Draft-strategjia për arsimin parauniversitar 2014-2020 Ose “A mund t’i bëjmë të gjitha shkollat e mira?” Nga Valbona Nathanaili

Draft-strategjia për arsimin parauniversitar 2014-2020

Ose “A mund t’i bëjmë të gjitha shkollat e mira?”

 Nga Valbona Nathanaili

Mars, 2015 

Debati për arsimin ka tendencën të shndërrohet gjithmonë në një objekt shumë të gjerë diskutimi, jo vetëm sepse ka të bëjë me atë që ndodh brenda shkollës, por sepse nga arsimi varet drejtimi që do të marrë e gjithë shoqëria. Debati merr vlera të veçanta kur bëhet fjalë për dokumente të rëndësishëm, sikundër është draft-strategjia për arsimin parauniversitar 2014-2020përgatitur së fundmi nga Ministria e Arsimit dhe e Sporteve. Drafti ka si synim të shtrojë rrugën për ecurinë e shkollës për periudhën në vijim dhe vjen, në radhë, i treti, pas Strategjisë Kombëtare për Arsimin Parauniversitar për periudhën 2004-2015 dhe asaj për periudhën 2009-2013.

Duke vlerësuar gjendjen ku jemi, identifikuar realisht edhe në draft-strategjinë e propozuar, asgjë nuk duket e lehtë, pasi kemi me shumicë mësues të patrainuar, fëmijë që vazhdojnë të braktisin shkollën, drejtues të pakualifikuar, tekste skandalozë dhe burime financiare të pamjaftueshme. A mundet dokumenti, me vizionin dhe objektivat të propozuara si të realizueshme, deri në fund të vitit 2020, të eliminojë a zbusë gjithë mangësitë e mësipërme, ose “t’i bëjë të gjitha shkollat e mira”? Vështirë të japësh një përgjigje pozitive. Arsyet janë të shumta, por mbetemi te e shkruara.

  1. Sipas draftit, vizioni në sistemin arsimor parauniversitar, për periudhën 2014-2020, “mbështet zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, rrit konkurrencën në rajon e më gjerë dhe konsolidon shoqërinë demokratike”.  

Gjuha e përdorur në formulimin e vizionit për këtë nivel edukimi vazhdon të jetë e njëjtë me atë të dy strategjive të mëparshme: e orientuar nga ekonomia. Arsyetimi më i thjeshtë është se, sa kohë që sistemi ynë arsimor, edhe pas dy strategjive të mëparshme, vazhdon të paraqesë të njëjtën gjendje për “të qarë hallin”, atëherë ajo që duhet të ndryshojmë është vetë vizioni. Në një arsyetim pak më të ndërlikuar, ose të një faze më të lartë, vështirë të gjesh një lidhje direkte ndërmjet shkollës dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Personalisht e kam shumë të vështirë. Në garën ndërmjet shkollës dhe zhvillimit, asnjëherë nuk del fituese shkolla. Askush nuk është në gjendje të parashikojë saktësisht ritmet e zhvillimit ekonomik, shpikjet e zbulimet teknologjike të ardhshme. Aq më tepër në një vend të varfër si ky i yni, me një shoqëri që vazhdon të ketë si kryefjalë krimin e korrupsionin; si normë, mungesën e së drejtës e të qytetarisë; si parim, tjetërsimin e vlerave, domethënë të gjithë janë të aftë t’i bëjnë të gjitha, pavarësisht shkallës së edukimit, përvojës, moshës a arritjeve.

Në të kundërt, shkolla në nivelin parauniversitar duhet të edukojë te fëmijët vlerat më të mira, t’i përgatisë si qytetarë për një shoqëri diverse, të aftë të mendojnë në mënyrë kritike, të dinë çfarë kërkojnë në atë masë që u takon dhe, nëse arrijnë deri këtu, në gjendje të marrin përgjegjësi jo vetëm për zhvillimin, por të shkojnë edhe më tej, ta bëjnë zhvillimin të qëndrueshëm. Pra, na duhet një vizion i ri për shkollën, që kryesor ka aspektin social të saj, që nxit fillimisht suksesin e nxënësve si qytetarë dhe, më tej, aq më mirë, edhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, pasi kështu do bëhemi vërtet konkurrues jo vetëm në rajon, por në gjithë botën.

  1. Në të gjitha strategjitë e sipërpërmendura përdoret, si një gjetje “e re”, modeli i financimit të shkollave sipas formulës “për nxënës”. Citoj: “Për t’iu përgjigjur kërkesave dhe për të siguruar barazinë e mundësive për nxënësit dhe rajonet, do të zbatohet modeli i financimit “për nxënës”, i cili bazohet në numrin aktual të nxënësve, si dhe në gjeografinë e shtrirjes së shërbimeve të nevojshme, në numrin e mësuesve dhe në stafin mbështetës dhe jo në sasinë e parave të paracaktuara”.

Duhet të ndalemi jo për arsyen pse drafti propozon të funksionojë duke filluar nga viti 2016, “në mënyrë efektive” ky model financimi, pasi nuk mendoj se mund të jetë efektiv sa kohë që interpretimi që i bëhet modelit është po ai i vitit 2004, ose sepse ka hyrë në fuqi me Ligjin aktual për Sistemin Arsimor Parauniversitar nr. 69/2012 që në vitin 2012. Ja vlen të ndalemi se, sa sado e bukur të duket si formulë a si model, i vendos të gjithë nxënësit në të njëjtin emërues dhe, po ashtu, edhe të gjitha shkollat. Nëse duam që të gjitha shkollat të jenë të mira, por nga ana tjetër u caktojmë buxhete të llogaritura në formula kaq të thjeshta përpjesëtimore, pavarësisht rezultateve e arritjeve e, akoma më shumë, pa pasur në konsideratë se çfarë lloj komuniteti i përkasin, atëherë dështimi do vazhdojë të ketë të njëjtën përmasë. E thënë ndryshe, shkollat e mira do bëhen edhe më të mira dhe, shkollat e dobëta, ose në komunitete me të ardhura të ulëta ose të pakta, do vazhdojnë të jenë në të njëjtën gjendje, në mos edhe më keq. Pra, starti, e bashkë me të edhe perspektiva individuale për arritje arsimore, do vazhdojë të jetë funksion i sfondit social të fëmijës. Me këtë financim, shkalla e mundësive që ofron sistemi ynë arsimor është në përpjesëtim të drejtë me fëmijët si numër, jo si qenie njerëzore, me mundësi e avantazhe të ndryshme.

  1. Draft-strategjia synon të “Krijohen mjedise shkollore miqësore për fëmijët, pa dhunë, mjedise që ndihmojnë, kujdesen dhe kultivojnë vlerat demokratike dhe ofrojnë modele pozitive”.

Nëse me fjalën “mjedis shkollor” kemi parasysh një ndërtesë bashkëkohore, jemi në rregull, pasi vërtet kemi shkolla që gjenden në ndërtesa të tilla. Por perceptimi im për një shkollë miqësore për fëmijët është një shkollë që, ndërmjet të tjerave, nuk “i përzë” fëmijët në shtëpi ose në rrugë sapo mbarojnë orën e mësimit. Njëlloj si përpara 10, 20, 25 vjetëve, fëmija i shkollës “publike”, ose “shtetërore” sikundër njihet ndryshe, shkon në shtëpi me të mbaruar ora e mësimit. Pra, klima miqësore, në rastin më të mirë, është part-time dhe e kufizuar vetëm brenda orëve të mësimit. Çfarë ndodh me fëmijën sapo mbaron mësimi, që shpesh mund të jetë edhe ora 12 ose 13 e paradites? E vetmja klimë që u ofrojmë, në rastin më të mirë mund të jetë një prind i papunë ose gjyshe a gjysh “i/e fortë” që i pret te pragu i shkollës dhe, në rastin më të keq, një rrugë e dhunshme dhe e pasigurt. Nga ana tjetër, strategjia nuk përmend shkollat me turne, por vetëm mbipopullimin e klasave. Çfarë shkolle miqësore mund të quhet kur, pa mbaruar mësimin njëra klasë, vjen klasa e pasdites? Edhe ajri nuk ka kohë të pastrohet, jo më të flitet për mjedis miqësor! Ose çfarë klime miqësore ofron shkolla kur fëmijët vazhdojnë të bëjnë grafikun e pastrimit të klasës dhe të bëjnë garë se kush do të gjejë fshesën më të mirë për ta pastruar atë?

  1. A i kontrollon dot Ministria e Arsimit të gjitha shkollat? Po nga strategjia, (f. 27) Inspektorati Shtetëror i Arsimit, aktualisht, realizon 25-30 inspektime të plota në një vit shkollor, ndaj nuk mund të ndikojë sa e si duhet në sigurimin e cilësisë së sistemit.

Për fat të keq, vërtet që nuk ndikon sa duhet, sepse në arsimin publik parauniversitar kemi, në total, 1524 institucione. Arsimi privat zhvillohet në 303 institucione. Të dyja sistemet, së bashku, shkojnë në 1827 institucione. Nëse do vazhdohet me këto ritme, të gjitha shkollat e Republikës së Shqipërisë kanë fatin për t’u inspektuar, në mënyrë të plotë, vetëm 1 herë në 61 vjet. Atëherë marrim nisma të pastudiuara, sikundër është testimi i mësuesve. Pse? Sepse nuk ka inspektoriat që të kontrollojë e vlerësojë në mënyrë sistematike jo vetëm dijet e mësuesve, por ajo që është më e rëndësishmja, punën që bëjnë në klasë e shkollë për të rritur nivelin e arritjeve të nxënësve, për t’i bërë të përgjegjshëm mësuesit jo si individë, pasi vështirë të ndryshojmë vlerat e tyre personale, por si një bashkësi profesioniste që punojnë së bashku për të realizuar objektivat e shkollës. Kush mund të thotë se mësuesi që doli i pari në test është mësuesi më i mirë? Ose se ai mësuesi që rrihte nxënësin e tij diku në veri të vendit, edhe në test do dali i fundit?

A ka drafti pika të tjera që mund të merren në diskutim? Sigurisht. Por nisma për diskutim publik duhet përshëndetur dhe përqafuar nga të gjithë, – drafti i propozuar gjendet në faqen ueb të Ministrisë së Arsimit dhe të Sporteve. Besoj se përfshirja dhe gjykimi nga këndvështrime të tjera jo vetëm i rrisin vlerat dokumentit, por kontribuon direkt në realizimin e synimit tonë të përbashkët: “T’i bëjmë të gjitha shkollat e mira”.

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.