Refleksione rreth librit Rruga e mundimshme e shkollës shqipe Nga Aleko Minga 

Refleksione rreth librit Rruga e mundimshme e shkollës shqipe. Çështje, politika & veprimtari në fushën e arsimit, 1912-1944,

me autor Dr. Valbona Nathanaili 

Nga Aleko Minga 

Merita për përparimin e shkollës shqipe nuk i takon një brezi, apo një periudhe të caktuar në këta një qind vjet. Çdo brez ka kontributin e vet të vyer në këtë visar trashëgimie. Meritojnë respekt dhe nderim personalitetet që kanë pasur barrën e drejtimit, të cilët me vizionin dhe vendimet e marra, i kanë dhënë kahun e duhur dhe impulsin e nevojshëm zhvillimit. Por një vlerësim akoma më të madh meritojnë mësuesit, për përkushtimin dhe sakrificat në kryerjen e misionit të tyre fisnik.

Respekti vërtet i ndjerë dhe i përligjur buron nga njohja, prandaj çdo vepër që na ndihmon të thellojmë dhe të saktësojmë këtë njohje është e mirëpritur. Në këtë prizëm e shoh veprën e hartuar nga Valbona Nathanaili, si një ndihmesë të çmuar dhe, vetë botimin nga UET Press, një tjetër ofertë interesante për publikun e gjerë.

Arkivat, kjo kujtesë e materializuar e shtetit, gjithmonë ngjallin kërshëri, prandaj e shfletova me emocion kopjen e librit që do të shkonte për botim, aq më tepër sepse kishte të bënte me një periudhë për të cilën informacioni ka qenë jo në masën e duhur dhe, për më tepër, hera-herës i servirur jo drejtpërdrejt nga materiale burimore, por përmes interpretimesh paragjykuese.

Valbona Nathanaili ka bërë një zgjedhje të qëlluar që, punën e saj të kujdesshme qëmtuese, e ka përqendruar në harkun kohor të viteve 1912-1944, duke na ofruar materialin dokumentar që gjendet në Arkivin Qendror të Shtetit për problematikat dhe politikat në fushën e arsimit, në fondin e dikastereve të arsimit, të cilët kanë pasur përgjegjësinë shtetërore kryesore. Për mendimin tim, ka vepruar drejt që spektrin e ka zgjeruar për të përfshirë edhe aktivitete të tjera, për të pasqyruar, sa ka qenë e mundur, realizimin e tyre praktik në përditshmërinë reale.

Parashtrimi i suksesshëm i dokumentacionit s’mund të kryhej pa një punë këmbëngulëse, që kërkonte jo vetëm durim dhe qëndresë, por edhe pasionin e një hulumtuesi të formuar. I ka ushqyer këto cilësi të saj dashuria e hershme, interesi i gjallë dhe përkushtimi me të cilin ka ushtruar për vite mësuesinë. Por në punën që mori përsipër ka ndikuar për mirë formimi i saj në shkencat e sakta, që stërvitin disa mekanizma intelektualë, si dhe logjikën e kërkesat për të qenë i saktë, koherent, sistematik e rigoroz ndaj vetes. Kjo i ka dhënë dorë për të realizuar (po e përmend për të plotësuar idenë) synimin që i kishte vënë vetes “për të pastruar, edhe sado pak, nga shtrembërimet që i është bërë e vazhdon t’i bëhet jo vetëm veprimtarisë, por edhe disa prej figurave që e kanë udhëhequr arsimin në këtë periudhë”, po të përdorim fjalët e saj.

Kriteri kronologjik dhe i ngjashmërive në problematika e zhvillime e përligj plotësisht ndarjen e periudhës 1912-1944 në disa nën-periudha. Autorja është e vetëdijshme se ekzistojnë edhe materiale të tjera arkivore që mund të plotësonin mozaikun e arsimit, por në çdo punë, po nuk u ndoq një radhë, ekziston rreziku të mos shohësh pyllin prej drurëve. Për këtë arsye, përqendrimi parësor në fondet e Ministrisë së Arsimit, ishte filli i Ariadnës për të mos humbur në labirint. Plotësimet e nevojshme do të duhet të realizohen dora-dorës, në “kohë të vet”.

Libri që merrni në dorë ofron një material mirë të mjaftueshëm për meditim vetjak dhe për të krijuar një ide e përfytyrim relativisht të saktë për procesin e zhvillimit të arsimit në periudhën e parë e mjaft të trazuar, por edhe interesante, që zu fill më 1912 dhe u mbyll më 1944.

Ndaj meriton të përgëzohet Valbona Nathanaili për këtë nismë dhe për frytin e angazhimit serioz që investoi për realizimin e saj.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.