Si qytetar global paqedashës. Dashuri, paqe botërore. Autor Sun Myung Moon

Si qytetar global paqedashës. Dashuri, paqe botërore.

Autor Reverendi Sun Myung Moon

Botues: Federata e Familjes për paqe botërore dhe bashkim & U.F.O Press, qershor 2011 

Parathënia, nga autori

Një shi i shtruar ra gjithë natën duke i dhënë fund thatësirës së dimrit. Dukej kaq bukur pas shiut, sa unë e kalova gjithë mëngjesin duke shëtitur nëpër kopsht. Dheu kishte atë aromën e mirë të tokës së lagur, mungesën e së cilës e kisha ndier gjatë gjithë dimrit, ndërsa shelgu degëvarur dhe qershitë kishin filluar të nxirrnin sythe të reja. Ndjeja sikur dëgjoja kërcitjen e jetës së re, ndërsa ishte duke shpërthyer aty-këtu rretheqark kopshtit. Para se ta kisha kuptuar, gruaja ime, e cila më kishte ndjekur kur kisha dalë, po mblidhte filiza të rinj muguorti që kishin arritur të nxirrnin kokën përmes tokës së thatë të lëndinës. (Muguort është një bimë mjekësore me veti kuruese të larmishme) Shiu i natës e kishte kthyer gjithçka në një kopsht pranveror erëmirë.

Sado gurgule të ketë në botë, kur kalendari shënon marsin, pranvera është duke ardhur. Sa më shumë moshohem, aq më shumë kam ndërmend faktin që në natyrë pranvera vjen pas dimrit dhe sjell me vete lule në kulmin e shpërthimit të tyre. Si është e mundur që, në stinë të ndryshme, Zoti lejon lulet të lulëzojnë dhe dëborën të bjerë, me qëllim që unë të ndjej gëzimin e të qenit në jetë? Dashuria më buron prej thellësisë së zemrës dhe pushtohem nga emocioni. Lotët më rrjedhin çurg, kur mendoj se gjithçka që ka vlerë të vërtetë më është dhënë bujarisht.

I kam rënë globit rreth e qark shumë herë gjatë jetës sime, për të sjellë një botë të paqes, por, prapëseprapë, vendi ku jam në gjendje të shijoj paqen e vërtetë është në këtë kopsht në pranverë. Edhe paqen Zoti na e pat dhënë, por ne e humbëm dhe tani kalojmë jetën duke e kërkuar atë në vendet e gabuara.

Për të sjellë botën e paqes, unë e kam kaluar jetën, duke shkuar në vendet më të ulëta dhe më të vetmuara. Kam takuar nëna në Afrikë që shikonin fëmijët t’iu vdisnin nga uria dhe nuk mund të bënin asgjë për t’i shpëtuar. Kam parë baballarë në Amerikën e Jugut që jetonin anës lumejve plot peshq, por që nuk i mbanin dot familjet me anë të peshkimit. Në fillim nuk bëja gjë tjetër veçse ndaja ushqimin tim me ta, por si shpërblim ata më dhuronin dashuri.

I intoksikuar nga fuqia e dashurisë, fillova të mbjell fara dhe të kultivoj pyje. Së bashku peshkonim që të ushqenim fëmijët e uritur, ndërsa pemët u përdorën për të ndërtuar shkolla. Peshkoja i lumtur gjithë natën edhe pse mushkonjat më pickonin ngado. Edhe kur isha i zhytur në baltë deri në gjunjë, isha i lumtur, sepse mund të shikoja si zhdukeshin hijet e dëshpërimit nga fytyrat e fqinjëve të mi.

Duke kërkuar rrugën më të shkurtër drejt botës së paqes, unë iu kushtova frymëzimit të ndryshimeve në procesin politik dhe ndryshimit të mënyrës së të menduarit të njerëzve. Atëherë takova presidentin e Bashkimit Sovjetik Mikhail Gorbaçov, si pjesë e përpjekjes time për të pajtuar komunizmin me demokracinë. Takova edhe presidentin e atëhershëm të Koresë së Veriut, Kim Il Sung, dhe pata me të një bisedë serioze rreth mënyrën për të sjellë paqe në Gadishullin Korean.

Shkova në një Amerikë me vlera morale në shkatërrim e sipër dhe luajta rolin e një zjarrfikësi, duke iu përgjigjur një thirrjeje, në përpjekje për të rizgjuar shpirtin e saj puritan (fetar). E kam kushtuar veten për të zgjidhur konflikte të ndryshme në botë. Në punën time për paqe midis myslimanëve dhe hebrejve, nuk u stepa prej terrorit të shfrenuar. Si rezultat i përpjekjeve të mia, me mijëra vetë janë mbledhur në mitingje dhe marshime për paqen së bashku me hebrenj, myslimanë dhe të krishterë. Mirëpo, fatkeqësisht konflikti vazhdon.

Sidoqoftë kam shpresë se një epokë e paqes është në prag të shfaqjes në vendlindjen time, në Kore. Gadishulli Korean ka qenë regjur me vuajtje të mëdha, dhe me tragjedinë e ndarjes më dysh, prandaj jam në gjendje ta ndjej në çdo qelizë të trupit se një energji e paparë është grumbulluar këtu dhe është gati të shpërthejë. Ashtu sikurse askush nuk mund të ndalë ardhjen rishtaz të pranverës, po ashtu nuk ka fuqi njerëzore që mund të ndalë ardhjen e fatit qiellor në Gadishullin e Koresë dhe shpërndarjen e tij anembanë botës. Njerëzit duhet të përgatiten që të jenë në gjendje të ngrihen së bashku me baticën e fatit qiellor, kur ajo të mbërrijë.

Unë jam një person i debatueshëm. Thjesht shqiptimi i emrit tim shkakton telashe në botë. Nuk jam përpjekur kurrë për para apo për famë, por e kam shpenzuar jetën duke folur vetëm për paqen. Megjithatë, bota ka shpifur gjithfarësoj shprehjesh për mua, më ka refuzuar dhe më ka ndjekur me gurë. Shumë nuk duan t’ia dinë se çfarë them apo çfarë bëj. Dinë vetëm të më kundërshtojnë.

Jam burgosur padrejtësisht gjashtë herë gjatë jetës sime: nga Japonia perandorake, në Korenë e Veriut të Kim Il Sung, nga qeveria e Singman Ri në Korenë e Jugut, madje, edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në disa raste më kanë torturuar aq shumë, saqë më është ndarë mishi nga trupi. Megjithatë, sot, në zemër nuk më ka mbetur as gërvishtja më e vogël. Plagët e vjetra zhduken lehtësisht në praninë e dashurisë së vërtetë. Dashuria e vërtetë është një zemër që jep e jep dhe dëshiron të vazhdojë të japë. Dashuri e vërtetë është ajo që, madje, harron që ka dhënë dhe jep dashuri përsëri.

Gjatë gjithë jetës kam qenë i dehur nga kjo lloj dashurie. Nuk kam dashur gjë tjetër përveç dashurisë dhe jam dhënë i tëri në përpjekje për ta ndarë dashurinë me fqinjët e mi të varfër. Me raste, rruga e dashurisë ishte aq e vështirë, sa gjunjët më thernin, por edhe atëherë ndieja gëzim në zemër dhe isha më i vendosur për ta dashur njerëzimin.

Madje, edhe tani, jam i mbushur me dashuri që nuk kam pasur akoma mundësi ta jap. Tani, unë po ia lë këtë libër botës, të shoqëruar me lutjen që kjo dashuri do të bëhet një lumë i paqes, që do të ngopë tokën e tharë nga dimri dhe do të rrjedhë deri në fund të tokës.

Kohët e fundit, një numër në rritje njerëzish po kërkojnë të dinë më shumë rreth meje. Për hir të atyre që janë kuriozë, kam kthyer kokën pas për të parë jetën time dhe kam hedhur kujtimet e mia të sinqerta në këtë libër. Për sa u përket historive që nuk kam mundur t’i përfshij në këtë vëllim, shpresoj të kem mundësi të tjera për t’i treguar.

U dërgoj dashuri të pafundme atyre që kanë besuar tek unë, që kanë mbetur në anën time dhe kanë jetuar me mua, veçanërisht, gruas time, Hak Xha Han Mun, së cilës i jam thellësisht mirënjohës që ka luftuar së bashku me mua për të ngjitur majat më të vështira.

Në fund, do të dëshiroja të shprehja mirënjohjen time të thellë për Jun Xhu Park, presidenten e shtëpisë botuese Gim-Jung inc., për sinqeritetin dhe përkushtimin që ka dhënë në procesin e botimit të këtij libri, si dhe për të gjithë ata në atë shtëpi botuese që punuan për të zbardhur fjalët që kam thënë në mënyrë që përmbajtja, shpesh e ndërlikuar, të kuptohet lehtë prej lexuesve.

Sun Myung Moon

Cheongpyeong, Kore e Jugut, 1 mars 2009.

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.