Arti i futjes pa ftesë në pritjet mondane në Paris Nga Ylljet Aliçka

Arti i futjes pa ftesë në pritjet mondane në Paris

Nga Ylljet Aliçka

Ose Konkurrenca e pamëshirshme në pritjet mondane të qytetit të dritave

Në muajt e parë të mbërritjes sime në Paris, pothuajse e kisha të pamundur të kuptoja, me herë të parë, se sa nga të pranishmit hynin në pritjet mondane me ftesë dhe sa ia dilnin të hynin pa ftesë. Këtë e fitova kohë më vonë. Përvoja ishte mësuesi im i parë. Ngjarjet zhvillohen ndërkohë që isha Ambasador i Shqipërisë në Paris, Francë.

Me kalimin e kohës, falë ngjashmërisë së taktikave të hyrjes pa ftesë, ose me ftesë false, me fare pak vëmendje, kuptoje se nuk bëhej fjalë për një a dy, por për një komunitet të qëndrueshëm, përbërë kryesisht nga aristokratë apo personalitete të rënë vafti, ish-nëpunës dalë në pension, apo gjithfarëlloj hallexhinjsh, të cilët, përveç ndjenjës së përjetshme njerëzore për protagonizëm që të ofron prania në qarqet mondane të kryeqytetit të dritave, kishin njëkohësisht mundësinë të ushqeheshin me bollëk e cilësi.

Taktikat për të hyrë në pritje pa ftesë ishin të ngjashme, por miqësirat mes tyre ishin hipokrite. Anëtarët e këtij komuniteti të bashkuar nga trillet e fatit, karakterizoheshin nga lidhje rastësore me një sinqeritet të përciptë dhe rëndom ishin të pabesë me njëri tjetrin. Për pasojë s’ishte e vështirë të kuptoje se ky komunitet ishte thellësisht i përçarë. Krahas shkaqeve që buronin nga vete natyra e keqe e racës njerëzore, përçarja kishte dhe shkaqe reale, që buronin nga suksesi apo dështimi për të hyrë në pritje. Sido që duhet thënë se, pak syresh, ktheheshin duarbosh, domethënë pa mundur të hynin në pritje. Por dhe mes grupit të triumfatorëve, ndjenja e mallkuar e xhelozisë shfaqej nga vete fakti se cili nga ata do mund të hynte përpara tjetrit, në krah të kujt personaliteti a diplomati të njohur, çfarë marke kostumi kish veshur, me kë shoqërohej, apo më saktë kujt i ngjitej gjatë pritjes.

E përmbajtur në dukje, konkurrenca e pashpirt niste mu para hyrjes së jashtme të pritjes, aty ku bëhej dhe kontrolli i ftesave. Aty pra, turma modeste e mondanëve hallexhinj, domethënë pa ftesë, bëjnë sikur presin dikë, konsultojnë herë pas here orën duke ngritur më pas kokën dhe hedhin një vështrim gjithëpërfshirës gjindjes përreth.

Falë intuitës së mprehur nga përvoja, gjithsecili heton tipologjinë e jashtme të të ftuarve me ftesë, zbërthen psikologjinë e ftesëmbajtësve, për të adoptuar më pas marifete sa më të natyrshme të ngjitjes me të gjatë procesit të hyrjes në pritje.

Modalitetet e ngjitjes dikujt me ftesë ishin gati të njëjta: ai, mondani pa ftesë, afishonte në fytyrë një buzëqeshje të çiltër, dhe me një ecje krejt të shpenguar i afrohet dikujt që mban ftesën në dorë, duke shtyrë me elegancë konkurrentin aty pranë që i kanoset për t’i zënë radhën. Eshtë kohë kjo shumë e shkurtër, por sidoqoftë e mjaftueshme aq sa mondani hallexhi të verë buzën në gaz dhe mu pranë kontrollorit të ftesave t’i lëshojë bashkudhëtarit me ftesë një pyetje koti: “pa të shohim se në ç’krah do e kenë vendosur gardërobën kësaj radhe…”. Ndodhte, që i ftuari mund edhe të përgjigjej me mirësjellje, bie fjala “besoj do jetë në krahun e djathtë”, atëherë, mondani pa ftesë, lëshon një të qeshur me zë të lartë dhe thotë, “bah, sinqerisht unë po mendoja se do ishte në të majtën”. Një shprehje e tillë e shprehur kaq çiltërsisht dhe e thënë me zë të lartë nuk i linte asnjë dyshim rojave në hyrje se të dy zotërinjtë kishin ardhur bashkë në këtë pritje mondane dhe se s’kishte pikë arsyeje pse t’u kërkohej të dyve ftesa.

Por për të eliminuar krejtësisht konkurrencën, ndodhte që, përveç taktikës së shtyrjes me bërryl, ndokush bënte hile. Duke iu shmangur radhës së vendosur heshturazi në komunitet, hileqari avanconte dhjetëra metra para hyrjes, për t’iu ngjitur si rastësisht cilitdo individi të veshur shik, përfshirë edhe atyre që s’mbanin ndonjë ftesë në dorë. Krahas pabesisë ndaj shokëve të tij, pra shkeljes së radhës, kjo mënyrë veprimi mbarte në vetvete edhe rrezikun që ti mund t’i ngjiteshe dikujt kot, pra, që nuk kishte asnjë lidhje me pritjen dhe qëllonte t’i binte aty rruga rastësisht. Në këto raste, mondanit hileqar i dilte mundimi huq.

Dhe, së fundi, duhet thënë se kishte edhe një tjetër takëm hallexhinjsh që nuk e duronin dot hipokrizinë, domethënë ngjitjen gjoja spontane mbas të ftuarve, por, në mënyrë të hapur e të sinqertë, pyesnin ata që dilnin shpejt nga pritja, se mos rastësisht, e kishin ftesën me vete.

Një mënyrë e tillë, e drejtpërdrejtë, i prekte ata që e kishin ende ftesën në xhep dhe pranonin t’ia dhuronin kërkuesit më të parë me mirësjellje. Mondani hallexhi, me të marrë ftesën në dorë, merrte pamje dinjitoze dhe hynte në pritje siç i ka hije, gjë që i jepte atij më pas sigurinë për të hyrë krejt i barabartë në bisedë me diplomatë apo personalitete të larta.

Konkurrenca fashitej krejtësisht kur bëhej fjalë për ndonjë të moshuar, që mezi mbahej në këmbë dhe dukej sheshit se ishte i sëmurë. Në të tilla raste, të moshuarit i lihej hapësira e nevojshme, domethënë lejohej nga grupi të hyjë pa radhë e, me t’u shfaqur dikush me ftesë në dorë, ai të kishte mundësi t’i ngjitej menjëherë mbrapa e të hynte spontanisht në bisedë me të.

Me individët pa ftesë të seksit femër, ndodhte ndryshe, ato jo vetëm toleroheshin nga konkurrentët për të shkelur radhën, porse edhe pa këtë privilegj, rojat e pritjeve dinin ta respektonin seksin e dobët. Pikërisht dikë nga ky kontingjent hasa në pritjen time të parë në një ambasadë latino- amerikane, në hyrjen e së cilës m’u afrua një grua e moshuar kockë e lëkurë, me fytyrë mbuluar nga një tepri kremrash, e cila m’u drejtua me një zë të njomë:

– Zotëri, më falni, por do desha të hyj në pritje në shoqërinë tuaj, pasi… pasi kam harruar ftesën time në shtëpi.

– Patjetër, zonjë, – pranova unë.

Por, papritmas, aty pranë kërceu një tjetër grua e moshuar:

– Bah, zotëri, zonjëza po shfrytëzon pa skrupull mungesën tuaj të përvojës në fushën e mashtrimit me ftesa. Ç’qenka kjo harresë?! Zhënevievë, pse s’thua të vërtetën?! Po kush i dërgon asaj ftesë, zotëri?!

Zonja, që sapo kishte hyrë në shoqërinë time, ia ktheu aty për aty:

– Mjaft tani, Bernadetë, nuk të takon ty të flasësh në këtë mënyrë. Unë kam ardhur para jush dhe thjesht po kërkoj një gjest mirësjelljeje nga zotëria dhe ti s’ke pse përzihesh.

Tha kështu dhe më futi natyrshëm krahun e saj të hollë. Hymë brenda dhe nuk e mora vesh nëse zonja me emrin Zhënevievë fliste me vete, apo e kishte me mua tek mërmëriste:

– Zot, sot ka humbur krejt mirësjellja… Në kohën tonë nuk ndodhte kurrsesi kjo gjë… – fliste dhe, e revoltuar, tundte kokën e saj të vogël.

Zonja nuk priti të miratoja ato që thoshte, por sapo hymë brenda, shkëputi krahun nga mua dhe pa asnjë hezitim u hodh e babëzitur në drejtim të tavolinave.

Në dalje Zhënevieva mu afrua përsëri dhe pasi më futi e shpenguar krahun më prezantoi me një burrë të shkurtër, i cili më buzëqeshi ngrohtë dhe tha:

– Zotëri, le të prezantohemi, unë jam gazetar në profesion të lirë dhe, sot kam harruar…

– Ftesën, – kërceu e moshuara.

– Pikërisht, – tha burri gjithnjë i qeshur. Pra, ndofta e keni ende me vete dhe…

Nuk e lashë të mbaronte, i dhashë ftesën time, ndërsa ai më falënderoi duke u përkulur thellësisht dhe më la në dorë një kartëvizitë, ku shkruhej emri “Frank, gazetar i lirë”.

Franku më telefonoi pas dy ditësh:

– Siç duhet të jeni në dijeni, sot e ka Spanja. Do vini besoj?

– Po, i thashë.

– Shihemi para pritjes dhe shkojmë bashkë, – tha ai.

– Ftesa është personale, – iu përgjigja menjëherë.

– S’ka problem, – tha. Edhe po më kthyen, unë nuk kundërshtoj, dal vetë. Por e kam, si të themi, fiksim këtë ftesë. Dhe a e dini përse?

– Jo, – i thashë.

– Jam i detyruar t’ju them një intimitet. Dua të kapërcej, si të thuash, rekordin e vjetshëm, ku munda të marr pjesë në 92 pritje.

– Po këtë vit sa keni kapur? – e pyeta.

– Aty te 72- shi, por ka ende kohë, deri në fund të vitit janë një sërë pritjesh ambasadash të vogla, të cilat mezi presin t’u shkojnë njerëz, pasi, të flasim hapur, nuk është se i përfill njeri. Veçse duhet pranuar se aty ka më shumë ekzotikë.

U kujtova për një tjetër pritje të nesërmen në UNESCO, ku mund t’i jepja një ftesë, pasi kisha dy të tilla.

– Bah! – tha Franku. UNESCO ka rënë mjaft. Ka kohë që aty s’ia vlen mundimi i rrugës. Si është ftesa, tek apo çift?

I thashë çift. Ai psherëtiu i lehtësuar. Të nesërmen, Franku më priste para pritjes së UNESCO-s, në krah të një mesogruaje, të cilën ma prezantoi si një mikeshë të tij dhe, me të marrë ftesën, u fut brenda, mbajtur në krahun e mikeshës së vet.

– Oh, po ky është kulmi, – m’u afrua shoqja ime e moshuar. Ky xhuxh, veçse po na hap probleme duke na sjellë çdo natë nga një zonjë, me shpresë se do gjejë grua duke e joshur me ftesa kallpe. Ka mbledhur në shtëpi një koleksion të tërë ftesash nga vitet e kaluara, – shpjegonte zonja, – dhe hyn me to në dorë nëpër pritje festash, duke fshehur si rastësisht atë pjesë të ftesës, ku duket viti dhe lë t’i duket vetëm pjesën, ku duket flamuri kombëtar i vendit përkatës. Natyrisht që gratë nuk e dinë këtë marifet dhe pranojnë shoqërinë e këtij buburreci, i cili bën karshillëk, sikur bën pjesë në listat e të ftuarve të vërtetë. Për ne që e dimë të vërtetën, ai pretendon se vjen nëpër pritje mondane, për shkak se nuk e duron dot vetminë. Por të gjithë e dimë se ai thjesht kërkon të gjejë grua, duke dashur t’i mashtrojë ato me gjoja klasin e tij të lartë. Veçse gratë ia pijnë menjëherë lëngun, sapo futen në pritje e, pasi denden mirë, nisin e hargalisen me ndonjë mashkull për së mbari, kurse Franku na bën be e rrufe se nuk do i ftojë më.

Në pritje Franku m’u afrua dhe më prezantoi një bullafiq, i cili, pas një bisede jo më shumë se dy minuta, teri në fytyrë një pamje konspirative dhe pyeti me zë të ulët:

– Zotëri, përfitoj nga rasti për t’ju pyetur nëse vendi juaj do ishte i interesuar për të blerë me çmim të arsyeshëm, për të mos thënë falas, disa armë të sofistikuara.

– Jo, faleminderit, – i thashë.

– Gjithsesi, nëse nuk jeni kundër, i shkëmbejmë kartëvizitat, nuk i dihet, – tha, – më vonë mund të ndryshoni mendim. Mori kartëvizitën dhe u largua me po atë pamje konspirative.

– Ç’bëhet, – tha Franku, me t’u larguar zotëria. S’hoqi që s’hoqi dorë nga ky marifet, unë i bëj nder e prezantoj me Ju, ai rropatet të lerë përshtypjen se është i shërbimeve të fshehta dhe të sigurojë ftesa. i ka dalë boja, të gjithë e dinë se nuk ia var njeri, as shërbimet e fshehta, as ato jo të fshehta. Ç’nuk i pjell mendja qenies njerëzore për të kapur një ftesë! – psherëtiu Franku dhe, ashtu i kërrusur, u largua me hap të avashtë.

Frankun nuk e pashë nëpër pritje për një kohë të gjatë. Gati gjashtë muaj më pas m’u shfaq para hyrjes së një pritjeje kishtare. Ishte i vetmuar, me fytyrë të zbehtë. Më qeshi me dashamirësi, më futi krahun dhe ne hymë në pritje si dy miq të vjetër. Me të hyrë brenda, Franku i hodhi një sy të shpejtë tavolinave dhe, pasi më tha një faleminderit të thatë, u drejtua nga tryeza me ushqime. Hante i uritur si një urith ndër pjatat e pakta dhe kthente me shumicë gotat me shampanjë.

Përballë zellit të tij të tepruar për alkool, famullitari i kishës që shërbente në pritje, tregoi kujdes të mos nxirrte më nga sirtarët shishe shampanje…

– Më vjen keq, shampanja mbaroi! – shpalli famullitari.

Franku pranoi përunjësisht dhe u largua pa folur. Të nesërmen mbrëma më telefonoi zonjëza e moshuar. Pasi më dha lajmin e hidhur se Franku kish ndërruar jetë dhe se kështu e ka jeta, më kërkoi mos kisha ndonjë ftesë për pritjen e portugezit.

– Si na la Franku? Nga se? – u befasova unë.

– Ndërroi jetë, pa njeri te koka. Megjithë ato favore që u kishte bërë grave, asnjëra për bé s’iu ndodh pranë… Iu preftë shpirti asaj krijese të vetmuar! E pra, të thuash se i kishte munguar trajtimi i mirë.

– Ç’trajtim? Me sa kisha kuptuar ai jetonte vetëm.

– E kam fjalën për ushqimin cilësor që konsumonte nëpër pritjet tona, pra… I shkova në varrim, por veç meje, për be, nuk kishte as një nga gjoja miqtë e pritjeve mondane apo atyre bishtdredhurave që ai i kishte futur nëpër pritje me shpresë se do martohej një ditë.

Para hyrjes së pritjes së portugezit, zonjëza më kërkoi ftesën dhe, pasi ia dha dikujt, më mori për krahu dhe nuk ma shqiti, derisa kaluam hyrjen, ndjekur nga vështrimet xheloze të grupit kundërshtar. Me të hyrë brenda, me shprehjen e asaj që revoltohet thellësisht me disa njerëz më pëshpëriti në vesh:

– Bah, ç’qenie të çuditshme!

– Kush? – e pyeta.

– Ata tek hyrja, presin gjithë ditën para pritjeve të ambasadave, me shpresë të njohin dikë që do t’i futë brenda, dhe kur nuk i merr njeri kthehen në shtëpitë e tyre, për të verifikuar festën kombëtare të radhës.

Tha kështu dhe tundte kokën e habitur me natyrën njerëzore.

Botuar për herë të parë në “Courrier international, Le Monde”, tetor 2013.

Botohet me lejen e autorit.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.