TRANSEDENCË & TRANSFORMIM Një hyrje në mënyrën e funksionimit të konfliktit 

TRANSEDENCË & TRANSFORMIM Një hyrje në mënyrën e funksionimit të konfliktit 

Autor Johan Galtung

Përktheu në shqip Valbona Nathanaili

Botimi i parë në shqip, korrik 2007.

Redaktor: Dr. Thimi Nika. Tiranë: Albanian University Press

Përmbledhje nga autori 

Autori ka qënë mediator, këshillues dhe pjesëmarrës në zgjidhjen e një sërë konfliktesh përreth botës, për më shumë se 40 vjet, si të konflikteve që kanë të bëjnë me jetën e përditshme, ashtu edhe të atyre gjeopolitike. Pikërisht mbi bazën e këtyre përvojave të grumbulluara janë ngritur trainimet mbi konfliktet. Libri është një përpjekje për të paraqitur diçka nga këto trainime.

Libri përmban dyzetë raste konfliktesh. Në faqet e para do të gjeni konflikte që lidhen me jetën e përditshme. Më tej vijohet me lloje të ndryshme konfliktesh, për të kaluar në ato gjeopolitike.

Konfliktet nuk janë të nivelit më të lartë apo më të ulët. Të gjitha konfliktet që lindin janë njësoj të barabartë, kanë të njëjtën të drejtë për t’u analizuar me transendencë (t’u shkohet përtej, të tejkalohen) dhe për t’u transformuar, që palët të mund të jetojnë me to. Konfliktet gjeopolitike nuk janë të “nivelit më të lartë” vetëm sepse burrat e shtetit apo diplomatët që merren me to kanë një status të lartë shoqëror. Të gjithë konfliktet janë të barabartë: ato janë thellësisht seriozë për këdo që ka lidhje me to. Konfliktet nuk janë lojë, ku pjesëmarrësit janë në garë për të humbur a fituar, por shpesh një luftë për mbijetesë, për mirëqenieliri, identitet – nevojat themelore të një qenie njerëzore.

Për të lexuar këtë libër nuk nevojitet asnjë njohuri paraprake speciale. Kërkohet vetëm që lexuesi të meditojë pak. Mbylle librin pasi të jetë formuluar konflikti. Mendo mirë se çfarë do të kishit këshilluar, çfarë do të thoshit, çfarë do të kishit bërë sikur problemi të kërkonte ndihmën tuaj? Pastaj vazhdo leximin. Ushtrim standard: gjej vetë një shembull tjetër të ngjashëm dhe analizoje sipas mënyrës së propozuar.

Tani disa fjalë për të treguar se si janë përdorur këto shembuj në trainimet përreth botës nga organizata për ndërmjetësim TRANSENDENCË (www.transcend.org). Një dhomë, pesë tavolina dialogu në formën e një gjysmërrethi me gjashtë persona në secilën. Asnjë nuk i kthen shpinën trajnerit, i cili qëndron në qendër të rrethit, me një flip chart. Ai/ajo skicon konfliktin: cilat janë palët, çfarë synojnë ato, ku janë mospërputhjet (“kontradiktat”)? Dhe më pas shtrohet detyra për çdo tavolinë: çfarë do të sugjeroni ju?

Pesë – dhjetë – pesëmbëdhjetë minuta dialog, çdo tavolinë cakton një zëdhënës. Propozimet prezantohen, shkruhen në flip chart, pastaj bëhen diskutime e komente. Në këtë mënyrë është vepruar në një numër vendesh përreth botës, në shumë gjuhë.

Për më tepër, TPU, TRANSCEND Peace University, ka sajtin e tij në internet (www.transcend.org/tpu) me disa kurse. Pjesëmarrësit e TPU ndahen në grupe dialogu, nga të gjithë kontinentet. Ata caktojnë një person që shkruan dhe puna ecën. Zakonisht përdoren këto tekste bazë: “Në kërkim të paqes” (London: Pluto, 2nd ed. 2002) dhe “Paqe me mjete paqësore” (London; SAGE, 3rd printing 1998). Një grup i vogël, ku secili ka shansin për të folur e ku mund të gjenden më shumë përvoja e propozime me vlerë se sa ato që vijnë nga një person i vetëm.

Ky libër mbi konfliktin mund të lexohet gjithashtu edhe nga një grup studiuesish, të cilët diskutojnë çdo rast, por që jo domosdoshmërisht bien në konsensuns me njeri tjetrin apo me autorin. Garanci: pjesëmarrësit do të mësojnë mjaft!

Kapitujt në këtë libër kanë emrat e ditëve të javës, duke reflektuar për atë që ndodh pak a shumë në harkun e një jave. Shpenzo shtatë ditë me këtë libër, vetëm ose në grup/rreth studimor/kolokium. Libri mbështetet më shumë në ato që keni jetuar se në ato që keni lexuar, duke iu dhënë bazat e një punonjësi konflikti, amator apo profesionist, në ndihmë të të tjerëve – apo vetes tuaj. Një hyrje në higjienën elementare të konfliktit.

Libri bazohet mbi realen, nuk ka konflikte te sajuara apo të imagjinuara dhe, për më tepër, shumica e konflikteve të trajtuara janë përvojat e autorit si ndërmjetës, ku, si rregull, ka qenë i ftuar. E hëna i kushtohet konflikteve brenda dhe ndërmjet personave (mikro); E marta konflikteve në shoqëri (meso); E mërkura konflikteve ndërmjet shteteve dhe kombeve (makro) dhe, E enjtja konflikteve ndërmjet rajoneve dhe civilizimeve (mega). Mikro – Meso – Makro – Mega, nga më të afërtat tek më të largëtat. E premtja dhe E shtuna i kushtohen temave të tjera, që katër nivelet e konflikteve i kanë të përbashkëta. Ndërsa E diela është për një vështrim të shkurtër të përgjithshëm dhe për konkluzionet. Paç fat, mendime optimiste e të dobishme dhe ëndërra të bukura, të frymëzuara nga një figurë rreth së cilës ju do të lexoni mjaft.

Përmbajtja 

  • E hënë: Mikrokonfliktet, brenda dhe ndërmjet njerëzve. Çifti në aeroplan / Veshja / Dielli / Rafti i rrobave / Tradhtia / Pushim dhe festë / Gjeje kë kemi per darkë / Prindërit, fëmijët dhe shtëpia për së mbari / Burri, gruaja dhe jeta për së mbari / Frojdi dhe jeta si transendencë
  • E martë: Mesokonfliktet në shoqëri. Shkolla pa ngjyra / Kompania pa klasa / Alternativa ekonomike / Alternativa politike / Alternativa mbrojtjeje / Shkollat tradicionale dhe ato alternative / Rrymat tradicionale dhe alternative të kurimit / Burrat, gratë dhe shoqëria për së mbari / Zvicra si transendencë / Marksi dhe Historia si transendencë.
  • E mërkurë: Makrokonfliktet ndërmjet shteteve dhe kombeve. Ekuador-Peru: zonë dykombëtare, park natyror / Groenlanda Lindore: Norvegji-Danimarkë, “harruar” Inuitët / Havai: sovraniteti si proces / Kolumbi: ndërtojmë një shoqëri, jo vetëm një shtet / Ruanda-Liqenet e Mëdha: konfederatë dyoqeanike / Ulster: pavarësi funksionale / Euskadi: pavarësi funksionale / Jugosllavia: e drejtë e barabartë për vetëvendosje / Izrael-Palestinë: komunitet në Lindje të Mesme / Marrëveshja e Oslos: nga një proces i gabuar, në një rezultat po aq të gabuar / Mandela-de Klerk-Tutu: vërtetësi-pajtim-paqe
  • E enjte: Megakonfliktet ndërmjet rajoneve dhe civilizimeve. Lufta I e Ftohtë: dialog i polarizuar mbi depolarizimin / Lufta II e Ftohtë: një OKB demokratike si transendencë / Veri-Jug: nevojat themelore si synime, shteti-kapitali si mjete / Globalizim: po, nga poshtë, në mënyrë demokratike / Zhvillimi i qendrueshëm: njerëzimi si transendencë / Krishterimi dhe paganizmi: e vërteta e gabuar / Krishterimi dhe Islami: të vërtetat që nuk përjashtojnë njera tjetrën / ShBA, Perëndimi dhe pjesa tjetër e Botës: nevojat themelore, pastaj tregëtia, feja / Palët në konflikt dhe hajdutët e konfliktit: transendencë përmes dialogut / Paqja e Ghandit: rezistoji të keqes, fuqizo njerëzit
  • E premte: Kultura e thellësisë, sjellja e thellësisë, struktura e thellësisë. Kultura e thellësisë / Sjellja e thellësisë / Struktura e thellësisë
  • E shtunë: Krijimtari, dialog, negocim. Krijimtari / Dialog / Negocim
  • E diel: Metoda transendencë. Një vështrim i përgjithshëm

Rreth autorit 

Johan Galtung u lind në Oslo, Norvegji, më 24 tetor 1930. Themelues dhe drejtor i TRANSENDENCË – Rrjeti i paqes dhe zhvillimit për transformimin e konfliktit me mjete paqësore, me më shumë se 300 anëtarë nga 80 vende të botës dhe rektor i Universitetit Transendencë të Paqes (TPU).

Profesor në studime mbi paqen, është i njohur gjerësisht si themelues i disiplinës akademike të kërkimeve mbi paqen dhe një nga pionierët e paqes dhe transformimit të konfliktit në teori dhe praktikë. Ka luajtur një rol tejet aktiv për ndërmjetësimin dhe parandalimin e dhunës në më shumë se 45 konflikte kryesore përreth botës në katër dhjetëvjeçarët e fundit dhe është autor i manualit të parë të Kombeve të Bashkuara për trainerët dhe anëtarët e “Transformimi i konfliktit me mjete paqësore: Metoda Transendencë” (UNDP, 2000). Ka mbajtur ligjërata mbi Shkencën e Paqes në Universitetet e Havait, Uitten/Herdecke, Tromsoe, Alicante, Ritsumeikan, Universitetin Europian të Paqes si dhe në shumë universitete të tjera. Më 1959, Galtung themeloi në Oslo Institutin e Kërkimeve mbi Paqen; më 1964 Gazetën e Kërkimeve mbi Paqen dhe më 2000, Institutin Nordik për Kërkime mbi Paqen.

Ka botuar më shumë se 1000 artikuj, që rrokin një gamë të gjerë fushash, të lidhura kryesisht me transformimin e konfliktit me mjete paqësore, kulturën e thellësisë, pedagogjinë e paqes, pajtimin, fuqizimin dhe ndërtimin e paqes, qeverisjen globale, reflektime mbi ngjarje të ndryshme. Ka më shumë se 100 libra të përkthyer në 12 gjuhë të ndryshme. Librat më të fundit janë: “Transendencë & Transformim” (Pluto Press 2004); “Duke kërkuar paqen” (Pluto 2000&2002); “Paqe me mjete paqësore: paqja dhe konflikti, zhvillimi dhe civilizimi” (Sage 1996); “Ese të mbledhura mbi metodën dhe kërkimin e paqes” (Christian Ejlers, Kopenhagen); “60 fjalime mbi luftën dhe paqen” (PRIO, 1990).

Prof. Johan Galtung është këshilltar për disa agjenci të Kombeve të Bashkuara dhe trainer e lektor i vazhdueshëm. Mban shumë tituj e grada, ndërmjet të cilave dhe Right Livelihood Award (Një alternativë e “Çmimit Nobel”).

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.