Bombardimi atomik i Japonisë dhe fundi i Luftës së Dytë Botërore

Bombardimi atomik i Japonisë dhe fundi i Luftës së Dytë Botërore

Më pak se 5 muaj nga sulmi japonez kundër bazës ushtarake detare të ShBA në “Pearl Harbor” (7 dhjetor 1941), ShBA organizuan një bombardim të përmasave të vogla kundër kryeqytetit të Japonisë, Tokios. Ky sulm ishte i nevojshëm për moralin amerikan, ndërkohë u tregoi japonezëve se nuk ishin të paprekshëm.

Më vonë gjatë luftës, bombarduesit amerikanë sulmuan ishujt japonezë nga bazat e tyre në Kinë, por vetëm në vitin 1944 Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërmorën një fushatë të vazhdueshme bombardimi. Për shkak të distancës me Japoninë, bombarduesit amerikanë nuk arrinin dot të godisnin objektivat dhe ktheheshin në bazat e tyre në Oqeanin Paqësor, deri sa u arrit kontrolli i ishujve të Marianës së Veriut.

Më 24 nëntor 1944, nga baza ushtarake në ishujt Marian, u ngrit aeroplani B-29 me rreze të gjatë veprimi. Më 9 mars 1945, një armatë prej 234 aeroplanësh B-29 zbriti në një lartësi prej më pak se 7 000 këmbë dhe hodhi 1 667 ton lëndë djegëse mbi Tokio, në rrjedhojë të të cilit u shkatërruan rreth 250 000 banesa dhe më shumë se 80 000 japonezë, shumica civilë, vdiqën. Vetëm bombardimi i aleatëve mbi qytetin e Dresdenit, Gjermani, një muaj me parë, ku u vranë 135 000 civilë, ia kalon bombardimit të Tokios.

Si Tokio, ashtu dhe Dresdeni ishin, së pari, objektiva civile, para se të ishin ushtarake. Para Luftës së Dytë Botërore, e drejta ndërkombëtare e konsideronte bombardimin e civilëve si veprim barbar dhe ilegal. Por pas disa vjet luftimesh, as forcat Aleate dhe as ato të Aksit, nuk bënin dallim midis objektivave ushtarake dhe atyre civilë. Duhet theksuar se ligjet e luftës kishin hierarki: një pilot mund të lëshonte tonelata me bomba dhe lëndë shpërthyese mbi qytetet e banuara dhe të mos dënohej, ndërkohë që një ushtar i thjeshtë shkonte në gjyq ushtarak edhe për keqtrajtim të civilëve.

Me gjithë bombardimet dhe ngushtimin e territorit të papushtuar, japonezët u përgjigjën me luftë. Kodi i tyre i luftës nuk e lejonte dorëzimin: ushtarët ose civilët më mirë vrisnin veten, se dorëzoheshin të gjallë. Në korrik 1945, amerikanët lëshuan më shumë se 1 200 bomba në javë kundër Japonisë; më shumë se një çerek milion njerëz u vranë nga bombardimet dhe më shumë se 9 milionë mbeten të pastrehë, por përsëri japonezët nuk jepnin shenja dorëzimi. Amerikanët filluan përgatitjet për pushtimin e Japonisë.

Të gjitha shenjat flisnin për një pushtim të mundshëm nga toka, por ShBA po përgatiteshin për të vënë në zbatim një projekt të mbajtur tepër sekret.

Më 16 korrik 1945, Manhattan Engineer District arriti të realizojë me sukses shpërthimin e parë atomik në histori. Kur presidenti i ShBA, Harry Truman, dëgjoi për eksperimentin e suksesshëm, shkroi në ditar: “Mund të jetë gjëja më e rrezikshme e zbuluar ndonjëherë, por edhe më e dobishmja”.

Truman kuptoi se “gjëja më e rrezikshme” mund t’i jepte fund luftës nga toka dhe të parandalonte dëmtime të tjera jo vetëm për aleatët, por edhe për popullsinë japoneze. Më 27 korrik 1945, Shtetet e Bashkuara të Amerikës lëshuan ultimatumin: Dorëzohuni, ose përndryshe Shtetet e Bashkuara do të hedhin “një super armë”. Japonia refuzoi!

Në orët e para të mëngjesit të 6 gushtit 1945, një B-29 e quajtur Enola Gay, me pilot Lejtnant Kolonel Paul Tibbets u ngrit nga baza e ishullit Tinian në Marianë. Në bord kishte vetëm një bombë atomike me peshë 8 000 paund dhe me fuqi shkatërruese prej 12.5 kiloton TNT. Tibbets e pilotoi avionin drejt Hiroshimës, e cila ishte përzgjedhur si objektiv i parë për shkak të bazave ushtarake dhe kategorizimit si zonë industriale. Zgjedhja e Hiroshimës kishte edhe një arsye tjetër: qyteti nuk ishte bombarduar më parë, kështu që do të mund të vlerësohej relativisht saktë fuqia shkatërruese e bombës.

Në orën 8.15 të mëngjesit, “Enola Gay” lëshoi pajisjen e pagëzuar “Little Boy”. Sipas pilotit të avionit, vetëm pak kohë më vonë, “një dritë e plotë mbushi avionin. U kthyem mbrapsht të shihnim Hiroshimën. Qyteti ishte mbuluar nga një re e tmerrshme… që fryhej dhe që prodhonte re të tjera”. Efekti i parë i “Little Boy” ishte vrasja e rreth 70 000 banorëve të Hiroshimës. Disa pretendojnë se kjo shifër është tri herë më e madhe, por është e pamundur të llogariten shifra të sakta, sepse nga kjo katastrofë u shkatërruan të gjitha të dhënat statistikore të qytetit.

Truman u kërkoi përsëri japonezëve të dorëzohen. Pas tri ditësh pa përgjigje, një tjetër aeroplan B-29 u ngrit përsëri nga Tinian, me një bombë edhe më të madhe atomike në bord. Objektivi i parë ishte Kokura, por meqë qielli ishte mbuluar nga retë, avioni iu drejtua objektivit të dytë, qytetit Nagasaki. Në orën 11.02 të paradites, të datës 9 gusht 1945, u lëshua bomba e pagëzuar me emrin “Fat Man”, e cila shkatërroi pjesën më të madhe të qytetit dhe vrau më shumë se 60 000 banorë.

Bombardime të tjera u bënë edhe ndaj disa qyteteve të tjera japoneze, më 9 gusht, dhe pesë ditë më vonë 800 aeroplanë B-29 bombarduan të gjithë vendin.

Më 15 gusht, Japonezët pranuan dorëzimin pa kushte. Lufta e Dytë Botërore kishte përfunduar.

Bombardimi atomik i dy qyteteve japoneze ka ngjallur e vazhdon të ngjallë mjaft debate. Informacionet japin dëshmi të ndryshme: disa referojnë se japonezët po përgatiteshin të dorëzoheshin, të tjera tregojnë të kundërtën. Me sa dukej, japonezët po përgatiteshin për të stërvitur popullsinë civile për përdorimin e armëve, me qëllim përballimin e sulmit nga toka. Në atë kohë, kundërshtarët e bombardimit atomik nuk e dinin se bombardimet “normale” të kryera ndaj Tokios dhe Dresdenit shkaktuan edhe më shumë dëme. Disa historianë theksojnë se humbjet në Hiroshima dhe Nagasaki ishin më të pakta se sa mund të ishin shkaktuar nga sulmi tokësor ose nga vazhdimi i bombardimeve.

Pavarësisht debateve, nuk ka dyshim se hedhja e bombave atomike në Japoni i dha fund Luftës së Dytë Botërore. Sulmet mbi Hiroshima dhe Nagasaki janë të vetmet betejat nga ajri që vendosën për fatin e një konflikti ushtarak. Sulmet nga ajri, si më parë, ashtu edhe më pas, kanë shërbyer si plotësuese të sulmeve nga toka. Siç u konfirmua edhe nga bombardimet e aleatëve në Irak gjatë operacionit “Stuhia e Shkretëtirës”, dhe në Bosnjë, sulmet nga ajri vërtet ua bëjnë jetën të vështirë popullsive civile, por betejat dhe luftërat vazhdojnë të vendosen nga forcat tokësore.

Sulmi atomik mbi Japoni përveç se përshpejtoi fundin e luftës, u dha Shteteve të Bashkuara një supremaci ushtarake të paarritshme – të paktën për një kohë të shkurtër, deri sa Bashkimi Sovjetik prodhoi armët e veta atomike. Dy superfuqitë filluan garën për armatim atomik, e cila rrezikoi disa herë shkatërrimin e botës. Vetëm traktatet dhe kërcënimet për shkatërrim reciprok total i kanë mbajtur deri më sot armët atomike të pashfrytëzuara.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.