Krijues diplomat apo diplomat krijues? Intervistë me Ambasador Shaban Murati, shtator 2014

Intervistë me Ambasador Shaban Murati, shtator 2014

 Intervistë me Ambasador Shaban Murati, shtator 2014

Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Suedisë / Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i R.Sh në Finlandë, Norvegji, Islandë (jo resident) / periudha: 2002-2007

Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Maqedoni / periudha: 1993-1997 & Ambasadori i parë i Shqipërisë i akredituar në Maqedoni.

Tirana Review of Books: Krijues diplomat, apo diplomat krijues?

Shaban Murati: Është një debat i pazgjidhshëm për renditjen: krijues-diplomat, diplomat-krijues. Të dy
modelet janë të aplikueshëm. Për vete do të preferoja modelin e krijuesit diplomat, sepse është më e lehtë të shkohet nga krijuesi tek diplomati se sa nga diplomati tek krijuesi. Në fund të fundit, krijimi ose krijimtaria është pjesë thelbësore e identitetit të diplomatit, sepse është i paplotësuar një diplomat, që nuk aftësinë krijuese.

Tirana Review of Books: Mendoni se ekziston një model i krijuesit diplomat?

Shaban Murati: Diplomacia është përkufizuar edhe art, edhe shkencë. Kjo do të thotë se nuk mund të ketë një model, sepse një model nuk i ezauron tërë hapësirat e zhvillimit të mëtejshëm të diplomacisë, qoftë si art, qoftë si shkencë. Modelet janë të shumta, si në diplomacinë botërore, ashtu dhe në atë shqiptare, por më shumë se modeli i krijuesit-diplomat duhet marrë në konsideratë gjurma dhe trashëgimia, që krijuesi diplomat lë në diplomaci.

Tirana Review of Books: Krijimi përballë motivit, statusit dhe praktikave diplomatike. Çfarë mendimi keni? 

Shaban Murati: Krijimi është në themelin e një diplomacie të vërtetë. Sepse, ashtu si procesi krijues, edhe diplomacia kërkon intuitën, imagjinatën, njohjen shumëdimensionale, zhbirimin kulturor e psikologjik, aftësinë e sintetizimit të ngjarjes, të aktorëve shtetërore, të marrëdhënieve dhe të strategjisë së shteteve. Të gjitha këto shkrihen në veprën e krijuesit, që quhet
produkt diplomatik.

Tirana Review of Books: Antropologji e diplomatit krijues, mund të jepni një portret? 

Shaban Murati: Antropologjia e diplomatit krijues përmban, në thelbin e vet, gjenezën e personalitetit dhe të laboratorit të krijimtarisë të diplomatit krijues. Duhen disa etapa për të arritur në pikën ku dy laboratorët shkrihen në personalitetin dhe kontributin e diplomatit-krijues. Krijuesi lartëson diplomatin dhe diplomati lartëson krijuesin. Në sistemin tonë diplomatik gjatë jetës mbi 100 vjeçare të shtetit kjo nuk është konsideruar në masën e duhur. Do thoja se ka ndodhur procesi i ruralizimit të diplomacisë dhe i efekteve jo pozitive të saj në veprimtarinë, strukturat diplomatike dhe pozitën rajonale e ndërkombëtare të shtetit.

Konstatimi i hidhur është se ruralizimi i diplomacisë mori përmasa shqetësuese në periudhën e demokracisë. Diplomacia është proces dhe fazë zhvillimore qytetare, civilizuese, elitare. Kjo kërkon dinamikën e evoluimit të diplomatit krijues dhe të ndarjes së tij nga kushtrimi i të parëve fizikë, biologjikë, krahinorë, fetarë etj. Krijuesit-diplomatë kanë aftësinë dhe avantazhin të ndahen të parët nga lidhjet me trashëgimitë negative dhe të kërkojnë progresin.

Faktorë fizikë, natyrorë, sociologjikë, kulturorë, mjedisi fizik, gjeografikë, shpirtërorë dhe psikomentalë, ku është formuar diplomati, janë fusha për të hulumtuar progresin e qenies diplomatike. Vazhdimësia e dinamikës së progresit apo regresit të sistemeve shoqërore në jetën shqiptare dhe e homus albaniensis, përplasja mes tyre dhe idealeve të ngushtuara apo të zgjeruara të shtresëzimeve të kohës dhe ndikimeve të dhënie-marrjeve rajonale, ndihmojnë t’i japin diplomacisë krijuese ambicien e një shkalle gjithnjë e më të lartë të ekzistencës shtetërore dhe të performancës kombëtare. Në këtë proces evolucioni diplomacia krijuese të mund të arrijë të plasmojë jo vetëm vetveten, por edhe vetë shtetin në parametrat dhe standardet që i takojnë së ardhmes.

Foto kryesore: 2006, Stockholm. Ambasadori Shaban Murati në Klubin e Ambasadorëve Këngëtarë / Photo credit: Arkiva personale, Shaban Murati.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.