Etika në media – çështje dhe raste Autorë Philip Patterson & Lee Wilkins

Etika në media – çështje dhe raste Autorë Philip Patterson & Lee Wilkins

Që nga koha e Konfucit ne kemi mësuar se të ndezësh një qiri është më mirë se të shash errësirën, ose sipas versionit të Nënë Terezës, bota ushqehet nëse ushqehen të gjithë njerëzit.

 Libri gjendet në shqip në përkthimin e Valbona Nathanaili, Viola Gjylbegaj & Blendi Lami 

 Redaktor: Zimo Krutaj ISBN 978-99956-19-31-2

Nga Zimo KRUTAJ 

Me shkas nga libri “Etika në media – çështje dhe raste”

Sfidat dhe dilemat etike zënë fill që në tekstet e filozofëve të lashtë. Ato, në një farë mënyre, gjithnjë kanë qenë bashkëshoqëruese të zhvillimeve historike, shoqërore e kulturore. Por, me hopin e madh cilësor të teknologjisë së komunikimit, më shumë sesa pjesë e qenësishme e filozofisë dhe e formulimeve teorike, çështjet etike dhe diskutimet për përfshirjen e normave morale në kode vetërregulluese dhe në vendimmarrje, janë nevojë dhe rezultat i veprimtarisë së përditshme të njeriut. Sot, në epokën e globalizimit dhe integrimit, është rritur jo vetëm ndjeshmëria e publikut, por edhe dimensioni reflektues i gjithsecilit mbi atë që ndodh dhe, sidomos, mbi mënyrën si na paraqitet. Dhe, në reflektimin apo zgjedhjet e zgjidhjet tona, ka një ndikim e një rol të padiskutueshëm media, qoftë media e shkruar, qoftë media elektronike, qoftë media e re.

Më së pari, në fushën e medias, konceptet e parimet morale dhe etike sendërtohen në kodet e etikës, të cilat shërbejnë për të harmonizuar të drejtat themelore të njeriut me të drejtën e qytetarëve për informim dhe lirinë e shtypit. Këto kode mbartin, në mënyrë të përmbledhur, rregullat apo kërkesat themelore të deontologjisë së mediave të sotme, që rrjedhin kryesisht nga normat morale të shoqërisë në një stad të caktuar zhvillimi, të përfaqësuara nga niveli dhe cilësitë e profesionistëve të medias. Përcaktimi i parimeve të qarta etike për çështje të ndryshme nuk do të thotë që ta vëmë median përpara një pasqyre të skematizuar të moralit, apo të përsëriten virtualisht formulimet e ligjit. Nëse legjislacioni në fuqi e ndalon diçka në mënyrë eksplicite, ajo nuk ka nevojë të trajtohet në kodin e etikës. Kodet e etikës, ndryshe nga ligjet, marrin në konsideratë edhe trashëgiminë shoqërore e kulturore, sidomos moralin dhe traditat specifike të një vendi a kombi të caktuar, gjë që reflektohet në rregullat e normat që duhet të kodifikohen.

Paraqitjen e kësaj problematike të mprehtë e të ndërlikuar, me një gjuhë e një strukturë krejt të veçantë, e merr përsipër libri “Etika në media – çështje dhe raste”, botim i shtëpisë botuese UFO Press. Autorët e librit janë Philip Patterson dhe Lee Wilkins, përkatësisht profesorë në Universitetin e Oklahomës dhe në Universitetin e Misurit, Kolumbia. Ky libër vjen për lexuesin shqiptar në një shqipe të qartë e të rrjedhshme, punë e përbashkët e përkthyesve Valbona Nathanaili, Viola Gjylbegaj e Blendi Lami.

“Etika në media – çështje dhe raste”, është një tekst fondamental për studentët dhe pedagogët e shkencave të komunikimit, por mund të thuhet me siguri se nuk u drejtohet vetëm atyre. Një shtresë shumë e gjerë lexuesish mund të gjejë, në këtë libër, përgjigje për mjaft çështje që i interesojnë. Këta lexues mund të jenë gazetarë, punonjës të tjerë, veprimtaria e të cilëve lidhet me median, ose profesionistë të fushave të ndryshme, që hasin në sfida apo dilema të pashmangshme etike dhe morale. Por mund të jenë, gjithashtu, edhe ata që quhen rëndom konsumatorë: lexuesit dhe teleshikuesit e përditshëm e të panumërt, pikërisht ata që, në një mënyrë a në një tjetër, janë njëherësh objekt dhe subjekt i programeve të ndryshme të mediave tona. Autorët e librit, falë përvojës së tyre në fushën e medias, kanë zgjedhur një strukturë të veçantë, një metodë e stil mjaft tërheqës për të parashtruar idetë e tyre përmes rasteve e shembujve konkretë, larg akademizmave e recetave të gatshme. Siç shprehet, në parathënie, profesori i njohur i shkencave të komunikimit në Universitetin e Ilinoisit Cliford Cristians

“Në këtë libër gjen vend tradita më e mirë e filozofisë praktike: gjenerohen debate nga dilemat e jetës së përditshme duke i drejtuar drejt çështjeve të qenësishme e duke zbatuar teorinë e përshtatshme për procesin e vendimmarrjes.”

Është fjala për vendimmarrjen e menjëhershme, nga drejtuesit radiotelevizivë televizivë apo redaktorët e shtypit të shkruar, në një situatë problemore, për një çështje etike të thukët, por edhe për parime morale të njohura, tradicionale e aktuale, me interes të gjerë e ndikim të drejtpërdrejtë në publik.

Autorët pohojnë që në krye të herës se “synimi i këtij libri është të pajisë lexuesit e tij jo thjesht me një sasi rregullash. Synimi është pajisja me aftësitë e duhura, modelet analitike, fjalorin dhe vlerësimin e të tjerëve, që janë përballur me këto zgjedhje, aftësimi në marrjen e vendimeve të justifikueshme etike”. Që këtej buron argumentimi i parimeve etike që vijnë prej përvojës sonë dhe të të tjerëve, pasi “meqenëse çdo situatë” (që parashtron, mbart ose ka për pasojë një problem etik) “është unike… mësuesi më i mirë është jeta e përditshme”. Jo më pak i rëndësishëm është kuptimi dhe vlerësimi i “dualizmit detyrë dhe vlerë”, por edhe mbajtja parasysh e dallimit të domosdoshëm midis etikës dhe sistemeve morale, të cilat nuk janë “sinonime të njëra-tjetrës”. Në Greqinë e lashtë, me “etikë”kuptohej studimi i së mirës, i asaj “që është e mirë si për individin, ashtu edhe për shoqërinë”. Edhe rrënja e fjalës etikë vjen nga “zakon” apo “traditë”. Sipas konceptit të autorëve në këtë libër, sot “dy mijë vjet më vonë, etikë do të thotë të mësuarit e të bërit zgjedhje racionale ndërmjet asaj që është e mirë dhe asaj që është e keqe, ndërmjet një veprimi që mund të justifikohet moralisht dhe një tjetri që nuk mundet. Etikë do të thotë gjithashtu dallim ndërmjet zgjedhjeve, të cilat moralisht mund të jenë njësoj të justifikueshme, por disa janë më shumë e disa më pak”.

Përvoja bashkëkohore e medias së sotme vjen në këtë botim përmes vëzhgimit, shqyrtimit dhe analizës së mjaft rasteve nga media të llojeve të ndryshme, mjaft të njohura, si “Nju Jork Tajms”, “Los Angeles Tajms”, rrjetet CBC, CNN, NBC etj, por edhe nga media të tjera të botës si “Deyli Mirror” “The Guardian”, etj. Këto raste që trajtojnë çështje e dilema etike të ditës, që kanë bërë bujë e kanë ngjallur interesin e pothuaj gjithë shoqërisë, paraqiten në këtë libër në formën e tekstit, ilustrimeve, shembujve e fotografive. Libri është ndarë në 12 kapituj, të cilët përfshijnë çështje themelore të etikës, me një paraqitje të shkurtër teorike (ese) dhe me shumë raste e shembuj konkretë për secilën, të shkruar nga profesionistë të mediave. Lexuesi gjendet përpara një përvoje të drejtpërdrejtë, e ditëve të sotme. Çështjet dhe rastet, por edhe shembuj të ndryshëm, rrokin etikën e informimit, etikën e reklamave, respektimin e privatësisë, etikën e fotografive dhe të videove të publikuara në gazetari, si dhe përmasat etike të artit e programeve kulturore e argëtuese.

Një pjesë me shumë vlera e me mjaft interes, sidomos për realitetin tonë mediatik e veçmas për gazetarinë shqiptare, na duket kapitulli për mediat e reja, veçanërisht për etikën e internetit. Le të kujtojmë për një çast shtrirjen e madhe që kanë marrë ndër ne blogjet e ndryshme dhe përdoruesit e shumtë të Facebook-ut. Me përjashtime të rralla, mund të thuhet me plot gojën se etika e medias së re as nuk u afrohet standardeve të medias tradicionale. Madje, në jo pak raste, përpos mosrespektimit të etikës e të normave morale, kemi të bëjmë me shkelje që, herët a vonë, duhet të bëhen objekt i veprimit të ligjit. Me realitetin shqiptar përkon më së miri përfundimi i autorëve se fuqizimi i komunikimit kërkon nga media e sotme më shumë koncepte e ndërgjegje morale; mungesa e saj dhe e transparencës ekonomike nga ana e shumë institucioneve të medias, e vënë në pikëpyetje këtë të fundit në marrëdhëniet me publikun e gjerë.

Nisur nga ideja që studentët e sotëm janë profesionistët e nesërm të medias, libri i kushton rëndësi të dorës së parë përgatitjes dhe pavarësisë së mendimit e vendimmarrjes së tyre për çështje etike dhe morale. Në fund të fundit, përgjigja për dilemat e ndryshme, të paraqitura ose jo në tekst, është në ndjeshmërinë, përgjegjësinë e zbërthimin e detajuar të situatave të ngjashme nga secili. Këtij qëllimi i shërben hartimi i kapitujve me refleksione rreth rasteve më të fundit, duke sjellë atë që sot konsiderohet si arritja më e mirë në këtë fushë, trajtimi lakonik i teorisë së dilemave etike dhe sidomos modeli i diskutimit me pyetje të gatshme, në fund të çdo rasti të paraqitur. Në tekst, këto pyetje thelbësore paraqiten të ndara në mikro çështjemes çështje dhe makro çështje.

Në këtë kontekst theksohet se “instruksionet e dhëna mund të krahasohen me rrathët bashkëqendrorë. Rrethi me rreze më të vogël – mikro çështja -, fokusohet vetëm në rastin në fjalë dhe dilemat që paraqet. Rrethi tjetër – mes çështja – përqendrohet në përmbajtjen e problemit, duke manipuluar shpeshherë lehtësisht faktet, për të parë nëse vendimi nuk ndryshon”. Niveli më abstrakt është makro çështja. Këtu jemi përpara dukurive që përfshijnë tema të ndryshme, të cilat nisen nga rasti në fjalë për të përfunduar në diskutime për probleme themelore universale, që lidhen me të vërtetën, barazinë, besnikërinë e përgjegjësinë. Ky strukturim i librit dhe i kapitujve në vetvete u krijon mundësi të mëdha komunikimi pedagogëve e studentëve, zgjeron hapësirën e lirisë e pavarësisë në vendimmarrje, e bën metodën e mësimdhënies më të zhdërvjelltë e më efikase. Dhe, ajo që na duket edhe më e rëndësishme, e lidh përgatitjen e të nxënit e studentëve me mjedisin real të mediave ku do të punojnë në të ardhmen, pasi të gjithë shembujt dhe rastet (edhe kur janë hipotetikë) e kanë zanafillën në këtë mjedis.

Libri “Etika në media- çështje dhe raste” (i botuar plot gjashtë herë deri më sot) nuk mund të klasifikohet si libër tregu, nuk është sensacional e ca më pak spekulues. Megjithatë, ka tërhequr dukshëm vëmendjen e profesionistëve të fushës së medias, të pedagogëve e studentëve të gazetarisë në universitete të ndryshme dhe është përkthyer në disa vende. Ky fakt dëshmon për vlera të mirëfillta, për trajtim origjinal të një teme mjaft të mprehtë e të debatueshme si etika në mediat e sotme, për shqyrtimin nga këndvështrime të veçanta të dilemave etiko-morale. Besojmë se kjo bëhet e mundur edhe falë gjuhës dhe stilit të autorëve që, brenda strukturës e konceptimit të një teksti për studentët e universiteteve, të gazetarisë e të shkencave politiko-shoqërore, kanë ditur të harmonizojnë elementët e rrëfimit nga autorë (shkrues) të ndryshëm në një tërësi unike që lexohet me kureshtje. Një mënyrë e tillë të shkruari nxit edhe përqendrimin e meditimin mbi atë çka lexohet, në mënyrë që, kur të na duhet të marrim vendime, në një situatë apo rast të caktuar, të na shërbejë si përvojë e vlefshme. Edhe paraqitja grafike e librit, grafitë e ndryshme të përdorura për të evidentuar thelbin apo pyetjet, tabelat, nënvizimet e veçanërisht fotografitë, i shërbejnë më së miri përmbajtjes e mesazheve që kërkojnë të përçojnë autorët. Duket qartë se kemi të bëjmë me një tekst që e ka vendin jo vetëm në katedra e auditore universitetesh, por edhe në tryezën e punës së gazetarëve, redaktorëve, fotoreporterëve, kameramanëve e profesionistëve të tjerë të medias së shkruar apo elektronike. Nga ana tjetër, siç e cekëm edhe më sipër, ky libër zë vend fare mirë edhe në bibliotekën e një publiku më të gjerë. Të atij publiku që, në të shumtën e herës, është aktor ose nismëtar i shumë çështjeve e diskutimeve për raste, çështje e dukuri etike, për vlerat morale, edukative e qytetare të mediave bashkëkohore.

Realiteti ynë mediatik na dëshmon përditë se dilemat etike dhe morale të medias së sotme shqiptare janë të pranishme e të shumëllojshme. Ndaj redaksitë e gazetave dhe transmetuesit radiotelevizivë ndodhen gjithnjë në kërkim të gjetjes së drejtpeshimit të duhur midis lirisë krijuese dhe përgjegjësisë apo detyrimit për respektimin e etikës së komunikimit dhe ruajtjes së vlerave morale. Ruajtja e privatësisë dhe e të drejtave të individit, parimet e respektimit të lirive shoqërore, politike e fetare, paanshmëria, shmangia e fjalorit vulgar që deformon formimin gjuhësor dhe dëmton shëndetin mendor e moral të fëmijëve e të të rinjve mendojmë se janë çështje të dorës së parë me të cilat përballen profesionistët e mediave tona.

Titulli në anglisht “ Media Ethics: ISSUES and CASES”, sixth edition/ Autorë: Philip Patterson, Lee Wilkins ©Mc Graw Hill Education Higher Education (English Publishing)

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.