Studimi etnografik në shkencat e edukimit Nga Valbona Nathanaili

Studimi etnografik në shkencat e edukimit (Paraqitur me shkurtime)

Nga Valbona Nathanaili

Etnografia si metodë studimi – karakteristika të përgjithshme

 Një nga metodat e studimit që ka filluar të gjejë zbatim edhe në shkencat e edukimit është etnografia. Sa i takon përkufizimit të objektit të kësaj metode, në përgjithësi studiuesit janë në të njëjtën linjë: Given e përkufizon etnografinë si “Arti dhe shkenca e përshkrimit të një grupi ose kulture”; [1] McLeod e përkufizon si “mënyra e jetës” e një kulture ose grupi njerëzish;[2] Green et al, 2006, pohojnë se “Etnografia është qasja e studimit të njerëzve në jetën e përditshme, me një vëmendje të veçantë në kulturë, që do të thotë në proceset nëpërmjet të cilave njerëzit bëjnë (dhe ndonjëherë imponojnë ose kundërshtojnë) kuptimin e saj”.[3] Në të njëjtën vepër, Green et al sjellin edhe pikëpamjet e disa studiuesve të tjerë, kryesisht në ShBA, të cilët e përkufizojnë etnografinë si mjeti për përshkrimin dhe interpretimin e sjelljeve me bazë kulturore, gjë që përputhet edhe me vetë origjinën e fjalës: ethnos – njerëz ose kulturë dhe graphy – shkruaj.

Për Schensul et al një studim etnografik duhet të udhëhiqet nga katër parime:[4]

  1. Mbështetet në teori dhe gjeneron teori (për Cohen, janë të dhënat që gjenerojnë teori, dhe më pak vice versa, pra më shumë gjenerim i teorisë se verifikim i saj[5])
  2. Është edhe cilësor, edhe sasior
  3. Është lokal
  4. Është i zbatueshëm (për Cohen (cituar) studiuesi më shumë gjeneron se sa teston hipoteza)

Cohen et al 2005 bëjnë një përmbledhje të termave kryesorë të studimit etnografik.

Përfshirja e studimit etnografik në shkencat e edukimit – pak histori

Një histori të shkurtër të fillesave të zbatimit të etnografisë si metodologji studimi në fushën e edukimit e gjejmë në veprën e Green et al, 2006:

Në fillim të viteve ‘960 dhe ‘970, breza të rinj studiuesish, pjesa më e madhe e të cilëve ishin mësues, kërkonin të gjenin shpjegime për shqetësimet që viheshin re në shumë shkolla urbane dhe, kryesisht, në shkollat e lëna pas dore me sfond rural. Nëpërmjet hulumtimit etnografik ata arritën të identifikojnë natyrën komplekse dhe të lidhur me kontekstin, të shqetësimeve që viheshin re në këto shkolla, ndryshe nga paradigma mbizotëruese e asaj kohe, sipas së cilës faji nuk kishte të bënte me familjen ose me fëmijën.

Më 1969, këto dy breza shkollarësh themelojnë në ShBA “Këshillin për Antropologjinë dhe Arsimin”, pjesë përbërëse e antropologjisë së ShBA. Ndërkohë, në Britaninë e Madhe, etnografia e arsimit ishte rrjedhojë e sociologjisë së arsimit, kryesisht në përgjigje të zgjerimit të kolegjeve të edukimit. Etnografia e klasës dhe studimet e kurrikulës u frymëzuan nga shkolla e Chicagos e interaksionit simbolik, antropologjia sociale e traditës britanike dhe antropologjia e arsimit e ShBA (Delamont, 1986; Hargreaves & Woods, 1984).

Një tjetër rrymë që u zhvillua në Britaninë e Madhe ishte kërkimi neomarksist, përfaqësuar me studimin e mirënjohur të Paul Willis (1997) Learning to Labour, i cili e vendos theksin tek nxënësi, si aktor i pavarur, rezistues, ndonjëherë edhe në kundërshtim me produktin e dëshiruar, dhe riprodhues i klasës sociale.

Etnografia e arsimit u zhvillua edhe në vende të tjera, përfshirë Izraelin dhe Japoninë.

Në Francë, studimi etnografik i arsimit u shkëput nga sociologjia e arsimit, për të dalë si metodë me vete studimi duke ruajtur, në të njëjtën kohë, kontaktet me antropologjinë e arsimit të ShBA.

Në Meksikë, nën drejtimin e studiuesve të tillë si Elsie Rockwell dhe Antonia Candela, etnografët e arsimit u formatuan me historinë e arsimit nga njëra anë dhe me analizën e klasës, në anën tjetër.

Disa koncepte që përdoren në punën e etnografëve

Kultura

Ne jetojmë në një botë ku kuptimet kulturore, të krijuara nga të tjerët dhe nga ne, formësojnë bazat e besimeve dhe të fakteve për këto besime, që nuk ekzistojnë në botën johumane, si për shembull “të mësosh të lexosh është e vështirë” ose që “shkollimi është një gjë e mirë për çdo njeri të kësaj bote” (Judith L. Green, Gregory Camilli & Patricia B. Elmore, 2006. “Handbook of complementary Methods in Education Research”, American Educational research Association: New York, f. 281). Këto kuptime njihen gjerësisht si “ndjesi e përgjithshme” ose merren si aksioma që i dimë të gjithë, që nuk kanë nevojë për vërtetim: janë aty dhe të gjithë jemi dakord se ashtu është. Kuptimbërjet kulturore përfshijnë edhe ndjenja, vlera e mënyra të sjelli: të gjithë ndjehemi keq kur shohim një fëmijë që rrihet dhe kemi dëshirë të ngremë zërin e të kundërshtojmë (Green et al, cituar).

Nëse duam të bëjmë një interpretim materialist e klasik të kulturës, mund të themi se kultura është shumatorja e modeleve të vëzhgueshme të sjelljes së grupit/eve sociale dhe mënyrës së jetës. Bazuar në një qasje konjitive, mund të themi se kultura përfshin ide, besime e dije që karakterizojnë një grup të caktuar njerëzish. Pra, nëse duan të bëjnë një studim të mirë, etnografët duhet të njohin jo vetëm sjelljet me bazë kulturore, por edhe vetë kulturën.

  • Për shumë antropologë, kushti kryesor që të jesh etnograf është aftësia për të interpretuar kulturën, që do të thotë aftësia për të përshkruar çfarë ke parë e dëgjuar në sfondin e këndvështrimit realist të grupit social. Një nga shembujt klasikë që sillet sa herë duam të theksojmë rëndësinë që ka njohja dhe interpretimi i kulturës është kapsallitja e syve dhe shkelja e njërit prej tyre. Nëse nisemi nga një pikëpamje thjesht mekanike, ndoshta asnjë nuk është në gjendje të japë ndonjë dallim evident ndërmjet këtyre dy lëvizjeve, por konteksti kulturor që shoqëron secilën prej tyre, për më tepër njohja e tij, që do të thotë e marrëdhënieve të sugjeruara ose të nënkuptuara ndërmjet individëve që i përdorin, ose e atyre që është në gjendje të ndërtojë përdorimi i secilës prej tyre, ndihmon në përkufizimin dhe diferencimin e këtyre dy ndryshimeve tepër të rëndësishme në sjellje. Çdo njeri që ka shkelur syrin në vend që t’i kapsallisë ato, është i ndërgjegjshëm për diferencën që bëjnë interpretimet kulturore (Lisa M. Given, 2008. “The SAGE Encyclopedia of Qualitative Research Methods”, vol. 1&2, Sage Publications: Los Angeles, p. 288).

Perspektiva emike dhe etike

Perspektiva emike, pra realiteti i perceptuar sipas këndvështrimit të anëtarit të brendshëm të grupit ose të individit autokton, është në qendër të kërkimit etnografik. Perspektiva e individit autokton nuk duhet të ngatërrohet me realitetin “objektiv”, por të ndihmojë në të kuptuarin “pse anëtarët e grupit social bëjnë atë që po bëjnë”. Në kontrast me supozimet e mësipërme rreth mënyrës se si funksionon sistemi, nga një perspektivë e thjeshtë, lineare e logjike, etnografët, në përgjithësi, zhvillojnë një qasje kërkimore të orientuar nga fenomenologjia.

Perspektiva etike është një perspektivë e jashtme shkencore e sociale për realitetin. Për pjesën më të madhe të etnografëve, orientimi emik dhe etik janë gurët kilometrikë në nivelet e shumta që merr analiza e tyre apo në zhvillimin e stilit të shkrimit. Pjesa më e madhe e etnografëve e nisin mbledhjen e informacionit nga perspektiva emike dhe, më tej, përpiqen t’u japin kuptim atyre që kanë mbledhur, si në termat e pikëpamjeve të individit autokton, ashtu edhe të analizës së tyre shkencore. Ashtu sikundër një punë gjithëpërfshirëse në terren kërkon një interpretim të ndjeshëm dhe të thellë kulturor, bazuar në teknika të fuqishme mbledhjeje të dhënash, edhe një etnografi të mirë i kërkohet të punojë sipas dy perspektivave: emike dhe etike.

Simbolet

Një rol të rëndësishëm në kuptimin dhe përshkrimin e kulturës luajnë edhe simbolet. Simbolet janë shprehje të kondensuara të kuptimeve që evokojnë ndjenja dhe mendime të fuqishme. Një kryq ortodoks ose një menorahpërfaqëson një besim; një kryq i thyer përfaqëson një lëvizje: në të shkuarën atë naziste dhe, sot, neonaziskinët (këta të fundit shpesh identifikohen edhe me simbole të tjera, si flokët e qethur zero ose këmishat e zeza); një flamur përfaqëson një komb. Simbolet luajnë një rol parësor në komunitet, duke u shndërruar, shpesh, në burim për etiketime a epitete të ndryshme ose lindjen e ndjenjave të fuqishme me natyrë patriotike.

Foto kryesore: Karta e performancës e shkollës 9-vjeçare “Ismail Qemali”, Shkodër. Shkolla gjendet në qendër të qytetit.

Referenca:

[1] Lisa M. Given, 2008. “The SAGE Encyclopedia of Qualitative Research Methods”, vol. 1&2, Sage Publications: Los Angeles, f. 288.

[2] John McLeod, 2001. “Qualitative Research in Counsellng and Psychotherapy”, Sage Publications: Los Angeles, f.64.

[3] Judith L. Green, Gregory Camilli & Patricia B. Elmore, 2006. “Handbook of complementary Methods in Education Research”, American Educational research Association: New York, f. 279.

[4] Stephen L. Schensul, Jean J. Schensul & Margaret D. LeCompte, 1999. “Essential ethnographic methods: Observations, Interviews and Questionaries”, Altamira Press: Oxford, f. 1.

[5] Louis Cohen, Lawrence Manion & Keith Morrison, 2005. “Research Methods in Education”, 5th edition, Routledge: London, f. 138.

[6] Ibid, f. 78.

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.