Post “Kadare”/ 2016   Ose letërsia si pasion  Nga Valbona Nathanaili

Post “Kadare”/ 2016 (ose letërsia si pasion)

 Nga Valbona Nathanaili

Maj 2016

Është viti i dytë radhazi që jepet Çmimi “Kadare” dhe, në të dy edicionet, fitues janë shqiptarë që banojnë dhe e kanë konsoliduar profesionin e tyre jashtë vendit të origjinës. Fituesi i vjetshëm erdhi nga Londra për të marrë trofeun. Fituesi i sivjetmë vjen edhe më nga larg, nga ShBA. Ndërkohë që vetë Kadare jeton në Francë. Një trekëndësh me bazë në Europë dhe kulm përtej oqeanit, – jo keq si gjeografi dhe shumë intrigues për vetëm dy vjet histori të çmimit.

Por në dallim nga fituesi i vjetshëm që ka mbaruar për gjuhë-letërsi, Shkëlqim Çela, fitues i çmimit “Kadare” për vitin 2016 ka kryer studimet universitare pranë Universitetit Bujqësor, Kamëz dhe mban një diplomë doktorature në statistikë, ndërkohë që “bukën e gojës” e fiton si Drejtor i Analitikës së Avancuar dhe konsulent kryesor në disa kompani analitike të njohura në SHBA, si: Equifax, Merkle, Choice Point etj. Në votimin e parë të jurisë, nga 33 konkurrues për fitimin e çmimit “Kadare”, është një ndër tre autorët që merr më shumë vota dhe, sikundër Çela, asnjëri prej të treve nuk ka mbaruar për letërsi. Në votimin e dytë të jurisë, nga 11 konkurruesit e mbetur për fitimin e çmimit, Çela është përsëri ndër autorët që merr më shumë vota, vetëm se përqindja e konkurruesve që vazhdojnë për në finale dhe që nuk kanë mbaruar letërsi bëhet ndjeshëm më e lartë. Nga shtatë pretendentët kryesor për Çmimin “Kadare”/ 2016, sikundër edhe Shkëlqim Çela që është vite-dritë larg studimeve në fushën e letërsisë, po aq janë edhe tre konkurrentë të tjerë: Pranvera Bekteshi ka mbaruar studimet për fizikë, Mustafa Nano në inxhinieri elektronike dhe Ada Çapi është diplomuar për farmaci në Tiranë dhe Bolonjë. Njëlloj sikundër edhe Çela, me përjashtim të Mustafa Nanos, asnjëri prej tyre nuk ka hequr dorë nga profesioni, por secili prej tyre, bashkë me Nanon këtë radhë, me shumë kontribute dhe botime në fushën e letërsisë: tregime, romane, poezi, novela. Të gjithë më shumë se 40 vjeç.

Këtu nuk ka arsye, ende, për të gjykuar pse mungojnë shkrimtarët, të vjetër dhe të rinj, që “bukën e gojës” e fitojnë me letërsi, por ka mjaft arsye për të duartrokitur pasionin, arritjet, dëshirën, këmbënguljen, sportivitetin e shkrimtarëve jo profesionistë që pranuan të gjykohen nga një juri profesioniste.

Në këta dy vjet histori të këtij çmimi, identifikimi i të gjitha arsyeve të paraqitjes dhe të mungesës së një a tjetër emri, të paraqitjes dhe të mungesës së një a tjetër grupi,  është kusht i nevojshëm dhe i mjaftueshëm, për të arritur në gjykime përfundimtare, me synimin që çmimi të jetë sa më përfshirës.

 Çmimi “Kadare” ka një emër të madh. Është pesha e emrit? 

Çmimi “Kadare” shoqërohet me një shumë shumë të madhe parash. 10 000 euro! Mjaftojnë, për një shqiptar të thjeshtë, të jetojë, afro një vit, në mënyrë komode. Çmimi Europian për Letërsinë, që jepet nga Këshilli i Europës, në bashkëpunim me disa organizma të tjerë po në rang evropian, është vetëm 5000 euro (plus, në fakt, shpenzimet e një udhëtimi dy ditor në Bruksel për të marrë pjesë në ceremoninë e marrjes së çmimit). Janë më shumë para se sa duhen për një çmim që të bëhet tërheqës?

Veprat i nënshtrohen gjykimit të një jurie që përbëhet nga 7 persona, shkrimtarë, publicistë dhe kritikë. Mos duhet të përjashtohen shkrimtarët? Apo kritikët? Apo publicistët?

Votimi është i fshehtë dhe fituesi del me shumicë votash. Për të dalë me emrin e Shkëlqim Çelës si fitues, juria votoi tre herë, derisa u përjashtuan, njëri pas tjetrit, të gjithë “rivalët”. Nga shtatë anëtarë të jurisë, katër ja dhanë votën fituesit aktual. Mos duhet që vendimi të merret si rrjedhojë e një diskutimi verbal dhe të vendoset me “konsensus”?

Gjithsesi, reflektimet nuk ka pse të jenë gjithmonë pesimiste.

Veprat e ardhura për konkurrim përfshinin jo vetëm zhanrin e romanit. Nga 33 vepra, 20 (ose 61 %) ishin romane dhe 13 tregime dhe novela, ose vetëm novela. Në vitin 2015, çmimi “Kadare” u fitua me një roman, ndërsa sivjet, më 2016, me novela. Balanca ka lëvizur, në mënyrë simetrike, nga një kah në tjetrin.

Çmimi “Kadare”, krahas çmimeve të tjera në fushën e letërsisë, po kontribuon jo vetëm në përshpejtimin e përpjekjeve të autorëve për të prodhuar letërsi, por ajo që është më kryesorja po prodhon një vepër, të certifikuar nga një grup njerëzish, që kanë pasur detyrë t’i lexojnë të gjitha prurjet dhe, ndërmjet tyre, të përzgjedhin njërën, përpara se të shkojë në duart e lexuesit. Tepër pragmatik si argument, por në një farë mase një arsye më shumë për ta kërkuar në librari.  “Ajo që duhet të thuhet, duhet të thuhet qartë. Kur nuk flet dot qartë, atëherë hesht.” –  shkruan Wittgenstein në hyrjen e librit të tij me titull “Tractatus Logico-Philosophicus”. Juria ka folur qartë.

Juria e Çmimit “Kadare” për vitin 2016: Preç Zogaj, Agim Baçi, Diana Çuli, Ylljet Aliçkaj, Gilman Bakalli, Rudolf Marku & Alfred Lela.

Koordinator kombëtar: Valbona Nathanaili

Konkurruan: Ada Çapi / Artan Mullaj (Hari Mulla) / Gazmend Krasniqi / Gjin Nikolli / Margarita Bardhi (Nikolli) / Ndue Gaspri / Thanas Medi / Pranvera Bekteshi / Albnore Durmishi Devetaku / Bardhyl Londo / Edlira Xhani / Kujtim Lapa / Aleksander Pavli / Shqiponja Duro / Moikom Zeqo / Arb Elo / Rifat Muriqi / Erjon Papagjoni / Piro Loli / Sytki  M.  Spahija / Grigor Banushi / Shkëlqim Çela / Fation Nikolla / Vladimir Myrtezai / Mustafa Nano / Agim Demiri / Sulejman Mato / Kaon Serjani / Rudina Çupi / Ilirjan Sadikaj / Glori Husi / Dr. Bledar Kurti / Arta Feta / Saida Beqiri / Suzana Varvarica Kuka

Shkëlqim Çela, fituesi i Çmimit “Kadare” për vitin 2016, mbërrin në Tiranë më 19 qershor dhe në një nga data ndërmjet 20 – 23 qershorit do të organizohet ceremonia e dhënies së Çmimit.

 Shkëlqim Çela, Fitues i Çmimit “Kadare”, 2016 me veprën “Embriologji”

Shkëlqim Çela u lind në Tiranë, më vitin 1962. Studimet universitare i ka kryer pranë Universitetit Bujqësor, Kamëz. Pas vitit 1991 emigron në Austri dhe, më pas, në ShBA. Vazhdon studimet e thelluara në fushën e statistikës. Pranë “University of Georgia”, Athens GA, fiton titujt PhD dhe Master of Science, përkatësisht në “Kiminë e tokave” dhe “Statistikë”. Nga viti 2001 e më tej punon si Drejtor i Analitikës së Avancuar dhe konsulent kryesor në disa kompani analitike të njohura të SHBA, si: Equifax, Merkle, Choice Point etj. Eshtë autor i një numri artikujsh shkencorë në fushat e Mbrojtjes së Mjedisit dhe të Statistikës së Aplikuar në periodikë të specializuar.

Kontributet e tij në letërsi janë të hershme, por autori parapëlqen të referojë në këtë fushë vetëm botimet e viteve të fundit.

 Botime në fushën e letërsisë

Prozë: “Mëmëdhembje” (Albin, 2008);  “Kulmak” (Albin, 2009); “Tuneli i dhëndurëve” (Tirana Times, 2015);  “Ishulli Ruzvelt” (Tirana Times, 2013).

Me veprën me novela “Ishulli Ruzvelt”, në konkursin e organizuar nga Ministria e Kulturës, vlerësohet nga juria si “Autor interesant e inovativ”.

Poezi: “Zgjimi i ushtarit nga vdekja fushore” (Tirana Times, 2012);  “Dogleg” (The Aldrich Press), proces botimi.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.