Arsimi nuk pret Nga Valbona Nathanaili

“Protesta për plotësimin e 8 kërkesave bazë” e studentëve të universiteteve publike detyroi politikën të dëgjojë dhe të fillojë të kuptojë se çfarë bëhet në universitete! Por analiza e zhvillimeve në arsim këta vitet e fundit dhe në përgjithësi e gjithë arsimit pas viteve ’90, tregon se politika në arsim ka qenë shumë politike dhe pak profesionale në hartimin e politikave, tepër ndëshkuese e përjashtuese dhe aspak bashkëpunuese e shpërblyese me ekspertët. E njëjta analizë më detyron të dyshoj në shkallën e sinqeritetit dhe vullnetit për të ndryshuar realisht gjendjen. Gjithsesi, falë këtyre protestave, shpresoj që ky reflektim të jetë më pak politik dhe më shumë profesional.

Një nga rrjedhojat e kësaj politike në politikat e arsimit të lartë ka qenë masivizimi. Nëse flasim në terma absolutë sa i takon numrit të të regjistruarve, vetëm gjatë periudhës 2004-2012, kemi këto shifra: në vitin akademik 2004-2005, numri i studentëve që u regjistruan në një institucion të arsimit të lartë, publik e privat, ishte 63 257, ndërkohë që në vitin akademik 2011-2012, numri i studentëve të regjistruar shkoi në 160 839, që do të thotë se brenda një periudhe shtatëvjeçare numri është rritur me 97 582 studentë!

Por masivizimi i arsimit të lartë nuk duhet të na trembë! Ky lloj masivizimi përputhet me objektivat e OSBE-së e të BE-së. Shqipëria është pjesëmarrëse në “Hapësirën Europiane të Arsimit të Lartë” dhe të gjitha dokumentet dhe komunikatat ministrore e theksojnë këtë kërkesë. Në argumentin “pro” masivizimit të arsimit të lartë, duhet theksuar se shoqëria ka vetëm përfitim, sepse është një shërbim që na çon përpara. Akoma, masivizimi i arsimit të lartë është fakt pothuaj në të gjithë botën. Shteti dhe universitetet, bashkë dhe veç e veç, ndërmarrin një mijë e një politika e nisma për t’i bërë të rinjtë e të vjetrit pjesë të sistemit arsimor dhe të mësuarit përgjatë gjithë jetës. Pra, askush nuk duhet të dyshojë se arsimi i lartë është masivizuar. Ajo që vihet në pikëpyetje është sa cilësor është ai. Pasojat kanë qenë dramatike në cilësinë e edukimit në këtë nivel në Shqipëri, sepse ka qenë një masivizim spontan, kaotik, i pakontrolluar e i pashoqëruar me një legjislacion korrekt e kërkesa të forta. Sepse janë bërë politika të këqija!

Së pari,

  • sepse masivizimi i arsimit të lartë u shoqërua me një masivizim edhe të institucioneve publike që e ofronin këtë shërbim. Në vitin 1992-1993, me vendim qeverie, të gjitha Institutet (Elbasan, Shkodër, Gjirokastër e Korçë) u shndërruan, brenda ditës, në universitete, ndonëse programet dhe, bashkë me to, edhe diplomat, ishin krejtësisht të ndryshme nga ato që ofronte Universiteti i Tiranës, në përmbajtje dhe emërtesë. Një vit më vonë, më 1994, në Vlorë hapet Universiteti Teknologjik i Vlorës. Numrit të pakontrolluar të institucionet publike i shtohen universitetet private. Në vitin 2002 shfaqen universitetet e para private, që fillimisht vërtet janë të profilizuara dhe pak (vetëm pesë), por në vitin 2009 numri i tyre shkon në 34. Brenda një periudhe vetëm shtatëvjeçare, shënojnë një rritje me 85.3%. Për të njëjtën periudhë, nga të profilizuar, shndërrohen gjithnjë e më të përgjithshëm, duke ofruar programe që shtriheshin pothuaj në të gjitha fushat e dijes, një lloj copy-paste institucional në shkallë kombëtare. Por me defekte! Sepse kërkoheshin pedagogë, dekanë e rektorë, doktorë shkencash, profesorë të asociuar e profesorë!

Së dyti,

  • krahasuar me vendet e rajonit ka një ndryshim të ndjeshëm. Numri i studentëve të regjistruar në një institucion të arsimit të lartë duket vërtet i madh në terma absolutë, por nëse e llogarisim në raport me numrin e përgjithshëm të popullsisë, koeficenti është më i vogël. Nga ana tjetër, numri i universiteteve/një mijë banorë në Shqipëri është shumë herë më i madh se ai i vendeve të rajonit. Këtu mund të bëhen disa deduksione: masivizimi në Shqipëri i arsimit të lartë ka vend për nxitje me politika mbështetëse; një pjesë e mirë e të rinjve zgjedhin të arsimohen jashtë vendit, kryesisht ata më të mirët, dhe ne nuk bëjmë asgjë për t’i mbajtur; hapja pa kriter e universiteteve dhe funksionimi i mëtejshëm i tyre në kundërshtim me logjikën e një institucioni të tillë, që kërkon dy boshte: mësimdhënie cilësore e kërkim shkencor.

Deduksioni i fundit: “hapja pa kriter e universiteteve”, – është çelësi për fillimin e argumentit për përmirësim!

Për shembull, çfarë kuptimi ka që Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës ka ndryshuar pothuaj krejtësisht synimin fillestar për të cilin u hap, – të qenit i profilizuar, – ndërkohë që sot ofron programe të ngjashme me shumë universitete të tjera, private e publike, një pjesë e të cilëve janë dy hapa larg, në Tiranë! Nga faqja on-line e universitetit mund të vlerësosh lehtësisht edhe cilësinë e programeve që ofrohen, si dhe të kërkimit shkencor që zhvillohet. Duke u ndalur te kërkimi shkencore, konstatohet se puna shkencore në këtë universitet udhëhiqet nga 31 objektiva, ndërkohë që të gjithë manualët e pedagogjisë rekomandojnë të punohet me jo më shumë se 4-5 objektiva. Nga 31 objektivat shkencorë që listohen, në objektivin nr. 31 lexon:

“Pasqyrimi i aktiviteteve në kohë reale në faqen zyrtare të UAMD-së dhe i organizatave e institucioneve partnere, si dhe mediatizimi i aktiviteteve dhe gjithë veprimtarisë së UAMD-së në të gjitha format e mundshme (media, media sociale, web-e), për rritjen e impaktit, propogandimin e ofertës UAMD, si dhe për rritjen e imazhit publik të Universitetit “Aleksandër Moisiu”.

Sigurisht që një universitet duhet të pretendojë më shumë se një shkollë e mesme! Ky është qëllimi pse funksionojnë. Hulumtimi në rubrikat e tjera të kërkimit shkencor nuk ofron më shumë! Biblioteka digjitale e Universitetit “Aleksandër Moisiu” përbëhet nga punimet e studentëve të nivelit master, si dhe leksione të skanuara të disa pedagogëve, ndërsa qendra kërkimore ekziston si koncept. Por universiteti ka tagrin të japë edhe gradën shkencore “Doktor” – në faqe gjenden të publikuara 3 punime doktorature!

Në garën e reduktimit të kërkimit shkencor në aktivitete nuk mbetet prapa as Universiteti i Gjirokastrës!

Analiza e faqeve on-line të universiteteve të tjera jep të njëjtën pamje sa i takon cilësisë. Në Fakultetin e Shkencave të Natyrës (UT), Departamenti i Fizikës, puna shkencore është vetëm si rubrikë, gjithë hapësira tjetër është bosh (dt. 23.12.2018).

Përsëri nga faqet on-line, një universitet ka fakultet sportiv, por e vetmja fushë sporti është parkingu rreth ndërtesës; një tjetër ka fakultet për përgatitjen e teknikëve në fushën e imazherisë mjekësore, por përgjegjësi i departamentit jep psikologji!

Universitete të tillë janë thjesht “grabitqarë”. Mburren se kanë shumë studentë! Mburren se kanë shumë programe! Por grabisin të ardhurat, grabisin shpresën, grabisin ëndrrat tona për një shoqëri të mirë. Janë arsyeja pse largohen të rinjtë. 

Së treti,

  • cilësia e dobët me të cilën vijnë studentët nga një nivel i mëparshëm arsimor. Faktori kryesor është reduktimi i gjimnazeve nga katër në tre klasë, me arsyetimin që një klasë e bën në sistemin nëntëvjeçar. Por mësuesit e ciklit nëntëvjeçar nuk janë të aftë të përballojnë atë nivel dijesh që kërkon gjimnazi. Kjo ndikoi në thjeshtëzimin në maksimum të kurrikulës së gjimnazit, sepse edhe nga ky nivel nxënësit vinin me boshllëqe.

Pyetjet që mund të shtrohen janë shumë. Zinxhiri nga një nivel edukimi në një tjetër nuk funksionon. Gjithsesi, duke mbetur në arsimin e lartë, dhe në vijim të argumenteve sa më sipër, mund të fillojmë me një pyetje të thjeshtë: Pse duhan mbajtur kaq shumë universitete publike? Përpos të tjerave, kaq shumë shpenzime buxheti për të mbajtur rektorë e zëvendës rektorë? Është mirë që disa universitete të mbyllen (si emra) dhe t’u bashkëngjiten atyre te të cilët ekziston mundësia se mund të ribëhen. Po ashtu, një ide e mirë është edhe profilizimi për disa universitete të tjera publike, në varësi të vendndodhjes gjeografike.

Një vështirësi tjetër në funksionimin e cilësisë është edhe legjislacioni aktual e vendime të ndryshme nxjerrë në funksion të tij. Sepse në ligjin aktual për arsimin e lartë, Nr. 80/2015, ndonëse është më i mirë se i mëparshmi, fryma dhe nene të veçanta nuk na ndihmojnë të përmirësojmë gjendjen bazuar në të, ose ndryshe ligji nuk nxit ndryshime pozitive në arsimin publik.

Nga ligji, vendosja e theksit te ekselenti që vjen nga shkolla e mesme nuk e zgjeron suksesin e shoqërisë, sepse ekselentë të tillë rrallë dalin jashtë modeleve të paracaktuara sociale dhe rrallë lulëzojnë jashtë mjediseve inkurajues të njohur. Këta individë mund të na bëjnë të ëndërrojmë, por tullat i vendos masa dhe kemi nevojë që këto tulla të zënë vend mirë. Për më tepër, vlerësimi dhe shndërrimi në kult i aftësive dhe meritës, në pedagogji, njihet si një lloj “evolucioni negativ” i shoqërisë dhe etiketohet si justifikim për të qenë indiferent ndaj fëmijëve që u takojnë shtresave në nevojë, si dhe për mungesën e veprimeve dhe masave që i lënë në nivelin ku janë.

Vendosja e theksit në të gjithë diskursin e pas-protestës nuk duhet të jetë te ekselenti që vjen nga shkolla e mesme, sepse vazhdoj të këmbëngul që mesatarja e shkollës së mesme na tregon se janë të mirë, por jo sa të mirë do të jenë, por duhet të jetë te ekselenti që prodhon universiteti, pra studenti në dalje. Kjo është vlera e shtuar e universitetit dhe ky është universiteti i mirë.

Bazuar në këtë ligj nuk mund të shkojmë përtej tetë pikave që kërkuan studentët këtë dhjetor dhe gjasat janë të kemi një protestë të ngjashme vetëm disa muaj më vonë!

Bëjmë dot universitet të mirë? Kjo kërkon politika të mira dhe ekspertë të mirë! Arsimi duhet shpallur emergjencë kombëtare, të paktën për një periudhë katërvjeçare! Sepse arsimi nuk pret… dhe jo vetëm arsim i lartë!

Librat dhe leximi në rrëfimin e farmacistes & shkrimtares Ada Çapi

Ada Çapi

Kam përfunduar studimet e larta për farmaci, por nëse leximi do tё ishte profesion, them që kam edhe profesionin e lexuesit. Jam nga Zagoria e Gjirokastrës, pikërisht nga fshati i Andon Zakos, ose siç thotë ime mё (qё ёshtё edhe ajo zagorite), “Jemi andej nga ku njerëzit flasin mbrapsht”. Ç’potitin pёr tё treguar dashuri, ironizojnë kur duan të urojnë! Fiks si tek “Pёrrallё nga e kaluara”! Në vitet 80-90 jetonim në Lezhё, në kohën kur lindte gazeta “Koha” (sot “Koha jonё”), kur Ndoc Gjetja hynte me ndrojtje në rrethin letrar të gjimnazit tё lexonte poezitë e tij, kur Agim Isaku shkruante “Ti je e bukur” , kur Preç Zogaj shkruante poezitë qё edhe sot i di përmendsh.

Ky ёshtё brumi nga i cili jam gatuar!

Fëmijëria ime ka rrjedhur mes gjërave qё duheshin e gjërave qё doja (kjo e fundit ishte gjithmonë leximi). Në moshën njëzetvjeçare u dashurova, që korrespondon me vitin 1991! Me mbarimin e studimeve, emigrojmë të dy në Itali. Mund tё them se me gjithë vёshtirësitё e emigracionit, – qё nuk t’i kursen askush, – Italia mё hapi sytё. Tё lexuarit nё italisht mё njohu me kaq shumë shkrimtarё, kaq shumë zëra nga gjithë bota qё nuk i njihja! Edhe sot e kësaj dite, pjesën më të madhe të autorëve kam kёnaqёsinё e pafund t’i lexoj nё italisht. Im bir, Drini, ka lindur nё Itali, si pёr dёgjuar aty rrjedhën e lumit mё tё lashtё tё tokёs time. U ktheva nё Tiranё pas shumё vitesh dhe pikërisht atëherë shkrova romanin tim tё parё, “Morphina”. Tani jetoj familjarisht nё Amerikё, me mendje dhe zemër nё rrugicat e Tiranës qё pulsojnë ende te unё.

Cilët libra qëndrojnë mbi komodinën tuaj, pranë shtratit, dhe presin të lexohen përpara gjumit?

Ada Çapi: Mbi komodinë qёndrojnё ata libra qё nuk hyjnё dot nё e-bookun tim dhe qё janё shumё “tё rёndё” pёr tё lëvizur, si muret e shtёpisё: gjithçka e Migjenit, poezitë e Mikele Marit, poezi nё shqip, Kadareja. Por nuk janё kёta ata qё domosdoshmërish lexoj para se tё fle. A lexohet “Bukuria qё vret” pёrgjumёsh?

Kur nuk kam në dorë ndonjë roman bashkëkohor, më pëlqen shumë tё lexoj tregime para gjumit. E adhuroj tregimin: mё ngjan me njё sonatë, me njё kёngё apo arie me gjatёsi perfekte. Falё e-bookut qё mban shumë tituj, zgjedh tregime tё ndryshme, pёr shembull, njё nga Buzzati, tjetrin Carver, njё Çehov dhe tё fundit, njё Auslander! Ёshtё si tё udhёtosh me njё fshesё magjike nga njёri cep i botёs te tjetri, tё tё pёrshkrojё trupin magjia e Buzzatit, tё tё fshikullojё ftohtёsia perfekte e Carverit, tё tё fusё (akoma!) nё mendime Çehovi e tё tё vjedhë njё buzëqeshje ironie Auslander… tё gjitha kёto, nё pragun e ditёnatёs! Sa Piter Pan qё mbetemi ne lexuesit!

Kur dhe ku lexoni?

Ada Çapi: Kudo, nё trenin qё shkoj nё punё, duke pritur nё njё zyrё, nё plazh… Tregimin e fundit e kam lexuar duke pritur djalin të mbaronte stërvitjen. Kam gjithë jetёn qё ёndёrroj poltronёn perfekte pёr tё lexuar, por tashmё, me ritmin e jetёs qё bёj, jam dorëzuar. Mё vjen turp ta them po fundin e njё eseje qё mё rrёmbeu, e kam lexuar njё mёngjes nё farmaci! Në këtë moshë kam ndryshuar mёnyrёn e tё lexuarit, kam hequr dorё mё nё fund nga leximi impulsiv bulimik, sikundër e quaj unё. Kam hequr dorë edhe nga leximi njёherёsh, i pakontrolluar, i disa librave. Mё merrte shumё vëmendje qё mё duhej pёr punën! Ama kam mësuar tё pёrdor Kindle dhe audiolibrin qё mё lejojnë tё lexoj kudo e nё çdo kohё.

Cili ёshtё libri i fundit qё keni lexuar dhe iu ka ardhur keq qё e mbaruat?

Ada Çapi: “Auggie Gren Christmas story”, vepër e një autori bashkëkohor amerikan, Paul Auster. Pas kaq kohe qё nuk mё ndodhte, m’u desh tё mbushesha me frymë pasi e mbarova. Njё tregim paksa i gjatё, shkruar pothuajse pa ngjyra, por qё me thjeshtёsinё vrastare tё librit perfekt tё ngre peshë kur nuk e pret. Ёshtё libri i dytё i kёtij autori qё mё pёlqen dhe qё mё konfirmon edhe njё herë se autorëve tё mёdhenj, unё u pëlqej libra “tё vegjёl”. Sё fundmi, me tezën se mosha të bën selektiv, kam patur fatin tё lexoj shumё libra tё mirё.

Çfarё gjinie libri preferoni nё pёrgjithёsi tё lexoni?

Ada Çapi: Gjithçka kam nevojё, pёr tё gjitha llojet, siç kam nevojё pёr cdo ushqim! Kthehem tek poezia si ai qё ka lёnё cigaren dhe ndjek me erё tymin; mё rrёmben njё roman qё ka zemёr, ngjyra, jetё; mё intrigon pa fund tregimi. Kohёt e fundit mё ka tërhequr shumё eseja, ёshtё kaq e pasur me mendim sa pothuajse nuk ka nevojё pёr formё. E fundit qё lexova, “The Game” e Bariccos, ishte si njё bimё e egёr qё rritet pa pikё uji. Njё mrekulli!

Ah edhe diçka: lexoj dhe ndjek shume media on line, media sociale, me një fjalë, gjithçka qё prodhon interneti. Ёshtё shumё interesante tё vёsh re, se nё mes tё njё lumi mediokriteti, ka zёra qё i japin ngjyra, interpretim, jetё dhe puls tё vetin edhe kronikёs. Mendoj se ajo që ka lindur me dhunё, rritet mё shpejt, siç rriten fёmijёt e dhunshёm, njё farё ironie qё kulmon me autoironi rrjeti. Qё fshikullohet, bastardohet, pёrqeshet, po prapё ngelet. Janё fenomene kaq interesante sa edhe informuese, kaq bashkëkohore sa edhe shpjeguese, tё ndryshimeve gjigante qё po pёrjetojmё.

Cili ka qenё libri mё i preferuar pёr ju kur ishit fёmijё? Ndonjё personazh qё ju ka shёrbyer si model?

Ada Çapi: Nuk kam lexuar shumё libra pёr fёmijё dhe, po ashtu, nuk kam lexuar kurrё fumeti! Leximin e kam filluar me Dyma, Dikens, Hygo. 14 vjeç kam rёnё nё dashuri me Marquez, dhe qё atёhere lexoj pothuajse çdo vit “Kronikё e njё vdekje tё paralajmёruar” (dhe gjej çdo vit njё nuancё qё mё ka shpёtuar mё parё!). Ka shumё personazhe qё mё kanё rritur, mё kanё bёrё kjo qё jam, po nё se do zgjidhja vetёm njёrin, zgjedh Odisenë. Nuk besoj se mund të gjesh, nё letёrsinё e shkruar tё re apo tё vjetёr, njё figurё aq komplekse, qё mendon, udhёheq, dashuron, vuan dhe sfidon Perёnditё si ai.

Cili ёshtё libri qё mund t’i ktheheni e ktheheni vazhdimisht?

Ada Çapi: Pёr mua qё mё pёlqen narrativa, shkrimtarёt janё mendje edhe mё e vlefshme se dijetarёt. Sidomos në periudha tё ndryshimeve gjigante si kёto qё po pёrjetojmё, interneti, globalizmi dhe lufta qё u bёhet nga interesat e ngushta, por shumё tё fuqishme ekonomike. Më intrigon mendimi, imagjinata dhe ёndёrrat qё flenё nё kokat e shkrimtarëve mё fantazioze tё planetit, lidhur me faktin se si do t’i shkojё filli njerëzimit, ku e gjejnë ata ҫelёsin e sё ardhmes.

Pёr shembull, tё lexosh Fallacin menjёherё pas 11 Shtatorit 2001, intervistat e saj si gazetare dhe, pas tyre, edhe “Letёr njё fёmije tё palindur”, nuk ka tё paguar! Ose tё lexosh Grossmanin qё shkruan pёr luftёn, pasi i ka vdekur i biri nga njё predhë, apo tё lexosh Palahniuk pёr tё kuptuar qё edhe trash-i ka shpirt qё pikon gjak! Pra, mё shumё se tё rilexoj tё njёjtёn vepёr vazhdimisht, mё tёrheq tё lexoj autorё qё dua, nё kontekste tё ndryshme. Pёr shembull, kam lexuar radhazi dy Stephen King, tё parin ku fantazon shfrenueshёm nё 22/11/63 dhe, menjёherё pas tij, “On writing”, qё pёr mua ёshtё libri mё i sinqertё dhe i ndjerё ku njё shkrimtar rrёfehet mё shumё se jep kёshilla narrative.  

Kjo mё tёrheq mё shumё, spektri 360 gradё i mendjeve mё tё bukura qё fantazojnё, ёndёrrojnё, zemёrohen, dashurohen e rrёfehen publikisht pёr ne lexuesit.

Nёse do ju kёrkonin t’i rekomandonit njё libër Presidentit tё Shqipërisё?

Ada Çapi: Me shumë dashamirësi, më pëlqen t’i lejoj vetes luksin e rekomandimit të një libri të mirë vetëm tek miqtë. Nuk di që Presidenti i Shqipёrisё të ketë një profesion tjetër veç politikës. Por nё se do tё duhej, do t’i rekomandoja “The uncommon reader”, tё Alan Bennet. Me humorin tipik british, autori tregon se si njё ditё tё bukur, vetё Mbretёresha e Anglisё ra nё njё telash tё madh qё mezi e mbante tё fshehur dhe, pёr mё tepёr, i merrte kohё tё çmuar nga protokolli mbretёror: u dashurua me librat, falё njё shitёsi ambulant!

Kush ёshtё shkrimtari i ditёve tona qё ju admironi mё shumё?

Ada Çapi: Ai qё shkruan me zemёr. Sot botohen kaq e kaq libra dhe, falё globalizmit, Kundera mund tё lexohet edhe nё Meksikё! Sigurisht qё, përsëri falё globalizmit, na diktohen shijet. Për shembull, shitet mё shumё “L’amica geniale” e Ferrantes se sa kryevepra e saj (pёr mua) qё ёshtё “L’amore molesto”. Admirimi im shkon tek gjёrat qё bёhen me zemёr. Dashuri, keqardhje, urrejtje, trishtim, mall… mjaft tё gjesh diçka tё tillё nё njё libёr dhe ai libёr ka zёnё rrёnjё te unё pёrgjithmonё.

Cili është libri i fundit që ju ka bërë për të qeshur? Po libri i fundit që ju ka bërë të derdhni lot?

Ada Çapi: Libri i fundit qё mё ka bёrё tё qesh ёshtё njё autor amerikano-izraelit qё ka autoironinё tipike tё Woody Allen. Quhet Shalom Auslander dhe ironia ёshtё Zoti i tij.

Për të qarë? Nuk ёshtё tamam njё libёr, ёshtё vetёm njё pjesё, ose mё pёlqen tё them njё skenё, sepse ashtu e shoh tё gjallё nga libri i Harpёr Lee, “Zogu pёrqeshёs”. Skena kur nё oborrin e burgut, tё jatit avokat i kёrcёnohet jeta dhe vajza e vogёl, u rikthen ndërgjegjen e humbur atyre qё kanё ardhur pёr tё vrarё me pyetjet mё tё pafajshme nё botё. Nuk qava, por mbylla librin. Kur dëgjon Bethovenin, ke nevojё pёr ajёr, ashtu kisha nevojё pёr ajёr nё atё skenё.

Çfarë ju frymëzon për të shkruar?

Ada Çapi: Tё shkruarit ёshtё si njё dallgё. Lind diçka nga e përditshmja, njё trazirë, ndjesi, diçka qё turbullon ujërat. Ushqehet me mijëra histori tё vogla qё lёvizin njёherёsh, nё drejtime tё ndryshme, duke lёnё shenjё e duke ushqyer dallgёn. Derisa njё ditё, dallga ngrihet. Kërkon të thotё diçka. Kërkon të tregojë. Kërkon të lejё gjurmё.

Jam gjithnjë në kërkim të gjurmëve dhe, në mos mundsha tё ngre njё dallgё tё madhe, ndoshta do mjaftohem me turbullimin e ujërave.  

Cilat histori ju tërheqin më shumë?

Ada Çapi: Ato ku jeta ёshtё afёr vdekjes. Jam ballkanase, normale! Ato ku njerëzit kanё rrёnjё qё i duan, i urrejnë po nuk i shkulin dot se janё tё ngulura thellё nё tokёn ku kanё lindur. Pastaj mё tёrheqin shumë gojёdhёnat, tregojnë shumё pёr njё popull. Do tё fryjnё erëra tё forta, do tё shkulen pemë, pushtohen e çlirohen territore, do tё kalojnë shekuj e derdhen shumë ujera, dhe gojёdhёnat… jo, ato nuk ndryshojnë, sepse kanё brenda tyre ADN-nё e njё kombi.

Ka ndonjë shkrimtar që ju e vlerësoni, por mendoni se të tjerët nuk e vlerësojnë si duhet?

Ada Çapi: Plot! Nё pёrgjithёsi, njerёzit janё konformistё nё tё lexuar. Nuk preferojnё tё lexojnё shkrimtarё tё rinj dhe blejnё klasikёt. Besoj që nёse librat do tё kushtonin mё pak (gjё qё shpresoj tё realizohet me librin elektronik), njerëzit do tё mrekullohen duke njohur autorë tё rinj qё vizatojnë me ngjyra tё papara akoma.

Cili është libri më i bukur që ju kanë bërë dhuratë?

Ada Çapi: “100 poesie d’amore a Lady Hawky” e Mikele Marit. Ma ka dhuruar im shoq. Vlen mё shumё se njё bizhu.

Nëse do ju kërkonin të shkruanit një biografi, kë figurë do të zgjidhnit?

Ada Çapi: Interesante! Besoj se do tё doja tё shkruaja pёr njerëzit qё heshturazi ndryshojnё botёn, jo pёr ata mё tё famshmit. Pёr shembull, do tё doja tё shkruaja pёr mjekun qё u kthye nga Amerika pёr tё bёrё kardiologun nё Shkodёr, pёr mёsuesen qё shkon shtёpi mё shtёpi pёr tё mёsuar fёmijёt e ngujuar. A ka gjё mё tё madhe?

Cili është libri që rekomandoni se duhet lexuar “me patjetër” nga të gjithë?

Ada Çapi: Çdo gjё e shkruar ja vlen tё lexohet. Edhe parashikimi i motit, edhe media on-line, edhe FB, çdo gjё! Tё mos harrojmë qё vetëm pak kohë ka kaluar nga zhdukja e analfabetizmit masiv. Mjafton tё lexojmё, tё shprehemi, qoftë edhe me mendime pa vlerё. Mes nesh, do të dimё mё pas tё gjejmё mendje të afta të na udhëheqin. Qofshin kёto edhe diametralisht tё kundërta. Kjo ёshtё pёr mua tё qenit i lirё.

Librat dhe leximi në rrëfimin e kuratores Eleni Laperi

Eleni Laperi

Ka kryer studimet pranë Institutit të Lartë të Arteve (sot Universiteti i Arteve) dhe diplomuar në pikturë. Ka punuar si dizajner dhe kuratore. Eksperte në fushën e artit.

Cilët libra qëndrojnë mbi komodinën tuaj, pranë shtratit, dhe presin të lexohen përpara gjumit?

Eleni Laperi: Së fundmi po lexoj ‘Fascist virilities, rhetoric, ideology, and social fantasy in Italy’, të Barbara Spackman. Është një studim i cili po më ndihmon të kuptoj më mirë tiparet e artit të realizmit socialist te ne, si dhe lidhjet e tërthorta që ka me konceptin fashist të burrërisë.

Kur dhe ku lexoni?

Eleni Laperi: Zakonisht lexoj herët në mëngjes, në shtëpi. Një libër e mbaj në çantë dhe lexoj kurdo që kam kohë të lirë gjatë ditës apo në kafenenë time të preferuar, te hotel “Tirana”, rrethuar me erza prej Shqipërie, ku shkoj të pi një kafe në qetësi.

Cili është libri i fundit që keni lexuar dhe iu ka ardhur keq që e mbaruat?

Eleni Laperi: ‘L’amica geniale’ e autores Elena Ferrante. Është historia e përpjekjeve për emancipim i dy vajzave dhe mjedisit ku ato jetonin në Italinë e pasluftës së Dytë Botërore. Është një histori që ka shumë ngjashmëri me Shqipërinë dhe përpjekjet e grave e vajzave shqiptare të fillimviteve ’90, përpjekje që ende nuk i gjen në letërsinë tonë.

Çfarë gjinie libri preferoni në përgjithësi të lexoni?

Eleni Laperi: Në përgjithësi tani lexoj libra historikë, studime mbi artin, filozofi.

Cili ka qenë libri më i preferuar për ju kur ishit fëmijë? Ndonjë personazh që ju ka shërbyer si model?

Eleni Laperi: ‘Aventurat e Çipolinos’ të Gianni Rodari dhe më pas ‘Zemra’ e Edmondo de Amicis. Janë libra që ndihmojnë një fëmijë të bëhet Njeri.

Personazhet -modele kanë qenë shumë, sepse ndryshonin me kalimin e viteve. Po më shumë ishin të fushës së artit, pasi më interesonte të mësoja si e organizonin ditën, si punonin.

Cili është libri që mund t’i ktheheni e ktheheni vazhdimisht?

Eleni Laperi: ‘Journal du regard’ i Bernard Noel. Janë poezi, përsiatje, vëzhgime filozofike të një poeti të njohur francez, si Noel, i cili me gjuhë të thjeshtë të zbulon çfarë fshihet prapa vështrimit.

Nëse do ju kërkonin t’i rekomandonit një libër Presidentit të Shqipërisë, cilin titull do zgjidhnit?

Eleni Laperi: Platonin, ‘Republika’. Nuk e di si do jenë presidentët e ardhshëm të Shqipërisë, po deri tani ‘etërve’ të kombit tonë u ka munguar Largpamësia. Për ne, që ndër shekuj kemi provuar vetëm shijen e diktaturave, demokracia është diçka e re, shije dhe dije e paprovuar më parë. Platoni te ‘Republika’ është i pari që zbulon embrionin e dijeve të ardhme, zbulon lidhjen e filozofisë me politikën. Ne kemi nevojë ta fillojmë nga ‘i pari’.

Mund të na përshkruani vendin dhe kohën ideale për lexim?

Eleni Laperi: Kur jam vetëm, kur është qetësi, kur është freskët, në kolltukun tim.

Kush është shkrimtari i ditëve tona që ju admironi më shumë?

Eleni Laperi: Shkrimtari, kritiku dhe filozofi Umberto Eco. Gjatë leximit të krijimeve të tij gjithnjë më shoqëron habia, kënaqësia e zbulimit të sjelljeve e fenomeneve që i kemi para syve e nuk i dallojmë.

Cili është libri i fundit që ju ka bërë për të qeshur? Po libri i fundit që ju ka bërë të derdhni lot?

Eleni Laperi: ‘Ushtari i mirë Shvejk’ i Jaroslav Hashek, por vetëm botimi i parë, i përkthyer nga Gezim Erebara dhe Tonin Bushati, përkthim në shqip i paarritshëm.

Kam derdhur lot ndërsa lexoja librin e Khaled Hosseini, i përkthyer me titullin ‘Gjuetari i balonave’. Nuk e di pse, ndoshta se në të gjej edhe pak ‘Shqipëri’, gjej vuajtje që i kemi kaluar edhe ne, gjej edhe një shpirtmadhësi para së cilës nuk mund të mos lotosh.

Çfarë ju frymëzon për të shkruar?

Eleni Laperi: Dëshira për të lënë të shkruar çfarë di për gjërat që dua shumë.

Cilat histori ju tërheqin më shumë?

Eleni Laperi: Tani më tërheqin historitë e vërteta. P.sh. libri ‘Giuro che non avrò piu fame’ i Aldo Cazzullo. Mendoj se ne kemi nevojë për libra e filma, që të frymëzojnë për të gjetur energji pozitive, emancipuese, pasi shqiptarët sot kanë me tepri shembuj sjelljeje politikanësh, personazhe si tutorë, mafiozë apo prostituta.

Ka ndonjë shkrimtar që ju e vlerësoni, por mendoni se të tjerët nuk e vlerësojnë si duhet?

Eleni Laperi: Mitrush Kuteli. Tregimet, përrallat e tij me një gjuhë të pasur shqipe, me fjalë aq të bukura, të zgjedhura me kujdes, që zbulojnë një dashuri të madhe për vendin e njerëzit, gjithnjë më kanë zgjeruar frymëmarrjen. Mendoj se vepra e tij duhej të studiohej në të gjitha nivelet e shkollës sonë pikërisht për këto tipare që mbart. Fatkeqësisht tekstet shkollore te ne gjithnjë i janë nënshtruar përzgjedhjes me frymë militantizmi: dje ai nuk studiohej në shkollë, pasi trajtohej si kundërshtar i regjimit; sot në shkolla studiohen autorë që kanë qenë kundërshtarë të regjimit të kaluar, edhe kur nuk kanë ndonjë vlerë në njohjen dhe përdorimin e gjuhës shqipe.

Cili është libri më i bukur që iu kanë bërë dhuratë?

Eleni Laperi: ‘Honey from a Weed’, i Patience Gray. Është libër i një autoreje, që njihet pak. Është më e njohur në studiuesit e kulinarisë. Po për mua është një burim dijesh mbi rëndësinë e jashtëzakonshme të gjërave të thjeshta në jetën e njeriut, nevoja për të cilat po ndjehet gjithnjë e më shumë.

Nëse do ju kërkonin të shkruanit një biografi, kë figurë do të zgjidhnit?

Eleni Laperi: E kam zgjedhur: Kolë Idromeno. Është shembulli i njeriut, i cili u përpoq të ndërtonte të bukurën në të gjitha fushat e jetës së një qyteti, të Shkodrës, në një kohë kur sundonte injoranca, varfëria dhe sundimi i huaj. Është një njeri i madh i kombit tonë, i cili ende nuk është vlerësuar, ndërkohë që kemi memorialë edhe për armiqtë e kombit.

Cili është libri që rekomandoni se duhet lexuar “me patjetër” nga të gjithë?

Eleni Laperi: Nuk besoj se ka një libër, i cili do ishte njësoj i domosdoshëm për të gjithë. Po për shqiptarët e mbytur në letërsi politike dhe kujtime politikanësh, do sugjeroja të lexonin libra për ushqimin, për të kthyer vëmendjen e tyre nga vetja dhe nga pasuritë natyrore të vendit tone, nga puna dhe nga përkorja.

Librat dhe leximi në rrëfimin e studiuesit Alberto Frashër

Alberto Frashëri

Kam lindur, rastësisht, në Berat, më 1945. Rritur në Tiranë. Fëmijëria, edhe pse me vështirësi ekonomike, rrodhi e pasur shpirtërisht, me lojëra në grupe fëmijësh në ajër të pastër, me libra e deri edhe me shahun e fushën e tenisit “Nallbani”, pranë shtëpisë sime. Këto e superonin vështirësinë e prindërve për të na rritur, ushqyer e veshur. Komshinjtë, tiranas nga Farka, ishin njerëz fisnikë e të paharrueshëm. Kur fillova universitetin, Ramizi, shoku dhe fqinji im, do të nisej ushtar dhe, siç ishte zakoni, të afërmit i dhuruan një sasi lekësh. Me to bleu një çadër, më të shtrenjtën, por në darkë erdhi e ma dhuroi: “Që të mos lagesh kur shkon në shkollë”, – më tha.

Universiteti kaloi fluturimthi me shokë të mirë, shumë prej të cilëve kishin vështirësi të mëdha ekonomike si edhe unë. Një grup profesorësh të aftë, po aq sa edhe njerëz të vyer, ndikuan pozitivisht formimin tonë kulturor. A. Minga, M.Naqo,  P. Pilika e A. Karçanaj ishin matematikanë me integritet e moral të lartë dhe njerëz të pavarur. Dolëm në jetë, në teatrin e hipokrizisë të një regjimi mizor. Pak prej nesh patën fatin të gëzojnë frytin e studimeve! Kemi punuar edhe në krah të ndonjërit që denonconte kolegët për herezi kundër partisë. Një shoqja ime pësoi një fatkeqësi të tillë dhe bëri shumë vite burg, edhe pse ishte e bija e një artisti të njohur. Beci, e quanim ne, shokët e saj. Këto janë të vërtetat që karakterizuan jetën tonë e që nuk duhen harruar. Të tjerat kanë më pak rëndësi…

Cilët libra qëndrojnë mbi komodinën tuaj, pranë shtratit, dhe presin të lexohen përpara gjumit?

Alberto Frashëri: Vazhdimisht mbaj mbi komodinë Biblën (Ungjillin), një libër të historisë antike dhe një libër të tretë që e ndërroj herë pas here. Ky i treti zakonisht është mbi filozofinë e shkencave ose ndonjë ese mbi artin. Zakonisht shkoj në shtrat afër mesnatës, por gjithmonë lexoj ndonjë gjysmë ore. Natyrisht, leximet e mesnatës janë fragmentare. Bibla është një libër themelor për të kuptuar raportin e njeriut me fenë. Çuditërisht, në ato që tregon, shpesh herë gjejmë kohën tonë. Fjala vjen, Përmbytja Universale, Kulla e Babelit rrëfejnë korruptimin e cilësive njerëzore dhe dënimin e Perëndisë duke shpëtuar njeriun e thjeshtë Noè dhe speciet e botës së gjallë. Kjo është pikërisht dilema e madhe e njerëzimit e këtyre kohëve: babëzia dhe kotësia po rrezikojnë jetën e planetit! Por Natyra gjithnjë ka zgjidhje: zhduk nga faqja e Dheut shkakun, pra specien tonë, pikërisht si bëri Perëndia kur shpëtoi të urtin Noè bashkë me të gjitha speciet dhe dënoi vetëm Njeriun, fajtor i përmbytjes universale. Bibla është një libër i magjishëm.

Kur dhe ku lexoni?

Alberto Frashëri: Në familjen time shohim pak televizor. Kryesisht ndonjë film dhe programe të natyrës enciklopedike: natyrë, art, muzikë, shkenca dhe histori. Janë programe shumë të pasura dhe interesante. Për të lexuar zgjedh intervalet e ditës kur jam i qetë. Leximi është si ajo puna e verës që nuk të shijon në çdo rrethanë. Zakonisht lexoj ulur në një poltronë ose në tryezën e punës në studion time, – një studio e thjeshtë, por komode dhe e pajisur mirë. Dritarja e saj sheh parkun publik mjaft të gjelbëruar që kemi rrotull shtëpisë.

Cili është libri i fundit që keni lexuar dhe iu ka ardhur keq që e mbaruat?

Alberto Frashëri: Para pak kohe, fundi i vitit 2017, historiania Fatbardha Demi më shkruante se i duhej një libër i shek. XVIII, të autorit arbëresh Nicolò Chetta (Nikolla Keta) me titull “Tesoro di notizie su de’macedoni” (Palermo, 1777). Bëra një kërkim dhe më së fundi e gjeta në Bibliotekën e komunës Piana degli Albanesi, afër Palermos. Ata kishin një ribotim të vitit 2007, sjellë nga Universiteti i Palermos. Këtë libër ma dërguan pranë Bibliotekës së Ternit ku unë jetoj. Më dërguan edhe një tjetër libër, “Lexicò”, të po atij autori arbëresh, të cilin ma dhuruan. E skanova vëllimin prej 560 faqesh të veprës së parë dhe ia dërgova Dr. F. Demit, bashkë me “Lexicò”, atje ku gjendej në atë kohë, në Paris. Më pas, në qershor 2018, e lexova veprën e Nikolla Ketës dhe mbeta pa fjalë. Titulli “Thesar njoftimesh mbi maqedonasit” dëshmon që ajo vepër është vërtet një thesar që duhet njohur nga shqiptarët dhe historianët. Autori, me një prozë elegante dhe logjikë bindëse, argumenton që maqedonasit janë ilirë dhe se gjuha e tyre ishte ilirishtja. Vepra më habiti për vlerën e madhe që shpreh dhe më ballafaqoi me varfërinë dhe pakujdesinë që tregojmë për çështjen kombëtare. Më bëri të ndjehem keq! Si është e mundur që një vepër të tillë madhore, ne, intelektualët, të mos e njohim dhe të mos kemi asnjë ide për ekzistencën e saj? Ky është libri i fundit leximi i të cilit më pezmatoi.  

Çfarë gjinie libri preferoni në përgjithësi të lexoni?

Alberto Frashëri: Në rininë time lexoja më shumë romane, tregime dhe poezi, por isha ambientuar edhe me lexime të natyrës historike apo që kishin lidhje me muzikën. Me kalimin e moshës leximi orientohet shpesh herë kah interesat që na dikton jeta. Në këtë orientim ndikon shumë edhe aftësia për të kuptuar, që sipas njeriut, me kalimin e kohës, mund të kufizohet ose, në të kundërt, të perfeksionohet. Sot unë lexoj më shumë libra me përsiatje, ese apo saggistica, siç quhet në italisht.

Cili ka qenë libri më i preferuar për ju kur ishit fëmijë? Ndonjë personazh që ju ka shërbyer si model?

Alberto Frashëri: Nga më të preferuarit ka qenë romani “Djemtë e rrugës Pal”. Mbaj mend që një mbrëmje, rreth orës 19, prindërit më dërguan të prisja motrën time më të madhe që do të dilte nga shkolla ku kishin një lloj aktiviteti. Kjo detyrë më ndërpreu leximin e librit. Por unë mora librin me vete dhe e prita motrën buzë rrugës, duke lexuar në trotuar, nën dritën e një shtylle. Bota e fëmijëve të atij libri, nga më të lexuarit e të gjitha kohërave, i ngjante shumë fëmijërisë sonë: lodra në rrugicat dhe kopshtijet e lagjeve, në natyrë dhe me pasion, duke rrezikuar edhe të vriteshim. Krahasuar me fëmijët e sotëm mund të them se kemi qenë të privilegjuar, sepse u rritëm më pranë Natyrës.

Kam adhuruar shumë personazhe, si Andrew Manson (Çittadella, A. Cronin), Andrea Bollkonski (Lufta dhe Paqja, Tolstoj). Nga kohët më moderne do të citoja Winston Smith (George Orwell) apo personalitetin kompleks të Dorian Grey (OscarWilde) i aftë të fusë lexuesin në meditime të thella. Nuk di të përcaktoj ndonjë personazh që të më ketë shërbyer si model. Natyrisht, duhet të jem ndikuar nga jeta e personazheve të tillë. Kush lexon edhe bashkëjeton, në një farë kuptimi, me personazhet virtualë të librave.

Cili është libri që mund t’i ktheheni e ktheheni vazhdimisht?

Alberto Frashëri: Janë poezitë e Rilindjes Kombëtare, për vlerat universale që shprehin për botën shqiptare dhe të ardhmen e saj. Jo të gjitha kombet kanë patur një Rilindje të tillë, të ndritur, largpamëse e thellësisht europiane. Pra është aroma e përjetshme që sjellin “Lulet e Verës” ajo që ndjej të kem më pranë.

Nëse do ju kërkonin t’i rekomandonit një libër Presidentit të Italisë, cilin titull do zgjidhnit? Po për Presidentin e Shqipërisë?

Alberto Frashëri: Presidentit të Italisë do i këshilloja të lexonte historianin e epokës klasike të Romës në veprën “Natura – Storia, libri III, faqe 102-110) sipas të cilit, “Populli ilir është themelor për zhvillimin e popujve pre-historikë. Sipas legjendës, nga 9 të rinj ilirë e 9 virgjëresha ilire lindën 12 popuj.” [ Plinio, Natura, Storia, III, p.102 – 110 ] Popujt fqinjë duhet të njohin më mirë njëri tjetrin e jo të shprehin superioritete fiktive. Shqiptarët janë një komb i shquar, por ju mungon vetëdija për potencialet njerëzore që kanë… dhe ky është një problem i madh.

Ndërsa për Presidentin e Shqipërisë do rekomandoja të zgjohet nga gjumi një gjysmë ore më herët për të lexuar e mësuar përmendësh vargje të Naimit, Fishtës, Mjedës, Nolit dhe Migjenit.

Kush është shkrimtari i ditëve tona që ju admironi më shumë?

Alberto Frashëri: Peter Cameron, pa tjetër, dhe romani i tij, “Një ditë kjo dhimbje do të jetë e dobishme”. Ky libër është shkruar në vetën e parë, pra komunikon mirë me lexuesin. Protagonisti, James Sveck, i rrëfen lexuesit jetën e vet dhe arsyen që e kanë shndërruar në një individ të paadaptueshëm, që unë e përkthej në njeri të lirë e të pakonformueshëm. Pikërisht pavarësia intelektuale dhe mendimi i lirë e bëjnë njeriun të paadaptueshëm. Ky argument është një nga problemet më të mprehta të kohës sonë.

Cili është libri i fundit që ju ka bërë për të qeshur? Po libri i fundit që ju ka bërë të derdhni lot?

Alberto Frashëri: Një shoqe e Adelinës, gruas sime, na dërgoi si dhuratë nga New York-u librine Pëllumb Kullës, “Rrëfenja nga Amerika”. Adelina e lexonte dhe qeshte me shumëshpirt. E lexova edhe unë. Mendoj që është libri që shpreh më mirë se çdo tjetër komicitetin që fshihet në natyrën e kombit shqiptar. Një komicitet shumë origjinal dhe i natyrshëm.

Para 3 vjetësh më huazuan një libër pa kopertinë të Kristaq Mishës që denonconte, në Kongresin e Paqes në Paris, krimet e urryera kundër popullsisë çame dhe dëbimin e tyre nga Çamëria kah fundi i Luftës së Dytë Botërore. Libri ishte mjaft i dëmtuar, por lexohej qartë. Edhe pse e njoh relativisht mirë problemin çam, asnjë libër nuk më ka prekur sa ai. Shqiptarët duhet t’i njohin ato të vërteta tragjike dhe t’i vlerësojnë në kuadrin e historisë, pikërisht si ngulën këmbë armenët për gati një shekull deri sa ia arritën qëllimit. E gjithë bota e njohu dhe e dënoi gjenocidin turk kundër armenëve.

Çfarë ju frymëzon për të shkruar?

Alberto Frashëri: Më ka pëlqyer letërsia që në moshë të njomë, por për ne ka qenë e vështirë të shkruanim atë që mendonim. Shkruaja ndonjë poezi dhe pas pak ditësh e grisja. Një nga ato e pati ruajtur Rinush Idrizi, kritik i letërsisë dhe mësuesi i talentuar në gjimnazin “Sami Frashëri”. Idrizi ma dërgoi atë poezi aty nga viti 1994, nga ShBA, ku kishte emigruar. Më arriti me një postë speciale dhe, ndonëse e shkruar në vjeshtën e vitit 1966, përsëri lexohej mjaft mirë, edhe pse fija e letrës ishte zverdhur dhe dukej si relike. Poezia quhej “Natën e mirë”. E ruaj ende me një farë nostalgjie…

Unë studiova matematikë dhe jam marrë gjithë jetën me të. Matematika dhe fizika janë dy shkenca të një bukurie impresionante. Natyrisht atë finesë e bukuri intrigante e perceptojnë ata që e kuptojnë thellë… pikërisht ashtu si ndodh me muzikën klasike. Muzika e Bach-ut, fjala vjen, dëgjohet thuajse prej 4 shekujsh. Por edhe në rastin e muzikës klasike, bukurinë e saj e perceptojnë vetëm ata që e kuptojnë atë, pikërisht si matematika apo fizika. Kur u nisa për në Itali u premtova miqve që do të shkruaja diçka për realitetin që njohëm e jetuam. Në të vërtetë kam shkruar e botuar shumë më tepër nga sa kisha menduar. Ishte një detyrë kundrejt vetes sime dhe njerëzve me të cilët kisha ndarë të mirën e të keqen në ato vite të errëta të totalitarizmit në Shqipëri. Mendoj që njeriu nuk mund ta kuptojë veten dhe as mund të shkojë kah e ardhmja, nëse nuk njeh dhe kupton të kaluarën. Kjo bindje përbën ndoshta forcën që më ka shtyrë të shkruaj e më ka frymëzuar.

Cilat histori ju tërheqin më shumë?  

Alberto Frashëri: Pas mbarimit të studimeve universitare lexova shumë kujtime të figurave të mëdha të Luftës së Dytë Botërore, nga mareshalët rusë deri te Winston Churchill. Autorët rusë na i sillte një shok i diplomuar në fizikë, e ëma e të cilit punonte në Bibliotekën e Universitetit të Tiranës. Në Bibliotekën Kombëtare (e vjetra) disa vajza të reja kishin besim dhe na jepnin për në sallë ose në shtëpi libra si ai i volumeve të Churchill-it që porsa kishin hyrë në bibliotekë. Por pasioni im për historinë ka qenë dhe mbetet antikiteti dhe kultura e tij. Jo më pak më kanë tërhequr dhe interesuar evolucioni i shkencave dhe historia e muzikës, që mendoj që i njoh jo pak.

Ka ndonjë shkrimtar që ju e vlerësoni, por mendoni se të tjerët nuk e vlerësojnë si duhet?

Alberto Frashëri: Gjuha shqipe ka bërë të mundur përkthime të jashtëzakonshme, si dhe ka prodhuar prozë origjinale dhe poetë të një cilësi të rallë, si Naimi, Fishta, Mjeda, Noli, Poradeci… Ata ishin lirikë e mendimtarë të shquar. Të gjithë! Por ka edhe një të jashtëzakonshëm: Migjeni. Ndjeshmëria e tij artistike dhe njerëzore janë të pakrahasueshme edhe në sfondin e letërsisë botërore. Unë e kam cituar në romanin “La Quinta” gjeninë e këtij artisti të madh me tre vargjet e famshme, me të cilat ai i lutet Zotit për një simfoni. Në italisht nuk ishte e lehtë, megjithatë përkthimi im ishte ky:

  • Ti prego o mio Signore, di una sinfonia,
  • dai suoni d’argento e accordi dorati,
  • piena d’amore e dai sogni celesti.

[Dalla poesia “Preghiera” di Migieni]

Nuk njohim një tjetër poet që t’i ketë kërkuar Zotit muzikën si natyrë të dytë të njeriut, që edhe në mjerim kërkon dhe gjen një mbështetje shpirtërore te muzika. Kjo ndjeshmëri e Migjenit shpreh, sipas mendimit tim, nivelin e lartë të krijimtarisë popullore të kombit që brenda kufijve të të folmes shqip ka pavdekësuar, në valle, këngë e kabà jetën me gëzimet, vuajtjet dhe forcën e tij. Këtë poet të rinjtë duhet ta njohin në të gjitha pamjet e krijimtarisë, si dhe të jetë objekt studimi dhe promovimi nga të gjitha instancat e botës kulturore të kombit. Krijimtaria e Migjenit dhe e poetëve si ata që citova më lart janë një monument kulture që shteti duhet t’i mbrojë si sytë e ballit. Ai duhet popullarizuar në nivelin që meriton.

Cili është libri më i bukur që ju kanë bërë dhuratë?

Alberto Frashëri: Isha thuajse adoleshent kur babai më dhuroi veprën e plotë “Lufta dhe Paqja” (Lev Tolstoj). Ky autor i madh bashkon, në veprën e tij, thelbin njerëzor të jetës: miqësinë, mediokritetin, familjen, dashurinë, luftën dhe, bashkë me to, edhe rilindjen morale, shpirtërore të njeriut. Janë të rrallë personazhet e skalitur si Natasha Rostova, Andea Bollkonski apo Pjer Bezuhov. E kam lexuar edhe më pas dhe shumë herë i jam kthyer duke rilexuar pjesë të veçanta të kësaj vepre madhore. Dua të theksoj që në të gjitha klasifikimet “mbi 10 shkrimtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave” gjejmë, të paktën, një ose më shumë nga rusët Dostojevski, Tolstoj apo Nabokov.

Nëse do ju kërkonin të shkruanit një biografi, kë figurë do të zgjidhnit?

Alberto Frashëri: Do të më pëlqente të analizoja figurën e qytetarit të madh të kohës sonë, Albert Einstein. Kjo dëshirë nënkupton raportin e veprës shkencore të tij me pikëpamjet që ai ka mbi shoqërinë. Njoh relativisht mirë krizën e shkencave, (fizikë e matematikë) nga gjysma e dytë e shek. XIX e më pas, përfshirë problemet që lidhen me lindjen e teorisë së relativitetit special; nga ana tjetër këto nuk janë krejt të pavarura nga botëkuptimi që Einstein shpreh për botën dhe shoqërinë. Einstein ka për botën (shkenca, shoqëria dhe liria e individit) një këndvështrim që karakterizon një nga mendimtarët më të thellë të historisë.

Cili është libri që rekomandoni se duhet lexuar “me patjetër” nga të gjithë?

Alberto Frashëri: Varet nga mosha! Fëmija duhet të lexojë patjetër libra, si fjala vjen, “Zemra” (E. de Amicis), por edhe klasikë të tjerë, si “Djemtë e rrugës Pal” (Ferenc Molnàr – Neumann), “Bijtë e kapitenit Grant” (Jule Verne). Mendoj që edhe pse koha jeton evolucionin e vet, ajo lë pas, në kuptimin e vlerave edukative, një thelb universal: pamjet njerëzore të qenies sonë, si bujaria, miqësia, dashuria. Në moshë të rritur… ? Pyetje e vështirë, sepse janë shumë librat që njeriu duhet të lexojë patjetër për të kuptuar veten dhe kohën e tij. Kjo lyp leximin e autoreve të lashtë, klasikë e modernë. Pa njohur të kaluarën do të thotë të ecësh kuturù, pa një pikënisje, pa një origjinë. Njohja e të kaluarës është si një far që e kemi pas shpine e që na ndriçon udhën përpara, kah e ardhmja. Bibla, Omeri, Dante, Shakespeare, Goethe, Dostojevski, Tolstoi, Balzak dhe shkrimtarët e mëdhenj të shekullit të fundit duhen lexuar nga të gjithë. Për shpirtin kritik të shkrimtarit George Orwell do të rekomandoja si lexim të domosdoshëm librin e tij “1984”, që ndihmon mjaft për të kuptuar kohën tonë. Në jetën e protagonistit Winston Smith gjej shumë ide të përbashkëta me romanin “La Quinta”, edhe pse stilet dhe trajtimet janë krejt të ndryshme nga njëri-tjetri. Mendoj që në kohën e propagandave të furishme të pushtetit e të publicitetit mediokër që dominojnë informacionin edhe në vendet demokratike, letërsia duhet të shprehë urtësinë dhe meditimin si një natyrë të dytë të saj. Sot për qytetarët është më i nevojshëm se kurrë një formim kulturor që ta plazmojë atë si një krijesë që mendon dhe ka pikëpamje të pavarura për botën, që zotëron bindje personale. Formimi i mirë kulturor bën që njeriu të mos jetojë nën ngasjen e impulseve të çastit, por ta ndërtojë të ardhmen me koherencë, sipas një projekti të qartë.

Librat dhe leximi në rrëfimin e poetit Riza Braholli

Riza Braholli

U lind në Mborje, Korçë, më 1960. Ka botuar qysh herët në shtypin letrar dhe atë joletrar. Ka kryer studimet e larta pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, dega Gjuhë-Letërsi, Tiranë. Po pranë këtij fakulteti ka marrë titullin Master me temën “Tipologjia e poezisë së Frederik Rreshpjes”, si dhe ka fituar gradën shkencore “Doktor” me studimin “Poetika e refuzimit estetik në poezinë tonë (Zef Zorba dhe Frederik Rreshpja). Ka punuar si redaktor letrar në disa shtëpi të ndryshme botuese. Aktualisht punon si mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkollën e mesme profesionale Hoteleri Turizëm Tiranë. Ka botuar vëllimet me poezi “Qaj shqip”, “Mallkim virgjërie”, “Prekja e dritës”, “Letra për t’u djegur”; vëllimin poetik për fëmijë “Vallja e tingujve”; romanin “Djali i pëllumbave”; vëllimin me tregime “Nata e bardhë e Anës”.

Cilët libra qëndrojnë mbi komodinën tuaj, pranë shtratit, dhe presin të lexohen përpara gjumit?

Riza Braholli: Kam një shprehje që përkon me këtë pyetje, për librat që më rrëmbejnë mendjen e zemrën: “Këtë libër e mbaj te koka e krevatit”. Janë disa që s’i heq nga dora e nga sytë. I mbaj një kohë, i ndërroj, e u rikthehem prapë. Herë Ricosin e herë Camajn, herë Danten e herë Shekspirin apo Homerin e sidomos Frederik Rreshpjen, aq sa më duket sikur bisedoj me të. Para gjumit parapëlqej të lexoj kryesisht poezi, ose dhe ndonjë libër me ese mbi poezinë dhe, sidomos, kur i kanë shkruar poetë. Poezia, më shumë se çdo art tjetër, të çon në një realitet të panjohur, në një gjendje tjetër të ndjeri e të menduari, që shkon përtej sendeve dhe krijon brenda nesh atë kënaqësinë e çuditshme e të fshehtë të njohjes të së panjohurës.

Aktualisht mbi komodinë kam esetë e Seferisit dhe poezitë e Fatos Arapit. Herë më duken sikur mendojnë e ndjejnë të dy njëlloj dhe herë të tjera ndahen, marrin përkatësinë e vendit brenda hapësirës sonë ballkanike. Lexoj sipas gjendjes sime shpirtërore. Kur dua t’i iki realitetit lexoj poezi, kur ndihem i freskët dhe me energji lexoj ese. Kur jam shumë i lodhur, edhe nëse nuk i hap, i mbaj aty, vetëm për të ndjerë praninë e tyre. Mjafton që shoh kopertinën dhe emrin dhe pastaj zë mendoj sikur të jem duke kuvenduar me ta…

Kur dhe ku lexoni?

Riza Braholli: Kudo dhe kurdo që të më jepet mundësia. Lexoj më shumë në shtëpi dhe pasdite vonë deri në mesnatë, kur të tjerët kanë rënë për të fjetur. Ngelesh vetëm me personazhet, me ritmet apo mendimet dhe kalimi në atë gjendjen tjetër fluide e fluturuese, kur e humb ndjesinë e forcës së rëndesës… Në vetmi nuk të tremb askush. Janë çastet kur lexuesi vjen në gjendjen krijuese të shkrimtarit. Jo më kot teoritë receptive e konsiderojnë lexuesin si bashkautor të një vepre… Gjithsesi, edhe shkolla është vendi ku ulem shpesh të lexoj, në orët kur s’kam mësim, ndonjëherë dhe në udhëtimet e shkurtra në autobuzin urban. Madje, në këto raste, leximi më çlodh dhe më shpëton nga rrëmuja e zallamahia e autobusit. Sado e çuditshme të duket, por gjej përqendrim.

Cili është libri i fundit që keni lexuar dhe iu ka ardhur keq që e mbaruat?

Riza Braholli: Libri i fundit që kam lexuar ka qenë “Kur sunduesit grinden”, i Ismail Kadaresë. Është libër mbi të cilin zbraza gjithë impresionet e deduksionet e mia, me leximin vetëm të faqeve të para! Shpresoj të dalë ndonjë shkrim nga e gjithë kjo!

Sa i takon librit të fundit që kam lexuar dhe më ka ardhur keq që e kam mbaruar, referoj përsëri Kadarenë, mbetem përsi te i njëjti autor. Të ndjekësh rrëfimin dhe hulumtimet, zhbirimet, analizat e deduksionet e Kadaresë mbi dy nga poetët më të mëdhenj të Rusisë, si dhe të ecësh bashkë me të nëpër labirintet e mendjes së diktatorëve, si Stalini dhe Enver Hoxha, përshkruar me një penë e gjuhë aq të hollë, depërtuese dhe analitike për çdo detaj, është përherë e panginjshme dhe të vjen keq që e mbaron pa mbaruar deri në fund.

Çfarë gjinie libri preferoni në përgjithësi të lexoni?

Riza Braholli: Në fëmijërinë time kam qenë lexues që gëlltisja gjithçka që më binte në dorë: prozë, romane e tregime dhe të gjitha nga shumë. Dukej sikur i haja! Shpesh edhe nga një në ditë, aq sa një herë u bëra me dhimbje koke dhe përfundova te mjeku. Një nga këta libra ka qenë “E kuqja dhe e zeza”, e Stendalit. Poezi lexoja më pak. Ishin dhe më të rrallë si libra. Ishte koha kur identifikohesha me personazhet e heronjtë e romaneve. Në moshën njëzetvjeçare fillova të ndjej shumë etje për poezinë. Ishte koha kur rashë në kontakt me poezinë e Ricosit, Nerudës, Hikmetit. Poezia u bë prioritare. Pak nga pak, përveç leximit, fillova edhe të shkruaj poezitë e para. Por poezia është një Circe: të do vetëm për vete e të mban të burgosur në ishullin e saj. Me pak rreshta është e aftë të të çojë në hapësira të pafund të menduari dhe ndjesie… Poezi lirike, qoftë epikë apo baladë, po qe e thellë, nuk të nginj asnjëherë. Këtu është dhe e bukura e saj, ndaj dhe i kthehemi e i rikthehemi me etje pa fund. Me poezinë e mirë, ndodh si lulja me bletën: bleta shkon e kthehet te lulja e ngarkuar me pjalm, por nektari i saj s’ka mbarim. Për të shkaktuar të njëjtën ndjesi, një romani i duhen dhjetëra dhe, ndonjëherë, edhe qindra faqe. Përveç kësaj, nëse je poet, e ke të nevojshme të verifikosh veten, nivelin tënd ndër mijërat e qindra mijërat që shkruajnë. Sot shkruhet shumë poezi, – në të gjithë botën – dhe ti duhet të dish kush shkruan, si shkruan, konceptet format e reja të shprehjes poetike, teknikat që përdor, në çfarë qiej e ujëra fluturon e noton poezia bashkëkohore, sidomos, ajo përtej botës shqiptare.

Tjetër arsye është dhe koha. Në ritmin marrafrymës së përditshmërisë, midis punëve e ngutjeve pa fund që kemi, me shkurtësinë e thukësinë e saj, poezia është më e volitshmja. E lexon kudo e kurdo. Poezia të miklon me muzikë e me ngjyra, të robëron me lojën e të paimagjinueshmes e befasinë, të deh me thellësinë e naivitetit fëmijëror që të ofron. Nuk e di kush e ka thënë: “Poezia është një fëmijë i talentuar”. Arti, në fund të fundit, është një lojë e zemrës dhe e mendjes dhe kush di të luajë më mirë e më seriozisht se një fëmijë!?

Cili ka qenë libri më i preferuar për ju kur ishit fëmijë? Ndonjë personazh që ju ka shërbyer si model?

Riza Braholli: Do veçoja “Të vegjëlit”, një përmbledhje me vjersha, tregime e përralla e poetit tonë të madh me fytyrë, shpirt e mendje profeti, Naim Frashërit. Unë vij nga një familje e varfër e kohës së diktaturës. Jetonim në një dhomë të vetme. Deri sa u bëra 15 vjeç as që bëhej fjalë që prindërit e mi, përveç librave të shkollës, të mendonin se duhej të më blinin edhe ndonjë libër me vjersha apo përralla, siç ndodhi më pas me fëmijët e mi. Kontaktet e para me leximin, përveç abetares dhe këndimit, i kam me gazetat. Babai im, për të ma shkathtësuar leximin, më jepte t’i lexoja gazetën. Bënte sikur nuk shikonte mirë nga sytë e më thoshte: ma lexo, pak, Riza këtë artikullin. As që i bija hiles përse! Fluturoja! Isha i rëndësishëm, po ndihmoja babain tim të dashur. Sigurisht që ato që shkruheshin as që më hynin në kokë dhe i lexoja thjesht e mekanikisht, por synimi më frymëzonte e i jepte, deri edhe zërit tim, një tingull të veçantë, më burrëror.

Kam qenë në klasën e dytë apo të tretë kur, për herë të parë, më ka rënë në dorë libri “Të vegjëlit”, i Naim Frashërit. Nuk e di ç’botë mrekullish m’u hap! Më dha një si ëndje parajsore me ndjesi qielli e fluturimi. Është më shumë se të biesh në dashuri. Të mos flesh dot, ta mbash mendjen aty ditë e natë, të ndjesh në vete fatin që të ka rënë, që ti po zbulon botë, të cilat shokët e tu as që i imagjinojnë! Lexoja përrallëzat, por dhe vjershat e fabulat dhe sot them se ai njeri, poet apo profet, si ma ka ënda ta quaj, ishte i pari që hapi para meje livadhet e hapësirat e pafund të bukurisë së fjalës e të magjisë së artit. Aty u dashurova me fjalën, me përrallën, me mençurinë e fabulës dhe muzikën, por dhe me mirësinë, butësinë prej profeti. Nuk e di sa të drejtë kam, por e kam të ngulitur në mendje se po lexove Naimin me zemër të hapur, nuk mund të bëhesh kurrë i keq. Arti e fryma e poezisë së tij është si të ndjesh praninë e Zotit. Ëmbëlsia e tij rridhte nëpër vargje, nëpër rreshta dhe më s’u shkëputa dot… Tërë jetën kam mbetur rob i lojës magjike të tij me fjalën, me imazhet, mirësinë, butësinë, ngrohtësinë e lirinë e mendjes që kapërcen kohërat dhe hapësirat.

Personazhi që më ka mbetur në mendje e në zemër nga ajo kohë dhe që madje doja t’i ngjaja, ka qenë Edmond Dantesi. Kam qenë tek të trembëdhjetat kur e kam lexuar. Ishte koha kur kisha filluar të dashuroja. Një dashuri platonike dhe e njëanshme – vetëm nga unë dhe në heshtje. Më rrëmbeu dhe ato ditë të leximit të tij kam qenë vetëm i mahnitur dhe i dashuruar me figurën e tij dhe të Mercedesit. Unë isha një Edmond Dantes dhe ajo Mercedesi. Intriga e atij libri është kurthi më i bukur artistik që unë kam hasur ndonjëherë nëpër librat që kam lexuar. Nëpër tërë atë lojë marrëdhëniesh në rrafshin e veprimit, por sidomos atij psikologjik, lëviz figura e heshtur, e zgjuar dhe plot dramë e Edmond Dantesit. Gjithë ajo dramë, ku përzihet pabesia, erosi, pasuria përrallore, hakmarrja, ekzotikja dhe triumfi mbi ligësinë është sa joshëse, aq edhe frymëzuese për mendjen e një adoleshenti. Duke e lexuar kërshërohesha e vuaja, pastaj ngazëllehesha, derisa më në fund u realizua fundi i dëshiruar, por dhe i trishtueshëm i asaj aventure të bukur.

Cili është libri që mund t’i ktheheni e ktheheni vazhdimisht?

Riza Braholli: Hamletit! Hamleti i Shekspirit s’më ka lënë asnjëherë të qetë. E kam parë dhjetëra herë film, e kam lexuar disa herë, kam lexuar dhe mjaft studime për figurën e tij dhe përsëri nuk jam nginjur. Gjithmonë ka diçka që më thërret dhe më bën t’i bindem e t’i qasem me një lehtësi të përunjur e njëkohësisht me dëshirë të etshme… mbase tragjizmi i tij i komplikuar ekzistencial e moral, ose sepse më vjen keq për të, ose sepse shpesh e urrej që u bë shkak për vdekjen e asaj Ofelie të ëndërrt. Në tërë atë terr gjaku e pisllëku bashku, Ofelia është drita e kulluar që ndriçon dhe Shekspiri e bën kurban të makutërisë për pushtet, duke ndërtuar kontraste të fuqishme, për të theksuar dy anët e kundërta të atij realiteti që më së shumti se mesjetar është njerëzor.

Mund të na përshkruani vendin dhe kohën ideale për lexim?

Riza Braholli: Për të lexuar një libër, së pari, duhet gjetur vetmia. Është ajo që ta jep përqendrimin. Vetmia është një pikëprerje e qenies me kohën dhe hapësirën dhe do vendin dhe kohën e duhur.

Idealja për mua do të ishte një qoshk i ngrohtë, me aq dritë sa të mund të lexoja mirë, pa mu lodhur sytë e, natyrisht, larg zhurmave, aq sa të mund ta dëgjoj, kur më flet vetja ime e dytë. Dhe, për këtë më shërben dhoma e gjumit. Atje mund t’i përhap librat kudo, pa më thënë kush gjë dhe mbi të gjitha kam fatin të kem qetësinë e vetminë time të dëshiruar. Orët, deri në kapërcyell të mesnatës janë më produktivet, jo vetëm për lexim, por edhe për të krijuar.

Kush është shkrimtari i ditëve tona që ju admironi më shumë?

Riza Braholli: Ismail Kadare. I veçantë e i diskutueshëm në tërë kompleksitetin e vet, arti i tij del mbi të zakonshmen dhe hyn te arti i madh botëror, duke zënë vend në polisistemin periferik të kulturës evropiane e, në një farë mënyre, duke u kthyer në një qendër që e krijon periferia. Është e para herë, mendoj, që letërsia shqipe arrin të krijojë një qendër të tillë, pikërisht në periferinë e saj. Nëse ka një autor që pohon këtë këndvështrim teorik, është ky shkrimtar.

Arsye tjetër: ai është shkrimtari i gjuhës sime dhe unë vë re dhe marr nga tekstet e tij edhe vibrimin më të hollë mental, emocional e ndjesor, por edhe tehun më të hollë të thikës së sarkazmës e groteskut të tij. Gjuha e tij poetike, fjala e mendimi kanë dendësi e ngarkesë atomike, si art e si mesazh, në pikëpjekje me veprat më të mëdha artistike botërore me mesazhe universale si Homeri, Eskili, Dante, Shekspiri apo Servantesi.

Gjithashtu, historia e vendit tim, në letrat e tij, rreket t’i ikë inferioritetit dhe kemi një rijetëzim, por modern, të ideve të mëdha të Rilindjes sonë kombëtare. Sepse veprat e tij, si rrallë shkrimtar tjetër të sotëm, mund t’i lexosh e rilexosh pa ua arritur dot fundin. Ato të grishin herë pas here, si çdo art tjetër i madh për t’i rilexuar.

Cili është libri i fundit që ju ka bërë për të qeshur? Po libri i fundit që ju ka bërë të derdhni lot?

Riza Braholli: Nuk kam as dilemën më të vogël: “Ushtari i mirë Zhvejk”. Është i pakrahasueshëm. Kur e kam lexuar për herë të parë kam qenë gjimnazist. E lexoja e qeshja me të madhe. Nëna ime, që shihte gjithë çudi nga unë, i thoshte tim eti: “Pupu! Do na shkallohet ky me këto libra”.

Gjuha e Zhvejkut kapërcen gati një shekull dhe ka mbetur në memorjen e njerëzimit për finesën e mençurinë e hollë që mbart. Gjuha e tij e shëndetshme e kapërcen të zakonshmen, duke zënë kryevendin e letërsisë botërore pranë Servantesit, Xhon Suiftit dhe Mark Tuenit.

Kam qarë, po, kam qarë shumë herë, për shumë heronj e personazhe. Madje edhe tashti që e di si krijohen figurat, heronjtë, nuk i shpëtoj dot kësaj gjëje. E dini që kam qarë dhe për personazhin tim te romani “Djali i Pëllumbave”? Djalit i vdes i ati dhe skena është shumë elegjiake. Ngjarjen po e trilloja vetë, por fill pas tri ditësh, kur e kisha ripunuar mirë, – mbase është për të qeshur… – fillova të qaj dhe vetë. Është fuqia e artit që të bën të lotosh; dhe është kaq çliruese! Nëna ime kur qante vëllain e saj, vdekur në moshë të re, kur donin ta pushonin, lutej: “Më lini ta dëfrej barkun…”! E pra, të qarët, është një lloj kënaqësie e trishtë e njeriut. Qan për fatin e një personazhi dhe e bën tënden dhimbjen e dikujt tjetër, qindra apo mijëra kilometra larg, në kohën tënde apo në të tjera kohë. Të qarit është një katarsis i vërtetë, – të bën më të mirë e më të dhembshur, ndonëse, në të njëjtën kohë, të mbush me zemërim për shkaktarin e atyre lotëve.

E kujtoj si sot “Lulet e mollës” të Xhon Gollsuorthit. Që në fillim të librit mbushesh me një dhimbje, që do të ndjekë gjatë gjithë leximit të tij. Braktisja, pastaj vdekja e Migenës, nën atë rrëfim poetik, të ëmbël e pranveror, plot aromë nën lulet e mollës, do ngashërrente në lot çdo zemër të re adoleshenti. Po kush nuk ka qarë për Migenën dhe dashurinë e saj të braktisur… Në adoleshencën time më ka dhënë aq dhembje, sa më ka bërë të qaj e të trishtohem, sikur të më kishte ndodhur mua. Kush i komandon ato lotë që nuk të pyesin? Arti, historia e rrëfyer me një gjuhë plot aromë.

Çfarë ju frymëzon për të shkruar?

Riza Braholli: Shumëçka, por më shumë dhimbjet dhe realiteti që më sjellin kujtimet dhe e kaluara. Ka një shprehje ndër poetë: “Vargun e parë e ulin zotat”. Sigurisht Muza, perëndesha e frymëzimit. Por ku e gjejnë vargun apo rreshtin (për prozën) që na e pëshpëritin në vesh? Ato/Ajo është sipër nesh, kudo, brenda nesh dhe merr prej pjalmit të imazheve e vogëlsirave që kemi mbledhur përditë nëpër ditët, orët, minutat; nga çdo gjë që ka zënë vend në qenien tonë të ndërgjegjshme e të pandërgjegjshme, në udhët ku shkelim, ku prekim, ku shohim, ku dëgjojmë e vuajmë e hidhërohemi e gëzohemi e lumturohemi. Mbushet si bleta me pjalmin e mbledhur nëpër këto ditë dhe na i pëshpërit me anën e pavetëdijes sonë, me një zë urdhërues e të pakundërshtues si një kumt. Ja, ky është frymëzimi. Ne nuk e dimë çdo të shkruajmë pas pak, sot, nesër, pasnesër. Është kumti që na pëshpërit e panjohura në vesh për një dhimbje që të vlon brenda e të duhet ta nxjerrësh jashtë. Të shkruarit është shpëtim, çlirim nga ajo që është akumuluar dhe çdo shkrimtar derdh pikërisht këtë akumulim, pra është realiteti, por janë dhe leximet. Format e të shkruarit s’kanë fund, kështu që dhe frymëzimet dhe mënyra e ardhjes së tyre s’kanë fund.

Cilat histori ju tërheqin më shumë?

Riza Braholli: Kam qenë i vogël, kur rrija pas të mëdhenjve e dëgjoja historitë e tyre që më linin gojëhapur. Mbase ka filluar me përrallat. Mahnitesha pas tyre, i përpija. I lutesha xhaxhait tim që tregonte mjeshtërisht dhe ai nuk përtonte aspak. Tregon edhe sot. Ka rritur disa breza me rrëfenjat e përrallat e tij. Personazhet zbrisnin nga pyjet e qielli, dilnin nga uji, deti, lumenjtë apo nëntoka dhe endeshin e punonin e aventuroheshin nëpër mjedise që unë i njihja. Këtu qëndron dhe bukuria e artit: sa më shumë që ti ushqehesh me të, aq më shumë të shtohet uria. Sokakët e portat, çatitë e oborret apo të gjitha toponimitë e Mborjes sime i gjeje nën këmbët e në praninë e heronjve të këtyre përrallave. Dhe ato e bënin imagjinatën time të fluturonte dhe të ishte përherë edhe më e panginjur, edhe më e etshme.

Pastaj fillova të rritesha dhe shijet e mia u bënë gjithnjë e më të ashpra. Fundet e lumtura të përrallave nuk më linin më aq shumë mbresa. Ndodhi si me pijet: kërkoja të ishin më të hidhura, më të forta e më pak të ëmbla. Vëmendja e kureshtja ime donte të pinte ujë nga rrëfimet me ngjarje reale, që ishin të shumta e kishin të bënin me jetën: lindjet, martesat, vdekjet, heroizmat, tradhtitë apo besnikëritë që shpesh, përfundonin me ikje vajzash e grash, me ndarje apo rrëmbime, me heroizma, drama apo tragjedi.

Nëse më duhet të them se çfarë historish më pëlqejnë më shumë, janë ato që kanë në thelb të tyre drama komplekse, me përplasje të fuqishme shoqërore e erotike.

Ka ndonjë shkrimtar që ju e vlerësoni, por mendoni se të tjerët nuk e vlerësojnë si duhet?

Riza Braholli: Do të veçoja Frederik Rreshpjen. Për interpretimin e poezisë së tij kam punuar disa vjet duke mbrojtur dhe tezën e doktoraturës me të dhe mendoj se figurës dhe poezisë së tij duhet t’i bëhet vend ndër poetët klasikë të poezisë shqipe. Ka disa studiues e poetë që janë marrë me Rreshpjen dhe nën zë të gjithë e duan, por duhet të studiohet edhe nëpër aulat e universiteteve. Jemi me fat që gjuha shqipe ka një poet si ai.

Cili është libri më i bukur që iu kanë bërë dhuratë?

Riza Braholli: “Meshari”, i transliteruar nga dora e Prof. “Eqerem Çabejt”, dhuratë për 7 Marsin, nga nxënësit e mi, klasa maturë 2013 e “Hoteleri-Turizmi”.

Nëse do ju kërkonin të shkruanit një biografi, kë figurë do të zgjidhnit?

Riza Braholli: Ismail Kadarenë. Është një figurë e ndërlikuar, me plot mistere hijedritash, në marrëdhënie dashurie dhe akullsie me pushtetin, por dhe në një proces dramatik krijimi. Është një figurë që të tremb me lartësinë dhe vendin që ka fituar, por dhe që të josh duke të ftuar për sfida.

Cili është libri që rekomandoni se duhet lexuar “me patjetër” nga të gjithë?

Riza Braholli: Nuk duhet të ketë lexues që të mos e kalojë nëpër sy, në mendje e në zemër “Iliadën”. Me të fillon dhe mbaron letërsia e madhe antike, klasike e moderne. Sidomos nëse aspiron të bëhesh shkrimtar apo poet…

Librat dhe leximi në rrëfimin e shkrimtares Sonila Strakosha

Sonila Strakosha

Lindur dhe rritur në Tiranë. Ka kryer studimet e larta pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, dega Gjuhë-Letërsi, Tiranë. Ka punuar disa vite si mësuese e letërsisë dhe e gjuhës shqipe në ciklin tetëvjeçar, në shkollën italiane “Galileo Galilei”. Aty njihet me bashkëshortin e ardhshëm. Më pas largohen drejt Italisë dhe akoma më larg, në Kazablanka (Marok), ku punon si edukatore e ciklit parashkollor. Në vitin 2003, familja e shtuar edhe me një djalë, zhvendoset në Torino të Italisë. Dy vitet e fundit ka publikuar dy romane, ku trajtohen temat e emigracionit dhe të dhunës fizike e psikologjike ndaj femrës. Bashkëpunon me shtëpitë botuese “Europa Edizioni”, Itali dhe “Caosfera”, Itali. Disa shkrime të Strakoshës janë bërë pjesë e antologjive të ndryshme. Së shpejti del në qarkullim romani i tretë, me shtëpinë botuese “Besa”, Tiranë, e cila ka në vëmendje dhe fokus edhe autorë nga Shqipëria dhe Ballkani. Shtëpia Botuese “Aletti editore” ka zgjedhur disa poezi të Strakoshës për t’u interpretuar dhe publikuar në YouTube nga Alessandro Quasimodo, regjisor dhe aktor.

Cilët libra qëndrojnë mbi komodinën tuaj, pranë shtratit, dhe presin të lexohen përpara gjumit?

Sonila Strakosha: Ashtu si në jetë, edhe në zgjedhjen e një libri jam shumë instiktive. Shpesh blej një libër e tërhequr vetëm nga titulli apo kopertina. Nuk lexoj domosdoshmërish emra të njohur e të afirmuar. Më pëlqen të eksperimentoj edhe me zgjedhjen e një libri. Ndonjëherë gaboj, por më së shumti zgjedhjet e mia nuk më tradhtojnë. Mbi komodinën time mund të ketë libra nga më të ndryshmit, por përgjithësisht preferoj stilin sentimental, rozë. Librat romantikë mbeten të preferuarit e mi. Mendoj se leximi duhet të shërbejë, sigurisht, për të ndihmuar në formimin dhe zgjerimin e njohurive tona, por (dhe këtë më pëlqen ta theksoj) edhe për të na lejuar t’i dedikohemi për pak kohë vetvetes, të hyjmë në një botë vetëm tonën dhe të përqendrohemi në dimensionin ku na çojnë faqet e shfletuara. Leximi duhet të jetë, mbi të gjitha, relaks, qetësi, paqe, dashuri, edhe pse shumë shpesh ndodh të takojmë libra që të tronditin, apo të godasin fort në shpirt. Për shembull, kjo më ka ndodhur kur kam lexuar “Se questo è un uomo” Primo Levi. Në vogëli e njëjta gjendje më ka ngërthyer kur kam mbaruar “Ditari i Ana Frank” apo “Djaloshi zezak” dhe shumë tituj të tjerë.

Aktualisht mbi komodinë kam librin “Dolce Attesa” të Tony Parsons. Historia e tri motrave shumë të  ndryshme nga njëra-tjetra në këndvështrime për jetën, qasje dhe dëshira a jo me të  qenurit nënë; raporti që ato kanë me partnerët dhe si e konceptojnë dashurinë. Interesant m’u duk fakti se si një shkrimtar mashkull ka arritur ta përshkruajë botën femërore në mënyrë aq shumë të arrirë.

Kur dhe ku lexoni?

Sonila Strakosha: Adhuroj leximin pasdite, në ballkon (kur klima ma jep këtë mundësi), ose në shtrat, përpara gjumit.

Cili është libri i fundit që keni lexuar dhe iu ka ardhur keq që e mbaruat?

Sonila Strakosha: Libri që sapo kam mbaruar dhe më erdhi keq që u ndava prej tij është “L’altra storia di noi” e Jennifer Weiner. Libri tregon një histori të bukur miqësie, të cilën rrethanat e jetës, edhe pse jo të lehta, nuk do të arrijnë ta copëtojnë.

Çfarë gjinie libri preferoni në përgjithësi të lexoni?

Sonila Strakosha: Preferoj gjininë sentiment. Shumë librave klasikë të letërsisë botërore u jam rikthyer më shumë se një herë. Por nuk lexoj vetëm një gjini. Adhuroj të lexoj edhe thriller, giallo, aventurë. Më afashinon shumë, për shembull, Agatha Cristie, Camilleri, Grisham, Falletti, por në këtë moment po me apasionon shumë Wibur Smith.

Cili ka qenë libri më i preferuar për ju kur ishit fëmijë? Ndonjë personazh që ju ka shërbyer si model?

Sonila Strakosha: Libri im i preferuar, jo vetëm kur kam qenë fëmijë, por dhe sot, mbetet “Zemër” e de Amicis. Nuk kam ndonjë personazh si model, por për shembull tani që po mendohem, më shkoi mendja tek “Allie”, personazhi i librit “Le pagine della nostra vita” e Sparks. Një vajzë që vendos të ndjekë rrugën që i tregon zemra, duke sfiduar çdo vështirësi dhe mëdyshje. Jam ndjerë shumë pranë personazhit të Elizabet Benet tek “Krenari dhe gjykim” (“Orgoglio e Pregiudizio” titulli në italisht).

Cili është libri që mund t’i ktheheni e ktheheni vazhdimisht?

Sonila Strakosha: Ka shumë libra të cilëve u jam kthyer e kthyer… Për shembull, “Të mjerët”, “Lufta dhe paqja” “Va dove ti porta il cuore”, “Oliver Tuist”, “Il vicolo della duchesca” dhe shumë të tjerë. Adhuroj Viktor Hygo dhe stilin e tij të të shkruarit, që për mua është romantik dhe realist në të njëjtën kohë. Një ndër librat që më ka rrëmbyer dhe  i jam rikthyer me dëshirë të madhe është “Thuaji zemres po” i Susanna Tamaro.

Nëse do ju kërkonin t’i rekomandonit një libër Presidentit të Italisë, cilin titull do zgjidhnit? Po për Presidentin e Shqipërisë?

Sonila Strakosha: Më befasoi pyetja se çfarë libri do t’i rekomandoja presidentit të Italisë dhe atij të Shqipërisë! Sinqerisht u zura ngushtë, sepse zgjedhja do të ishte shumë e vështirë, por vendosa të mbetem tek lidhjet e mia të hershme, pra tek fëmijëria. Libri “Zemër” mendoj se duhet lexuar nga çdo individ, sepse ka aq shumë vlera njerëzore dhe është i mbushur me domethënie të shprehura në mënyrë të thjeshtë, por dhe të fuqishme, aq sa mund të bëhet i prekshëm e i kuptueshëm për fëmijët, por njëkohësisht tepër interesant dhe domethënës edhe për të rriturit. Do e këshilloja këtë libër për të gjithë, jo vetëm për presidentin. Me siguri Presidentët këtë libër e kanë shfletuar që në fëmijëri, por mua ky titull m’u tipos në kokë. E kam lexuar në shqip dhe në italisht, por të them të vërtetën, në gjuhën italiane më ka tërhequr disi më tepër. Nuk di çfarë të them për sa i përket një titulli, që mund t’i sugjeroja Presidentit të Italisë. Nuk po shkruaj emrat më të njohur të letërsisë shqipe, siç ndoshta mund të pritej. Po të them një libër, që mua personalisht më ka rrëmbeyer për vërtetësinë dhe sinqeritetin e të shkruarit, “Retë dhe gurët” e Petro Marko. Nëpërmjet biografisë së tij. Marko tregon dhe gjendjen historike, sociale të Shqipërisë në kohë të ndryshme, lidhjet e pashmangshme që në kohëra Italia dhe Shqipëria kanë patur. Do të ishte mirë që një president italian të mund, sadopak, të kuptojë edhe gjendjen e mjerë në të cilën ra Shqipëria gjatë sundimit diktatorial, gjendje e cila shfaqet shumë qartë dhe dhimbshëm nëpërmjet jetës së Petro Markos.

Mund të na përshkruani vendin dhe kohën ideale për lexim?

Sonila Strakosha: Vendi im ideal për t’iu dedikuar leximit është në hijen e një tarrace, në vetmi, por edhe në darkë vonë: unë, libri dhe drita qetësuese e abazhurit. Leximi është një moment vetëm i imi.

Kush është shkrimtari i ditëve tona që ju admironi më shumë?

Sonila Strakosha: Ka shumë shkrimtarë që admiroj, por po përmend thjesht poezinë e Dritëro Agollit, Xhevahir Spahiut, Lasgush Poradecit. Pastaj për arsye krejt të tjera më ka emocionuar pena e fuqishme e Fishtës, Migjenit dhe Nolit.

Një shkrimtare e ditëve tona që unë e kam adhuruar në adoleshencë ka qenë Diana Çuli. Më vjen vërtet keq të konstatoj që nuk shkruan shumë… ose mbase mua nuk më kanë rënë në dotë shumë libra të saj në këta vitet e fundit.

Cili është libri i fundit që ju ka bërë për të qeshur? Po libri i fundit që ju ka bërë të derdhni lot?

Sonila Strakosha: Libri i fundit që më ka bërë të buzeqesh është “Singolare Feminile” e Modignani. Ka më se një vit që e kam lexuar, por mbaj mend që e mbylla dhe buzëqesha, mbase sepse e prisja ndryshe nga ç’doli… mbase u zhgënjeva disi… Pritshmeria ime pasi pata lexuar libra të tjerë të kësaj autoreje, qe ndoshta më e madhe.

Kam qarë me shumë libra. Mund të përmend ketu “Tre shokë” dhe “Manastiri i Parmës”. Tani kur kujtoj ato momente më vjen për të qeshur…

Kam qarë së fundmi edhe me librin që kam shkruar dhe do të publikohet këtu, në Itali, në mars. Është ndjesi e çuditshme kur qan me librin që ke shkruar vetë!

Çfarë ju frymëzon për të shkruar?

Sonila Strakosha: Frymëzimi për të shkruar më ka rrëmbyer që e vogël. Kur diçka tërhiqte vëmendjen time ndjeja dëshirën ta shprehja atë ç’ka provoja nëpërmjet fjalës së shkruar. Për një kohë të gjatë kam mbajtur ditare dhe më vjen vërtet keq që shumë prej ditarëve të dikurshëm, për papërgjegjshmëri o pakujdesi timen, nuk i zotëroj më. Më pëlqen ta hedh në letër ndjenjën, sensacionin apo emocionin e momentit, është një farë qetësie e përkohshme, sikur me çliron, me shplodh ideja që mendimet e mia të  gjithfarëllojshme i ruaj diku, jo vetëm brenda vetes, por dhe diku gjetkë, mbase një dëshirë e fshehtë për t’u shprehur me ditarin, për t’u hapur në një farë mënyre me dikë. Një nevojë imja të shprehem pa patur njerëz përreth, meqenëse jam tepër e rezervuar dhe fanatike në shprehjen e emocioneve. Arsyeja që i shkruaj është ndoshta ajo nevoja që ka shpirti të hapet diku, pa frikën se do ta gjykojnë. Arsyeja pse shkruaj është mbase dhe dëshira që t’i transmetoj dikujt atë që mbaj brenda. Shpesh hyj dhe bëhem vetë pjesë e asaj ç’ka tregoj, më pëlqen të ngatërrohem me ngjarjen të cilën shtjelloj, dhe perceptimet e mia të ndërthuren me dimensionin që jam duke krijuar. Kur nis të shkruaj diçka asnjëherë nuk di si do ta shtjelloj apo përfundoj atë krijim, dhe ky fakt më dëfren. përveçse duhet ta pranoj që edhe më lodh ndonjëherë e më mundon, por është një lodhje e ëmbël. Jeta do më dukej shumë e varfër pa mundësinë për të shkruar. Shumë gjera që kam shkruar do të mbeten përgjithmonë vetëm të miat, sepse e di që nuk do të marr guximin t’i bëj asnjëherë publike, por ndodh që mbas vitesh të lexoj ndonjë varg apo ese të shkurtër dhe buzëqesh e provoj dhembshuri për veten dhe për naivitetin e kohës së cilës i përkasin.

  • Të gjithë si një vajzë fare të urtë më njihnin

Të heshtur, të qetë, ndoshta melankolike

Zhurmën e shpirtit tim s’mund ta dëgjonin

Askush s’lexonte dot në brendësinë time.

  • Sa shumë qetësia ime njerëzit i gënjente

Përshtypje të gabuar të gjithëve u falte

Në fakt dukja ime që qetësi tregonte

Një glob të tërë kaosi e gjëmimesh mbante.

Para disa ditësh për shembull, buzëqesha me veten duke lexuar keto vargje… dhe këtë here paskam dëshirë t’i ndaj me lesuesin!

Cilat histori ju tërheqin më shumë?

Sonila Strakosha: Mbetem ëndërrimtare e pashërueshme dhe ky fakt më ndjek si në të shkruar, por dhe në lexim. Pëlqej, më së shumti, histori të rrjedhshme, jo të rënda, të  lehta, romantike, por kjo nuk më ka penguar të lexoj edhe gjini e stile të tjera. Por nuk di a do arrij të shkruaj ndonjëherë ngjarje të rënda, të forta, krude, ku të transmetoj dhimbje të pashmangshme të një realiteti të keq e të dhimbshëm. Mbetem romantike edhe në realitetet e rënda me të cilët hap një vepër (shembull romani që do të publikohet së shpejti) dhe mundohem të gjej një zgjidhje jo tragjike ose jo krejtësisht të hidhur. Ka gjithmonë poezi, shumë ndjenjë dhe shumë shpresë në shkrimet e mia. Nuk i shmangem dot të bukurës, të drejtës, mirësisë. Mundohem që në një mënyrë a në një tjetër, duke u munduar të mos dukem artificiale në përshkrimin e asaj ç’ka tregoj, t’i jap jetë fitores, e ndjej në lëkurë dëshirën që kam për të triumfuar mirësia, edhe pse jam e bindur që në jetë shpesh ndodh e kundërta. Ndoshta brenda, brenda vetes time, ka shumë prej fëmijës së dikurshëm…

Këtë fakt ma theksoi edhe editori që do më publikojë librin. I kisha thënë që po shkruaja një pjesë të fortë, të dhimbshme, por në fund nuk ia dola dot të fundosja krijimin tim në terr të plotë, edhe pse e bindur që historia që po tregoja kishte të bënte shumë pak me “fundet e bukura të perrallave”, por u mundova të gjeja mënyrën për të mos e “dënuar” veprën time vetëm me hidhërim.

Mendoj se çdo shpirt ka të ngjizur një mënyrë dhe një stil unik të shprehuri apo të shkruari, mua më ka rënë për hise kjo mënyrë… që mbase mund të rezultojë më pak realiste në disa raste, por mendoj që arti është i gjithanshëm, ka nevoje për vërtetësi, realizëm, qartësi, dhe gjithashtu edhe për ëndërr, romance, ëmbëlsi, shpresë që ndonjëherë jeta të mund vërtet të jetë “pak përrallë e vërtetë”.

Ka ndonjë shkrimtar që ju e vlerësoni, por mendoni se të tjerët nuk e vlerësojnë si duhet?

Sonila Strakosha: Pyetje në se ka ndonjë shkrimtar që për mua nuk vlerësohet sa duhet nuk di si t’i përgjigjem konkretisht. Më vjen ndër mend Gabriel Garcia Marquez. Është, sigurisht, tejet i vlerësuar, por në disa raste lexoj reagime apo komente përbuzëse në lidhje me veprën e tij, si dhe gjykime të tipit: shumë i zgjatur në përshkrime, apo një stil që lodh ose i vështirë për t’u kapur etj. Ja me këto gjykime nuk jam dakord. E konsideroj veprën e Maquez gjeniale, të mrekullueshme! Kur vendos të lexosh një autor duhet të hysh brenda botës së tij, të kuptosh natyrën e njeriut që shkruan, të lexosh nëpërmjet rreshtave perceptimet njerëzore që provon shkrimtari, ndjenjën me të cilën po krijon boten e tij në libër. Vetëm në këtë mënyrë do të kuptosh tërësisht një libër, vetëm në këtë mënyrë do të mund të mësosh sa mund ka hedhur shkrimtari në veprën e tij. Duhet të bëhesh një me librin, të hysh brenda dhe jo ta lexosh i distancuar. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të kuptohet, plotësisht, gjenialiteti dhe paarritshmeria ndjesore dhe humane e Marquez (të cilin unë, personalisht, e adhuroj).

Cili është libri më i bukur që iu kanë bërë dhuratë?

Sonila Strakosha: Më kanë bërë shumë libra dhuratë. Vendosa të shkruaj një rast të bukur, që më ka emocionuar. Kur im bir ishte i vogël në shkollë fillore, e shoqërova një ditë tek shtëpia e një shokut të tij për të kaluar mbasditen së bashku. Ndërsa të vegjlit luanin, unë me të ëmën e djalit u humbëm në bisedat tona të përgjithshme mbi jetën, fëmijët etj… Mes të tjerash, në një moment i thashë bashkëbisedueses që kam qenë gjithmonë e apasionuar pas përrallave të Hans Christian Andersen dhe që vazhdoja t’i lexoja me kënaqësi edhe në moshë madhore. Kur erdhi ora që do largoheshim, shoku i djalit tim erdhi dhe më solli një libër që dukej se kishte mbështjellë me shpejtësi me dy letra. ku kishte vizatuar shkollën dhe parkun. E kishte paketuar librin në mënyrën e tij. Qe një dhuratë për mua. Brenda mbështjellë ishte libri me përrallat e H.C. Andersen. Për mua mbetet një dhuratë, surprizë, vërtet e dashur.

Nëse do ju kërkonin të shkruanit një biografi, kë figurë do të zgjidhnit?

Sonila Strakosha: Do të ishte shumë bukur të mund të shkruaja një biografi për Nënë Terezën. Një figurë e mrekullueshme, të cilën e kam adhuruar për thjeshtësinë, përulësinë dhe madhështinë që e ka karakterizuar gjithmonë. Ose për jetën e Vaçe Zeles. Akoma, do më pëlqente të tregoja mbi jetën e shumë femrave e grave të persekutuara nga diktatura komuniste. Mund të përmend këtu Liri Belishovën. Më rrëqethet mishi kur lexoj mbi jetën e saj. Ose një tjetër vajzë, Marie Tuci. Kur kam lexuar mbi fundin tragjik të Maries jam hidhëruar dhe befasuar. Mund të shkruaja me qindra emra… mendoj se për këto figura duhet shkruar gjithmonë, nuk duhet t’ia lemë harresës t’i marrë.

Cili është libri që rekomandoni se duhet lexuar “me patjetër” nga të gjithë?

Sonila Strakosha: Libra të këshillueshëm për t’u lexuar janë vërtet shumë. Varet edhe nga preferencat e gjithsecilit prej nesh, por unë rekomandoj të lexohet nga të gjithë, të vegjël e të rritur, libri “Zemër” për vlerat edukative, letrare, humane që mbart. Këshilloj edhe librin “Thuaji zemres po” (“va dove ti porta il cuore” italisht). Më vjen të qesh se në dy tituj që shkrova, gjendet fjala “zemër”.

KUR TË VDES & TË DUA Nga Havzi Nela

Nga HAVZI NELA (20 shkurt 1934 – 10 gusht 1988)

KUR TË VDES

  • Kur të mësoni se kam vdekë,

Kur të thoni: “Ndjesë pastë!”

A e dini se çfarë kam hjekë

Unë, poeti zemërzjarrtë?

  • Kur të pyesni: “Ku e ka vorrin?”,

Kur t’kërkoni me ma gjetë,

Thoni: “Ai urreu mizorin”,

Thoni: “Dheu s’ka me e tretë”.

  • Thoni: “Ai e deshi jetën,

Jeta n’vuetje e dërrmoi”.

Thoni se ka mbrojtë të drejtën,

Grusht tiranësh nuk duroi.

  • Thoni: “Desh, kërkoi lirinë

Si skifter në fluturim,

Provoi prangat, t’errtë qelinë,

Për të mjerët lëshoi kushtrim”.

  • Thoni: “Dritë ai kërkoi,

E vetë dritë nuk pa me sy”.

Thoni: “Për njerzinë këndoi

E për vete mbajti zi”.

  • Thoni se e qorroi terri,

Thoni: “Dielli nuk e ngrohu”.

Thoni se e trishtoi tmerri

E të shtypunit i tha: “Çohu!”

  • Kur të vijë të çelë pranvera,

Kur bilbili nis me këndue,

Mbi vorr tim me gur’e ferra,

Nji tufë lule me ma lëshue.

  • Prekni vorrin, mos ngurroni,

Kush ka lindë, ai ka me vdekë,

Veten ju kur t’a ngushlloni,

Thoni: “Gjallë kurkush s’ka mbetë!”

TË DUA

  • Me të thanë: të due, kjo asht fare pak,

Oh, sa e vogël duket kjo fjalë!

Dashuninë time nuk e shpreh aspak;

Zemrën që buçet, derdhen shkumb’ e valë.

  • Me të thanë se bota pa ty asht nji hiç,

Ti s’do ta besosh, do t’qeshish me mue;

Për ty sot jam nda me tanë shok’ e miq,

Më shohin me inat, veç pse unë të due.

  • Kur unë thom: je dielli, hana pesëmbëdhjetë,

Të tjerët të shajnë, nxjerrin helm e vner,

Ti, për mu, e dashtun, gjithmonë ke me mbetë,

Trandafil i bukur, kur çel në pranverë.

  • Të due, oh, të due, po digjem si zjarri,

Të due sa s’thuhet, nuk shprehet me gojë,

Për dashuninë tande nuk më kalb as varri,

Për nji puthje buzësh, u thava, o zojë.

  • Të due për trupin, shtatin si selvi,

Për synin filxhan, vetullën kaleshë,

Për faqet, për gojën, buzët si qershi,

Por ma shumë për shpirtin, kur ambël më qesh.

  • Del, oh del, e dashtun, mos më le të vuej!

Bota le të flasin, e kanë nga zilia;

Del, mos rri e mbyllun, fjalën mos ma luej!

Kush flet keq për ne, i vraftë Perëndia!

 

GRUEJA SHQYPTARE (Amë e bi) Nga Vinçenc Prenushi

 Imzot Vinçenc Prennushi (Shkodër, 04. 09. 1885 – Durrës, 19. 03. 1949)

GRUEJA SHQYPTARE (Amë e bi)

  • Ka ra rrezja nder bajama!

T’ bin e vet kshtu e pvetë e ama:

– Ç’ke, moj bi, qi kjan e fshan?

Kjan e fshan, e vetllat vran? –

  •  Kjava shum, mori lum nana,

Tuj qindisë e m’ra gjylpana;

M’ra gjylpana nën balkue,

E jam ulë tash me e kërkue. –

  • Po çka kje qi lodt t’i xori?

Ku kje dhima, a ku kje zori?

A por, drue, mos m’je harlisë,

Qysh se kjan – o tuj qindisë.

Pasha nanën nuk mund t’ bari,

Qi të më ndezet bija zhari!

Do t’ a dijë e zeza nanë,

Pse ti vetllat shpesh m’i vranë;

Pse ç’kah mot, moj, buza s’ t’ qeshet

E n’ argtime zemra s’ t’ ndeshet.

  • Nuk a’ gja, moj nanë s’ a’ gja;

Por po t’ tham, se as kot s’ jam vra:

Diçka vlon n’ kët çerdhe zanash;

Vlon dashtni, si n’bija nanash!

Nanë, dashtnija m’ ka molisë,

Prandej kjaj – o tuj qindisë! –

  • T’u thafët goja, bi, ç’po thue?

A kaq shpejt ti m’ je tërbue?

Po shikjo, moj bi kërcuna,

Se, po bana ‘i herë e t’ xuna,

Bana e t’ pava tuj m’ dalë n’ derë,

Nuk m’ ke pshtim, jo metsha e mjerë! –

  • Jam shqyptare e bi shqyptari,

E ato fjalë, nanë, s’ mund i bari:

S’ ke me m’ pa, jo, tuj dalë n’ derë,

Si kujton, pse m’ ke për nderë;

As, moj nanë, nuk jam harlisë

Veç pse kjaj – o tuj qindisë,

E shka n’ zemer m’ ka pengue,

Asht gja e dejë, o nanë, për mue. –

  • Fillon nana tash me u vra:

Diçka nakel së mjerës i asht ba;

Don me çilë të ngriten gojë;

Por dro e mjera mos t’ gabojë:

  • Fol, moj bi, mos m’ len ndër grepa,

Mos më mshef gja, moj, se do djepa

I kam luejtë der tash e m’ ke

Dhelpën t’ vjetër: Ty sot be

T’ paça lshue, tash me m’ diftue,

Se pse zemra peshë t’asht çue. –

  • Nanë, dashtnija m’ ka molisë,

Prandej kjaj – o tuj qindisë. –

Bindej nana, gja s’kuptote,

Por, të mirën kah i a dote

Muer me t’ amël e i tha e mjera:

  •     Mori bi, moj si prendvera,

Pash njat diell e pash njat hanë,

Pash njat Zot, qi kthiell e vranë,

M’ difto sot, ç’sokol ke xanë? –

  • Çfarë sokolit thue, moj nanë?

T’ thaçë, moj, t’thaçë se s’m’a ban ndera,

S’m’a ban shpija, as s’m’a ban dera

Me luejtë mendsh, moj nanë, mas kuej:

S’ i kam dhanë, jo, fjalë kurrkuej.

E po t’ tham: Se n’ t’ endun t’ motit,

Po t’ tham, po, me besë të Zotit,

Ty due fjalët me t’ i ndigiue,

As s’ kam mend me t’ u largue.

Zemren dysh un s’ mund e daj:

M’ len t’ qindisi, m’ len të kjaj! –

U ngri nana, lodt i pshtuen;

Para s’ bis fort syt i u xuen.

Kaluen dit e kaluen net,

Vajza ma me gojë s’ po flet:

Me gojë s’ flet edhe na a’ smue,

Rat e mjera á tuj lingue:

Lingon keq n’at shtrojë deket

E shpesh paket edhe meket.

Ftyra e sajë porsi flok bore;

Mndash, gjylpanë s’i hjekë prej dore;

Or punon e tuj punue,

Shef pëlhuren se á marue:

I lshon syt mi të më mall

Edhe e puthë e e ven në ball.

  • Nana vajzen tuj dihatë

Shpesh e ndien e: – Mori e ngratë,

A njimend s’don me m’ diftue,

Se pse zemra peshë t’ asht çue? –

  • Nanë, dashtnija m’ ka molisë;

Kjava mjaft-o tuj qindisë!

Kjava mjaft… – Ma desht t’ligjrojë,

Por iu kput ksajë fjala n’ gojë.

Si fjalë tjera nuk mund të xori,

Mndash, gjylpanë prap n’ dorë i mori;

Por dy duerët, porsi florini,

Mi pelhurë deka i a ngrini.

  • Kuku nana kjan me lot,

Se ç’me gjet mue t’meren sot!

Se ç’e gjet të zezen nanë

Nen ket diell e nen ket hanë! –

  • Merr pelhuren, qi pat enë

Bija e sajë; kishte pasë kenë

Kuq e zi e m’ te qindisë

Gjet dashtnin qi e kisht’ molisë.

N’ krye t’ flamurit kisht’ punue,

Për rreth shqypje, m’ dorë prarue,

Fjalët e hershme, fjalët e të Parve:

Se Shqypnia asht e Shqyptarve;

E ndër skaje fjalët “liri”.

Merr nanë-shkreta e pshtiell at bi,

Qi, pa njofët tjeter dashtni,

Ishte shkri veç për Shqypni.

  • Eni bija, zana malit,

Ju qi kjani n’ dekë t’ njij djalit,

E, permysë mi ket bujare,

N’ te nderoni bin shqyptare;

E tuj puthë e mall e vajë

Njat flamur, qi dora e sajë

Diejti aq bukur me qindisë,

Pse dashtnija e kisht’ molisë;

Lidhniu tok: Përherë dashtnija

Për vend t’ uej t’ u jet stolija;

Pe, po kje qi, si kjo bi,

Rriten vashat në Shqypni,

N’ vend do të shkojë-o fjala e t’ Parve

Se Shqypnia asht e Shqyptarve.

Lidhniu tok, si bajshin motit

Ato bijat e Kastriotit,

E broh’ritni n’ gzim e n’ vajë:

Rrnoftë Shqypnija e flam’ri i sajë.

who’s who Lazër Shanto

Nga Visar Zhiti

Lazër Shanto u lind në Shkodër, më 2 shtator 1892. U shkollua në kolegjin Saverian dhe në Seminarin papnor në Shkodër me pedagog Ndre Mjedën e etër të tjerë jezuitë. Përvetësoi latinishten, greqishten e vjetër e italishten. Është shqiptari i parë që njeh shkëlqyeshëm gjuhën esperanto. Pasi kreu studimet e larta teologjike në Universitetin e Insbrukut, shërbeu si famullitar në Pulaj, Beltojë, Velipojë, Rrjoll, Sheldî.

Sa të bukur janë qytetet nëpër Europë, por qielli tek ne është madhështor, ka shumë dramë… – deklaronte Shanto.

Përkthente! Botimet e para i bëri te “Lajmtari i zemrës s’Jezu Krishtit”, “Kalendari i veprës pijore” etj.

Nxori “Për natë kazanash”, një përmbledhje me lojëra, kashë-e-lasha e proverba. Bashkëpunoi me Anton Harapin për “Ora e Maleve”, ku spikati dhe si poet satirik, me një gjuhë të gjallë e argëtuese. Por ai dinte të ishte dhe epik e me alegorira.

Do të shkëlqente si orator. Shkrimi për Luigj Gurakuqin ose Fjala e tij në funeralin e Avni Rustemit do të trondisnin shpirtrat. Ashtu i veshur me të zeza, me ballin e gjerë e sy të butë, por gjithë vendosmëri, vazhdimisht kërkonte të bënte… por e kapën dhe e burgosën si organizator në Revolucionin e Qershorit të 1924-ës. Mbas disa muajsh u fal nga qeveria e Zogut dhe u largua për në Jugosllavi, nga ku vazhdonte të dërgonte shkrime.

Në veprën e tij shpaloset natyrshëm estetika me prirjet e saj letrare të fillimit të shekullit XX, si ajo franceze e gjermane, kurse në poezi është leopardian.

Iku në Vjenë e më pas famullitar i fshatit Bienne, ku predikoi gjermanisht, dhe në La Motte te kantonit Vaud, në frëngjisht. Por gjithnjë ajo buzëqeshja e tij e mirë. Mbi supe ndiente hijen e maleve të veta. Kishte etje për fjalën shqipe dhe përkthente Vilhelm Telin e Faustin dhe çonte pjesë të tyre në shtypin shqiptar.

Pasi Shqipëria u pushtua nga Italia, ashtu si shumë mërgimtarë të tjerë, edhe Lazër Shantoja u kthye në atdhe. Në vendlindje iu bë një pritje tepër e ngrohtë. Teksa endej rrugëve me kalldrëm të qytetit, hapat sikur merrnin tjetër porosi nga toka…

U bë drejtor i shoqërisë Letrare “Dante Aligieri”.

Më 1941 bashkë me Ernest Koliqin, Mustafa Krujën, Zef Valentinin, Karl Gurakuqin, Xhevat Korçën (që do të dënoheshin më pas të gjithë nga regjimi që do të vinte), themeluan në Tiranë Institutin e Studimeve Shqiptare.

Pas kapitullimit të Italisë, më shtator 1943, u mor veç me përkthime të veprave të mëdha, por e trondiste lufta vëllavrasëse që kishte filluar në Shqipëri. Në janar të vitit 1945 e arrestuan forcat partizane, e zbritën të lidhur. Filluan torturat. Mes rënkimesh, u tha me zë të mekur: …e kam dijtë me kohë se komunistët janë veç trathtarë!…

Buzëqeshja e tij e çiltër ra bashkë me dhëmbët mbi dyshemenë e përgjakur.

who’s who Visar Zhiti

who’s who Visar Zhiti

Datëlindja: 02/12/1959 Vendlindja: Durrës / Diplomë: Fakulteti Gjuhë  e Letërsi, Instituti i lartë Pedagogjik, Shkodër.

Master: Roma, Pontifica Facolta Teologica San Bonaventura, PEACE BUILDING MANAGEMENT: per costruire la pace nel mondo. Medio Oriente-Balcani. / Gjuhët e huaja: anglisht, italisht, rusisht

Bashkëshortja: Edlira Agaj Zhiti / Fëmijët: Atjon Zhiti    

Motoja në punë: Të zhvillojmë kulturën e takimit, ashtu siç porosit Papa Françesku, duke njohur do të duam më shumë e do të bëjmë më mirë.

Është një nga shkrimtarët më të njohur bashkëkohorë në Shqipëri, që lëvron poezinë, prozën, esenë. Po kështu edhe gazetarinë e përkthimin. I ati i tij – mësues dhe aktor, autor vjershash dhe veprash skenike, ishte me origjinë nga Tomorica, ku “lartësohet Olimpi i shqiptarëve”, ndërsa nëna nga Kolonja. Fiset e tyre përmendeshin për patriotizëm dhe arsimdashje.

Visar Zhiti u rrit në Durrës, ku familja ishte shpërngulur për t’iu shmanguar përndjekjes që nisi pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Babai punonte si hamall në port, megjithëse intelektual, kishte mbaruar Normalen e Elbasanit dhe kishte qenë në Itali për më shumë dije. Si shtëpi kishin bërë një magazinë veglash pune…

Visari fillon klasën e parë në qytetin e tij të lindjes, në Durrës, por shkollën 8-vjeçare dhe gjimnazin i mbaroi në qytetin e Lushnjës, sepse i ati i tij emërohet mësues në fshatrat e atij rrethi, pastaj, falë talentit si aktor, bëhet një nga themeluesit e Teatrit të Estradës profesioniste në Lushnjë. Visari nis shkrimet e para.

Në fillimin e viteve ’70 të shekullit të kaluar, që do të kritikoheshin si “vite të liberalizmit”, Visarit i del e drejta e studimit për të vazhduar studimet në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës, sot Universiteti “Luigj Gurakuqi”.

  • 1975 – 1979 – mësues në fshatin Vilë të rrethit të Kukësit. Pas botimit të poezive të para në organet e shtypit, pas Pleniumit IV të PPSH-së 1973, i refuzohet botimi i përmbledhjes së parë poetike “Rapsodia e jetës së trëndafilave”. Sipas akt-ekspertizës, libri ishte kundër Realizmit Socialist dhe autori kundërshtar i regjimit.
  • 1979/ 8 nëntor – e arrestojnë në qytetin e Kokësit. I konfiskojnë dorëshkrimet, rreth 39 fletore e blloqe me poezi, tregime, ditar etj., të cilat ende nuk janë gjetur.
  • 1980/14 prill – Gjyqi. Dënohet me 10 vjet burg, me heqje të së drejtës elektorale, të ushtrimit të profesionit dhe të botimit.
  • 1980 – 1983 – i burgosur politik në kampin e minierës së Spaçit, rrethi i Mirditës.
  • 1983 – 1987 – i burgosur politik në kampin e minierës së Qafë-Barit, rrethi i Pukës.
  • Vazhdon të shkruajë poezi fshehurazi edhe në burg. Aty humb dhe romani i tij i parë “Vizatimet e një mësuesi fshati”.
  • 1987 – 1990 – lirohet dhe punon si punëtor me tre turne në fabrikën e tullave në Lushnjë. Edhe pas burgut nuk pranon bashkëpunimin me Sigurimin e Shtetit, duke përballuar presione dhe pasojat e rënda. (Dokumenti i mospranimit gjendet në dosjet e tij dhe është bërë i njohur dhe nga media)   
  • 1990 – 1992 – angazhohet gjallërisht në lëvizjen për përmbysjen e diktaturës dhe vendosjen e demokracisë në vend dhe punon si gazetar në organin e parë të shtypit opozitar “RD”, Tiranë.
  • 1992 – 1993 – emërohet drejtor në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, aty ku nisi kalvari i tij. Bëhet anëtar i Komitetit Shqiptar të Helsinkit.
  • 1993 – 1995 – në Kuvendin e Shqipërisë / Drejtor i Zyrës së Shtypit, i Bibliotekës dhe Arkivit.
  • 1995 – martohet me znj. Edlira Agaj. Lind djali i tyre, Atjon Zhiti. Kalon në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në Drejtorinë e Europës dhe më pas në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë, Itali, – ministër këshilltar
  • 1996 – Deputet i qytetit të Lushnjës. Zgjidhet drejtpërsëdrejti me vota nga populli.
  • 1996 – 1999 – Lë mandatin e deputetit dhe rikthehet në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë, Itali.
  • 1999 – 2001 – në Ministrinë e Punëve të Jashme, në Drejtorinë e Diasporës.
  • 2001 – 2006 – Gazetar i lirë, anëtar në “International Federation of Journalists”.
  • Anëtar i Këshillit Kombëtar të Radio-Televizioneve (KKRT) / Anëtar në Këshillin Bashkiak të qytetit të Tiranës.
  • Mars 2006 – në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ministër Këshilltar në Ambasadën e Shqipërisë në Romë, Itali.
  • Shtator 2010 – në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë.
  • Prill-shtator 2013 – Ministër i Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve.
  • 2015 – Qeveria shqiptare e propozon për ambasador në Vatikan.
  • Maj 2015 – Qershor 2017 – Kreu i Ambasadës së Shqipërisë, I Ngarkuar me Punë pranë Selisë së Shenjtë dhe Urdhrit Sovran Militar të Maltës.
  • Korrik 2017 – Ministër Këshilltar, Ambasada e Shqipërisë në Washington, SHBA.

 SPECIALIZIME

  • 1991 – Komunikim Social, specializim nga Universiteti Katolik i Milanos dhe Udines, Itali.
  • 1991 – 1992 – Kualifikim në media, stazh gazetarie në gazetat “Il sole 24 ore”, “Corriere della sera”, “Avvenire” në Milano, Itali.
  • 1993 – Fondacioni “Heinrich Bëll”, për krijimtari, me bashkëshorten, Eda. Këln, Gjermani.
  • 1994 – Specializim për Bibliotekat dhe Arkivat Parlamentare, në Belgjikë (Bruksel) dhe Luksenburg.
  • 1994 – Në Bibliotekën e Kongresit Amerikan, me bashkëshorten, Eda, në Washington, SHBA.
  • 2006 – Specializim për diplomaci,  në Kajro, Egjipt.

Specializime të tjera në Tiranë, kurs anglez për zëdhënës institucionesh, për këshilltarët bashkiakë, organizuar nga “ProHelvetia”, etj.  Master:  Tetor 2007- tetor 2008: PEACE BUILDING MANAGEMENT- për costruire la pace nel mondo. Medio Oriente-Balcani. Pontifica Facolta Teologica San Bonaventura, Roma. E kreu me bashkëshorten e tij, Edën dhe së bashku mbrojtën temën: “Shqiptarët, një komb, dy shtete, faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkan”. Udhëheqës i temës ishte historiani Antun Sbutega, ambasador i Malit të Zi pranë Selisë së Shenjtë.

Botime

  1. 2017     Si na erdhi ai, i ndaluari, Tiranë,
  2. 2016    Valixhja e shqyer e përrallave Për ata që rriten Autorë Visar Zhiti & Atjon Zhiti (vizatimet) / Loredan Bubani (red.) Tiranë: Omsca-1, ribotim, 218 faqe.
  3. 2014    Lajmëtarët e vrarë Antologji: portrete, poezi e prozë Autor Visar Zhiti / Loredan Bubani (red.) Tiranë: UET Press, botimi i dytë, 382 faqe., me foto.
  4. 2014   Si është Kosova, poezi, Prishtinë, 2014.
  5. 2012    Rrugët e ferrit Burgologjia ime për Spaçin dhe më parë Autor Visar Zhiti / Loredan Bubani (red.) Tiranë: Omsca-1, 573 faqe.
  6. 2012    Ferri i çarë Burgologjia ime për Qafë-Barin dhe më pas Autor Visar Zhiti / Loredan Bubani (red.) Tiranë: Omsca-1, 558 faqe.
  7. 2010    Panteoni i nëndheshëm ose Letërsia e dënuar Avitje për të kaluar murin Autor Visar Zhiti / Loredan Bubani (red.) Tiranë: Omsca-1, 190 faqe.
  8. 2009    Në kohën e britmës Roman Autor Visar Zhiti / Loredan Bubani (red.) Tiranë: Omsca-1, 361 faqe.
  9. 2008    Shekull tjetër Tregime Autor Visar Zhiti / Loredan Bubani (red.) Tiranë: Omsca-1, 200 faqe.
  10. 2006    V.V. dhe një vrasje e munguar Sprovë me biseda të ndërprera, copa dokumentesh, letra dhe poezi Autor Visar Zhiti / Mira Meksi (përg. për bot.) Tiranë: Onufri, 239 faqe.
  11. 2006   Në emër të a(r)tit, ese, intervista, Shkup, 2006.
  12. 2005    Thesaret e frikës Poezi Autor Visar Zhiti / Loredan Bubani (red.) Tiranë: Omsca-1, 244 faqe.
  13. 2004    Perëndia mbrapsht dhe e dashura Roman Autor Visar Zhiti / Loredan Bubani (red.) Tiranë: Omsca-1, 284 faqe.
  14. 2004   Djali dhe legjenda, tregim (shqip, maqedonisht, anglisht), Tiranë, 2004.
  15. 2003    Funerali i pafund Roman Autor Visar Zhiti / Loredan Bubani (red.) Tiranë: Omsca, 180 faqe.
  16. 2002    Ferri i çarë Roman i vërtetë Autor Visar Zhiti / Loredan Bubani (red.) Tiranë: Omsca-1, 453 faqe.
  17. 2001    Rrugët e ferrit. Rrëfim që s’do të doja të ishte i vërtetë Autor Visar Zhiti / Bujar Hudhri (përg. për bot.) Tiranë: Onufri, 471 faqe.
  18. 2000    Si shkohet në Kosovë Poezi Autor Visar Zhiti / Anton Papleka (red.) Tiranë: Toena, 117 faqe.
  19. 1997    Kohë e vrarë në sy Autor Visar Zhiti / Anton N. Berisha (zgjodhi) / Ali Podrimja (red.) Prishtinë: Rilindja, 175 faqe.
  20. 1996    Valixhja e shqyer e përrallave Rrëfenja për ata që rriten Autor Visar Zhiti / Gaqo Bushaka (red.) Tiranë: Toena, 123 faqe.
  21. 1996    Këmba e Davidit, tregime, Tiranë, 1996.
  22. 1996    Mëkat i trilluar Poezi Autor Resul Shabani / Visar Zhiti (zgjodhi) / Zija Çela (red.) Elbasan: Onufri , 123 faqe.
  23. 1995    Dyert e gjalla Poezi me dy akte dhe një intermexo Autor Visar Zhiti / Ramadan Musliu (red.) Tiranë: Eurorilindja, 108 faqe.
  24. 1994    Mbjellja e vetëtimave Autor Visar Zhiti / Resul Shabani (red.) Shkup: Flaka e vëllazërimit, 100 faqe.
  25. 1994    Hedh një kafkë te këmbët tuaja. Poezi të burgut: 1979-1987 Autor Visar Zhiti / Xhevahir Spahiu (red.) Tiranë: Naim Frashëri, 167 faqe.
  26. 1993    Kujtesa e ajrit Poezi Autor Visar Zhiti / Zija Çela (red.) / Tiranë: Shtëpia Botuese e Lidhjes së Shkrimtarëve, 209 faqe.

Është përkthyer: në italisht

  1. Croce di carne”, poezi, Napoli, 1997.
  2. Dalla parte dei vinti”, poezi, Romë, 1998.
  3. La vita”, poezi, Milano, 1998.
  4. Passeggiando all’indietro”, tregime, Napoli, 1999.
  5. Confessione senza altari”, poezi Napoli, 2012.
  6. Il visionario alato e la donna proibita”, roman, Cosenza, 2014.
  7. Le piaghe non hanno patria”, ese, Roma, 2015.
  8. Dov’ é la vita” – poezi shqip dhe italisht, Rimini, 2016.
  9. Il funerale senza fine” – roman, Cosenza, 2017.

Është përkthyer: në rumanisht

  1. Psalm”, poezi, Bukuresht, 1997
  2. Funeralii Nesfársite” roman, Bukuresht, 2008.

Është përkthyer: në maqedonisht

  1.         “Бoc и лyд”, poezi, Shkup 2001.

Është përkthyer: në anglisht

  1. The condemned apple”, poezi, Los Anxhelos, SHBA, 2005.

Është përkthyer: në kroatisht

  1. Izbrane Pjesme”, poezi, Zagreb, 2010

Ka përkthyer në shqip

  1. Adonis “Iluzioni i hapave të mi”, poezi.
  2. 2011    Ti, në grackë nën qepalla Poezi Autor Sebastiano Grasso / Përkthyer nga Visar Zhiti / Eda Agaj (krahasoi e red.) Tiranë: Uegen, 208 faqe.
  3. 2010    Anche se è aprile Autor Ismail Kadare / Elvira Dones (trad. di) / Visar Zhiti (trad. di) / Marina Giaveri (a cura di) / Nullo Minissi (prefaz. di) / Massimo Scotti (nota biogr. e bibliogr. essenziale di) Genova: San Giorgio; Associazione Culturale Lerici Pea. Përmbledhje poetike nga Ismail Kadare shoqëruar me një studim kritik nga Alessandro Scarsella: 99-104 faqe. Të dhëna biografike dhe një listë bibliografike e veprave të Kadaresë: 109-114 faqe.
  4. 2008    Për Shqipërinë time = For my Albania = Za mojata Al’banija Autor Nënë Tereza / poetizoi e mbarështoi në shqip Visar Zhiti  / Avni Spahiu (përkth. në angl.) / Resul Shabani (përkth. në maqed.) / Drita Starova (red.) Tiranë: 55.
  5. 2005    Poezi të shkruara mbi gurë: tanka Autor Ishikawa Takuboku / Përkthyer nga Visar Zhiti Tiranë: Toena, 100 faqe.
  6. 2003    Mësomë të dua Poezi shqip-anglisht = Teach me to love: albanian-english poetry Autor Nënë Tereza / Avni Spahiu (përkth. në angl.) / Visar Zhiti (përkth. në shqip) Prishtina: Rozafa, 235 faqe.
  7. 2003    Mësomë të dua Poezi shqip – gjermanisht = Lehre mich zu Lieben: Gedichte Albanisch – Deutsch Autor Nënë Tereza / Visar Zhiti (përkth. në shqip) / Pren Kola (përkth. në shqip) / Hans-Joachim Lanksch (përkth. në shqip) Prishtinë: Rozafa, 240 faqe, 8 fl. me il.
  8. 2003    Mërmërimë shenjtoreje Lutje, poezi Autor Nënë Tereza / Mblodhi dhe poetizoi Visar Zhiti  / Loredan Bubani (red.) Tiranë: Omsca-1, 153 faqe.
  9. 2002    Miloshi, heroi i Kosovës Legjendë, kronika dhe përkthime Autor Ago Agaj / Mblodhi dhe përktheu Visar Zhiti  Tiranë: Toena, 82 faqe.
  10. 2001    Qëndresa në sytë e Kosovës Album [Kosovar fortitude] Autorë Roland Tasho (foto) / Jusuf Vrioni (përkth. në angl.) / Artur Cekodhima (përkth. në angl.) / Visar Zhiti (përkth. në angl.) Tiranë: Onufri, 55 faqe, me foto.
  11. 1999    Santa albanese di nome Madre Teresa Visar Zhiti (cord. edit.) / Ylli Polovina (cord. edit.) / Pamela Eringi (disegni) Roma: Costanzo d’Agostino, 62 faqe.
  12. 1999    Ballkon i hapur Poezi Autor Federico Garcia Lorca / Zgjodhi e përktheu Visar Zhiti Tiranë: Toena, 104 faqe, me il. Botimi ka tre vizatime të autorit.
  13. 1998    Fati i ditës Poezi botërore Autor Mario Luzi / Zgjodhi e përktheu Visar Zhiti / Eugenio Scalambrino (red.) Elbasan: Onufri, 125 faqe.
  14. 1997    Takohemi nëpër lutje Poezi Autor Nënë Tereza / Zgjodhi e përktheu Visar Zhiti Tiranë: Çabej MÇM, 56 faqe.

Poezitë e Visar Zhiti janë përkthyer dhe përfshirë në antologji të ndryshme dhe në gjuhët frengjisht, gjermanisht, polonisht, holandisht, greqisht, hebraisht, flaminge, arabisht, serbisht, malazeze, boshnjake, kineze, esperanto, etj.

Po kështu krahas përgatitjes dhe pajisjes me parathënie të shumë autorëve të tjera, ka përgatitur librat nga krijimtaria e babait të tij, Hekuran Zhiti, poema, komedi, drama dhe botimet e birit të tij, Atjon Zhiti.

Krijimet e Visar Zhitit janë futur dhe ne tekste shkollash edhe jashtë vendit, janë bërë dhe këngë jo vetëm në gjuhën shqipe, por dhe në italisht, anglisht, kanë frymëzuar piktorë e kineastë për dokumentare e filma, ndërkaq artikujt e tij nëpër gazeta janë me qindra, edhe në shtypin e huaj ashtu si dhe intervistat në RAI në Itali, në Vatikan, Spanjë, Rumani, Maqedoni, Kroaci etj.

Ka marrë pjesë në shumë veprimtari kulturore e diplomatike, kombëtare e ndërkombëtare, është ftuar nga biblioteka e universitete të ndryshme, nga festivale e Panaire të Librit brenda dhe jashtë vendit, në parlament e senate, duke filluar nga Kosova e  Maqedonia, Mali i Zi, Kroacia, Sllovenia, në Greqi e Rumani, në Europë, Itali e Vatikan, në Francë, Gjermani, Belgjikë, Spanjë, Zvicër, Turqi, në Afrikë në Egjipt, e deri në SHBA, në Librarinë Kongresit Amerikan.

Vepra Visar Zhitit vlerësohet nga lexuesi dhe kritika, vendase dhe e huaj, për guximin artistik dhe të vërtetën që mbart, për gjuhën e gjallë, plot me metafora e kumbime, për imazhet sa tronditëse, po aq dhe magjepsëse, ku gërshetohen realizmi i ashpër me fantazitë, e përditshmja dhe kohët, gëzimi i jetës dhe besimi te njeriu, dashuria e pafund, dhembja dhe tragjizmi, dritëhijet dhe misteri. E shkruar në vende të ndryshme, në burg dhe në metropole, fshehurazi dhe rrugëve, ajo ruan një harmoni të veçantë, origjinale mes vetes dhe me bëmat e qëndrimet e autorit.

Çmime letrar, kombëtare dhe ndërkombëtare

  1. Leopardi d’oro, Milano, 1991.
  2. Racconta il tuo Dio, Milano, 1992.
  3. “Çmimi Kombëtar” për veprën më të mirë në poezi, nga Ministria e Kulturës, Tiranë, 1994.
  4. “Velija” – Çmimi mbarëkombëtar për letërsi, Tiranë, 1995.
  5. Gaetano Salveti, Romë, 1997.
  6. Ada Negri, Lodi Vecchio, 1998.
  7. Premio Internazionale per la poezia: “La cultura del mare”, San Felice Circeo, 1999.
  8. “Naim Frashëri”, Tetovë, Maqedoni, 2001.
  9. “Kalimerja”, Ulqin, Mali i Zi, 2002.
  10. “Çmimi i parë i poezisë”, Gjakovë, Kosovë, 2003.
  11. “Penda e argjendë”, për romanin më të mirë të vitit nga Ministria e Kulturës, 2003.
  12. “Asdreni”, Korçë, 2005.
  13. Libri më i mirë i Panairit, Shkupi, 2007.
  14. Premio Internazionale “Mario Luzi”, Romë, 2007.
  15. Shkrimtari i Vitit, Panairi i Librit, Tiranë, 2008.
  16. Çmimi letrar “B. Musliu”, Gjilan, Kosovë, 2009.
  17. Çmimi kombëtar “Gjergj Fishta”, për Librin më të mirë studimor, Ministria e Kulturës, 2010.
  18. Diploma e përkthyesit – PEN, Tiranë, 2011
  19. Çmimi i Madh i Letërsisë, – Çmimi Karrierës, Ministria e Kulturës, Tiranë, 2012.
  20. Çmimi “Kurora e poezisë”, Korçë, 2014.
  21. Çmimi “Libri më i mirë i vitit”, Gjakovë 2015.
  22. Çmimi “Azem Shkreli”, Pejë, 2015.
  23. Çmimi “Il linguaggio dell’anima” (Gjuha e Shpirit), Narni, Ars Academi, Itali 2016.
  • Është anëtar nderi i Festivalit Ndërkombëtar “Ditët e Naimit” të Tetovës në Maqedoni.
  • Është anëtar i Akademisë Internacionale të Arteve të Bukura, të Letërsisë dhe Shkencës “Alfonso Grassi” në Itali.
  • Është anëtar i PEN Clubit në Itali
  • Është i përfshirë në enciklopedi të vendit (“Fjalori Enciklopedik”) dhe të huaja (“Piccolo Treccani”), në Itali, Mbretëria e Bashkuar, SHBA, etj.

DEKORIME

Ka marrë medalje e dekorata nga universitete dhe bashki të ndryshme, shoqata dhe institucione brenda dhe jashtë vendit, madje në vitin 2012, me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, dekorohet nga Presidenti i Republikës “Mjeshtër i Madh”.

  1. Premio alla Carriera, Romë, 2000

Medalja e Artë e Meritës – Academia Angelico Costandiniana në Jubileun 700 vjetorit të “Pontificio Santuario Santa Casa Loreto”, Itali 2016.

Libra: Redaktor

  • 2015    Për atë që dua(m)… Ese, statuse në facebook, recensa, poezi e përkthime të një 19 vjeçari të përhershëm Autor Atjon Zhiti / Përgatiti botimin Visar Zhiti / Alfred Lela (red.) / Valbona Nathanaili (red.) Tiranë: UET Press, 230 faqe, me foto.
  • 2014    100 poezi Autor Lucian Blaga / Luan Topçiu (përkth. dhe parath.) / Redaktor Visar Zhiti Tiranë: 55, 128 faqe.
  • 2013    Ndryshe nga çdo jetë Poezi Autor Kujtim Aliaj / Përgatiti Visar Zhiti / Loredan Bubani (red.) Tiranë: Omsca-1, 204 faqe.
  • 2012    Dashuri e papërfunduar Autor Katina Vlahu / Helisabeta Caco (përkth.) / Redaktor Visar Zhiti Tiranë: Dituria, 75 faqe.
  • 2011    Të mblidhemi në Lushnjë Dramë me tre akte Autor Hekuran Zhiti / Redaktor Visar Zhiti Tiranë: Uegen, 70 faqe.
  • 2007    Shpirti çam Poezi te zgjedhura Autor Namik Selmani / Redaktor Visar Zhiti  / Xhemil Lato (red.) Tiranë: Weso, 172 faqe.
  • 2005    Shenjtor dhe djall Poezi Autor Bardhyl Londo / Zgjodhi, përgatiti dhe redaktoi Visar Zhiti  Tiranë: Toena, 317 faqe.
  • 2005    Flatra shiu (hajku) 222 hajku për shiun Autor Milianov Kallupi / Redaktor Visar Zhiti Elbasan: Egnatia, 115 faqe.
  • 2004    Trishtim blu Poezi Autor Bislim Ahmetaj / Redaktor Visar Zhiti / Uk Zenel Buçpapaj (përkth. në angl.) Tiranë: Mërgimi A&B, 115 faqe, me il. Botimi përmban poezi edhe në        angl.
  • 2004    Kryengritje shqiptare në parajsë (të ribësh atin tënd) Vjersha dhe poema Autor Hekuran Zhiti / Zgjodhi e përgatiti Visar Zhiti / Eda Agaj (Zhiti) (red.) Tiranë: Omsca-1, 285 faqe, me foto.
  • 2004    Atdheu është lakuriq Poezi Autor Trifon Xhagjika / Xhevahir Spahiu (zgjodh. dhe përg.) / Jorgo Bllaci (red.) / Redaktor Visar Zhiti Tiranë: Naim Frashëri, 134 faqe.
  • 2003    Simfonia e takave Poezi Autor Skënder Rusi / Redaktor Visar Zhiti Tiranë: Toena, 94 faqe.
  • 2002    Shkuma e erërave Poezi Autor Besnik Myftari / Redaktor Visar Zhiti Tiranë: Onufri, 88 faqe.
  • 2002    Lufta e Vlorës Tregim i një pjesëmarrësi Kronikë, histori e dokumente, portrete, dialogë e folklor Autor Ago Agaj / Redaktor Visar Zhiti Tiranë: Toena, 376 faqe.
  • 2002    Këtu poshtë këndohet ” live” Poezi Autor Rita Petro / Redaktor Visar Zhiti / Uk Zenel Buçpapaj (përkth. në angl.) Tiranë: Albas, 76 faqe.
  • 2001    Valë në shpirt Poezi Autor Dhimitër Gabici / Redaktor Visar Zhiti Tiranë: Albpaper, 71 faqe.
  • 2000    Strehët e gjahut Autor Shefqet Dibrani / Redaktor Visar Zhiti Prishtinë: Faik Konica, 116 faqe.
  • 1996    Evropa e pikëllimit tim. Poezi Autor Jonuz Krasniqi / Redaktor Visar Zhiti Tiranë, 69 faqe.
  • 1995    Mërmërima në karrocën e invalidit Poezi / Autor Pëllumb Guri /Ilir Levonja (red.) & Redaktor Visar Zhiti Tiranë: Tirana, 64 faqe.
  • 1995    Meridianët i mjekon bukuria. Poezi dhe tregime Autor Novruz Xh. Shehu / Redaktor Visar Zhiti Tiranë : Naim Frashëri, 90 faqe.
  • 1995    Dy vëllezër në një prangë Poezi dhe tregime / Autorë Çaush Çoku & Bedri Çoku / Redaktor Visar Zhiti & Nasi Lera (red.). Tiranë: Naim Frashëri, 134 faqe.
  • 1995    Drithmë jete Poezi Autor Kudret Kokoshi / Redaktor Visar Zhiti Tiranë: Naim Frashëri, 99 faqe.
  • 1995    Dosja e diktaturës Autor Pjetër Pepa / Redaktor Visar Zhiti Tiranë: Naim Frashëri, 360 faqe, me ilustrime.
  • 1994    Shpella e vrasjes Roman Autor Spartak Ngjela / Redaktor Visar Zhiti Tiranë: Apolonia, 146 faqe.
  • 1994    Kristale ndjenjash. Poezi Autor Alma A. Mera / Redaktor Visar Zhiti Krujë: Jerusalem, 67 faqe.
  • 1993    Në kërkim të tjetrit Poezi Autor Gazmend Kapllani / Redaktor Visar Zhiti Tiranë: Naim Frashëri, 82 faqe.