Fjalimet TED. Udhërrëfyesi zyrtar i TED-it për të folurit në publik Autor CHRIS ANDERSON

Fjalimet TED. Udhërrëfyesi zyrtar i TED-it për të folurit në publik

Autor CHRIS ANDERSON

Përktheu nga anglishtja Valbona NATHANAILI

Prishtinë, 2016: Shtëpia Botuese “Pema” Çmimi: 8€ / 1100 lekë, 336 f.

Pjesë nga parathënia e autorit

Synimet i këtij libri janë të shpjegojë si arrihet mrekullia e një të folure të fuqishme në publik, si dhe t’u pajisë me njohuritë e duhura për të dhënë më të mirën gjatë një procesi të tillë. Por ka diçka që duhet theksuar që në fillim.

Nuk ekziston një mënyrë e vetme për të mbajtur një fjalim shumë të mirë. Ndonëse bota e njohurive është shumë e madhe, spektri i folësve, audiencës dhe i tematikave përsëri është shumë i ndryshëm për të. Çdo përpjekje për të zbatuar një formulë të vetme, me gjasë do të dalë huq. Audienca e kupton menjëherë dhe ndihet e manipuluar.

Nga ana tjetër, edhe sikur, në një kohë të caktuar, të ekzistonte një formulë e suksesshme, ajo nuk do mund të rezistonte për një kohë të gjatë. Kjo, sepse pjesë domethënëse e kërkesës për të pasur një fjalim fantastik është freskia e tij. Ne jemi njerëz. Ne nuk na pëlqejnë gjërat që janë thënë një herë. Nëse fjalimi që mbani le përshtypjen se është i ngjashëm me atë të dikujt tjetër, dëgjuar më parë, është e sigurt që do të ketë më pak ndikim. Gjëja e fundit që do kërkoja kur mbaj një fjalim, është të tingëllojë i njëjtë për çdo njeri, ose që dikush të mendojë se po kërkoj t’ia hedh.

Thënë këto, nuk duhet t’i konsideroni këshillat e këtij libri si rregulla që përshkruajnë një mënyrë të vetme për të folur. Në të vërtetë, mendoni për to si një ofertë, me një set instrumentesh, hartuar për të inkurajuar ndryshueshmërinë. Nga to, zgjidhni dhe përdorni ato që bëjnë për ju dhe për mundësinë për të folur që ju jepet e me të cilën duhet të përballeni. Detyra e parë dhe e fundit që keni kur mbani një fjalim është të gjeni dhe të thoni diçka që ja vlen. Por jo vetëm. Ta thoni me vërtetësi dhe, në mënyrë unike, sipas jush.

Një gjë e tillë vjen natyrshëm, më shumë sa mund ta mendoni. E folura në publik është një art i lashtë, ngulitur thellë në mendjen tonë. Zbulimet arkeologjike tregojnë se qindra mijëra vjet më parë të parët tanë mblidheshin rreth zjarrit, në vende të caktuara, për të mbajtur takime të rregullta. Në çdo kulturë të planetit tonë, me zhvillimin e gjuhës, njerëzit mësuan të ndajnë historitë, shpresat dhe ëndrrat e tyre me njëri-tjetrin. Përfytyroni një skenë tipike. Ka rënë mbrëmja. Zjarri bubulon. Drurët kërcasin dhe lëshojnë shkëndija nën një qiell xixëllues. Një i moshuar ngrihet. Sytë e të gjithëve nguliten në fytyrën e tij të zgjuar dhe të rrudhur, ndriçuar nga drita e zjarrit që vallëzon në të. Historia fillon. Ndërsa i moshuari flet, secili nga dëgjuesit përfytyron, me mendjen e tij, ngjarjet që po tregohen. Përfytyrimi ngjall të njëjtat emocione që përjetojnë edhe personazhet e historisë. Ky është një proces shumë i fuqishëm, një formatim i drejtpërdrejtë i shumë mendjeve në një. Për një kohë të caktuar, të gjithë njerëzit rreth zjarrit veprojnë sikur të jenë një formë e vetme jete. Ata ekzaltohen së bashku, kërcejnë së bashku, këndojnë së bashku. Nga një gjendje e tillë e përbashkët, pak i ndan nga hapi tjetër, dëshira dhe vendosmëria për të vepruar së bashku, për të ndërmarrë një udhëtim, nisur një betejë, ngritur një ndërtesë a festuar për një rast.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe sot. Për një udhëheqës, ose mbrojtës të një kauze, e folura në publik është çelësi për të ndjerë empati dhe nxitur kurajë, për të ndarë njohuri dhe ndryshuar perceptime, për të promovuar një ëndërr që mendon se duhet të jetë e përbashkët. Po, e folura në publik sot ka fituar dimensione të reja pushteti. Hapësira e vogël rreth zjarrit e të parëve tanë, sot ka marrë përmasa globale, është bërë gjithë planeti ynë. Falë internetit, një bisedë e vetme, në një teatër të vetëm, mund të përfundojë në sytë e veshët e miliona njerëzve. Pikërisht sikundër shtypi i shkruar amplifikon pushtetin e autorëve, uebi amplifikon pushtetin e folësve. Aksesi në ueb mundëson çdo njeri, në çdo vend të botës (pak a shumë, brenda një dekade, ky akses do jetë i mundshëm pothuaj edhe për çdo fshat) të lidhet direkt me mësuesit më të mirë dhe të mësojë direkt nga ta, nga shtëpitë e tyre. Papritmas, ky art i lashtë ka marrë përmasë globale.

Ky revolucion është shkëndija e rilindjes së të folurës në publik. Shumë nga ne kanë vuajtur vite të gjatë mërzitjeje leksionesh në universitet, predikime pafund në kishë, ose roll-your-eyes predictable political stump speeches. Nuk duhet të ndodhë më kështu.

Kur bëhet në mënyrën e duhur, një fjalim mund të elektrizojë dëgjuesit në një dhomë dhe transformojë pikëpamjet e tyre. Kur bëhet në mënyrën e duhur, një fjalim është më i fuqishëm se çdo formë të shkruari. E shkruara na jep fjalët. E folura mbart një tërësi elementesh të rinj. Kur ne ngulim sytë tanë në sytë e atij që flet, dëgjojmë tonin e zërit të tij, ndjejmë dobësi, inteligjencë dhe pasion, në mënyrë të pavetëdijshme, sinkronizohemi me aftësi të gdhendura brenda nesh prej qindra e mijëra vjetësh, aftësi në gjendje të galvanizojnë, të japin pushtet e frymëzojnë.

Për më tepër, këto aftësi, sot, jemi gjendje t’i shumëfishojmë në përmasa që shkojnë përtej çdo përfytyrimi të të parëve tanë. Ne jemi të aftë të tregojmë, me bukurinë e një qartësie që shkon deri në detajet më të vogla, çdo imazh që një njeri mund të fotografojë ose përfytyrojë. Ne jemi të aftë të bëjmë një video ose muzikë. Ne jemi të aftë të hartojmë një projekt kërkimor që përfaqëson gjithë dijen njerëzore, të arritshëm nga kushdo që ka një aparat smartphone.

Lajmi i mirë është që këto aftësi mund të mësohen. Absolutisht po. Kjo do të thotë që ekziston një superpushtet i ri, nga i cili mund të përfitojë çdokush, i ri a i vjetër qoftë. Quhet teoria e prezantimit. Ne jetojmë në erën ku, mënyra më e mirë për të lënë gjurmë në këtë botë, nuk është më t’i shkruash letër botuesit ose të publikosh një libër. Por thjesht të ngrihesh dhe të flasësh… sepse, si fjalët, ashtu edhe pasioni me të cilën ato thuhen, mund të shpërndahen në të gjithë botën me shpejtësi disa herë atë të dritës.

Në shekullin XXI, teoria e prezantimit duhet të mësohet në çdo shkollë. Në të vërtetë, përpara erës së librit, teoria e prezantimit ishte pjesë e mësimeve bazë në shkollë, ndonëse me një emër disi të modës së vjetër, retorikë. Sot, në erën e internetit, duhet të ringjallim edhe një herë këtë art fisnik dhe ta bëjmë dimension të katërt të shkollës. Pra, fëmijëve t’u mësojmë lexim, shkrim, mbledhje e zbritje… dhe retorikë.

Kuptimi kryesor i fjalës është thjesht “arti i të folurit me efektivitet”. Katërcipërisht, ky është qëllimi i këtij libri. Të rimodeloj retorikën për erën moderne. Të ofrojë pika të dobishme referimi për një të mësuar të ri të prezantimit.

Përvoja jonë këtu, në TED, përgjatë këtyre viteve të fundit, mund të ndihmojë në përcaktimin e mënyrës. TED filloi si një konferencë vjetore, ku bashkoheshin, në një, fushat e teknologjisë, argëtimit dhe dizajnit (nga rrjedhin edhe akronimet e emrit). Por vitet e fundit është zgjeruar, duke përfshirë çdo tematikë me interes publik. Folësit TED kërkojnë që idetë e tyre të dëgjohen edhe nga ata që janë jashtë fushës së tyre, duke mbajtur fjalime të shkurtër dhe të përgatitur me kujdes. Për kënaqësinë tonë, kjo formë e të folurit në publik ka rezultuar shumë e kërkuar, në masën që, më vitin 2015, gjatë një viti, folësit TED janë parë, on-line, nga më shumë se një miliard njerëz.

Së bashku me kolegët e mi kemi punuar me qindra folës TED, duke i ndihmuar si të qartësojnë mesazhet e tyre dhe si t’i shprehin ato. Këta njerëz të mrekullueshëm na kanë ndryshuar plotësisht mënyrën e perceptimit të botës. Për afro një dekadë kemi debatuar plot pasion me njëri-tjetrin, se si saktësisht këta folës kanë arritur aty ku janë. Ulur në karrige pranë një tavoline të rrumbullakët, do thosha fatlumë, të intriguar dhe të paduruar, të informuar dhe të frymëzuar, kemi pasur mundësinë t’u kërkojmë këshilla, direkt, se si duhet të përgatitet e të mbahet një fjalim fantastik. Falë madhështisë së tyre, kemi mundur të marrim njohuri pa fund se si mund të arrihet diçka kaq e jashtëzakonshme në vetëm pak minuta.

Bashkëpunimi me folësit TED dhe me kolegët e mi të talentuar i jep këtij libri bashkautorësi. Veçoj, nga kolegët, Kelly Stoetzel, Bruno Giussani dhe Tom Rielly, të cilët jo vetëm kanë luajtur rol kryesor, për shumë vite me radhë, në formësimin e qasjes dhe formatit “Fjalimet TED”, por edhe në evidentimin dhe paraqitjen para publikut të shumë folësve të jashtëzakonshëm në platformën tonë, sikundër edhe në organizimin e eventeve kryesore TED.

Një mbështetje shumë e mirë ka qenë mençuria kolektive, përbërë nga mijëra evente TEDx,* organizuar në shumë vende të botës, sipas modelit tonë. Përmbajtja që na ofrojnë ato shpesh janë surprizuese dhe të këndshme për ne, duke na ndihmuar, në të njëjtën kohë, për të çuar edhe më tej nivelin e të kuptuarit se çfarë mund të arrihet nëpërmjet një fjalimi publik.

Misioni i TED është të ushqejë shpërndarjen e ideve të fuqishme. Për ne ka pak rëndësi nëse kjo arrihet nëpërmjet të ashtuquajturës TED, TEDx ose ndonjë forme tjetër të të folurit në publik. Por, ku dëgjojmë se edhe të tjerë kanë vendosur të organizojnë konferenca të stilit “Fjalimet TED”, mbushemi me kënaqësi. Së fundmi, idetë nuk kanë pronësi. Ato kanë jetëgjatësinë e tyre. Ne kënaqemi kur shohim rilindjen e artit të të folurit publik, kudo që ndodh dhe tek kushdo që e zbaton.

Për rrjedhojë, synimi i këtij libri nuk është thjesht të përshkruajë si të mbash një fjalim për TED. Por është shumë më i gjerë se kaq. Synimi është të mbështesim çdo formë të të folurit publik që kërkon të shpjegojë, frymëzojë, informojë ose bindë, pavarësisht nëse ka lidhje me biznesin a arsimin, pavarësisht nëse mbahet në një skenë publike. Po, shumë nga shembujt e sjellë në libër janë nga “Fjalimet TED”, por jo vetëm sepse janë më familjarë për ne. “Fjalimet TED” kanë gjeneruar shumë entuziazëm në këta vitet e fundit dhe, pikërisht për këtë, mendojmë se kanë diçka për t’i ofruar botës mbarë në fushën e të folurit publik. Akoma, mendojmë se parimet mbi të cilat mbështeten mund të shërbejnë si një themel shumë i mirë në zgjerimin e teorisë së prezantimit.

Në libër nuk do të gjeni këshilla specifike rreth, për shembull, si të mbani një fjalë në një dasmë, ose si të përgëzoni kolegët e kompanisë me rastin e rritjes së shitjes, ose si të flisni gjatë një leksioni në universitet. Por do të gjeni mjete dhe njohuri që mund t’u hyjnë në punë në të gjithë rastet e mësipërme dhe, në një vështrim më të gjerë, sa herë që do ju duhet të flisni përpara një publiku. Më shumë se kaq, shpresojmë t’u bindim të mendoni rreth së folurës në publik në një mënyrë krejt tjetër, në një mënyrë që, sikundër do e vlerësoni, duhet të jetë tejet entuziaste dhe fuqidhënëse. Zjarri i të parëve, sot ka marrë një kuptim të ri. Është zjarri që përhapet nga mendja në mendje, nga ekrani në ekran, është zjarri i ideve, koha e të cilave po troket.

Kjo ka rëndësi. Idetë i kanë dhënë kuptim progresit njerëzor dhe, më tej, janë zbatuar në praktikë, vetëm kur njerëzit i kanë ndarë me njëri-tjetrin dhe kanë qenë të gatshëm të bashkëpunojnë. Që nga koha e të parëve tanë, kur ata, së bashku, u përpoqën të vënë së fundmi një mamuth, deri në atë të Armstrongut, që vuri hapin e parë në Hënë, njerëzit e kanë shndërruar fjalën e folur në arritje të përbashkëta të mrekullueshme.

Sot, më tepër se kurrë, kemi nevojë për këtë. Kemi nevojë për ide, në gjendje t’u japin zgjidhje problemeve të mprehta. Kemi nevojë që këto ide të mos mbeten të padukshme a të izoluara, thjesht sepse njerëzit e shkëlqyer që i kanë në mendje, ose kanë mungesë vetë-besimi për t’i paraqitur, ose nuk dinë si t’i ndajnë me të tjerët në mënyrë efektive. Kjo është një tragjedi. Në çastin që një ide e duhur paraqitet në mënyrën e duhur, ajo mund të shpërndahet, me shpejtësinë e dritës, në mbarë botën, duke zënë rrënjë në mendjet e miliona njerëzve, për të përfituar prej saj ose treguar se sa e mirë është, si ju dhe folësi që kërkon të flasë, ashtu edhe pjesa tjetër e njerëzimit, që ka nevojë të dijë se çfarë keni për të thënë.

Jeni gati?

Le ta ndezim zjarrin.

*Për organizimin e një TEDx-i lokal, organizata aplikon për marrjen e një licence, pa pagesë, që e lejon të organizojë një event të ngjashëm TED në vendin e saj. Çdo ditë organizohen 8-9 TEDx-e lokale, në vende të ndryshme të botës.

Përmbajtja 

Prolog: Epoka e re e zjarrit Baza. 1. Teoria e prezantimit. Aftësia qe mund të ndërtohet./ 2. Ndërtimi i idesë. Aftësia për një fjalim mbresëlënës. 3. Grackat e zakonshme. Katër stile fjalimesh që duhen shmangur. 4. Linja kryesore. Cili është argumenti juaj? Mjetet e fjalimit. 5. Lidhja. Ji personal. 6. Narracioni. Joshja e parezistueshme ndaj historisë. 7. Shpjegimi. Si të shpjegosh konceptet e vështira. 8. Bindja. Arsyeja mund të ndryshojë mendjet përgjithmonë. 8. Zbulimi. Më le pa frymë! Procesi i përgatitjes. 10. Pamjet. Këto slide të vrasin sytë! 11. Skenari. Të memorizohet apo jo? 12. Prova. Prit, kam nevojë të bëj prova! 13. Hap dhe mbyll. Cila është përshtypja që dëshironi të lini pas? Në skenë. 14. Gardëroba. Çfarë duhet të vesh? 15. Përgatitja mendore. Si t’i kontrolloj nervat? 16. Modeli. Foltore, ekrani i vetëbesimit, kartat me shënime, apo (gëlltituni) asgjë nga këto? 17. Zëri dhe paraqitja. Jepuni fjalëve gjallërinë që meritojnë. 18. Risi në formatimin e një fjalimi. Të mirat (dhe të këqijat) e spektrit të plotë të fjalimit. Refleksion. 19. Rilindja e fjalimit. Ndërlidhja e dijes. 20. Pse ka rëndësi kjo: ndërlidhja e njerëzve. 21. Radha jote. Sekreti i filozofit. Mirënjohje/ Indeks i emrave

Rreth autorit

CHRIS ANDERSON është president i TED dhe përgjegjës-kurator për Fjalimet TED. Anderson është diplomuar pranë Universitetit të Oksfordit dhe, më pas, ka kryer disa trajnime në fushën e gazetarisë. Përpara se vëmendja e tij të thithej nga TED, ka botuar dhe krijuar më shumë se 100 revista dhe faqe ueb të suksesshme. Më vitin 2001, organizata jofitimprurëse e drejtuar nga ai, merr drejtimin e TED. Mantra e tij për TED, – “ide që ja vlen të shpërndahen”, – vazhdon të lulëzojë në shkallë ndërkombëtare. Aktualisht  jeton në NewYork.

Vlerësime nga disa folës TED për librin e Chris Anderson 

ADAM GRANT, profesor Wharton, autor i Give and Take dhe Originals:  

Ky libër është jo vetëm më i ploti në fushën e të folurit në publik, por edhe i shkëlqyer në perceptimin e mënyrës se si duhet të komunikojmë dhe të paraqitemi. Nëse keni planifikuar të artikuloni edhe një fjalë të vetme me zë të lartë, ky është libri që duhet të lexoni. Libri më mbush me shpresën se fjalët munden, në ditët tona, të ndryshojnë botën.

ELIZABETH GILBERT, autor i Eat, Pray, Love dhe The Signature of All Things:

Asnjë njeri në botë nuk e kupton më mirë artin dhe shkencën e të folurit në publik se Chris Anderson. Ai ka mbështetur dhe frymëzuar, kandisur dhe inkurajuar shumë folës, për një periudhë të gjatë kohore, – mua përfshirë, – sikundër na ka ndihmuar të japim më të mirën e mundshme të performancës sonë në skenë, edhe kur kemi qenë në kulm të nervave dhe të dërrmuar. Anderson është personi perfekt që duhej ta shkruante këtë libër dhe është një bekim për shumë njerëz.

STEVEN PINKER, profesor në Harvard, autor i How the Mind Works dhe The Sense of Style:

Fjalimet TED kanë rishpikur artin e retorikës së shekullit XXI. Lamtumirë akademizma sipërfaqësorë, fjalë shkencore pa kuptim, moralizime pompoze, ekzaltim nga PowerPoint, – sot e dimë se “idetë që ja vlejnë të shpërndahen” munden, me të vërtetë, të shpërndahen në largësi dhe të depërtojnë në thellësi, me qartësi dhe stil. Ky libër e rivendos retorikën në vendin e tij të nderit, si një nga aftësitë më të domosdoshme për një qytetar të edukuar.

Sir KEN ROBINSON, reformator në fushën e edukimit, autor i Creative Schools:

Në këtë libër, Chris Anderson dhe grupi drejtues i TED, për herë të parë, na paraqesin gjithshka kemi mësuar rreth duhet dhe nuk duhet në fushën e të folurit në publik. A ekziston ndonjë recetë e vetme për të folurin në publik? Sigurisht, jo. Por sigurisht, po, ekzistojnë disa përbërës kryesorë që ndihmojnë në gatimin e saj, të cilat grupi TED i paraqet në këto faqe me saktësi, entuziazëm dhe gjallëri (të cilat, edhe këto vetë bëjnë pjesë te përbërësit kryesorë). Një udhërrëfyes frymëzues dhe bashkëkohor në artin e respektuar të oratorisë.

Vlerësime për librin

STEVEN JOHNSON, autor i How We Got to Now dhe Emergence:

Fjalimet TED mund të klasifikohet si “Eseja e ditëve tona”, – e njëjtë me pamfletin e shekullit XVIII dhe rubrikën OP-ED të gazetave të shekullit XX. Fjalimet TED është udhërrëfyesi i kësaj gjinie të re të të shkruarit, hartuar nga një njeri që i shndërroi, këto fjalime, në një forcë globale.

VALBONA NATHANAILI, përkthyese e “Fjalimet TED”, autore e librave “Ambasadorët tanë, pikëtakime të diplomacisë me krijimtarisë”, “Rruga e mundimshme e shkollës shqipe, 1912-1944” dhe “Arsim dhe pabarazi”:

Të kesh një ide dhe ta transmetosh në një grup të caktuar janë dy gjëra të ndryshme. Chris Anderson na tregon se si të mbushim hapësirën ndërmjet folësit dhe publikut me një bashkësi fjalësh, të cilat të zgjedhura, renditura, paraqitura dhe artikuluar në mënyrën e duhur, e shndërrojnë të folurin në një mjet të fuqishëm komunikimi.

Për këdo që është frymëzuar ndonjëherë nga një Fjalim TED… Një udhërrëfyes i brendshëm për mbajten e fjalimeve mbresëlënës

Chris Anderson, nga viti 2001, vit në të cilin mori drejtimin e TED, na ka treguar se si fjalimet e shkurtër, por të mbajtur me mjeshtëri, shndërrohen në faktorë për çlirimin e empatisë, nxitjen e entuziazmit, shpërndarjen e dijes dhe krijimin e një ëndrre të përbashkët. Një fjalim, i mbajtur në mënyrën e duhur, mund të elektrizojë pjesëmarrësit e një salle dhe të transformojë pikëpamjet e një audience në shkallë botërore. Një fjalim, i mbajtur në mënyrën e duhur, është më i fuqishëm se çdo formë të shkruari.

Ky libër shpjegon se, si të folurit në publik mund të shëndërrohet në një art të mrekullueshëm, ndërkohë që ju ofron njohuritë që duhet të keni për të dhënë më të mirën e mundshme. Këto njohuri nuk janë një bashkësi formulash. Për më tepër, i njëjti fjalim nuk mund të mbahet dy herë njëlloj, sikundër dy fjalime të ndryshëm nuk mund të mbahen në të njëjtën mënyrë. Por ekzistojnë mjetet që mund të ndihmojnë e lartësojnë çdo folës.

Chris Anderson punon, pas skene, me të gjithë folësit TED. Në këtë libër paraqiten e analizohen disa nga folësit që na kanë frymëzuar më shumë, – veçojmë Sir Ken Robinson, Amy Cuddy, Elizabeth Gilbert, Salman Khan, Dan Gilbert, Monica Lewinsky, si dhe shumë të tjerë, emrat dhe referencat ndaj të cilëve do i gjeni në libër. Në libër trajtohet, në mënyrë sistematike dhe hap pas hapi, nga mënyra se si mund të bëheni mjeshtër në hartimin e përmbajtjes së fjalimit që do të mbani në publik, deri në të qenit sa më efektiv në skenë. Libri është manuali i shekullit XXI për një komunikim vërtet efektiv. Libri klasifikohet si “duhet-lexuar” për çdo njeri që është i gatshëm të ndikojë publikun me idetë e tij.

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.