Ku bie Kosova?! Nga Zimo Krutaj

Ku bie Kosova?!

Nga Zimo Krutaj

Një thënie e urtë na mëson se nuk ka pyetje të gabuar, përgjigjet mund të jenë të drejta ose të gabuara. Një tjetër, jo më pak e urtë, na kujton të mos presim përgjigje të mençura, nëse nuk bëjmë pyetjen e duhur. Një figurë stilistike, e huajtur nga letërsia, na sjell ndër mend pyetjen retorike… Gjithsesi, në këtë kontekst, pyetja – titull – në krye të këtij shkrimi, edhe në mos qoftë ajo më e duhura, edhe nëse merret si retorikë, besoj se bëhet në kohën e duhur. Shumëkujt kjo mund t’i duket, më së paku, e pavend. Mund të duket, gati – gati, e pakuptimtë. Ca më tepër tani, kur Kosova, me luftën dhe paqen e vet, ka qenë dhe vijon të jetë herë pas here në qendër të lajmeve të medias së shkruar dhe asaj elektronike në gjithë botën e qytetëruar. Por, në këndvështrimin tim, kjo pyetje e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë, nuk ka lidhje me botën e me mediat e saj. Madje nuk u drejtohet as kosovarëve, shqiptarëve të “atjehit”. Pyetja bëhet e ka lidhje me ne, shqiptarët e “këtuhit”. A e dimë vërtet se ku bie Kosova? Pyetja në fjalë, në të vërtetë, nuk ka për qëllim, të bëjë një sondazh sa e dimë se ku bie Kosova gjeografikisht, as se ç’përfaqëson historikisht, por sa e njohim realisht, sa të informuar jemi sot për gjendjen, zhvillimet aktuale, jo vetëm politike, ekonomike e shoqërore. Veçanërisht për ato kulturore. Sa pranë ndjehemi ne, shqiptarët këtej kufijve shtetërorë, afër saj, si e përjetojmë Kosovën  shpirtërisht, kulturalisht, jo veç si kujtesë (krenari) historike por si pjesë e qenësishme, e pakontestueshme e identitetit kulturor e kombëtar të shqiptarëve. E identitetit të djeshëm, të sotshëm e të nesërm… Me fjalë të tjera, sa jemi të përgatitur, në ndjenjat dhe mendësinë tonë, për integrimin “mes vedi”, që nis e konsolidohet domosdoshmërisht me integrimin kulturor.

“Provokacion i hapur! Si se ditkemi ne ku bie Kosova jonë? Në Shqipëri! Ne jemi një komb, një gjuhë, një kulturë…” Kështu do të përgjigjeshin flakë për flakë ndoca atdhetarë po aq të flaktë, teksa shkullojnë gota kafeneve të Tiranës e kërrejnë bejte postmoderne për “Dheun amë”, për “Atëdheun”, për “Mëmëdheun” e “Nanëdheun”… “Pyetje e vonuar”, mund të thonë të tjerë, më të informuar, më gjakftohtë, “problem i kapërcyer tashmë… Kosova bie në Serbi e Mal të Zi, administrohet nga UNMIK-u, është në prag të pavarësisë, procesi është i pakthyeshëm” etj, etj.  “E ç’na duhet?” do të thonë të tjerë, më pak të ndjeshëm apo indiferentë, “prapë me Kosovën?! I pritëm, i strehuam, i ndihmuam në kohën e luftës, tani të shohim hallet tona…Ata t’i shohin e t’i zgjidhin vetë punë e tyre…” Nuk di si do të reagonin sikur t’u thoje se “ata” janë njëherësh edhe “ne”… Jo me patetizëm, por me argumente historikë e kuturorë. Dhe jo në kafene, por në mjetet e komunikimit publik, me një ndikim të provuar e të pranuar prej shumëkujt.

Dhe këtu kemi mbërritur në thelbin e çështjes. Pyetja ime (me ose pa ngjyrimet e sipërpërmendura) nuk u drejtohet as atyre, as këtyre. U drejtohet pikërisht mediave tona, pavarësisht nga statusi, shtetërore ose private, pavarësisht nga lloji, elektronike apo të shkruara, pavarësisht nga qëndrimi, specifikat, përfaqësimi,  apo kahja e interesave që mbrojnë. Më mjafton fakti që janë media shqiptare.

Ç’lajme bien prej Kosove mediat tona? Ç’kumte përcjellin ekranet, mikrofonat, faqet e shumëfishta të shtypit të shkruar, të përditshëm e periodik? Shumë politikë, kronikë të zezë jo pak, ca më pak lajme ekonomike e zhvillime sociale e për fat të keq, fare pak, ose më mirë aspak, lajme kulturore. Madje as ngjarje a veprimtari kulturore të drejtpërdrejta, që zhvillohen në Prishtinë. “Po ne e kishim fjalën për Kosovën, ç’hyn Prishtina?”, do të pyesin skeptikët. “Hyn që ç’ke me të”, kundërpërgjigjen hazërxhevapët. “Prishtina është Kryeqendra.” Unë them “në Prishtinë” se, për shumicën e mediave të Tiranës, Prishtina njëjtësohet me Kosovën. E pra, në punë të kulturës, apo për kulturën në konceptin e pasqyrimit mediatik, na del se Kosova është Prishtina. (Nëse bëjmë një paralele del se Tirana përfaqëson dhe njëjtësohet kulturalisht me Butrintin dhe Beratin, Korçën dhe Shkodrën, Vlorën dhe Gjirokastrën, Durrësin dhe Voskopojën…) Nëse Prishtina na qenka Kosova, po Prizreni, Mitrovica, Gjilani, Peja, Gjakova e më tej Presheva (jo veç për aq sa i mbajmë mend nga tekstet e historisë) ku bien? Ç’jetë kulturore, ç’veprimtari zhvillohen atje, sa informacion, domethënë sa njohje kemi për to? Se edhe ato janë Kosovë, apo jo? Edhe sikur të mbetemi vetëm në Prishtinë ( pa rrethinat) do të vemë re se mediat e Kosovës, (Radio Televizioni i Kosovës, RTV 21, Koha Vizion etj) transmetojnë gati të gjitha evenimentet e rëndësishme kulturore që zenë kryet e vendit në mediat e Tiranës. Spektakle, Festivale, shfaqje, emisione të lloj – llojshme  etj. Cila nga mediat tona kombëtare ka transmetuar, drejtpërdrejt ose të regjistruar, një veprimtari kulturore të organizuar e të transmetuar nga Televizionet e Prishtinës? Kjo ka ndodhur shumë rrallë, kryesisht në rastet kur drejtuesit e organizatorët kanë shkuar atje nga Tirana. Cili libër i botuar në Prishtinë a në Pejë, cili shkrimtar kosovar u promovua njësoj si në Kosovë edhe në Shqipëri? Cila hartë turistike, arkeologjike, ç’monumente të trashëgimisë historike e kulturore të Kosovës, cili Kalendar i veprimtarive artistike e kulturore që zhvillohen atje u bë i njohur përmes mediave tona?

Lista e pyetjeve do të dilte shumë e gjatë, madje disa prej tyre, sidomos ato që lidhen me gjuhën shqipe, të folur e të shkruar, dhe me tekstet mësimore që përdoren në shkollat e Kosovës, janë vërtet shqetësuese. Në mediat tona, përkatësisht në kronikat, emisionet e faqet kulturore, mund të gjesh lajme gjithfarësh (rroftë interneti!) për çka ndodh në botën e Kulturës, nga Kalifornia në Kuala Lumpur, nga divorcet e VIP –ave të kinemasë te martesat e VIP – ve homoseksualë, po zor se gjen një shënim për Nexhmije Pagarushën, për një përvjetor të Anton Pashkut a për një premierë të Teatrit të Prishtinës. A, po. Diçka mund ta gjesh, që të thuash se mediat tona e dinë se ku bie Kosova kulturalisht: Polemikat shterpe, përkëtej e përandej Drinit që, siç thotë Lasgushi i ndritur, rrugëton “mespërmes ndë Shqipëri”, fryjnë erërat e polemikave që nuk nxijnë vetëm faqet e gazetave… Tani, së fundmi, polemikat janë ngritur edhe në rang akademik. Po këto lloj polemikash me petk kulturor, qofshin edhe akademike, kur janë shterpe, si hyjnë në punë kërrkujt. Veçse punë mund t’i prishin… Gjithkujt.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.