi kapitalizmi i vëzhgimit, për të përshkruar këtë lloj model biznesi. Ndonëse Google dhe Facebook e portretizojnë vetveten si kompani teknologjike, më e saktë dhe korrekte është t’i referojmë si sipërmarrje nxjerrje dhe shfrytëzimi, njësoj si kompanitë e minierave dhe të karburanteve. Bizneset e minierave dhe të karburanteve kanë, si lëndë të parë, burimet natyrore të nëntokës, të cilat më pas i përpunojnë, procesojnë dhe shesin te konsumatori. Facebook dhe Google bëjnë diçka të ngjashme, por burimet që shfrytëzojnë, përpunojnë, procesojnë dhe monetarizojnë janë tërësisht digjitale: të dhënat gjenerohen nga gjurmimi i aktivitetit të përdoruesve në platformën e tyre.

Gjithsesi, ekziston një dallim rrënjësor ndërmjet sipërmarrjeve të minierave dhe naftës dhe dy gjigantëve të teknologjisë: ndërkohë që rezervat e burimeve natyrore janë, në vështrim të fundit, të kufizuara dhe shkojnë drejt mbarimit, rezervat e “burimeve” që shfrytëzojnë    Google dhe Facebook, parimisht, janë të pafundme, sepse janë krijuar mbi bazën e filozofisë që në gjuhën e industrisë quhet përfshirje e përdoruesit: për shembull, aktiviteti on-line i përdoruesit. Shkalla dhe volumi i kësaj përfshirjeje janë të paimagjinueshme: çdo minutë, në Facebook postohen 510 000 komente, 293 000 statuse dhe 136 000 foto.

Në këtë mënyrë, sa kohë që përfshirja e përdoruesve është ajo që prodhon të dhëna që monetarizohen, imperativi kryesor i këtij lloj modeli biznesi është rritja, në mënyrë të vazhdueshme, e përfshirjes. Në rrjedhojë, kompanitë ndërtojnë teknologji të mahnitshme dhe projektojnë instrumente që nxisin përdoruesit të shpenzojnë jo vetëm më shumë kohë në platformat e tyre, por edhe të përfshihen në mënyrë sa më aktive.

Pjesa më e madhe e funksionimit të këtyre pajisjeve mbështetet në hulumtimet rreth psikologjisë së sjelljes njerëzore, në mënyrë të ngjashme me filozofinë e ndërtimit dhe funksionimit të makinetave që gjenden në kazino. Për shembull, disa prej tyre krijojnë varësi, ndërkohë që të tjera shfrytëzojnë dobësitë e njerëzve në përdorimin e teknologjisë (për shembull, duke aktivizuar sistemin bazë të modelimit, si autoplay në rastin e videove, variant të cilin shumë përdorues nuk janë në gjendje ta ndërpresin dhe për këtë arsye e shohin deri në fund). Kompanitë ndërmarrin me mijëra eksperimente në ditë, në kohë reale, të tipit A/B, pra që kërkojnë të zgjedhësh ndërmjet dy varianteve kush është  më i miri, dhe që rrisin në mënyrë shumë efektive përfshirjen e përdoruesve. Në mënyrë metaforike, përdoruesit e rrjeteve sociale janë minjtë e pandërgjegjshëm në labirintet skinneriane (sipas emrit të shkencëtarit, B. F. Skinner), por shndërruar në të tillë për shkak të dëshirës e kënaqësisë së tyre dhe që për shumë studiues bëhet shkas për ta emërtuar median sociale si “ekonominë e dopaminës” (ndryshe, substancës përgjegjëse për transmetimin e sinjaleve nga një qelizë në tjetrën në trupin njerëzor).

Sa i takon kërkesave, për ne, si qenie humane, sjellja dhe përfshirja në aktivitete sociale luajnë një rol të rëndësishëm në funksionimin e makinerisë sonë. Në rrjedhojë, si qenie humane jemi subjekt i thjeshtë i një intervali të gjerë paragjykimesh, të cilat shfrytëzohen më së miri nga media sociale. Shembuj të mirënjohur janë paragjykimi konfirmues (tendenca për të kërkuar, interpretuar, fokusuar dhe kujtuar atë lloj informacioni që është në përputhje me gjykimet e vlerat që kemi) dhe deduksioni hiperbolik (tendenca për të preferuar më shumë atë që të shpërblen menjëherë, në çast, krahasuar me shpërblimin që mund të marrësh më vonë, që ndryshe njihet nga ne në formën e fjalës së urtë “Më mirë një vezë sot, se një pulë mot”). Nga pikëpamja e përfshirjes në aktivitete sociale, shembull i mirënjohur është homofilia (tendenca për t’u shoqërizuar dhe krijuar lidhje sociale me qenie njerëzore të ngjashme).

Por ajo për të cilën bota është zgjuar shumë vonë është të kuptuarit se gjendemi në vorbullën e një stuhie perfekte, krijuar nga sinkronizimi i një numër forcash të fuqishme: efekti i  rrjetit social, që ka çuar në emergjencën e monopolizimit global; modeli i biznesit të kapitalizmit të vëzhgimit, me kërkesën e pangopur për sa më shumë përfshirje të përdoruesve; zbatimi me shejtanllëk i psikologjisë së sjelljes për projektimin dhe ndërtimin e aplikimeve, shërbimeve dhe pajisjeve që krijojnë varësi; paragjykime konjitive, që janë pjesë e psikologjisë së qenieve humane; tendenca e fuqishme për të qenë pjesë e një grupi (që me shumë gjasë duhet të jetë trashëgimi e grupimeve të hershme sociale të qenieve njerëzore) dhe që ka çuar në krijimin e shoqërive digjitale on-line; si dhe shndërrimi i medias sociale në armë nga aktorët politikë.

Përmbajtja e gjeneruar nga përdoruesi, ose thika me dy presa

Në mesin e viteve 1990, kur interneti filloi të shndërrohej në modë të përgjithshme, u përshëndet si teknologjia që do të demokratizonte botën dhe do mund të nxirrte në pah anën e brendshme, kreative, të njerëzve. Por në vend që njerëzit e zakonshëm të ishin konsumatorë pasive të përmbajtjeve krijuar nga korporatat në këtë ekosistem, anashkaluan rojtarët e publikimeve të medieve analoge.

Mundësitë e “funksionimit të internetit” shprehen në mënyrë të shkëlqyer në librin The Wealth of Networks, me autor Yochai Benkler, studiues në Harvard, botuar më 2006. Ndonëse teknologjia përmbante (dhe e përmban) gjithë atë potencial të fuqishëm dhe demokratizues që portretizon aq bukur Benkler, në fakt, vetëm një pjesë relativisht e vogël e saj kishte gjetur përdorim në mënyra kreative. Por gjithçka ndryshoi me mbërritjen e Facebook dhe YouTube, dy shërbime që bënë më shumë se të thjeshtë që çdo përdorues të hidhte në rrjet përmbajtjen e tij. Sigurisht që pjesa më e madhe e kësaj përmbajtjeje duhet përshëndetur për larminë e bukurinë e saj (ndonëse një pjesë e mirë nuk do t’ia dijë fare për të drejtat e autorit), por që në fillimet e kësaj ere, për shumë nga ne u bë e qartë se platforma të ndryshme të medias sociale nuk ishin më shumë se një pasqyrë e natyrës njerëzore… dhe ajo që dukej në pasqyrë jo rrallë ishte e pakëndshme dhe e tmerrshme. Për më tepër, u konstatua se në shumë nga këto përmbajtje ekstreme ose problematike, numri i përdoruesve rritej nga dita në ditë, që përkthehet në gjenerimin e më shumë të dhënave të monetarizueshme për platformat në të cilat publikoheshin.

Reagimi i Facebook-ut ndaj këtyre konstatimeve fillimisht ishte shumë i thjeshtë: barrën e përgjegjësisë e ka përdoruesi, i cili mund të vendosë një shenjë të caktuar në se përmbajtja është problematike ose e papranueshme, gjë që do të thotë se pronari i platformës mund të ndërmarrë një rishikim a gjykim më të thelluar të saj. Kjo mënyrë rastësore të sjelli ndaj përmbajtjes, u konfirmua me ligj, falë “Section 230” të “US 1996 Communications Decency Act”, i cili e çliron pronarin e platformës që ofron shërbimin nga detyrimi ligjor për cilësinë e përmbajtjes që publikohet nga aktorë të ndryshëm. Por në dritën e shumë zhvillimeve të reja, si shndërrimi në armë i medias sociale nga aktorët politikë në vitet 2016 dhe 2017, zbulimi i rolit që shërbimi i Facebook kishte luajtur në spastrimin etnik në Mianmar dhe Sri Lanka, dështimit të vetë kompanisë në heqjen e përmbajtjeve që nxisin urrejtje dhe teori konspirative, si dhe të një vargu të gjatë skandalesh, kjo lloj sjelljeje “prej të lehti”, në vitin 2018 u bë e papranueshme dhe sot kompania po lufton – me efikasitet të dyshimtë – të frenojë abuzimet që shfaqen në platformën e saj, si dhe aftësojnë këdo të publikojë çfarë do dhe kur do.

Mostra e Zuckerbergut

Facebook-u i Zuckerberg-ut është një monstër. Por ndryshe nga Frankenstein, ai është akoma i dashuruar me krijesën e tij,  e cila e ka bërë më të pasur se Croesus dhe sundimtarin e padiskutueshëm të një perandorie me 2.2 miliardë përdorues. Akoma, kjo perandori vërtet i ka dhënë ndjesinë e madhe të pushtetit, por bashkë me të edhe të gjitha përgjegjësitë që rrjedhin prej tij. Për fat të keq, gjithnjë e më shumë po bëhet e qartë se krijesa po del jashtë kontrollit dhe se vetë ai është i shqetësuar për pushtetin në zotërim, ndërkohë që ka pak ide të mira se si duhet të heqë dorë nga një numër përgjegjësish që nuk është në gjendje t’i përmbushë.

Një ilustrim i mirë i sa më sipër gjendet në intervistën që shefi i Facebook ka dhënë për gazetaren e teknologjisë Kara Swisher në verën e vitit 2018. Biseda përfshin një gamë të gjerë argumentesh, por ne na interesojnë disa prej tyre, në të cilat vihet re paaftësia e Zuckerberg  për të rrokur shkallën e problemeve që ka hapur krijesa e tij për ne si shoqëri.

Njëra prej tyre dhe më e dukshmja është keqinformimi ose lajmet e rreme.

  • Qasja jonë ndaj lajmeve të rreme, – shprehet Zuckerberg, – nuk është të themi se ju nuk duhet të thoni diçka që është gabim. Mendoj se kjo do të ishte shumë ekstreme. Çdo njeri mund ta këtë gabim, dhe nëse do marrim shënim sa herë dikush shprehet gabim dhe kupton një a një tjetër gjë gabim, atëherë bota do të ishte e vështirë t’u jepte njerëzve zë dhe të shprehnin atë të për të cilën shqetësohen më shumë.

Në vijim, Swisher e pyeti rreth “Infowars”, një faqe me profil të lartë të djathtë, e cila ka në Facebook më shumë se 900 000 ndjekës, por që rregullisht poston lajme të rreme e teori konspirative, përfshirë pretendimin se goditja në masë në Sandy Hook nuk ka ndodhur kurrë. “Infowars” vazhdon të lulëzojë në Facebook, edhe pse Zuckerberg pranoi se pretendimi për Sandy Hook i kësaj faqe është i rremë. Pyetja q♪7 shtrohet është: Pse ndodh kjo? “Sepse çdo njeri mund të gabojë!”, apo për shkak të 900 000 ndjekësve të faqes? Swisher nuk ia drejtoi këtë pyetje, por investigimet e Kanalit 4 të një firme irlandeze për mënyrat e moderimit të përmbajtjeve të faqeve nga grupe të caktuara, tregonin se përmbajtja që vihet në pikëpyetje në faqet Facebook me numër të madh ndjekësish është e pamundur të fshihet a ndryshohet, edhe pse në një lagje të Dublinit mund të ketë përdorues të traumatizuar prej saj – në të kundërt, vendime të kësaj natyre i referohen dhe nënshtrohen gjykimit të rrjetit të rëndë të menaxhimit.

Gjithsesi, pjesa më e çuditshme në intervistën me Swisher ka lidhje me mohimin e Holokaustit – një temë që hapet nga vetë Zuckerberg:

  • Unë jam hebre dhe e di që janë një bashkësi njerëzish që mohojnë se Holokausti ka ndodhur ndonjëherë. Sigurisht që një gjë e tillë për mua është shumë fyese, por në fund të ditës nuk besoj se platforma jonë duhet t’i mbylli faqet e këtyre njerëzve, sepse mendoj që njerëz të ndryshëm mund t’i konceptojnë gjërat gabim. Nuk mendoj se e mendojnë qëllimisht gabim, por mendoj se është e vështirë të vësh në dyshim qëllimin dhe ta kuptosh qëllimin.

Nëse mendoni se këto deklarata janë të çuditshme, mirëserdhët në klub! Fillimisht mund të themi se Zuckerberg është një sociopath, i cili është në kërkim të sa më shumë përmbajtjeve (ose përdoruesve) – qofshin të dyshimta a banale, – por nëse kanë aftësinë të maksimizojnë përfshirjen (që do të thotë edhe të ardhurat) janë të mirëpritura, pavarësisht pasojave! Një konkluzion i dytë është se Facebook është, sot, aq i madh, sa pronari i saj e sheh veten si qeverisës, me të gjitha përgjegjësitë kuazi-kushtetuese për mbrojtjen e fjalës së lirë. Por është vetëm një iluzion: Facebook është kompani, jo demokraci! Së treti dhe më e mundshmja si mundësi, pronari i Facebook është trembur nga mundësia e të qenit nën akuzë se ka mbajtur anë në polarizimin histerik që ka çuar në zgrip politikën amerikane (në të vërtetë edhe atë britanike).

Duket sikur, papritmas, Zuckerberg është bërë i ndërgjegjshëm për monstrën që ka në zotërim. Sikundër shprehet Kevin Roose, gazetari i New York Times, çrregullimi në rritje i sjelljes së Zuckerberg mund të jetë simptomë e një pamje më të madhe: “Ai ka ndërtuar një kompani që ka gëlltitur gjithë komunikimin dhe median e pjesës më të madhe të botës. Ndërsa tani po shohim se si kërkon të shmanget nda drejtimi… Problemi me sundimin e botës është se duhet të qeveriset, por duket sikur ai nuk dëshiron ta bëjë një gjë të tillë”.

Në këtë rast, shtrohet pyetja: Kush do ta marr këtë rol?