Ngritja dhe rënia e kombeve. Forcat e ndryshimit në botën paskrizë Autor Ruchir SHARMA 

Ngritja dhe rënia e kombeve. Forcat e ndryshimit në botën paskrizë Autor Ruchir SHARMA  

Përktheu nga anglishtja Valbona Nathanaili / Shtëpia Botuese Pema, Prishtinë, qershor 2017

Rreth librit Ngritja dhe rënia e kombeve. Forcat e ndryshimit në botën paskrizë.

Nga Dr. Valbona Nathanaili

Ruchir Sharma vjen për herë të parë në gjuhën shqipe, por me një libër të mrekullueshëm dhe shumë të veçantë. Me një përvojë të gjatë si investitor dhe akoma më të gjatë si kontributor me opinione e artikuj të ndryshëm për shumë revista e gazeta prestigjioze, synimi i autorit është të na shpjegojë, nëpërmjet ilustrimeve e fakteve me shtrirje në kohë dhe hapësirë, se evolucioni i kombeve bëhet nëpërmjet cikleve, me ulje e ngritje, me periudha begatie dhe periudha të vështira financiare ekonomike, një lloj si treni në kodrinat argëtuese ruse, por që në rastin e kombeve mungon dimensioni argëtues kur cikli ekonomik i radhës është ai i rënies, ose edhe i krizës financiare. Sipas autorit, çdo gjendje ekonomike, veçanërisht ato që karakterizohen nga një boom ekonomik, nuk mund të zgjasë për periudha shumë të gjata kohore. Për ta pasur lexuesi të lehtë parafytyrimin, gjendja e një boomi ekonomik mund të përshkruhet si gjendje me ekuilibër të paqëndrueshëm, për shembull një objekt që e kemi ngjitur në majën e një mali të lartë, të cilin edhe forca më e lehtë e nxjerr nga kjo gjendje dhe në të cilën mund të kthehet përsëri vetëm nën veprimin e forcave me efekt krejtësisht të kundërt.

Për këtë, është shumë e rëndësishme të jemi të ndërgjegjshëm për forcat që i ushqejnë dhe ato që i frenojnë ngritjet dhe rëniet ekonomike, për politikat që duhet të hartojmë e zbatojmë, për faturat që duhet të paguajmë. Dhe të parashikojmë! Por Sharma sugjeron, se saktësia e parashikimit, në këtë botë që duket se më shumë se globalizmi, karakterizohet nga deglobalizmi, nuk mund të shkojë përtej një periudhe kohore më të gjatë se dhjetë vjeçare.

Gjatë gjithë librit, merren në konsideratë, paralelisht, vendet e zhvilluara dhe vendet në zhvillim, ku në të parat, falë demokracisë së konsoliduar, një rol të rëndësishëm në kohështrirjen e një cikli ekonomik luajnë bankat, ndërsa në të dytat, për shkak të një demokracie më shumë se të brishtë, këtë rol e marrin shpesh politikanët, sepse në përgjithësi bankat janë në varësi të tyre, ndërsa vetë drejtuesit, sikundër shprehet autori, pjesën më të madhe të kohës qëndrojnë me telefon në vesh për të zbatuar direktivat që japin këta politikanë, shpesh të korruptuar, populistë a që vegjetojnë në pushtet për shumë mandate me radhë.

Larg statistikave të vështira, shifrave të panumërta dhe indekseve të kota, të cilat Sharma në pjesën më të madhe i kritikon si të manipulueshme, në mos të korruptuara nga fuqia e parasë dhe e njehsimit të tyre nga pozitat e të bërit biznes, libri është një apel për të kuptuar lojën që luhet në kurriz të begatisë së popullit nga një klasë e korruptuar politikanësh që përpiqen të zgjasin me çdo kusht pushtetin e tyre politik dhe që e shndërrojnë edhe në ekonomik. Sharma përdor konceptin e miliarderëve të mirë dhe të këqij dhe liston si arsye kryesore mënyrën se si këta miliarderë e kanë bërë pasurinë, ku vija ndarëse është kontributi që japin në progresin e vendit, apo shfrytëzimi i pasurive të tij falë lidhjeve familjare apo korruptive me drejtuesit politikë të radhës.

Sipas Sharmës, mënyra më e mirë për të analizuar gjendjen ekonomike të një vendi është të fillosh duke analizuar se si sillen vendasit dhe të dëgjosh perspektivën e tyre. Në periudha para dhe pas krizë, garën ndërmjet të huajve dhe vendasve e fitojnë gjithmonë vendasit, sepse përpos nuhatjes, janë ata që përballen direkt me pasojat e politikave ekonomive në jetën e përditshme, ndërkohë që të huajt i mbështesin vendimet e tyre kryesisht në të dhënat për vendin, të cilat në rastin më të mirë nuk janë të përditësuara. Por të fituar dalin në përgjithësi të huajt, falë paketave ekonomike subvencionuese që ofrojnë qeveritë në përpjekje për të zbutur pasojat e krizës dhe për të mos trembur investitorët e huaj.

Një mesazhi i rëndësishëm i librit është se kalimi nga një gjendje zhvillimi në një tjetër, bëhet sipas etapave të caktuara dhe nga e cila asnjë vend nuk bën përjashtim. Ky mesazh është veçanërisht i rëndësishëm për vendet në zhvillim, të cilët për të hyrë në erën e teknologjisë, jo vetëm si konsumatorë, por edhe si prodhues të saj, duhet të kalojnë nëpër po ato faza që kanë ecur edhe vendet e zhvilluara dhe për autorin Të parat janë fabrikat.

Libri merr në analizë disa nga krizat financiare më të fuqishme që kanë goditur botën në këto dekadat e fundit, me një fokus të veçantë në atë të vitit 2008. Për secilin rast, duke filluar nga Kina, Rusia, Turqia, Brazili, mrekullitë financiare aziatike, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumë vende të Europës Lindore, autori vlerëson kushtet para dhe pas krizës dhe nxjerr konkluzionet. Debito-mania, inflacioni dhe deflacioni i monedhës, fluksi hyrës dhe dalës i kapitalit, eksportet, ekonomi prodhimi apo ekonomi shfrytëzimi e eksportesh të pasurive natyrore janë koncepte që shtjellohen vazhdimisht nga autori, me një gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme për të gjithë. Është një leksion i shkëlqyer për ekonominë dhe zhvillimin, të cilit i janë hequr ekuacionet, po i është shtuar dimensioni social dhe i përgjegjshmërisë që duhet të tregojmë për progresin e vendit.

Autori ndërthur talentin rrëfimtar të ngjarjeve në kohën e sotme, falë punës si gazetar, me shpirtin praktik dhe mendjen kalkuluese të një investitori që i vlerëson ngjarjet në kohën e ardhme, gjë që e bën leximin të thjeshtë, të kuptuarin të thellë dhe horizontin e lexuesit më të gjerë.

Kanë thënë për librin:

Për vlerësimin e forcave që veprojnë në botën e ditëve tona, Ngritja dhe rënia e kombeve është një udhërrëfyes i dobishëm dhe ngacmues. Financial Times

I mbushur me të dhëna shumë të vlefshme… po aq edhe me gjykime të mrekullueshme dhe histori domethënëse, libri është thjesht udhërrëfyesi më i mirë në ekonominë globale të ditëve të sotme. Pavarësisht në se jeni vëzhgues i kësaj ekonomie, apo investoni në të, nuk keni luksin të mos e lexoni. Fareed Zakaria

Në këtë libër të mbushur me shembuj nga jeta e përditshme dhe fakte informative, Sharma shpjegon sistemin me dhjetë rregulla për identifikimin e kushteve të një ekonomie me potencial të mirë. Nga konkluzionet e tij në këtë libër do veçoja atë të prirjes së Kinës për të rënë financiarisht, kryesisht për shkak të borxheve të mëdha dhe në rritje. Martin Wolf, Financial Times

Cilat janë kushtet që përcaktojnë në se një komb do mund t’ia dalë e të vazhdojë rritjen me sukses, apo të dështojë? Kësaj pyetjeje të madhe, Ruchir Sharma përpiqet t’i japë përgjigje në Ngritja dhe rënia e kombeve… Misioni ambicioz i Sharmës realizohet me sukses. Një mishel pragmatizmi dhe vendosmërie të guximshme i bën këshillat e tij të tingëllojnë sa bindëse, aq edhe të besueshme… Autori e mbështet secilën prej rregullave që propozon me një kombinim faktesh të pakundërshtueshme dhe historish të gjalla mbledhur përgjatë udhëtimeve të tij… Parimet e provuara dhe të testuara të Sharmës, të trajtuara ndërkohë me elokuencë të veçantë, justifikojnë shpresat e çdo lexuesi në përpjekje për të kuptuar se çfarë i përcakton fatet e paqëndrueshme të rrugëtimit të shumë kombeve. Katrina Hamlin, Reuters

Argëtues, i mprehtë dhe i ndershëm deri në fund… [Sharma] ka aftësinë për të ndërtuar paralele krahasuese ndërmjet vendeve. Historia e Australisë dhe e emigracionit të saj lartë qëndron në kontrast me historinë e Japonisë e të izolimit të saj… Por Sharma është edhe shumë i saktë. Për vendet që karakterizohen nga një sistem i kalbur financiar, një shkundje e sistemit bankar është baras me shkundjen e shoqërisë… Libri i z. Sharma është një udhërrëfyes shumë i mirë për të kuptuar bumet dhe shpërthimet e tregjeve të mëdha financiare në vendet në zhvillim. The Economist

Bindës… i suksesshëm… Gjykimet nga aktorë brenda vendit përkatës i shtojnë ngjyra librit, ndërsa të dhënat janë një siguri më shumë se analizat e tij shkojnë përtej një serie bisedash të njëpasnjëshme me shoferë taksish… Është shumë më tepër se një abetare për investitorët. Çështjet me të cilat merret autori, nga rritja e deri te pabarazia janë subjekt i një interesi shumë më të gjerë… Kjo nuk do të thotë që domosdoshmërish autori ka të drejtë – por që projeksionet e tij janë lehtësisht të testueshme… Libri i Sharmës është një udhërrëfyes shumë i mirë për të vlerësuar se çfarë vjen më pas. Duncan Weldon, Prospect magazine

Një udhërrëfyes i vlefshëm për rendin e ri ekonomik… Sharma ka qenë një nga profetët e parë të krizës së borxhit kinez. Rana Foroohar, Time Magazine

Në se e keni pyetur veten ndonjëherë se çfarë po ndodh në botë – pse, për shembull, anglezët votuan të bëhen pjesë e vetëvrasjes ekonomike duke u shkëputur nga Bashkimi Europian?… Pse amerikanët votuan për Donald Trump… Donald Trump? Çfarë po ndodh? Në botë po lulëzon krahu i djathtë, ekziston një linjë anti-emigrim, apo situata është më komplekse? Në fakt, pjesa më e madhe e asaj që po ndodh është duke zhvilluar sipas një modeli, një modeli që përmban prirjet globale, të cilat ky libër i dokumenton me mjeshtëri e deri në detaje… Nga leximi i librit kam mësuar jashtëzakonisht shumë, përpos që edhe jam kënaqur. Ofron një të menduar ndryshe, jashtë klisheve të mbyllura e të zakonshme. Prannoy Roy, kryeredaktor i lajmeve në televizionin indian dhe bashkëkryetar ekzekutiv i NDTV grup

I artikuluar… Librin do ja u rekomandoja me shumë dashamirësi lexuesve të interesuar në ekonominë globale. Sharma ofron dhjetë shembuj për të vlerësuar rritjen e ekonomisë globale që nga koha e krizës financiare të vitit 2008… Sharma, nëpërmjet një numri të madh të dhënash dhe vlerësimesh, parashtron kushtet ekonomike në të cilat ndodhet bota e pasvitit 2008… Disa nga konkluzionet e tij mund të duken të papranueshme, por nga ana tjetër të gjitha janë  provokuese, si për shembull kur pohon se masat për kontrollin e popullsisë të ndërmarra në të kaluarën po shkaktojnë sot shkurtime në vendet e punës, apo se parashikimet që mund të bëjmë në të ardhmen e ekonomisë rrallë mund të shtrihen përtej një periudhe kohore pesëvjeçare, në se pretendojmë të jenë të sakta. Library Journal

[Sharma] shkruan në mënyrë interesante dhe mirë… Libri është i pasur me shembuj dhe histori nga jeta e përditshme… Dhe ju ndihmon të mos rreshtoheni në anën e humbësve. David Smith, The Times (UK)

Libri është kaq i gjallë dhe pyes veten nëse është e mundur të humbasësh dhjetë rregullat e Sharmës, të mos i gëzohesh formulimit të tyre dhe të mësosh prej tyre, njëlloj sikundër edhe vetë autori. The Indian Express

Si mund të shkruhet një libër bindës sa i takon ngritjes dhe rënies së kombeve të caktuara në pesë vitet në vijim? Me shumë gjasë, jo duke sugjeruar se kjo është më se e zakonshme, me përjashtim të rasteve që janë pasojë e gabimeve të pafalshme politike. Vërtet, Ruchir Sharma, drejtues i tregjeve në zhvillim pranë Morgan Stanley, ofron shumë më tepër se kaq në Ngritja dhe rënia e kombeve. Sharma përshkruan të gjitha udhëtimet e tij në botë, nga takimi me Vladimir Putin e bisedën me George W. Bush, në analizën që u bën atyre në faqet në vijim të librit, shtuar edhe përpjekjet e jashtëzakonshme me synim identifikimin e “dhjetë rregullave të qarta” që duhen ndjekur, bazuar në një bazë të dhënash gjigante për shumë vende, shtrirë në periudha të gjata kohore që shkojnë deri në disa dekada. William Easterly, The Wall Street Journal

Pyetja më interesante e të gjitha kohërave është pse disa kombe janë të varfër…  Libri Ngritja dhe rënia e kombeve është një përpjekje e mrekullueshme për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje duke shtruar dhjetë pyetje… Libri është një mënyrë e mrekullueshme për të udhëtuar nga një vend në tjetrin, si dhe për të kuptuar çështjet për të cilat vendet duhet të tregojnë sa më shumë kujdes. Manish Sabharwal, India Today

Ky udhërrëfyes i dobishëm dhe pozitiv për vëzhgues dhe investitorë praktikë tregon se si të zgjedhim në mënyrë të shëndetshme në radhët e tregjeve në zhvillim… I paanshëm, i matur dhe me këshilla të mençura rreth ekonomisë globale.  Kirkus Reviews

Libri analizon, paralelisht, vendet e zhvilluara dhe vendet në zhvillim, ku në të parat, falë demokracisë së konsoliduar, një rol të rëndësishëm në kohështrirjen e një cikli ekonomik luajnë bankat, ndërsa në të dytat, për shkak të një demokracie më shumë se të brishtë, këtë rol e marrin shpesh politikanët, sepse në përgjithësi bankat janë në varësi të tyre… Libri është një leksion i shkëlqyer për ekonominë dhe zhvillimin, të cilit i janë hequr ekuacionet, po i është shtuar dimensioni social dhe i përgjegjshmërisë që duhet të tregojmë për progresin e vendit. Valbona Nathanaili, Milosao, Gazeta Shqiptare

Përmbajtja

Hyrje: Përkohshmëri / Kreu 1: Njerëzit kanë rëndësi / Kreu 2: Cikli i jetës / Kreu 3: Miliarderë të mirë, miliarderë të këqij / Kreu 4: Rreziqet e shtetit / Kreu 5: Pozicioni i favorshëm gjeografik / Kreu 6: Të parat janë fabrikat / Kreu 7: Çmimi i qepëve / Kreu 8: Lirë është mirë / Kreu 9: Puthja e borxhit / Kreu 10: Më mirë syri se nami / Kreu 11: I miri, mesatari dhe i shëmtuari

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.