Rekomandimet e Komisionit Evropian kundër racizmit dhe intolerances në raportin e tij të tretë për Shqipërinë

Rekomandimet e Komisionit Evropian kundër racizmit dhe intolerances në raportin e tij të tretë për Shqipërinë

Këshilli i Evropës

9 qershor 2015

Komisioni Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës (ECRI) botoi sot një raport të ri për Shqipërinë, i cili analizon zhvillimet e fundit dhe çështjet pezull dhe jep rekomandime për autoritetet.

Instrumentet juridikë ndërkombëtarë

1. ECRI u rekomandon autoriteteve shqiptare të përfundojnë sa më shpejt procesin e ratifikimit të Konventës evropiane për pjesëmarrjen e të huajve në jetën publike në nivel lokal. Ai u rekomandon po ashtu të bëjnë një deklaratë në bazë të nenit 14 të Konventës për zhdukjen e të gjitha formave të diskriminimit racial dhe për nënshkrimin e Kartës evropiane të gjuhëve rajonale ose të minoritetit, Konventës Evropiane lidhur me statusin e punonjësve migrantë dhe Konventës së Kombeve të Bashkuara për mbrojtjen e të drejtave të të gjithë punonjësve migrantë.

Dispozita kushtetuese dhe dispozita të tjera themelore

2. ECRI u rekomandon autoriteteve shqiptare të miratojnë legjislacionin e nevojshëm të prejardhur, që të sigurojë zbatimin në praktikë të garancive kushtetuese lidhur me racizmin, barazinë dhe mosdiskriminimin. ECRI rekomandon gjithashtu të ndërmerren nisma për të sensibilizuar publikun dhe juristët për mundësitë për të shprehur drejtpërdrejt këto garanci kushtetuese.

Dispozita në fushën e së drejtës penale

3. ECRI u rekomandon përsëri autoriteteve shqiptare të parashikojnë shprehimisht, në ligjin penal, që motivi racist të përbëjë një rrethanë rënduese të veçantë për të gjitha veprat penale.

4. ECRI u rekomandon përsëri autoriteteve shqiptare të marrin masat e nevojshme për të siguruar zbatimin e dispozitave penale lidhur me racizmin, diskriminimin dhe intolerancën. Përveç masave të përgjithshme që synojnë të përmirësojnë funksionimin e sistemit të drejtësisë penale, ECRI rithekson rëndësinë për t’u dhënë të gjithë atyre që punojnë në sistemin e drejtësisë penale – polici, prokurori dhe gjyqësor – formimin e veçantë lidhur me dispozitat e zbatueshme të legjislacionit kombëtar dhe të sensibilizojnë punonjësit e funksionit publik me problemet e racizmit, diskriminimit dhe intolerancës.

5. ECRI rekomandon gjithashtu të mblidhen të dhëna plotësuese për zbatimin e dispozitave të së ligjit penal në këtë fushë, me qëllim që të vlerësohet efektshmëria e tyre.

Dispozita në fushën e së drejtës civile dhe administrative

6. ECRI u rekomandon përsëri autoriteteve shqiptare të forcojnë edhe më shumë kuadrin ligjor në këtë fushë, duke hartuar një legjislacion të plotë për luftën kundër diskriminimit të drejtpërdrejtë e të tërthortë në fushat kryesore të jetës. Për këtë qëllim, ai u rekomandon autoriteteve të mbajnë parasysh Rekomandimin e tij n° 7 të politikës së përgjithshme mbi legjislacionin kombëtar për luftën kundër racizmit dhe diskriminimit racial. Ai vë përsëri në dukje rolin edukativ dhe parandalues që ky legjislacion mund të luaj dhe nevojën e tij për të nxjerrë në pah praktika diskriminuese.

Administrimi i drejtësisë

7. ECRI u rekomandon autoriteteve shqiptare të vazhdojnë e të forcojnë përpjekjet e tyre për të përmirësuar funksionimin e sistemit gjyqësor.

Organet e specializuara dhe institucionet e tjera

8. ECRI i rekomandon Zyrës së Avokatit të Popullit t’i kushtojë vëmendje të veçantë faktit se ankesa për një çështjeje të marrë, mund të përmbajë në vetvete një element diskriminimi, për më tepër që ky element jo gjithnjë i bie në sy menjëherë qoftë edhe viktimës, konkretisht kur është fjala për diskriminim të tërthortë. Për rrjedhojë, do të ishte me vend trajnimi i personelit të Zyrës me shfaqjet e ndryshme të mundshme të racizmit dhe diskriminimit.

9. ECRI i rekomandon nga ana tjetër Zyrës së Avokatit të Popullit të parashikojë të mbajë parasysh origjinën etnike apo kombëtare të ankuesve në kuadrin e veprimtarive të veta të zakonshme, pikërisht sepse këto të dhëna mund të jenë thelbësore për të zbuluar forma diskriminimi të drejtpërdrejta ose të tërthorta.

10. ECRI mbështet Zyrën e Avokatit të Popullit që parashikon t’i kushtojë vëmendje të veçantë të drejtave të fëmijëve romë dhe i rekomandon fuqimisht të jetë në mënyrë të veçantë po aq i vëmendshëm edhe ndaj të drejtave të fëmijëve egjiptianë.

11. ECRI mbështet autoritetet shqiptare që parashikojnë të krijojnë një organi të specializuar në luftën kundër racizmit dhe diskriminimit racial, duke mbajtur parasysh Rekomandimet e tija N° 2 dhe N° 7 të politikës së përgjithshme.

 Komiteti kombëtar i posaçëm për minoritetet

12. ECRI i rekomandon Komitetit kombëtar të posaçëm për minoritetet të drejtojë vëmendjen përi çështjet diskriminuese, përfshirë edhe diskriminimin e tërthortë.

13. ECRI u rekomandon autoriteteve shqiptare të bëjnë të mundur që Komiteti kombëtar i posaçëm për minoritetet të ketë burime të nevojshme financiare e njerëzore, me qëllim që të arrihet funksionimi i tij sa më i mirë.

Pritja dhe statusi i shtetasve jo shqiptarë

Refugjatët dhe azil-kërkuesit

14. ECRI u rekomandon autoriteteve shqiptare të vazhdojnë të miratojnë legjislacionin e domosdoshëm dytësor dhe të përcaktojnë masat e tjera të nevojshme për të marrë tërësisht përsipër përgjegjësinë e procedurës së azilit.

15. ECRI nxit autoritetet shqiptare të përkujdesen që, në kuadrin e formimit fillestar e të vazhdueshëm, punonjësit shtetërorë kompetentë të vazhdojnë të marrin formimin e duhur për procedurën e azilit dhe për të drejtat e azil-kërkuesve.

Migrantët në një situatë ilegale  

16. ECRI u rekomandon autoriteteve shqiptare të vazhdojnë të bëjnë të mundur që shtetasit jo shqiptarë që gjendet në Shqipëri në mënyrë ilegale të mos trajtohen si kriminelë.

17. ECRI rekomandon fuqimisht të respektohet parimi i mossprapjes dhe t’u sigurohet mundësi hyrjeje personave që kanë nevojë për mbrojtje dhe asistencë ndërkombëtare. Në këtë drejtim, ai u rekomandon autoriteteve shqiptare të shtrijnë sa më parë procedurën e shqyrtimit paraprak në zonat kufitare dhe në “zonat neutrale” në kufi.

Edukimi dhe ndërgjegjësimi

18. ECRI mbështet autoritetet shqiptare në përpjekjet që bëjnë për rishikimin e programeve shkollore ; ai rekomandon përsëri ë programe shkollore, në të gjitha nivelet, të përfshihen materiale që kanë të bëjnë me tolerancën, respektimin e dallimit dhe kontributet që japin minoritetet etnike në shoqëri. Mësuesit gjithashtu duhet të përfitojnë formim të nevojshëm në këtë drejtim.

19. ECRI u rekomandon po ashtu autoriteteve të përkujdesen që materialet pedagogjike, konkretisht tekstet e historisë, të mos nxitin stereotipe negative ose mostolerance ndaj ndonjë bashkësie etnike, cilado qoftë ajo, por të zhvillojnë në të kundërt vlerësimin e larmisë kulturore. Për më tepër, ECRI rekomandon që përfaqësuesit e bashkësive të ndryshme etnike të marrin pjesë në këtë proces.

Regjistrimi në gjendjen civile

20. ECRI u rekomandon fuqimisht autoriteteve shqiptare të marrin masa që të gjithë fëmijët romë dhe egjiptianë të regjistrohen në gjendjen civile. Mund të përcaktohen në këtë rast masa pozitive , si fushatat e ndërgjegjësimit dhe zgjatja e afatit prej dyzet e pesë ditësh parashikuar për regjistrim, po ashtu edhe zgjatja e periudhës së heqjes së shpenzimeve për regjistrim, ose masa të tjera të ngjashme që lehtësojnë regjistrimin.

Strehimi

21. ECRI u rekomandon autoriteteve shqiptare të kenë parasysh që romët dhe egjiptianët e dëbuar nga banesat e tyre të gëzojnë të njëjtat mundësi ristrehimi dhe të përfitojnë kredi banese, ashtu si dhe qytetarët e tjerë shqiptarë. ECRI u rekomandon po ashtu që çdo dëshmi diskriminimi gjatë një dëbimi të studiohet në mënyrë të thelluar.

22. ECRI mbështet autoritetet në përpjekjet që bëjnë për të rregulluar gjendjet e paligjshme në fushën e strehimit dhe për të ndihmuar personat pa strehë, duke u rekomanduar të bëjnë të mundur që bashkësitë rome dhe egjiptiane të përfitojnë plotësisht nga nisma të tilla.

Përfshirja në edukim

Pjesëmarrja e fëmijëve romë dhe egjiptianë

23.ECRI rekomandon të ndërmerren sa më shpejt nisma që synojnë rritjen e pjesëmarrjes së fëmijëve romë dhe egjiptianë në të gjitha nivelet e edukimit. Këto masa mund të jenë: dispozita financiare për t’u ardhur në ndihmë familjeve më të varfra që të përballojnë shpenzimet e shkollimit; ndërgjegjësim i prindërve për rëndësinë e shkollimit të fëmijëve; marrja në punë e romëve dhe egjiptianë si mësues dhe drejtor shkollash; formim i veçantë i arsimtarëve për t’i bërë ata të ndjeshëm ndaj diskriminimit dhe nevojave të fëmijëve romë dhe egjiptianë; dhënie sigurie që tekstet shkollore nuk nxisin stereotipa negativë për sa i përket romëve dhe egjiptianëve, por përkundrazi, përmbajnë informacione për kulturën rome e egjiptiane dhe për kontributin pozitiv që japin këto bashkësi në shoqërinë shqiptare.

24. ECRI u rekomandon autoriteteve shqiptare të kenë parasysh që masat e përpunuara në kuadrin e “Strategjisë kombëtare për përmirësimin e kushteve të jetesës së romëve” të zbatohen në nivel vendor, me qëllim që të rritet pjesëmarrja e fëmijëve romë në të gjitha nivelet e edukimit. Ai u rekomandon organizatave dhe bashkësive rome në nivel lokal të marrin pjesë aktivisht në realizimin dhe zbatimin e masave që i përshtaten nevojave të bashkësisë së tyre. Përveç masave të lartpërmendura, do të ishte me vend të parashikohej, në rast nevoje, një formim paraprak dhe plotësues në gjuhën shqipe dhe mundësi mësimi të gjuhës romani. Po ashtu, ECRI u rekomandon fuqimisht autoriteteve të zgjidhin çdo problem regjistrimi dhe dokumentesh identifikimi që pengojnë fëmijët të shkollohen, dhe të bëjnë kështu të mundur që fëmijët të shkojnë në shkollë gjatë këtij procesi.

25. ECRI nxit autoritetet të mbështesin dhe të zgjerojnë nismat joqeveritare që kanë dhënë rezultate të mira, si krijimi i kopshteve për fëmijë, në të gjitha bashkësitë që kanë nevojë.

26. ECRI u rekomandon autoriteteve të kujdesen që të mos ketë diskriminim në shkollë ndaj fëmijëve romë dhe egjiptianë, konkretisht ai i caktimit të tyre në fund të klasës.

Mësimi në gjuhët minoritare

27. ECRI u rekomandon autoriteteve shqiptare të konsiderojnë dhënien e mundësive për mësimdhënie në gjuhët e minoritetit.. ECRI i rekomandon gjithashtu autoriteteve shqiptare të kenë parasysh rrugën e nxitjes së kontakteve midis fëmijëve me origjina etnike të ndryshme dhe të parashikojnë në këtë mënyrë modele të ndryshme mësimi në gjuhët minoritare, si shkolla ose klasa dygjuhëshe. ECRI u rekomandon nga ana tjetër autoriteteve shqiptare të pranojnë në këto programe fëmijë që nuk vijnë nga ndonjë grup minoritar ose që vijnë nga familje e përzier.

Media

28. ECRI u rekomandon autoriteteve shqiptare të informojnë profesionistët e mediave për nevojën e miratimit të kodeve vetdisiplinuese për luftën kundër çdo dhënieje informacioni që do nxiste racizmin, diskriminimin dhe intolerancën, duke mbështetur në të kundërt një paraqitje të paanshme dhe të ekuilibruar të fakteve, të cilat do të bënin të mundur zhvillimin e një klime të favorshme për diversitetin.

29. ECRI u rekomandon autoriteteve shqiptare të informojnë profesionistët e mediave për domosdoshmërinë e dhënies së informacione të nevojshme për jetën e përditshme, problemet dhe shqetësimet e anëtarëve të bashkësive minoritare.

30. ECRI u rekomandon po ashtu të bëjnë gjithçka për t’u lejuar anëtarëve të grupeve minoritare të futen në shtypin e shkruar dhe elektronik.

Qëndrimi i përfaqësuesve të ligjit

31. ECRI u rekomandon autoriteteve shqiptare të kenë parasysh që rastet kur policia keqtrajton anëtarë të grupeve minoritare, të jenë objekt të një hetimi të thellë dhe autorët e shkeljeve t’i jepen drejtësisë. Ai rekomandon që procedura lidhur me hetimin e ankesave të ndiqet nga një organizëm i pavarur hetimi. Hetimi të ndiqet dhe mbikëqyret në tërë fazat e procedurës nga një organizëm i pavarur nga policia dhe Ministria e Rendit Publik.

32. ECRI thekson se rastet kur policia ushtron keqtrajtime që i paraqiten gjyqit, duhen trajtuar e përfunduar në mënyrën më të shpejtë të mundshme dhe autorët të ndëshkohen siç e meritojnë, me qëllim që shoqëria të kuptojë se të tilla qëndrime nga ana e policisë janë të patolerueshme dhe të ndëshkueshme.

33. ECRI u rekomandon autoriteteve shqiptare të përkujdesen që formimi me të drejtat e njeriut të jetë pjesë përbërëse e përgatitjes mësimore të policisë, në formimin fillestar dhe vazhdues, dhe të përfshijë të dhëna për racizmin dhe diskriminimin, si dhe për legjislacionin e zbatueshëm në këtë drejtim.

Monitorimi i situatës

34.ECRI u rekomandon përsëri autoriteteve shqiptare të bëjnë një regjistrim kombëtar që të përmbajë një çështje lidhur me përkatësinë etnike, duke respektuar parimet e mirëbesimit dhe identifikimit vetjak të vullnetshëm. Në etapat e ndryshme të këtij procesi, duhen përfshirë përfaqësues të grupeve etnike minoritare.

35. Për më tepër, ECRI u rekomandon autoriteteve shqiptare të kenë parasysh që disa njerëz të mos e kenë të pamundur për të bërë të njohur zyrtarisht identitetin e tyre etnik, thjesht ngaqë nuk banojnë në zona tashmë të klasifikuara si zona minoritetesh.

36. ECRI u rekomandon përsëri autoriteteve shqiptare të krijojnë një sistem të tillë mbikëqyrjeje që të lejojë mbledhjen e të dhënave për gjendjen e bashkësive të ndryshme minoritare, matjen e shkallës e të shkaqeve të diskriminimit si dhe efektin e masave që duhen marrë për ta luftuar. Një sistem i tillë duhet të respektojë parimet e mirëbesimit dhe identifikimit vetjak të vullnetshëm të njerëzve që i përkasin një grupi të caktuar. Një kontroll i tillë duhet të ketë parasysh po ashtu kriterin e barazisë midis burrit e gruas, veçanërisht në këndvështrimin e një diskriminimi të mundshëm të dyfishtë a të shumëfishtë.

 ÇËSHTJE TË VEÇANTA

Mënjanimi dhe pakujdesia ndaj romëve dhe egjiptianëve

37. ECRI u rekomandon përsëri autoriteteve shqiptare të analizojnë mënyrën se si romët dhe egjiptianët mund të jenë objekt i formave të ndryshme të diskriminimit të tërthortë në fusha të ndryshme të jetës, dhe të vlerësojnë efektin e stereotipave negative dhe të paragjykimeve që rëndojnë mbi këto grupe minoritare.

38. ECRI u rekomandon autoriteteve shqiptare të marrin masa për t’u kujdesur që bashkësitë rome dhe egjiptiane të mos jenë objekt diskriminimi nga indiferentizmi i disa drejtuesve dhe punonjësve të tjerë me funksione publike. ECRI kërkon nga këta të fundit, në nivel kombëtar e vendor, t’u kushtojnë vëmendjen e duhur problemeve dhe nevojave të veçanta të këtyre bashkësive në të gjitha fushat e jetës dhe t’u garantojnë integrim të plotë në jetën ekonomike, sociale e politike. ECRI thekson se masa konkrete mund të jenë të nevojshme për t’u siguruar barazi faktike bashkësive rome dhe egjiptiane.

39. ECRI u rekomandon autoriteteve të vazhdojnë dhe të thellojnë përpjekjet për të zbatuar “Strategjinë kombëtare për përmirësimin e kushteve të jetesës së romëve” dhe të kujdesen në mënyrë të veçantë që strategjia të ndiqet dhe të zbatohet me efektshmëri në nivel vendor.

Pjesëmarrja e minoriteteve në jetën publike

Pjesëmarrja në marrjen e vendimeve politike

40. ECRI u rekomandon autoriteteve shqiptare të marrin masa për t’u kujdesur që grupet minoritare, konkretisht romët dhe egjiptianët, të përfaqësohen efektivisht në gjirin e organeve politike në rrafsh kombëtar e vendor.

41. ECRI rekomandon të ndërmerren nisma për të rritur pjesëmarrjen e romëve dhe egjiptianëve në proceset politike, duke kryer konkretisht studime lidhur me shkaqet për të cilat një numër i madh egjiptianësh e romësh nuk janë regjistruar në listat elektorale, dhe duke marrë masa për të përballuar këto probleme.

Përfaqësimi në institucionet publike

42. ECRI u rekomandon autoriteteve shqiptare të marrin masa për të rritur përfaqësimin e anëtarëve të grupeve të ndryshme minoritare të vendit në institucionet e shtetit, konkretisht në shërbimet publike, forcat e armatosura, sistemin gjyqësor dhe polici, si në nivel kombëtar, ashtu dhe vendor. ECRI i nxit gjithashtu të kenë parasysh që nisma të tilla të mos mbeten të kufizuara vetëm në zonat e klasifikuara më parë si zona minoritare.

Konsultimi dhe pjesëmarrja e anëtarëve të grupeve minoritare

43. ECRI rekomandon krijimin e mekanizmave zyrtarë dhe jozyrtarë për të bërë të mundur që elementët dhe interesat e ndryshëm të grupeve minoritare të konsultohen dhe të marrin pjesë në vendimmarrje në rrafsh kombëtar dhe vendor.

44. ECRI u rekomandon fuqimisht drejtuesve publikë shqiptarë të mos kufizohen vetëm tek një përfaqësues ose një numër i kufizuar përfaqësuesish që bëjnë pjesë në organizma publikë ose që kanë funksione në rrafsh kombëtar, për të shprehur interesat e grupeve të ndryshme minoritare, por të kërkojnë gjithashtu zëra të tjerë në nivelin më të afërt të popullsisë, konkretisht midis njerëzve drejtpërdrejt të interesuar për një numër masash e vendimesh.

45. ECRI u rekomandon autoriteteve shqiptare të nxisin dhe të mbështesin nisma edukimi dhe formimi për të bërë më shumë të mundur që romët dhe egjiptianët të marrin pjesë aktivisht në marrjen e vendimit politik. Në mënyrë të veçantë, do të ishte me vend formimi me edukatë qytetare dhe rritja e aftësive vepruese të organizatave aktive të shoqërisë civile në terren.

46. ECRI u rekomandon autoriteteve shqiptare të nxisin e të përkrahin pjesëmarrjen në rrafsh lokal të bashkësive minoritare dhe të organizatave aktive në përpunimin, zbatimin dhe përfundimin e projekteve dhe masave për të cilat ato janë drejtpërdrejt të interesuara.

Zbatimi i Strategjisë kombëtare për përmirësimin e kushteve të jetesës së romëve

47. ECRI u rekomandon autoriteteve shqiptare të përkujdesen që romët të marrin pjesë rregullisht, në të gjitha drejtimet, gjatë zbatimit dhe vlerësimit të Strategjisë kombëtare për përmirësimin e kushteve të jetesës së romëve në rrafsh kombëtar e lokal. Ai u kërkon të bëjnë të mundur që të përfshihen në të anëtarë të bashkësive rome të interesuar drejtpërdrejt për strategjinë, si dhe organizata të ndryshme rome që veprojnë në nivel vendor.

Trafiku i fëmijëve romë dhe egjiptianë

48. ECRI u rekomandon autoriteteve shqiptare të vazhdojnë e të thellojnë përpjekjet për të luftuar kundër trafikut të fëmijëve. Këtyre përpjekjeve u duhet kushtuar vëmendja e duhur dhe burime të mjaftueshme, me qëllim që të arrihet në ndërgjegjësimin, parandalimin, kthimin e fëmijëve të zhdukur, mbrojtjen dhe përkujdesin ndaj viktimave pas kthimit, si dhe në riintegrimin e tyre.

49. ECRI rekomandon fuqimisht të përfshihen drejtpërdrejt përfaqësuesit e bashkësive egjiptiane dhe rome në përpunimin dhe zbatimin e masave që synojnë të luftojnë trafikun e fëmijëve të tyre.

50. ECRI u rekomandon autoriteteve shqiptare të bashkëpunojnë me komunitetet egjiptiane dhe rome për të përcaktuar nisma të efektshme ndërgjegjësimi, me qëllim që këto bashkësi të njihen nga afër me fenomenin dhe për të përpunuar masa parandaluese rezultative për t’u bërë ballë problemeve bazë, si: varfërisë, mungesës së rrethanave ekonomike favorizuese dhe nivelit të dobët të arsimimit.

51. ECRI thekson se autoritetet shqiptare duhet të marrin me shpejtësi masat e domosdoshme për të siguruar që Strategjia kombëtare e luftës kundër trafikimit të zbatohet në mënyrë të efektshme në rrafsh lokal. Në këtë drejtim, ECRI nxit autoritetet shqiptare të bëjnë të mundur që personat përgjegjës publikë nëpër rrethe të njohin detyrat e tyre në këtë fushë, të kenë burime të mjaftueshme për t’i realizuar si duhet dhe të marrin formimin e nevojshëm për të qenë të përgatitur në këtë drejtim. Më në fund, ECRI e sheh të dobishme të krijohet një mekanizëm koordinimi e kontrolli për veprimtaritë që do ndërmarrin përgjegjësit e rretheve lidhur me zbatimin e strategjisë kombëtare.

Diskriminim bazuar mbi identitetin egjiptian

52. ECRI u kërkon autoriteteve shqiptare të bëjnë të mundur që parimi i mosdiskriminimit të zbatohet plotësisht ndaj egjiptianëve në Shqipëri.

53. ECRI u rekomandon autoriteteve shqiptare të përkujdesen që egjiptianët të mos jenë viktima të diskriminimit lidhur me pjesëmarrjen dhe përfshirjen e tyre në institucionet publike të ngarkuara për t’iu përgjigjur nevojave dhe preokupimeve të minoriteteve në Shqipëri. ECRI rekomandon konkretisht që egjiptianët të përfaqësohen në Komitetin kombëtar të posaçëm për minoritetet dhe të merren në konsideratë nga Zyra e minoriteteve kombëtare.

54. ECRI u rekomandon autoriteteve shqiptare t’i kushtojnë vëmendje të veçantë problemeve që hasin bashkësitë egjiptiane dhe të marrin në bashkëpunim me to masa të efektshme për nevojat e tyre të veçanta, konkretisht masa për luftën kundër çdo forme diskriminimi të tërthortë apo racizmi, që drejtohet ndaj tyre. Autoritetet shqiptare mund të parashikojnë miratimin e një Strategjie kombëtare të posaçme për përmirësimin e gjendjes së egjiptianëve në Shqipëri.

Ta çojmë diktaturën në muze! Nga Valbona Nathanaili

Ta çojmë diktaturën në muze!

Nga Valbona Nathanaili

Nisma e një grupi intelektualësh me fokus dekomunistizimin e shoqërisë është jo pak befasuese. Dhe surprizuese! Jo sepse nismës, të paktën nga ato që shkruhen në shtyp, i mungojnë elementët… Nisma ka vullnetin për të ndaluar me ligj simbolet e diktaturës dhe të portreteve të ish-udhëheqësve të saj, durimin për të qëmtuar e “sigluar” të gjitha veprat e artit të krijuara në diktaturë, si dhe këmbënguljen për të ndaluar ato vepra intelektuale apo artistike të cilat përcjellin propagandë komuniste.

Por nisma është befasuese dhe surprizuese njëkohësisht, së pari, sepse është njëzet e shtatë vjet me vonesë! Në këta njëzet e shtatë vjet, në Shqipëri, është folur shumë, por është bërë shumë pak nga pikëpamja institucionale për të denoncuar të kaluarën komuniste në të gjitha dimensionet! Për të nxjerrë jashtë skenës politike të gjithë ata që udhëhoqën ndërtimin dhe fortifikimin e diktaturës. Për të ecur me shembullin e vendeve të tjera të Europës Lindore që i filluan dhe i mbyllën procese të tilla brenda dhjetëvjeçarit të parë të rrëzimit të komunizmit. Në vendin tonë, ku më shumë se viktimat janë nderuar persekutorët dhe ligji për lustracionin nuk mori kurrë miratimin e Parlamentit, nisma për dekomunistizimin sot të lë shijen e kafes që të shërbehet e ftohur. Është ndjellëse si ide që ke kafen përpara, por nuk pihet, sepse nuk shijon! E lë në tavolinë dhe, që të mos bësh sherr me kamerierin, paguan koston.

Fokusi i nismës është vërtet trashëgimia negative e sistemit komunist, por është e pamundur të jesh realist dhe të mos pohosh se sistemi që lamë pas ka pasur edhe anët e tij pozitive, të ngjashme me ato të shumë vendeve të tjera të Europës Lindore. Deri në vitin 1944, kur vijnë në fuqi komunistët, Shqipëria ishte një vend krejtësisht agrar dhe i prapambetur, por falë punës dhe kontributeve të një populli të tërë, që pavarësisht motiveve dhe arsyeve si u vu në lëvizje, kemi një zhvillim të madh ekonomik të vendit, rritjen e nivelit arsimor të popullatës, pjesë e së cilës ishte edhe zhdukja e analfabetizmit, urbanizimin e vendit, emancipimin e gruas dhe rritjen e rolit të grupeve minoritare; ngrihen fabrika dhe shkenca ecën përpara, kemi universitete dhe akademi; kemi shkrimtarë dhe libra, teatër dhe drama, filma dhe aktorë; funksiononte ushtria, ndërsa mjekësia dhe arsimi falas nuk ishin as dogmë, as propagandë, por fakt e realitet. Është e pamundur të jesh realist dhe të mos pohosh se këto arritje kanë pasur edhe anën e tyre negative, për shembull, rritja e nivelit të edukimit u shoqërua me cungimin e përmbajtjes, cilësia shumë e mirë e filmave me idealizimin e “ëmbëlsimin” sistemit, futja e gruas në forcën e punës me shtimin e barrës së punëve në familje, zhvillimi ekonomik i vendit me zhdukjen e pronës private, sikundër që të gjitha arritjet bëheshin jo në emër dhe funksion të individit, por të objektivave që vendoste Partia. Dhe është e pamundur të jesh realist dhe të mos pohosh se kjo është një trashëgimi të cilën duam a nuk duam, na pëlqen a jo, e kemi mes nesh. Veprat intelektuale apo artistike që u prodhuan gjatë kohës së diktaturës e që vazhdojmë t’i shohim, në mos me emocion, me kuriozitet, janë copëza të një të tëre që u krijuan për 50 vjet dhe nuk mund të zhbëhen. As të ndalohen. Është njësoj si t’i thuash një “të sëmuri me diabet” mos ha ëmbëlsira! Në fakt i ha, por   rrezikun e tyre e kompenson me insulinë. Insulina në këtë rast nuk është de-komunistizimi me ligje!

E kaluara përbën trashëgiminë tonë, trashëgiminë e një populli të tërë, por që për shkak të mungesës së vullnetit për ta zbardhur me sinqeritet dhe mbi bazën e objektivave të caktuara është shndërruar në një lloj pengese që po vështirëson ecjen përpara, ashtu e lënë në mes të rrugës, pa shenjat e duhura orientuese se si duhet të sillemi me të, pa manualin e saktë se si mund të kalohet. Njëzet e shtatë vjet më vonë kemi nevojë jo ta shpallim si herezi, por ta gjykojmë mbi bazën e një sistemi të ri vlerash, me sisteme të ndryshme referimi qëndrimi e përmbajtjeje, me objektivin për t’i treguar brezit të ri se çfarë do të thotë të jetosh në totalitarizëm. Të paktën për hir të kostos së rëndë që po paguajmë duke jetuar në tranzicionin e ndërtimit të një sistemi të ri!

Të mos harrojmë që rrëzimi i diktaturës u shoqërua me një varg fenomenesh që për një pjesë të madhe të popullsisë ishin të panjohura deri në vitet 1990: kemi rritjen e krimit dhe të ndasive sociale, mungesë stabiliteti dhe papunësi, arsim dhe mjekësi të papërshtatshme për një pjesë të mirë të popullsisë, punë të pasigurt dhe rropatje për të gjetur banim. Shtuar notat e nostalgjisë me kalimin e viteve. Të gjitha bashkë dhe secila veç e veç mjaftojnë për të rivlerësuar të kaluarën dhe për të reaguar ndaj saj mbi bazën e interesave shumë të ngushta, nga një popullsi që ndjenjat dhe emocionet, kujtimet dhe adresimet e kësaj të kaluare i shtrihen në një segment shumë të gjerë, me vlera pozitive e negative.

Nisma është befasuese dhe surprizuese njëkohësisht, së dyti, sepse nisma e këtij grupi intelektualësh që kërkon ndalimin e transmetimit të filmave apo mosbotimin e veprave të caktuara revokon veprime dhe akte që janë të denja vetëm për vende totalitare. Në Gjermaninë naziste, në vitin 1929, u ndalua libri i Remarkut “Asgjë e re nga fronti i perëndimit”, me arsyen që fyente regjimin në fuqi, në Bashkimin Sovjetik, në vitin 1944 u ndalua libri i Xhorxh Oruell “Ferma e Kafshëve”, ndërsa në Arabinë Saudite edhe sot ndalohet shpërndarja dhe leximi i Biblës. Në rastin tonë, duket sikur nisma ka dalë nga raftet e Arkivit të Shtetit Shqiptar për periudhën e pushtimit italian. Nicola Lo Russo Attoma, Drejtor i Përgjithshëm i Shtypit, Propagandës dhe Turizmit, gjatë periudhës së pushtimit italian të Shqipërisë, kishte detyrë të evidentonte dhe të ndalonte hyrjen në vend, nxjerrjen jashtë qarkullimit, ose heqjen nga salla e leximit të bibliotekave private dhe shtetërore të të gjithë librave, me natyrë filozofike, sociale a politike, që flisnin kundër sistemit. Vetëm gjatë periudhës 27 janar 1940 – 20 dhjetor 1940, Attoma i ka dërguar plot 16 shkresa Ministrit të Arsimit të kohës, z. Ernest Koliqi, nëpërmjet të cilave i komunikonte titujt e librave të ndaluar, ndërsa numri i titujve të ndaluar, për të njëjtën periudhë, në total është 79. Në çdo shkresë të dërguar, numri i librave të ndaluar luhatet: nga një titull, si për shembull në shkresën e dt. 1 maj 1940, nëpërmjet së cilës ndalohet vetëm libri me titull “A peace front and the axes power”, në pesëmbëdhjetë tituj, në shkresën e dt. 21 mars 1940, nga mund të veçojmë shpalljen si të padëshiruara të veprës së autorit Riccardo Bachi (botim i vitit 1926) me titull “L’alimentazione e la politica annonaria in Italia“, si dhe veprën e autorit Giorgio Mortara (botim i vitit 1925, me titull “La salute pubblica in Italia durante e dopo la gurra“.

Së fundmi, vetë nisma mban erë “MekKartianizëm”. Për të gjithë ata që nuk janë familjarë me politikën amerikane, në fillim vitet 1950, instalimi i sistemit komunist në vende të ndryshme të botës trembi shumë amerikanë, veçanërisht kur Bashkimi Sovjetik doli si një superfuqi bërthamore. Histeria amerikane antikomuniste gjeti rrugën e hyrjes në politikë falë senatorit të Uiskonsinit, Jozef MekKarti, një demagog në kërkim të vëmendjes, i cili arriti të shndërrohet në krye lajm për të gjitha mediet amerikane kur më 9 shkurt 1950 deklaroi: “Kam në dorë një listë me 205 emra komunistësh, që i janë bërë të njohur edhe Sekretarit të Shtetit, por që përsëri vazhdojnë të punojnë dhe formësojnë politikat e Departamentit të Shtetit”. Por sekretari mohoi lajmin, lista nuk u publikua asnjëherë, ndërsa vetë burimi, i entuziazmuar pafund nga vëmendja që mori mbijetoi në politikën amerikane pak kohë, sepse u braktis nga të gjithë. Së fundmi, Senati votoi t’i censurojë fjalën, gjë që praktikisht shënoi edhe fundin e karrierës së MekKartit. Kishte shkelur çdo normë besueshmërie.

Në Shqipëri ka ardhur koha të flasim për periudhën e komunizmit si pjesë të historisë sonë. Të përpiqemi t’ia tregojmë e kalojmë brezit të ri të vërtetat rreth socializmit jo me ligje dhe me dekrete, por me aktivitete, filma, libra, portrete, simbole e drama, pak a shumë atë që bëri diktatura për veten e saj, por tani ta bëjmë ne për veten tonë. E bën dot kjo nismë? A është në gjendje nisma ta çojë të kaluarën tonë në sallat e muzeve? A është në gjendje nisma të na nxisë të tregojmë sa më shumë ngjarje të vogla dhe të mëdha, të bukura dhe të shëmtuara, të hidhura dhe të ëmbla nga e kaluara jonë në diktaturë? A është në gjendje nisma të na nxisë ta shpjegojmë të kaluarën jo si një hon ku kemi groposur 50 vjet punë e përpjekje, por si një urë që duhet t’i forcojmë këmbët, përndryshe do kemi tragjedi të ngjashme me atë të Xhenovas, vetëm se në këtë rast viktimë do të ishte i gjithë populli.

Përralla e iriqëve që mësojnë si të respektojnë njëri-tjetrin

Përralla e iriqëve që mësojnë si të respektojnë njëri-tjetrin  

Përshtati në formën e përrallës, në gjuhën shqip, Valbona Nathanaili

Na ishte kush na ishte!

Na ishin një herë dy iriqë të vegjël!

Iriqët jetonin pranë njëri-tjetrit, nën dy gëmusha ngjitur. Si komshinj, u pëlqente shpesh të dilnin për gjah natën, së bashku, pas gjumit të gjatë të ditës. Vera ishte stina më e preferuar. Çdo gjë dukej e mrekullueshme! Kishte mjaftueshëm kërpudha, që ishte ushqimi i preferuar i njërit dhe plot bretkosa, që ishte ushqimi i preferuar i tjetrit.

Pasi siguronin ushqimin, stërviteshin dhe këshilloheshin si të mbroheshin nga kafshët e tjera, sepse iriqët vërtet kanë gjemba, por jo të gjitha kafshët tremben prej tyre. Për shembull, kush shihte i pari një buf, lajmëronte me hungërimë të shkurtër edhe tjetrin, ndërsa dhelpra kishte sinjal tjetër – hungërima ishte e gjatë. Por si ndaj shpejtësisë së bufit, ashtu edhe ndaj hileve të shumta të dhelprës dinake, iriqët kishin zgjidhjen e tyre të madhe dhe të vetme: shndërroheshin menjëherë, duke u mbledhur me shpejtësi, në një topth të vogël gjembi. Kështu kalonin ditët dhe gjithë vera, derisa vinte dimri dhe binin në gjumë letargjik, për t’u takuar përsëri verën tjetër.

Por një verë bëri ftohtë, aq ftohtë sa të kujtonte dimrin që sapo kishte kaluar. Iriqët filluan të dridhen. Si të ngroheshin? Pothuaj në të njëjtën kohë, të dy propozuan:

– Sikur të afrohemi me njëri-tjetrin?

Iriqët kishin mësuar se po të qëndronin pranë, e kishin më të lehtë për të përballuar të ftohtin.

Të lumtur që kishin gjetur zgjidhjen, iriqët u afruan për t’u ngrohur, por gjembat që u mbulonin trupat i shpuan dhe…

“Ohhh, më shpove!” – bërtitën të dy në të njëjtin çast.

Kështu u detyruan të largohen… por sapo u larguan, i ftohti i madh që kishte pllakosur vendin u shkaktoi të njëjtat të dridhura.

Bërrrrr! Sa ftohtë! Duhet të afrohemi përsëri!

U afruan përsëri…

“Ohhh, më shpove!”! – u dëgjua e njëjta ankesë, shoqëruar me lot të hidhur nga dhimbja. Gjembat kishin bërë përsëri punën e tyre. Por nuk hoqën dorë!

U larguan përsëri…

Dhe përsëri “Bërrrrr!” I ftohti i kishte detyruar të lëshonin të njëjtët tinguj pakënaqësie.

Përsëri u afruan. Përsëri “Ohhh!” Përsëri u larguan…. Përsëri “Bërrrrr!”

Gjembat dhe i ftohti ishin dy kufijtë e mundshëm që përcaktonin distancën që duhej të mbanin nga njëri-tjetri.

U deshën disa prova, mbushur me gabime, me të qara dhe ankesa, që iriqët të gjenin, më së fundmi, distancën e saktë që duhej të mbanin: pra edhe të fitonin ngrohtësinë e të qenit bashkë, edhe të mos e dëmtonin njëri-tjetrin.

Foto kryesore: credit http://www.worldmostamazingthings.com/2011/04/amazing-hedgehog-hedgehogs-facts-photos.html

Djali që mësoi të mos lëndojë miqtë Përrallë

Djali që mësoi të mos lëndojë miqtë

Përshtati në formën e përrallës, në gjuhën shqip, Valbona Nathanaili

Na ishte kush na ishte!

Na ishte një herë një djalë i vogël, por shumë kokëfortë. Sa herë nuk i plotësohej ndonjë dëshirë, zemërohej dhe i pëlqente të shkatërronte e thyente gjërat. Por jo vetëm kaq! Sherret e tij vazhdonin edhe në klasë. Shokët e shoqet nuk kishin dëshirë të shoqëroheshin me të, sepse i ofendonte me fjalë të rënda dhe i lëndonte me sjellje të pamatura.

I mërzitur me të birin, një ditë, i ati e mori për dore dhe e çoi tek gardhi i oborrit, prapa shtëpisë.

Bir, – i tha, – nga tani e në vazhdim, sa herë të zemërohesh e të inatosesh, do të ngulësh një gozhdë me çekiç në këtë gardh. Pas disa kohësh, do mund të shohësh edhe vetë sa herë je treguar i papërmbajtur, në rregull?

Djali mendoi:

– Pse të kem frikë? Po e provoj!

Pas kësaj, sa herë kishte shpërthime inati, a përfshihej në zënka të ndryshme, shkonte prapa shtëpisë dhe ngulte një gozhdë në gardh.

Por një ditë, ndërsa vajti, si zakonisht, të ngulte gozhdën e radhës në gardh, nuk po lëvizte dot nga vendi. Dukej shumë i befasuar: nuk kishte mbetur as edhe një vend i lirë! Gardhi ishte mbushur me gozhdët që kishte ngulur ai vetë me çekiç.

U ndie me turp:

– Uha! Gjithë këto gozhdë! Sa shumë paskam ngulur! Dhe sa shumë qenkam zënë e inatosur!

Skenën e kishte parë edhe i ati! Pasi mendohet pak, i thotë të birit:

– E pe çfarë kishte ndodhur me gardhin? Mendon edhe ti, si mua, që duhet ta kontrollosh veten? Por le të bëjmë një marrëveshje të re: sa herë të përmbahesh e të jesh i qetë, mund të shkosh përsëri te gardhi, por këtë radhë për të shkulur një gozhdë nga ato që ke ngulur.

Djali mendoi:

– Nëse nuk përmbahem, më duhet të ngul një gozhdë me çekiç, por nëse gjithë ditën ruaj kontrollin dhe nuk përfshihem në sherre, mjafton të shkoj te gardhi dhe të shkul një gozhdë. Të dyja janë të vështira, por kjo e dyta është më pak.

Dhe kështu, për të shpëtuar nga ngulja e gozhdëve, djali vendosi të përmbahej.

Në fillim e kishte tmerrësisht të vështirë, por ditët kalonin dhe djali shkonte te gardhi vetëm në fund të ditës, për të shkulur një gozhdë.

Ditë pas dite, ndërsa sasia e gozhdëve në gardh zvogëlohej, djali mësoi të përmbahej dhe të mos humbiste kontrollin. Derisa një ditë vrapoi shumë i lumtur te i ati:

– Baba, hajde të shikosh gardhin! Nuk ka më asnjë gozhdë! Unë nuk inatosem më!

Të dy, at e bir, iu drejtuan gardhit dhe qëndruan përballë tij: djali me sytë që i shkëlqenin, ndërsa i ati i zhytur në mendime.

Pas pak, me një zë shumë domethënës, i ati i thotë:

– Dëgjo, bir! Shumë mirë! Paske arritur t’i shkulësh të gjitha gozhdët nga gardhi, por vrimat që u hapën ndërsa ato nguleshin, janë prapë aty ku kanë qenë dhe do të jenë po aty përgjithmonë. Sa herë humbasim kontrollin me të dashurit tanë, inati që shfaqim hap një vrimë në zemrat e tyre. Kur e heqim gozhdën, që do të thotë se ne shfajësohemi duke kërkuar falje, vërtet bëjmë gjënë e duhur, por plaga që kemi shkaktuar, njësoj si te gardhi, nuk do të zhduket kurrë!

Morali? Plagët e zemërimit vështirë të shërohen!

Përralla është përshtatur nga libri Konfuci sipas zemrës. Mençuria e lashtësisë për botën e sotme Autor Yu Dan, botuar nga Minerva, Tiranë. 

Një variant anglisht të përrallës mund ta gjeni në linkun https://kenvisiontechniks.com/anger-wounds-never-heal/

Çfarë është demokracia? Nga E. B. White

Çfarë është demokracia?

Në ditët më të errëta të Luftës së Dytë Botërore, kur vetë e ardhmja e Amerikës ishte në rrezik, Bordi i Propagandës së Luftës së Qeverisë Federale të SHBA i kërkon shkrimtarit E. B. White të formulojë një përgjigje të shkurtër për pyetjen “Çfarë është demokracia?”. Përgjigja e tij ishte modeste, por frymëzuese.

E. B. White (botuar për herë të parë më 3 korrik 1943, The New Yorker)

  • Sigurisht që Bordi e di çfarë është demokracia! Është vija që përcakton kufirin e së drejtës. Është “mos”, në mos shtyj. Është e çara nga hyn drita në një dhomë të errët; është ulja e hundës së një fodulli. Demokracia është dyshimi i vazhdueshëm, që më shumë se gjysma e popullsisë ka të drejtë më shumë se gjysmën e kohës. Është ndjesia e privatësisë në dhomën e votimit, e përkatësisë në një bibliotekë, e të qenit i gjallë në çdo vend ku gjendesh. Demokracia është letra që i shkruan kryeredaktorit. Demokracia është mundësia për të gjuajtur topin dhe fituar lojën në minutat shtesë. Është ideja që nuk është hedhur poshtë akoma, është kënga, fjalët e së cilës nuk janë shkruar keq. Është mustarda në një hot dog dhe kremi në një kafe të racionuar. Demokracia është kërkesa e një Bordi Lufte, në mes të mëngjesit dhe në mes të luftës, që kërkon të dijë se çfarë është demokracia.

Varianti anglisht:

  • Surely the Board knows what democracy is. It is the line that forms on the right. It is the “don’t” in don’t shove. It is the hole in the stuffed shirt through which the sawdust slowly trickles; it is the dent in the high hat. Democracy is the recurrent suspicion that more than half of the people are right more than half of the time. It is the feeling of privacy in the voting booths, the feeling of communion in the libraries, the feeling of vitality everywhere. Democracy is a letter to the editor. Democracy is the score at the beginning of the ninth. It is an idea which hasn’t been disproved yet, a song the words of which have not gone bad. It’s the mustard on the hot dog and the cream in the rationed coffee. Democracy is a request from a War Board, in the middle of a morning in the middle of a war, wanting to know what democracy is.

Përktheu dhe përshtati në shqip: Valbona Nathanaili

Kufiri Ekuador-Peru Nga Johan Galtung

EKUADOR-PERU: ZONË DYKOMBËTARE, PARK NATYROR

Nga Johan Galtung

Përktheu dhe përshtati në shqip Valbona Nathanaili

• Shumë kreative, tha ish-presidenti i Ekuadorit kur dëgjoi propozimin tonë për mënyrën e zgjidhjes së konfliktit kufitar, për një zonë me sipërfaqe afro 500 km2, që kishte shkatuar tri luftëra ndërmjet Ekuadorit dhe Perusë. Ju gjetët si zgjidhje jo përcaktimin, edhe një herë, të vijës kufitare, por kthimin e tërë zonës në “zonë dykombëtare, në një park natyror”. Asnjë njeri deri më tani nuk na ka propozuar diçka të tillë!

Vërtet ai tha shumë kreative, por shtoi:

Do të duhen të paktën 30 vjet që të mësohemi me këtë ide dhe 30 vjet të tjera për ta zbatuar. Sidoqoftë, më lejoni të bëj një pyetje, si arritët në një ide të tillë?

Përgjigja ime mund të kishte qenë se propozimi erdhi jo si rezultat i faktit, që unë e njoh mirë historinë e Amerikës Latine, por sepse unë kam në trurin tim një lloj diagrame që më këshillon si të jem sa më praktik. Negociatorët e dy shteteve kishin praktikuar për 54 vjet me radhë ndarjen e kufirit, me tërheqje e shtyrje, kombinuar me negociata pa fund. Kishin provuar sulme ushtarake, fitore e dështime. Kishin hartuar kompromise në përpjekje për të përcaktuar vijën e kufirit që do t’i kënaqte të dyja palët për territorin e lakmuar. E vetmja gjë nuk kishin provuar ishte transendenca dhe formula e thjeshtë të dyja-dhe që çoi në lindjen e idesë së zonës dykombëtare.

Por përgjigja ime ishte disi më e detajuar:

• Unë kam një metodë të vogël: dëgjo atë që nuk është thënë, dëgjo të padëgjuarën. As ju, as kolegët tuaj nuk thanë asgjë përse duhet detyrimisht kjo vijë kufitare, ndoshta sepse të dy ju mendoni që është shumë e qartë, se nuk ka nevojë as të artikulohet. Ndoshta jeni të mendimit, se çdo metër katror e kësaj toke i përket dikujt, është pronë e dikujt. Dhe kështu është, ndoshta edhe 100 % e vërtetë. Por metoda ime prek pikërisht aksiomat e besimit, ato që duket sikur jo vetëm nuk ia vlen të diskutohen, por as edhe të formulohen. Pastaj fillojmë t’i bubërojmë, ngatërrojmë, përballemi me to, vendosim fjalën “jo” duke i mohuar tërësisht, derisa gjithçka bëhet më fleksibël. Të gjitha këto, si rregull, na çojnë përgjithësisht në gjera që mund të ndryshohen. Siç e thatë edhe vetë, propozimet janë kreative. Pikërisht sepse ne prekim aksiomat e besimit.

U ndamë si miq pas një darke të mirë, pa lënë ndonjë takim tjetër.

Tre vjet më vonë, më 1998, ndërmjet Ekuadorit dhe Perusë, u nënshkrua Traktati i Paqes. Pjesë e traktatit, ishte krijimi i një “zone dykombëtare, me një park natyror”, propozuar nga Ekuadori. Veçse parashikimi i ish-presidentit se do të duhen edhe 30+30=60 vjet nuk doli. Në fakt mjaftuan vetëm 3 vjet. Dhe u deshën plot 57 vjet që të arrihej një zgjidhje aq e thjeshtë.

Historia e konfliktit Ekuador-Peru

Historia e konfliktit fillon më 1941, kur zhvillohet edhe lufta e parë ndërmjet dy vendeve. Pastaj edhe tri të tjera. Në mes të tyre, përpjekje për të përcaktuar vijën, duke përdorur si kufi një vijë uji, por që e komplikonte problemin edhe më shumë, se herë dukej e herë zhdukej, në varësi të temperaturave dhe rreshjeve. Kufiri, në fund të fundit, nuk është gjë tjetër veçse një kompromis.Po ta shohim nga pikëpamja kronologjike, pozicioni të dyja-dhe në një konflikt kufitar që e kthen zonën kufitare në një “zonë të të dyve”, “zonë dykombëtare” është më se i thjeshtë. Pozicioni tjetër, as-as, do të thotë që zona të mos i përkiste asnjerit prej shteteve në konflikt, por p.sh. të merrej e të administrohej nga Kombet e Bashkuara. Një zgjidhje e tillë është e papranueshme. Ndërkohë, pikërisht thjeshtësia e bën “zonën dykombëtare” të lehtë për t’u pranuar edhe nga njerëzit që i njohin mirë historinë, ligjet ndërkombëtare dhe precedentët e mundshëm (kufiri të caktohej sipas shembujve të tjerë të ngjashëm), ndoshta edhe brenda kornizës së atyre që i quajmë “negociata”, me tërë ato marifete e vajtje-ardhje pa fund. Në pranimin e zgjidhjes së propozuar ndikoi edhe fakti që zona ishte e papopulluar dhe e varfër në pasuri natyrore.

Sigurisht, që edhe faktorë të tjerë luajtën rol të padiskutueshëm. Një nga këta faktorë është koha.

Që nga viti 1941 kishte kaluar shumë kohë. Ishin provuar rrugët legale dhe kur ato nuk funksiononin, fjalën e merrte ushtria, kërkohej zgjidhje ushtarake. Përpjekjet e tyre bazoheshin në një repertor shumë të kufizuar zgjidhjesh: 1. njeri fiton, çështja mbyllet; 2. armëpushim dhe vija e kufirit ndodhet deri aty ku është armëpushimi.

Të fiksuar pas idesë së përcaktimit të vijës së kufirit, të gjitha zgjidhjet e tjera ishin bllokuar. Për rrjedhojë: asnjë vijë kufitare.

E gjitha po kthehej në një skandal të madh. Të gjithë ishin të lodhur nga konflikti. Çelësi nuk ishte në gjetjen e ndonjë legjitimiteti të harruar nga e kaluara, por në pak kreativitet për ndërtimin e një të ardhmeje së bashku.

Transformimet e suksesshme të konflikteve kërkojnë vërtet kreativitet, por janë edhe shumë të lira në shpenzime. Dialogu me Presidentin e Ekuadorit kushtoi vetëm 125$ – një natë fjetje në hotel dhe një ndalim në Quito, shumë më pak se shpenzimet mesatare që qeveria paguan për diplomacinë. Të mos e krahasojmë pastaj me shpenzimet e një ndërhyrjeje ushtarake pas shpërthimit të dhunës që shkojnë në miliona dollarë. Transformimi paqësor i konfliktit përpara shpërthimit të luftës mund të shpëtojë mijëra jetë. Dhe e lejon shoqërinë të eci përpara.

Letër drejtuar Dr. Pekmezit, në lidhje me nevojën e blerjes së disa hartave, për rregullimin e kufijve veriorë, 1918.

I dashuri Zoti Dr. Pekmezi

Ju përshëndes nga zemra!

Po e shkruaj këtë letër për të mundur me sigurue nga dashamirësia e Juaj, disa materiale hartash shumë të vlefshme për Shqipërinë.

Koloneli dhe miku ynë Bajram Beg Curri, si do të konstatoni, e ka vërtetuar këtë shkresë dhe, ju siguroj, se këtu nuk disponohen harta të mira, përveç atyne të vjetra, harta të përgjithshme me shkallë 1: 200,000.

Për të mos u turpërue për vdekje me rastin e rregullimit të kufijve të ardhshëm, deri më sot nuk është përgatit asgjë (për shkak të krizës në Ministri), ju lutet zoti Kolonel për të veprue si më poshtë:

Me ble hartat, shkalla 1:75,000 harta speciale për të gjithë Shqipërinë, me kufijtë e 1913 – edhe Kosova, Gjakova, Peja, Shkupi.

Si mbas hartimit gjatë luftës 1916-1917, këto harta i ka pas pru nga Vjena, por i kanë humbur.

Janë vetëm këto: Fleta e hartës speciale: Fieri Nr. 7763; Kavaja Nr. 7583; Kruja 7363.

Këto harta nevojiten për qëllime operative.

Për rregullimin e kufijve, edhe harta speciale është e papërdorshme, porse vetëm për dosimin e luftës 1916-1918, shkalla 1:25,000 ose shkalla e dyfishtë ushtarake, sikurse përpilohet shkalla në punime origjinale. Në rast se nuk caktohen kufijtë shumë ekzakt, do të kemi në të ardhmen me mijëra konflikte gatë kufirit me serbët, me fshatra e lokalitete.

Këto harta 1:25,000 janë dorëzue qysh në gusht 1918 trupave operative nga ana e Institutit Gjeografik. Këto harta kanë një madhësi prej rreth 30×25 cm dhe përmbajnë rreth 25-30 km terren me një përpunim shumë të mirë. Në këto harta kanë punu afër 30 leksione, çdo leksion kishte 5-7 oficera (25 vetë) dhe kanë punu mbi 2 vjet për të gjithë (atë zonë të) vendin(t) që ishte okupuar nga trupat austro-hungareze.

Nga këto punime, siç u përmend, janë shpërnda qysh në gusht 1918 disa harta. Këto harta ishin fotografi të origjinaleve. Këto fotografina na nevojiten ne për rregullimin e kufijve.

Këtu nuk është përgatit deri tash asgjë dhe kur të vijnë Komisioni Ndërkombëtar s’do të kemi asgjë në dorë, as harta, as letër vizatimi, as instrumenta dhe tavolina vizatimi – dërrasa etj., etj.

Mbasi nuk e dimë se si do të shkojë kufiri, duhet që të kemi harta, që japin një terren prej 30-40 km në veri dhe në jug të kufirit të vjetër të 1913 – si mbas llogaritjes sime, nga derdhja e Bunës në det, nëpër Tarabosh, Hot, Grudë, Plavë e Guci, Pejë, Gjakovë, Prizren, Gorë, Lumë, Dibër, Qafë Thanë, Pogradec (Zvezda e Korçë këtu janë francezët), pra rreth 70-80 fletë (harta), mbasi do të marrin nga një Parie (kopje) Serbia, një Shqipëria, Lidhja e Kombeve, Italia, Greqia, Italia (është llogaritur dy herë), Franca, Anglia, Amerika dmth 9 Parie (kopje), pra do të duhet me u ble nga 9 herë një fletë (hartë). Një gjë e tillë është kaq e rëndësishme siç nuk ka qenë asnjë punë tjetër. Habitem si askush nuk kujdesohet për një gjë të tillë. Gjithë Shtabi i Përgjithshëm disponon vetëm një hartë të vjetër me një shkallë prej 1:200,000 dhe bëjmë kopje me letër kopjimi. Ja kemi tregu zotit Kolonel Bajram Currit rëndësinë e kësaj çështjeje. Ai na lutet që të ja dërgojmë sa më shpejt këto harta.

Në rast se nuk ekzistojnë fotografitë me shkallë 1:25,000 për të gjitha hartat (gjë që ëshët e mundur) e kufijve të 1913, atëherë ju lutem të na dërgoni ato harta që ndodhen. Në këtë rast, të na dërgoni hartat speciale 1:75,000, nga ato të marruna gjatë luftës 1916-1918 mbi Shqipërinë, edhe këto në 9 kopje.

Pa këto harta, Shqipëria do të turpërohet për vdekje me rastin e rregullimit të kufijve.

Njerëzit këtu grinden për gjëra të vogla dhe kërkush nuk e çan kokën për çështje që i përkasin të ardhmes s’onë.

Gjendja është shumë e mirë. Partitë grinden për çështje të vogla – kanë cmirë njëri-tjetrin. Në fronte, në Arras, dt. 29/10 u bën nga serbët disa sulme, por njerëzit e Ahmet Lepenica nga Vlora i thyen ata. Tashti ka qetësi. Qeveria do të dërgojë 200 veta, nën udhëheqjen e 5 inxhinierëve, për të ndrequr shtëpitë. Është shpallë amnistia e përgjithshme. Të gjitha këto hollësira i kam përpunue.

Tek serbët janë shpërndarë 1700 rus të ish-armatës Vrangel gjatë lumit Drin. Këta të shkretët janë gënjyer. Bëni propagandë kundër përdorimit të tyre, mbasi është kundër ligjit. Rusët erdhën në Serbi me kondit që të mos detyroheshin të kthehen më dhe, aq më pak, me lufte kundër nesh.

Si janë përdorë oficerët rus?

Kolonelët i kanë bërë baush-çuasha

Majorët i kanë bërë kaptera

Kapterat dhe togerat i kanë bërë nënoficera

Ata janë nën urdhrat e oficerëve serb, që më parë ishin nënoficera.

Bwni propagandw me anw të shtypit se Shqipwria ka një qeveri të pwrbwrw nga të gjitha partitë dhe se në vend ka qetësi, rregull dhe disiplinw. Këtë duhet të ma besoni, zoti Doktor.

Sikur serbwt të na linin rehat, ne do të sihin populli më i kënaqur i ballkanit, por qeveria është detyrue me mbajt 12000 ushtarw në front, dhe kjo kërkon shumë flori dhe argjend.

Ju lutem shumë të na dërgoni sa më shpejt hartat, si ato me shkallw 1:75,000 dhe sidomos 1:25,000.

Përgatiti për shtyp: Valbona Nathanaili

Negociatorë apo palë me interesa të kundërta? Dr. Valbona Nathanaili

Negociatorë apo palë me interesa të kundërta?

6 mars 2018 | Dr. Valbona Nathanaili

Rregullimi i një pjese të kufirit detar me Greqinë, në jug të vendit, ka disa vite që është shndërruar në shqetësim publik. Marrëveshja e arritur në vitin 2009, kur ministër i Jashtëm ishte z. Basha dhe shumicën në pushtet e zotëronte Partia Demokratike, sot është përsëri në rend të ditës. Arsyeja: Marrëveshja e lidhur nga demokratët i falte Greqisë më shumë det! Këtë radhë është Partia Socialiste që udhëheq bisedimet e reja, të dytat në radhë, përfaqësuar me ministrin e Jashtëm, z. Bushati. Pritshmëritë ishin që përvojat e hidhura të së djeshmes të shërbenin si mësim për të sotmen. Por jo!

Së pari, një çështje kaq delikate dhe që ka shkaktuar vazhdimisht indinjatë të thellë te publiku,  trajtohet me të njëjtën neglizhencë dhe në të njëjtin sfond politik grindjesh, shtuar akuzat e kundër-akuzat për tradhti kombëtare. Por jo vetëm njësoj me 10 vjet më parë, por edhe me 100 vjet më parë, kur duhej të rregullohej kufiri ynë verior tokësor. Sipas AKSh (dosja Pekmezi), më vitin 1918, një bashkëpunëtor i kolonel Bajram Beg Currit i dërgon dr. Gjergj Pekmezit, që në atë kohë jetonte në Austri, një letër, ku i lutet t’i dërgojë disa harta të mira të Shqipërisë, sepse shumë shpejt mbërrinte komisioni ndërkombëtar që merrej me këtë punë. Sipas letrës, “deri më sot nuk është përgatit asgjë për shkak të krizës në Ministri”, sepse “Partitë grinden për gjëra të vogla, kanë cmirë njëra-tjetrën” dhe “askush nuk shqetësohet për çështje që kanë lidhje me te ardhmen”.

Ne vazhdojmë ta shkruajmë historinë me të njëjtën “rimë”, që në përbërje të vargut të periudhës historike ka të njëjtat fjalë: grindje, mosmarrëveshje, mungesë transparence e profesionalizmi, dëshirë për t’u dukur dhe jo për të kontribuar realisht.

Situata u shndërrua në kufijtë e dramaticitetit, kur opozita akuzoi një nga anëtarët e komisionit për spiun, ndërsa z. Bushati tregoi certifikatën e sigurisë së tij lëshuar nga NATO. Sigurisht që nuk mund të pranoj, se agjencitë e inteligjencës së të gjithë botës dërgojnë listat e spiunëve të tyre te NATO dhe, NATO, pasi bën një kontroll nëse e ke emrin të  përfshirë a jo emrin (opsioni search lehtëson shumë punë!), jep verdiktin: i sigurt ose jo!!!!

Së dyti dhe në rrjedhojë të situatës së krijuar, anëtarët e komisionit të caktuar nga Ministria e Jashtme kanë humbur të drejtën për t’u quajtur negociatorë. Ata tashmë mund të quhen vetëm “palë” në zgjidhjen e një konflikti ndërmjet dy palëve, ne dhe Greqisë, interesave tona dhe interesave të tyre. Kjo falë gjuhës së komunikimit në publik që ka zgjedhur të përdorë ekipi “Rilindas”. Sipas z. Bushati, kjo marrëveshje është më e mirë, pasi u jep shqiptarëve më shumë det, sesa u jepte marrëveshja e z. Basha. Një deklaratë e tillë e shndërron një çështje teknike, në një çështje patriotike. Pra, ne jemi pala që përpiqemi të marrim sa më shumë det nga Greqia dhe për këtë arsye e duam Shqipërinë më shumë! Mirë z. Basha nuk ia arriti, por si mund ta arrijnë të ashtuquajturit “Rilindas”? Duke bërë hile? Pastaj, mund ta lejojë Greqia një gjë të tillë? Naive si pyetje, por të  pashmangshme në rrjedhojë të atyre që thuhen. Në një klimë të tillë, shtuar edhe atë pak a shumë të ngjashme në anën tjetër të kufirit, vështirë se mund të merren vendime me gjakftohtësi, ndërkohë që humbet misioni kryesor i një negociatori: atij që ofron zgjidhje për një çështje. Sepse çfarë zgjidhje ka kur kërkohet më shumë det dhe jo më shumë profesionalizëm dhe teknicizëm? Sepse çfarë zgjidhje ka kur kërkon të denigrosh një marrëveshje me një gjuhë të dyshimtë, bulliste? Të parët që kanë veshë të dëgjojnë një mesazh të tillë janë anëtarët aktualë të komisionit. Frika është që i pret i njëjti fat. Nuk veprojnë, humbasin kreativitetin dhe besimin te procesi.

Dhe njësoj si 100 vjet më parë, erdhi propozimi për një palë të tretë, vetëm se roli i komisionit ndërkombëtar të vitit 1918, në vitin 2018 kërkohet t’i jepet Gjykatës së Hagës. Sigurisht që një zgjidhje është të shkohet edhe në Hagë. Është e natyrshme të artikulohet. Ndonëse përpara Hagës mund të provohej edhe alternativë e dytë, me negociator një shtet të  tretë apo individ me autoritet ndërkombëtar në fushën e zgjidhjes së konflikteve.

Propozimet e mësipërme janë të vlefshme, por jo të volitshme. Shembujt e kësaj natyre janë të shumtë, por dëshpërues. Përpos kohës dhe parave shtesë që kërkojnë, ajo që është më e rëndësishmja, na humbasin shansin, që të paktën me fqinjët tanë, të ndryshojmë stilistikën e vargut historik, në mos për hatër të valles popullore që hoqi ministri i Jashtëm, për hatër të atyre qindra mijëra bashkatdhetarëve që punojnë e jetojnë në Greqi. Dhe ta shkruajmë këtë periudhë të historisë me fjalë që “rimojnë” me tolerancë, transparencë, bashkëpunim, profesionalizëm e integritet.

Mjaft është mjaft

Mjaft është mjaft

Letra e plotë e Carrie Gracie në lidhje me pabarazinë në pagë

Sipas “The Guardian”

Përshtati në shqip: Valbona Nathanaili

Beteja personale, që falë guximit dhe dëshirës për të kontribuar për shoqërinë, këto gra i shndërrojnë në kuaza. Carrie Gracie është njëra prej tyre. Gracie ka qenë drejtuese e zyrës së redaksise në Pekin për BBC-në dhe denoncon politikën e pabarazisë së pagave ndërmjet burrave dhe grave, për punë të barabartë. Dhe ka dhënë dorëheqjen. Me riskun e shkatërrimit të karrierës dhe të financave, sigurisht. Por për një njeri që pretendon se punon me parime, parimet janë gjithçka. Ose nuk mjafton të thuash se kam parime, por edhe i zbatoj ato. Hipokrizia është monedhë e pavlefshme. Gënjeshtra e papranueshme. Profesionalizmi, sakrifica dhe përkushtimi janë vlera që duhet të kenë të njëjtin sistem referimi dhe shpërblimi. Suksese Carrie Gracie në kauzën tuaj.

E dashur audiencë e BBC-së

Emri im është Carrie Gracie dhe kam qenë gazetare e BBC-së për tre dekada. Me keqardhje të madhe, kam lënë pozicionin e kryeredaktorit për çështjet e Kinës dhe po flas publikisht, me zë të lartë, për krizën e besimit në BBC.

BBC është e juaja, e ju që paguani taksën për ta pasur atë. Dhe besoj se keni të drejtë të dini që këtu po shkelet ligji i barazisë dhe po i rezistohet trysnisë për një strukturë të barabartë dhe transparente në paga.

Në tridhjetë vjet që punoj për BBC-në, nuk kam kërkuar kurrë ta bëj veten personazh dhe kurrë nuk e kam kritikuar publikisht organizatën që dua. Nuk po kërkoj më shumë parà. Besoj se jam e mirëpaguar – krahasuar, veçanërisht, me të gjithë ata që punojnë për një organizatë që mbështetet në fonde publike.

Por sa i takon pagave, BBC nuk po i përmbahet vlerave të saj të besimit, ndershmërisë dhe përgjegjshmërisë. Informacionet në lidhje me rrogat, që BBC ishte e detyruar të jepte gjashtë muaj më parë, zbuluan jo vetëm vlera të larta dhe të papranueshme për prezantuesit dhe menaxherët që janë në krye, por edhe një hendek të papërligjur ndërmjet burrave dhe grave që bëjnë të njëjtat punë. Këto informacione dëmtojnë besimin e stafit të BBC-së. Për herë të parë, gratë patën prova të forta të asaj për të cilën kishin shumë kohë që dyshonin – të qenit e vlerësuar në mënyrë të pabarabartë.

Shumë prej grave kanë kërkuar barazi në pagë, nëpërmjet proceseve të brendshme të negocimit, por menaxherët e mohonin, duke thënë se nuk ekziston asnjë problem. Ky mentalitet-bunker, me gjasë, do ta çojë BBC-në në humbjen shkatërrimtare të proceseve ligjore dhe eksodin e shumë talenteve femërore të të gjitha niveleve.

Historia ime është një nga shumë të tjerat që referojnë pabarazinë, por shpresoj se do kuptoni detyrimin tim për të folur me zë të lartë.

Jam specialiste për çështjet e Kinës dhe flas rrjedhshëm mandarin. Për afro tre dekada kam raportuar ngjarje nga ky vend. Katër vjet më parë, BBC më nxiti të pranoj postin e sapokrijuar të kryeredaktorit për çështjet e Kinës.

E dija se puna kërkonte sakrifica dhe fleksibilitet. Duhej të punoja më shumë se 8 000 kilometra larg fëmijëve të mi adoleshentë, dhe në një shtet një partiak e me censurë të fortë, ku do përballesha me përgjime, shqetësime nga policia dhe kanosje për shkak të detyrës.

I pranova sfidat, por u theksova shefave të mi se kërkoja të paguhesha në mënyrë të barabartë me kolegët meshkuj. Njësoj si shumë kolege të tjera në BBC kisha kohë që dyshoja se, përgjithësisht, jam paguar më pak, por në këtë pikë të karrierës sime isha e vendosur të mos e lejoja të ndodhte përsëri. Me besimin se kisha siguruar pagë të barabartë me burrat për role ekuivalentë, u vendosa në Beijing.

Në katër vitet e fundit, BBC ka pasur katër kryeredaktorë ndërkombëtarë – dy burra dhe dy gra. Akti për barazinë i vitit 2010 pohon, se burrat e gratë që bëjnë punë të barabartë duhet të marrin paga të barabarta. Por në korrikun e vitit të kaluar mësova, se në vitin e mëparshëm financiar, dy burrat kishin fituar, së paku, 50% më shumë se dy gratë.

Pavarësisht këmbënguljes publike të BBC-së se vetë emërimi im demonstronte angazhimin e saj për barazi gjinore, dhe pavarësisht këmbënguljes sime se barazia ishte kusht për pranimin e postit, menaxherët kishin gjykuar, edhe një herë, përsëri, se puna e një gruaje ka më pak vlera se ajo e një burri.

Shushatja u shndërrua në lebeti kur dëgjova ankesën e BBC-së, se e kishin detyruar të zbulonte këto informacione për pagat. Dhe pa këtë informacion, unë dhe shumë gra të tjera që punojnë për BBC-në nuk do e mësonim kurrë të vërtetën.

I kërkova shefit tim, që e vetmja zgjidhje e pranueshme për të gjithë kryeredaktorët ndërkombëtarë ishte të paguheshin me të njëjtat paga. Ata kishin të drejtë të vendosnin për pagën e duhur. U bëra të ditur se nuk po kërkoja rritje page, por thjesht pagë të barabartë. Në vend të kësaj, BBC më ofroi një rritje të madhe page, por që vazhdonte të ishte përsëri larg barazisë.  U kërkova të më thonin nëse kishte diferenca ndërmjet roleve që kryenim dhe që justifikonin hendeqet në paga, por refuzuan të më japin shpjegime në lidhje me këtë.

Nga koha që refuzova këtë rritje të pabarabartë, kam qenë subjekt i një procesi tronditës fyerës, të paaftë dhe minues, që ende nuk ka dhënë ndonjë rezultat në lidhje më kërkesën time.

Mjaft është mjaft. Ngritja e Kinës është një nga historitë më të mëdha të kohës sonë dhe një nga më të vështirat për t’u treguar. Por nuk mund ta kryeja detyrën time, ndërkohë që e gjeja veten të angazhuar në beteja me shefat dhe pjesë të një procesi bizantin ankesash. Një javë më parë dhashë dorëheqjen nga roli si kryeredaktore për çështjet e Kinës dhe do të rikthehem në postin e mëparshëm, në redaksinë e lajmeve në televizion, ku pres të paguhem në mënyrë të barabartë.

Për gratë e BBC-së nuk është thjesht çështja e një a dy vitesh rrogë. Nëse marrim në konsideratë edhe disavantazhet në kontrata dhe përfitimet kur dalim në pension, këto diferenca përbëjnë një humnerë që thellohet përgjatë gjithë jetës. Shumë nga gratë e prekura nga kjo lloj politike nuk janë “yje” të super-paguara, por punonjëse që punojnë jashtëzakonisht shumë e me rroga modeste. Ato që e vuajnë më shumë hendekun në paga janë gratë që u takojnë minoriteteve etnike.

Ky nuk është lloji i hendekut në paga që BBC e pranon. Nuk është pse burrat fitojnë më shumë, sepse bëjnë më shumë punë, e cila paguhet më mirë. Është që burrat fitojnë më shumë për punë të njëjtë ose punë në vlerë të njëjtë. Ky është lloji i diskriminimit në pagë dhe është i paligjshëm.

Kur mësuam shkallën tronditëse të pabarazisë korrikun e vitit të kaluar, ne, gratë e BBC-së, u mblodhëm së bashku për të ndaluar kulturën e fshehtësisë që ndihmon në përjetësimin e këtij fenomeni. Ne i bëmë të ditur njëra-tjetrës detaje për pagat tona dhe u kërkuam kolegëve meshkuj të bëjnë të njëjtën gjë.

Ndërkohë, BBC ndërmori disa procese rivlerësimi. Drejtori në ikje i lajmeve, muajin e fundit, deklaroi: “Kemi bërë një audit të plotë në lidhje me barazinë në paga, i cili tregoi se ajo ekziston në të gjithë BBC-në”. Por mesa duket nuk ka qenë një audit i plotë. Sepse duhet të jenë përjashtuar gratë që kishin hendekun më të madh në paga. Tashmë BBC ka filluar një proces vlerësimi të talenteve, por gratë që kanë vuajtur pasojat nuk kanë besim në të. Pothuaj 200 gra që punojnë në BBC janë ankuar për pagën dhe ajo që dëgjojnë është se nuk ka diskriminim në paga në BBC. A është e mundur që të gjitha ta kemi pasur gabim? Nuk kam besim se menaxhimi ynë mund të japë një përgjigje të ndershme.

Në fakt, të vetmet gra që punojnë në BBC dhe për të cilat është e sigurt që nuk vuajnë ndonjë diskriminim në paga janë menaxheret e niveleve të larta, pagat e të cilave publikohen rregullisht. Për shembull, ne kemi një drejtore lajmesh, e cila nuk ka pse të luftojë për të pasur të njëjtën rrogë me atë të paraardhësit mashkull, sepse paga e tij ka qenë e publikuar dhe ishte £340 000 në vit – ajo merr të njëjtën vlerë. Në poste të tjera, fshehtësia që tregon BBC sa i takon pagave i bën gratë që punojnë në të po aq të cenueshme sa edhe në vendet e tjera të punës.

Si t’i bëjmë gjërat të funksionojnë me drejtësi?

BBC duhet të pranojë problemin, të kërkojë falje dhe të hartojë një strukturë të drejtë dhe transparente pagash. Për të shmangur humbjen e parave që paguani për BBC-në në gjyqe të pafituara kundër stafit femëror, BBC duhet menjëherë të pranojë gjykimin e pavarur në zgjidhjen e rasteve individuale.

Durimit dhe vullnetit të mirë po u vjen fundi. Në këta gjashtë muaj, nga zbulimi i këtij fenomeni në korrikun e vitit të kaluar, BBC është përpjekur të japë një zgjidhje të dështuar, sepse është bazuar në moton “përça dhe sundo”. Disa grave u është ofruar “rivlerësimi” i pagës, ndonëse përsëri nuk garanton barazi, ndërsa shumë të tjera i ka izoluar në një proces të tejzgjatur marrje në shqyrtim të ankesave të tyre.

Kemi ndjesinë se jemi në një lloj kurthi. Të flasësh me zë të lartë mbart riskun e masave disiplinore dhe, edhe të pushimit nga puna; gjyqet shkatërrojnë karrierën dhe minojnë financat. Për më tepër, shpesh BBC përpiqet t’i zgjidhë çështjet jashtë gjyqeve dhe kërkon një marrëveshje private, një zakon pa vlerë për një organizatë që është e angazhuar ndaj së vërtetës, ndërkohë që asnjë nuk ka bërë asgjë në zgjidhjen e këtij problemi sistemik.

Asgjë nga sa më sipër nuk është akuzë ndaj menaxherëve individualë. U jam mirënjohëse për përkrahjen dhe integritetin e tyre editorial në përballjen me trysninë e censurës në Kinë. Por për një kohë shumë të gjatë, kultura sekretive dhe ilegale e pagesave të BBC-së ka imponuar zgjedhjet e atyre që janë të detyruar të bëjnë të tilla, por duke i shndërruar në të pandershme. Kjo duhet të ndryshojë.

Ndërkohë, nuk jemi i vetmi vendpune që fsheh diskrimimin në paga dhe trysninë për transparencë që njeh vetëm rritje. Shpresoj që organizatat rivale të së njëjtës fushë të mos e përdorin këtë letër si mjet për të fshikulluar BBC-në, por si mënyrë për të reflektuar në çështjet e tyre të barazisë.

Është shumë e dhimbshme për mua të heq dorë nga posti im në Kinë në këtë mënyrë dhe t’i them lamtumirë kolegëve të zyrës së BBC-së në Beijing. Shumë prej tyre janë gra të shkëlqyera. Por nuk dua që brezi i tyre të luftojë të njëjtën betejë në të ardhmen, sepse brezi im nuk arriti të fitojë sot.

Grave të çdo moshe dhe në çdo vendpune, të cilat përballen me diskriminim në paga, u uroj të solidarizohen me simotrat e së njëjtës kauzë dhe të përkrahin kolegët meshkuj.

Po mbushet pothuaj një shekull nga koha kur gratë fituan të drejtën për të votuar në Britani. Le të nderojmë guximin e tyre, duke e shndërruar këtë vit, në vitin që do fitojmë paga të barabarta.

Carrie Gracie

Afirmimi i shtetit shqiptar si subjekt i së drejtës ndërkombëtare Nga Prof. Dr. Ksenofon Krisafi

Afirmimi i shtetit shqiptar si subjekt i së drejtës ndërkombëtare

Nga Prof. Dr. Ksenofon Krisafi

Në këtë shkrim trajtohen, nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare, krijimi i shtetit shqiptar në bazë të vendimit të Kuvendit Kombëtar të Vlorës, të 28 nëntorit të 1912, si dhe përpjekjet për afirmimin e tij ndërkombëtar, nëpërmjet sigurimit të njohjes ndërkombëtare. Vështruar në këtë optikë, rasti i Shqipërisë paraqet një varg specifikash, të cilat e kanë shndërruar atë në një precedent interesant në doktrinën juridike, si dhe ka tërhequr vëmendjen e studiuesve nga fusha të ndryshme të historiografisë dhe jurisprudencës. Në vijim, përmenden dhe analizohen disa prej tyre, siç ishin: refuzimi i njohjes për shtetin dhe qeverinë e krijuar nga Kuvendi i Vlorës, akordimi i njohjes vetëm “krijesave” të themeluara nga Konferenca e Ambasadorëve të Londrës, 1912-1913, procedimi nëpërmjet njohjes kolektive nga vetë Konferenca e Londrës etj.

Argumente

Së pari, është thënë se diplomacia evropiane njohu shtetin shqiptar, por jo qeverinë e parë të tij. Në fakt, duke e analizuar situatën në të gjitha aspektet e zhvillimit të saj, rezulton se ajo nuk njohu as shtetin shqiptar, të afirmuar si subjekt më vete nga Kuvendi Kombëtar, as edhe Qeverinë e Përkohshme të tij. Ajo anashkaloi Kuvendin dhe dy krijesat e tij madhore, shtetin e pavarur dhe qeverinë e vet. Konferenca e Ambasadorëve e Londrës, mbivendosi mbi shtetin dhe qeverinë e krijuar nga Kuvendi i Vlorës, të cilat i shfrytëzoi për një periudhë më shumë se njëvjeçare, një shtet dhe një qeveri të projektuara dhe të ndërtuara prej saj kryesisht në përputhje me interesat e pjesëmarrësve të bashkësisë ndërkombëtare të kohës, nuk njohu shtetin e pavarur shqiptar të shpallur si të tillë nga Lëvizja Kombëtare Shqiptare nëpërmjet vendimit të Kuvendit të Vlorës, por një shtet të tkurrur në gati gjysmën e territoreve të tij.

Së dyti, njohja e Shqipërisë së ridimensionuar në Londër, ishte një njohje kolektive, që erdhi nga një bashkësi shtetesh dhe jo njohje  individuale e ndërmarrë dhe e realizuar nga shtete të veçanta. Ajo përngjasonte me njohjet kolektive që Britania e Madhe, Franca, Rusia dhe Turqia iu kishin akorduar Greqisë nëpërmjet Traktatit të Kostandinopolit, të vitit 1832 apo që Fuqitë e Mëdha, nëpërmjet vendimeve që morën në Kongresin e Berlinit, të vitit 1878, ua kishin akorduar Rumanisë, Serbisë dhe Malit të Zi, të cilët u shkëputën nga Perandoria Otomane.

Së treti, ishte njohje de jure, që ka kuptimin e një njohjeje të qëndrueshme, të plotë dhe përfundimtare, e cila ndryshon nga njohja de facto, që zakonisht shërben si etapë paraprake, tranzitore apo si periudhë prove ndaj shtetit të porsakrijuar, për të shkuar ose drejt njohjes de jure ose drejt revokimit te saj. Megjithatë në rastin e Shqipërisë, Fuqitë e Mëdha, edhe pse me vendimin e korrikut 1913, akorduan njohjen de jure, kishin ende rezerva përsa i takonte të ardhmes së statusit të shtetit shqiptar. E njohën si subjekt të së drejtës ndërkombëtare, e pranuan në bashkësinë e shteteve të kohës dhe vendosën marrëdhënie diplomatike, por i imponuan një varg detyrimesh dhe kushtesh jo vetëm për t’u siguruar rreth aftësive të saj për të ecur drejt të ardhmes së saj politike, por edhe për ta mbajtur nën një kontroll e mbikqyrje institucionale juridiko-ndërkombëtare.

Së këtejmi rrjedh veçantia e katërt, që njohja de jure e Shqipërisë mbetej gjithësesi sui generis. Ajo konsiderohej e pranohej si subjekt i së drejtës ndërkombëtare, por vihej në një tutelë ndërkombëtare, duke iu asfiksuar pothuajse atributet sovrane, specifikë e domosdoshme e një shteti të pavarur dhe subjekti të së drejtës ndërkombëtare. Kjo shfaqet në faktin që ato i rezervuan vetes të drejtën që të ngrinin strukturat shtetërore dhe të organizonin jetën, veprimtarinë politike, ekonomike, sociale, politikën e brendshme e të jashtme, ndërtimin e ushtrisë, xhandarmërisë, hartimin dhe miratimin e kushtetutës, – Statutit të Përkohshëm etj., të Shqipërisë së pavarur, duke e vënë në këtë mënyrë, praktikisht, “pavarësinë” e Shqipërisë në thonjëza.

Së pesti, qëndrimi që u mbajt nga ana e Fuqive të Mëdha ndaj shtetit të pavarur shqiptar në këtë rast mbështetej në parimet e të ashtuquajturës teori konstitutive, të quajtur ndryshe edhe teoria atributive e njohjes, e krijuar nga mesi i shekullit të XIX, për të legjitimuar  dhe për të marrë në mbrojtje veprimet arbitrare të periudhës së absolutizmit. Sipas saj një shtet nuk konsiderohet subjekt i së drejtës ndërkombëtare në momentin e krijimit dhe të daljes së tij në arenën botërore, por vetëm kur fiton njohjen ndërkombëtare nga ana e shteteve të tjerë, zakonisht nga Fuqitë e Mëdha.

Autoritetet shqiptare, menjëherë pas shpalljes së vendimit të Kuvendit të Vlorës, më 28 nëntor 1912, e konsideronin Shqipërinë si gjithë shtetet e tjerë të pajisur me atributet e duhura të subjektit të së drejtës ndërkombëtare. Statusin dhe veprimtarine e tij ato e mbështesnin në parimet e teorisë deklarative të njohjes, sipas së cilës shteti ekziston si subjekt i së drejtës ndërkombëtare që në çastin e deklarimit të daljes së tij si shtet i pavarur. Për të njohja s’ishte gjë tjetër veçse pohimi dhe deklarimi i një fakti, i një realiteti që ekzistonte tashmë dhe që priste vetëm të konfirmohej. Ishte kjo arsyeja pse, pa pritur përgjigjet për kërkesat e njohjes ndërkombëtare që ua kishte drejtuar Fuqive të Mëdha dhe shteteve të tjerë, shteti shqiptar dhe organet e tij qendrore e lokale, legjislative, ekzekutive e gjyqësore, kishin filluar veprimtarinë normale.

Së gjashti, autorë të huaj që kanë shkruar për Shqipërinë për këtë çështje, ose edhe për aspekte që e prekin atë shkarazi, e kanë trajtuar në mënyrë të njëanshme vendimin e korrikut të Konferencës së Ambasadorëve të vitit 1913 për njohjen e shtetit shqiptar. Duke komentuar vlerën e tij juridiko-ndërkombëtare, si dhe duke dashur t’i përgjigjen pyetjes nëse ai (vendimi) kishte ose jo cilësinë e aktit të themelimit të shtetit shqiptar, kanë ekzagjeruar rëndësinë dhe kuptimin e tij – i kanë dhënë atributin e aktit kushtetues të shtetit shqiptar, i cili siç pretendojnë ata, është “vepër ndërkombëtare” sepse u krijua nga Konferenca e Londrës.