I sëmurë në dhe të huaj, vjershë. Nga Papa Kristo Negovani

I sëmurë në dhe të huaj, vjershë. Nga Papa Kristo Negovani

Burimi: Safet Butka

Përgatiti: Valbona Nathanaili

Në fillim të qershorit të vitit 1937, në Shqipëri priten të vijnë eshtrat e Naim Frashërit. Në një korrespodencë ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Drejtorit të Normales së Elbasanit, z. Aleksandër Xhuvani, për përcjelljen e eshtrave kërkohet që nxënësit e kësaj shkolle, ish-anëtarë të Shoqërisë “Naim Frashëri”, të mbajnë ndonjë fjalim ose të japin ndonjë kurorë.

Në të njëjtën kohë, Safet Butka, inspektor i Arsimit për Tiranën, kërkon që nëpër shkolla, me rastin e mbërritjes së eshtrave të Naim Frashërit, të mbahet gjallë fryma kombëtare, duke u lexuar nxënësve “Historinë e Shqipërisë” dhe mësuar përpjekjet që kanë bërë patriotë të shumtë për mëmëdheun. Në porositë që u jep shkollave, Butka thekson se nxënësit duhet të mësojnë përmendësh edhe faqet e para të “Bagëti e Bujqësi”.

Në shkresat e shumta që dërgon pranë shkollave në lidhje me këtë ngjarje, në njërën prej tyre, bashkëngjit një vjershë të Papa Kristo Negovanit. Porosia është po ajo: t’u flitet nxënësve vazhdimisht për atdheun e kombin.

I sëmurë në dhe të huaj
Vjershë e Papa Kristo Negovani vrarë më 1906 nga komitat greke 

Të falur ndë ty drejtonj, o i dashur mëmëdhé
Shumicë lot po derth për ty, sa rrjedhënë përdhé;
Mbulesë mbë të cilën u ndathçë që u linda,
Dhëntyratë më mbajnë, ndë ligjet t’ënë u binda;
Po përsëri me zemër të mir’ e të qëruar
Kur do të vinjë, të të shoh, ajo dit’ e uruar?

Vjetet e mi të paratë, dhê, fushë, male e pyllë
Nuk do t’u shoh përseri, se syt’ e mi u mbyllë.
I ngreh përpjetë sytë kot, dyke luturë Zotit,
Që të më lerë dhe ca, të shtonjë dit’ e motit;
Ndé dhé të huaj do të vdes tani dhe përnjëherë
Me pikllim, me mallëngjim dhe shum’i mjerë.

Vëllezër të dashur, të dërgjur që më patë,
Që më vështruat dhembjet dhe vetëm s’më latë;
Të gjithve u lutem sa që më rrini pranë,
Të mos m’a lini nershënë i huaj dhê të hajë
Ndë mëmëdhe, ndë Shqipëri, të vdekur të m’a shpini
Të mbushen eshtrat me gas të dalë mallëngjimi

Vdekje, të mos heshtë shurdhër, fjalët të m’i dëgjonjë
Më falnjë dhe ca dit’, të rronjë dhe të shkonjë
I dërgjur ndë Shqipëri, atje posa të shkelnjë
Të mos rronjë fare, po shpirtin të m’a mernjë

Të tjera fjalë nukë them dot, shokë, mëmëdhetarë…
Për Shqipërinë mallëngjenj edhe vdes dyke qarë.

Në foto kryesore: Papa Kristo Negovani

Foto e dytë: Safet Butka

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.