Mbi disa pikëpamje të gabuara sa i takon marrëdhënieve ekonomike të vendosura ndërmjet Shqipërisë me vendet e “Demokracive Popullore”

Mbi disa pikëpamje të gabuara sa i takon marrëdhënieve ekonomike të vendosura ndërmjet Shqipërisë me vendet e “Demokracive Popullore”
Shkëputur dhe përmbledhur me shkurtime nga një proces-verbal takimi ndërmjet Enver Hoxhës dhe Vasil Nathanailit 

Arkivi Qendror Shtetëror, Fondi 14/AP, V. 1949, D.617, fl.1-3.

Burimi: Petrit Nathanaili

Nga proces-verbali i dt. 5.03.1949, i mbajtur për bisedën e zhvilluar ndërmjet kryeministrit, Enver Hoxha, me zv. Ministrin e Punëve të Jashtme, Vasil Nathanaili, në zyrën e kryeministrit, i kërkohet Nathanailit të shprehë edhe një herë pikëpamjet e tij mbi marrëdhëniet ekonomike midis Shqipërisë dhe disa vendeve të Demokracive Popullore, të cilat duket se ky i fundit duhet t’i ketë trajtuar në burime ose grupe të pasigurta. Sipas këtij proces-verbali del se disa funksionarë qeveritarë me përgjegjësi, përfshirë Nathanailin, kanë shfaqur pikëpamje që shprehin rezerva dhe pakënaqësi ndaj vendeve të Demokracive Popullore të cilat, sipas tyre, nuk po e ndihmojnë sa duhet Shqipërinë. Në gjykimin e tyre, Këshilli Ekonomik (fjala është për KNER-in) duhet t’i ndreqë këto çështje dhe Shqipëria të ndihmohet.

Po sipas tyre, në shumë prej këtyre vendeve, si p.sh. Hungaria, ka bollëk ndërsa në Shqipëri nuk ka. Për më tepër, Polonia tregohet e shtrënguar në dhënien e fabrikave. Për ta duket i papranueshëm fakti që Bullgaria e merr naftën nga Shqipëria me çmime të lira dhe e shet atë në Itali më shtrenjt, prandaj do ishte mirë që Shqipëria t’ia shiste vetë direkt naftën Italisë.

Për këto pikëpamje, me të cilat pjesërisht është bashkuar dhe zv. ministri Vasil Nathanaili, Enver Hoxha i kërkon t’ia paraqesë edhe personalisht. Por Hoxha i gjykon të gabuara – gjë që ja thotë edhe Nathanailit – dhe i cilëson jo në përputhje me vijën e partisë: “janë të dëmshme pasi godasin direkt kampin demokratik” (cituar nga procesverbali).

Po sipas proces-verbalit të takimit që gjendet në Arkivin Qendror Shtetëror (shih burimin), Hoxha argumenton se: BRSS
dhe “Demokracitë Popullore”, pa ndihmën e të cilave ne nuk jetojmë, na japin kredi, ndërsa ju propozoni që ne t’ua shesim naftën amerikanëve. Kjo tregon se ju keni shkuar shumë larg, prandaj të thirra, – i drejtohet ai Nathanailit. “Nën maskën e demokracisë partia nuk lejon diskutime jashtë vijës së saj”, dhe e paralajmëron se “diskutimi i këtyre gjërave jashtë vijës së partisë konsiderohet nxjerrje në shesh e sekretit shtetëror, që të çon direkt në Gjyq Ushtarak”.

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.