Në emër të korrupsionit dhe kronizimit

Në emër të korrupsionit dhe kronizimit

Një vrasje e paralajmëruar – vritet me eksploziv në makinë gazetarja e “Panama Papers”, Daphne Caruana Galizia

Përgatiti: Valbona Nathanaili

Daphne Caruana Galizia, gazetare investigative dhe blogere nga Malta është vrarë të hënën, datë 16 tetor 2017, pranë shtëpisë së saj. Daphne (53 vjeç) po udhëtonte me një makinë të marrë me qira, kur është hedhur në erë me eksploziv, forca e të cilit ishte aq e fuqishme, sa mbledhja e pjesëve të trupit ka qenë pothuaj e pamundur – raportojnë zyrtarët që po merren me këtë rast. Për momentin nuk ka asnjë të dyshuar, por njëri nga djemtë e saj e ka drejtuar gishtin te paaftësia dhe indiferenca e qeverisë dhe forcave policore, si dhe kulturës së mosndëshkimit që po lulëzon në vend: “Mamaja ime u vra sepse vendosi të mbajë anën e ligjit, kundër atyre që kërkojnë ta shkelin atë. Duke qenë vetëm, ishte e lehtë të shndërrohej në objektiv. Kjo ndodh kur institucionet e shtetit janë të paafta dhe personi i fundit që ngre zërin është shpesh një gazetar”.

Daphne Caruana Galizia ishte e njohur në Maltë për zbulimin dhe denoncimin e rasteve të korrupsionit dhe të kronizmit të kryera nga zyrtarë të lartë në vend, të cilat i botonte kryesisht në blogerin e saj, Running Commentary. Artikujt e Caruana Galizia lexoheshin nga një numër shumë i madh njerëzish – kishte ditë kur numri arrinte në 400 000, ndërkohë që vetë popullsia e Maltës është afro 450 000.

Një pjesë e mirë e artikujve e kishin burimin në Panama Papers. Së fundmi, Daphne Caruana Galizia kishte vënë në shënjestër kryeministrin e vendit Joseph Muscat dhe dy nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, për lidhje me kompani offshore që merreshin me shitjen e pasaportave malteze dhe pagesa të ndryshme për qeverinë e Azerbaxhanit.  Pak më parë, objekt i denoncimeve të saj ka qenë bashkëshortja e kryeministrit, e cila akuzohej si përfituesja e një llogarie të fshehtë bankare në Panama.

Sipas The Guardian, presidentja e vendit, Marie-Louise Coleiro Preca ka bërë thirrje për qetësi: “Në këto momente, kur vendi është tronditur nga një sulm i tillë i dhunshëm, u bëj thirrje të gjithëve të peshojnë fjalët, të kenë kujdes gjykimet dhe të tregojnë solidaritet”.

 

Fjalë e re në fjalorin e gjuhës shqipe: kanabizim Nga Valbona Nathanaili  

Fjalë e re në fjalorin e gjuhës shqipe: kanabizim

Nga Valbona Nathanaili

Aktualiteti i sotëm pasurohet vazhdimisht me ngjarje e dukuri të cilat vite më parë do ishte e pamundur të përfytyroheshin. Përpjekja për t’i shpjeguar sa më qartë, si edhe dëshira për t’i identifikuar sa më thjesht, kanë çuar në lindjen e shumë fjalëve të reja. Vetëm gjatë këtyre dy viteve të fundit fjalori botëror është pasuruar me fjalë të tilla si “Fake News”, “Brexit” dhe “Post-Truth”. Secila prej tyre përmbledh një dukuri aq specifike dhe aq të ditës, aq të panjohur më parë dhe aq befasuese, sa nevoja për identifikimin e tyre ka qenë jo vetëm domosdoshmëri, por edhe një mënyrë e mirë për të ndërgjegjësuar një masë sa më të madhe njerëzish për pasojat e asaj që përfaqësojnë. Akoma, duhet theksuar fakti se të gjitha fjalët propozuar sa më sipër identifikojnë mënyra jo të sinqerta të sjelli, të shprehuri a të vepruari të grupeve të caktuara, të cilat duke shfrytëzuar përparësitë që të jep pushteti, paraja, teknologjia dhe informacioni, kanë përftuar privilegje me natyrë ekonomike e politike. Vendet e zhvilluara, kryesisht ShBA dhe Anglia kanë të drejtën të aplikojnë për të marrë autorësinë e këtyre fjalëve, por jo të koncepteve që përfaqësojnë, sepse duket sa janë të pranishme në mbarë botën.

Por dukuri të ndryshme, karakteristike kryesisht për vendet e botës së tretë, diktojnë nevojën për prezantimin e një fjale të re. Fillimisht po i referohem si shembull vendit tonë. Për një periudhë shumë të gjatë kohore, të themi prej dhjetë vjetësh, secila nga forcat politike që ka qenë në opozitë ka përdorur në mënyrë sistematike togfjalëshin “kanabizim i vendit”. Ky etiketim, pavarësisht llojit të opozitës që e ka përdorur, e majtë a e djathtë, gjithnjë ka referuar një dukuri negative, shoqërizuar me mungesën e pranisë së shtetit, ose të vullnetit të tij për të marrë masa në përputhje me legjislacionin në fuqi, po aq edhe me marrëveshje e protokolle ndërkombëtare. Duke marrë shkas nga sa më sipër, por në një shtjellim më të gjerë të këtij togfjalëshi, pak kohë më parë, kam iniciuar idenë e përdorimit të fjalës “kanabizim” edhe në rastin e universiteteve publike (shih një artikull po në këtë gazetë me një njëjtin titull). Por mendoj se ka ardhur koha jo vetëm për të dhënë një përkufizim të saktë se çfarë kuptojmë me “kanabizim”, por edhe për t’i dhënë statusin e një fjale me të drejta të plota, sikundër edhe fjalët, të themi “Atdhe”, “patriotizëm”, “integrim” etj.

Fakte

  1. Shumë vende të botës së tretë, në periudha të caktuara të historisë së ditëve të sotme, kanë qenë dhe janë në vëmendje të medias ndërkombëtare për shndërrimin e tyre në kultivuesin e furnizuesin kryesor, në nivel rajoni, pse jo edhe botëror, me droga të llojeve të ndryshme, në mënyrë ilegale. Klane të caktuara, etiketuar si mafioze, kanë në pronësi hektarë të tërë ku kultivohet kjo lloj bime, brenda të cilave shteti duket “i pafuqishëm” për të ndërhyrë. Në këto raste, të ardhurat në miliona euro, shkojnë për klanin, ndërsa shteti merr pjesën e tij të korrupsionit përfaqësuar, kryesisht, me zyrtarë të niveleve të ulëta. Një gjendje të tillë shteti shpesh e justifikon me varfërinë dhe e sheh si një zgjidhje për të shfryrë, deri në një farë mase, flluskën e varfërisë.
  2. Një dukuri e re që po vihet re në ditët e sotme, përsëri në vendet e botës së tretë, është zëvendësimi i rolit të klaneve që kultivojnë hektarë të tërë me kanabis në mënyrë ilegale me vetë shtetin. Shteti, në mënyrë të ndërgjegjshme, nëpërmjet disa strukturave specifike, përfaqësuar me njerëz të niveleve më të larta në hierarkinë shtetërore, lejon kultivimin e kanabisit në zona të caktuara, në mënyrë ilegale. Arsyetimi: një vend i varfër ka një vlerë shumë të vogël të shpenzimeve qeveritare. Përfitimi: të ardhurat në miliona euro, përdoren për të mbuluar shpenzime jo vetëm luksi e të mirash të tjera materiale, por edhe për të lobuar në organizata ndërkombëtare, blerë zyrtarë të huaj të akredituar në vend, për të qenë pjesë e aktiviteteve të shumta ndërkombëtare, për të sponsorizuar shkrimin e artikujve në media ndërkombëtare për lulëzimin e vendit, për të ndërtuar një imazh që nuk i përgjigjet realitetit, për të blerë zgjedhjet e ardhshme etj., etj. Një zgjidhje të tillë shteti shpesh e justifikon me nevojën për të shfryrë, në një farë mase, flluskën e varfërisë të shpenzimeve qeveritare.
  3. Zbulimi i shumë “skandaleve financiere”, që flasin për para të transferuara në ishuj financiarë nga shumë personazhe të politikës, biznesit a të kulturës, por lista është e gjatë, tashmë si në vendet në zhvillim, ashtu edhe në vendet e zhvilluara, kanë nxjerrë një të metë të madhe: shumë nga këto transaksione, që shpesh u referohemi si skandale, në fakt janë bërë në përputhje të plotë me ligjet e vendit. Kjo tregon se ligj-hartuesit, kanë lejuar “kultivimin e parcelave të caktuara me kanabis” në ligj, që u mundëson këtyre njerëzve të transferojnë para me ndërgjegje të plotë, për të mbuluar shpenzime që në kushte të tjera nuk do ishin në gjendje t’i kryenin.

Të tre rastet e mësipërme mund të përmblidhen me një fjalë të vetme: kanabizim.

Fjalë e re: kanabizim

Në një kuptim specifik, kanabizimi është një strategji, projektuar dhe zbatuar nga grupe të caktuara, me synim rritjen e të ardhurave nga aktiviteti i paligjshëm i rritjes së kanabisit dhe të ardhurave “me reputacion jo të mirë”, duke deformuar funksionin e misionin e shtetit. Të ardhurat ilegale të përftuara falë kanabizimit, u japin këtyre grupeve pushtet ekonomik dhe politik, përtej atij që mund t’u atribuohej në kushtet e një demokracie të konsoliduar dhe të funksionimit normal të një shteti të së drejtës.

Në një kuptim më të përgjithshëm, kanabizimi është strategjia për të hartuar politika politike dhe ekonomike, në mënyrë të ndërgjegjshme, që rrezikojnë funksionimin normal të sektorit publik dhe bëjnë të cenueshme shumë të drejta që duhet të gëzojnë qytetarët e një vendi demokratik. Kanabizimi është një lloj rendi i ri, në të cilin e shpien shoqërinë pushtetarë të papërgjegjshëm për rolin e misionin që kanë, si dhe për dëmin që i shkaktojnë vendit.

Kur na humbën standardet? Nga Valbona Nathanaili

Kur na humbën standardet?

Nga Valbona Nathanaili

26 shtator 2017

Përpara disa ditësh, në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë u organizua dëgjesa publike me kandidatët për Këshillin e Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ose thënë ndryshe, me kandidatët që do të iniciojnë e ndjekin procesin e Vetingut në Shqipëri. Deri këtu çdo gjë dukej normalisht. Por jashtë normales, po aq sa e përfolur dhe e diskutuar në mjedise e nivele të ndryshme, ka qenë pjesa e pyetje-përgjigjeve të drejtuara nga pedagogu i një universiteti privat, pyetje të përgatitura më parë nga vetë ai, ndërkohë që përgjigjet duhej të jepeshin nga kandidatët.

Në fakt, është e vështirë të parashikosh skenarët që hartohen në situata të tilla, veçanërisht kur mendon se procesi duhej të shkonte normalisht, të zhvillohej mbi bazën e disa standardeve e një etike, që ndonëse as nuk i kemi shkruar dhe as nuk i kemi firmosur, mendon se në një shoqëri normale duhet të jenë në përmbajtje dhe themel të çdo marrëdhënie reciproke midis palëve. Por kushdo që ka lexuar “Ushtari i mirë Shvejk”, shkruar rreth viteve 1910 dhe botuar në shqip në fillimin e viteve 1980, e ka shumë më të thjeshtë. Shvejku akuzohet se ka vrarë Perandorin Josef të Parë, por duhet të dalë përpara komisionit të mjekëve të gjykatës, të cilët duhet të vendosin në se e ka kryer a jo krimin për të cilin akuzohet. Pyetjet e komisionit janë të tipit: A është radiumi më i rëndë se plumbi? A besoni në fundin e botës? A do të ishit në gjendje të llogaritnit diametrin e Tokës?

Një qind vjet më pas, tre mjekët e komisionit që morën në pyetje Shvejkun duhet të rrinë të qetë aty ku janë, se vepra e tyre nuk ka vdekur. Mund të ndjehen disi të ofenduar se janë personifikuar në vetëm një njeri, por gjithsesi, të mendosh se shumë të tjerë nuk e kanë pasur këtë fat. Njëri nga anëtarët e komisionit tonë, i cili kishte detyrë të vlerësonte formimin dhe integritetin e kandidatëve, që “akuzohen” se kanë guxuar të aplikojnë për një proces, ku shumë të tjerë as nuk mund të afroheshin, ose nuk kanë pasur kurajën, për një proces, i cili që në fillim është sulmuar, shtyrë, devijuar, nënvlerësuar, parë me mosbesim e etiketuar negativisht, kishte përgatitur pyetje të ngjashme, të tipit: Kush është Alush Dragoshi? Kush u vra më parë, Falcone apo Borselino?

Vërtet, kush është vrarë më parë? Google thotë se Borselino është vrarë më 19 korrik 1992 (52 vjeç), ndërsa Falcone më 23 maj 1992 (53 vjeç), domethënë i bie që Falcone paska ndërruar jetë vetëm dy muaj më parë… Edhe Ministrit të Drejtësisë së Italisë mund të mos i kujtohet se kush është vrarë më parë… Por në ndryshim nga Shvejku, për të cilin komisioni vendosi të anulonte hetimet kundër tij, sepse ishte një “idiot i lindur”, përfaqësuesi i mësipërm i dijes, kishte marrë detyrën t’i shpallte “idiotë të ditës” të gjithë kandidatët. Dhe ia arriti qëllimit.

Në fakt, në se reflekton në lidhje me çfarë ofrojnë regjistrimet video duket, se më shumë se pedagogët, kërkohej të denigrohej vetë procesi. Në Shqipëri nuk është e vështirë të gjesh personazhe të tillë. Por është vështirë të gjesh njerëz që kërkojnë të bëjnë ndryshimin. Kandidatët duhen përgëzuar jo vetëm sepse kanë aplikuar, por parë situatën ku u gjendën, sepse qëndruan deri në fund dhe morën seriozisht disa pyetje që vetëm serioze nuk dukeshin dhe ju përgjigjën një personi që vetëm në atë formë nuk duhej të artikulohej. Shvejku, njësoj si ta, në njërën nga pyetjet u dorëzua “Këtë s’jam në gjendje ta bëj”, por në ndryshim nga ta, mori guximin t’i drejtonte një pyetje anëtarëve të komisionit: “Zotërinj, ta zëmë se kemi një shtëpi trekatëshe. Secili kat i kësaj shtëpie ka tetë dritare. Në pullaz ka dy baxha dhe dy oxhakë. Në secilin kat banojnë dy qiraxhinj. A mund të më thoni tani, zotërinj, se në ç’vit vdiq gjyshja e portierit të shtëpisë?”

Zotëri, pedagog, filozof a çfarë jeni, po marr guximin, njësoj si Shvejku, edhe unë, t’u drejtohem me një pyetje: Ta zëmë se duam të kemi një Këshill të Lartë të Gjyqësorit dhe një Këshill të Lartë të Prokurorisë. Për secilin nga këta këshilla, do zgjedhim nga njëmbëdhjetë kandidatë, që janë, njësoj si ju, pedagogë në universitet. Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë kërkon që secili nga këta kandidatë duhet të dijë se kush ka qenë Alush Dragoshi. A mund të më thoni, se në ç’vit vdiqën standardet e, bashkë me to, edhe çfarë do të thotë të jesh me kulturë në këtë vend?

 

Ëndrra e vjetër për mësues të mirë Nga Valbona NATHANAILI

Ëndrra e vjetër për mësues të mirë

Nga Valbona NATHANAILI

Pasi mbarova studimet në Fakultetin e Shkencave Natyrës, pranë Universitetit të Tiranës, më emërojnë mësuese e lëndës së fizikës në shkollën e mesme të Rrëshenit. Sapo isha diplomuar dhe isha e bindur që e njihja mirë lëndën, por jo. Njihja shkencën, por jo atomet e saj. Njihja ligjet, por më mungonte fjalori për ta thënë qartë dhe bindshëm. Me një fjalë, recitoja, nuk interpretoja. Për orën e parë të mësimit më janë dashur disa ditë përgatitje. Emocione plus frikë se si do dal përpara nxënësve për të shpjeguar një nga mësimet më të thjeshta në fakt, “Hyrje në fizikë”, por që rezultoi të ishte më i vështiri, jo vetëm sepse flisja për herë të parë përpara një grupi më të madh se 30 veta, jo vetëm sepse isha mësuese për herë të parë, por ishin 45 minuta që duhej të flisja kryesisht unë, për t’u dhënë nxënësve mundësinë të më njihnin, si dhe për të qenë disi origjinale dhe të mos përsërisja veten, ndërsa do më duhej të hyja e të dilja në pesë klasa të ndryshme, ku do shpjegoja të njëjtën temë. Ndërkaq, një sy i vëmendshëm kolegu kishte vënë re, se që nga koha kur shkolla po rreshtohej dhe deri kur i erdhi klasës sime radha për të hyrë brenda, pjesën më të madhe të kohës e kisha mbajtur kokën ulur, sepse më afrohet dhe, me shumë qetësi e dashamirësi, më thotë: Suksese, por mjaft e përsërite mësimin me mend. Vërtet, gjithë kohën sillja nëpër mend skenarët që kisha krijuar për të përballuar me sukses këtë ditë të parë. Dhe sigurisht, pikat kryesore ku do përqendrohesha gjatë shpjegimit.

Ditë të tilla në jetën time si mësuese u bënë shumë, ndoshta pesëmbëdhjetë, të cilave shtuar edhe ditët e një viti shkollor bëhen edhe më shumë dhe, sigurisht, erdhi një ditë kur në kokë gjithnjë e më pak më silleshin pikat rreth të cilave do shpjegoja, por nuk munguan kurrë skenarët se si t’ia dalë gjatë një ore mësimi për të qenë sa më origjinale, e qartë dhe frymëzuese në ato që them edhe për nxënësin më pak të interesuar, se si ta inkurajoja të nxënin nëpërmjet shfrytëzimit të një spektri sa më të gjerë mjetesh, detyrash e problemash.

Ndërkohë në këta vitet e fundit, jam marrë më shumë me teori rreth nxënies e mësimit dhe, më pak, me mësim praktik direkt në klasë, por gjithnjë e lidhur me atë se çfarë ndodh në shkollën tonë. Dhe çfarë thuhet rreth shkollës dhe zhvillimit të saj. Në disa raste, shumë folës, në përpjekje për t’u hequr si reformatorë dhe ideatorë të teorive të ndryshme, e mbushin retorikën rreth mësimit me fjalë të tipit dixhitalizim, PowerPoint, shfrytëzim i internetit, mësim me projekte etj. etj.. Të gjitha këto, në pamje të parë të japin idenë se diçka e re po ndodh, diçka që do të tronditë themelet e shkollimit dhe do i japë gjithë shkollës sonë suksesin e munguar, por që në fakt nuk kanë asnjë lidhje me atë që është thelbi i mësimit: me të qenit mësuesi vërtet mësues dhe, nxënësi, vërtet nxënës, me krijimin e kushteve të qëndrueshme në ndërtimin e konsolidimin e dijeve, si dhe me marrëdhënien që krijojnë mësues e nxënës kur gjenden përballë njëri-tjetrit, aty, vetëm, në klasë.

Richard Elmore, në një studim të kryer për shkollat amerikane, shprehet: “Shumica e shkollave, në fakt, ndryshojnë vazhdimisht, nëpërmjet adaptimit të kurrikulave të reja, zbatimit të testeve të larmishme, grupimit të praktikave, ndryshimit të grafikut të veprimeve të nxënësve, krijimit të mekanizmave të rinj për pjesëmarrje në vendimmarrje, ndryshimit të numrit të mësuesve e administratorëve, a ndërruar rolin e tyre deri edhe duke ndërmarrë iniciativa a bërë modifikime të mëtejshme. Por në tërë këtë vorbull ndryshimi që sapo cituam, konceptimi ynë kryesor për njohuritë, rolin e mësuesit dhe nxënësit në ndërtimin e njohurive, brenda strukturave të tilla si klasa e shkolla, në procesin e të nxënit, mbetet relativisht statik.”

Pra, çdo retorikë e mbushur me fjalë të fryra, jashtë realitetit, nuk i shërben as shkollës, as mësuesit dhe as nxënësit. Ëndrra për një shkollë më të mirë nuk lind nga fjalët e koklavitura që artikulohen në referencë të paradokseve që nuk frymëzojnë njeri. Ëndrra për një shkollë të mirë është e vjetër sa vetë njerëzimi. Ëndrra për një shkollë më të mirë fillon me kërkesën për mësues më të mirë. Mësuesit e mirë e bëjnë një shkollë të mirë. Dhe shembujt e mësuesve më të mirë fillojnë që nga koha e lashtësisë, kur të gjitha teknologjitë e mësipërme mungonin, ndërkohë që teorive të tyre për nxënien u referohemi dhe i sjellim si shembull sa herë shohim se diçka nuk shkon. Ose i përpunojmë dhe i përshtatim edhe për ditët tona.

Mësuesit të mirë nuk ka nevojë t’i kërkosh të përdorësh internetin, sepse ai është në kërkim të mjeteve të reja që e bëjnë mësimin edhe më interesant a të thjeshtë. Mësuesi i mirë e kupton se pikërisht falë internetit, shpesh i duhet jo vetëm të ndërtojë dije, por edhe të rindërtojë kur ato janë asimiluar së prapthi.  Mësuesin e mirë e fyen kur i thua pse nuk përdor PowerPointin, sepse ai e di se kur duhet e kur nuk duhet një aplikacion i tillë, që meqenëse e cituam, duhet të theksoj se në shumë teori komunikimi kërkohet të plotësojë atë që po ligjërohet, dhe jo ta zëvendësojë, sikundër ndodh shpesh me shumë mësues e profesorë.

Një mësues i mirë e kupton se sa kohë që do të vazhdojë sistemi i mësimit me kohë të limituar (në shkollën tonë është 45 minuta), me lëndë që zhvillohen tre a katër herë në javë dhe, me fëmijë që largohen për në shtëpi sapo tingëllon zilja e orës së fundit të mësimit, detyra e tij kryesore është të bëjë një mësim sa më të mirë.

Mësuesit e mirë janë ata që e bëjnë një temë të re të duket po aq interesante sa edhe për autorin që e ka shkruar, që shpikin edhe një herë, bashkë me nxënësit, ligjin që po shpjegojnë, që i ndërtojnë ngjarjet historike sikur po ndodhin sot, që i mësojnë nxënësit të kenë besim më shumë te libri se te interneti, më shumë se të citojnë portale, të citojnë autorë, më shumë se të shpenzojnë kohë në internet, të kalojnë në bibliotekë. Atëherë do të jenë në gjendje të vlerësojnë dijen dhe kohën që kërkohet për formimin e saj, atëherë do të jenë origjinalë dhe jo thjesht marrës me copy-paste të informacioneve nga burime të dyshimta, atëherë do të vlerësojnë e respektojnë te mësuesi, mësuesin. Ndërsa ne, mësuesin e mirë.

Foto kryesore: Tiranë, 1934, Instituti Femnuer “Nana Mbretneshë”, sot-shkolla e mesme pedagogjike

 

Nga regjimi komunist në demokraci – çfarë ka ndodhur me propagandën? Nga Andrea Nathanaili 

Nga regjimi komunist në demokraci – çfarë ka ndodhur me propagandën?

Nga Andrea Nathanaili 

Qershor, 2017

Këto refleksione morën shkas nga një prej studenteve të mia, në degën e gazetarisë, viti i tretë, në kuadër të një punimi për mbrojtjen e diplomës. Sigurisht që mund të shkruhet pafund në lidhje me këtë temë, sa delikate aq edhe e rëndësishme, por jam përpjekur të jem sa më konciz. Dua të shtoj se edhe gjatë periudhës së demokracisë, propaganda e ka pasur të vështirë të adresojë problemet e vërteta me të cilat është ndeshur vendi dhe për këtë arsye nuk ka mundur të prekë njerëzit, t’i bëjë për vete, të ngjallë interesa të ndryshme nga ato materiale, pra ka nxitur në mënyrë të tërthortë një të menduar pragmatist, çfarë do përfitoj duke qenë anëtar i një partie dhe jo çfarë do i ofroj vendit, begatisë e lulëzimit të tij. Nisur nga kjo, informacioni i ofruar shpesh herë ka qenë fals dhe fare thjesht mund të akuzohet për manipulim, me efektet e një virusi që përhapet në popullatë dhe shformon mënyrën e të punuarit dhe të perceptuarit të jetës e shoqërisë.

Falënderoj shumë studenten time për nxitjen e këtyre refleksioneve.

Intervistë me z. Andrea Nathanaili, pedagog i lëndës “Media dhe ligji”, Fakulteti i Gazetarisë, Universiteti i Tiranës 

PyetjeA shikoni trashëgimi të formave propagandistike nga regjimi komunist në RTSh? Në cilat aspekte?

Andrea Nathanaili: Së pari, mendoj se e gjithë trashëgimia e RTSh-së, si në përmbajtje dhe në formë, është një vlerë kombëtare tepër e vyer, që duhet respektuar dhe vlerësuar, pavarësisht se i përket një regjimi të kaluar. Nga RTSh-ja, në vitet ’90 dolën mjaft gazetarë, një pjesë e mirë e të cilëve u punësuan edhe në shumë televizione e radio private, të cilët “njihnin e përdornin” format e propagandës së regjimit komunist dhe, në të njëjtën kohë, u shndërruan në zëdhënës të publikut në mediet publike e private në kohën e “kthesës së madhe”. Ata vazhdojnë të jenë të tillë edhe sot. Unë mund të përmend me dhjetëra e dhjetëra emra të këtyre përfaqësuesve të medies, që nga shkolla e transmetuesit publik nga ku u lindën, u rritën dhe u perfeksionuan, punuan e vazhdojnë të punojnë edhe sot në mediet private. Pra, “trashëgimia” nuk u kthye në pengesë për të vazhduar të ushtruar profesionin dhe kryer misionin e gazetarit. RTSh ishte dhe mbeti një shkollë e madhe e gazetarëve të rinj, pavarësisht regjimit! Kjo sa i takon burimeve njerëzore që dolën nga ai regjim.

Propaganda në regjimin komunist bëhej në mënyrë të orientuar, me synim promovimin e ideologjisë komuniste, në të gjitha nivelet dhe me të gjitha mjetet. RTSh ishte një nga institucionet më të rëndësishme, si dhe një nga instrumentet kryesore në realizimin e këtij synimi.

Format e propagandës së regjimit komunist jo vetëm nuk mund të jenë të përdorshme në demokraci, në asnjë nga mjetet e komunikimit, por kanë edhe një konotacion negativ. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për këtë. Por edhe në demokraci bëhet propagandë dhe është e pashmangshme.

Grupe të caktuara në demokraci, pavarësisht synimeve që kanë e interesave që mbrojnë, kërkojnë të ndikojnë mënyrat e të sjellit për një çështje a kauzë të caktuar, të formësojnë perceptimet dhe manipulojnë njohjen e popullatës. Ata kërkojnë të ndikojnë të vërtetën, shpesh duke zgjedhur të qëndrojnë indiferentë ndaj saj. Pavarësisht natyrës që kanë këto grupe – ideologjike, politike a tregtare – një nga format e shfaqjes së propagandës së tyre në media është transmetimi i mesazheve të kontrolluara sipas vetëm një kahu: nga grupi te popullata dhe jo anasjelltas. Në dallim nga regjimi komunist, ku propaganda bëhej në mënyrë të hapur dhe direkte, pra ishte shumë më e lehtë për t’u identifikuar, në demokraci parapëlqehet të bëhet në mënyrë të sofistikuar, të fshihet nga sytë e publikut, sepse bëhet shumë më e besueshme, shumë më e lehtë për t’u pranuar e shumë më e lehtë për të vepruar në përputhje me të. Po të ndjekësh me vëmendje programacionin e kanaleve të ndryshëm televizivë, përfshirë edhe reklamat, mund të identifikohet edhe nga një shikues pothuaj i zakonshëm. Sigurisht që është e rëndësishme të theksojmë se nuk kemi promovimin e ideologjisë komuniste.

Konkretisht, në rastin e RTSh-së, televizionit publik që mbahet me paratë e taksapaguesve shqiptarë, grupi me ndikim më të madh besoj se është ai me natyrë politike. Kjo ka ndodhur në këta njëzet e shtatë vjet demokraci dhe realizohet praktikisht gjithmonë nga maxhoranca. Për të ndërhyrë në politikën editoriale të RTSh-së, pozita dhe opozita ndërrojnë rolet sa herë që vijnë apo ikin nga pushteti. Tashmë ka një tendencë më të rrezikshme nga politika, tendenca për të ndërhyrë edhe në medien private, krahas asaj publike.

PyetjeCili është problem më i madh që ka RTSh sot?

Andrea Nathanaili: Pyetja juaj e parë, mesa vlerësoj unë, merr shkas nga roli aktual i RTSh-së në informimin e publikut. Ky është edhe problemi kryesor që ka RTSh-ja sot. Pra, përgjigjja e pyetjes së dytë është: pavarësia nga politika, pavarësia nga qeveria. Kjo pavarësi arrihet, midis të tjerave, edhe duke siguruar pavarësinë financiare, e cila aktualisht nuk garantohet.

Problem tjetër i madh i RTSh-së është mënyra e zgjedhjes së organeve drejtuese, pra e Këshillit Drejtues, Drejtorit të Përgjithshëm dhe Bordit të Administrimit. Përzgjedhja tërësisht politike, militanteske dhe joprofesionale sjell edhe njëqind probleme të tjera, që me kalimin e kohës bëhen të pazgjidhshme. RTSh-ja nuk bëhet pronë e publikut, por mbetet në prehrin e qeverisë dhe të kryeministrit.

Groundhog Day Nga Valbona Nathanaili

Groundhog Day

Nga Valbona Nathanaili

Groundhog Day është titulli i një filmi të vitit 1993, ku personazhi kryesor, Phil Connors (interpretuar nga Bill Murray), ndërsa është në një qytezë të vogël për të pasqyruar kronikën e një ngjarjeje shumë të dashur për banorët e qytetit – parashikimin e motit për muajt në vijim nga një kafshë e vogël, marmota, – papritmas e gjen veten në lakun e një makine kohe: ai është i detyruar të përjetojë çdo ditë të njëjtën ditë. Phil zgjohet përditë më 2 shkurt, takon të njëjtët njerëz dhe merr pjesë në të njëjtat ngjarje. Të gjithë banorët e qytetit e fillojnë ditën si një ditë të re, me përjashtim të Phil. Diçka që në fillim duket si një aventurë e bukur – sepse ka përparësinë e njohjes së radhës së ngjarjeve dhe edhe të shfrytëzimit të tyre për interesat e tij –  shndërrohet në një makth a një lloj ferri për prezantuesin mendjemadh e të vetëkënaqur të emisionit të kohës dhe vetëm pas disa tentativave të pasuksesshme për të vrarë veten, merr një vendim që duket se bëhet edhe pasaporta e shpëtimit: të ndihmojë të tjerët, t’i japë ditës çdo ditë një kuptim të ri, me më shumë përvoja bashkëpunimi e me më shumë dashuri.

Në vështrim të parë fabula duket e thjeshtë: një njeri mendjemadh dhe i vetëkënaqur, që mendon se e gjithë bota rrotullohet rreth tij, të cilin duhet ta vendosim me këmbë në tokë. Pse? Pse duhet t’i japim mundësinë të reflektojë rreth jetës e sjelljes së vet? Le të qëndrojë aty ku është, në ishullin ku jeton, në izolimin social dhe llogoren antihumane. Sepse gjithnjë është gjallë shpresa se njerëzit mund të ndryshojnë e përmirësohen. Sepse është dëshira jonë e përditshme për t’u rrethuar nga njerëz më të mirë. Sepse qyteti i vogël ku festohet Groundhog Day(Dita e marmotës) ka të drejtë të mos lejojë njeri t’ia prishë festën, qoftë ky edhe një prezantues moti, me arrogancën e indiferencën e interpretimit të ngjarjes.

Shqipëria jonë e vogël ka një ditë të ngjashme që feston, “Election Day”. Që nga koha e diktaturës, tradita e zgjimit herët dhe e vrapit për të shkuar për të votuar vazhdon të ruhet në shumë njerëz dhe, për shumë prej tyre, dita vërtet merr nuancat e një dite feste. Ndonëse lekët që derdhen dhe dashuria e kujdesi që reflektojnë kandidatët-deputetë e premtimet që bëhen gjatë fushatave elektorale, do e bënin me zili kohën e diktaturës dhe ndonëse të gjithë e kuptojnë se është thjesht propagandë, përsëri njerëzit vazhdojnë të jenë pjesë e festës dhe e një shprese a ëndrre për më mirë. Thënë këto, kemi përgatitur sfondin e skenarit të filmit në shqip.

Pavarësisht që nuk është e përvitshme dhe pavarësisht se votimet nuk mbahen gjithnjë në të njëjtën ditë, Election Day është dita kur vendoset se si do të jetë koha në katër vitet në vijim në vendin tonë. “Marmota” jonë janë kutitë e votimit. Në rastin shqiptar, parashikimi i tyre gjithmonë është i fragmentuar: kohë shumë e mirë e me diell për të gjithë militantët dhe shumë e vrenjtur dhe me shi për të gjithë “kundërshtarët” e kritizerët e regjimit të mëparshëm. Ëndrrat nuk bëhen realitet për të gjithë, por vetëm për ata që kanë qenë aq largpamës (lexo pragmatist etj. etj., por asnjëherë idealist) sa të jenë rreshtuar me fitimtarët.

Për të plotësuar paralelen me filmin dhe filozofinë e mesazhit të tij, na duhet edhe roli i Filit, sikundër edhe kujt do ja rezervojmë mundësinë që ofron “laku i kohës”. Sa i takon Filit, për fatin tonë të keq, në Shqipëri ky rol nuk i është besuar vetëm një personi, por një grupi të tillë, grupit të analistëve. Që nga koha e liberalizimit të medias vizive janë një grup njerëzish që hyjnë e dalin sa në një televizion në tjetrin dhe, njëlloj si Fil, kanë detyrë të pasqyrojnë se çfarë po ndodh atë ditë. Njëlloj si ai, të mbushur me të njëjtën ndjenjë vetëkënaqësie dhe vetëbesimi të frikshëm se çdo gjë rrotullohet rreth tyre dhe se çdo fjalë që thonë është gjëja më e mençur që ka mundur të artikulojë ndonjëherë një qenie njerëzore. Por në dallim nga ai, ata e kanë humbur shansin për t’u bërë më të mençur, më të paanshëm, më të mirë. Sepse vazhdojnë të këndojnë me të njëjtat fjalë dhe të mbajnë të njëjtat iso, pavarësisht se kujt “marmote” i bashkohen. Sepse vazhdojnë të rreshtohen, në vend që të tregojnë se si është rreshtimi. Edhe njëzet vjet më pas.

Ndrysho kanalin është këshilla më e mirë që japin në raste të tilla. Gjithsesi, në rastin tonë, që të pretendojmë për të përmirësuar Filin dhe Filat, a për t’i vënë me këmbë në tokë, është luks. Ne kemi nevojë për një tjetër lloj ndryshimi. Pastaj Filat.

Ne kemi nevojë që në lakun e kohës të kapemi të gjithë si shoqëri, që të mësojmë të dalim nga ishulli ku jetojmë, nga izolimi social dhe llogorja antihumane ku jemi pozicionuar. Kemi nevojë të mësojmë si të zgjedhin e për kë të votojmë, për të bërë dallimin ndërmjet fushatës dhe realitetit, propagandës dhe premtimit. Kemi nevojë të mësojmë të mos votojmë për vetëm një ditë, por për katër vjet, të mos votojmë fshatçe a familjarisht. Për këtë, kemi rrugë të gjatë përpara.  Do të duhen ndoshta edhe shumë e shumë “Election Day” si këto që kemi kaluar sa të mësojmë jo vetëm si të votojmë, por edhe si të lexojmë drejt se çfarë thonë kutitë e votimit. Demokracia nuk janë simbolet, por njerëzit.

Foto kryesore: Posteri i filmit “Groundhog Day”

Foto e dytë: Shkolla 9-vjeçare “Hasan Vogli”, ku ndodhen disa qendra votimit, 25 qershor 2017

Foto e tretë: Pamje nga fushata elektorale, 2017