Mendësia Nga Carol S. Dweck, Ph.D.

Mendësia Nga Carol S. Dweck, Ph.D.

Përktheu nga anglishtja, Valbona Nathanaili, Dr. 

Botimi në shqip: Shtëpia Botuese “Pema”, Prishtinë, tetor 2017.

 

Hyrje (me shkurtime)

Një ditë, studentët më ulën në karrige dhe më urdhëruan të shkruaj këtë libër. Dëshira dhe kërkesa e tyre ishte, që edhe njerëzit e tjerë të kishin mundësi të përdornin punën tonë të përbashkët për t’i bërë jetët e tyre më të mira. Në fakt, ishte një punë që dëshiroja ta realizoja prej një kohë të gjatë, por më në fund u shndërrua në përparësinë numër një.

Puna ime në psikologji lidhet me një sektor tradicional. Ajo fokusohet te pushteti që kanë besimet te njerëzit, besime për të cilat jemi ose jo të ndërgjegjshëm, ndikojnë shumë jo vetëm në atë që duam, por edhe në aftësinë tonë për ta përmbushur ose jo. Akoma, po aq tradicionale është edhe fusha e studimit e cila merret me analizën se si ndryshimi në besimet tona – edhe në ato më të thjeshtët – mund të ushtrojë një ndikim shumë të madh.

Në këtë libër do të mësojmë se edhe një besim i thjeshtë rreth mundësive që kemi është në gjendje të udhëheqë pjesën më të madhe të jetës. Në fakt, ky besim është i pranishëm në çdo periudhë të jetës. Pjesa më e madhe e asaj që e përshkruajmë si personalitet rritet në truallin e kësaj “mendësie”. Sikundër edhe pjesa më e madhe e asaj që na pengon të përmbushim potencialet që kemi.

Asnjë libër nuk është marrë me shpjegimin e mendësisë, si dhe të mënyrave se si njerëzit ta vënë në përdorim, në mos ta shfrytëzojnë atë, në jetën e përditshme. Por nëse jemi të vetëdijshëm për forcën e saj, do mund të kuptojmë, papritur, njerëzit e mëdhenj – në shkencë dhe në art, në sport dhe në biznes – ose ata që mund të kishin qenë të tillë; do mund të kuptojmë kolegët e shefin, miqtë e fëmijët tuaj; do jemi në gjendje të vëmë në dukje potencialin që kemi, po aq sa edhe atë të fëmijëve.

Jam e privilegjuar të ndaj gjetjet e punës time me lexuesin e kësaj vepre. Krahas rasteve që kanë qenë objekt i hulumtimeve shkencore të mia, në të do gjeni edhe shumë raste a histori të shkëputura nga rubrikat kryesore të shumë të përditshmeve, ose edhe nga jeta dhe përvoja ime personale, në përpjekje për ta paraqitur mendësinë në ndryshim. (Në pjesën më të madhe të rasteve, informacioni personal dhe emrat janë ndryshuar me synim ruajtjen e privatësisë, ndërsa në raste të tjerë, të dhënat ose referencat që u takojnë disa personave të ndryshëm janë kondensuar në një, me synim qartësimin maksimal të argumentit. Disa përvoja janë rikrijuar bazuar në kujtesë, por edhe në këto raste jam përpjekur të bëjë më të mirën për të qenë sa më e saktë.)

Në fund të çdo kapitulli dhe përgjatë kapitullit të fundit, do të gjeni udhëzime se si t’i ktheni në mësim dijet e përftuara, – ose mënyrat se si të njihni mendësinë që po ju udhëheq në këtë fazë të jetës, ta kuptoni si funksionon dhe, edhe ta ndryshoni, në se keni dëshirë.

Përftoj nga kjo hyrje e shkurtër për të falënderuar të gjithë njerëzit që bënë të mundur hulumtimin dhe vetë botimin e këtij libri. Studentët ma kanë shndërruar karrierën në një gëzim të vërtetë. Shpresoj që të kenë mësuar nga unë, po aq sa edhe unë kam mësuar nga ta.

RRETH AUTORIT

Dr. Carol S. Dweck është e njohur në mbarë botën si një nga studiueset e kërkueset më të mira në fushën e personalitetit, psikologjisë sociale dhe psikologjisë së zhvillimit.

Dr. Dweck mban titujt Profesore Lewis dhe Virginia Eaton në Psikologji, në Universitetin Stanford, është anëtare e Akademisë Amerikane të Arteve dhe të Shkencave, si dhe anëtare e Akademisë Kombëtare të Shkencave. Në nder të punës kërkimore e shkencore i janë atribuuar nëntë çmime.

Ka mbajtur fjalën e rastit në Kombet e Bashkuara në prag të zbatimit të planit të ri global të zhvillimit dhe ka këshilluar qeveri të ndryshme në fushën e politikave ekonomike dhe të edukimit. Puna e saj citohet në pothuaj të gjitha botimet e autorëve dhe studiuesve të njohur. Ka qenë e pranishme në Today, Good Morning America dhe20/20.

Jeton me bashkëshortin në Palo Alto, California.

mindsetonline.com

Facebook.com/CarolDweckAuthor

Përmbajtja 

Kapitulli 1 Mendësitë / Kapitulli 2 Në brendësi të mendësisë / Kapitulli 3 E vërteta rreth aftësive dhe mjeshtërisë / Kapitulli 4 Sport: mendësia e një kampioni / Kapitulli 5 Biznesi: mendësia dhe drejtimi / Kapitulli 6 Marrëdhëniet: mendësia në dashuri (ose jo) / Kapitulli 7 Prindërit, mësuesit dhe trajnerët: ku e ka burimin mendësia? / Kapitulli 8 Ndryshimi i mendësisë

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.