Pengjet e jetës Nga Prof. Dr. Myftar Barbullushi

Pengjet e jetës

Nga Prof. Dr. Myftar Barbullushi

Refleksione rreth librit “The Top Five Regrets of the Dying: A Life Transformed by the Dearly Departing”, të autores Bronnie Ware

Në rrugë dola / Pas meje porta u mbyll
Bagriskij

Mbrëmja po bie! Çuditërisht, në subkoshiencë, ky ka qenë perceptimi im për afrimin e momentit të ndarjes. Ora e së vërtetës, ora në të cilën je vetëm me veten tënde! Ora kur kërkon të kalojë nata e të kesh mundësi të zgjohesh. Ora kur mund të përmbledhësh gjithë historinë e jetës dhe të epokës kur ke jetuar. Ora e epilogut, e shkëputjes, e pendimeve. Lum kush nuk ka! Por nuk besoj të ketë të tillë.

Libri i autores australiane Bronnie Ware “Pesë pengjet më të mëdha të jetës”, lexuar me shumë kuriozitet nga miliona njerëz, konfirmon dyshimin tim. Të gjithë kemi pengje! Bronnie Ware, duke punuar në reanimacion, ka pasur mundësi të ndjekë dhe zhvillojë biseda e marrëdhënie të ngushta e të sinqerta me mijëra të sëmurë, të rinj dhe të vjetër, gra dhe burra, të pasur dhe të varfër, por që të gjithë kishin një fat të përbashkët: u kishin mbetur jo më shumë se 12 javë jetë! Një nga temat kryesore të bisedave ka qenë të dinte se çfarë do të dëshironin të kishin bërë ndryshe pacientët e saj. Përgjigjet ishin kaq mbresëlënëse, sa vendosi t’i botojë. Fillimisht në formën e një artikulli e më pas në një libër, që shumë shpejt u përkthye në 29 gjuhë të huaja, në të katër anët e globit.

Libri shpreh vizionin që kanë apo fitojnë njerëzit në fund të jetës së tyre. Interesante është, se  krahas larmisë së përgjigjeve, shumica e tyre konvergonin në 5 pika të përbashkëta, 5 pengjet më të mëdha, njohja e te cilave është mjaft e rëndësishme për ata që janë në fillim apo në mesin e viteve të jetës.

1.“Do të kisha dashur të kisha pasur kurajën të jetoja atë lloj jete që besoja vetë, jo atë që të tjerët prisnin prej meje”

Ky ishte pengu më i madh që kishin të gjithë pacientët që gjendeshin në fund të jetës së tyre. “Duhet të jesh vetvetja, të bësh zgjedhje konform moralit tënd dhe jo moralit të imponuar nga të tjerë. Ndryshe kthehesh në një kukull”, insiston Woody Allen tek filmi “Zelig”. Siç duket, kur njeriu sheh fundin e jetës së tij dhe kthen kokën prapa, vë re se shumë nga ëndrrat nuk ka mundur t’i realizojë. Një pjesë e tyre po vdesin, i ndërgjegjshëm se shkak për këtë kanë qenë zgjedhjet e bëra, shpesh në funksion të dëshirave të të tjerëve, për t’u dhënë qetësi e siguri të tretëve, jo vetes. Duhet të jetë e shpeshtë, sidomos në realitetin shqiptar, e për më tepër atë femëror, ku modelet jo vetëm profesionale, por edhe ato emocionale imponohen nga familja a shoqëria. Gjithsesi, kohët po ndryshojnë edhe në realitetin tonë. Gjenerata e re udhëheq ndryshimin.

2.“Do të kisha dashur të mos kisha punuar kaq shume”

Sipas autores, është pengu që e shprehnin të gjithë pacientët meshkuj! U mungonte rritja e fëmijëve dhe shoqëria e partneres. Ishin meshkuj që shumicën e jetës së tyre e kishin kaluar në rrotën e pandalshme të ekzistencës së punës, duke mos qenë të pranishëm pothuaj fare në rritjen e fëmijëve dhe në problemet e partnereve. Siç duket, në bilancin e fundit të jetës, u rezultonte se gjëja më me vlerë në këtë botë nuk është puna, sikundër mund të kishin menduar kohë më parë, por familja.

Edhe gratë e kishin një peng të tillë, por kryesisht ato të brezit të vjetër, të integruara kryesisht në jetën familjare dhe shumë më pak në jetën sociale, “Nëse do të më kishin kërkuar të zgjidhja ndërmjet profesionit dhe familjes, pa më të voglin dyshim do të kisha sakrifikuar të parën” – shprehet aktorja e famshme e Hollividit, Glenda Devis.

3.“Do të kisha dashur të kisha kurajën dhe lirinë për t’i shprehur haptas ndjenjat e mia”

Shumë njerëz i mbysin ndjenjat e tyre duke mos pasur as edhe kurajën a lirinë të pranojnë se ato ekzistojnë. Në rrjedhojë, e kalojnë jetën në një ekzistencë mediokre, duke mos arritur kurrë të bëhen ata persona që realisht mund të bëheshin, falë aftësive që zotëronin. Duke u qëndruar besnikë zakoneve dhe mentalitetit klasik, i ashtuquajturi “komfort” familjar mund të dominojë mbi emocionet. Për më tepër, edhe mbi jetën e tyre fizike. Ndrydhja, mungesa e kurajës, frika e ndryshimit, e humbjes së asaj që përgjithësisht rezulton të jetë materiale, jo rrallë i detyron njerëzit të shtiren sikur janë të kënaqur, ndërkohë që thellë-thellë kërkojnë diçka tjetër, ndoshta të gjejnë përsëri emocionin, tharmin e sfidës, kënaqësinë e vërtetë të jetës dhe jo të vegjetojnë, duke parë “Gymyshin” apo “Ezelin”.

Sa e sa kompromise banale shohim apo ndjejmë në shumë çifte apo familje që na rrethojnë, vetëm e vetëm sepse dikush nuk është i zoti të shprehe e të mbrojë fuqishëm idetë dhe ndjenjat e tij! Sa e sa kompromise të ndyra na rrethojnë në ambientin ku punojmë! Njerëz që zvarriten e vegjetojnë edhe pse me pak përpjekje e punë mund të ruajnë dinjitetin e nëpërkëmbur. Siç duket, sidomos para vdekjes, “pengu i mosrealizimit” të djeg e të dhemb shumë.

4.“Do të kisha dashur të kisha ndenjur më gjatë me miqtë e mi”

Thonë se miqtë janë si yjet në qiellin e pastër! Mjafton të ngresh kokën dhe janë aty. Ky është justifikimi më banal që kam dëgjuar, megjithatë i aftë për ta lenë miqësinë e artë të qëndrojë e fjetur gjatë viteve. Jo rrallë, ose shpesh, kujtohemi vonë për miqtë. Siç duket, njerëzit janë shumë të dobët për ta mbajtur peshën e rëndë të miqësisë për një kohë të gjatë. Si dhe shumë të ndryshëm! Miqësia do kohë dhe përpjekje për t’u mbajtur. Shumica e njerëzve do të donin t’i kishin pranë miqtë e tyre përpara se të vdisnin.

Pas 20 vjetësh, pasi kthehet në qytetin e lindjes, brerjen e vetme të ndërgjegjes personazhi kryesor i romanit “Shakaja”, të Kunderës, e ka për miqtë e tij!

5.“Do të kisha dashur t’i kisha dhuruar vetes time më shumë lumturi”

Ky lloj pengu ishte disi i veçantë, edhe surprizë, sikundër shprehet autorja e librit. Në përgjithësi, lumturia perceptohet e materializuar në sasinë e parasë dhe pushtetit që zotëron. Ndoshta është kjo arsyeja që shpesh vrapojmë pas parave dhe pushtetit, sepse na duket se përmbushja e secilës prej tyre është vetë lumturia. Këtë bindje kishte edhe Kroesus (595 p.K – afërsisht 546 p.K.), mbreti i Lidias në Azinë e Vogël, i cili i kishte të dyja, edhe pushtetin, edhe pasurinë.

Sipas Herodotit, një herë, në mbretërinë e Kroesusit mbërriti greku i mençur Solon. I entuziazmuar nga ky takim, Mbreti u mburr me pasurinë e tij të madhe. I sigurt në pasurinë dhe lumturinë e tij, ai pyeti Solonin:

“Sipas teje, kush është njeriu më i lumtur në botë?”, i bindur se Soloni do t’i përgjigjej “Ti, mbreti im, je njeriu më i lumtur”.

Por përgjigja e Solonit ishte ndryshe dhe, për më tepër, edhe shumë zhgënjyese:

– Për mua, njerëzit më të lumtur në botë janë tre: Tellus, i cili vdiq duke luftuar për vendin e tij, për mbrojtjen e athinasve dhe e varrosën me nderimet më të mëdha, si dhe dy vëllezërit, Kleobis dhe Biton, të cilët vdiqën në mënyrë paqësore, në gjumë, pas lutjes së nënës së tyre për lumturi të përsosur, sepse kishin demonstruar devotshmërinë më të madhe për vetë atë.

Më pas, Soloni shtoi se lumturia e jetës së një njeriu nuk mund të gjykohet deri në çastin e vdekjes së tij, sepse asnjëherë nuk i dihet rrjedhës që mund të marrë fati.

Të gjitha ato që tha Soloni rezultuan të vërteta! Lumturia e Kroesusit ndryshoi krejtësisht me vdekjen tragjike të djalit nga një aksident, vetëvrasjes së bashkëshortes në çastin e pushtimit të mbretërisë, për të mos shtuar edhe rënien e tij në duart e persëve.

Edhe pse kanë kaluar mijëra vjet nga kjo ngjarje, të njëjtin opinion mbështet edhe një studim i kohëve të fundit në revistën “Science”, qershor 2017, i cili hapej me titullin provokues: “Do të ishit më të lumtur në se do të ishit më të pasur?”.

Sipas artikullit, paraja jo vetëm që nuk gjeneron lumturi, por përkundrazi, shkakton ankth. Më shumë para, do të thotë më shumë objektiva për të realizuar, më shumë punë, më shumë udhëtime larg familjes dhe më pak kohë për familjen e shokët. Paraja të jep liri, por për t’i fituar ato duhet punë, baras me aspak kohë për të qenë i lirë e për t’i shpenzuar e shijuar ato. Jo më kot raportin e parasë me lumturinë e konsiderojnë “iluzion fokusues”.

“Të jesh i lumtur nuk do të thotë të kesh gjithçka që do, por të kënaqesh me ato që ke”- konkludojnë studiuesit.

Përtej një konkluzioni të paperceptueshëm

Pas këtij refleksioni dhe një lloj përsiatjeje emocionale, bazuar në faktorë objektivë e subjektivë, ku mbase nga më të rëndësishmit do të ishte vdekja e tim eti, e vetmja gjë që precipiton dhe, në një farë mënyre, edhe më impresionon, është se duhet të jetë shumë e rëndësishme që të paktën të plakemi mirë e të largohemi nga kjo botë me sa më pak pengje e pishmane. Kjo besoj se do të ishte ëndrra e çdo njeriu.

“Nuk kam asnjë peng apo pishman, kam vetëm nostalgji për të kaluarën” do te thoshte Marcello Mastroianni.

Në fakt, kam dashur të gjej ngushëllim tek fakti se vitet tek njeriu kanë po atë efekt, që ka koha tek vera. Ndoshta i “mashtruar” nga jetëgjatësia dhe racionaliteti gjithmonë e më impresionues i prindërve të mi, konstatimi se bëhesh më i vjetër, por nuk është e sigurt që bëhesh më i mençur, ka qenë i mbushur me doza trishtimi. Shtuar edhe nga leximi i librit të Bronnie Ware mbi pengjet e jetës dhe……

Pas disa muajsh refreni të përditshëm “Gatitu!”, një ditë prej ditësh, pasi kishte marrë lajmin e pensionit, komandanti i zborit, me një zë të zvargur, tha: “Qetësohuni“, pa e ditur as vetë se në atë moment ai kishte shprehur thelbin e një filozofie që përkonte me perceptimin tim për moshën, pleqërinë e më tej…

“Zotërinj, qëndroni me ne. Mbrëmja tashmë po bie” do t’u thoshte Konrad Adenauer pak ditë përpara se të vdiste moshatarëve të tij”.

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.