Afirmimi i shtetit shqiptar si subjekt i së drejtës ndërkombëtare Nga Prof. Dr. Ksenofon Krisafi

Afirmimi i shtetit shqiptar si subjekt i së drejtës ndërkombëtare

Nga Prof. Dr. Ksenofon Krisafi

Në këtë shkrim trajtohen, nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare, krijimi i shtetit shqiptar në bazë të vendimit të Kuvendit Kombëtar të Vlorës, të 28 nëntorit të 1912, si dhe përpjekjet për afirmimin e tij ndërkombëtar, nëpërmjet sigurimit të njohjes ndërkombëtare. Vështruar në këtë optikë, rasti i Shqipërisë paraqet një varg specifikash, të cilat e kanë shndërruar atë në një precedent interesant në doktrinën juridike, si dhe ka tërhequr vëmendjen e studiuesve nga fusha të ndryshme të historiografisë dhe jurisprudencës. Në vijim, përmenden dhe analizohen disa prej tyre, siç ishin: refuzimi i njohjes për shtetin dhe qeverinë e krijuar nga Kuvendi i Vlorës, akordimi i njohjes vetëm “krijesave” të themeluara nga Konferenca e Ambasadorëve të Londrës, 1912-1913, procedimi nëpërmjet njohjes kolektive nga vetë Konferenca e Londrës etj.

Argumente

Së pari, është thënë se diplomacia evropiane njohu shtetin shqiptar, por jo qeverinë e parë të tij. Në fakt, duke e analizuar situatën në të gjitha aspektet e zhvillimit të saj, rezulton se ajo nuk njohu as shtetin shqiptar, të afirmuar si subjekt më vete nga Kuvendi Kombëtar, as edhe Qeverinë e Përkohshme të tij. Ajo anashkaloi Kuvendin dhe dy krijesat e tij madhore, shtetin e pavarur dhe qeverinë e vet. Konferenca e Ambasadorëve e Londrës, mbivendosi mbi shtetin dhe qeverinë e krijuar nga Kuvendi i Vlorës, të cilat i shfrytëzoi për një periudhë më shumë se njëvjeçare, një shtet dhe një qeveri të projektuara dhe të ndërtuara prej saj kryesisht në përputhje me interesat e pjesëmarrësve të bashkësisë ndërkombëtare të kohës, nuk njohu shtetin e pavarur shqiptar të shpallur si të tillë nga Lëvizja Kombëtare Shqiptare nëpërmjet vendimit të Kuvendit të Vlorës, por një shtet të tkurrur në gati gjysmën e territoreve të tij.

Së dyti, njohja e Shqipërisë së ridimensionuar në Londër, ishte një njohje kolektive, që erdhi nga një bashkësi shtetesh dhe jo njohje  individuale e ndërmarrë dhe e realizuar nga shtete të veçanta. Ajo përngjasonte me njohjet kolektive që Britania e Madhe, Franca, Rusia dhe Turqia iu kishin akorduar Greqisë nëpërmjet Traktatit të Kostandinopolit, të vitit 1832 apo që Fuqitë e Mëdha, nëpërmjet vendimeve që morën në Kongresin e Berlinit, të vitit 1878, ua kishin akorduar Rumanisë, Serbisë dhe Malit të Zi, të cilët u shkëputën nga Perandoria Otomane.

Së treti, ishte njohje de jure, që ka kuptimin e një njohjeje të qëndrueshme, të plotë dhe përfundimtare, e cila ndryshon nga njohja de facto, që zakonisht shërben si etapë paraprake, tranzitore apo si periudhë prove ndaj shtetit të porsakrijuar, për të shkuar ose drejt njohjes de jure ose drejt revokimit te saj. Megjithatë në rastin e Shqipërisë, Fuqitë e Mëdha, edhe pse me vendimin e korrikut 1913, akorduan njohjen de jure, kishin ende rezerva përsa i takonte të ardhmes së statusit të shtetit shqiptar. E njohën si subjekt të së drejtës ndërkombëtare, e pranuan në bashkësinë e shteteve të kohës dhe vendosën marrëdhënie diplomatike, por i imponuan një varg detyrimesh dhe kushtesh jo vetëm për t’u siguruar rreth aftësive të saj për të ecur drejt të ardhmes së saj politike, por edhe për ta mbajtur nën një kontroll e mbikqyrje institucionale juridiko-ndërkombëtare.

Së këtejmi rrjedh veçantia e katërt, që njohja de jure e Shqipërisë mbetej gjithësesi sui generis. Ajo konsiderohej e pranohej si subjekt i së drejtës ndërkombëtare, por vihej në një tutelë ndërkombëtare, duke iu asfiksuar pothuajse atributet sovrane, specifikë e domosdoshme e një shteti të pavarur dhe subjekti të së drejtës ndërkombëtare. Kjo shfaqet në faktin që ato i rezervuan vetes të drejtën që të ngrinin strukturat shtetërore dhe të organizonin jetën, veprimtarinë politike, ekonomike, sociale, politikën e brendshme e të jashtme, ndërtimin e ushtrisë, xhandarmërisë, hartimin dhe miratimin e kushtetutës, – Statutit të Përkohshëm etj., të Shqipërisë së pavarur, duke e vënë në këtë mënyrë, praktikisht, “pavarësinë” e Shqipërisë në thonjëza.

Së pesti, qëndrimi që u mbajt nga ana e Fuqive të Mëdha ndaj shtetit të pavarur shqiptar në këtë rast mbështetej në parimet e të ashtuquajturës teori konstitutive, të quajtur ndryshe edhe teoria atributive e njohjes, e krijuar nga mesi i shekullit të XIX, për të legjitimuar  dhe për të marrë në mbrojtje veprimet arbitrare të periudhës së absolutizmit. Sipas saj një shtet nuk konsiderohet subjekt i së drejtës ndërkombëtare në momentin e krijimit dhe të daljes së tij në arenën botërore, por vetëm kur fiton njohjen ndërkombëtare nga ana e shteteve të tjerë, zakonisht nga Fuqitë e Mëdha.

Autoritetet shqiptare, menjëherë pas shpalljes së vendimit të Kuvendit të Vlorës, më 28 nëntor 1912, e konsideronin Shqipërinë si gjithë shtetet e tjerë të pajisur me atributet e duhura të subjektit të së drejtës ndërkombëtare. Statusin dhe veprimtarine e tij ato e mbështesnin në parimet e teorisë deklarative të njohjes, sipas së cilës shteti ekziston si subjekt i së drejtës ndërkombëtare që në çastin e deklarimit të daljes së tij si shtet i pavarur. Për të njohja s’ishte gjë tjetër veçse pohimi dhe deklarimi i një fakti, i një realiteti që ekzistonte tashmë dhe që priste vetëm të konfirmohej. Ishte kjo arsyeja pse, pa pritur përgjigjet për kërkesat e njohjes ndërkombëtare që ua kishte drejtuar Fuqive të Mëdha dhe shteteve të tjerë, shteti shqiptar dhe organet e tij qendrore e lokale, legjislative, ekzekutive e gjyqësore, kishin filluar veprimtarinë normale.

Së gjashti, autorë të huaj që kanë shkruar për Shqipërinë për këtë çështje, ose edhe për aspekte që e prekin atë shkarazi, e kanë trajtuar në mënyrë të njëanshme vendimin e korrikut të Konferencës së Ambasadorëve të vitit 1913 për njohjen e shtetit shqiptar. Duke komentuar vlerën e tij juridiko-ndërkombëtare, si dhe duke dashur t’i përgjigjen pyetjes nëse ai (vendimi) kishte ose jo cilësinë e aktit të themelimit të shtetit shqiptar, kanë ekzagjeruar rëndësinë dhe kuptimin e tij – i kanë dhënë atributin e aktit kushtetues të shtetit shqiptar, i cili siç pretendojnë ata, është “vepër ndërkombëtare” sepse u krijua nga Konferenca e Londrës.

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.