Bijtë e shqipes Autor Julian Amery

Bijtë e shqipes Autor Julian Amery

Tiranë: Shtëpia Botuese “Lumo Skendo”, 2002

Origjinali në anglisht: AMERY, Julian. Sons of the Eagle. A Study in Guerilla War. Published: London Macmillan & Co. Ltd., 1948, Stock Code: 85220£150

Shqiptarët, të cilët pretendojnë se vijnë nga ilirët dhe epiriotët, e quajnë veten e tyre shqiptarë, fjalë e cila do të thotë “Bijtë e shqipes”. Sipas folklorit të tyre, ky emër ka ardhur nga një fjalim që i atribuohet Pirros, mbretit të dikurshëm të Epirit. Duke u kthyer nga fitoret e tij në Maqedoni, Pirrua u krahasua nga trupat e tij me “shqiponjën”, për manovrat e shpejta luftarake.

  • Ju më thërrisni shqiponjë, – thuhet se është përgjigjur ai, – dhe është e vërtetë, sepse ju, ushtarët e mi, jeni bijtë e shqipes dhe shigjetat tuaja janë krahët me të cilët unë fluturoj.

Parathënie

Ideja e parë për të inflirtruar njerëz në Shqipëri për të filluar lëvizjen e rezistencës erdhi nga Zhulian Ameri në fillim të vitit 1940 kur ai shërbeu si atashe i Ambasadës Britanike në Beograd.

Kjo ide prodhoi frytet e saj në prill të vitit 1941, kur një grup i përbërë nga tre vëllezërit Kryeziu Gani, Said dhe Hasan – së bashku me Abaz Kupin, Mustafa Gjinishin dhe Dayrell Oakley-Hill u futën në kufirin Shqiptar nga Jugosllavia. Misioni i tyre ishte jetëshkurtër sepse pas pak kohësh gjermanet pushtuan Jugosllavinë dhe shumë shpejt morën Beogradin – kështu baza e tyre kryesore u prish dhe ata nuk mund të ktheheshin mbrapsh. Grupi u shpërnda në drejtime të ndryshme.

Projekti tjetër për të çuar njerëz në Shqipëri ishte një ide e Majorit Billy McLean. SOE (Operacionet Speciale Ekzekutive) kishte dërguar misionet e veta në Greqi dhe Jugosllavi por asnjë kontakt nuk ishte vendosur me Shqipërinë ku përflitej se kishte grupe rezistence.

Misioni i parë në Shqipëri u hodh në Prill 1943 në Greqinë veriore me qëllimin që të futej prej andej në Shqipëri. Grupi përbëhej nga Billy McLean, Garry Duffy, Kaporal Williamson dhe unë. Eventualisht në Shqipëri ne hymë në kontakt me LNÇ (Lëvizja Nacionalçlirimtare), të cilët ishin komunistë dhe dalloheshin për këtë nga ylli i kuq dhe përshëndetja me grusht mbledhur, megjithëse atëherë ata e mohonin këtë gjë.

Meqenëse ata provuan se luftonin kundër italianëve, megjithëqë pretendimet e tyre ishin të ekzagjeruara, ne rekomanduam që ata të mbështeteshin. Furnizime me armë, eksplozivë, mina dhe veshje u hodhën me parashuta dhe brenda pak muajsh ne kishin trajnuar dhe pajisur çfarë njihej si Brigada e Parë Sulmuese. Gjatë kësaj periudhe, përpjekjet tona për të marrë kontakt me lëvizjet e tjera të rezistencës, veçanërisht me Ballin Kombëtar dhe Zogistët bëheshin jashtëzakonisht të vështira nga partizanët të cilët me qëllim e mbanin misionin tonë larg çdo kontakti me ta.

Ne ishim vazhdimisht në kontakt me Enver Hoxhën dhe shtabin e përgjithshëm të LNÇ. Kur u konsiderua se çdo gjë ishte gati, Brigada e parë sulmuese e komanduar nga Mehmet Shehu, zhvilloi një paradë. Shpresat tona ishin të mëdha se më së fundmi kishim përgatitur një forcë të aftë për të luftuar italianët dhe gjermanet që po mbërrinin. Por u zhgënjyem.

Një postbllok gjerman i përbërë nga 20 ushtarë patrullonte rrugën nga Korça në Leskovik dhe ata ishin një shënjestër e mirë. I kërkuam Mehmet Shehut të sulmonte këtë postë por ai me kokëfortësi refuzoi. Kuptuam që të gjithë përpjekjet tona kishin shkuar dëm kur dëgjuam që brigada kishte lëvizur në jug dhe po u vinte zjarrin fshatrave balliste. U kuptua qartë se brigada do të përdorej për të luftuar rivalët politikë, ballistët dhe zogistët për të vënë vendin nën kontroll pasi okupatorët e huaj të nxirreshin jashtë.

Kur kapitulloi Italia ne lëvizëm në Shqipërinë e mesme dhe ngritëm një kamp në pyjet e Bizes që lidheshin me malet e Martaneshit. Në atë kohë po hidheshin më shumë misione në vend dhe selia jonë qëndronte në Kairo (më vonë në Bari) vendosi të dërgonte një oficer madhor për të komanduar gjithë këto misione meqenëse McLean mbante vetëm gradën e majorit.

Gjithashtu, në shtator u parashutua në vend Brigadier “trosky” Davies së bashku me një numër të madh oficerësh dhe pajisjesh, duke përfshirë Arthur Nicholls dhe Alan Hare. Pasi u informua me hollësi mbi situatën nga McLean, Davies vendosi, meqenëse ne ishim misioni i parë në Shqipëri, të na dërgonte në Bari, Kairo dhe Londër për të raportuar për situatën.

Në Londër, pasi bëmë raportet, shpresonim të merrnim ca ditë leje, por kjo nuk ndodhi për arsye të lajmësve se Davies dhe misioni i tij në Shqipëri ishin sulmuar, Davies ishte plagosur dhe burgosur ndërsa misioni ishte shpërndarë. U urdhëruam që të ktheheshim menjëherë në Kairo për t’u informuar me qëllim që të ktheheshim përsëri në Shqipëri.

Kur ishim në Londër, biseduam me Anthony Eden, që ishte atëherë Ministri i Jashtëm. Ai na tha se meqenëse trajnuam dhe pajisëm partizanët në jug, dëshironte që të shkonim këtë herë në veri për të inkurajuar njerëzit aty për të luftuar gjermanet. Fjalët e tij në ndarje, ishin se në rast se do të kishim nevojë për të apo për të diskutuar ndonjë pikë të veçantë, nuk duhet të hezitonim për t’i dërguar një mesazh personal.

Kur u kthyem në Kairo takuam Xhulian Amerin që ishte shumë i interesuar për të ardhur në Shqipëri meqenëse ai ishte ideatori i sponsorizimit të fillimit të rezistencës në atë vend. Kështu që ai u bashkua me mua dhe McLean, dhe në prill 1944, fluturuam në Bari dhe që andej u lëshuam nga amerikanët të cilët në atë kohë hidhnin furnizimet në Ballkan. Pas dy përpjekjeve të dështuara, më në fund u lëshuam jo në Bize por në pyjet afër saj. Një oficer britanik dhe një çetë zogiste na gjetën aty dhe së bashku çamë nëpër dëborë deri në fshatin më të afërt në Shëngjergj ku gjetëm Alan Hare dhe George Seymour që ishin sistemuar në një shtëpi të fshatit.

I dërguam fjalë Abaz Kupit për mbërritjen tonë, i cili erdhi të nesërmen me një çetë të përbërë nga njëqind burra. Që nga ai moment e më pas, ne ishim nën mbrojtjen e Abaz Kupit të cilin e respektonim të gjithë dhe me të cilin u bëmë miq të ngushtë. Nga ana tjetër, kur Enver Hoxha dëgjoi se ne ishim me Kupin na quajti bashkëpunëtorë të fashistëve dhe dërgoi partizanë për të na kapur ose vrarë.

Kupi tha se do të sulmonte gjermanet vetëm kur të merrte urdhër nga mbreti Zog. Ne e kishim takuar mbretin Zog në Angli i cili na kish autorizuar zyrtarisht me shkrim por Ministria e Jashtme refuzoi të na lejonte që ta merrnim me vete. Menduam se ndodhi kështu meqenëse ata nuk donin ta njihnin Zogun si mbret sepse kjo mund të prishte marrëdhëniet tona me amerikanët të cilët ishin shumë anti-monarkistë dhe kishin ngritur zërin kundër njohjes së mbretit të Greqisë nga ana jonë.

Më në fund, Kupi ra dakort të luftonte dhe hapi i parë i tij në këtë drejtim ishte një çetë që më dha mua për të më ndihmuar për të hedhur në erë një urë në rrugën midis Tiranës dhe Durrësit. Pas kësaj ne kryem së bashku me njerëzit e Kupit disa aksione kundër gjermanëve dhe kështu i dërguam një mesazh personal Edenit duke rekomanduar mbështetje të plotë për Kupin. Eden nuk e mori kurrë këtë sinjal. Komunistët kishin penetruar në selinë tonë qendrore në Bari dhe shkatërruan mesazhin tonë me qëllim. Ndërsa prinim një përgjigje nga Eden, partizanët sulmuan forcat e Kupit në Shëngjergj, mashtruan selinë tonë qendrore dhe po avanconin në drejtimin tonë. Kupi po përgatitej për kundërsulm dhe ishte e qartë se një luftë civile ishte në prag të shpërthimit.

Menjëherë pas kësaj ne morëm një sinjal nga selia jonë qendrore në Bari që deklaronte se ishte vendosur për të mbështetur vetëm partizanët dhe se misioni ynë duhej të tërhiqej. Kjo ishte një goditje e hidhur dhe na dukej se e lamë Kupin në baltë. Pas disa javësh patrullimesh të dërguara si nga partizanët ashtu edhe nga gjermanet, më së fundi na u dërgua një anije.

Tradhtia jonë ndaj Kupit u bë më e keqe kur morëm urdhra se në asnjë rast nuk duhet të merrnim me vete shqiptarë në anijen që do të na evokonte. Me ne do të vinin vetëm Said Kryeziu dhe Ihsan Toptani që kishin dhënë një ndihmë të pakursyer për misionet britanike. Bile ata dërguan një oficer në anije për t’u siguruar që ne do të zbatonim urdhrat.

I dërguam një sinjal personal Edenit ku i kërkonim ndërhyrjen e menjëhershme për të evokuar edhe Kupin me njerëzit e tij, të cilin ai e aprovoi sapo e mori. Ndërkohë McLean dhe Ameri fluturuan në Kazerta ku takuan gjeneral Wilson, Komandanti i Ushtrisë në Itali dhe Harold Macmillan, ministri rezident i shtetit. Të dy ranë dakort që Kupi së bashku me njerëzit e tij të evakuohej dhe për këtë u urdhërua dërgimi i menjëhershëm i një destrojeri.

Ndërkohë Kupi dhe njerëzit e tij kishin marrë një anije për të kaluar në Itali e cila u prish dhe pastaj i tërhoqëm në Bari. Sapo arritëm u takuam dhe ishte një ribashkim i lumtur. Abaz Kupit dhe Ihsan Toptanit i vinte keq dhe e kuptonin braktisjen e turpshme që ju bëmë duke i lënë në Shqipëri.

Ky libër është padyshim më i miri për kohën e luftës në Shqipëri dhe unë ia rekomandoj atë të gjithë të interesuarve për atë vend dhe për historinë e tij të kohës së luftës.

Foto kryesore: Ballina e librit në gjuhën origjinale

Foto e dytë: Julian Amery Foto credit: Wikipedia

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.