Ambasadorët tanë. Pikëtakime të diplomacisë me krijimtarinë. Autor Valbona Nathanaili

Ambasadorët tanë. Pikëtakime të diplomacisë me krijimtarinë.

Autor Valbona Nathanaili

Me parathënie nga Ylljet Aliçka

ISBN 978-9928-190-06-2 Çmimi 2000 lekë, f. 158, Botimi i parë: shtator, 2014

Botimi i librit: UET Press, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës

Ambasadorët tanë. Pikëtakime të diplomacisë me krijimtarinë është një udhërrëfyes në jetën dhe veprimtarinë e disa prej ish-ambasadorëve më të spikatur të Shqipërisë të rekrutuar nga fusha e krijimtarisë. Libri ka si synim kryesor të hulumtojë në fushën e diplomacisë shqiptare dhe të identifikojë kontributet e atij grupi përfaqësuesish të shtetit shqiptar në botë që janë “rekrutuar” nga fusha e krijimtarisë, përfshirë kulturën dhe sferën akademike. Akoma, të evidentojë llojin e komunikimit që kanë arritur të ndërtojnë e vendosin, sa kanë qenë të aftë të promovojnë Shqipërinë, vlerat e kulturën tonë. Qasja e librit është në përputhje me pikëpamjen se politikat e jashtme të një vendi mund të përfaqësohen edhe nga aktorë të rekrutuar jashtë sistemit tradicional të karrierës, të cilët në përputhje me kontekstin ose nevojat, zgjerojnë dhe, pse jo, rrisin cilësinë e përfaqësimit. Lavdia e punës së tyre përmblidhet jo vetëm në përmbushjen e aspiratave tona se kanë ndihmuar në begatinë dhe lartësimin e Shqipërisë, por edhe në faktin se duke qenë intelektualë, kanë ditur të përfaqësojnë denjësisht shoqërinë shqiptare, pavarësisht kohës kur kanë punuar apo sistemit që i kanë shërbyer.

Në këtë vëllim të parë janë përfshirë, kryesisht, ata ish-ambasadorë për të cilët u krijua mundësia për të gjetur materiale dhe për të kontaktuar, duke lënë opsionet e hapura për një vëllim të dytë, me një përfaqësim po aq dinjitoz. Libri është ndarë në dy pjesë. Në pjesën e parë janë përfshirë Faik Konica, Pëllumb Kulla, Agim Nesho, Javer Malo, Jusuf Vrioni, Luan Rama, Misto Treska, Ylljet Aliçka, Vasil Nathanaili, Teodor Laço, Piro Milkani, Arben Cici dhe Shaban Murati.

Është e rëndësishme të theksojmë se në Francë, për periudha të gjata kohore dhe në mënyrë periodike, janë akredituar ambasadorë me një trashëgimi të pasur në fushën e letrave, shpesh herë pa asnjë formim a përvojë të mëparshme në diplomaci. Javer Malo, Misto Treska, Jusuf Vrioni, Luan Rama dhe Ylljet Aliçka kanë qenë përfaqësuesit më të lartë politikë të vendit tonë në Francë, të cilët me veprën dhe punën e tyre pothuaj e kanë institucionalizuar kriterin kryesor të zgjedhjes për t’u akredituar në këtë shtet, atë të “të qenit krijues”. Por jo vetëm. Duket se edhe në ShBA kërkohet të ruhet e njëjta traditë, themelet e së cilës u betonuan nga puna, përkushtimi e krijimtaria e Faik Konicës. Me vendosjen sërish të marrëdhënieve me ShBA, Pëllumb Kulla, një nga autorët shqiptarë më prodhimtarë, shumëdimensional sa i takon llojit të letërsisë së lëvruar dhe kontributeve në kulturë, ishte ndër ambasadorët e parë të akredituar në këtë shtet mbas viteve ‘90. Zgjedhje me nivele po aq të mira përfaqësimi kanë qenë edhe Teodor Laço dhe Piro Milkani, autorë, përkthyes, skenaristë, regjisorë e aktorë, të cilët i kanë shërbyer vendit, përkatësisht, në Rusi dhe Çeki.

Nga fusha e akademisë janë përfshirë Vasil Nathanaili, Agim Nesho, Arben Cici dhe Shaban Murati. Jo për koincidencë, por si zgjedhje, Nathanaili ka studiuar mjekësi në Romë dhe juridik në Tiranë. Për ata që e njohin diplomacinë, Nathanaili quhet diplomat-karriere. Ka qenë ambasador në Beograd, Moskë dhe Pekin në periudhat më “të lulëzuara” të marrëdhënieve tona me to, të njohura ndryshe edhe si “miqësi historike”. Agim Nesho është diplomuar dhe ka mbrojtur doktoraturën në inxhinieri. Njëlloj si Nathanaili, edhe Nesho ka kohë që i është kushtuar diplomacisë dhe ka shërbyer në vende e organizata kyç: ShBA dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Arben Cici është laureuar për gjuhë të huaja, ka mbrojtur doktoraturën në Shkenca historike të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe në intervalet nga një shërbim diplomatik në tjetrin, gjithmonë i është kthyer katedrës universitare, me dëshirën për të përçuar te studentët jo vetëm bagazhin e pasur të dijeve, por edhe përvojën e fituar nga një karrierë e konsoliduar. Shaban Murati njihet për kontributet e vyera në fushën e diplomacisë e të publicistikës dhe i ka shërbyer vendit në disa misione diplomatike.

Puna për hartimin e kësaj pjese filloi me hartimin e një protokolli paraqitjeje, të njëjtë për të gjithë: biografi, çmime, vlerësime e tituj; listë e hollësishme me botime; tre-katër aktivitete kryesore të zhvilluara gjatë kohës që ushtronin detyrën e ambasadorit; fotografi; pjesë fjalimesh të mbajtura. Objektivi ishte të paraqitej se si e sa konvergjojnë diplomacia me krijimtarinë. Pra, është punuar në dy linja kryesore: krijimtari dhe diplomaci. Krijimtaria pasqyrohet në disa rubrika, ndërsa diplomacia, në termat e qëndrimit në zyrë, në të tjera, pasi mendoj dhe besoj se rolin e Ambasadorit vazhdojnë ta luajnë edhe sot, në kushtet që për arsye të ndryshme, nuk gjenden në pozicionet e përshkruara. Kur ka qenë e mundur janë konsultuar, përzgjedhur, radhitur, redaktuar, përmbledhur ose paraqitur në formën e një faksimileje, shumë prej dokumenteve të kohës që gjenden në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Nga dokumentat e hulumtuar, listimi i tematikës së çështjeve kryesore të diskutuara ose bërë prezent në marrëdhëniet ndërmjet Ministrisë sonë të Jashtme me shtetin përkatës, e integruar në jetëshkrimin dhe veprimtarinë e shumë prej ish-ambasadorëve, mendoj se ndihmon për të krijuar një ide më të qartë jo vetëm për punën e kryer nga secili prej tyre, por edhe për natyrën që kanë pasur këto marrëdhënie, ose për të gjykuar si kanë evoluar nga viti në vit. Një burim i veçantë informacioni kanë qenë shkresat që përmbanin vendimin e emërimit në postin e ambasadorit. Edhe një shkresë e thjeshtë tregon shumë. Të ndihmon të kuptosh strukturën vendimmarrëse, nga kanë ardhur propozimet dhe ku është marrë vendimi: në Ministrinë e Jashtme, Kryeministri apo Presidencë? Akoma, nëpërmjet saj mund të gjykojmë për kulturën e institucionit e gjuhën e përdorur. Për shembull, deri në fund të vitit 1950 vazhdon të përdoret fjala “zoti …”, e cila më vonë zëvendësohet me “shoku …”. Po ashtu, përdorimi i togfjalëshit V.F.-L.P. (Vdekje Fashizmit – Liri Popullit) bën që të ndjehet ende atmosfera e luftës etj. Ishte interesant fakti që shumë nga shkresat e vitit 1945, po t’i ktheje në anën tjetër, kishin simbolet e qeverisë së paraluftës.

Në pjesën e dytë të tilluar “Forum” janë përfshirë kontributet e Agim Nesho, Arben Cici, Luan Rama, Pëllumb Kulla, Piro Milkani, Shaban Murati, Teodor Laço dhe Ylljet Aliçka, të cilët kanë pasur mirësinë t’u përgjigjen katër pyetjeve:

  1. Krijues diplomat, apo diplomat krijues?
  2. Mendoni se ekziston një model i krijuesit diplomat?
  3. Krijimi përballë motivit, statusit dhe praktikave diplomatike.
  4. Antropologji e diplomatit krijues.

Libri shërben si një referencë shumë e mirë për të njohur kontekstin politik e social në periudha të rëndësishme të rritjes e konsolidimit të shtetit shqiptar, pasi trajton kontributet më të shqura në këtë fushë. Paraqitja korrekte dhe me elegancë e fakteve dhe ngjarjeve, shoqëruar me dokumente autentikë dhe foto të shumta ilustruese, një pjesë e mirë e të cilave publikohen për herë të parë, jo vetëm pasurojnë ndjeshëm përmbajtjen e tij, por janë edhe një shtysë shumë e mirë për të gjithë dashamirësit e historisë, letërsisë, politikës, shkencave sociale e komunikimit për të hulumtuar në faqet e tij.

Alma Mile, gazeta “Panorama”, datë 21 tetor 2014 “Ambasadorët krijues, prapaskenat e diplomacisë shqiptare”

Në këtë libër, format albumi, Nathanaili hedh dritë mbi atë ç’ka arti dhe letërsia i kanë dhënë diplomacisë dhe anasjelltas. Duket se kontributi që njerëzit e artit dhe të kulturës kanë dhënë në diplomaci nuk ka qenë aspak modest. Ka pasur mes tyre shkrimtarë, regjizorë, përkthyes që kanë përfaqësuar e promovuar Shqipërinë në vende të ndryshme të botës, që nga ShBA, në Rusi, Francë, Çeki etj.

http://www.panorama.com.al/2014/10/21/ambasadoret-krijues-prapaskenat-e-diplomacise-shqiptare/

Gazeta”Mapo”, datë 21 tetor 2014: Promovohet libri “Ambasadorët tanë, pikëtakime të diplomacisë me krijimtarinë”

Faik Konicën shumëkush e njeh si publicist e shkrimtar sesa si ambasadorin e parë shqiptar në SHBA. Sot shumë shkrimtarë apo publicistë pranojnë emërimet si ambasadorë, ndërsa ish-ambasadorë që shkruajnë kanë arritur madje ta kthejnë në letërsi me vepra konkrete kohën e shërbimit të tyre diplomatik. Një libër që tenton të sjellë këtë fenomen që nuk është vetëm shqiptar, do të promovohet sot në hollin e Universitetit Europian të Tiranës. Autorja e librit “Ambasadorët tanë, pikëtakime të diplomacisë me krijimtarinë”, Valbona Nathanaili, sjell skedën e disa ambasadorëve më të njohur shqiptarë, që në fakt janë më shumë të njohur për punën e tyre si publicistë, letrarë apo në fushën e përkthimeve. Në këtë libër, i mbështetur nga Ministria e Kulturës, ngrihen disa pyetje që vetë disa personazhe u përgjigjen në fund.

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.