SHQIPËRIA. Ankthi dhe ëndrra Autor Amik Kasoruho

VlTE TË HUMBUR: Antireformat

Autor Amik Kasoruho

Pjesë nga libri “SHQIPERIA. ANKTHI DHE ENDRRA”, Tiranë: UET Press.

Pikërisht atë vit që u shpall republika (1946) në Gorre, një fshat i varfër i krahinës se begatë të Lushnjës, Enver Hoxha u shpërndau fshatarëve tapitë e para të pronësisë mbi tokën. Po realizohej në Shqipëri ëndrra e gjithë bujqve, reforma agrare. Aq herë e premtuar që nga 1912-a, ajo nuk ishte zbatuar kurrë.

Gjatë luftës lëvizja për çlirim Kombëtar, partizanët, komunistët, të gjithë ata që luftonin, kishin gjetur strehë e bukë në shtëpitë e varfra të fshatarëve, të cilët patën qenë rezerva më kryesore në njerëz për formacionet partizane. Reforma agrare nuk ishte vetëm një akt njerëzor dhe shoqërisht i drejtë, por edhe njohja e kontributit të dhënë atdheut. Në një farë mënyre mund të thuhet se e kishin fituar vetë.

E paraqitur si pjesë e një programi më të gjerë (konfiskimi i fabrikave, për shembull) që u realizua me vonë, reforma agrare bënte pjesë në premtimet e dhëna gjatë luftës.

Por mbas fjalëve të bukura fshihej një mashtrim i ulët: vetëm një vit më vonë  nisën të ravijëzohen tiparet e një politike të re Në Krutje, gjithnjë në krahinën e Lushnjës, u krijua e para kooperativë bujqësore. Duke parafrazuar një të thënë të popullit do të mund të thuhej se ajo ngjarje ishte karkaleci i parë që paralajmëronte një invadim shkatërrues.

Mbas fabrikave u shtetëzuan ofiçinat e vogla, rrobaqepësitë artizanale, dyqanet e shitjes së manifakturës dhe pak më vonë të gjitha veprimtaritë private: këpucëtoret, libraritë, kinkaleritë, rrojtoret, dyqanet e shitjes se peshkut, bakallët, dyqanet e artikujve ushqimore. Sikur të mos ishte mjaft kaq, shteti vuri dorë edhe mbi klinikat mjekësore dhe dentare, mbi zyrat legale e noteriale, mbi shtëpitë botuese e mbi shtypshkronjat, mbi llixhat e mbi stabilimentet e plazhit, mbi shërbimet e autobusëve ndërqytetës (nuk kishte atëherë shërbim urban) dhe mbi të gjitha mjetet private të komunikacionit (duke përjashtuar vetëm biçikletat), mbi farmacitë e mbi kuvendet e murgeshave apo të murgjve, Puna arriti sa të rekuizoheshin edhe dylbitë apo makinat e shkrimit. Hija e mizërisë se karkalecave po errësonte gjithnjë e më shumë Shqipërinë.

Mbas eksperimentit të Krutjes, në mbarë vendin nisi një fushatë që synonte të impononte këtë formë pronësie mbi tokën. Praktikisht kooperativa bujqësore, kopje e kolkozeve sovjetike, i hiqte fshatarit çdo formë të drejte të njëmendët mbi tokën e mbi prodhimet e saj dhe e radhiste në kategorinë e mëditësve të një shteti që ishte latifondisti i vetëm, i pakundërshtueshëm dhe i pamëshirshëm.

Fushata e kolektivizimit pati një zhvillim të mëtejshëm: mbi tokën dhe mbi prodhimet e saj u caktuan tatime në natyrë për t’iu paguar shtetit, pa marrë parasysh llojet e prodhimeve të ngastrës së veçantë që tatohej. Për shembull nëse një fshatar kishte mbjelle grurë, duhej të dorëzonte jo vetëm një pjesë të të korrave por edhe prodhime që nuk ishin fryt i copëzës «se tij» të tokës, si vezë, mish, lesh e vaj, pavarësisht nëse kishte apo s’kishte efektivisht bagëti apo ullinj. Shteti justifikohej duke thënë se ky tatim ishte në vetë dobinë e fshatarit, i cili, në këtë mënyrë, do të nxitej të shtonte llojet dhe sasitë e prodhimit bujqësor e blegtoral. Ky planifikim, që po bëhej një presion i pamundshëm për t’u përballuar, bëri që shumë fshatarë  ta shihnin me një farë shprese kooperativën bujqësore të fshatit. Por pasi futej në të, shihte që i pakësohej aty për aty sipërfaqja e tokës që i ishte dhënë nga qeveria.

Për të shpejtuar inkuadrimin nëpër kooperativa shteti përdori politikën e karotës dhe të shkopit. Nuk munguan premtimet për lehtësime tatimore për ata që hynin në to, por nga ana tjetër nuk mbeten pa u përdorur kërcënimet e dhuna. Edhe në këtë rast me mijëra vetë përfunduan nëpër burgje, meqë s’kishin pranuar politikën e partisë.

Në atë kohë gjuha shqipe u pasurua me një fjalë të re: kulak. Kjo fjalë në gjuhen ruse në fillim donte të thoshte «fshatar i pasur», por në fjalorin e revolucionit bolshevik kishte marrë kuptimin e «armikut të popullit» e «të reaksionarit». Kush damkosej në këtë mënyrë dënohej me vdekje civile. Asnjëri nga pjesëtaret e familjes se tij nuk mund të gjente punë jashtë shtëpisë dhe jashtë tokës se vet; askush nga bijtë e tij nuk mund të ndiqte shkollën tej fillores. As fqinjët nuk mund t’i shkonin për vizitë. Kur burrat e një familjeje kulakësh binin në burg, askush nuk mund t’i ndihmonte njerëzit e shtëpisë se tyre në punët e stinës. Kulak donte të thoshte të jetoje i braktisur në mes të njerëzve.

Çka ishin kulakët për fshatin, nëpër qytete ishin ata që nuk bënin pjesë në Frontin Demokratik. Kush nuk kishte triskën e kësaj organizate, përjashtohej nga çdo lloj pune shtetërore dhe izolohej plotësisht nga shoqëria. Më të mundshëm për t’u arrestuar për veprimtari subversive, ata paraqitnin rrezikun e brendshëm, dashin e kurbanit për t’u sakrifikuar në altarin e absurditetit.

Po në vitin 1946 pat zënë fill reforma arsimore. Me pretekstin e demokratizimit dhe të përmirësimit të shkollës, Rinia komuniste fitoi fuqi të jashtëzakonshme: diskutonte me profesorët për punë të notave që u viheshin studentëve, në bazë të «besnikërisë» të familjeve të tyre; jepte mendime cili nga profesorët meritonte të vazhdonte të punonte; ndërhynte në caktimin e bursave të studimit dhe herë-herë edhe gjatë mësimeve.

Plot tri herë në katër vjet ndryshuan urdhrat në lidhje me gjuhën e huaj që duhej dhënë nëpër shkolla: frëngjisht në periudhën 1945-1946, serbo-kroatisht me 1946-1948 dhe më në fund, duke filluar nga 1948-a, rusisht. Gjuhët e tjera u përjashtuan sepse u përkitnin shteteve borgjeze. U mbyllën shkollat private dhe ato fetare. Nga programet u hoqën greqishtja e vjetër, latinishtja, filozofia, edukata morale dhe mësimi i fesë, ashtu sikurse edhe historia, siç konceptohet zakonisht nëpër shkolla. Në vend të tyre u futën marksizëm-leninizmi, historia e PKSH (PPSH) dhe leksionet e moralit komunist. Politika ishte mbi çdo gjë. Shkolla duhej të njihte e të jetonte e para me mendimin e Enver Hoxhës.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.