Në barkun e balenës Nga Valbona Nathanaili

Në barkun e balenës

Nga Valbona Nathanaili

Admirali William H. Mcraven, veteran i flotës detare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe autor i librit “Nëse doni të ndryshoni botën…” beson, se çdo person është në gjendje të sjellë ndryshimin dhe ta bëjë vendin e tij shumë, shumë më të mirë: “Një amerikan ka mundësinë të takojë dhjetë mijë njerëz gjatë gjithë jetës. Nëse secili nga ne ka mundësinë të ndryshojë jetën e vetëm dhjetë personave, dhe secili nga këta të dhjetë, ndryshon jetën e dhjetë të tjerëve – vetëm dhjetë – atëherë përgjatë 125 viteve, do të kemi ndryshuar jetën e 800 milionë njerëzve!”.

Por jo të gjithë besojnë te ndryshimi nëpërmjet fjalës dhe te ndikimi që përçon ajo. Nëse lexon komentet që u bëhen artikujve të ndryshëm të botuar në mediat a portalet e shumta, nuk mungojnë komente të tipit: Pse shkruan? Kujt i flet!? Askush nuk të dëgjon!

Duket se efektet psikologjike të të jetuarit për një kohë të gjatë në një vend si i yni, me korrupsion, shitblerje vote dhe trafik parimesh, ku flitet për besën, por besë ka më shumë shitësi i domateve me hormone se sa pronari i një institucioni arsimor, kanë çuar në krijimin e një ndjenje shtypjeje dhe mungese dialogu, si dhe të një lloj mosbesimi ndaj fjalës së lirë, institucioneve dhe njerëzve që udhëheqin, pushtetarë a të zgjedhur qofshin dhe, të gjitha bashkë, në kultivimin e së ashtuquajturës “kulturë e autocensurës”. Fjala nuk është më e para!

Kjo kulturë autocensure, pavarësisht mënyrës se si paraqitet, naive ose jo, e paqtë ose jo, agresive ose jo, po forcohet përditë e më shumë dhe po ndikon, drejtpërdrejt, në ushtrimin e një censure edhe mbi të tjerët për të mos folur, nën moton “Për kë po e thua!” Duket sikur jetojmë në barkun e një balene, njësoj si Xhepeto te “Pinoku” i Kolodit! Në errësirë e të nënshtruar ndaj fatit, ushqehemi me mbeturinat e stomakut të kafshës së frikshme dhe ndriçohemi nga dhjami i saj, ndërsa shpëtimin e presim nga jashtë.

Nëse jemi të zhgënjyer nga politikanët, nga drejtimi i vendit, nga rruga që ka marrë zhvillimi, atëherë zgjidhja është te fuqizimi i institucionit të fjalës së lirë, të mendimit ndryshe, të shtimit të ndikimit. Nuk mund të thuash se jam edhe i lirë, edhe i vetëcensuruar; se jetoj në demokraci, dhe nuk kam besim te forca e fjalës dhe ndikimi që ka ajo

Pak… është më mirë se asgjë, thonë anglezët. Të flasësh… është më mirë se të heshtësh! Dështimi ose suksesi i demokracisë varet nga mundësia që u japim njerëzve që mendojnë në mënyrë të pavarur. Dështimi ose suksesi i demokracisë varet nga përkrahja dhe besimi që u ofrojmë njerëzve që kanë aftësinë të përmirësojnë cilësisht opinionin e përgjithshëm publik të thonë fjalën e tyre, nga përpjekjet e të gjithëve për të krijuar një shoqëri qytetare dhe të ditur. Nuk mund të pretendojmë se po ndërtojmë një shtet demokratik, nëse shoqëria nuk është demokratike. Shoqëria nuk bëhet demokratike duke zhvilluar autocensurën dhe kultivuar censurën, por duke besuar në disa vlera të përgjithshme dhe një nga këto është besimi te artikulimi i të vërtetave.

Fenomeni merr përmasa të mprehta në shoqëri ku një masë e madhe qeniesh njerëzore nuk kanë arsimimin dhe edukimin e duhur. Në raste të tilla, shprehej njëqind vjet më parë Giddings, shumica (lexo demokracia) vërtet pohon politikën e liderëve të zgjedhur, por kjo nuk do të thotë se ata punojnë detyrimisht në interes të saj.

Demokracia vërtet është hipokrizi, shprehet Orwell, por sado hipokrite të jetë, janë disa vlera te të cilat duhet të kemi besim. Për anglezët, patriotizmi shërben si një fije lidhëse për të gjitha shtresat e shoqërisë, njësoj si mblidhet tufa e bagëtive kur i duhet të përballet me ujkun.  Koncepte si drejtësia, liria dhe e vërteta objektive vërtet mund të jenë iluzione, por janë iluzione të fuqishme dhe te të cilat duhet të vazhdojmë të besojmë. Dhe padyshim të flasim në emër të tyre!

Autori Alberto Frashëri përballë gazetarit Dashnor Kaloçi

Refleksione të autorit dhe gazetarit rreth romanit “La Quinta”

D. Kaloçi: Romani juaj rrëfen jetën e një grupi artistësh nën regjimin totalitar në Shqipëri duke vënë në plan të parë represionin e diktaturës. Cili ka qenë objektivi, ose synimi juaj i vërtetë në këtë libër që botohet në Itali tre dekada pas rënies së atij regjimi?

A. Frashëri: Pas rënies sё nazifashizmit, arti me format e shumta tё tij e ka rivizituar realitetin dhe vuajtjet e shkaktuara nga dy prej totalitarizmave mё mizore tё historisё. Nё rastin e regjimeve totalitare tё Lindjes Europiane, pёrkundrazi, mbretëron njё heshtje relative e pafalshme. Nuk janё nostalgjitë pёr regjimet totalitare qё mund ta shpёtojnё botёn. Nuk mund tё jetё as propaganda e partive qё mund ta thellojё njohjen e tё vёrtetёs mbi tё Keqen Absolute tё shekullit XX. Vetëm arti, me tё gjitha format shprehёse tё tij, do tё mund t’u transmetojë breznive tё reja tё Vёrtetёn historike, bashkё me tragjedinë e vuajtjes njerëzore tё popujve europianё.

Universi dhe Natyra, misteri i tё Bukurёs dhe drita e Urtёsisё, Paqja si shprehje e Ekuilibrit dhe Harmonisё nuk kanё kombёsi. E dinё mirё artistёt qё nё aftёsinё krijuese shohin magjinё e Natyrёs dhe, nё njё farё kuptimi, edhe pavdekёsinё e Njeriut. Pёr kёtё bindje dhe ndjeshmёri fisnike artistёt janё viktimat e para tё regjimeve diktatoriale.

Asht ky sfondi historik i romanit “La Quinta”, nё tё cilin jam pёrpjekur tё rrёfej dramёn reale tё njё grupi artistësh qё e vuajtёn dhunёn fizikisht e shpirtёrisht, por pa tradhtuar aspak bindjet dhe ndjeshmёritё e tyre fisnike. Nga kjo pikëpamje, ata janё heronjt e vёrtetё tё asaj periudhe obskurantiste qё shumё prej sivёllezёrve tanё nuk njohin ose po e harrojnё.

D. Kaloçi: Hyrja e librit i ngjan një eseje. Cili është mesazhi që ju keni dashur të transmetoni me atë hyrje?

A. Frashëri

E shkruajta këtë roman jo si një realitet që karakterizon botën shqiptare, sepse atë eksperiencë e kanë përjetuar edhe kombe të tjera, kush më shumë e kush më pak. Ajo përvojë tregoi që totalitarizmi asht forma më ogurzezë e pushtetit që historia moderne ka njohur. Objekti apo argumenti kryesor i këtij libri asht konflikti midis artit dhe pushtetit që në rastin e regjimeve totalitare arrin format më të dhunshme e më absurde. Kjo ndodh sepse pushteti kurdoherë përpiqet të dominojë hapësirën që e ndan nga arti dhe shkolla. Arti dhe shkolla janё ato qё e bёjnё tё pavarur qytetarin, pra e bëjnë tё aftё tё mos bjerë nё grackën e propagandës por tё gjykojё mё objektivitet realitetin. Në rastin e totalitarizmave ky konflikt arrin shkallën më të lartë. Kjo rrethanë duhet të na bindë për rolin e madh që kanë shkolla dhe arti në jetën e një kombi. Sot, me që ra fjala, ideja për të shkatërruar teatrin e parë të rëndësishëm të vendit është e papranueshme, sepse ai teatër dëshmon veprën e shquar të një plejade artistësh për kulturën kombëtare. Historia ka kulturën si udhërrëfyes, si

frymëzues dhe si thelb të ekzistencës së një kombi. Ekonomia dhe të tjera fusha janë instrumente për të pasuruar kombin në të gjitha pamjet që na ofron kultura. Romani “La Quinta” i kushtohet pikërisht konfliktit mes formave të devijuara të pushtetit dhe kreativitetit të shoqërisë. Ky fenomen universal në kohë dhe në hapësirë nuk i përket vetëm botës shqiptare.

D. Kaloçi:Librin, me një sfond historik të pasur me ngjarje nga bota shqiptare, ju e keni shkruar në italisht dhe e botuat në Romë. Pse pikërisht në italisht dhe jo në shqip?

A. Frashëri

Shumë qytetarë e njerëz të shquar të artit në Shqipëri kanë punuar mjaft në këtë drejtim, si shkrimtarë, publicistë, muzikantë, piktorë etj. Unë jetoj në Itali dhe shoh që edhe atje, si në të gjitha shtetet perëndimore, ka nevojë të njihen disa karakteristika të totalitarizmit që janë trajtuar më pak, sidomos në art e letёrsi. P.sh. Musolini i detyroi profesorët të deklarojnë me shkrim besnikërinë ndaj fashizmit. Nuk ua kërkoi teknikut, inxhinierit apo ekonomistit, por thjesht njerëzve që ndikojnë formimin kulturor të qytetarit. Funksionin edukativ të shkollës dhe të artit ai donte ta vinte në shërbim të ideologjisë fashiste. Ata që nuk e deklaruan atë besnikëri u flakën nga shkolla. Pikërisht këto aspekte të totalitarizmit janë më pak të rrahura. Së dyti, bota perëndimore propagandon me të drejtë kundër totalitarizmit të majtë, por propaganda nuk asht në gjendje të zëvendësojë atë që mund të bëjë arti dhe letërsia. Historia formale na jep një kronikë të vyer e absolutisht të nevojshme ngjarjesh mbi evolucionin e shoqërisë, por këto mbeten larg dhimbjes njerëzore, pasioneve dhe meditimeve individuale. Ne jemi në gjendje të dallojmë njeriun e Romës së lashtë nga ai i kohës sonë vetëm në saje të veprave që na sjell arti: poezia, drama, romani, muzika, piktura etj. Në këtë det të pafund krijimesh, desha të shtoj diçka nga realiteti shqiptar: forcën dhe fisnikërinë me të cilën shqiptarët përballuan një nga format më të urryera e mizore të totalitarizmit. Përvoja shqiptare jep një kontribut të pamasë në njohjen e totalitarizmit të majtë, pra mendoj që duhet njohur si nga bota, ashtu edhe nga brezat e rinj në Shqipëri. Romanin e kam shkruar në italisht, jo vetëm sepse jetoj prej gati 30 vjetësh, por edhe sepse mendoj se ky argument u intereson të gjitha vendeve.

D. Kaloçi: Ngjarjet në libër janë kryesisht nga Shkodra në Tiranë. A ka diçka reale në personazhet dhe ngjarjet që tregoni?

A. Frashëri

Ky roman rrëfen ngjarje reale e që shqiptarët njohin mirë, por me personazhe të krijuara nga autori. Natyrisht, kush i ka jetuar ato vite, në personazhet kryesore të librit do të gjejë modele të ngjashme më artistë të njohur. Ajo që lexuesi i brezit tim gjen në atë libër asht ndjenja e frikës dhe pasigurisë që shoqëronte jetën tonë nga lindja deri në vdekje. Përkundrazi, lexuesi i ri, që fatmirësisht nuk e ka njohur atë regjim satrap e absurd, ka nevojë të njohi mirë atë formë të pushtetit arbitrar e despot për të evituar që në të ardhmen ai mjerim të përsëritet.

Në roman ka disa trama kryesore që lidhen me një grup artistësh, miq mes tyre e të talentuar. Në jetë e në punë ata survejohen nga policia politike, në të cilën një ish shok shkolle i tyre bën karriere dhe ka si detyre të vëzhgojë ambjentet artistike të qytetit. Njëri prej artistëve, basi lirik Marin Kraja, ishte kundër heqjes së veprave të klasikëve të muzikës botërore nga repertori i Teatrit të Operas dhe Baletit. Ai u përjashtua nga lidhja e shkrimtarëve dhe artistëve dhe iu dha gjykatës për dënim. Të njëjtin fat pësoi edhe piktori i talentuar, Naim Bregu, që u akuzua si modern dhe i papajtueshëm me ideologjinë e regjimit. Ky u dënua rëndë nga gjykata. E shoqja e këngëtarit iu nënështrua fatit dhe nuk e braktisi të shoqin edhe pse iu desh të punontë për bukën e gojës në një fermë bujqësore. Përkundrazi e shoqja e piktorit e fshiu nga jeta e vet të shoqin. Këto diferenca ne i njohim mirë. Dhuna arrinte deri sa të tjetërsonte deri dhe dashurinë, miqësinë apo të ndante familjet. Personazhi kryesor dhe më kompleks asht ai i një instrumentisti dhe kompozitori te ri, Fran Kola, që ka sukses, por presioni i regjimit ia vështirëson jetën dhe e godet pikërisht në veprën e tij më të mirë, “Poema e Paqes”, një koncert për trombë dhe orkestër në Do maxhor. Epilogu i romanit ka një farë spiritualizmi në mënyrën se si Frani e gjen shpëtimin. Një shpëtim virtual që e gjeti arsyen në Bukuritë e kësaj jete: Dashuria, Natyra, Liria dhe Muzika.

D. Kaloçi: Kopertina paraqit basorelievin e Rozafës, vepër e skulptorit Skënder Kraja. Është e rastit kjo zgjidhje, apo lidhet me përmbajtjen e romanit?

A. Frashëri

Jo, nuk asht e rastit. Libri hapet me legjendën e Rozafës dhe mesazhin e saj që në thelb shoqëron nga kreu deri në fund një ide që jam përpjekur ta përpunoj në libër. Heronjtë e romanit krijojnë veprat e tyre, edhe pse në kushte të lirive shumë të kufizuara. Ata e pyesin veten si asht e mundur që edhe në mjerim e në robëri njeriu të krijojë. Liria asht ajo që i jep krahë krijimtarisë njerëzore në të gjitha format e saj. Por edhe në historinë e regjimeve despote njeriu ka krijuar, në të gjitha fushat. Kjo e vërtetë mund të konkretizohet me legjendën e Rozafës, një Maksimum Absolut, edhe pse në pamje absurde. Rozafa që porsa kishte lindur, kur i thanë që do e flijonin, nuk kërkoi jetën, por u lut ta varrosnin pjesërisht, duke i lanë një sy, një gji dhe një dorë jashtë që të mund të kujdesej për fëmijën, krijesën e saj. Pra, një mesazh, që edhe pse makabër, asht nga format më njerëzore, tragjik dhe bindës për forcën e krijimtarisë të Njeriut: gruaja që edhe pas vdekjes përpiqet t’i japi jetë krijesës së vet. Pikërisht këtë mesazh të asaj legjende hyjnore, për thelbin që shpreh, desha ta vendos në piedestalin e njërës prej ideve kryesore të romanit: vendosmëria dhe forca krijuese e Njeriut janë të pathyeshme. Ajo i përket Natyrës njerëzore dhe nuk ka totalitarizëm që ta asgjësojë. Njeriu asht një krijesë e Natyrës, ndërsa totalitarizmi asht një tjetërsim i urryer i natyrës njerëzore. Jeta e ka konfirmuar këtë të vërtetë: ithtarët dhe liderët e totalitarizmave e kanë përfunduar jetën të dështuar si frikamanë, të dënuar e të urryer nga njerëzimi. Në këto rrethana medituese më lindi e natyrshme dëshira për të vendosur në kopertinë basorelievin e Rozafës, gjë që ma bëri të mundur me shumë fisnikëri autori i basorelievit, profesor Skënder Kraja.

D. Kaloçi: Titulli “La Quinta” tërheq vëmendjen. Çfarë shpreh dhe si do të ishte në gjuhën shqipe?

A. Frashëri

Këtë roman fillimisht e pata titulluar “Il sogno di un musicista”, pra “Ëndra e një muzikanti”. Ky titull ishte një shprehje domethanëse e epilogut të romanit. Nga ana tjetër muzika në këtë libër ka një rol të veçantë. Ajo përbën një farë sfondi që, sipas mendimit tim, harmonizohet mrekullisht me përmbajtjen. Heroi i romanit, Fran Kola, pas goditjes që merr nga regjimi, ka një ide kah vetëvrasja dhe sjell ndërmend fundin tragjik të Preng Jakovës. Në ato ditë të vështira mendja e tij virtualisht interpretonte muzikën e simfonisë së pestë të Bet’hovenit, si një ekuivalent shpirtëror dhe moral i jetës dhe pikëpamjeve të tija. Ai e braktis idenë e vetëvrasjes. Dashuria për shoqen e jetës, Rudinën, magjia e natyrës, ajri i pastër i malit, muzika e kësaj simfonie dhe fluturimi i një shqiponje që çuditërisht shoqëron shëtitjen e tij në mal krijojnë një atmosferë spirituale në të cilën Frani rigjen qartësinë dhe forcën për të mbijetuar.

Muzika ishte jeta dhe forca e tij. Për këtë arsye mendova që kjo simfoni t’i japi titullin romanit. Në italisht, titulli i shkurtuar qëndron, madje asht i bukur, “La Quinta”, d.m.th. “E pesta”. Për një version të këtij titulli në shqip, nëse kjo do të jetë e nevojshme, do të doja të konsultoj miq të mij muzikantë dhe gjuhëtarë.

D. Kaloçi: Ky është romani juaj i dytë që rrëfen jetën shqiptare gjatë regjimit totalitar të Hoxhës. Çfarë diference ka ndërmjet këtyre dy librave ose çfarë të reje sjell njëri kundrejt tjetrit?

A. Frashëri

Hannah Arendt ka shkruar shumë për totalitarizmin. Kjo filozofe gjermane, emigruar në ShBA e ka njohur mirë nazizmin dhe tragjedinë e luftës së dytë botërore. Atë tragjedi dhe ideologjinë përkatëse i trajton në aspektet filozofike në veprat e saj. Nga ana tjetër, shumë artistë trajtojnë të njëjtin problem me instrumentet që u ofron arti ku kontribuojnë. Sipas mendimit tim, problemi i totalitarizmit si formë e devijuar e pushtetit (ideologji e praktikë) asht gjithmonë aktual. Nëse duam të evitojmë praninë e një tirani në histori, duhet të kujdesimi për edukimin e të rinjve, duke filluar nga fëmijëria e hershme e tyre, sepse siç thotë Platoni “Në çdo njeri, dremit një tiran”. Kjo fjalë e urtë mund të interpretohet edhe në një rrethanë specifike: në çdo realitet ka shtresëzime të ideologjive të tilla si fashizmi, nazizmi dhe komunizmi që kemi njohur. Sot, fjala vjen, Europa po kalon një fazë të vështirë jo vetëm ekonomike, por edhe më thellë. Ato shtresëzime të ideologjive totalitare përtërihen sa herë që shoqëria hyn në krizë. Thuajse në të gjitha vendet europiane forcat ekstremiste po fuqizohen. Cili njeri mund të konfirmojë që kjo gjendje nuk ka rreziqe për demokracitë perëndimore? Qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm për rreziqet që sjellin situata të tilla. Shkolla dhe arti duhet të punojnë në këtë drejtim. . .

Në rastin e dy librave të mi, çfarë mund të them? I pari, “L’amara favola albanese”, tregon një realitet të dhunshëm nga pikëpamja dhe ndjeshmëria e një të riu, nga fëmijëria deri në përfundimin e studimeve universitare. Ai vëzhgon, mediton dhe dëshmon hipokrizinë e një sistemi absurd. Përkundrazi, romani “La Quinta” ka një hapësirë ngjarjesh, njё sfond historik e personazhe në të cilat jam përpjekur të rrëfej një nga konfliktet e shumta të regjimeve totalitare me shoqërinë: persekutimi i intelektualëve dhe njerëzve të fesë, censura e dhunshme e artit dhe madhështia e njeriut që e vuajti fizikisht dhe shpirtërisht atë regjim pa tjetërsuar aspak thelbin e tij: dëshirat, miqësitë, pasionet dhe bindjet. Jo të gjithë janë të vetëdijshëm për forcën që kombi shqiptar tregoi në atë gjysmë shekulli. E varfëruan në palcë, e internuan pa gjyq, e dënuan për një fjalë goje, por ai nuk e humbi fisnikërinë e tij. Ndoshta Shqipëria asht vendi i vetëm në të cilin asnjë ish i dënuar apo i internuar për dekada me pleq e fёmijё që u rritën rrethuar nga telat me gjemba, nuk ka tentuar të vrasë apo të hakmerret kundër njerëzve të atij regjimi.

D. Kaloçi: Njё pyetje tё fundit: a e keni menduar botimin nё shqip tё kёtyre dy librave?

A. Frashëri

Po, e kam menduar, por nuk kam patur asnjё sinjal apo interes nga ana e botuesve. Nё se kjo do tё konsiderohet e dobishme, atëherë duhet parë problemi i përkthimit. Profesoresha e letërsisë italiane, Loretta Santini, mё shkruante këto ditë: “Me ka tronditur leximi i këtij romani. Duhet të studiohet edhe në shkolla …” Dua tё shtoj, – dhe e mbyll, – qё romani “L’amara favola albanese” asht përfshirë shpesh herё nё programet e letёrsisё si lexim plotësues pёr njohjen e totalitarizmave tё shekullit XX. Ai libёr gjendet nё njё numër shumё tё madh bibliotekash kombëtare, universitare, krahinore, si dhe nё katalogёt e librave shkollorё. Pra problemi i botimit në shqip nuk varet nga unë, edhe pse ai botim do të më jepte një kënaqësi të veçantë.

 

Marrëdhëniet me Jugosllavinë – sipas burimeve diplomatike të kohës

Jugosllavi – Shqipëri, 1935

Marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë vazhdojnë të jenë të mira, që prej dy vitesh tashmë, por kjo cilësi ka munguar plotësisht më parë. Kur M. Yevtich deklaroi, në një fjalim të 14 marsit, se “politika jonë dhe përpjekjet tona janë të drejtuara sinqerisht drejt konsolidimit të pavarësisë së Shqipërisë dhe drejt bërjes së saj një anëtar me më shumë ndikimin në komunitetin e shteteve të Ballkanit dhe në familjen e kombeve”, ai vendosi një parim me të cilin, kemi të gjitha arsyet të besojmë, se qeveria e tij do të aderojë. Është një parim që udhëhiqet nga urtësia, sepse një Shqipëri mike shërben si mbrojtëse e kufirit jugosllav. Shqipëria, nga ana e saj, po bën gjithçka për të ruajtur harmoninë. Si rezultat i përpjekjeve të përbashkëta, incidentet në kufi, tensionet dhe grindjet e tjera që ishin të zakonshme më parë, pothuaj janë shuar. Fakti që Shqipëria ka patur acarime me Italinë ndikon sigurisht në këtë gjendje të mirë të gjërave.

Përpjekjet e bëra për të rritur nivelin e shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy vendeve, nuk janë kurorëzuar nga asnjë sukses i konsiderueshëm. Marrëveshja shtojcë e “Traktatit tregtar shqiptaro-jugosllav” të vitit 1926, nënshkruar në Beograd më 22 dhjetor 1933, ishte formuluar në mënyrë të tillë që të funksiononte mbi bazën e kuotave. Rezultatet nuk ishin aspak mbresëlënëse. Jugosllavia vazhdoi t’i shiste Shqipërisë çimento si më parë, por bëri pak për të blerë ullinj, hide dhe produkte të tjera që duhet të ishin pjesë e kontingjentit të saj. Ndoshta pati gabime nga të dyja palët. Shqiptarët nuk kishin organizim për eksport, kurse jugosllavët që në një moment ishin dakord për të blerë një shkallë të gjerë produktesh, u duk sikur kishin ndërruar mendje. Gjithashtu u vërejt se një degë e Bankës Jugosllave të Eksportit, e cila u hap në Tiranë dhe prej së cilës pritej shumë, i kufizoi transaksionet e saj tregtare në hapjen e një zyre leasing.

Një marrëveshje që mund të lehtësojë vështirësitë që u shkaktoi fshatarëve që jetojnë në zonat malore pranë kufirit, copëtimi i padrejtë i kufirit, është “Protokolli i zbatimit të aneksit C” të traktatit të vitit 1926, i nënshkruar në Beograd më 5 maj. Zona kufitare shqiptare, ajo që shtrihet për gjatë Jugosllavisë, ndahet në 9 sektorë. Banorët e çdo sektori kanë të drejtë të kalojnë kufirin lirisht në pikat e lejuara, për të blerë ose shitur në tregjet përkatëse, një në çdo sektor. Në fund të vitit, instrumenti nuk kishte hyrë ende në fuqi. Ai u pengua nga një grup deputetësh shqiptarë italo-filë, të cilët, duke e ditur se marrëveshjet që sanksiononte protokolli ishin në dëm të Italisë, në kuptimin që cënonin status quo – në e kufirit shqiptar, shfrytëzuan një gabim në formulimin e tekstit (Mbreti Zog quhej Mbret i Shqipërisë në vend të Mbret i Shqiptarëve) për të penguar kalimin e tij në parlament. Protokolli, kur të hyjë në fuqi, ashtu siç e kemi thënë edhe më parë, do t’i sjellë përfitime jo vetëm Shqipërisë, por edhe Jugosllavisë, e cila do të mundë të kursejnë në shpenzimet për mbrojtjen e kufirit. Një konventë e veçantë për Shkodrën dhe rrethinat e saj është në veprim që nga gushti.

Është përmendur në raportin e vitit të kaluar, se shkollat minoritare në fshatin Vrakë, afër Shkodrës, u mbyllën si pasojë e “shtetëzimit” të arsimit nga qeveria shqiptare. Vraka banohet nga popullsi e vërtetë jugosllave dhe është me të vërtetë minoriteti i vetëm jugosllav në Shqipëri. Banorët u larguan en bloc për në Kosovë, ku iu dha tokë. Gabimi i shqiptarëve me ndërhyrjen në çështjet fetare dhe të arsimimit të këtij populli – të cilët, ndër të tjera, janë bujq të shkëlqyer, – u duk në vitin 1934, kur çështja e vjetër e popullsisë shqiptare të Fushë Kosovës u acarua përsëri. Ligji për reformën agrare jugosllave u keqzbatua me qëllim, – ose të paktën kështu pretendojnë jugosllavët, – nga zyrtarët lokalë me qëllimin për të privuar shqiptarët nga pronat e tyre dhe për t’i detyruar të emigronin. Mbreti Aleksandër, si përgjigje ndaj ambasadorit të Madhërisë së Tij u shpreh se edhe Jugosllavët ishin detyruar të largoheshin nga Jugosllavia dhe të emigronin në Jugosllavi.

Një kroat me emrin Rudolf, që ka qenë refugjat në Shqipëri për tre vjet, u bë subjekt i disa kërkesave të bëra nga ambasadori jugosllav që nga vrasja e Mbretit Aleksandër. Mendohej se ai kishte patur letërkëmbim me Paveliç dhe kishte vepruar si ndërmjetës mes tij dhe konspiratorëve të tjerë. Nga shqiptarët u kërkua – si nder, jo si detyrim, bazuar në Traktain jooperativ të Ekstradimit – të dorëzonte atë dhe tetë jugosllavë të tjerë të cilët kishin gjetur strehim në këtë vend dhe konsideroheshin si dezertorë. Ata nuk pranuan ta merrnin në konsideratë kërkesën dhe iu përmbajtën linjës se këta njerëz janë refugjatë politikë, për rrjedhojë kanë të drejtë të kërkojnë azil. Sidoqoftë, pala jugosllave nuk kishte asnjë provë që t’i akuzonte si shkelës ligji për çështje të zakonshme apo për politikë. Gjithashtu, ishte e pakonceptueshme që ndonjëri prej tyre të ishte përfshirë në konsipiracionin kundër Mbretit Aleksandër, përderisa kishin qenë të mbyllur në Berat gjatë dy viteve të fundit. Deri tani kjo çështje nuk është bërë publike. Duket sikur Jugosllavët nuk kanë mundësi të justifikojnë kërkesën zyrtare.

Resto del Carlino (Romë) botoi gushtin e kaluar një raport nga Gjeneva ku flitej se një pushtim i armatosur i Shqipërisë po përgatitej në rrethet zyrtare serbe. Qëllimi i tij supozohej të ishte dëbimi i Mbretit Zog nga froni dhe zëvendësimi i tij me një diktator. Ngjarjet treguan se raporti ishte i pavërtetë.

Qeveria e Pandeli Evangjelit – sipas burimeve diplomatike të kohës

Qeveria e Pandeli Evangjelit

Qeveria e Pandeli Evangjelit, e cila u reformua në fillim të vitit 1933 qëndroi në pushtet gjatë gjithë vitit 1934. Përbërja e saj në fillim të vitit është si më poshtë:

  • Pandeli Evangjeli: Kryeministër / Vasil Avrami: Ministër i Drejtësisë / Musa Juka: Ministër i Brendshëm dhe Ministër në detyrë i Ekonomisë Kombëtare / Xhafer Vila: Ministër i Jashtëm / Mirash Ivanaj: Ministër i Arsimit  Publik / Sandër Saraçi: Ministër i Punëve Publike

Pati vetëm një ndryshim gjatë gjithë vitit. U vendos që gjatë verës të bëhej një emërim i përhershëm në Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare. Portofoli iu besua z.Dhimitër Berati, më parë Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Vlerësimi i cilësisë së anëtarëve të Kabinetit

Vlerësimi i cilësisë së anëtarëve të Kabinetit, bërë në raportin e vitit të kaluar, qëndron akoma.

Pandeli Evangjeli, Kryeministri, ndërsa vitet kalojnë – po kryen vitin e tij të pestë në atë post- po bëhet edhe më solemn, më i mbyllur dhe më këmbëngulës. Cilësitë e tij të mira çarmatosin kriticizimin; është i ndershëm, me paraqitje të jashtme të këndshme dhe mjaft i përgjegjshëm për detyrën që kryen.

Musa Juka, Ministër i Brendshëm, ka cilësi që kundërshtojnë metodat e tij të pakëndshme turke për sigurimin e rendit, sepse ai zotëron energji të pashtershme dhe njeh shumë mirë jetën e brendshme të vendit. Por është revoltuese vendi që ai i lë spiunazhit dhe organizimit të intrigave si një mjet për të siguruar respekt ndaj autoritetit.

Ministri i ri i Ekonomisë Kombëtare premton të jetë një aset i mirë, edhe pse duket pak i mërzitshëm dhe i rëndë, përsëri ka aftësi të admirueshme pune, zotëron gjithashtu njohuri për çështjet ekonomike dhe një logjikë të mirë.

Për ministrin e Punëve të Jashtme, Xhafer Bej Vila, duhet të themi se, edhe pse i mungonte guximi, krahasuar jo vetëm me Mbretin Zog, por edhe me kolegë të tij, veçanërisht me më të çarturin ndër ta Mirash Ivanaj, ministër i Arsimit, aktivitetet e të cilit në fushën e shkollave private bënë që Shqipëria të turbullonte marrëdhëniet me të gjithë fqinjët e saj – ai arriti të vendoste marrëdhënie miqësore me përfaqësuesit e huaj me të cilët e lidhte puna, dhe të cilët çmonin sinqeritetin e qëllimeve të tij dhe vështirësitë e pozicionit të tij.

Foto kryesore: Grup deputetësh duke dalë nga Pallati Mbretëror (godina e sotme e Akademisë së Shkencave). Deputetët mbajnë veshje kombëtare, të cilat ishin prodhuar enkas për ta për t’u përdorur në ditë festash. Në qendër, me frak, Pandeli Evangjeli, Kryetar i Parlamentit dhe në krah të tij Koço Kota, Kryeministër.

Bombardimi atomik i Japonisë dhe fundi i Luftës së Dytë Botërore

Bombardimi atomik i Japonisë dhe fundi i Luftës së Dytë Botërore

Më pak se 5 muaj nga sulmi japonez kundër bazës ushtarake detare të ShBA në “Pearl Harbor” (7 dhjetor 1941), ShBA organizuan një bombardim të përmasave të vogla kundër kryeqytetit të Japonisë, Tokios. Ky sulm ishte i nevojshëm për moralin amerikan, ndërkohë u tregoi japonezëve se nuk ishin të paprekshëm.

Më vonë gjatë luftës, bombarduesit amerikanë sulmuan ishujt japonezë nga bazat e tyre në Kinë, por vetëm në vitin 1944 Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërmorën një fushatë të vazhdueshme bombardimi. Për shkak të distancës me Japoninë, bombarduesit amerikanë nuk arrinin dot të godisnin objektivat dhe ktheheshin në bazat e tyre në Oqeanin Paqësor, deri sa u arrit kontrolli i ishujve të Marianës së Veriut.

Më 24 nëntor 1944, nga baza ushtarake në ishujt Marian, u ngrit aeroplani B-29 me rreze të gjatë veprimi. Më 9 mars 1945, një armatë prej 234 aeroplanësh B-29 zbriti në një lartësi prej më pak se 7 000 këmbë dhe hodhi 1 667 ton lëndë djegëse mbi Tokio, në rrjedhojë të të cilit u shkatërruan rreth 250 000 banesa dhe më shumë se 80 000 japonezë, shumica civilë, vdiqën. Vetëm bombardimi i aleatëve mbi qytetin e Dresdenit, Gjermani, një muaj me parë, ku u vranë 135 000 civilë, ia kalon bombardimit të Tokios.

Si Tokio, ashtu dhe Dresdeni ishin, së pari, objektiva civile, para se të ishin ushtarake. Para Luftës së Dytë Botërore, e drejta ndërkombëtare e konsideronte bombardimin e civilëve si veprim barbar dhe ilegal. Por pas disa vjet luftimesh, as forcat Aleate dhe as ato të Aksit, nuk bënin dallim midis objektivave ushtarake dhe atyre civilë. Duhet theksuar se ligjet e luftës kishin hierarki: një pilot mund të lëshonte tonelata me bomba dhe lëndë shpërthyese mbi qytetet e banuara dhe të mos dënohej, ndërkohë që një ushtar i thjeshtë shkonte në gjyq ushtarak edhe për keqtrajtim të civilëve.

Me gjithë bombardimet dhe ngushtimin e territorit të papushtuar, japonezët u përgjigjën me luftë. Kodi i tyre i luftës nuk e lejonte dorëzimin: ushtarët ose civilët më mirë vrisnin veten, se dorëzoheshin të gjallë. Në korrik 1945, amerikanët lëshuan më shumë se 1 200 bomba në javë kundër Japonisë; më shumë se një çerek milion njerëz u vranë nga bombardimet dhe më shumë se 9 milionë mbeten të pastrehë, por përsëri japonezët nuk jepnin shenja dorëzimi. Amerikanët filluan përgatitjet për pushtimin e Japonisë.

Të gjitha shenjat flisnin për një pushtim të mundshëm nga toka, por ShBA po përgatiteshin për të vënë në zbatim një projekt të mbajtur tepër sekret.

Më 16 korrik 1945, Manhattan Engineer District arriti të realizojë me sukses shpërthimin e parë atomik në histori. Kur presidenti i ShBA, Harry Truman, dëgjoi për eksperimentin e suksesshëm, shkroi në ditar: “Mund të jetë gjëja më e rrezikshme e zbuluar ndonjëherë, por edhe më e dobishmja”.

Truman kuptoi se “gjëja më e rrezikshme” mund t’i jepte fund luftës nga toka dhe të parandalonte dëmtime të tjera jo vetëm për aleatët, por edhe për popullsinë japoneze. Më 27 korrik 1945, Shtetet e Bashkuara të Amerikës lëshuan ultimatumin: Dorëzohuni, ose përndryshe Shtetet e Bashkuara do të hedhin “një super armë”. Japonia refuzoi!

Në orët e para të mëngjesit të 6 gushtit 1945, një B-29 e quajtur Enola Gay, me pilot Lejtnant Kolonel Paul Tibbets u ngrit nga baza e ishullit Tinian në Marianë. Në bord kishte vetëm një bombë atomike me peshë 8 000 paund dhe me fuqi shkatërruese prej 12.5 kiloton TNT. Tibbets e pilotoi avionin drejt Hiroshimës, e cila ishte përzgjedhur si objektiv i parë për shkak të bazave ushtarake dhe kategorizimit si zonë industriale. Zgjedhja e Hiroshimës kishte edhe një arsye tjetër: qyteti nuk ishte bombarduar më parë, kështu që do të mund të vlerësohej relativisht saktë fuqia shkatërruese e bombës.

Në orën 8.15 të mëngjesit, “Enola Gay” lëshoi pajisjen e pagëzuar “Little Boy”. Sipas pilotit të avionit, vetëm pak kohë më vonë, “një dritë e plotë mbushi avionin. U kthyem mbrapsht të shihnim Hiroshimën. Qyteti ishte mbuluar nga një re e tmerrshme… që fryhej dhe që prodhonte re të tjera”. Efekti i parë i “Little Boy” ishte vrasja e rreth 70 000 banorëve të Hiroshimës. Disa pretendojnë se kjo shifër është tri herë më e madhe, por është e pamundur të llogariten shifra të sakta, sepse nga kjo katastrofë u shkatërruan të gjitha të dhënat statistikore të qytetit.

Truman u kërkoi përsëri japonezëve të dorëzohen. Pas tri ditësh pa përgjigje, një tjetër aeroplan B-29 u ngrit përsëri nga Tinian, me një bombë edhe më të madhe atomike në bord. Objektivi i parë ishte Kokura, por meqë qielli ishte mbuluar nga retë, avioni iu drejtua objektivit të dytë, qytetit Nagasaki. Në orën 11.02 të paradites, të datës 9 gusht 1945, u lëshua bomba e pagëzuar me emrin “Fat Man”, e cila shkatërroi pjesën më të madhe të qytetit dhe vrau më shumë se 60 000 banorë.

Bombardime të tjera u bënë edhe ndaj disa qyteteve të tjera japoneze, më 9 gusht, dhe pesë ditë më vonë 800 aeroplanë B-29 bombarduan të gjithë vendin.

Më 15 gusht, Japonezët pranuan dorëzimin pa kushte. Lufta e Dytë Botërore kishte përfunduar.

Bombardimi atomik i dy qyteteve japoneze ka ngjallur e vazhdon të ngjallë mjaft debate. Informacionet japin dëshmi të ndryshme: disa referojnë se japonezët po përgatiteshin të dorëzoheshin, të tjera tregojnë të kundërtën. Me sa dukej, japonezët po përgatiteshin për të stërvitur popullsinë civile për përdorimin e armëve, me qëllim përballimin e sulmit nga toka. Në atë kohë, kundërshtarët e bombardimit atomik nuk e dinin se bombardimet “normale” të kryera ndaj Tokios dhe Dresdenit shkaktuan edhe më shumë dëme. Disa historianë theksojnë se humbjet në Hiroshima dhe Nagasaki ishin më të pakta se sa mund të ishin shkaktuar nga sulmi tokësor ose nga vazhdimi i bombardimeve.

Pavarësisht debateve, nuk ka dyshim se hedhja e bombave atomike në Japoni i dha fund Luftës së Dytë Botërore. Sulmet mbi Hiroshima dhe Nagasaki janë të vetmet betejat nga ajri që vendosën për fatin e një konflikti ushtarak. Sulmet nga ajri, si më parë, ashtu edhe më pas, kanë shërbyer si plotësuese të sulmeve nga toka. Siç u konfirmua edhe nga bombardimet e aleatëve në Irak gjatë operacionit “Stuhia e Shkretëtirës”, dhe në Bosnjë, sulmet nga ajri vërtet ua bëjnë jetën të vështirë popullsive civile, por betejat dhe luftërat vazhdojnë të vendosen nga forcat tokësore.

Sulmi atomik mbi Japoni përveç se përshpejtoi fundin e luftës, u dha Shteteve të Bashkuara një supremaci ushtarake të paarritshme – të paktën për një kohë të shkurtër, deri sa Bashkimi Sovjetik prodhoi armët e veta atomike. Dy superfuqitë filluan garën për armatim atomik, e cila rrezikoi disa herë shkatërrimin e botës. Vetëm traktatet dhe kërcënimet për shkatërrim reciprok total i kanë mbajtur deri më sot armët atomike të pashfrytëzuara.

A po pakësohet varfëria?

A po pakësohet varfëria?  

Në vitin 1964, kur Presidenti i ShBA-së Lindon Xhonson i shpalli “luftë varfërisë”, i kërkoi ekonomistes Mollie Oshansky të përcaktonte pragun e varfërisë, thënë ndryshe, një minimum të ardhurash të nevojshme për të mos qenë i varfër. Sipas Oshansky, varfëri do të thotë “të ardhura të pamjaftueshme për të siguruar ushqim, strehim dhe veshjet e nevojshme për të ruajtur shëndetin”. Sigurisht që kërkesat minimale për strehim dhe për veshje ishin të vështira për t’u vlerësuar, por jo edhe kërkesat për ushqim. Në vijim të përkufizimit të ekonomistes, Departamenti i Bujqësisë i ShBA-së përcaktoi disa lloje dietash që plotësonin kërkesat minimale ushqimore. Kështu që Oshansky e quajti të përfunduar me sukses detyrën duke zgjedhur dietën më pak të kushtueshme, të cilën e shumëzoi me tre: një e treta për ushqim, një e treta për strehim dhe një e treta për veshje. Në këtë mënyrë u vlerësua pragu i varfërisë, ose  kufiri i të qenit i varfër. Kushdo që binte nën atë prag, klasifikohej si i varfër (Andrew, 1999).

Por ky sistem kishte problemet e veta! Së pari, strehimi dhe veshja kushtojnë shumë më tepër se ushqimi. Së dyti, nuk merrnin parasysh ndryshimet e mëdha të kostos së jetesës në rajone të ndryshme të Shteteve të Bashkuara. Për shembull, në Omaha ushqimet kushtojnë 24% më pak se në Çikago, 22% më pak se në Boston dhe 30% më pak se në Kuins të Nju Jorkut. Strehimi në Omaha kushton sa gjysma e çmimit në Çikago dhe 53% më pak se në Boston ose në Kuins. Akoma, ky lloj kufiri varfërie nuk merr parasysh faktorë si kujdesin për fëmijët, kujdesin shëndetësor dhe transportin, që janë po aq të nevojshme për të ruajtur shëndetin.

Në rrjedhojë të problemeve që paraqiste një përkufizim i tillë, sociologu Fred Block, paraqiti një perceptim tjetër për të ilustruar varfërinë dhe standardet e jetesës. Në vend të “kufirit të varfërisë”, Blocku llogariti “kufirin e ëndrrës”, ose  thënë ndryshe, bëri vlerësimet e kostos që ka versioni i pazbukuruar i ëndrrës amerikane, për një familje me katër veta dhe jeton në zonat urbane ose në periferinë e qyteteve. Kjo llogaritje përfshin katër elementë: strehimin (zotërimi i shtëpisë për një familje të vetme), kujdesin e cilësisë së lartë për fëmijët, mbulimin e plotë të kujdesit shëndetësor dhe arsimimin më të lartë të mundshëm (aq kursime sa duhen për të siguruar ndjekjen e universitetit publik ose të kolegjeve katërvjeçare për të dy fëmijët).

Nga llogaritjet, “kufiri i ëndrrës” e kapërcen shumën prej 46 509 dollarë/vit që, sipas statistikave, përsëri është shumë e vogël, sepse si mesatare kombëtare as nuk i afrohet shumës që njerëzit paguajnë për këto shërbime në zonat kryesore metropolitane. Aktualisht, nëse të dy prindërit e një familjeje punojnë me një rrogë minimale, ata fitojnë 20 600 dollarë /vit dhe kjo është më pak se gjysma e ëndrrës amerikane. Duket se “ëndrrën amerikane” nuk e arrijnë dot shumë amerikanë. Dhe çfarë është më e trishtuar, ëndrra amerikane është më e vështirë për t’u arritur sot, nga sa ka qenë për një brez më parë. Në periudhën 1973-2003, kostot e strehimit janë rritur me 515%, ato të kujdesit për fëmijët me 736%, arsimi i lartë është shtrenjtuar me 679% dhe sigurimi shëndetësor është shtrenjtuar me 1 775%, ndërsa të ardhurat mesatare për një familje me katër anëtarë janë rritur me 21.9%.

Ndërkohë, ndonëse Shtetet e Bashkuara zënë vendin e dytë në botë për GDP/person më të lartë në botë (pas Luksemburgut), përsëri 12,6% e popullsisë jeton nën pragun e varfërisë [Agjencia Qendrore e Zbulimit, 2007; Zyra Amerikane e Regjistrimit, 2006; Banka Botërore, 2006; “GDP/person” është prodhimi i brendshëm bruto, vlera e përgjithshme e mallrave të prodhuara në një vend e pjesëtuar me numrin e banorëve – një masë standarde e pasurisë totale të zhvillimit ekonomik të një vendi. GDP/person tregon fare pak për shpërndarjen e pasurisë dhe asgjë se çfarë zotëron një familje, ose nëse ajo pasuri është ndarë vërtet në mënyrë të barabartë për secilin].

Jo të gjithë të varfrit janë të papunë

Një raport i vitit 2005 i Departamentit të Punës i ShBA pohon, se tre në pesë njerëz të varfër kanë qenë të punësuar me kohë të plotë, por përsëri të ardhurat e kësaj kategorie nuk e kapërcenin kufirin zyrtar të varfërisë.

Fëmijët dhe familjet me një prind grua kanë më tepër gjasa për të shtuar radhët e të varfërve

Trembëdhjetë milionë fëmijë amerikanë në moshën 18 vjeç jetojnë në familje me të ardhura nën kufirin zyrtar të varfërisë dhe ky numër është gjithnjë në rritje (Fass dhe Cauthen, 2006). Fëmijët e vuajnë më shumë se të rriturit kujdesin e pakët shëndetësor, ushqimin e dobët dhe kushtet e pashëndetshme të jetesës. Efektet e varfërisë bëhen të dukshme në vdekshmërinë foshnjore, një e dhënë që tregon se sa fëmijë mbijetojnë vitin e parë të jetës së tyre dhe sa shumë vdesin nga kequshqimi, nga sëmundjet, nga aksidentet dhe nga braktisja. Shkallët më të ulëta të vdekshmërisë foshnjore i gjejmë në shtetet tepër të industrializuara, si Suedia (2.77 vdekje për 1.000 fëmijë), Japonia (3.28) dhe Spanja (4.48).

Feminizimi i varfërisë

Studiuesit e shkencave sociale argumentojnë se varfëria po “feminizohet” gjithnjë e më shumë, që do të thotë se gratë përbëjnë një numër gjithnjë më të madh njerëzish të varfër. Imazhi i mashkullit të varfër është zbehur dhe sot po zëvendësohet me atë të një nëne të vetmuar. Ky feminizim i varfërisë nuk ka qenë kurrë më i dukshëm se sot në radhët e të varfërve mbi moshën 18 vjeç, ku statistikat japin këto shifra: 61% janë gra dhe 39% janë burra. Nga të gjitha familjet e varfra, ato që drejtohen nga gratë përbëjnë 51% të familjeve të varfra. Gjatë 40 vjetëve të fundit, numri i familjeve me një prind që drejtohen nga gratë është rritur më tepër se dy herë (Zyra Amerikane e Regjistrimit, 2006). Në vitin 2000, 11% e të gjitha familjeve në Shtetet e Bashkuara jetonin në varfëri dhe 28% e tyre qenë familje të drejtuara nga nëna të vetmuara (Dalakar, 2001).

Të mbash një familje është e vështirë për nënat e vetmuara edhe sepse rrogat e grave janë shpeshherë më të ulëta se të burrave. Kjo pabarazi vihet re në shkallë globale. Në vendet e varfra gratë vuajnë dyfishin e mungesave: mungesat që ka jeta në një vend të varfër dhe mungesat që u imponohen sepse janë gra. Në vendet me të ardhura të larta, gratë jetojnë shumë më gjatë se burrat: në Francë jetojnë 8.26 vjet më tepër se burrat, në Zvicër 7.23 vjet dhe në Shtetet e Bashkuara 6.55 vjet. Por në vendet me të ardhura të ulëta, hendeku i jetëgjatësisë midis grave dhe burrave është shumë më i ngushtë: në Zaire 3.29 vjet, në Sudan 2.40 vjet dhe në Indi 1.10 vjet. Madje në Nepal dhe në Guine kjo diferencë jetëgjatësie është e përmbysur: burrat jetojnë pak më gjatë se gratë. Gjithsesi, për disa studiues, arsyeja për këtë hendek të ngushtë në jetëgjatësinë midis grave dhe burrave është shkalla e lartë e vdekjeve mes burrave, si pasojë e niveleve të larta të krimit, aksidenteve në punë dhe luftërave të përhershme. Dhe sigurisht që gratë vuajnë në ato shoqëri, ku e tërë jeta e tyre përmblidhet te lindja dhe rritja e fëmijëve.

Shpjegimi i varfërisë          

Pse ka njerëz të varfër në botë? Mos ndoshta sepse kanë lindur të varfër dhe nuk punojnë aq sa duhet për t’i shpëtuar varfërisë? Apo sepse i pengon ndonjë problem fizik, intelektual a emocional që mund të kenë? Një shpjegim i përgjithshëm është se njerëzit janë të varfër, sepse u mungon iniciativa, energjia, ambicia e disiplina. Në një vëzhgim të kryer në ShBA u shtrua pyetja: “Mendoni se ndryshimet në pozitën sociale të njerëzve janë të pranishme, sepse pasqyrojnë atë që bënë njerëzit me mundësitë që patën?” 73% e të anketuarve u përgjigjën “Po”. Pra, në ShBA ekziston besimi i rrënjosur prej kohësh se njerëzit janë të varfër sepse janë të pamotivuar, dembelë dhe nuk përpiqen aq shumë në jetë, ose sepse ata nuk duan të punojnë.  Një varfëri e tillë quhet “varfëri e papërligjur”. Ndërkohë që kemi edhe një kategori tjetër të varfërish, “të varfrit e përligjur”, ku hyjnë përgjithësisht vejushat, jetimët, fëmijët dhe të gjymtuarit, të cilët nuk mund ta shmangin dot varfërinë.

Krejt ndryshe ndodh për shembull në Francë. Nëse dikush sheh një të varfër, pavarësisht kategorisë ku mund të përfshihet në një studim, perceptimi i tij është se shteti ka dështuar. Le t’i përmbahemi kësaj linje, pra varfërisë si problem strukturor dhe jo si dështim personal. Shtrohet çështja: Njerëzit janë të pamotivuar dhe u mungon ambicia sepse janë të varfër, apo janë të varfër, sepse u mungon ambicia?

Në librin Nickel and Dimed (2001) gazetarja e mirënjohur, Barbara Ehrenreich, përshkruan një eksperiment të tillë. Ajo vendosi të jetojë me rrogë minimale për një vit.  E “maskuar” si e varfër, kërkoi dhe e morën në punë si kameriere në Florida, si shërbyese në Mejn dhe si punonjëse në firmën Wal-Mart në Minesota. Në fillim u shqetësua se nuk do të ishte e aftë të ruante maskimin. Sipas saj, koleget e punës do të vinin re shumë shpejt inteligjencën dhe kompetencën e saj më të madhe dhe do të kuptonin që nuk ishte “një prej tyre”, ose  që bosi do ta pikaste e do ta caktonte shpejt në një post menaxherial. Por nuk ndodhi asnjëra! Ehrenreic nuk ishte as më e mprehtë dhe as më kompetente se sa të tjerat në punët me rrogë minimale. Kur u kthye sërish në profesionin e saj si gazetare e mirënjohur, arriti në përfundimin se stili i saj i jetës së privilegjuar kishte të bënte fare pak me energjinë, ambicien, inteligjencën dhe talentin, por  shumë më tepër me pozitën sociale. Sipas antropologes Katherine Newman, njerëzit e varfër punojnë më shumë se njerëzit e pasur – shpesh herë duke bërë edhe dy punë të vështira dhe rraskapitëse (Newman, 1999).

Kultura e varfërisë

Në vitin 1965, sociologu Oscar Lewis hodhi tezën e kulturës së varfërisë (Lewis, 1965), sipas së cilës varfëria nuk është rezultat i paaftësive individuale, por i faktorëve më të gjerë, socialë dhe kulturorë. Fëmijët e varfër rriten me besimin se nuk kanë pse të rropaten dhe se është e kotë të punojnë për të përmirësuar kushtet e tyre. Në rrjedhojë, i nënshtrohen kushteve të  një jete në varfëri. Varfëria transmetohet nga njëri brez në tjetrin.

Ne përpiqemi ta sfidojmë një nocion të tillë, veçanërisht në ShBA: “Amerika është një shoqëri e hapur. Ajo që njeriu arrin në jetë, nuk varet nga mjedisi familjar, por nga aftësitë që ka dhe nga arsimimi që kërkon ai vetë.” Një pohim të tillë e miratojnë 84 % e të anketuarve të klasës punëtore, 87% e të anketuarve të klasës së mesme dhe 80% e të anketuarve të klasës së lartë (80%).

Strukturat e pabarazisë

Sot pranohet gjerësisht se varfëria vjen nga faktorë të shumtë, kombëtarë e ndërkombëtarë, faktorë që shpesh asnjë individ nuk është në gjendje t’i kontrollojë, si ndryshimet ekonomike, globalizimi, racizmi dhe politikat qeveritare (për shembull, rrogat minimale, sigurimet shoqërore, financimet publike ose  subvencionimet e kujdesit shëndetësor e të kujdesit të përditshëm për fëmijët dhe iniciativa të tjera kundër varfërisë). Varfëri do të thotë arsimimi i mangët, shkallë e lartë e sëmundjeve kronike, kujdes shëndetësor i dobët ose inekzistent, strehim i papërshtatshëm, mundësi më e madhe për të qenë viktimë e krimit dhe gjasa më të shumta për t’u etiketuar si kriminel.

Pra, nuk duhet të pohojmë se pasuria dhe varfëria janë atribute të individëve. Përndryshe është justifikim! Akoma, nuk duhet të pranojmë se vetëm ata që punojnë shumë dhe sakrifikojnë shumë ia dalin në krye, kurse ata që nuk i kanë bërë këto, nuk ia kanë dalë!

Pasuria dhe varfëria janë tipare strukturore të një shoqërie, janë relative dhe varen më shumë nga cili jeni, se sa nga sa shumë punoni.

Pasuria dhe varfëria janë të lidhura me njëra-tjetrën. Të varfrit janë të varfër sepse të pasurit janë të pasur. Garantimi i një stili jetese prej të pasuri kërkon që disa njerëz të jenë të varfër. Varfëria shpie në pakësimin e shanseve për jetë më të mirë, kufizimin e mundësive për të siguruar kujdes shëndetësor e arsimim. Varfëri do të thotë varësi nga puna e mungesë mundësie për të shijuar pak kohë të lirë. Njerëzit që ndodhen në majë të hierarkisë sociale kanë burime që u sigurojnë shfrytëzimin e të gjitha mundësive që u paraqiten, duke filluar nga zgjedhja e një shkolle e trajnimi nga më të mirët, deri te kryerja e një pune edhe të papaguar. Për më tepër, burimet u shumta u lejojnë njerëzve të klasës së lartë të përballen e dalin me sukses nga një interval i gjerë problemesh që të vë përpara jeta, si sëmundje dhe aksidente, procese gjyqësore dhe papunësi, që rrënojnë jetën e njerëzve të varfër. Avantazhet nisin herët dhe mbeten për tërë jetën.

Përsëri “Ëndrra amerikane”

Për breza të tërë, thuajse çdo fëmijë amerikan është rritur duke dëgjuar se në Amerikë “mund të bëheni edhe President i Shteteve të Bashkuara”. Si provë të kësaj tregohet e ritregohet  historia e Abraham Linkolnit (1809-1865), lindur në një kasolle druri dhe që shkruante ku të mundej,  sepse nuk mund të gjente letër. Por sipas librit Abraham Linkolni: Njeriu pas miteve (Oates, 1994), Linkolni vërtet ka lindur në një kasolle druri pranë Hodgenvill-it në Kentaki, por nuk ka qenë aspak i varfër. Në kohën e tij, kasollet prej druri kanë qenë të zakonshme në zonat e largëta, ndërkohë që familja zotëronte një fermë me 238 akra tokë dhe babai i tij ishte një nga pronarët më të mëdhenj të zonës. Dhe sigurisht kishte edhe letër edhe penë për të bërë detyrat e shtëpisë.

Pakësimi i varfërisë

Në vitin 1964, kur Presidenti Xhonson i shpalli “luftë varfërisë”, ishte optimist se ishte një luftë që mund të fitohej. Gjysmë shekulli më vonë varfëria tregoi se është një armik më i vështirë nga sa mund të mendohej. Dhe jo sepse njerëzit e varfër janë mësuar me varfërinë aq sa nuk dëshirojnë të punojnë për të shpëtuar prej saj, por sepse themelet strukturore të varfërisë duket se janë të rrënjosura thellë. Gjysma e popullsisë së botës, ose afro tre miliardë njerëz, sot jetojnë me më pak se një dollar në ditë. Prodhimi i Përgjithshëm Bruto i 48 vendeve më të varfra të botës, që përbëjnë 25% të kombeve të globit, është më i vogël se pasuria e tre popujve më të pasur të botës të marrë së bashku. Gjithsesi, në ditët e sotme, numri aktual i të varfërve të botës është pakësuar: në vitin 2001 jetonin në varfëri 390 milionë njerëz më pak se 20 vjet më parë.

 Pakësimi i varfërisë, Shqipëria dhe ëndrra shqiptare

Përpjekjet janë për ta pakësuar varfërinë! Shoqëri të ndryshme zbatojnë strategji të ndryshme. Në të vërtetë në të gjitha vendet industriale zbatohet sistemi i mirëqenies sociale, që u siguron të gjithë qytetarëve mundësitë strukturore themelore për të dalë nga varfëria, sistem që përfshin arsim falas, kujdes shëndetësor kombëtar, ndihmë dhe strehim social. Shqipëria është një prej atyre vendeve që nuk i plotëson këto kërkesa strukturore themelore dhe, për këtë arsye, njerëzit e varfër shpenzojnë pothuaj gjithë të ardhurat për strehim, kujdes shëndetësor, veshje dhe ushqim. Nga ana tjetër, përpjekjet për të pakësuar varfërinë janë mbështetur, kryesisht, në ndihmën e “jashtme”: fonde nga vende më të pasura, organizata të ndryshme bamirëse, Organizata Botërore e Shëndetësisë etj. Duhet theksuar edhe keqpërdorimi që u është bërë fondeve për ndërtimin e mirëmbajtjen e infrastrukturës (rrugëve, spitaleve dhe shkollave) ose për të mbështetur prodhimin bujqësor që do të thotë se shumë pak nga paratë e mbledhura për këtë punë kanë përfunduar vërtet tek të varfrit. Varfëria vazhdon të jetë pjesë e së përditshmes në Shqipëri dhe një fenomen pothuaj i zakonshëm, ndërsa “ëndrra shqiptare” nuk ka ekzistuar ndonjëherë, të paktën jo në kuptimin amerikan!

 

Burimi

Sociologjia sot. Autorë  Michael Kimme, Amy Aronson. Me ndihmën e Jeffery Dennis. Përpiloi dhe përshtati Valbona Nathanaili

Një komb në rrezik Nga Valbona Nathanaili

Një komb në rrezik

Nga Valbona Nathanaili

Çmimi “Nobel” në Ekonomi për vitin 2018 u nda ndërmjet studiuesve William D. Nordhaus nga Universiteti i Yale-s (ShBA) dhe Paul M. Romer nga Universiteti i New York-ut (ShBA), për futjen në agjendën e diskutimeve në shkencën e ekonomisë të dy çështjeve që kanë qenë objekt shqetësimi për një kohë të gjatë për shoqërinë, ndryshimet klimaterike dhe inovacioni në fushën e teknologjisë.
Shkurt, deri dje, kemi paguar karburantin dhe komoditetin e lëvizjes me makinë, por jo çmimin e ndotjes së atmosferës; kemi paguar gjithnjë më pak për teknologjinë e re dhe jemi kënaqur që kompjuterët shiten më lirë, por nuk na ka interesuar se bashkë me çmimin, është zhvlerësuar edhe gjenerata e dijes. Nëse vëmë përballë ekonomistët e tregut të lirë me aktivistët për mbrojtjen e interesave të publikut, të parët, në përgjithësi, llogarisin dhe promovojnë vetëm kostot e drejtpërdrejta të mallit; grupi i dytë interesohet edhe për kostot që prodhimi e qarkullimi i këtij malli ka në natyrë a shoqëri. Arritja është kur mbrojtja e interesave të publikut vjen nga radhët e vetë ekonomistëve, ose nga brenda.

Në këtë mjedis tejet konservativ, dy amerikanët patën kurajën, vizionin e largpamësinë të identifikojnë dhe llogarisin dëmin që i bëhet shoqërisë nga djegia e karburantit në mënyrë të pakontrolluar dhe zhvlerësimi i dijes, duke ndërhyrë me variabla të rinj dhe krijuar modele matematikore që e shndërrojnë në vlerë këtë dëm. Studimet u shndërruan në apel për qeveritë për të mos bërë sehir. Dhe falë gjetjeve të tyre, sot pothuaj të gjithë shtetet kanë vendosur taksën e ndikimit negativ në përbërjen e atmosferës nga djegia e karburanteve (e njohur si taksa e karbonit), ndërkohë që janë ndërgjegjësuar për investimet e vazhdueshme që duhen bërë për të mbështetur e nxitur shkencën e teknologjinë.

Gjuha vete ku dhëmb dhëmbi! Duke referuar përsëri tregun dhe mosfunksionimin e tij në mënyrë ideale në segmente të caktuara, që do të thotë nevojën që kemi si shoqëri për të korrigjuar mekanizma të caktuar të modelit fillestar (template) të tregut, përpos sa më sipër, mund të ngrihet edhe një shqetësim tjetër, në fakt i vjetër për vendet e tjera, por jo për vendin tonë: A funksionon idealisht tregu i lirë edhe në sektorin e arsimit? Thënë ndryshe, kur blejmë shërbimin që ofron një universitet a një shkollë, domethënë arsimimin nga çasti i regjistrimit deri në atë të pajisjes me diplomë, çmimi që paguajmë mbulon të gjitha kostot që llogarisin zakonisht ekonomistët, duke filluar nga amortizimi i ndërtesës ku bëhet mësim, pagat e pedagogëve dhe shumë të tjera. Në mënyrë ideale, çmimi mbulon kostot që referon vetëm shërbimet që ofrohen nga çasti i regjistrimit deri në atë të diplomimit, pra kënaqin individin për çfarë ka paguar. Çmimi nuk merr në konsideratë kostot që duhet të paguajnë brezat e ardhshëm nga furnizimi me këta të diplomuar, të cilët do të hartojnë politika e marrin vendime edhe në emër të tyre. Kjo kosto ekstra quhet eksternalitet dhe në rastin e shkollës, në përgjithësi, duhet të jetë pozitive: me supozimin që universiteti ka qenë cilësor dhe të diplomuarit ndikojnë pozitivisht në zhvillimin e vendit.

Që kjo kosto të mos jetë negative, pra që të diplomuarit të mos “ndotin” atmosferën tonë sociale dhe të dëmtojnë zhvillimin e progresin e vendit në dhjetëra vitet në vijim, na duhet një ent rregullator që jo vetëm të certifikojë cilësinë e këtij shërbimi, por edhe të ofrojë informacion për studentët se çfarë ndodh në këto shkolla.

Në vitin 1983, Këshilli Kombëtar për Ekselencën në Arsim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, harton një raport me titull “Një komb në rrezik”. Raporti përshkruante standardet e ulëta në performancën e nxënësve amerikanë, ndërkohë që vetë kurrikulën e cilësonte si një menu kafeneje, ku antipasta dhe ëmbëlsira mund të merren lehtë si pjata kryesore dhe, vetë mësuesit, si të papërgatitur. Raporti kërkonte ndryshime në përmbajtjen akademike, duke e cilësuar si mediokre apo edhe katastrofë për sistemin amerikan, si dhe rritjen e pritshmërive për cilësinë e sasinë e dijes dhe të mësimdhënies.

A jemi edhe ne “Një komb në rrezik”?

Për të arritur në një konkluzion të tillë, na duhen raporte të kësaj natyre, që në fakt mungojnë, por kemi arsye të shqetësohemi se menuja që ofrohet është jo vetëm e tipit “kafe”, por edhe vetë kafeja shpesh nuk është as kafe, por lëng gështenjash. Për ilustrim dhe në vijim të argumentit shtruar më sipër, po marr shembullin e një programi edukimi që ofrojnë dy universitete të ndryshme që përgatisin mësues. Në Universitetin Publik të Tiranës, për t’u diplomuar “Mësues për arsimin e mesëm”, një student ndjek një program Bachelor tre vjeçar në një degë të caktuar dhe, më pas, edhe një Master Profesional dy vjeçar, ku integrohen njohuri nga pedagogjia me njohuri më të thelluara në disiplinën përkatëse. Në përfundim, titulli është “Mësues për arsimin e mesëm në lëndën… (të themi gjeografi)”. Një diplomë të ngjashme ofrojnë edhe disa universitete private, por tashmë me emërtimin e reduktuar “Mësues për arsimin e mesëm” (?) dhe në përfundim të ndjekjes së një Masteri Shkencor. Po t’i kthehemi edhe një herë programit të studimit që ofron Universiteti i Tiranës, Masteri Shkencor të themi në gjeografi, të orienton drejt një fushe krejtësisht të ndryshme nga ajo e mësimdhënies. Edhe një ilustrim tjetër. Falë interpretimit të gabuar që i bëhet Ligjit për Arsimin e Lartë, ekziston ideja se Masteri është shkalla që të ngjit më lart. Për shembull, nëse mbaron studimet Bachelor për Arsim Fillor, përfundimi i studimeve Master të shndërron Mësues për Arsimin e Mesëm të Ulët. Në kushte të tilla, studentët-klientë, në mungesë të informacionit, mund të blejnë një produkt i cili në terma afat-gjatë rezulton në kosto negative jo vetëm për shoqërinë, por edhe për ata vetë, reflektuar, për shembull, në numrin e madh të të diplomuarve që mbesin në provimin e shtetit kur kërkojnë të fillojnë punë në profesion.

Në kontekstin e teorive ekonomike, në rastin e këtyre dy programeve krejtësisht të ndryshëm, tregu quhet i dështuar jo vetëm për shkak të vlerës negative të eksternalitetit që mbart produkti i prodhuar (lexo studentit të diplomuar) dhe nëpërmjet së cilës deformon shoqërinë, por edhe të diferencave të theksuara të të njëjtit produkt ofruar nga shitës të ndryshëm (lexo mësues të arsimit të mesëm diplomuar nga universitete të ndryshme).

Kufizimet e tregut të lirë, veçanërisht kur kemi të bëjmë me sfida që kërkojnë zgjidhje në terma kohorë afat-gjatë, njihen prej një kohe të shumë të gjatë. Por që këto kufizime të mos kthehen në kosto me efekt negativ duhet reaguar. Apeli këtu është për forcimin e rolit rregullator të agjencive të licencuara, sikundër ndodh në të gjitha vendet ku arsimi ecën përpara. Dhe për prindërit të bëjnë kujdes në zgjedhje!

Programi Saber-Tooth Nga J. Abner Peddiwell (1939)

Programi Saber-Tooth

Nga J. Abner Peddiwell (1939)

Pak prezantim

New -Fist është një karakter i sajuar nga autori, që përdor “planfikimin së prapthi” për të hartuar një program që do ndihmojë fëmijët e fisit t’i rezistojnë të ftohtit e kafshëve grabitqare që i rrethojnë, si dhe të aftësohen në gjetjen e ushqimit.

Saber-Tooth është një lloj tigri (shih linkun https://en.wikipedia.org/wiki/Saber-toothed_cat).

Qasja që përdoret është “mësojmë duke bërë”.  Kurrikula e New-Fist mund të quhet e suksesshme, sepse mëson aftësi që janë të dobishme për anëtarët e fisit dhe ndikojnë në përmirësimin e jetës së tyre. Shkruar me humor në vitin 1939, edhe sot shërben si një shembull i shkëlqyer se si duhet të jetë një program shkollor. Autori i vendos ngjarjet në periudhën e gurit.

Programi Saber-Tooth

New – Fist ishte mësues dhe filozof i shkëlqyer i kohës së gurit.

Një ditë, ndërsa shikonte shikonte fëmijët e fisit të luanin me kocka, shkopinj e guriçka shumëngjyrësh, kuptoi se duhej t’u mësonte aftësi e teknika që t’i ndihmonin për të përftuar më shumë ushqim, strehim, veshmbathje dhe siguri, me një fjalë, një jetë më të mirë.

New – Fist krijoi një plan pune:

  • për të siguruar ushqim dhe strehim, njerëzit e fisit duhet të mësonin të peshkonin pa pasur gjë në duar, të qëllonin me kamzhik dhe të rripnin kuajt e vegjël leshtorë
  • që të jetonin jashtë çdo rreziku, njerëzit e fisit duhet të mësonin si të largonin tigrat Saber-Tooth me zjarr.

Kështu, New-Fist zhvilloi programin e parë. Ai përbëhej nga tre tema themelore:  kapja e peshkut me dorë, goditja e kuajve leshtorë dhe trembja e tigrave Saber-Toth me zjarr.

New-Fist u zhvilloi fëmijëve këto tema dhe ata u kënaqën me këto lloj aktivitetesh më shumë se nga loja me guriçkat shumëngjyrëshe.

Vitet kalonin dhe të gjithë fëmijët e fisit sistematikisht përgatiteshin për këto 3 aftësi. Fisi ishte i lumtur dhe i sigurt.

Gjithshka do të kishte qenë mirë dhe historia mund të përfundonte këtu, sikur të mos ndodhte një gjë e paparashikuar: fillimi i Epokës së re të Akullit, e cila krijoi një akullnajë të madhe që shtrihej deri poshtë tek fisi.

Akullnaja i turbulloi aq shumë ujërat e përrenjve, sa ishte e pamundur për njerëzit të zinin peshk pa përdorur diçka; uji i shkrirë i akullnajës e ktheu tokën në kënetë dhe kuajt e vegjël leshtorë u larguan për në vende malore dhe të thata. Ata u zëvendësuan nga antilopa të ndrojtura dhe të shpejta, me nuhatje aq të fortë për rrezikun, sa asnjë nuk mund t’u afrohej për t’u hipur. Dhe, së fundi, sikur të mos kishin mjaftuar vetëm këto të këqia, rritja e lagështirës së ajrit i bëri tigrat Saber-Tooth të prekeshin nga pneumonia dhe të ngordhnin. Ndërkohë, tigrat u zëvendësuan nga një rrezik edhe më i madh, arinjtë e egër polarë, të cilët nuk kishin frikë nga zjarri. Begatia dhe siguria u shndërruan në kujtime të largëta për fisin që vuante.

  • Vazhdoni historinë.
  • Mendoni se duhen mbajtur, edhe në situatën e re, temat e mëparshme?

Foto kryesore: Apokalips, 10 000 vjet përpara Krishtit

Çmimi Nobel (2018) në ekonomi “Për identifikimin e problemeve shqetësuese të shoqërisë, në zgjidhjen e të cilave tregu i lirë ka dështuar”

Çmimi Nobel (2018) në ekonomi “Për identifikimin e problemeve shqetësuese të shoqërisë, në zgjidhjen e të cilave tregu i lirë ka dështuar”

Përgatiti: Valbona Nathanaili

Në foto, dy fituesit e Çmimit Nobel në Ekonomi për vitin 2018, William Nordhaus dhe Paul Romer.

Çmimi Nobel në Ekonomi për vitin 2018 u jepet William D. Nordhaus nga Universiteti i Yale dhe Paul M. Romer nga Universiteti i New York-ut.

Sipas Quartz, Nordhaus dhe Romer shpjegojnë aftësinë tonë të mrekullueshme për të krijuar dhe, në të njëjtën kohë, edhe për të shkatërruar rritjen.

Sipas Bloomberg, William D. Nordhaus nga Universiteti i Yale dhe Paul M. Romer nga Universiteti i New York-ut, fitojnë Çmimin Nobel për vitin 2018 në ekonomi, për shndërrimin në temë diskutimi në shkencën e ekonomisë të dy çështjeve që kanë qenë objekt shqetësimi për një kohë të gjatë, ndryshimet klimaterike dhe inovacioni në fushën e teknologjisë.

Ndërsa Akamedia Mbretërore Suedeze, ndër të tjera, shprehet: Dy amerikanët kanë krijuar metoda që adresojnë çështje nga më të rëndësishmet dhe njëherazi kërkojnë zgjidhje të ngutshme për kohën tonë: si të krijojmë një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe të pandërprerë në terma afat-gjatë.

Sipas The New Yorker

Nga John Cassidy, 9 tetor 2018

Në vështrim të parë, hulumtimet e dy studiuesve që fituan Çmimin “Nobel” këtë vit në Ekonomi kanë pak argumente të përbashkëta. Bill Nordhaus-it, profesor për një kohë të gjatë në Universitetin Yale, iu akordua çmimi për krijimin e një modeli matematikor, në gjendje të parashikojë lidhjen ndërmjet ndryshimeve klimaterike dhe zhvillimit të ekonomisë. Thënë ndryshe, ndikimin e këtyre ndryshimeve në ekonomi. Studimi është botuar në fillimvitet nëntëdhjetë. Nga koha që Nordhaus zhvilloi modelin e tij, një numër gjithnjë në rritje aktorësh të interesuar në këtë degë të shkencës e kanë bërë pjesë të punës së tyre, nga të cilët mund të veçojmë, për shembull, Panelin Ndërqeveritar të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimaterike, i cili sapo ka publikuar një raport paralajmërues me pasoja të tmerrshme për botën nëse trendet aktuale të ndryshimeve të klimës do të lejohen të vazhdojnë sipas të njëjtëve koeficientë.

Paul Romer, ish-pedagog në Universitetin e Stanford-it dhe tashmë në Universitetin e New York-ut, është specialist në studimin e forcave që udhëheqin rritjen ekonomike në terma afatgjatë. Studimi që i dha çmimin, publikuar në vitet 1986 dhe 1990, thekson rëndësinë e dijeve dhe të brezit të dijes.

Në dijeninë time, Nordhaus dhe Romer nuk kanë bashkëpunuar kurrë me njëri-tjetrin dhe asnjëri prej tyre nuk është pjesë e ndonjë shkolle të veçantë, përtej përkatësisë në kategorinë e gjerë të ekonomistëve neoklasikë, që i kushtojnë vëmendje të veçantë zbatimit të matematikës në interpretimin e dukurive të kësaj shkence.

Nordhaus e Romer, njësoj si shumë ekonomistë të tetë universiteteve private që ndodhen në veriperëndim të ShBA (“Ivi League”) mbështesin, në përgjithësi, kapitalizmin e tregut të lirë. Në fakt, të dy kanë shkruar se si proceset e vazhdueshme të risive konkurruese, thelbësore për kapitalizmin modern, janë të afta të gjenerojnë përfitime të jashtëzakonshme materiale, një pjesë e të cilave nuk ka qenë e mundur të përfshihen plotësisht në statistika, si për shembull në prodhimin e brendshëm bruto.

Në rrjedhojë, përbën pak paradoks, që ajo çfarë bashkon Nordhaus dhe Romer janë pikërisht studimet në lidhje me dështimin e herëpashershëm të tregjeve për të punuar në atë mënyrë sikundër reklamohen. Ndërsa puna e secilit fokusohet në zona krejtësisht të veçanta, të dy shqyrtojnë problemin e “eksternaliteteve” të tregut, ose të “vërshimeve” përtej asaj që duhet të përmbajë shtrati i tij, por që përbëjnë një faktor të rëndësishëm justifikues për sasinë e taksës së energjisë që duhet të paguajmë, për hartimin e skemave të qasjes me bazë tregun për kontrollin e ndotjes, për paratë që duhet të financojnë kërkimin shkencor, apo për lloje të ndryshme të ndërhyrjes së qeverisë.

Në letrën shoqëruese, Komiteti i Çmimit Nobel shkruan:

  • Të dy, si Romer, edhe Nordhaus theksojnë, se në ekonominë e tregut, një makinë shumë e fuqishme si zhvillimi njerëzor është vërtet imperfekt, ndërkohë që kontributet e autorëve ofrojnë gjykime të thella se si politikat qeverisëse munden, potencialisht, të rrisin mirëqenien tonë në terma afatgjatë.

Termi “imperfekt” është disi konfuz: çështjet për të cilat diskutohen janë tejet të rëndësishme. Në një treg idealisht konkurrues, çmimet mbulojnë kostot e prodhimit të të mirave materiale, fitimet merren direkt nga konsumatori, ndërkohë që ky mekanizëm balancues u siguron tregjeve të shpërndajnë burimet dhe të mirat me më shumë eficiencë se sa ajo që mund të diktojë qeveria ose metoda të tjera që mund të zgjidhen në zëvendësim të saj. Por tregu i karburanteve (Nordhaus) dhe të mirat që mishërojnë progresin në dijen njerëzore (Romer) nuk funksionojnë në këtë mënyrë.

Kur paguajmë tre dollarë për një galon gaz, çmimi mbulon kostot e kompanisë së karburantit që janë shpenzuar për nxjerrjen nga nëntoka, përpunimin dhe transportimin deri në pikën e shitjes së karburanteve, sikundër po aq edhe kënaqësinë e të çuarit të fëmijëve me makinë në shkollë. Por çmimi nuk merr në konsideratë kostot që brezat e ardhshëm duhet të paguajnë nga akumulimi i dyoksidit të karbonit që çlirohet në atmosferë dhe, në rrjedhojë, edhe rritjen e temperaturave, përmbytjet, shkatërrimin e koraleve etj. Kjo kosto ekstra është eksternalitet negativ. Një mënyrë e zgjidhjes së këtij problemi është vendosja e kufizimeve të rrepta në djegien e karburanteve, si për shembull të gazit dhe qymyrit. Një alternativë tjetër është të imponojmë një taksë karboni – që mund ta masim – e cila në rrjedhojë mund të ndikojë në reduktimin e përdorimit të tyre. Por sa e madhe duhet të jetë kjo taksë?

Nordhaus është i pari që ka zhvilluar modelet që mund të përdoren në përgjigje të kësaj pyetjeje. Të njohura si modele të vlerësimit të integruar (I.A.M.s), ato mishërojnë lidhjet që ekzistojnë nga çlirimi i karbonit deri në ndryshimet në atmosferë, nga ndryshimet në atmosferë në ndryshimet në temperaturën globale dhe nga ndryshimet në temperaturë deri në efektet e dëmshme në ekonominë globale. Në fillimvitet nëntëdhjetë, duke përdorur versionin e parë të modelit të tij, Nordhaus llogariti se taksa e karbonit që duhet vendosur për të marrë në konsideratë efektet e mësipërme duhet të jetë, fillimisht, gjashtë dollarë/ton karboni të çliruar. Por në punimet e këtyre kohëve të fundit, që marrin në konsideratë rritjen e shpejtë të ekonomisë botërore përgjatë çerek shekullit që lamë pas, si dhe rritjen e sasisë së çliruar të karbonit që kanë shoqëruar këto zhvillime, vlerëson se kjo taksë duhet të rritet në afro tridhjetë dollarë/ton karboni të çliruar.

Një punim pozitiv i “vërshimeve” të tregjeve, në kahun e kundërt të atij të mësipërm, ka lidhje me gjenerimin e të ardhurave që nuk integrohen tërësisht në transaksionet që kryhen në tregje. Mbjellja e pemëve është një shembull i mirë: përpos faktit që na sigurojnë dru dhe fruta, pemët kanë aftësinë të thithin dyoksidin e karbonit nga atmosfera dhe të çlirojnë oksigjen. Një shembull më pak i dukshëm dhe te i cili fokusohet Romer, është krijimi i dijeve teknike, të cilat më pas mishërohen në komoditete të reja.

Për ilustrim, le të marrim historinë zhvillimit të transistorëve. Ato u zbuluan falë punës kërkimore shkencore që zhvillohej në laboratorët Bell në fundvitet 1940, ndërkohë që kompanitë filluan prodhimin e tyre për përdorim tregtar në vitin 1951. Klientët që blenë produkte që kishin në përbërje edhe këta transistorë të hershëm, si për shembull kufje e radio, mund të supozojmë se morën mbrapsht vlerën e parave që paguan. Por ky ishte vetëm fillimi: sapo u zbulua kjo dije themelore, që tregonte parimet se si mund të krijohen transitorët, biznese të tjera kërkuan mundësitë për ta vënë në përdorim, duke prodhuar transistorë jo vetë më të mirë, por edhe të llojeve të ndryshëm, një proces që Romer e krahason me krijimin e recetave të reja: “Deri më sot, firmat private kanë zhvilluar receta shumta të përmirësuara, që e kanë ulur koston e prodhimit të një transistori me një milion herë”, – shkruan në një ese botuar në vitin 1993. “Por pjesa më e madhe e përfitimeve nga ky zbulim nuk janë korrur nga firmat që i zbuluan, por nga përdoruesit e transistorëve. Vetëm pak vite më parë paguaja mijëra dollarë për miliona transistorë që ndihmonin në shtimin e kujtesës së kompjuterit, ndërkohë që sot paguaj më pak se një qind, ndonëse nuk kam bërë asgjë për ta merituar një gjë të tillë, ose nuk kam ndihmuar fare në lulëzimin e këtij fryti”.

Romer identifikon krijimin e dijes teknike që “vërshon” në krijimin e produkteve të reja, si faktor për mbështetjen e dijes ekonomike. Në një artikull të vitit 1993 paraqet modelin e tij matematik të një ekonomie që në mënyrë eksplicite përfshin sektorin e dijes. Akoma, Romer argumenton se një ekonomi ideale e tregut të lirë, lënë në funksionin e saj, tenton të prodhojë pak dije të reja. Në një mjedis tërësisht konkurrues, kompanitë shqetësohen që kompanitë e tjera do të kopjojnë e përvetësojnë shumë shpejt çdo risi që ato do të paraqesin, kështu janë shumë dorështrënguara në kostot e investimeve për kërkim e zhvillim.

Për të zgjidhur një problem të tillë, Romer propozon se është e nevojshme të paraqesim politika që nxitin mbështetjen financiare për kërkim e zhvillim shkencor, dhënien e bursave për studiuesit e shkencës dhe hartimin më së miri të përmbajtjes së patentave që u mundësojnë kompanive që ofrojnë risi të marrin, në këmbim, para për shpikjet e tyre. Akoma, shton Romer, kemi shumë punë për të bërë për hartimin e këtyre politikave, duke përfunduar: “Vendi që do të marrë në dorë udhëheqjen e botës në shekullin e njëzet e një, do të jetë ai që do të zbatojë risinë që mbështet prodhimin e ideve të rëndësishme, që mund të bëhen të tregtueshme në sektorin privat”.

As Nordhaus dhe as Romer nuk është radikal. Në një debat me temë se deri ku duhet të shkojmë në trajtimin e ndryshimeve klimaterike, Nordhaus është kritikuar shpesh si inkrementalist. Në një artikull të kohëve të fundit, Nordhaus përdor modelin e tij për të llogaritur se strategjia “optimale” për ndryshimin e klimës duhet të përfshijë rritjen e temperaturës me afro 2.5 gradë Celsius deri më 2100, e cila përkthehet në vendosjen e një takse karboni prej afro tridhet dollarë/ton në ditët e sotme, tridhjetë e pesë dollarë/ton në vitin 2020 dhe një qind dollarë/ton në vitin 2050. Por për shumë ekspertë të ndryshimeve klimaterike, përfshirë edhe I.P.C.C., argumenti se rritja e temperaturës duhet lejuar me më shumë se dy gradë Celsius është shkatërrues për botën: pa dyshimin më të vogël, ekspertët mbrojnë tezën se taksa e karbonit duhet të jetë shumë më e madhe se ajo që rekomandon Nordhaus. Sipas tyre, kjo taksë duhet të jetë afro 200 dollarë/ton në vitin 2020, ndërsa më pas rritja duhet të jetë shumë më e madhe.

Romer, i cili së fundmi ka mbajtur postin e drejtorit ekonomik pranë Bankës Botërore për një mandat të caktuar, argumenton, se në jetën e përditshme, politikat duhet të jenë të tilla që të favorizojnë mekanizmat e tregut të luajnë rol udhëheqës në pjesën më të madhe të aktiviteteve. Akoma, ai është përkrahës i zjarrtë i urbanizimit në shkallë të gjerë, sepse në besimin e tij, ndërmjet të tjerave, urbanizimi ndihmon në lindjen dhe përhapjen e ideve, sa kohë që qytetet drejtohen ashtu si duhet. Romer është autor i këtij propozimi kontradiktor:

  • Në vendet e varfra duhet të themelohen “qytetet me status”, të cilët duhet të administrohen nga përfaqësues të vendeve më të përparuara.

Nuk duhet të habitemi që një propozim i tillë i ka hapur rrugë akuzave se po provon të vendosë neo-kolonializmin.

Gjithsesi, në kontekstin e teorive ekonomike, argumenti kryesor është se të dy, si Nordhaus, ashtu edhe Romer, njohin prej një kohe të shumë të gjatë kufizimet e tregut të lirë, veçanërisht kur kemi të bëjmë me sfida që kërkojnë zgjidhje në terma kohorë afat-gjatë, si për shembull ndryshimet klimaterike, apo kur kërkojmë të nxisim inovacionin. Sot, për shumë njerëz jashtë ekonomisë, sa më sipër mund të duket si një konkluzion i dukshëm. Por nuk ishte i dukshëm për ekonomistët akademikë të viteve 1980, kur Nordhaus dhe Romer filluan të merren me çështje të tilla. Nëse i referohemi asaj periudhe, argumenton Joshua Gans, ekonomist në Shkollën Rotman të Menaxhimit pranë Universitetit të Torontos, ekonomistët shpesh ishin të vetmit që mbështesnin përshtatjen e politikave armiqësore për ndryshimet klimaterike apo nxitjen e risive. Pjesa më e madhe e tyre i frikësoheshin kostove që dukeshin tepër të larta, ndërsa të tjerë i kundërshtonin si jo produktive për politikat e industrisë.

Duke vazhduar me argumentet e Gans, Nordhaus dhe Romer kanë krijuar sfondin e duhur intelektual, që u mundëson edhe ekonomistëve më skeptikë të analizojnë këto dy çështje, në të cilat tregu ka dështuar në të kaluarën, duke përdorur mjete që tashmë ata i vlerësojnë si legjitime dhe, në rrjedhojë, të arrijnë në konkluzione që kërkojnë ndërmarrjen e veprimeve konkrete. Nordhaus dhe Romer nuk i kanë formuluar të gjithë argumentet politikë, ndoshta as edhe u janë afruar. Por për atë çfarë kanë bërë, në një mjedis tejet konservativ, e meritojnë Çmimin Nobel.

Sigurisht, çështja më e rëndësishme sot është nëse qeveritë do të kenë vullnetin të hartojnë politikat e nevojshme, veçanërisht ato që kanë lidhje me ndryshimet klimaterike. Por me një Shtëpi të Bardhë që mohon ndryshimet klimaterike dhe është miqësore ndaj konsumit të qymyrit dhe me një Kongres-Republikan ngecur në rrjetën e interesave të energjisë, duket pothuaj e pamendueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës t’i përgjigjen kësaj sfide. Në rrjedhojë, në këtë fazë, ky problem shndërrohet më shumë në politik dhe më pak në ekonomik a shkencor.