A po pakësohet varfëria?

A po pakësohet varfëria?  

Në vitin 1964, kur Presidenti i ShBA-së Lindon Xhonson i shpalli “luftë varfërisë”, i kërkoi ekonomistes Mollie Oshansky të përcaktonte pragun e varfërisë, thënë ndryshe, një minimum të ardhurash të nevojshme për të mos qenë i varfër. Sipas Oshansky, varfëri do të thotë “të ardhura të pamjaftueshme për të siguruar ushqim, strehim dhe veshjet e nevojshme për të ruajtur shëndetin”. Sigurisht që kërkesat minimale për strehim dhe për veshje ishin të vështira për t’u vlerësuar, por jo edhe kërkesat për ushqim. Në vijim të përkufizimit të ekonomistes, Departamenti i Bujqësisë i ShBA-së përcaktoi disa lloje dietash që plotësonin kërkesat minimale ushqimore. Kështu që Oshansky e quajti të përfunduar me sukses detyrën duke zgjedhur dietën më pak të kushtueshme, të cilën e shumëzoi me tre: një e treta për ushqim, një e treta për strehim dhe një e treta për veshje. Në këtë mënyrë u vlerësua pragu i varfërisë, ose  kufiri i të qenit i varfër. Kushdo që binte nën atë prag, klasifikohej si i varfër (Andrew, 1999).

Por ky sistem kishte problemet e veta! Së pari, strehimi dhe veshja kushtojnë shumë më tepër se ushqimi. Së dyti, nuk merrnin parasysh ndryshimet e mëdha të kostos së jetesës në rajone të ndryshme të Shteteve të Bashkuara. Për shembull, në Omaha ushqimet kushtojnë 24% më pak se në Çikago, 22% më pak se në Boston dhe 30% më pak se në Kuins të Nju Jorkut. Strehimi në Omaha kushton sa gjysma e çmimit në Çikago dhe 53% më pak se në Boston ose në Kuins. Akoma, ky lloj kufiri varfërie nuk merr parasysh faktorë si kujdesin për fëmijët, kujdesin shëndetësor dhe transportin, që janë po aq të nevojshme për të ruajtur shëndetin.

Në rrjedhojë të problemeve që paraqiste një përkufizim i tillë, sociologu Fred Block, paraqiti një perceptim tjetër për të ilustruar varfërinë dhe standardet e jetesës. Në vend të “kufirit të varfërisë”, Blocku llogariti “kufirin e ëndrrës”, ose  thënë ndryshe, bëri vlerësimet e kostos që ka versioni i pazbukuruar i ëndrrës amerikane, për një familje me katër veta dhe jeton në zonat urbane ose në periferinë e qyteteve. Kjo llogaritje përfshin katër elementë: strehimin (zotërimi i shtëpisë për një familje të vetme), kujdesin e cilësisë së lartë për fëmijët, mbulimin e plotë të kujdesit shëndetësor dhe arsimimin më të lartë të mundshëm (aq kursime sa duhen për të siguruar ndjekjen e universitetit publik ose të kolegjeve katërvjeçare për të dy fëmijët).

Nga llogaritjet, “kufiri i ëndrrës” e kapërcen shumën prej 46 509 dollarë/vit që, sipas statistikave, përsëri është shumë e vogël, sepse si mesatare kombëtare as nuk i afrohet shumës që njerëzit paguajnë për këto shërbime në zonat kryesore metropolitane. Aktualisht, nëse të dy prindërit e një familjeje punojnë me një rrogë minimale, ata fitojnë 20 600 dollarë /vit dhe kjo është më pak se gjysma e ëndrrës amerikane. Duket se “ëndrrën amerikane” nuk e arrijnë dot shumë amerikanë. Dhe çfarë është më e trishtuar, ëndrra amerikane është më e vështirë për t’u arritur sot, nga sa ka qenë për një brez më parë. Në periudhën 1973-2003, kostot e strehimit janë rritur me 515%, ato të kujdesit për fëmijët me 736%, arsimi i lartë është shtrenjtuar me 679% dhe sigurimi shëndetësor është shtrenjtuar me 1 775%, ndërsa të ardhurat mesatare për një familje me katër anëtarë janë rritur me 21.9%.

Ndërkohë, ndonëse Shtetet e Bashkuara zënë vendin e dytë në botë për GDP/person më të lartë në botë (pas Luksemburgut), përsëri 12,6% e popullsisë jeton nën pragun e varfërisë [Agjencia Qendrore e Zbulimit, 2007; Zyra Amerikane e Regjistrimit, 2006; Banka Botërore, 2006; “GDP/person” është prodhimi i brendshëm bruto, vlera e përgjithshme e mallrave të prodhuara në një vend e pjesëtuar me numrin e banorëve – një masë standarde e pasurisë totale të zhvillimit ekonomik të një vendi. GDP/person tregon fare pak për shpërndarjen e pasurisë dhe asgjë se çfarë zotëron një familje, ose nëse ajo pasuri është ndarë vërtet në mënyrë të barabartë për secilin].

Jo të gjithë të varfrit janë të papunë

Një raport i vitit 2005 i Departamentit të Punës i ShBA pohon, se tre në pesë njerëz të varfër kanë qenë të punësuar me kohë të plotë, por përsëri të ardhurat e kësaj kategorie nuk e kapërcenin kufirin zyrtar të varfërisë.

Fëmijët dhe familjet me një prind grua kanë më tepër gjasa për të shtuar radhët e të varfërve

Trembëdhjetë milionë fëmijë amerikanë në moshën 18 vjeç jetojnë në familje me të ardhura nën kufirin zyrtar të varfërisë dhe ky numër është gjithnjë në rritje (Fass dhe Cauthen, 2006). Fëmijët e vuajnë më shumë se të rriturit kujdesin e pakët shëndetësor, ushqimin e dobët dhe kushtet e pashëndetshme të jetesës. Efektet e varfërisë bëhen të dukshme në vdekshmërinë foshnjore, një e dhënë që tregon se sa fëmijë mbijetojnë vitin e parë të jetës së tyre dhe sa shumë vdesin nga kequshqimi, nga sëmundjet, nga aksidentet dhe nga braktisja. Shkallët më të ulëta të vdekshmërisë foshnjore i gjejmë në shtetet tepër të industrializuara, si Suedia (2.77 vdekje për 1.000 fëmijë), Japonia (3.28) dhe Spanja (4.48).

Feminizimi i varfërisë

Studiuesit e shkencave sociale argumentojnë se varfëria po “feminizohet” gjithnjë e më shumë, që do të thotë se gratë përbëjnë një numër gjithnjë më të madh njerëzish të varfër. Imazhi i mashkullit të varfër është zbehur dhe sot po zëvendësohet me atë të një nëne të vetmuar. Ky feminizim i varfërisë nuk ka qenë kurrë më i dukshëm se sot në radhët e të varfërve mbi moshën 18 vjeç, ku statistikat japin këto shifra: 61% janë gra dhe 39% janë burra. Nga të gjitha familjet e varfra, ato që drejtohen nga gratë përbëjnë 51% të familjeve të varfra. Gjatë 40 vjetëve të fundit, numri i familjeve me një prind që drejtohen nga gratë është rritur më tepër se dy herë (Zyra Amerikane e Regjistrimit, 2006). Në vitin 2000, 11% e të gjitha familjeve në Shtetet e Bashkuara jetonin në varfëri dhe 28% e tyre qenë familje të drejtuara nga nëna të vetmuara (Dalakar, 2001).

Të mbash një familje është e vështirë për nënat e vetmuara edhe sepse rrogat e grave janë shpeshherë më të ulëta se të burrave. Kjo pabarazi vihet re në shkallë globale. Në vendet e varfra gratë vuajnë dyfishin e mungesave: mungesat që ka jeta në një vend të varfër dhe mungesat që u imponohen sepse janë gra. Në vendet me të ardhura të larta, gratë jetojnë shumë më gjatë se burrat: në Francë jetojnë 8.26 vjet më tepër se burrat, në Zvicër 7.23 vjet dhe në Shtetet e Bashkuara 6.55 vjet. Por në vendet me të ardhura të ulëta, hendeku i jetëgjatësisë midis grave dhe burrave është shumë më i ngushtë: në Zaire 3.29 vjet, në Sudan 2.40 vjet dhe në Indi 1.10 vjet. Madje në Nepal dhe në Guine kjo diferencë jetëgjatësie është e përmbysur: burrat jetojnë pak më gjatë se gratë. Gjithsesi, për disa studiues, arsyeja për këtë hendek të ngushtë në jetëgjatësinë midis grave dhe burrave është shkalla e lartë e vdekjeve mes burrave, si pasojë e niveleve të larta të krimit, aksidenteve në punë dhe luftërave të përhershme. Dhe sigurisht që gratë vuajnë në ato shoqëri, ku e tërë jeta e tyre përmblidhet te lindja dhe rritja e fëmijëve.

Shpjegimi i varfërisë          

Pse ka njerëz të varfër në botë? Mos ndoshta sepse kanë lindur të varfër dhe nuk punojnë aq sa duhet për t’i shpëtuar varfërisë? Apo sepse i pengon ndonjë problem fizik, intelektual a emocional që mund të kenë? Një shpjegim i përgjithshëm është se njerëzit janë të varfër, sepse u mungon iniciativa, energjia, ambicia e disiplina. Në një vëzhgim të kryer në ShBA u shtrua pyetja: “Mendoni se ndryshimet në pozitën sociale të njerëzve janë të pranishme, sepse pasqyrojnë atë që bënë njerëzit me mundësitë që patën?” 73% e të anketuarve u përgjigjën “Po”. Pra, në ShBA ekziston besimi i rrënjosur prej kohësh se njerëzit janë të varfër sepse janë të pamotivuar, dembelë dhe nuk përpiqen aq shumë në jetë, ose sepse ata nuk duan të punojnë.  Një varfëri e tillë quhet “varfëri e papërligjur”. Ndërkohë që kemi edhe një kategori tjetër të varfërish, “të varfrit e përligjur”, ku hyjnë përgjithësisht vejushat, jetimët, fëmijët dhe të gjymtuarit, të cilët nuk mund ta shmangin dot varfërinë.

Krejt ndryshe ndodh për shembull në Francë. Nëse dikush sheh një të varfër, pavarësisht kategorisë ku mund të përfshihet në një studim, perceptimi i tij është se shteti ka dështuar. Le t’i përmbahemi kësaj linje, pra varfërisë si problem strukturor dhe jo si dështim personal. Shtrohet çështja: Njerëzit janë të pamotivuar dhe u mungon ambicia sepse janë të varfër, apo janë të varfër, sepse u mungon ambicia?

Në librin Nickel and Dimed (2001) gazetarja e mirënjohur, Barbara Ehrenreich, përshkruan një eksperiment të tillë. Ajo vendosi të jetojë me rrogë minimale për një vit.  E “maskuar” si e varfër, kërkoi dhe e morën në punë si kameriere në Florida, si shërbyese në Mejn dhe si punonjëse në firmën Wal-Mart në Minesota. Në fillim u shqetësua se nuk do të ishte e aftë të ruante maskimin. Sipas saj, koleget e punës do të vinin re shumë shpejt inteligjencën dhe kompetencën e saj më të madhe dhe do të kuptonin që nuk ishte “një prej tyre”, ose  që bosi do ta pikaste e do ta caktonte shpejt në një post menaxherial. Por nuk ndodhi asnjëra! Ehrenreic nuk ishte as më e mprehtë dhe as më kompetente se sa të tjerat në punët me rrogë minimale. Kur u kthye sërish në profesionin e saj si gazetare e mirënjohur, arriti në përfundimin se stili i saj i jetës së privilegjuar kishte të bënte fare pak me energjinë, ambicien, inteligjencën dhe talentin, por  shumë më tepër me pozitën sociale. Sipas antropologes Katherine Newman, njerëzit e varfër punojnë më shumë se njerëzit e pasur – shpesh herë duke bërë edhe dy punë të vështira dhe rraskapitëse (Newman, 1999).

Kultura e varfërisë

Në vitin 1965, sociologu Oscar Lewis hodhi tezën e kulturës së varfërisë (Lewis, 1965), sipas së cilës varfëria nuk është rezultat i paaftësive individuale, por i faktorëve më të gjerë, socialë dhe kulturorë. Fëmijët e varfër rriten me besimin se nuk kanë pse të rropaten dhe se është e kotë të punojnë për të përmirësuar kushtet e tyre. Në rrjedhojë, i nënshtrohen kushteve të  një jete në varfëri. Varfëria transmetohet nga njëri brez në tjetrin.

Ne përpiqemi ta sfidojmë një nocion të tillë, veçanërisht në ShBA: “Amerika është një shoqëri e hapur. Ajo që njeriu arrin në jetë, nuk varet nga mjedisi familjar, por nga aftësitë që ka dhe nga arsimimi që kërkon ai vetë.” Një pohim të tillë e miratojnë 84 % e të anketuarve të klasës punëtore, 87% e të anketuarve të klasës së mesme dhe 80% e të anketuarve të klasës së lartë (80%).

Strukturat e pabarazisë

Sot pranohet gjerësisht se varfëria vjen nga faktorë të shumtë, kombëtarë e ndërkombëtarë, faktorë që shpesh asnjë individ nuk është në gjendje t’i kontrollojë, si ndryshimet ekonomike, globalizimi, racizmi dhe politikat qeveritare (për shembull, rrogat minimale, sigurimet shoqërore, financimet publike ose  subvencionimet e kujdesit shëndetësor e të kujdesit të përditshëm për fëmijët dhe iniciativa të tjera kundër varfërisë). Varfëri do të thotë arsimimi i mangët, shkallë e lartë e sëmundjeve kronike, kujdes shëndetësor i dobët ose inekzistent, strehim i papërshtatshëm, mundësi më e madhe për të qenë viktimë e krimit dhe gjasa më të shumta për t’u etiketuar si kriminel.

Pra, nuk duhet të pohojmë se pasuria dhe varfëria janë atribute të individëve. Përndryshe është justifikim! Akoma, nuk duhet të pranojmë se vetëm ata që punojnë shumë dhe sakrifikojnë shumë ia dalin në krye, kurse ata që nuk i kanë bërë këto, nuk ia kanë dalë!

Pasuria dhe varfëria janë tipare strukturore të një shoqërie, janë relative dhe varen më shumë nga cili jeni, se sa nga sa shumë punoni.

Pasuria dhe varfëria janë të lidhura me njëra-tjetrën. Të varfrit janë të varfër sepse të pasurit janë të pasur. Garantimi i një stili jetese prej të pasuri kërkon që disa njerëz të jenë të varfër. Varfëria shpie në pakësimin e shanseve për jetë më të mirë, kufizimin e mundësive për të siguruar kujdes shëndetësor e arsimim. Varfëri do të thotë varësi nga puna e mungesë mundësie për të shijuar pak kohë të lirë. Njerëzit që ndodhen në majë të hierarkisë sociale kanë burime që u sigurojnë shfrytëzimin e të gjitha mundësive që u paraqiten, duke filluar nga zgjedhja e një shkolle e trajnimi nga më të mirët, deri te kryerja e një pune edhe të papaguar. Për më tepër, burimet u shumta u lejojnë njerëzve të klasës së lartë të përballen e dalin me sukses nga një interval i gjerë problemesh që të vë përpara jeta, si sëmundje dhe aksidente, procese gjyqësore dhe papunësi, që rrënojnë jetën e njerëzve të varfër. Avantazhet nisin herët dhe mbeten për tërë jetën.

Përsëri “Ëndrra amerikane”

Për breza të tërë, thuajse çdo fëmijë amerikan është rritur duke dëgjuar se në Amerikë “mund të bëheni edhe President i Shteteve të Bashkuara”. Si provë të kësaj tregohet e ritregohet  historia e Abraham Linkolnit (1809-1865), lindur në një kasolle druri dhe që shkruante ku të mundej,  sepse nuk mund të gjente letër. Por sipas librit Abraham Linkolni: Njeriu pas miteve (Oates, 1994), Linkolni vërtet ka lindur në një kasolle druri pranë Hodgenvill-it në Kentaki, por nuk ka qenë aspak i varfër. Në kohën e tij, kasollet prej druri kanë qenë të zakonshme në zonat e largëta, ndërkohë që familja zotëronte një fermë me 238 akra tokë dhe babai i tij ishte një nga pronarët më të mëdhenj të zonës. Dhe sigurisht kishte edhe letër edhe penë për të bërë detyrat e shtëpisë.

Pakësimi i varfërisë

Në vitin 1964, kur Presidenti Xhonson i shpalli “luftë varfërisë”, ishte optimist se ishte një luftë që mund të fitohej. Gjysmë shekulli më vonë varfëria tregoi se është një armik më i vështirë nga sa mund të mendohej. Dhe jo sepse njerëzit e varfër janë mësuar me varfërinë aq sa nuk dëshirojnë të punojnë për të shpëtuar prej saj, por sepse themelet strukturore të varfërisë duket se janë të rrënjosura thellë. Gjysma e popullsisë së botës, ose afro tre miliardë njerëz, sot jetojnë me më pak se një dollar në ditë. Prodhimi i Përgjithshëm Bruto i 48 vendeve më të varfra të botës, që përbëjnë 25% të kombeve të globit, është më i vogël se pasuria e tre popujve më të pasur të botës të marrë së bashku. Gjithsesi, në ditët e sotme, numri aktual i të varfërve të botës është pakësuar: në vitin 2001 jetonin në varfëri 390 milionë njerëz më pak se 20 vjet më parë.

 Pakësimi i varfërisë, Shqipëria dhe ëndrra shqiptare

Përpjekjet janë për ta pakësuar varfërinë! Shoqëri të ndryshme zbatojnë strategji të ndryshme. Në të vërtetë në të gjitha vendet industriale zbatohet sistemi i mirëqenies sociale, që u siguron të gjithë qytetarëve mundësitë strukturore themelore për të dalë nga varfëria, sistem që përfshin arsim falas, kujdes shëndetësor kombëtar, ndihmë dhe strehim social. Shqipëria është një prej atyre vendeve që nuk i plotëson këto kërkesa strukturore themelore dhe, për këtë arsye, njerëzit e varfër shpenzojnë pothuaj gjithë të ardhurat për strehim, kujdes shëndetësor, veshje dhe ushqim. Nga ana tjetër, përpjekjet për të pakësuar varfërinë janë mbështetur, kryesisht, në ndihmën e “jashtme”: fonde nga vende më të pasura, organizata të ndryshme bamirëse, Organizata Botërore e Shëndetësisë etj. Duhet theksuar edhe keqpërdorimi që u është bërë fondeve për ndërtimin e mirëmbajtjen e infrastrukturës (rrugëve, spitaleve dhe shkollave) ose për të mbështetur prodhimin bujqësor që do të thotë se shumë pak nga paratë e mbledhura për këtë punë kanë përfunduar vërtet tek të varfrit. Varfëria vazhdon të jetë pjesë e së përditshmes në Shqipëri dhe një fenomen pothuaj i zakonshëm, ndërsa “ëndrra shqiptare” nuk ka ekzistuar ndonjëherë, të paktën jo në kuptimin amerikan!

 

Burimi

Sociologjia sot. Autorë  Michael Kimme, Amy Aronson. Me ndihmën e Jeffery Dennis. Përpiloi dhe përshtati Valbona Nathanaili

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.