Të rrëfesh gënjeshtrën. Shenjat e mashtrimit në treg, politikë dhe martesë Nga Edita Fina 

Telling Lies: Clues to Deceit in the Marketplace, Politics, and Marriage Autor Paul Ekman

Botues: W.W. Norton & Company, 1985, 1991, 2001, 2009. 

Book review

Përmbajtja: Acknowledgments / Introduction /  Lying, Leakage, and Clues to Deceit/  Why Lies Fail / Detecting Deceit From Words, Voice, or Body /  Facial Clues to Deceit / Dangers and Precautions  / The Polygraph as Lie Catcher / Lie Checking / Lie Catching in the 1990s / Lies in Public Life / Epilogue / Appendix / Reference Notes / Index

Nga Edita Fina 

Synopsis: Të rrëfesh gënjeshtrën. Shenjat e mashtrimit në treg, politikë dhe martesë

Libri ‘Telling lies’ (1985) trajton, në thellësi, fenomenin e gënjeshtrës, si përkufizohet, çfarë përmbledh dhe si njerëzit përpiqen vazhdimisht ta fshehin. Por cilat janë shenjat që na tradhëtojnë ndërkohë që përpiqemi të fshehim gënjeshtrën? Pse gënjeshtrat i kanë ‘këmbët e shkurtra’? Si të dallojmë kur dikush gënjen, jo vetëm nga fjalët që zgjedh, por edhe nga heshtja ose pauza nga një deklarim në tjetrin?

Për Paul Ekman, autorin e librit, janë jo aq shprehjet verbale, se sa ato jo verbale që zbulojnë më shumë atë që tjetri përpiqet të mbulojë ose të mos thotë. Me shumë shembuj e fakte Ekman përpiqet t’i shpalosë e të na i servisë të gjitha nëpërmjet këtij libri. Luhatjet në intonacionin e zërit, pauzat gjatë të folurit, gjuha e trupit dhe, kryesisht, shprehjet e fytyrës janë sinjalet te të cilat përqendrohet Ekman në ndjekje të gënjeshtrës dhe formave të tjera të shumta nëpërmjet të cilat shfaqet. Kur njerëzit përpiqen të fshehin emocionet, ose t’i shtypin ato në mënyrë të pavetëdijshme, shpesh shfaqet në fytyrë një mikroshprehje, e cila ndodh brenda pak milisekondash (1/15 ose 1/25 e sekondës). Kjo është e padallueshme me sy të lirë gati prej të gjithëve pikërisht për shkak të kohës tepër e shkurtër gjatë së cilës shfaqen. Megjithatë një sy i stërvitur dhe, për më tepër, një njeri mendjemprehtë janë në gjendje të kapin edhe këto shprehje të vogla  fluturake: ata janë të aftë të kuptojnë që personi po fsheh një emocion. Por ajo që nuk mund të kuptojnë është “Pse personi po mundohet ta fshehë emocionin që ndjen?”. Një përgjigje mund të jetë se kjo ndodh si rezultat i një procesi të vetëdijshëm të personit që është i ndërgjegjshëm për atë që po bën, por nuk dëshiron që të tjerët ta dinë. Përndryshe, mund të jetë rrjedhojë e shtypjes së pavetëdijshme të emocioneve, në rastin kur personi është i pavetëdijshëm për atë që bën, si rezultat i bllokimit nga pavetëdija. Ajo që është e përbashkët në të dy rastet është që sa herë gënjejmë, në mënyrë të vetëdijshme ose të pavetëdijshme, ndodh një shtypje e emocionit që përjetojmë, e cila shfaqet në mënyrë të pashpëtueshme në mikroshprehje të fytyrës.

Pra, është e rëndësishme të mbahet parasysh që mikroshprehjet e fytyrës nuk janë gjithmonë të dhëna përfundimtare që tjetri po gënjen. Në fjalët e vetë autorit  “…nëse dikush shfaq një mikroshprehje të fytyrës kjo nuk mjafton për të qenë të sigurt që personi po gënjen. Gati të gjitha emocionet e tradhëtuara prej shprehjeve të tilla mund të përjetohen edhe nga një individ i pafajshëm, i cili thjesht përpiqet të fshehë ndjenjat e tij” (p.159).  Me shumë të drejtë autori përdor emërtimin  “shenjë”, e cila sinjalizon procesin e shtypjes emocionale nga një individ gjatë një komunikimi të caktuar. Më tej, për të përcaktuar nëse kjo shtypje emocionale është e lidhur me një gënjeshtër pak a shumë të ndëshkueshme duhet kuptuar më parë nëse fshehja e së vërtetës është e vetëdijshme apo e pavetëdijshme, pasi të dyja kanë të njëjtën shprehje (ose të njëjtat “shenja”). Për këtë duhen marrë në konsideratë e diskutuar njohja e situatës në të cilën shfaqen, ose pyetjet të cilat mund të na ndihmojnë për të kuptuar më shumë e për të bërë dallimin mes tyre.

Në një hetim alla Sherlock Holmes, autori merr përsipër të na ilustrojë teorinë e tij mbi gënjeshtrën me raste konkrete, duke u nisur nga gënjeshtra të pafajshme, si ato mes bashkëshortëve, tek ato me pasoja të rëndësishme, si gënjeshtrat e keqbërësve të dorës së parë, ose së fundmi, gënjeshtrat e mëdha historike të personave politikë, si p.sh.,  Richard Nixon gjatë skandalit të Watergate dhe Adolf  Hitler gjatë negociatave me Chamberlain. Duke kaluar me një rrjedhshmëri të habitshme argumentimi nga rastet e mashtrimit në sferën private tek ato publike, Ekman vë në pah se si suksesi i gënjeshtarit mbështetet gati gjithmonë në pafajësinë e të të mashtruarit. Studimi i tij përshkruan se si gënjeshtrat shfaqen në forma e sfera nga më të ndryshmet duke dëshmuar kësisoj për fushën e zbatueshmërise së njohjes së thellë të gjuhës së trupit dhe shprehjeve të fytyrës që gati gjithmonë na tradhëtojnë. Po sipas Ekman, ndodh shpesh që gënjeshtra mund t’i shpëtojë edhe hetimit të profesionistëve të zbulimit, si: hetuesve, policëve, agjentëve të shërbimeve sekrete etj.

Rreth autorit: Paul Ekman

Paul Ekman  është psikolog amerikan, “Professor Emeritus” i psikologjisë në Universitetin e Kalifornisë, San Francisco, Shkolla Mjekësore, i cili ka fituar famë mbarë botërore me studimet e tij mbi emocionet dhe lidhjen e tyre me shprehjet e fytyrës. Puna pioniere e Ekman ka dhënë një kontribut mjaft të rëndësishëm mbi korrelatat biologjike të emocioneve, duke demonstruar që emocionet janë diskrete dhe universale, qoftë në përjetim, ashtu edhe në shprehjen e tyre. Gjatë punës së tij Ekman ka studjuar emocionet dhe shprehjet emotive në pacientë psikiatrikë dhe njerëz normalë, të rritur dhe fëmijë, në Amerikë dhe shumë vende të botës, duke regjistruar format e reagimit, mbireagimit, reagimet e përshtatshme, të gënjeshtërt ose të vërtetë.  Përveç emocioneve dhe shprehjes së tyre, puna kërkimore e Ekman është përqendruar edhe në studimin e mashtrimit e të gënjeshtrës. Kërkimi i tij ka ushtruar një ndikim të madh dhe ka rezultuar në krijimin e një ‘atlasi të emocioneve’ me shprehjet korrespondente të fytyrës, si dhe të metodës FACS (Facial Action Coding System) për interpretimin e emocioneve nëpërmjet vëzhgimit të shprehjeve të fytyrës. Ekman gëzon reputacionin si “makina më e mirë njerëzore e së vërtetës”.

Përveç se profesor psikologjie, Dr. Ekman ka punuar si konsulent pranë departamenteve të policisë e grupeve anti-terror. Autor i 15 librave, përfshirë: “Telling Lies“, “Emotions Revealed“, “The Face of Man” etj.  Për t’u theksuar, libri “Telling Lies” ka frymëzuar edhe produksionin e serisë së njohur  televizive amerikane ‘Lie to me’ (2009-2011),  një dramë kriminale ku personazhi qendror, Dr. Cal Lightman (interpretuar nga Tim Roth) është një psikolog ekspert në interpretimin e shprehjeve të fytyrës dhe gjuhës së trupit, cili së bashku me ekipin e tij ndihmon hetimet e agjencive të zbatimit të ligjit për zbulimin e së vërtetës. Në këtë detyrë, personazhi vë në jetë njohuritë më të fundit shkencore në fushën e psikologjisë së aplikuar dhe, më në veçanti, ato mbi interpretimin e shprehjeve të fytyrës sipas metodologjisë FACS (Facial Action Coding System) të Ekman. Me pak fjalë, seria zhvillohet rreth figurës së psikologut hetues i cili personifikon “makinën më të mirë njerëzore të së vërtetës”, duke i shkelur kështu syrin vetë Dr. Ekmanit. Për prodhimin e serisë televizive Ekman ka shërbyer edhe si konsulent shkencor.

Pjesë nga libri

“Studimi i mënyrave se si dhe kur njerëzit gënjejnë ose thonë të vërtetën na ndihmon të kuptojmë më mirë marrëdhëniet njerëzore. Pak prej këtyre marrëdhënieve nuk preken nga gënjeshtra, ose së paku nga mundësia e thënies së një të tille. Kështu, prindërit gënjejnë fëmijët në lidhje me seksin, sepse mendojnë që ata nuk janë gati për njohuri të tilla, ashtu sikundër edhe fëmijët në moshën e adoloshencës ua fshehin prindërve aventurat e tyre seksuale, sepse mendojnë që këta të fundit nuk do i kuptojnë. Gënjeshtrat thuhen mes miqsh (edhe miku/mikja më e mirë nuk thotë gjithnjë të vërtetën), mes mësuesit e nxënësit, doktorit e pacientit, burrit e gruas, avokatit e klientit, shitësit e blerësit. Gënjeshtra është tipar qendror i jetës, ndaj edhe të kuptuarit e saj është thelbësore, pothuaj për të gjitha çështjet njerëzore. Një pohim i tillë mund t’i çudisë disa që e konsiderojnë gënjeshtrën një akt të ndëshkueshëm. Unë nuk ndaj të njëjtën pikëpamje. Është shumë e thjeshtë të mendosh që askush nuk duhet të gënjejë në asnjë marrëdhënie.

Nga ana tjetër, nuk pretendoj që çdo gënjeshtër duhet të demaskohet me patjetër.  E vërteta mund të jetë ndonjëherë tepër e rëndë dhe mizore. Edhe gënjeshtrat mund të jenë mizore, ndonëse jo të gjithë gënjeshtarët janë të tillë. Disa gënjeshtra, shumë më të rralla nga çfarë pretendojnë gënjeshtarët, janë altruiste. Shumë marrëdhënie shoqërore i shijojmë për shkak të miteve që ato mbajnë në këmbë.

Por asnjë gënjeshtar nuk duhet të paramendojë lehtësisht që viktima dëshiron të gënjehet, sikundër edhe zbuluesi i gënjeshtrave nuk duhet të marrë për të mirëqenë të drejtën për demaskimin e gënjeshtrës. Disa gënjeshtra janë të padëmshme, madje edhe humane; demaskimi i disa llojeve të tjerave mund ta poshtërojë viktimën, ose të bëjë të ndjehet keq një palë të tretë: të gjitha këto duhet të merren në konsideratë në mënyrë të hollësishme, por pasi të kemi diskutuar disa çështje të tjera thelbësore. Pika e fillimit është përkufizimi i aktit të të gënjyerit, përshkrimi i dy formave bazë të gënjeshtrës, si dhe dy i tipeve të shenjave që i zbulojnë ato”…

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.