Brigada e 11-të Sulmuese – Me rastin e 40 vjetorit të krijimit

Brigada e 11-të Sulmuese – Me rastin e 40 vjetorit të krijimit

Përgatiti: Andrea Nathanaili 

Zbardhur sipas dokumentarit të kohës

Dt. 1 nëntor 1984

Spikeri: Nëntori i kuq i vitit 1944 nisi të hapte fletët e tij në kalendar.

1 Nëntor. Qyteti i Fierit dhe toka e Myzeqesë, të mizoruara në shekuj, jetonin ditët e para të çlirimit. Sapo ishin shuar në qytet flakët e përleshjes së madhe me bishën naziste. Ushtria jonë e lavdishme vazhdonte me sukses mësymjen e përgjithshme për çlirimin përfundimtar të Atdheut.

Në këto kushte, Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare, në urdhrin e tij numër 485, shkruante:

“Brigada që organizohet në garnizonin e Fierit do të përmbledhë të gjitha forcat e terrenit të Mallkastrës. Kjo Brigadë do marrë numrin 11”.

Në bazë të këtij urdhri, më 1 nëntor 1944, u rreshtuan këtu, pranë këtij lapidari, forcat partizane të batalioneve “Ismail Klosi”, “Seman” e “Petro Sota”, batalionet territoriale të Ballshit e të Fratarit që bënin pjesë në grupin e III-të të Mallakastrës, si dhe forca vullnetare nga Myzeqeja e Fierit. U rrjeshtuan ata bij e bija të popullit, krisma e pushkës të të cilëve ishte dëgjuar e fuqishme në tërë krahinën e Mallkastrës dhe të zonave përreth. Ishin këta partizanë e partizane, që duke mbajtur lart flamurin e fitores, u përleshën me armiqtë dhe tradhtarët në Qafën e Kashit, në malin e Cakranit, në Patos e në Rërëz. Duke përballuar me sukses operacionin e dimrit, forcat partizane të grupit të tretë të Mallakstrës zhvilluan beteja të përgjakshme në Rabje dhe në Cllavë e së bashku me forcat e Brigadës së 6-të Sulmuese, shkruan faqen e ndritur të betejës së Margëlliçit e asaj të Ksanicës.

Qafa e Kashovicës

Kjo qafë përbën një epokë heroike për luftëtarët e grupit të 3-të të Mallakastrës. Për 42 ditë rrjesht ajo gjëmoi nga krismat e pushkëve partizane. Ja si shkruhet në një dokument për këto luftime në tetorin e vitit 1944:

  • Tym e flakë në Qafën e Kashovicës. Qafa e Kashovicës – varri i nazistëve gjermanë. Këtej kalohet. Kjo ishte thirrja e partizanëve të grupit të tretë të Mallakastrës. Nazistët gjermanë nuk e kanë rrugën këtej. Po nga të shkojnë? Nga të gjitha anët ka partizanë që i bëjnë zap… Nëna ka lindur petrita. Këta petrita janë atje, mu në qafën e Kashovicës. Kanë vetëm një detyrë: të mos lenë këmbë të gjallë gjermani. Na dogjën xhanin këta barbarë që hodhën botën në tym e flakë, që mbushën vendin me gjak të kulluar, që i vunë zjarrin mbarë botës. S’durohet më. Ja nazismi, ja ne!

Viti dyzetekatër, tetori në mes / Përmbi Kasovicë, u ndez luft’ e rreptë / Lufton grup i tretë, lufton me gjermanë / Hidhen partizanët para si luanë / Tmerrohen armiqtë si korba të vrarë

Sinkron: Naum Çauderi

Spikeri: Vështrojeni me kujdes këtë fotografi. Janë ata, partizanët me pushkë e kazma në duar, që atë mbasdite tetori të vitit 1944, minuan rrugën pikërisht në këtë vend, për t’i bërë pritë autokolonës gjermane që shkonte në ndihmë të garnizonit të Fierit. Ja edhe fotografia tjetër, e fiksuar të nesërmen në mëngjes, jo më buzë xhades, por në mes të saj, përmbi makinat e shkatërruara.

Më 13 tetor 1944, forca të mëdha gjermane, të përforcuara me mjete të blinduara, kërkonin me çdo kusht kalimin për në qytetin e Fierit. Në zonën e Levanit hasën në qëndresën e fortë të forcave partizane të grupit të 3-të të Mallakastrës. Këto kodra përreth Levanit u bënë dëshmitare të luftimeve të përgjakshme dhe qëndresës heroike të partizanëve trima të Mallakastrës. Për të siguruar kalimin, armiku godiste pa ndërprerje pozicionet e forcave partizane të vendosura mes këtyre kodrave, me anën e artilerisë së rëndë të vendosur në Mifol e Zvërnec. Por as artileria, as tanket dhe as autoblindat, as 315 makinat e forcave gjermane nuk mundën ta thyenin dot qëndresën partizane. 7 orë rrjesht  vazhduan luftimet e ashpra, derisa armiku u detyrua të kthehej duke lënë në fushën e betejës 20 të vrarë dhe shumë të plagosur.

Duke sulmuar pa ndërprerje forcat gjermane në periferi  dhe brenda në qytetin e Fierit, forcat partizane të grupit të 3-të të Mallakastrës, në bashkëveprim të plotë me një batalion të Brigadës së 16-të Sulmuese, çliruan qytetin e Fierit.

Sinkron: Hajredin Xhemali

Sinkron: Taku Semanjaku

Spikeri: Ja, këtu, përpara kësaj ndërtese, në këtë shesh kaq të bukur, por 40 vjet më parë të mbuluar me ferra dhe driza, u rrjeshtuan çlirimtarët e qytetit të Fierit.

Populli i priti me dashuri bijtë e bijat e Mallakastrës trime, partizanët e Myzeqesë së shumëvojtur, por të panënshtruar, që ju vunë me mish e me shpirt, me pushkë e trimëri, realizimit të aspiratave të popullit që i kish lindur. Do të kujtonin partizanët atë ditë, do të kujtojë me respekt të thelllë edhe gjithë populli ynë, ata që vunë gjakun e tyre në themelet e lirisë: Heroin e Popullit Dino Kalenjën, Taze Çelën, Jani Bakallin, Andon Profkën, Miti Stronin, Shaban Kapllanin, Lipi Dhimën dhe 130 dëshmorët e tjerë të grupit të 3-të të Mallakastrës. Emrat e tyre do të qëndronin në ballë qysh në ditën e parë të nëntorit 1944, kur u krijua Brigada e 11-të Sulmuese dhe në të gjitha luftimet që ajo do të zhvillonte. Që më 30 tetor 1944, Brigadës së 11-të Sulmuese ju caktua detyra e rëndësishme që, së bashku me brigada të tjera të Ushtrisë sonë Nacionalçlirimtare, të merrte pjesë në luftimet për çlirimin e kryeqytetit.

Pas një marshimi të gjatë, përmes kushteve tepër të vështira të motit dhe terrenit të përmbytur të Myzeqesë, në mbrëmjen e datës 11 nëntor 1944, forcat e Brigadës së 11-të Sulmuese arritën në fshatin Shezë, buzë Shkumbinit. Duke gdhirë mëngjesi i 12 nëntorit, forcat partizane të Brigadës së 11-të Sulmuese, në bashkëveprim me Brigadën e 12-të Sulmuese, pikërisht në këtë vend, goditën me një sulm të rrufeshëm autokolonën gjermane që vinte nga Elbasani në drejtim të Durrësit për t’i ardhur në ndihmë garnizonit nazist të rrethuar në Tiranë.

Beteja u zhvillua e përgjakshme. Autokolona pësoi humbje të mëdha në njerëz e materiale, u dogjën 15 makina, 2 tanke dhe dëme të tjera.

Sinkron: Llukan Toska

Spikeri: Humbjet e pësuara në luftimet e zhvilluara e detyruan komandën gjermane të Korparmatës XXI të pranonte se:

” … sulmet kundër kolonave të bëra kohët e fundit me humbje shumë të rënda për ne, tregojnë se urdhëri i dhënë për sigurimin e rrugëve nuk është zbatuar me rreptësinë e domosdoshme”.

Më 13 nëntor 1944, forcat e Brigadave të 11- dhe të 12- Sulmuese, hynë çlirimtare në Peqinin e zhuritur nga plagët e luftës. Duke ndjekur armikun këmba –këmbës, forcat e Brigadave të 11- dhe të 12- Sulmuese çliruan Kavajën dhe po atë ditë edhe Durrësin. Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare shtronte detyrën që jo vetëm të çliroheshin krahinat dhe qytetet, por edhe t’i ruanin ato të mos dëmtoheshin nga armiku. Edhe kjo detyrë u plotësua me nder. Ne nuk mundëm të fiksonim në aparat qytetet tona të posaçliruar. Ata janë rritur e zbukuruar në epokën e ndritur të Partisë dhe ja, tani, pas 40 vjetësh, ngrihen madhështorë në të katër anët e Atdheut.

Pas çlirimit të qytetit të Durrësit, forcave të Brigadës 11- Sulmuese ju caktua detyra tepër e rëndësishme për mbrojtjen e kufijve në bregdetin tonë perëndimor.

Sinkron: Mevlan Dervishaj

Spikeri: Pas çlirimit të Atdheut, më 25 janar 1945, Brigada e 11- Sulmuese, së bashku me njësi të tjera të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, u nis në drejtim të shqipërisë së Veriut. Në këtë marshim të gjatë e të vështirë, ajo spastroi zona të tëra nga bandat e armatosura të armiqve dhe tradhëtarëve në Lezhë, Shkodër, Koplik e deri në Majën e Hekurave, duke dhënë një kontribut të çmuar për forcimin e pushtetit të ri popullor, të ngritur me grykën e pushkës.

SinkronBino Binaj

Spikeri: Në të gjitha luftimet që Brigada e 11- Sulmuese zhvilloi në Shqipërinë e Veriut, ajo pati ndihmën dhe përkrahjen e pakursyer të malësorëve tanë trima. Që nga dita e krijimit e deri në prill të vitit 1945, gjatë 1100 kilometrave marshime që ajo përshkroi, Brigada e 11- Sulmuese plotësoi me nder të gjitha detyrat që ju ngarkuan nga Partia dhe Komandanti i Përgjithshëm, shoku Enver Hoxha.

Duke kujtuar rrugën luftarake të Brigadës së 11-të Sulmuese, ne përulemi me respekt e nderim të thellë para kujtimit të dëshmorëve të saj, të cilët nuk kursyen edhe jetën e tyre për çështjen e Partisë dhe të Popullit.

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.