Ish- Bashkimi Sovjetik dhe Shqipëria – pjesë nga historia e marrëdhënieve diplomatike

Ish- Bashkimi Sovjetik dhe Shqipëria – pjesë nga historia e marrëdhënieve diplomatike

Shkëputur nga libri “Ambasadorët tanë” Autor Valbona Nathanaili 

Lidhja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet ish-Bashkimit Sovjetik dhe Republikës Popullore të Shqipërisë pas Luftës së Dytë Botërore, shfaqet në dokumenta, për herë të parë, nëpërmjet një komunikate të datës 8 nëntor 1945. Në komunikatë bëhet me dije se më 8 nëntor 1945, ora 8 e mëngjesit, kryeministri i Shqipërisë, gjeneral-kolonel Enver Hoxha, priti në audiencë shefin e misionit ushtarak sovjetik, z. kolonel Sokolof, i cili i paraqiti një notë ku kërkonte, në emër të Qeverisë Sovjetike, vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë dhe shkëmbimin e përfaqësive diplomatike.

I Dërguar i Jashtëzakonshëm dhe Ministër Fuqiplotë i Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike në Shqipëri (i pari) është Dimitri Stepanovitç Tchuvakin, sipas notës verbale datë 12 dhjetor 1945 (Arkiva e MPJ, Tiranë, BRSS , viti 1945, Dosja nr. B/I-1). Letrat kredenciale paraqiten më datë 11 janar 1946, ora 9.00.

Më 12 shkurt 1946 (Arkiva e MPJ, Tiranë, BRSS , viti 1946, Dosja nr. C-3, F. 16-20), me vendimin nr. A.XVIII.43, z. Koço Tashko emërohet në cilësinë e të Dërguarit të Jashtëzakonshëm dhe Ministrit Fuqiplotë të Republikës Popullore të Shqipërisë në Moskë. Koço Tashko mbërrin në Moskë më 20 prill 1946 dhe i paraqet Molotovit letrat kredenciale. Në informacionin që dërgon në Shqipëri ku përshkruhet biseda e bërë gjatë pritjes, është edhe një pyetje që i drejton Molotovi: Keni vendosur marrëdhënie me Francën? Marrëdhëniet me Francën vendosen pas disa muajsh.

Në çastin e emërimit si ambasador, në mënyrë shumë të përmbledhur, CV e Koço Tashkos:

Koço Tashko

Datëlindja 1899; diplomuar në shkenca politike në Universitetin e Harvardit, ShBA; zv.konsull i Shqipërisë në New York, ShBA, gjatë periudhës 1922-1925; në ekzil më 1938; i bashkohet Luftës Nacionalçlirimtare; pjesëmarrës në Kongresin e Përmetit; sekretar i Presidiumit të Këshillit Antifashist për Çlirimin e Kombit Shqiptar.

Staf tjetër

Pjesë e stafit të ambasadës janë edhe: Gaqo Nasto, sekretar i parë; Sadik Bocaj, atashe ushtarak; Selim Shpuza, atashe për shtypin.

Rusia, mbas viteve 1990, Ambasadorët tanë

Ambasadori Cici ishte Ambasadori i parë i Shqipërisë i akredituar në Federatën Ruse dhe në Armeni, Bjellorusi, Kazakistan, Gjeorgji dhe Uzbekistan me përfaqësuesit e të cilave zhvilloi bisedime dhe shkëmbeu nota zyrtare për vendosjen e  marrëdhënieve diplomatike.

Rusia – profil

Rusët janë shumë të kursyer në mimikë, në takime pune buzëqeshin pak dhe sytë pothuaj nuk shprehin asgjë, por dallojnë shumë mirë – në mënyrë thelbësore – jetën publike nga ajo private. Rusët janë shumë mikpritës. Sipas Moran R., T. et al. (2007:590), e njëjta gjë mund të thuhet edhe për liderët e vendit.

Nëse ju ftojnë për drekë, përgatituni – drekat e tyre janë të gjata dhe me shumë ushqime e pije, që shtohen periodikisht kur pjatat janë bosh; dollitë, bisedat dhe të qeshurat janë pjesë e procesit. Por evitoni zhurmat gjatë ngrënies – përplasja e pirunit ose lugës në pjatë quhet mungesë edukate. Komunikimi thjeshtëzohet nëse flisni rusisht, ndonëse pjesa më e madhe flasin frëngjisht, një kulturë e trashëguar që nga koha e Carit dhe e përjetësuar në karakteristikat e një personi që kërkon të
etiketohet si intelektual. Rusët përdorin shumë emrin e mesit, që në përgjithësi është një zgjatim i emrit të parë të babait, për shembull Ivanoviç do të thotë djali i Ivanit. Gratë i shtojnë një a emrit të mesit dhe mbiemrit, që do të thotë se Ivanoviçi bëhet Ivanova, pra vajza e Ivanit. Përdorimi i emrit në këtë formë tregon familjaritet.

Duket se kemi shumë gjëra të përbashkëta me ta, për sa kohë që gjatë marrëdhënieve të viteve ‘50, shumë prej shqiptarëve u kthyen të martuar me gra ruse. Mbrëmjet e të shtunave në Hotel “Dajti” gjatë viteve ‘60, me muzikë e vallzim, mbahen mend jo vetëm për muzikën ruse që luhej vazhdimisht, por edhe sepse pjesa më e madhe e frekuentuesve kishin studiuar
në Rusi ose në lindje.

Rusët pëlqejnë modën, veshjet cilësore dhe komfortin, por në takime pune janë shumë konservatorë. Respektojnë me fanatizëm çdo marrëveshje të shkruar. Kanë një sistem shumë të mirë edukativ, veçanërisht në shkenca të sakta, një kulturë jashtëzakonisht të pasur dhe kontribute të çmueshme në art.

Foto kryesore: Foto e marrë më 28 nëntor 1949, Moskë, me rastin e paraqitjes së letrave kredenciale. Nga e majta, i treti, Shvernik, Kryetar i Presidiumit të BRSS; i katërti Ambasadori Vasil Nathanaili; i gjashti Reis Malile. Photo credit: Arkiva personale, Petrit Nathanaili.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.