Boshtet e mbivendosura të politikës së jashtme Autor Agim Nesho

Boshtet e mbivendosura të politikës së jashtme

Autor Agim Nesho

Në këtë botim, autori merr, në një analizë të hollësishme kritike, aktorët më me peshë në shtrirje globale, si dhe të marrëdhënieve që Shqipëria lypset të ndërtojë me çdonjërin prej tyre, duke parashtruar, në të njëjtën kohë, rrugët e kahet që duhen ndjekur për t’u orientuar me sens realist në zhvillimet e vrullshme të botës së sotme. Për të, një rëndësi të veçantë kanë faktorët historikë e bashkëkohorë, parimorë e pragmatikë, strategjikë e gjeopolitikë. Ajo çka të bie në sy në gjykimet dhe vlerësimet e Neshos është njohja, deri në hollësi të imta, e dinamikave diplomatike në politikën e jashtme të çdo vendi, si dhe perceptimi realist i konceptit të marrëdhënieve me “të mëdhenjtë”.

Në punimin e vet autori u kushton një vëmendje të veçantë marrëdhënieve që lypset të ndërtojë shteti dhe politika shqiptare me vendet fqinje në veçanti dhe ato të rajonit në përgjithësi në kornizën e konteksteve të krijuara pas viteve ‘90, shembjes së mureve të diktaturave njëpartiake dhe përfundimit të konflikteve të përgjakshme në hapësirën e ish-Jugosllavisë, duke i hedhur sytë nga perspektiva që ofron shekulli XXI dhe zhvillimet e pritshme në të.

Sipas Virgjil Muçit, autor i prathënies së librit, teza e Neshos lidhur me boshtet e mbivendosura të politikës së jashtme, tezë që përbën edhe strumbullarin e këtij libri, sjell një risi në politikën tonë të jashtme, si dhe i shërben instrumentit të aplikimit të saj, diplomacisë, e cila, për hir të së vërtetës, është e konsumuar dhe e shterruar idesh. Autori përpunon dhe hedh idenë e tri boshteve ku mund e duhet të mbështetet politika jonë e jashtme: së pari, boshti, Gjermani-Austri-Shqipëri, si një dukuri e re e aplikueshme kryesisht në proceset integruese europiane, por duke e  këqyrur edhe si një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Sipas Neshos, Shqipëria e ka humbur dy herë shansin për ta sendërtuar këtë bosht; herën e parë pas dëbimit gati të dhunshëm të Princ Vidit, ndërsa herën e dytë pas refuzimit të OstPolitikës së Willy Brandt-it, ndaj dhe nuk mund t’i lejojë vetes luksin të lajthisë edhe një herë të tretë, por as të tolerojë kokëtrashësinë dhe dritëshkurtësinë e klasës politike për ta shpërfillur këtë shans. E megjithatë, duke i këqyrur gjërat në një perspektivë shumërrafshëshe rajonale, kontinentale e globale, Nesho i bashkëngjit politikës sonë të jashtme edhe një bosht të dytë: atë të gjallërimit dhe fuqizimit të linjës strategjike për një politikë, por jo vetëm, aktive me vendet e pellgut të Mesdheut brenda suazës së Unionit për Mesdheun, ku dejajemi anëtarë. Teksa boshti i tretë, sipas këndvështrimit të Neshos, është ai ku Shqipëria shkon e bashkohet me një aleat strategjik e fuqi globale, SHBA-ja dhe një superfuqi rajonale, Turqia. Ky bosht synon ruajtjen e drejtpeshimit të forcave në rajon, ndërkohë që mund të këqyret si një vlerë e shtuar në sytë e NATO-s për një rol më të gjallë e aktiv në Lindjen e Mesme e Kaukaz, por edhe si një bosht sigurie e garancie i vlerave të demokracisë dhe qytetërimit perëndimor në juglindje të kontinentit europian.

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.