Jo pranë njëri tjetrit, por së bashku me njëri-tjetrin Nga Prishtina, Valbona Nathanaili

Jo pranë njëri tjetrit, por së bashku me njëri-tjetrin – rreth promovimit të librit të Bashkim Zeneli “Për Gjermaninë. Histori diplomatike dhe kujtime”

Rreth promovimit të librit të Bashkim Zeneli “Për Gjermaninë. Histori diplomatike dhe kujtime”, Kosovë, maj 2016

Nga Prishtina, Valbona Nathanaili

Libri i ambasadorit të shquar dhe gazetarit të njohur Bashkim Zeneli  “Për Gjermaninë. Histori diplomatike dhe kujtime”, pas publikimit nga Shtëpia Botuese UET Press dhe pritjes së ngrohtë nga lexuesi në Shqipëri, u promovua edhe në Kosovë, më datat 9-10 maj, me një axhendë të ngjeshur pritjesh, takimesh dhe bashkëbisedimesh të autorit me personalitete të vendit, gazetarë e lexues, si dhe me profesorë e studentë të Universitetit “Hasan Prishtina”, në Prishtinë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shprehu kënaqësinë për takimin me ambasadorin dhe mikun e tij, Bashkim Zeneli, si dhe veçoi gjatw takimit, kontributin e shquar që ambasadori Zeneli ka dhënë gjatë kohës që ushtronte detyrën në Gjermani, në afirmimin e çështjes së Kosovës në periudhën para dhe gjatë luftës (1998-1999), si diplomat në Gjermani.  Pjesë e takimit të autorit me presidentin e Kosovës, ishte edhe ndarja e mendimeve rreth arritjeve dhe perspektivës euro-atlantike të shtetit të Kosovës. Ramush Haradinaj, kryetar i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) theksoi se libri Për Gjermaninë. Histori diplomatike dhe kujtime “ka vlera të mëdha historike dhe jep mesazhe shumë të qarta politike dhe diplomatike për ditët e sotme”.

Për gazetarin Baton Haxhiu, në një bashkëbisedim me autorin rreth librit, në emisionin “Zona B”, në Klan Kosova, libri është interesant e të ngjall emocion dhe duket sikur është shkruar nga një “gjerman i flaktë që ka marrë përsipër të përshkruajë vitet e vështira të shqiptarëve pas 1990” dhe, në të njëjtën kohë, jo vetëm nga ambasadori i Shqipërisë në Gjermani, por i gjithë shqiptarëve në Gjermani. Shqiptarët e Bashkim Zenelit që zënë vend në libër janë të gjithë, pavarësisht pasaportës që mbajnë ose shtetit ku kanë lindur. Shumë prej tyre edhe me emra të përveçëm, një fakt që, sipas Haxhiut duhet të mbahej në vëmendje dhe të shmangej nga një ambasador, por që në perspektivën e Zenelit, është shenjë mirënjohje për kontributin e tyre dhe shton: “Jo vetëm për shqiptarë të përveçëm, por edhe për shumë gjermanë të përveçëm dhe rolin e tyre, veçanërisht sa i takon çështjes së Kosovë dhe rimëkëmbjes së saj, si dhe për konsolidimin e demokracisë në këtë vend duhet të shkruajmë dhe të flasim”. Boshti kryesor i bashkëbisedimit të tyre ishte simbioza Gjermani-Kosovë. Pyetjet e Baton Haxhiu janë të drejtpërdrejta dhe prekin shumë tema delikate, ndjekur nga përgjigje diplomatike, por që me apo dashje, shtuar edhe insistimin e vazhdueshëm të moderatorit të njohur, u zgjeruan, kryesisht, rreth: A ka pasur kampe stërvitjeje të ushtarëve kosovarë në Shqipëri? A kanë ekzistuar rrugë për furnizimin me armë nga Shqipëria në Kosovë? Si është vepruar me fondet e mbledhura për ndihmë nga shqiptarët? Çfarë mendoni për Bukoshin, kryeministrin në ekzil të kohës? Marrëdhëniet me ambasadorin serb të akredituar në Gjermani? A ka pasur ndarje ndërmjet shqiptarëve sa i takon përfshirjes në çështjen e Kosovës? Roli i kryeministrave Nano dhe Majko? Si ka qenë qëndrimi gjerman në lidhe me secilën prej këtyre çështjeve?

Universiteti “Hasan Prishtina” në Prishtinë, në bashkëpunim me Ambasadën e Shqipërisë në Kosovë dhe kujdesin e drejtpërdrejtë të Ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ishin organizatorët e promovimit të librit në Kosovë. Të pranishëm ishin personalitete, gazetarë e studiues të Universitetit të Prishtinës, si ish-presidentja e vendit Atifete Jahjaga, Veton Surroi, Bujar Degolli, dekan i fakultetit të filozofisë, Afrim Hoti, prorektor për bashkëpunim ndërkombëtar, Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, Remzi Jeupi, “një intelektual shumë aktiv, i kudondodhur për çështjen e Kosovës, një njeri që kurrë nuk diti të mburrej e t’i binte gjoksit”, – sikundër shprehet autori në libër, Andrea Nathanaili, pedagog i gazetarisë pranë Universitetit të Tiranës dhe këshilltar në AMA, Arsim Sinani, lektor në disa universitete dhe president i Qendrës për Marrëdhënie Ndërkombëtare e Studime Ballkanike etj.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Prof. Marjan Dema, në fjalën përshëndetëse, pasi theksoi stilin brilant të të shkruarit të autorit, veçoi, nga libri, planet gjermane për t’u ringritur në këmbë dhe për të gjetur aleatin e tyre strategjik jashtë tokës evropiane, faktin që historia e diplomacisë moderne lidhet, ngushtësisht, me dramën gjermane, ndarjen dhe ribashkimin e Gjermanisë, si dhe përdorimin e librit si një mjet, shumë i mirë, për të promovuar te lexuesi një praktikë të pasur dhe të larmishme diplomatike. “Libri i Bashkim Zeneli, pa asnjë dilemë, është vlerë e shtuar dhe pasuri për rrethin shkencor në veçanti dhe për diplomacinë në përgjithësi. Me këtë libër, gjeneratat e reja kanë gjëra të bukura për të lexuar, praktika unikale për të ndjerë dhe histori të papërsëritshme për të mësuar. Autorit, respektin më të lartë për punën dhe dëshirën e paepur për të na sjellë edhe libra të tjerë” – e mbylli fjalën e tij rektori i Universitetit të Prishtinës, Prof. Dema. Me shumë ngrohtësi, njëherazi bindës dhe elokuent, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, në fjalën e tij në Universitetin e Prishtinës, me rastin e promovimit të librit, theksoi kontributin e veçantë të Ambasadorit Zeneli në çështjen e Kosovës, në terrenin dashamirës, optimist dhe vizionar të politikës gjermane, veçanërisht në vitet 1999-2000, vitet kur çështja e Kosovës mori një kthesë shumë pozitive. “E ke tepër të vështirë të krijosh një ide për vendlindjen e Bashkim Zenelit, ose se cilës pjesë të kombit i takon, sepse gjeografia e librit është shumë e shtrirë, përpos citimit të një numri të madh emrash dhe veprash. Kushdo mund të pyesë se, si është e mundur që një person të mbajë mend kaq shumë emra, kaq shumë ngjarje”, – vazhdoi Minxhozi, për ta mbyllur me fjalët: “Ne, shqiptarët, jemi shumë të këndshëm për të shkruar historinë, por të pavullnetshëm në të shkruarit e saj, për të krijuar historinë tonë me fakte që janë tepër të rëndësishëm dhe të domosdoshëm. Libri i Zenelit i shërben ndriçimit të kontributit të Shqipërisë dhe të përpjekjeve të spektrit politik kosovar në një qendër shumë të rëndësishme, si është Gjermania”.

Autori i librit, Bashkim Zeneli, në fjalën e tij ritransmetoi mesazhin e Willy Brandt, udhëheqësit të Partisë social-demokrate gjermane dhe kancelar i Gjermanisë Federale: “Ne nuk duhet të ndërtojmë marrëdhënie pranë njëri-tjetrit, por së bashku me njëri-tjetrin”. Mesazh që njëlloj si për “dy gjermanitë”, vlen edhe për “dy shqipëritë”.

Foto kryesore: Z. Bashkim Zeneli duke dhënë autografe në Sallën e konferencave të Universitetit “Hasan Prishtina”, Prishtinë.

Foto e parë: Kopertina e librit “Për Gjermaninë. Histori diplomatike dhe kujtime”, autor  Bashkim Zeneli.

Foto e dytë: Rektori i Universitetit të Prishtinës, Prof. Marjan Dema dhe Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Foto e tretë: Arsim Sinani, President i Qendrës për Marrëdhënie Ndërkombëtare e Studime Ballkanike, Tetovë, gjatë promovimit të librit.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.