Kur të zotët ndërrojnë jetë…

Kur të zotët ndërrojnë jetë… Lamtumirë ëndrra për keqardhje dhe zi nga kafshët që mbajmë në shtëpi 

Autor Erika Engelhaupt / Titulli në origjinal Would Your Dog Eat You if You Died?

Botuar fillimisht në National Geographic. Përshtatur me ndërhyrje, nga Valbona Nathanaili  

Në vitin 1997, në Forensic Science International, revistë ndërkombëtare dedikuar promovimit të mjekësisë e shkencës së aplikuar, botuar nga ELSEVIER, një mjek berlinez raporton një nga rastet më të jashtëzakonshëm me të cilin ishte përballur.

  • Sipas mjekut, një mbrëmje të vonë e kishin thirrur për të hetuar rreth vetë-vrasjes së një burri 31 vjeçar, që jetonte në pjesën e prapme të shtëpisë së të ëmës, së bashku me qenin e tij, të racës pastor gjerman. Rreth orës 8.15 të darkës, fqinjët kishin dëgjuar të shtënën e një arme. Dyzet e pesë minuta më vonë, e ëma dhe fqinjët ju drejtuan pjesës së shtëpisë ku banonte burri dhe e gjetën të vdekur nga e shtëna e një pistolete që e kishte drejtuar brenda gojës. Burri kishte lënë edhe një letër lamtumire. Por ajo që i shtonte ngjarjes edhe ngjyrat e tmerrit pakufi, ishte gjendja në të cilën ndodhej pjesa më e madhe e fytyrës dhe e qafës – pothuaj nuk i kishte mbetur asgjë, ndërkohë që në plagët e hapura dalloheshin qartë gjurmët e dhëmbëve të ngulur të një kafshe. Në krah të burrit qëndronte qeni, ndërkohë që vetëm pak metra më tutje ishte ena e tij e ngrënies, përgjysmë me ushqim.
  • Pastori gjerman dukej i qetë gjatë rrugës për në strehën e kafshëve. Ai ishte në gjendje të reagonte ndaj komandave që i jepnin policët, por pak çaste më vonë volli disa mbeturina lëkure njerëzore e një tufë flokësh.

Asnjë njeri nuk mund të thotë me saktësi se sa të shpeshta janë raste të tilla, – pra, rastet kur qentë ushqehen me trupin e të zotit të tyre të vdekur, por një gjë është e sigurt: numri i ngjarjeve të ngjashme, të raportuara në revista të ndryshme mjekësore po njeh gjithnjë e më shumë rritje, ndërkohë që të gjitha bashkë na çojnë drejt një konkluzioni: të vdesësh në praninë e qenit tënd të dashur, vetëm, pa njeri pranë, nuk është një zgjedhje e mirë, aq më tepër kur është vetëvrasje (ndjesë për këtë pak humor, a ironi).

Për lexuesit që në vend të qenit kanë zgjedhur shoqërinë e një maceje në shtëpi, sigurisht që kjo pyetje zgjerohet: Po macet si sillen? Ose e thënë ndryshe, a do e shpërfytyronte macja të zotin a të zonjën e saj pas vdekjes?

  • Në një rast tjetër raportuar në vitin 2010, një grua ishte gjetur e vdekur në dyshemenë e banjës së saj një ditë pasi kishte ndërruar jetë. Ekzaminimet laboratorike treguan prani të pjesëve njerëzore në stomakun e qenit, ndërsa macet nuk e kishin prekur trupin e saj.

Por pavarësisht shembullit të dytë paraqitur më sipër, në raportin e raportimeve me qen-mace, numri më i madh është me qen dhe, sipas autores, ndoshta kjo vjen në rrjedhojë të pritshmërive të larta që kemi për qentë. Sepse kur vjen puna për dashuri dhe besnikëri të kafshëve që kemi mundësi të mbajmë në shtëpi, të gjithë kemi në mendje dhe citojmë qenin, frymëzuar ndoshta edhe nga rasti i Hachikos, qenit më besnik në histori që e qau të zotin e tij për dhjetë vjet me radhë, paraqitur me mjeshtëri në filmin me të njëjtin titull ku interpreton Richard Gere. Pasi sheh këtë film, a mund të besosh më se një qen mund të hajë të zotin?

Pyetja që shtron autorja është: çfarë i shtyn qentë të hanë të zotët e tyre?

Në kërkim të një përgjigjeje të mundshme, mund të shtrohen tre argumenta: 1. Në se qentë, ose kafshët në përgjithësi, kanë qenë të uritur ose jo;  2. Abuzimi; 3. Origjina e tyre nga ujqërit (për rastin e qenit).

Sa i takon argumentit të parë, në shumicën e rasteve ka munguar – kanë qenë të ngopur, ose të paktën jo në gjendjen e urisë.

Në rastin e abuzimit, sipas autores, në asnjë nga rastet e dëshmuar nuk ka pasur histori abuzimi. Ndërsa po ta plotësojmë përvojën njerëzore me raste të tjera marrëdhënieje njeri-kafshë, legjenda thotë se mushka e Papës e ruajti inatin për shtatë vjet, por u mjaftua me vetëm një shqelm.

Argumenti më bindës është i treti, thjesht instinkti i kafshës dhe këtu mund të sillet historia e mrekullueshme e Pi-së, në filmin Jeta e Pi-së (2012), e cila ka një sentencë që i përmbledh shumë mirë rastet e mësipërme. Sipas babait të Pi-së, ndonëse i referohet jo një qeni, por një tigri bengal që stërvitej në një kopësht zoologjik: “Në fund të fundit janë kafshë”, – një sentencë lapidar, e cila në fakt i shpëtoi jetën Pi-së, por të cilën e pranoi si të vërtetë dhe i dha vlerën që i takonte vetëm në fund të filmit, kur tigri largohet për në xhungël pa kthyer as edhe kokën prapa, pavarësisht përpjekjeve të pafundme të tij për t’i shpëtuar jetën.

Foto kryesore: Qen (Maja, në pronësi të Neli Gribizit) dhe mace shtëpiake (Pepsi, në pronësi të Juna & Iva Nathanailit).

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.