Ben Blushi dhe vepra e tij 

Ben Blushi dhe vepra e tij 

Ben Blushi është diplomuar për letërsi pranë Fakultetit Filologjik, Universiteti i Tiranës. Ai e filloi karrierën e tij si politikan; deputet në disa legjislatura dhe ministër i arsimit. Lidhjet e tij me letërsinë janë sa familjare, aq edhe personale. I jati, Kiço Blushi është një nga shkrimtarët dhe publicistët tanë të njohur. Talenti i Blushit shfaqet në moshë të pjekur dhe me një prodhimtari për t’u pasur zili: katër vepra në pesë vjet. Emri dhe vepra e Blushi tronditi skenën letrare shqiptare: me dhjetëra mijëra kopje të shitura dhe një debat të padëgjuar më parë në media dhe qarqe letrare. Në këta 20 vitet e fundit Blushi cilësohet si shkrimtari shqiptar me numrin më të madh të kopjeve të shitura për titull:  jetosh  ishull ka shitur mbi 30000 kopje; OtelloArapi i Vlorës mbi 20000; Shqipëria mbi 20000 dhe Hëna e Shqipërisë mbi 10000 kopje.

Otello, Arapi i Vlorës

Roman / ISBN 978-9956-39-60-0-0 / Çmimi 1000 lekë, f. 414, 230 x 160 x 29 mm / Pesha: 380 gr.  / Botimi i dytë: 2009 / Botimi i librit: UET Press, në bashkëpunim me MAPO Editions.

Është romani i dytë me të cilin Blushi u prezantua tek lexuesi. Një sukses. Përsëri me mijëra kopje të shitura. E veçanta e Otellos së Blushit qëndron tek risia që sjell në letërsi. Ai merr një personazh të njohur si Otello dhe e zhvendos në kohë dhe hapësirë, duke e ndërthurur me personazhë të tjerë të veprës së njohur të Shekspirit, që të befasojnë për kompleksitetin e karakterit, për larminë e ngjarjeve ku përfshihen, për filozofitë herë naive e herë të stërholluara, për qartësinë me të cilën, marrëdhëniet ndërmjet tyre interferohen me marrëdhëniet ndërmjet shteteve, përfaqësuar me dy qytete të fuqishme për atë kohë: Venediku dhe Vlora. Me veprën e tij, Blushi ka krijuar një risi, një surprizë në botën kulturore dhe letrare në Shqipëri, sepse ka rikthyer një lloj shije të të lexuarit të letërsisë, e cila dukej fort e tronditur në këta 20 vitet e fundit për shumë arsye.

Të jetosh në ishull

Roman / ISBN 978-9956-39-59-4-0 / Çmimi 1000 lekë, f. 542, 230 x 160 mm / Botimi i dytë: 2010 Botimi i librit: UET Press, në bashkëpunim me MAPO Editions
Për shumë kritikë, “Ishulli” i Blushit është një vepër provokuese, pasi në debat u bënë pjesë jo vetëm studiues nga fusha e letërsisë, por edhe nga historia e sociologjia. Veçojmë debatin për fenë islame në Shqipëri, i përqendruar në dy linja kryesore: feja islame është rrjedhojë e pushtimit turk apo pranim vullnetar?! Subjekti i Blushit bazohet në Shqipërinë e mesjetës së vonë në zonën e Voskopojës dhe ndërtohet mbi fakte historike të veshura me fiction. Befasia në stil, në ndërtimin e rrëfimit, si dhe në strukturën e gjithë veprës janë, ndoshta, kontributet më të mëdha që Blushi i bën letërsisë shqiptare. Me veprën e tij ai po i jep një shije të re asaj.

Shqipëria

Roman / ISBN: 978-9956-39-58-7-0 / Çmimi 1000 lekë / F. 602, 230 x 160 mm / Botimi i dytë: 2011 / Botimi i librit: UET Press, në bashkëpunim me MAPO Editions.

Rrëfim magjepsës, galeri personazhesh si Lekë Dukagjini, Mehmet Shehu, Enver Hoxha dhe një botë e re, krejt utopike. Romani “Shqipëria” vjen si një metaforë e Shqipërisë totalitare. Universi i  Blushit është i mbarsur me një imagjinatë të fuqishme. Ai mbart sa kundërshti, po aq edhe revoltë ndaj ligësive që qytetërimi i ka shndërruar në të natyrshme. Si gjithmonë, Blushi parapëlqen të përmbysë botën ekzistuese dhe krijon një të re, utopike, që e përshkruar nga pena e tij, bëhet po aq e dashur dhe tërheqëse sa ajo aktuale. Një botë pa Zot, pa para, pa seks, pa dashuri, pa pronë, pa atdhe, pa familje… Përmes personazhit kryesor, shkrimtari duke vërejtur të papërsosurat dhe gjërat që nuk i pëlqejnë, mëton të rikrijojë botën e tij. Rrëfenja e tij është intriguese dhe galeria e personazheve jo vetëm e larmishme, por për ata që e njohin sadopak historinë e Shqipërisë, tërheqëse dhe e veçantë.

Në “Shqipërinë” e Blushit

Lek Dukagjinit s’i pëlqeu mënyra sesi Zoti e ndërtoi botën dhe i shkrepi në mend të bëhet vet zot. Bota utopike e tij është pa kushtëzimet e botës aktuale, ajo nuk ka para, nuk ka seks, nuk ka dashuri, nuk ka pronë etj. Për të ndërtuar botën e tij të re, ai merr 100 fëmijë, të cilët janë të pastër nga bota aktuale dhe ikën në një ishull të pabanuar, diku në Mesdhe. Bota e tij utopike përmban të gjithë personazhet si Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Partia Demokratike, por në një kontekst tjetër. Kjo botë utopike vihet në rrezik një ditë nga një dashuri, e cila së fundmi arrin t’a shkatërrojë e shkërmoqë dhe vetë banorët e saj t’i detyrojë të ndërmarrin një eksod të madh. Pak a shumë një metaforë e historisë së Shqipërisë.

Ben Blushi, për librin e tij “Shqipëria”

Të kuptosh shqiptarët, të kuptosh mënyrën sesi janë sjellë përgjatë kohës me veten, me njëri-tjetrin, me tokën dhe me Zotin kërkon disa argumente. Të kuptosh shqiptarët besoj se është argëtim, – argëtim në kuptimin artistik të fjalës, detyrim në kuptimin historik dhe torturë në kuptimin politik të saj. Për ata që merren me letërsi, shqiptarët janë një gur për të ndërtuar; për ata që merren me histori, shqiptarët janë një urë për t’u kaluar; për ata që merren me politikë, shqiptarët janë një mur për t’u kapërcyer. Libri “Shqipëria” nuk është historik, prandaj nuk është detyrë, nuk është as politik, ndaj nuk është torturë. Libri “Shqipëria” është vetëm artistik ndaj është argëtim, të paktën për mua. Libri quhet “Shqipëria” sepse përpiqet të shpjegojë atë që shqiptarët i kanë bërë vetes gjatë kohërave. Dhe kudo që shqiptarët kanë jetuar, nuk e kanë trajtuar njëri-tjetrin më keq se në Shqipëri dhe, kudo ku kanë shkuar, nuk e kanë trajtuar një vend tjetër më keq se vendin e tyre, Shqipërinë.

“Hëna e Shqipërisë”

Esse & ide, debate / ISBN: 978-9928-4181-6-6 / Çmimi 900 lekë / f. 150, 140 x 200 mm / Botimi i parë: 2014 / Botimi i librit: UET Press

Çfarë vendi do të jetë Shqipëria në njëqind vitet e ardhshme? Si do të jenë njerëzit e saj? Sa shumë, ose sa pak do të jenë ata? Çfarë drejtimi do t’i japim ne shoqërisë, ekonomisë, partive dhe shkollave në vitet e ardhshme? Do jemi më të ditur, apo më të paditur? Sa ndikim do kenë tendencat evropiane në të ardhmen e vendit? Do jemi të bashkuar me Evropën? Po me Kosovën? Nëse po, kur dhe nëpër çfarë procesi do të kalojmë? Si do të jetë gjuha jonë? A do flasim të gjithë shqip? A do e lexojme dot letërsinë që është shkruar në shekujt e kaluar? Sa do të jetë popullsia e Shqipërisë dhe ku do të jetë e përqendruar ajo? Si do jenë qytetet tona? Ku do jetojnë më shumë njerëz: në qytet, apo në fshat? A do kryqëzohet raca jonë? A do ketë shqiptarë të zinj? Po shqiptarë të verdhë? Kujt profeti do t’i binden ata?

Henri Çili, botues

Në një prani rekord në të gjitha libraritë, në të gjitha mediat, në një debat të shumëfishtë, në një diskutueshmëri, e cila fillon që nga simbolika e tij letrare, shoqërore apo politike e veprës së tij, Ben Blushi ia ka arritur të kthehet në shkrimtarin më të shitur të letërsisë shqiptare.

Valbona Nathanaili, drejtore UET Press

Otello, Arapi i Vlorës të befason që në faqet e para, pasi gjen gjithçka që i duhet një vepre: stil, ndjenjë, kulturë, dije, histori, lidhje, dashuri, tradhti, pasion, kurajë, frikë, filozofi, metaforë. Rezultantja: një libër i jashtëzakonshëm që nuk do ta lëshosh nga dora pa e mbaruar të tërin, me një frymë.

Dina Çuli, shkrimtare 

Galeria e personazheve është një nga vlerat e veçanta të veprës së Blushit. Personazhe që flasin përmes rrëfimit, jo përmes dialogut, por që të duket se i dëgjon zërin dhe frazën e tyre të gjallë në vesh. Personazhe letrare të ngjizur mbi perceptime reale shqiptare, fate individësh që shprehin fatet e një populli të tërë dhe që përmbledhin në këtë libër ndoshta shumë hipoteza dhe përgjigje për pyetjet e panumërta që i drejtojmë vetes.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.