Kosova në histori Nga Michael O’Reilly

Kosova në histori

Nga Michael O’Reilly

Për Kosovën, emërtesa dhe e drejta mbi të, vijon të mbetet e diskutueshme, ndërsa pikënisja kohore bëhet më e rëndësishme nga zakonisht. Sa më poshtë, një histori e shkurtër e Republikës së Kosovës nga pushtimi romak deri në ditët tona.

  • 167 p.e.s: Iliria, e emërtuar sipas Mbretërisë së dikurshme Ilire dhe e pushtuar në vitin 168 p.e.s. njihet si provincë e Perandorisë Romake, për të kaluar nën Perandorinë Bizantine në shekullin e V-të të erës sonë.
  • 630-640: Një numër i madh sllavësh dhe “Serbësh të Bardhë”[1] vendosen në Kosovën e sotme. Pjesa veriore e territorit i përket Principatës serbe të Rascia-s, ndërsa jugu mbetet nën kontrollin bizantin.
  • 1166: Stefan Nemanja, themeluesi i Dinastisë Nemanjiç, ngjitet në fronin e Principatës së Madhe Rasciane duke pushtuar më pas pjesën më të madhe të Kosovës, pas kryengritjes kundër Perandorisë Bizantine.
  • 1389: Më 28 qershor (sipas Kalendarit Julian), Beteja e Kosovës (e njohur gjithashtu si Beteja e Fushës së Mëllenjave) shënon fillimin e mbi 500 viteve sundimi osman. Pjesa më e madhe e popullsisë së serbëve të krishterë largohet nga rajoni dhe përgjatë shekujve në vazhdim shqiptarët, tashmë në shumicë myslimane, përbëjnë shumicën e popullsisë.
  • 1455: Kosova i bashkohet zyrtarisht Perandorisë Osmane: fillimisht si pjesë e Vilajetit (provincës kryesore) të Rumelisë (pak a shumë Ballkanit, por njëkohësisht edhe provinca më e madhe e Perandorisë); e më pas, që prej vitit 1864, si një Vilajet i veçantë (provincë administrative).
  • 1689: Në tetor Kosova bëhet pjesë e Perandorisë Austro-Hungareze, pas përparimit të Habsburgëve në territoret osmane. Një kundër-përgjigje masive tetë muaj më vonë e rivendos rajonin nën hegjemoninë osmane.
  • 1877-8: Osmanët pësojnë disfatë në Luftën Turko-Ruse, ndërsa Kongresi i Berlinit vendos kufij të rinj që shkaktojnë lëvizje masive popullsish, sidomos emigracioni i shqiptarëve të territoreve të zonave malore, përfshirë familjen Haradinaj, në rajonin e Dukagjinit, në Kosovën perëndimore.
  • 1878: Në qershor themelohet Lidhja e Prizrenit në qytetin me të njëjtin emër. Lidhja bënte thirrje për bashkimin e të gjithë vilajeteve shqiptare.
  • 1912: Gjatë Luftërave Ballkanike të këtij viti, Serbia merr nga Perandoria Osmane pjesën më të madhe të Kosovës.
  • 1913: Ushtria e Tretë Serbe, e përbërë nga rreth 176 000 ushtarë, përparoi në brendësi të Kosovës duke kryer shumë mizori mbi popullsinë vendase. Ato u shoqëruan me një politikë të konvertimit të detyruar feja myslimane në atë të krishterë.
  • 1914: Serbia fillon politikën e transferimit të tokës, duke i ofruar nëntë hektarë çdo familjeje serbe që dëshironte të rivendosej në Kosovë. Procesi u ndërpre pas pak kohësh nga shpërthimi i Luftës së Parë Botërore.
  • 1918: Kosova i bashkohet Mbretërisë së Serbisë, çka i jep jetë politikës së kolonizimit të imponuar.
  • 1919: Shqiptarët fillojnë një rebelim të armatosur, i cili shtypet brutalisht duke shkaktuar vdekjen e më shumë se 6,000 shqiptarëve. Kolonizimi serb rifillon me ritme të përshpejtuara, duke e rritur numrin e popullsisë serbe nga 24 përqind në rreth 38 përqind të numrit të përgjithshëm të popullsisë brenda dekadës së ardhshme.
  • 1941: Shqipëria e madhe e kontrolluar nga Italia përfshin edhe territorin e Kosovës brenda saj.
  • 1943: Konferenca e Bujanit shpall të drejtën për vetëvendosje të shqiptarëve të Kosovës, një gjë e cila hidhet poshtë nga Tito dhe Partia Komuniste Jugosllave.
  • 1945: Më 29 nëntor Asambleja Kushtetuese e Jugosllavisë shfuqizon zyrtarisht monarkinë dhe e shpall shtetin republikë – me emrin kushtetues Republika Federale Popullore e Jugosllavisë. Gjatë kësaj periudhe fillon emigracioni në shkallë të gjerë i shqiptarëve të Kosovës drejt Turqisë, i cili vazhdon për disa vite.
  • 1946: Kosova i bashkohet Republikës Federale Popullore të Jugosllavisë të sapokrijuar (e ri-emërtuar në vitin 1963 si Republika Federale Socialiste e Jugosllavisë) nën udhëheqjen e Marshallit Tito. Nën regjimin e tij kushtetuta e vitit 1946 e ndau vendin në gjashtë republika –Serbinë (republikën më të madhe e më të fuqishme), Kroacinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Slloveninë, Malin e Zi dhe Maqedoninë– dhe dy provinca, secila e përbërë nga popullsi me tipare të veçanta etnike, në veri minoriteti i hungarezëve të Vojvodinës, ndërsa në Jug provinca me shumicë shqiptare e Kosovës. Dy provincat gëzonin një autonomi shumë më të kufizuar krahasuar me gjashtë republikat e tjera.
  • 1968: Në të gjithë territorin e Kosovës zhvillohen demonstrata që bëjnë thirrje për krijimin e një universiteti shqiptar dhe për vetëvendosjen e Kosovës. Në korrik të këtij viti lind Ramush Haradinaj në fshatin e Gllogjanit në Dukagjin, një rajon që shtrihet në Kosovën perëndimore.
  • 1970: Themelohet Universiteti i Prishtinës.
  • 1974: Në shkurt hyn në fuqi kushtetuta e re jugosllave, e cila parashikon për Kosovën statusin e krahinës autonome.
  • 1980: Në maj të këtij viti vdes Marshalli Tito.
  • 1981: Ushtria jugosllave mësyn në Kosovë për të shtypur rebelimet separatiste. Mahmut Bakalli jep dorëheqjen si kryetar i Partisë Komuniste në shenjë proteste për menaxhimin e rebelimeve.
  • 1982: Themelohet Lëvizja Popullore e Kosovës, e cila në vitet 1990-të do të shndërrohet në krahun politik të UÇK-së.
  • 1987: Në prill Sllobodan Millosheviç mbështet grumbullimin e një turme serbësh të Kosovës me retorikë nacionaliste dhe anti-shqiptare, duke filluar rrugëtimin e tij drejt pushtetit politik.
  • 1988: Shkarkohen nga detyra Azem Vllasi dhe Kaqusha Jashari, dy politikanë kosovarë të nivelit të lartë, të cilët zëvendësohen me njerëz të besuar e të emëruar nga Millosheviçi. Ndërkaq, në krye të Alternativës për Kosovën (Lëvizja Alternative) zgjidhet Ibrahim Rrugova, kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve.
  • 1989: Në maj të këtij viti, Millosheviçi bëhet president i Republikës Socialiste të Serbisë dhe heq autonominë e Kosovës, me qëllim ta rikthente atë tek statusi i një “province” të Serbisë. Rrugova bëhet president i një partie politike të sapoformuar, Lidhjes Demokratike të Kosovës.
  • 1990: Në korrik Asambleja Serbe “shpërbën në mënyrë të përhershme” parlamentin e Kosovës. Në shtator të këtij viti, anëtarët shqiptarë të parlamentit të shpërbërë miratojnë një rezolutë që shpall pavarësinë e Kosovës brenda Republikës Federale Socialiste të Jugosllavisë.
  • 1991: Në korrik në Kroaci fillon një luftë në shkallë të gjerë. Ndërkaq, në Kosovë, formohet qeveria paralele në azil, e cila kundërshton autoritetin e shtetit jugosllav. Në shtator qeveria paralele organizon një referendum ku shumica dërrmuese voton në favor të shkëputjes dhe themelimit të një republike të pavarur dhe sovrane të Kosovës. Nga ana tjetër një numër gjithnjë e më i madh të rinjsh kosovarë emigrojnë drejt Evropës Perëndimore dhe Shteteve të Bashkuara – mes tyre edhe Ramush Haradinaj, i cili emigron në Zvicër. Sllovenia, Kroacia dhe Maqedonia shkëputen nga Jugosllavia dhe shpallin pavarësinë e tyre. Ramush Haradinaj udhëton në Tiranë, prej ku fillon përgatitjet për një rebelim të armatosur.
  • 1992: Në mars të këtij viti Bosnja shpall pavarësinë, e pasuar thuajse menjëherë nga Republika Serbe, një rajon me shumicë serbe brenda Bosnjës, e cila shpall gjithashtu pavarësinë prej kësaj të fundit. Në mars në Bosnjë shpërthen lufta. Ndërkaq, Ibrahim Rrugova zgjidhet president i republikës së vetë-shpallur të Kosovës. Në prill Serbia dhe Mali i Zi shpallin shpërbërjen zyrtare të Jugosllavisë së Titos, duke themeluar Republikën Federale të Jugosllavisë.
  • 1995: Në dhjetor në Paris nënshkruhet Marrëveshja e Dejtonit, e cila i dha fund luftërave në Bosnjë dhe Kroaci. Por Kosova nuk ishte ende në axhendë.
  • 1997: Shqipëria zhytet në kaos nën peshën e kolapsit të “skemave piramidale”. Si pasojë, sasi të mëdha armatimesh u bënë të disponueshme për kryengritësit në Kosovë. Në maj të këtij viti, Luan Haradinaj, vëllai i Ramush Haradinajt, vritet në një pritë serbe ndërsa ishin duke transportuar armë drejt Kosovës. Në tetor Ushtria Çlirimtare e Kosovës bën shfaqjen e saj të parë publike.
  • 1998: Në fund të shkurtit dhe fillim të marsit, forcat serbe masakrojnë familjet e militantëve shqiptarë, përfshirë një numër të madh grash dhe fëmijësh. Më 24 mars dështon në përpjekje për të shmangur kërcënimin Haradinaj që po shfaqej në horizont, në rrugëtimin e tij për t’u bërë komandanti i UÇK-së. Konflikti përhapet me shpejtësi, ndërsa UÇK-ja transformohet nga mbrojtja e çorganizuar e fshatrave, në një organizatë ushtarake me njohuri fillestare e përfshirë në luftime të hapura e të drejtpërdrejta. Gjatë kësaj periudhe fillon të lindë problemi i masivizimit të refugjatëve.
  • 1999: Më 2 shkurt, në Rambuje të Francës, fillojnë bisedimet për paqen. Më 24 mars fillojnë sulme ajrore të NATO-s, të cilat vazhdojnë deri në qershor me kapitullimin e Serbisë. Tërheqja e forcave serbe shoqërohet me një politikë të tokës së djegur, e cila sjell masakrimin e mijërave civilëve. Më shumë se gjysma e popullsisë kosovare bëhen refugjatë. Në prill të këtij viti humbet jetën në aksionet luftarake edhe Shkëlzen Haradinaj, vëllai tjetër i Ramush Haradinajt. NATO hyn në Kosovë, ndërsa Kombet e Bashkuara themelojnë një administratë civile. Ramush Haradinaj luan rol kyç në çmilitarizimin e UÇK-së. Më 10 qershor, Këshilli i Sigurisë i OKB-së miraton rezolutën 1244, e cila bëhet baza e qeverisë së Kosovës.
  • 2000: Ramush Haradinaj formon një parti politike: Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
  • 2004: Demonstratat e fuqishme gjatë marsit të këtij viti rrisin përpjekjet ndërkombëtare për t’u përballur me statusin e pazgjidhur politik të Kosovës. Në nëntor Haradinaj merret në pyetje mbi akuzat për krime lufte. Në dhjetor ai bëhet kryeministër.
  • 2005: Në mars Haradinaj paditet me akuza për krime lufte dhe jep menjëherë dorëheqjen nga detyra e tij. Në prill vritet vëllai i tij, Enver Haradinaj.
  • 2006: Në janar të këtij viti ndahet nga jeta Ibrahim Rrugova në moshën 61 vjeçare. Gjithashtu gjatë këtij viti shpërbëhet edhe Republika Federale e Jugosllavisë, e themeluar në vitin 1992, kur Mali i Zi shpalli pavarësinë e tij.
  • 2007: Në mars të këtij viti në Hagë fillon gjyqi kundër Haradinajt, i cili vazhdon gjatë të gjithë vitit.
  • 2008: Më 17 shkurt Kosova shpall pavarësinë e saj. Në prill Haradinaj çlirohet nga të gjitha akuzat dhe kthehet në Kosovë.
  • 2010: Në korrik Haradinaj gjykohet sërish, për 6 prej 37 akuzave që ishin ngritur dy vite më parë.
  • 2011: Në gusht fillon gjyqi i dytë i Haradinajt.
  • 2012: Në nëntor Haradinaj çlirohet për herë të dytë nga akuzat dhe kthehet në Kosovë.

[1] “Serbia e Bardhë” është atdheu mitik i serbëve të lashtë para-kristianë.

Si e njeh Michael O’Reilly Kosovën?

Nga parathënia e librit “Gjyqi i Ramush Haradinajt. Si një Gjykatë e Krimeve të Luftës Përmbysi të Drejtën Ndërkombëtare” (me shkurtime)

Përfshirja ime në këto ngjarje filloi në pranverën e vitit 2003, kur m’u kërkua nga Instituti Kombëtar Demokratik për Marrëdhëniet Ndërkombëtare (NDI)[1] të shpenzoja dy muaj kohë për të punuar me Ramush Haradinajn, një ish-komandant të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), i cili vlerësohej shumë nga komuniteti ndërkombëtar në Kosovë. Haradinaj ishte asokohe një figurë e rëndësishme politike që pritej të ngjiste shkallët e karrierës drejt detyrave më të rëndësishme shtetërore. Detyra ime ishte ta ndihmoja të krijonte një platformë të përgjithshme politike për partinë e tij, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Por mes nesh u zhvillua me shpejtësi një miqësi e frytshme. U ktheva në Kosovë në një sërë rastesh në vitin 2003 dhe sërish në 2004, duke punuar gjithashtu me detyra e angazhime në pjesë të tjera të Ballkanit, përfshirë edhe Serbinë. Më rastisi të ndodhem në zyrën e Haradinajt kur, më 3 nëntor 2004, një zyrtar i Gjykatës Penale Ndërkombëtare për Ish-Jugosllavinë i dorëzoi një thirrje ‘të dyshimtë’ që i kërkonte t’u përgjigjej pyetjeve në lidhje me supozimet për krime të kryera gjatë luftës së viteve 1998-’9. Veprova si këshilltar ligjor dhe mediatik i Haradinajt gjatë etapave të para të seancave gjyqësore në ngarkim të tij dhe vazhdova të punoj për të ndër vite si kreu i mbrojtjes së tij, deri në shfajësimin e tij të dytë në fund të vitit 2012.

… Ekziston një vështirësi e veçantë në lidhje me përcaktorët ‘luftëtarë’ dhe ‘civilë’. Edhe përpara se të fillonte konflikti në vitin 1998, shqiptarët e Kosovës, veçanërisht në zonat rurale, qenë të prirur për të mbajtur armë zjarri si rrjedhojë e dekadave gjatë të cilave shteti nuk mund të ofronte siguri, por edhe si pasojë e Kodit Kanunor që i detyronte individët dhe familjet të ishin përgjegjëse për garantimin e sigurisë së tyre dhe për mbrojtjen e nderit të tyre. Në fund të luftës, thuajse e gjithë popullsia civile serbe e Kosovës ishte armatosur nga regjimi i Beogradit duke e parë atë si mbështetje ushtarake për shërbimet shtetërore të sigurisë. Megjithatë, për qëllimin e këtij libri, individët që nuk njihen zyrtarisht si pjesëtarë të një grupi të armatosur do të konsiderohen civilë jo-luftëtarë dhe të paarmatosur, përveçse kur ekzistojnë prova për të kundërtën.

[1] NDI është një organizatë jo-qeveritare pranë Partisë Demokratike Amerikane, e cila operon në të gjithë botën në mbështetje të institucioneve dhe praktikave demokratike.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.