Krijues diplomat apo diplomat krijues? Intervistë me Ambasador Agim NESHO, shtator 2014

Intervistë me Ambasador Agim Nesho, shtator 2014 

Ambasador, i ngarkuar a.i., Shef i Misionit shqiptar në ShBA / periudha: 2005-2006.

Përfaqësues i Përhershëm (i dhjeti në radhë) i Republikës së Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, New York / periudha: 1997-2006

Tirana Review of Books: Krijues diplomat, apo diplomat krijues?

Agim Nesho: Krijuesi përbën një vlerë për diplomacinë dhe si i tillë i ofrohet të bëhet pjesë e diplomacisë në arritjen e objektivave të saj të caktuara. Mbi të gjitha, është në gjendje të bëjë diferencën intelektuale nëpërmjet njohurive, vizionit, shkrimeve ose përgatitjes së tij si intelektual publik. Kjo formë diplomacie ka qenë e përhapur në shekullin e kaluar kur njohjet midis shteteve ishin të pakta dhe prezantimi i individëve të shquar krijonte një impakt pozitiv për vendin.

Sot diplomacia moderne kërkon diplomatin e karrierës, me njohjet dhe njohuritë e tij të gjera në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, përçimin e shpejtë të mesazhit, negociatorin rezultativ, një diplomat i cili gjatë viteve të eksperiencës diplomatike ka krijuar networkun e nevojshëm, shprehitë e punës dhe efikasitetin e realizimit të objektivave. Diplomacia njohëse dhe ajo kulturore është zhvendosur drejt diplomacisë së drejtpërdrejtë, asaj për zhvillimin ekonomik dhe zgjidhjes së problemeve të shoqërisë njerëzore në shekullin e 21-të. Një diplomat i tillë, nëpërmjet aktivizimit dhe rolit të tij të spikatur në organizmat botërore mund të sintetizojë eksperiencën dhe të jetë krijues. Diplomatët krijues janë elita
e diplomacisë, ku nëpërmjet eksperiencës së tyre të gjerë evidentojnë trendet e zhvillimit botëror dhe çfarë është e nevojshme të realizohet në të ardhmen.

Tirana Review of Books: Mendoni se ekziston një model i krijuesit diplomat?

Agim Nesho:Të flasësh për model të krijuesit diplomat ndoshta është pak e vështirë, për arsye se ata janë produkt i ngjarjeve dhe kohëve të ndryshme. Për t’u dalluar si krijues-diplomat duhet të plotësohen një sërë kushtesh të nevojshme, si epërsia intelektuale, terreni dhe problematika ku angazhohet, fuqia që përfaqëson në arenën botërore dhe rëndësia e çështjes në marrëdhëniet ndërkombëtare. Diplomatë të tillë të talentuar janë p.sh., George Kennan me teorinë e tij të “përmbajtjes” (Containment) gjatë Luftës së Ftohtë, Henri
Kissinger, Hanz Morgenthau, Brzezinsky etj. Ata jo vetëm kanë qenë pjesë e diplomacisë së madhe, por edhe kanë përcaktuar zhvillimet e ardhshme duke krijuar doktrinat dhe teoritë e tyre.

Tirana Review of Books: Krijimi përballë motivit, statusit dhe praktikave diplomatike. Çfarë mendimi keni? 

Agim Nesho: Krijimi lind nga nevoja për të thënë diçka në formën e mendimit ose përgjithësimit të eksperiencës njerëzore. Krijimi kërkon aftësi të përkufizosh e përgjithësosh situata politike diplomatike, si dhe të shtjellosh ide rreth një problematike ose zhvillimeve të caktuara në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Motivet gjithmonë janë pozitive, duke filluar nga dobia kolektive e duke përfunduar tek ambiciet pozitive personale.

Statusi i diplomatit jo gjithmonë ndihmon në mesazhin dhe qëndrimin si krijues. Statusi është një lidhje e ngushtë me institucionin që përfaqëson, qëndrimin e të cilit je i detyruar ta respektosh dhe ta mbash në aktivitetet publike. Në shumicën e rasteve veprat më të mira kanë dalë pas përfundimit të misioneve diplomatike ose pjesëmarrjes direkte në aktivitete diplomatike.

Tirana Review of Books: Antropologji e diplomatit krijues, mund të jepni një portret? 

Agim Nesho: Një diplomat krijues duhet të njohë mirë politikën, gjeografinë, historinë dhe të ketë një formim të përgjithshëm intelektual të dallueshëm. Ai duhet të ketë njohje të thella të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe përvojë të vyer të këto fusha. Ajo që e bën atë krijues është eksperienca parësore në misione diplomatike, në institucione vendimmarrëse ose të planifikimit të politikave dhe strategjive, si dhe në njohjen e thellë të vendit ku kryen aktivitetin. Diplomati-krijues u jep zgjidhje situatave të komplikuara ndërkombëtare, krijon e zhvillon teori në marrëdhëniet ndërkombëtare, si dhe e përgjithëson fenomenin
duke krijuar precedentët e nevojshëm ndërkombëtar. Ky është modeli i diplomatit krijues në fushën e diplomacisë.

Nga ana tjetër, çdo diplomat mund të mbetet krijues në fusha të tjera si letërsi, shkencë, politikë dhe t’i zhvillojë këto edhe gjatë shërbimit diplomatik. Ai mund të japë eksperiencat e tij, të shkruajë memoir, por në kuptimin e mirëfilltë të fjalës krijimi i tij mbetet tek eksperienca njerëzore individuale.

Tirana Review of Books: Gjatë periudhës 1997-2006, kur Agim Nesho ushtronte detyrën e Ambasadorit

Presidentë të ShBA: Bill Clinton (Demokrat), George W. Bush (Republikan) / Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara: Kofi Annan.
Presidentë të Shqipërisë: Rexhep Meidani (Partia Socialiste), Alfred Moisiu / Kryeministra të Shqipërisë: Fatos Nano (Partia Socialiste), Pandeli Majko (Partia Socialiste), Ilir Meta (Partia Socialiste), Sali Berisha (Partia Demokratike) / Ministra të Jashtëm: Paskal Milo (Partia Social-Demokrate), Arta Dade (Partia Socialiste), Ilir Meta (Partia Socialiste), Kastriot Islami (Partia Socialiste), Besnik Mustafaj (Partia Demokratike).

Shënim

Gjatë kohës që Nesho ushtronte detyrën e ambasadorit, Shqipëria bëhet pjesë e ECOSOC (Këshilli Ekonomik dhe Social), organ po aq i rëndësishëm sa Këshilli i Sigurimit të OKB-së. Për vitin 2005, në një deklaratë për shtyp të datës 20 janar 2005, ECOSOC/6143 bën me dije se Agim Nesho do të jetë një nga katër zëvendës kryetarët e saj.

Foto kryesore: Ambasador Agim Nesho duke folur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.