Çanta bosh dhe stomaku plot

Çanta bosh dhe stomaku plot

28 janar 2018 | Nga Valbona Nathanaili

Nga data 1 shkurt 2018, sistemi arsimor parauniversitar do t’i nënshtrohet një “eksperimenti” të ri të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Thelbi është lehtësimi i peshës së çantës nga librat me të cilën shkon fëmija në shkollë. Sipas njoftimit, nga 5-6 orë mësimore të ndryshme që bëhen në një ditë shkollore, pas datës së mësipërme do të zhvillohen vetëm gjysma e tyre. Thënë ndryshe, eksperimenti mund të quhet edhe “1 në 2”, pra një lëndë në dy orë mësimore, sepse nga 45 minuta që zhvillohej më parë, me urdhrin e ri, çdo lëndë do të zhvillohet në 90 minuta, sigurisht edhe me pushimet përkatëse në mes. Ndryshimi në kohëzgjatje nuk bën asnjë dallim në lëndët që zhvillojnë fëmijët në një ditë, dhe kam parasysh edhe ato që kanë tekste, dhe ato që nuk kanë trajtohen po njësoj, sipas të njëjtit rregull.

Qëllimi duket i mirë dhe i drejtë. Çanta  e shkollës është vërtet e rëndë për shpatullat e fëmijëve të shkollave publike. Dhe është shumë mirë të gjesh një zgjidhje që shpëton fëmijët nga “pesha  e  çantës”, por jo e librave. Por është shumë keq të gjesh zgjidhje që jo vetëm i gjejnë shkollat e mësuesit të papërgatitur dhe në mes të vitit shkollor, por edhe nuk duket se i shërbejnë qëllimit final të sistemit arsimor, atij të përgatitjes sa më cilësore të fëmijëve. Dhe është akoma më keq, sikur edhe nga pikëpamja e referimit, të thuash se librat janë të rëndë! Zgjidhja e propozuar “1 në 2” është t’i biesh problemit me sëpatë! Është në funksion të mbushjes së hapësirës boshe në fushën e reformave dhe ideve progresive në arsim.

Sistemi ynë arsimor publik vazhdon të degradojë dhe bindesh edhe më shumë kur dëgjon për nisma të tilla, pa asnjë studim paraprak për ndikimin që do të kenë në mënyrën e të mësuarit, ose për ngarkesën e përditshme, tashmë mendore e intelektuale të fëmijëve, ose për cilësinë e mjedisit shkollor në realizimin me sukses të këtij synimi dhe aftësinë e tij për t’u përballur me këtë ndryshim. Për ironi, kësaj reforme në organizimin e ditës shkollore nuk i shpëton as edhe fizkultura, që pas datës së mësipërme do të zhvillohet 90 minuta në ditë dhe ndoshta po aq edhe gjatë gjithë javës (për shembull, për ato klasa që e kanë 2 orë në javë), pra i vetmi aktivitet sportiv i planifikuar në shkollë në funksion të zhvillimit fizik të fëmijëve, do të përqendrohet në më pak ditë, çka nuk ndikon pothuaj aspak në zhvillimin e tyre.

Ndërkohë që përpiqej të gjente zgjidhjen më të mirë në lidhje me qasjen e problemit “peshë e çantës” dhe të kënaqte, njëkohësisht, domosdoshmërinë për një “reformë”, Ministria e Arsimit dhe Sportit mund të fillonte duke hedhur një sy se çfarë bëhet në shkollat private, ku në shumë prej tyre, fëmijët i kanë librat individualë vetëm për në shtëpi, sepse shkolla ka një kopje që qëndron në klasë dhe është në përdorim nga çdo nxënës, në lëndën përkatëse.

Ose të merrte në konsideratë një tjetër problem edhe më shqetësues, atë të kequshqyerjes së fëmijëve, një çështje tejet delikate, që së fundmi ishte objekt studimi e raportimi këtë fillimviti edhe nga Instituti i Shëndetit Publik. Fëmijë që shkojnë në shkollë të pangrënë! Fëmijë që konsumojnë një vakt në ditë! Kequshqyerja dhe uria kronike e një përqindjeje të madhe te fëmijët shqiptarë, sipas studimit, ishin alarmante. Për familjet e varfra të këtyre fëmijëve, çanta e rëndë është problemi i fundit për të cilën shqetësohen, sepse në fakt i çojnë fëmijët në shkolla pa çantë, ose edhe kur e kanë një të tillë, kush po pyet se çfarë ka brenda, është plot a bosh. E njëjta kambanë ra në Amerikë në fillimin e viteve 1940, kur nga matjet e rekrutëve që përgatiteshin për luftë, mjekët dhanë alarmin e kequshqyerjes, por pati veshë që e dëgjuan: në të gjithë vendin filluan programe të ndryshme ushqimi e mbështetje për familjet e varfra.

Çanta bosh dhe stomaku plot janë reforma që nuk zgjidhen sot për nesër. Në fakt janë reforma që kërkojnë para dhe investime të një lloji tjetër, të atij lloji që lidhet me vizionin e perspektivën, me synimin për të punuar jo për sot dhe për të rënë në sy të kryetarit, por për nesër dhe për të plotësuar interesat e publikut.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.