NË FILLIMET E TRANZICIONIT Autor Ylli Bufi 

NË FILLIMET E TRANZICIONIT. Qeveria e stabilitetit, një marrëveshje politike apo një kompromis i përkohshëm? Autor Ylli Bufi 

Botim i UET Press, 420 faqe, çmimi 900 lekë, ISBN 978-9928-190-75-8. Tiranë, qershor 2016.

Përmbajtja: FILLIMI I TRANZICIONIT DEMOKRATIK: Rënia e Murit të Berlinit dhe ndikimet në Shqipëri/ Zgjedhjet e para shumëpartiake dhe parlamenti pluralist / Rënia e Qeverisë Nano dhe marrëveshja politike për një qeveri pluraliste. KRIJIMI DHE PROGRAMI I QEVERISË SË STABILITETIT: Negociatat për formimin e Qeverisë / Programi dhe votbesimi i Qeverisë. SHQIPËRIA RIKTHEHET NË FAMILJEN E KOMBEVE DEMOKRATIKE: Vizitat e ministrit të Jashtëm italian De Mikelis / Rezoluta e Parlamentit Europian / Vizita e ministrit të Jashtëm gjerman H. Gensher / Shqipëria pranohet në KSBE / Vizita e Sekretarit amerikan të Shtetit  / Takimi i parë me kryeministrin italian Xhulio Andreotti / Takimi me Papën Gjon Pali ll  / Ftohtësia franceze dhe vizita e Kushner në Tiranë / Presidenti i Italisë Françesko Kosiga në Tiranë  / Takimi me kryeministrin grek K. Micotaqis / Përsëri në Romë me kryeministrin italian Xhulio Andreotti / Shpërbërja e ish-Jugosllavisë dhe problemi i Kosovës / Në Maltë për bashkëjetesën fetare. PËRBALLIMI I KRIZËS EMERGJENTE: Komitetet ekzekutive të përkohshme pluraliste / Kuvendi vlerëson punën e qeverisë / Viti i eksodeve masive të shqiptarëve / Fillon operacioni “Pelikan” / Pafajësi apo amnisti për ish-të dënuarit dhe ish të përndjekurit politikë / Rendi publik – pika e nxehtë e stabilizimit / Intervistë e Kryetarit të Këshillit të Ministrave, Ylli Bufi. PROGRAMI I REFORMËS EKONOMIKE: Debati për ligjin e tokës / Iniciativa e lirë – themeli i ekonomisë së tregut / Si e kuptonim reformën 25 vjet më parë / Diskutimi i Programit të Reformës në Kuvend / Reforma Ekonomike, 10 vjet pas fillimit të saj. VLERËSIMET AMERIKANE: Vizita në SHBA / Anketimet amerikane të USIA-s.RËNIA E QEVERISË SË STABILITETIT: Debatet për shpejtimin e datës së zgjedhjeve / S. Berisha tërheq ministrat e PD nga qeveria  / Dorëheqja e Qeverisë së Stabilitetit / Pse ra Qeveria e Stabilitetit? / Intervistë në TVSH. ANEKS

Pjesë nga libri: Sali Berisha tërheq ministrat e PD nga qeveria

Gjatë muajit nëntor, mbledhjet e grupit parlamentar, por edhe të kryesisë së PD ishin të ngarkuara me anatemimin e punës së qeverisë dhe të ministrave të saj. Thelbi i argumenteve për të dalë nga qeveria ishte se ‘komunistët po fitonin terren nga bashkëqeverisja me demokratët’, gjë që rrezikonte fitoren e PD në zgjedhjet e ardhshme. Një mbledhje e stërgjatur e grupit parlamentar të PD ndërpreu, për dy ditë, zhvillimin e seancës plenare të Kuvendit Popullor. Në përfundim të kësaj mbledhjeje, Arben Imami, në emër të grupit parlamentar, bëri një deklaratë, ku shpreheshin shqetësimet për gjendjen ekonomike dhe sidomos për rendin dhe për mënyrën e drejtimit të RTSH.
Shqetësimet e PD u shprehën në mënyrë ultimative. Paskëtaj, fillimisht, në një mbledhje tjetër të grupit parlamentar dhe pastaj në mbledhjen e datës 25 nëntor të kryesisë së partisë u formuluan kërkesat që PD do të vinte për të kushtëzuar qëndrimin e saj në qeveri. Ato ishin katër:

  • arrestimi i bllokmenëve,
  • shkarkimi i drejtorit të përgjithshëm të Radiotelevizionit,
  • gjetja e fajtorëve për vrasjet e 2 prillit
  • afrimi i datës së zgjedhjeve.

Më datë 26 nëntor mblidhet Këshilli Kombëtar dhe grupi parlamentar i PD, me synimin për t’u vënë vulën katër kushteve, të cilat nuk kishin asnjë lidhje me veprimtarinë dhe me kompetencat e qeverisë. Ato morën vulën e Këshillit Kombëtar të PD-së në këtë mbledhje. U la një afat katërditor për negocimin e kushteve.

Mbledhja u dominua tërësisht nga radikalët. Të gjithë anatemuan qeverinë dhe ministrat e PD, të cilët mungonin në këtë mbledhje, me përjashtim të Preç Zogajt. Në librin e tij, Zogaj kujton: “më duhej t’i mbroja ministrat nga agresioni i më të tërbuarve në radhët e radikalëve. Shkëmbyem fjalë të rënda dhe fyerje të ndërsjellta.”

Sali Berisha kishte vendosur të shkonte në zgjedhje në gjendje lufte dhe jo në detantë me socialistët…

Të nesërmen e mbledhjes së përbashkët të grupit të deputetëve të PD dhe të Këshillit Kombëtar, Rilindja Demokratike botoi Deklaratën e mëposhtme:

“Aktivi i përbashkët i grupit të deputetëve dhe i Këshillit Kombëtar të PD, në mbledhjen e sotme të datës 26.11.1991, konstatoi se Shqipëria ka hyrë në një krizë të përgjithshme politike. Qeveria e Stabilitetit, e cila u gjend si zgjidhje politike e vetme dhe gati e detyrueshme gjashtë muaj më parë, sot ndodhet në kufijtë e falimentimit të plotë. Ekuilibri politik që duhej të mbante në këmbë Qeverinë e Stabilitetit, më se një herë është prishur brutalisht nga Partia Socialiste, nuk është fjala këtu për sabotimin e heshtur të sa e sa vendimeve me natyrë ekonomike, që fillojnë me ligjin e tokës dhe mbarojnë me vendimet e fundit për privatizimin e ndërmarrjeve. Nuk e kemi fjalën, gjithashtu, as për morinë e nëpunësve monistë, që vazhdojnë të mbushin aparatet shtetërore, që, si një mur gome, kanë rrethuar dhe veshur të gjitha strukturat shtetërore të vjetra, për t’i mbrojtur nga goditjet e forcave të reja demokratike. Por këtu bëhet fjalë për shkelje të hapura të bashkëjetesës politike midis forcave politike në një shtet demokratik, siç janë, mbajtja nën kontroll e televizionit të shtetit, pavarësisht nga protestat e hapura të mbarë opinionit demokratik shqiptar dhe të vetë punonjësve të këtij institucioni, si dhe vazhdimi i qëndrimit në krye të këtij institucioni të një drejtori marksist, të emëruar në mënyrë të paligjshme.

Sot janë bllokuar dhe po lihen në harresë gjyqe të tilla, si ai i Shkodrës, apo hetimi mbi vjedhjet dhe përdorimet e nomenklaturës së kuqe, të cilat janë guri i provës për një shtet të ri demokratik. Në këto procese të mëdha Shqipëria demokratike shikonte dosjen e themeleve të shtetit të ri juridik dhe kishte shpresën se ato do të shërbenin për të mbyllur një faqe të zezë në historinë e vendit dhe do të hapnin rrugën për bashkimin kombëtar.

Por populli shqiptar, tejet i lodhur nga kriza e rëndë ekonomike, po deziluzionohet gjithnjë e më tepër dhe po humbet besimin në këtë qeveri dhe parlament.

Në këto kushte, kur shtetin shqiptar po e drejtojnë forca okulte dhe kur fatet e vendit ndodhen në udhëkryq, PD, duke pasur
parasysh rolin e saj si forca kryesore e opozitës, vendosi që të shtrojë përpara Qeverisë, Parlamentit, si dhe partive të tjera që
bëjnë pjesë në qeveri, duke përfshirë dhe Partinë Socialiste, këto kërkesa, plotësimi i të cilave do të shërbente për zhbllokimin e
krizës politike:

  1. Zgjedhjet e lira të përgjithshme të zhvillohen jo më larg se data 23 shkurt 1992
  2. Të rifillojë procesi i gjyqit të Shkodrës dhe të ndëshkohen fajtorët e këtij krimi politik.
  3. Problemi i RTV shqiptar, të zgjidhet konform normave kushtetuese dhe Kartës së Helsinkit.
  4. Të arrestohen bllokmenët e akuzuar për shpërdorime në kurriz të popullit dhe shtetit shqiptar.

Aktivi i deputetëve dhe i Këshillit Kombëtar të PD vendosi që në qoftë se këto kërkesa nuk do të realizohen deri më 3 dhjetor
1991, PD do të largohet nga Qeveria e Stabilitetit Kombëtar, për të kaluar në një opozitë aktive, të ndershme dhe konstruktive në shërbim të interesave të larta të popullit dhe kombit shqiptar”.

Por vendosja e këtyre kushteve ishte një veprim i pakuptimtë dhe jo institucional. Kujt i viheshin këto kushte? Qeverisë? Asnjëri prej kushteve nuk ishte në kompetencë të saj, prandaj ajo nuk mund të negocionte. Apo i viheshin Partisë Socialiste? Aq më tepër, kjo parti nuk kishte asnjë lidhje institucionale me kërkesat e PD. PS do të jepte, gjë që e kishte dhënë, vetëm opinionin e saj për datën e zgjedhjeve.

Dukej qartë që, përmes kushteve, PD donte të gjente një zgjidhje për kohezionin e brendshëm të saj. Radikalët u vinin kushte të moderuarve brenda PD-së, për t’i vënë ata në vështirësi. Prandaj dhe negociatorë u vetëcaktuan dy të moderuar: Neritan Ceka dhe Genc Ruli. “Doni ta mbani qeverinë, negocioni me komunistët për të zgjidhur këto kushte”, kjo ishte arsyeja pse u vendosën kushtet nga radikalët. Kushtet, në fakt, ishin vetëm pretekst për të justifikuar para opinionit veprimin që po ndërmerrnin për rrëzimin e qeverisë.

Meqenëse caktimi datës së zgjedhjeve është kompetencë e presidentit të Republikës, ai thirri në Presidencë, në mbrëmjen e datës 2 dhjetor, përfaqësuesit e të gjitha partive, si dhe kryetarin e Kuvendit, Kastriot Islami, dhe mua, si kryetar i Këshillit të Ministrave. Ishte një takim krejtësisht formal. Mendimet e partive politike për zgjedhjet e parakohshme ishin të ndryshme. PD kërkonte që ato të mbaheshin më 20-23 shkurt, PSD propozonte 15 marsin, kurse PS, fundin e marsit. Presidenti kërkoi prej
tyre që brenda datës 20 dhjetor ato të dërgonin me shkrim në Presidencë datat e propozuara prej tyre dhe pastaj do të ishte ai që do të dekretonte datën e zgjedhjeve. Presidenti nuk pranoi të negocionte asnjë nga çështjet e tjera, që përfshiheshin në kushtet ultimative të PD, sepse i vlerësoi se nuk ishin në kompetencë të tij. Dukej se Presidenti ishte tepër i nervozuar me
ultimatumin për arrestimin e bllokmenëve, sidomos të Nexhmije Hoxhës, por diti ta përmbajë veten. “Unë nuk e kam të drejtën e ndërhyrjes në punët e organeve të drejtësisë, – tha ai. – Çdo ndërhyrje do të ishte joligjore dhe antikushtetuese”.

Në datën 27.11.1991, nga tre ministrat republikanë, Teodor Kareco, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Fatos Bitincka, ministër i Transporteve, dhe Alfred Karamuço, kryetar i Komisionit të Kontrollit të Shtetit, unë mora një promemorie. Promemoria, megjithëse i drejtohej Kryesisë së Këshillit të Ministrave me kërkesën për shqyrtim të
menjëhershëm, ishte botuar më parë më gazetën e Partisë Republikane.

Për këtë arsye, unë mblodha qeverinë për ta analizuar atë. Në promemorie rreshtoheshin një sërë problemesh që lidheshin, kryesisht, me Ministrinë e Transporteve dhe me Komisionin e Kontrollit të Shtetit dhe, duke marrë shkas nga këto probleme, bëheshin kritika për mënyrën e funksionimit të qeverisë dhe të drejtimit të saj prej kryeministrit.

Në fakt, promemoria ishte një gjest politik i Partisë Republikane dhe e kryetarit të saj, Sabri Godo, i cili, duke nuhatur sesi po zhvilloheshin ngjarjet politike, nxitonte të hidhte një hap për prishjen e qeverisë para se këtë hap ta bënte Sali Berisha. Qeveria, e mbledhur për këtë qëllim më datën 28.11.1991, nuk e pranoi përmbajtjen e promemories dhe u kërkoi autorëve të saj që ta tërhiqnin atë. Ministrat republikanë nuk pranuan. Meqenëse mospranimi i promemories ishte konsideruar si kusht i pjesëmarrjes së mëtejshme të tyre në qeveri, më datë 31.11.1991 unë i propozova Presidentit të Republikës shkarkimin nga detyra të ministrave republikanë. Në fakt, ndjeva një keqardhje për ministrat, që ishin të detyruar nga Sabri Godo të
bënin një veprim të tillë.

Pas përfundimit të mbledhjes natën vonë, Neritan Ceka dhe Genc Ruli i kërkuan një takim të veçantë Presidentit të Republikës për të negociuar me të zgjidhjen e kushteve të PD, sidomos pikën që lidhej me arrestimin e Nexhmije Hoxhës. Ai, siç ka deklaruar publikisht, nuk mori përsipër asgjë tjetër, përveç atyre për të cilat u fol në mbledhjen me përfaqësuesit e partive.
Ceka dhe Ruli bënë ç’ishte e mundur që të evitonin prishjen qeverisë.

Të nesërmen ata biseduan edhe me titullarët e Hetuesisë dhe të Prokurorisë së Përgjithshme për të bërë të mundur nxjerrjen e urdhrit të arrestimit për Nexhmije Hoxhën dhe për bllokmenët e tjerë, që, me sa dukej, përbënte kushtin më të rëndësishëm për S. Berishën. Por, pavarësisht nga kjo, Sali Berisha filloi konferencën e shtypit të njoftuar, për largimin e ministrave të PD nga Qeveria e Stabilitetit.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.