Antonio Gramsci

Antonio Gramsci. Analizë e ideve të tij, sipas George Ritzer & Jeffery Stepnisky

Shkëputur nga libri “Teoria sociologjike”, me autorë George Ritzer & Jeffery Stepnisky.

Përktheu: Bojken Abazi

 Marksisti italian Antonio Gramsci ka luajtur një rol të rëndësishëm në kalimin nga determinizmi ekonomik drejt mendimeve më moderne marksiste (Salamini, 1981). Gramsci ishte kritik ndaj marksistëve që janë “deterministë, fatalistë dhe mekanikë” (1971:336). Në fakt, ai shkroi një ese, të titulluar “Revolucioni kundër Kapitalit” (Gramsci, 1917/1977), në të cilën ai kremton “rilindjen e vullnetit politik kundër determinizmit ekonomik të atyre njerëzve, të cilët e thjeshtuan Marksizmin, duke përfshire në të vetëm ligjet historike të veprës më të njohur të Marx-it (Kapitali)” (Jay, 1984:155). Megjithëse ai e pranonte ekzistencën e disa rregullave historike, hedh poshtë idenë e zhvillimeve historike automatike, ose të paevitueshme. Për këtë arsye, masat duhet të vepronin në mënyrë që të sillnin revolucionin shoqëror. Por në mënyrë që të vepronin, masat më parë duhet të ndërgjegjësoheshin për gjendjen e tyre dhe natyrën e sistemit brenda të cilin jetonin. Për rrjedhojë, megjithëse Gramsci e pranonte rëndësinë e faktorëve strukturorë, në mënyrë të veçantë të ekonomisë, ai nuk besonte se këta faktorë strukturorë i çonin masat drejt revoltës. Masat kishin nevojë të zhvillonin një ideologji revolucionare, por ato nuk mund ta arrinin vetë këtë qëllim. Gramsci mbështeste një koncept, disi elitar, sipas së cilit idetë krijoheshin nga intelektualët dhe më pas u transmetoheshin masave, për t’u venë në zbatim nga këto te fundit. Masat nuk mund të krijonin vetë ide të tilla. Nga ana tjetër, idetë vërtet krijoheshin, por masat mund t’i përvetësonin vetëm duke pasur besim në to. Masat nuk mund të vetë-ndërgjegjësoheshin: ato kishin nevojë për ndihmë nga elitat shoqërore për ta bërë këtë gjë. Megjithatë, pasi masat të ndikoheshin nga këto ide, ato vetë do të ndërmerrnin veprimet që do të çonin drejt revolucionit shoqëror. Gramsci, ashtu si dhe Lukacs, u përqendrua më shumë mbi idetë kolektive sesa mbi strukturat sociale si ekonomia dhe, të dy bashkë, vepruan brenda kufijve të teorisë tradicionale marksiste.

Koncepti kryesor i Gramsci-t, një koncept që pasqyron hegelianizmin e tij, ishte hegjemonia (për një përdorim bashkëkohor të konceptit të hegjemonisë, referoju diskutimit mbi veprën e Laclau dhe Mouffe të paraqitur në vijim të këtij kapitulli; Abrahamsen, 1997). Sipas Gramsci-t, “përbërësi kryesor i filozofisë më moderne të ‘praksis’ (lidhja midis mendimit dhe veprimit) është koncepti historiko-filozofik i ‘hegjemonisë’” (1932/1975:235). Hegjemonia përkufizohet nga Gramsci si një lloj udhëheqje kulturore e ushtruar nga klasa drejtuese. Ai e veçon hegjemoninë nga imponimi i ushtruar nëpërmjet “pushteteve legjislative dhe ekzekutive, ose të shprehur me anë të ndërhyrjes policore” (Gramsci, 1932/1975:235). Ndërsa marksistët ekonomikë kishin prirjen ta vinin theksin mbi ekonominë dhe aspektet imponuese të sundimit shtetëror, Gramsci theksonte “hegjemoninë dhe ‘udhëheqjen kulturore’” (1932/1975:235). Në një analizë të kapitalizmit, Gramsci donte të kuptonte se si disa intelektualë, të cilët punonin për interes të kapitalistëve, arrinin që në të njëjtën kohë të siguronin udhëheqjen kulturore dhe aprovimin e masave.

Koncepti i hegjemonisë jo vetëm që na ndihmon të kuptojmë mënyrën e sundimit brenda-për-brenda kapitalizmit, por gjithashtu shërben për të na orientuar për mendimet e Gramsci-t mbi revolucionin. Domethëne, revolucioni nuk mjafton për të siguruar kontrollin mbi ekonominë dhe aparatin shtetëror, pasi nevojitet gjithashtu të arrihet edhe udhëheqja kulturore mbi pjesën tjetër të shoqërisë. Kjo është dhe pika që Gramsci e cilëson si rolin thelbësor që duhet të luajnë intelektualët komunistë dhe një parti komuniste.

Do t’i kthehemi tani teorisë kritike, e cila lindi nga veprat e marksistëve Hegelianë, siç ishin Lukacs dhe Gramsci, dhe që u zhvillua edhe më tej duke u larguar nga themelet e saj marksiste të determinizmit ekonomik.

Foto kryesore: Thanks to https://en.wikipedia.org/wiki/Antonio_Gramsci

Botimin e tetë të të njëjtit libër mund ta gjeni online:  http://sosiologi.fisip.unsri.ac.id/userfiles/Classical-modern%20socio%20theory.pdf

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.