Art nga qelia Nga Valbona Nathanaili

Art nga qelia

Nga Valbona Nathanaili

Art nga qelia” quhet ekspozita e hapur në një nga mjediset e City Park e ideuar dhe zbatuar nga Zylyftar Bregu. Punët e ekspozuara dhe në shitje për publikun si, piktura, qëndisje, krijime me rruaza, punime në dru dhe me kashtë, kanë një origjinë pak të veçantë: të gjitha janë krijuar nga të burgosur, gra e burra që vuajnë dënimet në burgje të ndryshme të Shqipërisë, por që falë këtij projekti kanë mundësi të vendosin një lloj komunikimi të ri me botën jashtë. Surpriza i kalonte pritshmëritë – brenda pak minutash u shitën pothuaj të gjitha objektet e ekspozuara dhe u kryen porositë e radhës. Në përballjen e parë të “Artit të qelisë” me publikun, suksesi ishte i padiskutuar. Individë, që deri dje ishin thjesht një numër për institucionet e dënimit ose një statistikë për studiuesit e shkencave sociale, falë kësaj përpjekjeje referohen si “artistë”, si krijues.
Për projektin e z. Bregu, fakti që krijuesit janë në kushtet e izolimit, më shumë se pengesë është përparësi. Sikundër shprehet edhe vetë, ideja e shndërrimit të një hapësire mbushur me të dënuar të izoluar, që shpesh ndjehen të braktisur dhe, akoma më shpesh, të lodhur nga pamundësia për të ndihmuar financiarisht të afërmit që kanë lënë jashtë, në një mundësi për t’i dhënë një dimension të ri “mbylljes” së tyre, po bëhet pothuaj e zakonshme në të gjithë botën e përparuar. Dhe jo vetëm me efekte pozitive ekonomike e fizike për disa individë të përfshirë dhe familjet e tyre, por edhe për të gjithë ne, pasi kontribuon direkt në krijimin e një “bërthame” kapitali social, pikërisht aty ku shpresat për krijimin e tij janë më të pakta.

Duke përdorur një sërë mjetesh, të mundura e të pamundura; duke shfrytëzuar shumë burime, formalë e informalë, Zylyftari ka arritur të bëjë realitet një përpjekje, e cila kërkon të gjithë vëmendjen e duhur për t’u shndërruar në një procedurë nga institucionet përkatëse. Është e qartë se listimi i mundësive për përfshirje i të burgosurve në aktivitete të ndryshme sociale është një çështje shumë specifike dhe është më e thjeshtë kur ‘thuhet’ se ‘zbatohet’, por mendoj se apeli është i qartë: kemi nevojë për politika, plane, investime, iniciativa dhe rregullore me qëllim që të orientojmë zhvillime të ngjashme.

Të krijonte një ndjenjë të veçantë, pse jo emocionuese, fakti që krijimet ishin realizuar nga disa njerëz “ndryshe”, jo nga ata pak të privilegjuar që kanë fatin ta kenë artin si profesion, veprat e të cilëve jemi mësuar të shohim dhe të gjykojmë sa herë bëhet fjalë për art. Për këtë arsye, por ndoshta edhe për të tjera që gjithkush mund të listojë si rrjedhojë e perspektivave personale, ndërveprimet formale e informale që krijohen jo vetëm ndërmjet atyre që janë brenda me njëri-tjetrin, në kushtet e burgut, por edhe me ne jashtë, si rrjedhojë e këtyre krijimeve, mund të shërbejnë si një bazë e mirë për zhvillime të mëtejshme, për të bërë të mundur veprime që, ndoshta, në kushte të tjera, do kishte qenë e pamundur të ndërmerreshin. Me një ndjenjë përgjegjshmërie dhe përkushtimi, mendoj se Bregu po ndihmon në transformimin e “atyre”, në “individë”, me emra e copëza të vogle historie, duke i larguar nga “ata” dhe futur në “ne”, duke na ndihmuar të zhvillojmë një histori tonën, me synime, sfida dhe, pse jo, mësime të përbashkëta.

***
Shohim e dëgjojmë për vende që i kanë mbyllur institucionet e burgut, ose ku kushtet janë si në hotele të kategorisë së parë, por që na duken “ëndrra me sy hapur”. Ne jemi këta që jemi, me krime e vrasje që ndodhin pothuaj çdo ditë. Për rrjedhojë, çfarë ndodh brenda burgut duhet të shndërrohet në pjesë të shqetësimit të të gjithëve. Fakti që në ceremoninë e hapjes ishte i pranishëm edhe vetë drejtori i përgjithshëm i burgjeve, tregon se ideja jo vetëm është pranuar, por edhe është mbështetur me të gjithë mekanizmat e duhur. Nga ana tjetër, duhet të kërkojmë që zbatimi i një projekti të tillë të bëhet burim për ideimin e një lëvizjeje sociale, për krijimin e një historie të re, ndryshe nga ato që dëgjojmë përditë në kronikat e lajmeve.

Përpara shumë vjetësh, në kuadër të një aktiviteti, së bashku me një grup të rinjsh të zgjedhur nga një shkollë e mesme e Tiranës, kam vizituar burgun e të miturve në Vaqar. Vënia përballë e dy botëve të ndryshme, botës “si duhet të jetë” me botën “si është” emocionoi jo pak të dyja grupet e të rinjve, por që për shkak, ndoshta, edhe të moshës, shumë shpejt u gjet gjuha e përbashkët. Projekti i Bregut motivon përfshirje dhe pjesëmarrje aktive, nxit marrëveshje grupi, por nuk duhet të kufizohet me kaq: duhet të bëhet burim edhe për shpërblime të një lloji tjetër, që më shumë se me suksesin financiar, të lidhen me kohëzgjatjen e dënimit. Në këtë mënyrë, jo vetëm shkalla e komunikimit dhe e bashkëpunimit do të jetë më e gjerë, por edhe vetë demokracia do shkojë në një nivel më të lartë, në demokraci pjesëmarrëse.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.