Universitet privat apo publik? Nga Dr. Valbona Nathanaili

Universitet privat apo publik?

Nga Dr. Valbona Nathanaili

Debati për zhvillimin e universiteteve jo rrallë reduktohet në ndarjen e tyre në publikë e privatë dhe, më pas, në shtjellimin e argumenteve dhe listimin e karakteristikave që i japin, secilit grup, më shumë a më pak vlera. Një karakteristikë tjetër e debatit është synimi për t’i rreshtuar të dy llojet e universiteteve në dy llogore të kundërta, ose në dy kampe kundërshtare, ndërkohë që në pjesën më të madhe të vendeve është krejt e kundërta, sepse krahas synimit për ndërkombëtarizimin e tyre në nivel rajoni, bëhen gjithnjë e më shumë përpjekje për shkëmbime programesh e studentësh në nivel kombëtar.

Në këto radhë, synimi është pasurimi i këtij debati nga këndvështrimi i studentëve dhe moderimi nga pozitat komode të analizës së përgjigjeve të tyre.

Për këtë arsye, 179 studentëve të vitit të parë akademik 2017-2018, që ndjekin studimet me kohë të plotë në dy universitete publike: në Universitetin e Tiranës, konkretisht në Fakultetet Juridik dhe Ekonomik, si dhe në universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, konkretisht Fakultetin e Shkencave të Edukimit, iu kërkua t’i përgjigjeshin pyetjes, se pavarësisht universitetit e programit që po ndiqnin, kë do të preferonin ndërmjet një universiteti publik dhe një universiteti privat. Preferenca identifikohej duke zgjedhur, në një pyetësor, ndërmjet opsionit privat apo publik. Akoma, për secilën preferencë, studentëve iu kërkua të listonin, në mënyrë narrative, jo më shumë se tre arsye. Paraprakisht, gjej rastin të falënderoj shumë njerëz që më mbështetën në zhvillimin e tij, ndërkohë që theksoj dëshirën për të pasur përgjigjet e sa më shumë studentëve në universitete të tjera dhe përpiluar një hartë sa më të detajuar të zgjedhjeve të tyre. Gjithsesi, këto të dhëna paraprake janë të mjaftueshme për të hedhur bazat e një teorie.

Nga përgjigjet, 69.8% (ose 125 studentë) pohojnë se zgjedhin universitetin publik, ndërsa 30.2% (ose 54 studentë), pohojnë se do të preferonin të vazhdonin studimet në një universitet privat. Interesante është varësia e vendndodhjes gjeografike së universitetit, me preferencën e studentëve në zgjedhje. Kështu, nga 57 studentë të Fakultetit Juridik, Tiranë, vetëm 5 ose 8 % pohojnë se do të preferonin të ndiqnin një universitet privat; në Fakultetin Ekonomik, Tiranë, nga 60 studentë, 22 prej tyre ose 37% pohojnë se do të preferonin të ndiqnin një universitet privat; në  Fakultetin e Shkencave të Edukimit, Shkodër, nga 62 studentë, 27 prej tyre ose 44% pohojnë se do të preferonin një universitet privat. Trendi i dëshirës për të vazhduar studimet në një universitet privat, që rritet me largimin nga kryeqyteti dhe në pamje të parë duket se është funksion vetëm i vendndodhjes, është një tregues edhe i cilësisë së vetë universitetit: sa më shumë dëshirë të kenë studentët të zgjedhin një universitet të një lloji tjetër, aq më të pakënaqur janë me cilësinë që u ofrohet.

Sa i takon arsyeve që zgjedhin dhe justifikojnë preferencat e studentëve, ndryshe nga sa besohet, tradita dhe historia e universitetit publik (alias shtetëror) nuk përbëjnë arsye kryesore për zgjedhje. Dhe as profesionalizmi!

Arsye kryesore është tarifa e ulët e shkollimit. Zgjedhja për shkak të tarifës së ulët të shkollimit e një universiteti publik paraqitet në këto shifra: nga 125 studentë që preferojnë universitetin publik, 31.2 % (ose 39 studentë), nuk e listojnë fare si arsye tarifën, ndërsa për 62.4% (ose 78 studentë) tarifa është një nga arsyet, në mos e vetmja dhe 8 prej tyre nuk i përgjigjen pyetjes. Për grupin e dytë, në mënyrë më të detajuar, përgjigjet janë: 40 % (ose 31 studentë) e listojnë si arsye të parë, 32% (ose 25 studentë) e listojnë si arsye të dytë, 7.8% (ose 14 studentë) e listojnë si arsye të tretë dhe 18% (ose 7 studentë) e listojnë si të vetmen arsye (8 studentë nuk i përgjigjen kësaj pyetjeje). Është interesant fakti që të gjithë studentët që preferonin të ndiqnin një universitet privat, i kishin plotësuar me shumë rregull dhe në mënyrë të detajuar arsyet që shpjegonin zgjedhjen, ndërkohë që të vetmit studentë që nuk i kishin plotësuar ishin ata që zgjidhnin një universitet publik.

Arsyeja që renditet e dyta në zgjedhjen e një universiteti të këtij lloji është profesionalizmi: 49.2% e listojnë si arsye. Arsyeja e tretë është besueshmëria, që referon vlerën e mirë të diplomës në tregun e punës dhe njohjen e saj: 55 studentë, ose 30.7% e kanë pjesë të arsyeve pro. Tradita dhe historia e universitetit publik, ndryshe nga sa mund të mendohet listohet si arsye për ndjekje nga vetëm 3.4%.

Në rastin kur zgjidhet si preferencë një universitet privat, profesionalizmi renditet si arsyeja kryesore, ndonëse në përqindje më të ulëta: 19.6% e tyre pohojnë zgjedhjen e privatit për shkak të profesionalizmit. Në këtë grup, u përfshinë arsye të tilla, si: teknika më të avancuara dhe më efektive në mësimdhënie, më shumë mundësi për aktivitete, merr notën e merituar, studentët trajtohen si kolegë, studentët kanë vëmendjen e duhur dhe vlerësohen për aftësitë që kanë, janë seriozë, raport më i vogël student/pedagogë si dhe pjesëmarrje në universitete. Si arsye e dytë e fortë u renditën kushtet në universitetet private me 14%, ndërsa arsye e tretë u listua besueshmëria me 7.8%. Arsyet e vendit të tretë përbëhen nga pohime të kësaj natyre: lidhje e bashkëpunim me jashtë, krijohen kushte për punësim, më pak stres, informacion në lidhje me tregun, më shumë siguri (diploma e publikut nuk njihet në shumë vende të botës – diploma e privatit njihet jashtë), më shumë drejtësi, plotëson nevojat dhe merr parasysh të drejtat e studentëve. Grupi i vendit të fundit të arsyeve, përbërë nga vetëm 8 studentë ose 4.5%, është shumë i veçantë dhe karakteristikë vetëm për zgjedhjen e këtij lloj universiteti. Sipas perceptimit të studentëve, zgjedhja e një universiteti privat lidhet edhe me faktin që “provimet merren më kollaj”, sepse në shtetëror pedagogët të marrin inat dhe ka korrupsion, ndërsa privati nuk ka korrupsion.

Pohimet e studentëve ndihmojnë për ta parë situatën në terma më konkretë. Ndërsa duke krahasuar universitetet private me ato publike, jemi më të qartë dhe të ndërgjegjshëm se çfarë nuk është bërë, ose është bërë e vazhdon të bëhet keq.

Gjashtë parimet për një përgjegjshmëri efektive Nga Douglas B. Reeves

Gjashtë parimet për një përgjegjshmëri efektive

Douglas B. Reeves

Fushata e fundit për standarde dhe përgjegjshmëri ka bërë që shumë arsimtarë të zbatojnë reformën bazuar në përgjegjshmëri në distriktet e tyre. Por ndërkohë që shumë nga këto iniciativa do të vazhdojnë të lulëzojnë, të tjera janë të destinuara të dështojnë, sepse nuk kanë një qasje holistike kundrejt përgjegjshmërisë, – deklaron Douglas B. Reeves, kryetar dhe themelues i Qendrës për Përgjegjshmëri në Arsim.

Synimi i vërtetë i çdo sistemi përgjegjshmërie, – vazhdon Reeves, – është përmirësimi i mësimdhënies dhe i mësimnxënies. Sidoqoftë, sistemet vetë, ndonëse përqendrohen në rezultatet e testeve, sugjerimet që japin statistikat apo faktorë të tjerë, i shohin, shumë shpesh, më shumë si synime në vetvete se sa si argumente për të hapur arsyetime e debate. Në këtë artikull, Reeves nënvizon gjashtë parime, që duhen të kihen në vëmendje, për të pasur një përgjegjshmëri efektive.

          PARIMI NR. 1: PËRSHTATJE

Ndonjëherë, objektivat dhe strategjitë hartohen në kundërshtim të plotë me çfarë bëjnë thirrje sistemet e përgjegjshmërisë. Përgjegjshmëria duhet të jetë tema unifikuese, strumbullari, përreth të cilit duhet të hartohen strategjitë, të jepen shpërblimet, të bëhen miratimet dhe të vlerësohet stafi.

Pak kohë më parë kam punuar në një distrikt ku u planifikua të punohej duke e ndërtuar sistemin e përgjegjshmërisë në përputhje me parimin e standardeve prioritare, që do të thotë duke u fokusuar kryesisht në standardet më të rëndësishme, pa u marrë me shumë probleme në të njëjtën kohë. Kjo ishte retorika! Por në rreshtin e parë të formës së vlerësimit të mësuesit, shkruhet: “A i ka trajtuar mësuesi të gjitha temat e kurrikulës?”

Në një tjetër distrikt, ku mësuesit e kanë përgjegjshmërinë mënyrë të menduari, thonë:

  • Ne merremi me provat: dimë se sa më shumë nxënës të përfshihen në aktivitete ekstrakurrikulare, aq më e mirë do të jetë pjesëmarrja dhe aq më të mira do të jenë arritjet e nxënësve.

Por, nëse i hedhim një sy sistemeve të miratimit dhe të shpërblimit po në këtë disktrikt, do të shohim se mësuesit e promovuar dhe të shpërblyer më mirë janë më ‘përjashtuesit’: ata vërtet u morën më shumë me orët e tyre të mësimit dhe aktivitetet jashtëshkollore, por duke pranuar gjithmonë vetëm nxënësit më të mirë, më të dalluar dhe lënë mënjanë çdo nxënës tjetër, rezultatet e të cilëve ishin ‘të padëshiruara’.

Në të dy rastet që solla në vëmendje, sistemi i përgjegjshmërisë ishte në kundërshtim me objektivat dhe strategjitë.

PARIMI Nr. 2: SPECIFIKIME

Nuk jam në gjendje të ndjek as edhe një tjetër konferencë, ku nën shtrëngimin e duarve dhe mes pankartave të ndryshme, këndohet në kor, refreni: “Të gjithë nxënësit mund të nxënë”. Personalisht, vërtet besoj se të gjithë nxënësit mund të nxënë, por asnjëherë nuk kam arritur diçka vetëm me mantra. Përgjegjshmëria nuk është përdorimi i mantra-s; nuk është përgjithshmëria.

Ne duhet të dimë, specifikisht, çfarë funksionon. Ne duhet të hulumtojmë në komunitetin tonë se cilat strategji sjellin e shoqërohen me përmirësimin e arritjeve të nxënësve; duhet të fokusohemi tek sjelljet dhe jo vetëm tek rezultatet e testeve. Me fjalë të tjera, të matet çfarë sjell rritja. Njëlloj siç vendosim standarde për fëmijët, duhet të vendosim standarde edhe për të rriturit: anëtarët e bordit, administratorët, mësuesit dhe, ndoshta ndonjëherë, edhe për prindërit.

PARIMI Nr. 3: PËRKATËSIA

Duhet të ekzistojë një marrëdhënie direkte ndërmjet strategjive që zbaton shkolla dhe përmirësimit të nxënies së nxënësit. Sigurisht, përkatësia nuk është gjithmonë e dukshme. Disa kërkime shkencore tregojnë se, me përjashtim të vendit të parë që e ka frekuentimi i shkollës, faktor tjetër shumë i rëndësishëm, që ndikon në përmirësimin e rezultateve të përftuara nga testet dhe sjelljen në klasë, lidhet me projektet joartistike.

Dikush mund të thotë se është e qartë që, më shumë projekte joartistike, do të thotë rezultate më të mira në testet me shkrim apo se ato ndikojnë në përftimin e rezultateve më të mira edhe në testet e leximit. Por, ajo që nuk është e qartë për të gjithë, është fakti se edhe ndryshime të vogla në kurrikul, që lidhen me praninë më të madhe të projekteve joartistike, kanë lidhje me përmirësime të ndjeshme në matematikë, në shkenca të aplikuara e ato sociale. Pra, mund të flasim për një marrëdhënie specifike që ekziston ndërmjet strategjive që gjejnë vend në klasë dhe rezultateve të arritura.

A provojnë këto marrëdhënie se rezultatet janë rastësore? Jo domosdoshmërisht. Por ato na sigurojnë një mënyrë testimi për hipotezën se më shumë projekte joartistike përmirësojnë rezultatet e testeve dhe ndikojnë, po ashtu, edhe në përmirësimin e sjelljeve të nxënësve. Nëse do të pyesja çdo mësues, “Pse nuk bën më shumë projekte joartistike?”, shumë prej tyre do të më përgjigjeshin: “Nuk kam kohë!” Çështja numër një është koha, koha dhe vetëm koha. Këta mësues po artikulojnë hipotezën se, nëse shpenzojnë më shumë kohë me projekte, nuk do të kenë mundësi të trajtojnë të gjithë kurrikulën e, për rrjedhojë, rezultatet do të jenë më të ulëta. Unë ndoshta mund të mos kem qenë i zoti të provojë rastësinë por, të paktën, kam hedhur poshtë hipotezën.

 PARIMI Nr. 4. RESPEKTI PËR DIVERSITETIN

 “Të gjithë nxënësit mund të nxënë” nuk do të thotë se “të gjithë nxënësit janë të njëjtë”. Për më tepër, diversiteti nuk lidhet domosdoshmërisht vetëm me karakteristikat e jashtme. Nëse do ta marrim seriozisht një çështje të tillë, kjo do të thotë që diversiteti duhet parë jo vetëm nga jashtë, por edhe nga brenda. Por, që ky parim të bëhet pjesë morale dhe intelektuale e kurrikulës, duhet që për shkolla të ndryshme të kemi qasje të ndryshme. Kjo do të thotë që kemi nevojë për qasje, teknika dhe strategji mësimdhëniejeje të ndryshme.

Kur Sekretari i Shtetit për Arsimin në SHBA, Rod Paige, drejtonte shkollat publike të Houston, nuk tha “mënyra ose rruga ime” për të arritur në të 200 shkollat, por tha: “Doni që diversiteti të respektohet? Doni të respektohen stile, përqasje dhe strategji të ndryshme? Po, do t’ua japim, do ta bëjmë. Por çmimi i lirisë është transparenca. Çmimi i provës për të bërë gjëra të ndryshme është aftësia për të vajtur tek njëri-tjetri dhe, më tej, tek unë, plotësisht transparentë për rezultatet, për të më bërë me dije, me sinqeritet, çfarë funksionoi dhe çfarë jo”. Kjo është ajo që kërkon përgjegjshmëria. Ju mund të përqafoni strategji të ndryshme për të raportuar strategjitë e përdorura, por fitoni a humbisni, dështuat apo ia dolët mbanë, të gjitha duhen raportuar.

Është e rëndësishme të risjellim në vëmendje se respekti për diversitetin nuk do të thotë të pranojmë anarkinë apo se të gjitha pikëpamjet janë njëlloj të rëndësishme. Ne mund ta respektojmë diversitetin pa hequr dorë nga parimet tona themelore. Duhet të kemi aftësinë ose, më mirë akoma, kemi mandatin, të pranojmë se disa vlera janë më mira. Vlerat e lirisë, të së vërtetës dhe të së drejtës janë më të mira se shtypja dhe totalitarizmi. Duhet të jemi të aftë të flasim në emër të këtyre vlerave. Nuk mund të grabitet çdo parim.

PARIMI Nr. 5: PËRMIRËSIMI I VAZHDUESHËM

Jeff Howard, president i Institutit për Efikasitet, përdor një analogji që mund të rezonojë me ata që kanë fëmijë të vegjël. Ai e quan efekti nintendo dhe i referohet një fëmije i cili nuk mund të fokusohet ose të përqendrohet; ka dëshirë të lëvizë nga një cep i klasës në tjetrën, derisa ju veni në punë lodrën nintendo, pas së cilës fëmija fiksohet pa lëvizur qoftë edhe një fije floku, ndërsa qëndron i ulur, përballë saj, me orë të tëra.

Çështja që ngre dr. Howards është: “Sa gjatë do të qëndrojë fëmija i ngujuar pas ekranit, nëse rezultatet e lojës do t’ia nisni me e-mail, të themi, pas nëntë javësh?” Ajo që e mban fëmijën të ngujuar pas ekranit nuk është, tamam, vetëm ajo që ndodh në ekran, por edhe rezultati për lojën që e merr në çast. Për rrjedhojë, nëse duam të ndërtojmë një sistem holistik përgjegjshmërie, vlerësimet një herë në vit, që jep sistemi, nuk janë të mjaftueshme. Duhet të ndërtojmë sisteme, në gjendje të bëjnë vlerësime për fëmijët, liderët dhe mësuesit të paktën një herë në muaj. Për pasojë, duhet të angazhohemi e të ndërtojmë sisteme më të mira mësimi.

PARIMI Nr. 6: FOKUSIMI MBI ARRITJET, JO MBI NORMAT

Di se, në një nga shtetet e SHBA, në Bordin e Arsimit është votuar që arritjet e 80% të nxënësve duhet të jenë mbi mesataren. Meqenëse kam mësuar statistikë për një kohë të gjatë, sado të më flasë Garrison Keillor, nuk mund të më bindë se një shpërndarje e tillë është e mundur. Por këtu ka vend për të ngritur një çështje tjetër. Kur dëgjojmë që nxënësit krahasohen me norma dhe mesatare, reagimi i brendshëm, që të lind menjëherë, është se ka diçka që nuk shkon, që i lëndon fëmijët. Sidoqoftë, edhe pse mund të jetë e vërtetë, mesataret dhe normat prekin edhe fëmijët e përparuar.

Grafiku këmbanë[1] i prek, tinëzisht, të gjithë fëmijët. Është një mënyrë joefektive dhe e papërshtatshme, për të matur arritjet e fëmijëve. Ju vërtet mund të keni disa fëmijë ”mbi mesataren”, të cilët në mënyrë të padrejtë mund të jenë të vetëkënaqur me veten, por, edhe ata, sa edhe fëmijët që gjenden në pjesën e poshtme të grafikut këmbanë, njëlloj dëmtohen nga normat. A e dini se 55 % e fëmijëve që morën 55% të pikëve në lexim nuk dinë të shkruajnë një ese? Më tej akoma, a e dini se 55% e fëmijëve që mësojnë matematikë nuk janë në gjendje të gjejnë një logaritëm në raste të ndryshme? E vetmja gjë që ka rëndësi është nëse nxënësit plotësojnë qartë pritshmëritë, në mënyrë objektive dhe të pandryshueshme,  jo kush është i pari dhe kush i fundit.

Po sugjeroj se ka rëndësi është që të mendojmë rreth përgjegjshmërisë në mënyrë krejt të ndryshme. Në këtë vend është bërë një punë e mrekullueshme, sa kohë jemi në gjendje të bëjmë të përgjegjshëm një fëmijë nëntëvjeçar. Më lejoni t’ju sugjeroj një parim moral: nuk duhet të guxojmë t’i bëjmë fëmijët tanë më shumë të përgjegjshëm sa ç’kërkojmë nga vetja jonë.

PËRGJEGJSHMËRIA EFEKTIVE: NJË MINITEST PËR ADMINISTRATORËT

 Le të supozojmë se gjendeni në një situatë të tillë. Infermierja e shkollës vjen e ju thotë: “Shef, kam lajme të këqija. Sistemet tona të përgjegjshmërisë tregojnë se 44 për qind e fëmijëve nuk kanë bërë vaksinimin e duhur. Çfarë të bëjmë?”

Ju:

a. Pushoni nga puna infermieren

b. E botoni çështjen në gazetë, me synim vënien para përgjegjësisë dhe poshtërimin e Departamentit të Shëndetësisë, në lidhje me programet e vaksinimit

c. Krijoni një projekt pesëvjeçar me objekt studimin e programeve dhe të kurrikulës së vaksinimit

d. Mblidhni të dhënat, por nuk i publikoni, ndërkohë që në shkollë e bëni problem shumë të madh

e. Vaksinoni fëmijët.

Pjesa më e madhe e administratorëve i përgjigjen pikës e të testit. Edhe nëse përdor një test tjetër, për një problem të ngjashëm, për shembull, se në kafetarinë e shkollës nuk plotësohen standardet e higjienës, përsëri pjesa më e madhe e përgjigjeve do të jenë për pikën e. Është një përgjigje që nuk ngjall shumë polemika.

Por, nëse në test problemi që shtrohet lidhet me leximin ose matematikën, sa shpesh u përgjigjemi ose ndalemi në variantet a, b, c, d para se të vendosim për e-në? Njerëzit që punojnë në shkollën e mesme e dinë fatin e fëmijëve që nuk arrijnë të kenë sukses në lëndë të tilla. Përgjithësisht braktisin shkollën dhe, me statistika, ka shumë më tepër rreziqe shëndetësore për një nxënës që braktis shkollën se për një nxënës që nuk është vaksinuar.

Kjo na orienton drejt një diskutimi tjetër: si mund të zbatohet sa më drejt përgjegjshmëria? Cili ishte qëllimi i raportimit të problemit të vaksinimit? Ishte thjesht një raport departamenti apo synonte përmirësimin e shëndetit të fëmijëve tanë? Përgjigja e saktë duhet të jetë përmirësimi i mësimdhënies dhe i nxënies së fëmijëve tanë. Nuk kemi synim të thyejmë rekorde apo të poshtërojmë njeri. Nuk kemi synim të krijojmë gjah për median. Synimi i parë dhe i vetëm është përmirësimi i arritjeve të nxënësve.

____________

[1] “Grafiku këmbanë” është huazuar nga titulli i librit me autor Richard J. Herrnstein. Grafiku i shpërndarjes së vlerave të inteligjencës për një popullsi normale ka formën e një këmbane (shënim i përkthyesit).

Të drejtat e autorit në një vend në zhvillim Nga Valbona Nathanaili

Të drejtat e autorit në një vend në zhvillim

Nga Valbona Nathanaili

Dija dhe informacioni kanë potencialin të ndikojnë, në një masë të madhe, procesin e vendimmarrjes, sikundër të bëhen burim për ndryshime të çdo lloji. Që nga vitet e largëta ‘950 dhe deri në kohën që jetojmë, të modernitetit të vonë ose postmodernitetit sikundër kanë dëshirë ta etiketojnë disa, këto burime gjithmonë janë cilësuar si condicio sine qua non për zhvillimin. Por në një botë të pabarabartë ekonomikisht, me vende të zhvilluara dhe vende në zhvillim, duket se edhe raportet me dijen e informacionin janë po njëlloj: “magazinat” e tyre gjenden në vendet e zhvilluara, ndërkohë që në vendet në zhvillim, nëse do vazhdojmë të ruajmë të njëjtën metaforë, ndodhen, me raste, “depo” të vogla. Dija kontrollohet dhe manipulohet, jo në sensin negativ, nga vendet e zhvilluara.

Në këtë mënyrë, për vendet në zhvillim, varësia nga vendet e zhvilluara bëhet edhe më e madhe sepse, përpos të tjerave, duhet të “importojnë” edhe dijen. Në këtë marrëdhënie që krijohet ndërmjet këtyre dy niveleve, të drejtat e autorit dhe pronësia intelektuale janë faktorë kyç; kur bëhet fjalë për dije të shprehura dhe të transmetuara nëpërmjet librave, argumenti është edhe më i prekshëm pasi lidhet direkt me ecjen përpara të arsimit, kulturës e shkencës dhe, në një këndvështrim edhe më të gjerë, me përmirësimin e kushteve të jetës së përditshme. Sigurisht që botuesit shqiptarë janë më shumë se të ndërgjegjshëm për rëndësinë që ka blerja e këtyre të drejtave.

Me pak ose aspak përjashtime, pothuaj të gjithë botuesit kanë hyrë, të paktën një herë, në marrëdhënie me një shtëpi botuese të huaj për të marrë e blerë të drejtat e autorit për përkthimin e një vepre në shqip duke kontribuar, direkt ose indirekt, për arsye biznesi dhe, pse jo, edhe për arsye patriotizmi, në pasurimin e fondit intelektual që i vihet në dispozicion publikut shqiptar. Është e rëndësishme të theksojmë që botimi i një libri të mirë është me më shumë vlerë këtu te ne se në vendet e zhvilluara, edhe për shkak të aksesit të kufizuar që ka në median elektronike, ose nuk e ka fare, një pjesë e madhe e popullsisë.

***

Sa janë të gatshëm botuesit, në vendet e zhvilluara, të negociojnë për dhënien e të drejtave të autorit? Dhe sa janë të gatshëm të tolerojnë në sasinë e parave që duhen paguar për marrjen e këtyre të drejtave nga vendet në zhvillim? Pyetjes së parë është e thjeshtë për t’ju përgjigjur: pothuaj nuk ka asnjë pengesë. Një botues serioz gjithmonë arrin ta marrë të drejtën e autorit. Pyetja e dytë është ajo që na dhëmb: sa është masa e tolerancës? Botuesit, ndonëse vijnë nga vende me nivele të ndryshme zhvillimi, ju duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët për realizimin e një kontrate biznesi, jo kontrate sociale: publiku dhe interesat e tij përjashtohen ekskluzivisht. Duke qenë se çmimet e librave reflektojnë kostot e mënyrat e jetesës dhe, bashkë me to, sigurisht, edhe vlerat që mbartin, ato janë normale për vendin e zhvilluar dhe shumë të larta për vendin në zhvillim. Këtu fillon pengesa e parë dhe më kryesorja. Zakonisht çmimet e të drejtave të autorit variojnë nga 500 deri në 1800 euro (flasim për Shqipërinë, për tirazhe 500-1500 kopje dhe çmim libri nga 900 – 2000 lekë) si shumë paraprake dhe, më tej, me shitjen e librit, përqindje që luhaten nga 6-9 të çmimit të kopertinës. Pagesa më e lartë që ka bërë UET Press për blerjen e të drejtave të autorit ka qenë pikërisht 1800 euro për librin “E drejta penale. Teori, kazuse dhe materiale”, autor Jonathan Herring, botues Oxford Press.

Ndonëse vendet në zhvillim akuzohen shpesh se, për shkak të mungesës së edukimit dhe traditës, e kanë të varfër kulturën e “copyright”-it, në gjykimin tim, problem kryesor, janë mungesa e parave. Botuesi vështirë se fiton diçka nga botimi i një libri të përkthyer në Shqipëri. Por jo vetëm botuesi ka mungesë fondesh! Edhe blerësi është pjesë e bashkësisë. Të blesh një libër kërkon një mjedis social që zakonisht gjendet ose nxitet në tre grupe kryesore: studentë e nxënës, profesionistë dhe ata që kërkojnë të kalojnë kohën e lirë duke lexuar një libër. Sigurisht që grupet nuk janë të prerë me thikë dhe, zakonisht, ata që janë profesionistë blejnë jo vetëm libra për profesionin e tyre, por edhe libra për të kaluar kohën e lirë (grupi i dytë ndërthurret me të tretin), gjë që e bën problemin më të mprehtë, nuk e lehtëson. Për më tepër, mjedise të tilla janë shumë të kufizuara këtu te ne ose me kërkesa tejet modeste. Pasoja është që pengesa për të sjellë librin në shqip rritet në mënyrë eksponenciale. Libri mbetet stok në librari!

***

Ndonëse ekzistojnë konventa e protokolle që nxisin aksesin në dije e ide që prodhohen në vendet e zhvilluara dhe ndihmojnë në reduktimin e parave që duhen paguar kur librat kanë vlera të veçanta, duhen politika aktive shtetërore, nisma individuale dhe institucionale, që pavarësisht perspektivës aspak premtuese të prezantuar sa më sipër, të sigurojnë pronësinë intelektuale të atyre veprave që u shërbejnë më së miri interesave të publikut të gjerë, që ndihmojnë aksesin në prodhimin dhe shpërndarjen e ideve, dijeve e informacionit, si dhe nevojave për zhvillim social e arsimor të grupeve të ndryshëm, veçanërisht fëmijëve e të rinjve.

 

 

“La Quinta” Autor Alberto Frasher

 La Quinta”  Autor Alberto Frasher

Botues: Europa Edizioni, Roma, 280 faqe.

Mё 22 qershor 2018, në libraritë e Italisë, doli nga shtypi romani i autorit Alberto Frashër, qё trajton jetёn e qytetarit dhe, nё veçanti, atё të artistit  në kohёn e regjimit komunist nё Shqipёri.

Karakteri universal i teëse, cilёsia artistike e trajtimit tё saj, si dhe pёrkushtimi i ndjerё i autorit pёr Shkodrёn e lashtё dhe bijtё e saj që nё krye tё librit, e shndёrrojnё në njё vepёr tё rёndёsishme pёr kohёn tonё.

Parathënie (përshtatur në shqip)

Sipas autorit, parathënia e librit, përpos synimit formal, në këtë rast ka edhe një tjetër: tё familjarizojë lexuesin e huaj me sfondin historik tё ngjarjeve, qё zhvillohen, kryesisht, në dy qytete, Shkodёr dhe Tiranё.

La Quinta

Ky roman ashtё njё tribut i autorit pёr qytetin antik tё Shkodrёs dhe bijtё e saj qё, edhe nё mungesёn e lirisё, kanё ditur tё dashurojnё, tё besojnё e tё shpresojnё. Vepra e pafund e tyre nё shekuj ka patur si fill rrёfyes traditёn kulturore tё krahinёs, edhe kur dhuna e regjimit totalitar kёrkonte ta shndёrronte shpirtin krijues tё bijve tё saj nё instrument tё propagandёs. Ky libёr synon tё nderojё kujtimin e shumё njerёzve tё fesё, tё qytetarёve tё ndershёm, tё artistёve dhe intelektualёve qё u dёnuan, internuan e pushkatuan si kundёrshtarё tё mundshёm tё regjimit komunist, shprehje e tё Keqes Absolute tё kohёve moderne. 

*          *          *

Edhe pse kanё kaluar tre dekada nga rёnia e murit tё Berlinit, bota perёndimore nuk po arrin tё çlirohet nga njё krizё qё zor se mund ta quajmё tё natyrёs thjesht ekonomike. Tej vёshtirёsive ekonomike ashtё pёrshtypja e njё krize ekzistenciale qё lidhet me vlerat dhe me modelin e jetёs sonё. Njё model i shoqёrisё tashmё i vjetёruar, sepse është tej mase i grryer nga koha. Shumё tё Vёrteta, qё deri dje i besonim si tё qёndrueshme, sot i shohim tё shёmben e, mё pas, edhe tё perёndojnё.

Shekulli i kaluar krijoi njё eksperiment gjigant, absurd e tё dhunshёm, qё besonte tё çlironte njeriun duke ua ndarё varfёrinё qytetarёve nё pjesё tё barabarta. “Tё gjithё tё barabartё pёrpara ligjit”. Jeta, Universi dhe evolucioni i tij konsistojnё nё spontanitetin e diferencave qё, nga ana e tyre, krijojnё lёvizjen, zhvillimin, konfliktin, luftёn dhe paqen.

E ardhmja ka pak kuptim e mundёsi tё realizohet pa njё referim historik e kulturor. Do tё ishte si tё ecёsh mbi ujё. Njohja dhe kuptimi i thellё i tё kaluarёs janё absolutisht tё nevojshme pёr tё krijuar vetёdijen e qytetarit pёr njё ide e projekt tё sё ardhmes. Nё dy dekadat e fundit, evolucioni, pёrsosja e rendit demokratik janё frenuar nё favor tё nostalgjive tё sё kaluarёs. Kriza e thellё e kohёs sonё e shtyn qytetarin tё rijetojё njё lloj nostalgjie tё tё kaluarёs.

Kam njohur, nga pёrvoja personale e drejtpёrdrejtё, totalitarizmin e regjimit komunist dhe kam mbetur i prekur thellё pёr shumё arёsye.  Njё nga problemet mё tё ndёrlikuara mendoj tё jetё raporti i pushtetit me universin kulturor tё kombit e, nё mёnyrё tё veçantё, me shkollёn dhe artin. Mendimi i lirё i qytetarit zen fill dhe formohet, piqet spontanisht nё hapёsirёn ndёrmjet shoqёrisё dhe propagandёs sё regjimit apo tё pushtetit, nё pёrgjithёsi. Nё kёtё evolucion funksioni i artit ashtё themelor. Tё gjithё, porsa marrin nё dorё pushtetin, synojnё ta kufizojnё ndikimin e artit dhe  ta shndrrojnё atё nё njё aleat tё politikёs, tё ideologjisё dominuese dhe tё propagandёs.  Pikёrisht nё kёtё hapёsirё kritike luhet jetёgjatёsia e çdo forme tё totalitarizmit. Raporti mes pushtetit dhe instinktit krijues tё qytetarit bёhet konfliktual dhe kjo, sikundër dёshmojnё pёrvojat, ashtё e paevitueshme nё çdo kohё e nё çdo vend.

Pas rёnies sё nazifashizmit, arti me format e shumta tё tij e ka rivizituar realitetin dhe vuajtjet e shkaktuara nga dy prej totalitarizmave mё mizore tё historisё. Nё rastin e regjimeve totalitare tё Lindjes Europiane, pёrkundrazi, mbretёron njё heshtje relative e pafalshme. Nuk janё nostalgjitё pёr regjimet totalitare qё mund ta shpёtojnё botёn. Nuk mund tё jetё as propaganda e partive qё mund ta thellojё njohjen e tё Vёrtetёs mbi tё Keqen Absolute tё shekullit XX. Vetёm arti, me tё gjitha format shprehёse tё tij, do tё mund t’u trasmetojё breznive tё reja tё Vёrtetёn historike, bashkё me tragjedinё e vuajtjes njerёzore tё popujve europianё.

Universi dhe Natyra, misteri i tё Bukurёs dhe drita e Urtёsisё, Paqja si shprehje e Ekuilibrit dhe Harmonisё nuk kanё kombёsi. E dinё mirё artistёt dhe qytetarёt e shquar tё shoqёrisё qё nё aftёsinё krijuese shohin magjinё e Natyrёs dhe, nё njё farё kuptimi, pavdekёsinё e Njeriut . . . . dhe, pёr kёtё bindje fisnike tё tyre, artistёt janё tё parёt qё pёsojnё dhunёn e tё Keqes Absolute.

Ashtё ky sfondi historik i romanit “La Quinta”, nё tё cilin  jam pёrpjekur tё rrёfej tramёn reale e tё papёrshkrueshme tё njё grupi artistёsh qё e vuajtёn fizikisht e shpirtёrisht dhunёn, por pa tradhёtuar aspak bindjet dhe ndjeshmёritё e tyre fisnike. Nga kjo pikёpamje ata janё heronjtё e vёrtetё tё asaj periudhe obskurantiste qё shumё prej sivёllezёrve tanё po harrojnё.

Duke rijetuar kёto ngjarje e kuptoj me hidhёrim qё ashtё e vёshtirё, nё mos e pamundur, tё rindёrtosh pamjen autentike tё jetёve tё fyera e tё pёrçudnuara nga dhuna e totalitarizmit. Kam patur shumё kontakte me miq e njerёz tё njohur, duke filluar nga vitet e para pas rёnies sё murit tё Berlinit. Prej tyre kam kuptuar qё njeriu jeton nё njё farё ankthi jo tё sё kaluarёs, tashmё formalisht tё mbyllur, por tё sё ardhmes. Meditohet pak mbi kohёn e shkuar dhe mbi tё Keqen e pafund tё saj.

Ata qё mbijetuan pas Olokaustit dhe krejt tragjedisё sё viteve ’39-‘45 thuajse janё larguar nga kjo jetё. Brezat e ardhёshme do tё mund ta kuptojnё dhimbjen njerёzore dhe kuptimin mё tё thelle tё asaj tragjedie, edhe nga librat e historisё, por kryesisht nga veprat e artit me letёrsinё nё krye.

Kush ka jetuar vuajtjen, tej pёrmasave tё tolerueshme nga njeriu, hyn nё njё fazё tё pafund meditimesh. Fillimisht, menjёherё pas çlirimit nga e Keqja, jeton njё gjendje gёzimi tё pamasё qё tё pushton e gati gati tё fut frikёn.  Kjo do tё ishte trauma e çlirimit.   Njё traumё qё mё pas i ngjan njё deti tё qetё dhe pёrherё e mё tё thellё. Me kohё lind dhe bёhet e qёndrueshme njё ndjenjё refuzimi ndaj vuajtjes qё ke jetuar. Dhimbja pёr padrejtёsinё e pёsuar shndrrohet nё njё ankth. Vёshtirёsitё ekonomike tё sё kaluarёs dhe pasojat relative kalojnё nё plan tё dytё. Pёr kafshёn uria ashtё shkak i vuajtjes fizike. Pёr  njeriun, pёrkundrazi, urija plagos shpirtin pёr poshtёrimin qё padrejtёsitё absurde i kanё sjellё.

Kur mendon qё drama ka mbaruar, vjen ndriçimi i vёrtetё i vetёdijes. Meditimi tё ndihmon tё kuptosh qё poshtёrimi prej nёnshtrimit total shndrrohet nё njё vuajtje tё pafund.   Atёhere ndjehesh i zhytur nё detin e qetё e tё thellё tё vetёdijes pёr njё jetё tё dhunuar e tё dёshtuar dhe qё nuk ka shёrim pёr kёtё plagё. Pёr kёtё arsye horizonti yt mbetet i errёt dhe shpirti pёrjetёsisht i lёnduar deri sa arrin vdekja.

Njeriu modern, i lodhur nga rutina monotone e jetёs, eviton tё rrёfejё pakёnaqёsitё e ekzistencёs vetjake, refuzon idenё e tё qёnurit keq . . . dhe, me ndihmёn e propagandёs, ndjen mё pak vuajtje, madje, ka ndjesinё e njё lumturie tё trishtuar. Shpesh jeton gjёndjen e njё realiteti virtual tё tjetёrsuar, pa vetedijen e plotё tё ekzistencёs vetjake. Braktisen afeksionet, pasionet, talentet dhe, nё mёnyrё tё paevitueshme, zbehen pamjet mё njerёzore tё ekzistencёs sonё. Kёto rrethana mund tё ushqejnё rritjen spontane dhe latente tё nostalgjive tё sё kaluarёs dhe tё rreziqeve qё ato sjellin. Duhet tё jemi tё vёmendshёm e tё matur. Nё çdo njeri, thoshte Platoni, dremit njё tiran.

      Terni, prill 2018

Kanë thënë për librin

Francesco De Sio Lazzari, Profesor i filosofisё nё  Universitetin Oriental tё Napolit

Data: 12/07/2018

I dashur Alberto,

E pёrpiva me njё frymё dje librin tuaj, qё  mё arriti njё ditё para afatit.

Ke shkruar njё roman tё madh: pёr sensibilitetin, kulturёn qё shpreh dhe nostalgjinё. Lexova “aventurat” e protagonistёve dhe nuk arrij t’i nёnshtrohem idesё qё Shqipёria tё ketё vuajtur aq shumё nёn qeverisjen e Enver Hoxhёs, njё nga regjimet komuniste mё tё urryera, por qё kudo kanё qёnё diktatoriale dhe mizore. Kanё dhunuar jetёn njerёzore duke filluar qё nga rinia e herёshme e saj, kanё vrarё shpresёn . . . dhe pёrse?

Melankolia dominon librin tёnd dhe e pushton tёrёsisht lexuesin. Pёrfundova leximin e librit me kёnaqёsi (pёr bukurinё e tij) dhe me njё melankoli tё thellё (pёr ato qё ti rrёfen). Libri yt ashtё njё homazh i shkёlqyer pёr atё brez tё vuajtur, njё dёshmi intensive dhe shumё e ndjerё nga ana jote. Janё shumё ata qё do tё tё jenё mirёnjohёs.

Tё pёrshendes me mall, Francesco.

———————

Chiara Bertoglio, pianiste, musicologe, autore e shumё librave (Torino), 2.07.2018

Shumё i nderuar Profesor Frashër,

Porsa mbarova leximin e romanit tuaj “La Quinta”, i cili mё  pushtoi tёrёsisht dhe me intesitet. Dёshiroj, me shumё bindje, t’ju pёrgёzoj pёr vёrtetёsinё  e tramёs, tematikat delikate e fondamentale, ndejshmёrinё tuaj ndaj muzikёs, gjuhёs dhe pёrmbajtjes sё saj, pёr finesёn e stilit tё rjedhshёm e tё pasur njёkohёsisht. Falenderimet e mija tё pafund pёr kёtё vepёr, komplimente dhe urime pёr njё sukses tё merituar tё librit tuaj!

Chiara Bertoglio

—————————————-

Tatjana Gjergo, 7 gusht 2018

(Bashkёshortja e piktorit Edison Gjergo)

I nderuar prof. Alberto,

Admirova punёn tuaj nё librin “La Quinta”, u befasova me kulturёn tuaj nё fushёn e muzikёs edhe pse keni studiuar pёr matematikё. Libri juaj ёshtё njё dёshmi e trishtё dhe rёnqethёse e viteve tё dhunёshme tё diktaturёs komuniste e cila ishte futur si metastazё nё shpirtin dhe kulturёn e kombit, nё traditat e nё besimet fetare duke çrrёnjosur cdo gjё tё bukur e qё me mund e sakrifica kombi pati krijuar dhe luftuar nё shekuj pёr t’i mbrojtur si thesare e dёshmi tё kulturёs sё tij. Kjo dёshmi ndjehet thellё nё librin tuaj i cili shpreh qartё sakrificat e artistёve pёr ta pasuruar thesarin kombёtar me kulturёn e pёrparuar botёrore. Libri juaj ёshtё dёshmi i viteve tё errёta tё atij regjimi prej nga populli e Shqipёria dolёn tё gjymtuar nё tё gjitha aspektet, ekonomike, psikologjike e kulturore. U familjarizova pothuaj me tё gjithё personazhet, Fran, Rudina, Naim, Anila, Marin, Donika… nё tё cilёt shikoj rezistencёn pёr ruajtur shpirtin nga metastazat e tё Keqes.

Faleminderit Alberto!!!

Tatjana Gjergo

Lamtumirë Dhurata Bozdo! Nga Prof. Nasho Jorgaqi

Lamtumirë Dhurata Bozdo!

(1931-2018)

Nga Prof. Nasho Jorgaqi

Këto ditë u nda nga jeta, pas një sëmundje të rëndë romancierja Dhurata Bozdo. E lindur në Shijak, në vitin 1931, në një nga familjet e njohura patriotike të fisit Deliallisi, pasi mbaroi mësimet e para në vendlindje dhe shkollën Pedagogjike në Tiranë, u diplomua në degën Gjuhë-Letërsi Shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik. Për dekada të tëra ajo shërbeu si mësuese letërsie në shkollat e Tiranës, Kuçovës, Patosit, etj, ku bëri emër të respektuar si mësimdhënëse e zonja dhe e përkushtuar pas edukimit të brezit të ri.

E dashuruar dhe e lidhur ngushtë me letërsinë, Dhurata do të manifestonte dhuntitë e saj letrare që nxënëse e studente, jo vetëm në hartime, por edhe me tregime e skica letrare që do t`i botonte në shtypin e kohës. Ky do të ishte edhe debutimi i saj i parë në fushën e letërsisë, një debutim ky premtues, që u shfaq e u konkretizua suksesshëm në fushën e romanit, pas shumë vitesh pune, vështirësish e pengesash biografike të politizuara në atë kohë.

Për dekada të tëra, ajo punoi me romanin e saj të parë nën titullin “Shkëlqimi i Rremë”. I nisur në vitet ’50, ai u botua pas shumë peripecish në vitin 1975. Romani u mirëprit nga lexuesit e gjerë.

Me këtë vepër, Dhurata Bozdo, së bashku me romanet e E. Kadares dhe N. Lakos, u bënë pionieret e para të romanit shqiptar, të krijuar nga talentet femërore.

Pas kësaj vepre, autorja iu përkushtua në vijimësi gjinisë së romanit dhe fryt i një pune 4 vjeçare ishte romani i dytë “Përballë Dallgëve”, që u botua në vitin 1979.

Pas viteve 1990, Dhurata do t`u jepte lexuesve romanin e saj të tretë në dy vëllime nën titullin “Kush i vrau ato ëndrra?”, të cilat u botuan në vitet 2002 dhe 2004. Të tre romanet kanë të përbashkëta mjedise të Shqipërisë së mesme, sidomos të Tiranës. Ato përfshijnë harkun kohor nga viti 1930 deri në vitin 1944, e në vijim deri në vitin 1955 dhe përmbajnë kronikën e jetës shoqërore dhe politike të shoqërisë së asaj periudhe.

Një vend të veçantë në këto romane ze  jeta dhe fati i gruas shqiptare, një botë kjo që autorja e njihte thellë dhe e kish përjetuar në epoka të ndryshme të shoqërisë sonë. Meritë e saj është edhe fakti që në romanet e veta e jep me realizëm jetën shqiptare. Autorja ka depërtuar thellë në psikologjinë e gruas, veçanërisht të asaj të Shqipërisë së mesme. Vlen të theksohet se në romanin “Kush i vrau ato ëndrra?”, Dhurata pasqyroi e trajtoi jetën e intelektualëve të rinj para dhe pas çlirimit të Shqipërisë.

P.S.

Shkrimi botohet me lejen e fëmijëve.

Znj. Bozdo ka lënë dorëshkrim shumë punë të saj, që pritet të shohin së shpejti dritën e botimit.

Bijtë e shqipes Autor Julian Amery

Bijtë e shqipes Autor Julian Amery

Tiranë: Shtëpia Botuese “Lumo Skendo”, 2002

Origjinali në anglisht: AMERY, Julian. Sons of the Eagle. A Study in Guerilla War. Published: London Macmillan & Co. Ltd., 1948, Stock Code: 85220£150

Shqiptarët, të cilët pretendojnë se vijnë nga ilirët dhe epiriotët, e quajnë veten e tyre shqiptarë, fjalë e cila do të thotë “Bijtë e shqipes”. Sipas folklorit të tyre, ky emër ka ardhur nga një fjalim që i atribuohet Pirros, mbretit të dikurshëm të Epirit. Duke u kthyer nga fitoret e tij në Maqedoni, Pirrua u krahasua nga trupat e tij me “shqiponjën”, për manovrat e shpejta luftarake.

  • Ju më thërrisni shqiponjë, – thuhet se është përgjigjur ai, – dhe është e vërtetë, sepse ju, ushtarët e mi, jeni bijtë e shqipes dhe shigjetat tuaja janë krahët me të cilët unë fluturoj.

Parathënie

Ideja e parë për të inflirtruar njerëz në Shqipëri për të filluar lëvizjen e rezistencës erdhi nga Zhulian Ameri në fillim të vitit 1940 kur ai shërbeu si atashe i Ambasadës Britanike në Beograd.

Kjo ide prodhoi frytet e saj në prill të vitit 1941, kur një grup i përbërë nga tre vëllezërit Kryeziu Gani, Said dhe Hasan – së bashku me Abaz Kupin, Mustafa Gjinishin dhe Dayrell Oakley-Hill u futën në kufirin Shqiptar nga Jugosllavia. Misioni i tyre ishte jetëshkurtër sepse pas pak kohësh gjermanet pushtuan Jugosllavinë dhe shumë shpejt morën Beogradin – kështu baza e tyre kryesore u prish dhe ata nuk mund të ktheheshin mbrapsh. Grupi u shpërnda në drejtime të ndryshme.

Projekti tjetër për të çuar njerëz në Shqipëri ishte një ide e Majorit Billy McLean. SOE (Operacionet Speciale Ekzekutive) kishte dërguar misionet e veta në Greqi dhe Jugosllavi por asnjë kontakt nuk ishte vendosur me Shqipërinë ku përflitej se kishte grupe rezistence.

Misioni i parë në Shqipëri u hodh në Prill 1943 në Greqinë veriore me qëllimin që të futej prej andej në Shqipëri. Grupi përbëhej nga Billy McLean, Garry Duffy, Kaporal Williamson dhe unë. Eventualisht në Shqipëri ne hymë në kontakt me LNÇ (Lëvizja Nacionalçlirimtare), të cilët ishin komunistë dhe dalloheshin për këtë nga ylli i kuq dhe përshëndetja me grusht mbledhur, megjithëse atëherë ata e mohonin këtë gjë.

Meqenëse ata provuan se luftonin kundër italianëve, megjithëqë pretendimet e tyre ishin të ekzagjeruara, ne rekomanduam që ata të mbështeteshin. Furnizime me armë, eksplozivë, mina dhe veshje u hodhën me parashuta dhe brenda pak muajsh ne kishin trajnuar dhe pajisur çfarë njihej si Brigada e Parë Sulmuese. Gjatë kësaj periudhe, përpjekjet tona për të marrë kontakt me lëvizjet e tjera të rezistencës, veçanërisht me Ballin Kombëtar dhe Zogistët bëheshin jashtëzakonisht të vështira nga partizanët të cilët me qëllim e mbanin misionin tonë larg çdo kontakti me ta.

Ne ishim vazhdimisht në kontakt me Enver Hoxhën dhe shtabin e përgjithshëm të LNÇ. Kur u konsiderua se çdo gjë ishte gati, Brigada e parë sulmuese e komanduar nga Mehmet Shehu, zhvilloi një paradë. Shpresat tona ishin të mëdha se më së fundmi kishim përgatitur një forcë të aftë për të luftuar italianët dhe gjermanet që po mbërrinin. Por u zhgënjyem.

Një postbllok gjerman i përbërë nga 20 ushtarë patrullonte rrugën nga Korça në Leskovik dhe ata ishin një shënjestër e mirë. I kërkuam Mehmet Shehut të sulmonte këtë postë por ai me kokëfortësi refuzoi. Kuptuam që të gjithë përpjekjet tona kishin shkuar dëm kur dëgjuam që brigada kishte lëvizur në jug dhe po u vinte zjarrin fshatrave balliste. U kuptua qartë se brigada do të përdorej për të luftuar rivalët politikë, ballistët dhe zogistët për të vënë vendin nën kontroll pasi okupatorët e huaj të nxirreshin jashtë.

Kur kapitulloi Italia ne lëvizëm në Shqipërinë e mesme dhe ngritëm një kamp në pyjet e Bizes që lidheshin me malet e Martaneshit. Në atë kohë po hidheshin më shumë misione në vend dhe selia jonë qëndronte në Kairo (më vonë në Bari) vendosi të dërgonte një oficer madhor për të komanduar gjithë këto misione meqenëse McLean mbante vetëm gradën e majorit.

Gjithashtu, në shtator u parashutua në vend Brigadier “trosky” Davies së bashku me një numër të madh oficerësh dhe pajisjesh, duke përfshirë Arthur Nicholls dhe Alan Hare. Pasi u informua me hollësi mbi situatën nga McLean, Davies vendosi, meqenëse ne ishim misioni i parë në Shqipëri, të na dërgonte në Bari, Kairo dhe Londër për të raportuar për situatën.

Në Londër, pasi bëmë raportet, shpresonim të merrnim ca ditë leje, por kjo nuk ndodhi për arsye të lajmësve se Davies dhe misioni i tij në Shqipëri ishin sulmuar, Davies ishte plagosur dhe burgosur ndërsa misioni ishte shpërndarë. U urdhëruam që të ktheheshim menjëherë në Kairo për t’u informuar me qëllim që të ktheheshim përsëri në Shqipëri.

Kur ishim në Londër, biseduam me Anthony Eden, që ishte atëherë Ministri i Jashtëm. Ai na tha se meqenëse trajnuam dhe pajisëm partizanët në jug, dëshironte që të shkonim këtë herë në veri për të inkurajuar njerëzit aty për të luftuar gjermanet. Fjalët e tij në ndarje, ishin se në rast se do të kishim nevojë për të apo për të diskutuar ndonjë pikë të veçantë, nuk duhet të hezitonim për t’i dërguar një mesazh personal.

Kur u kthyem në Kairo takuam Xhulian Amerin që ishte shumë i interesuar për të ardhur në Shqipëri meqenëse ai ishte ideatori i sponsorizimit të fillimit të rezistencës në atë vend. Kështu që ai u bashkua me mua dhe McLean, dhe në prill 1944, fluturuam në Bari dhe që andej u lëshuam nga amerikanët të cilët në atë kohë hidhnin furnizimet në Ballkan. Pas dy përpjekjeve të dështuara, më në fund u lëshuam jo në Bize por në pyjet afër saj. Një oficer britanik dhe një çetë zogiste na gjetën aty dhe së bashku çamë nëpër dëborë deri në fshatin më të afërt në Shëngjergj ku gjetëm Alan Hare dhe George Seymour që ishin sistemuar në një shtëpi të fshatit.

I dërguam fjalë Abaz Kupit për mbërritjen tonë, i cili erdhi të nesërmen me një çetë të përbërë nga njëqind burra. Që nga ai moment e më pas, ne ishim nën mbrojtjen e Abaz Kupit të cilin e respektonim të gjithë dhe me të cilin u bëmë miq të ngushtë. Nga ana tjetër, kur Enver Hoxha dëgjoi se ne ishim me Kupin na quajti bashkëpunëtorë të fashistëve dhe dërgoi partizanë për të na kapur ose vrarë.

Kupi tha se do të sulmonte gjermanet vetëm kur të merrte urdhër nga mbreti Zog. Ne e kishim takuar mbretin Zog në Angli i cili na kish autorizuar zyrtarisht me shkrim por Ministria e Jashtme refuzoi të na lejonte që ta merrnim me vete. Menduam se ndodhi kështu meqenëse ata nuk donin ta njihnin Zogun si mbret sepse kjo mund të prishte marrëdhëniet tona me amerikanët të cilët ishin shumë anti-monarkistë dhe kishin ngritur zërin kundër njohjes së mbretit të Greqisë nga ana jonë.

Më në fund, Kupi ra dakort të luftonte dhe hapi i parë i tij në këtë drejtim ishte një çetë që më dha mua për të më ndihmuar për të hedhur në erë një urë në rrugën midis Tiranës dhe Durrësit. Pas kësaj ne kryem së bashku me njerëzit e Kupit disa aksione kundër gjermanëve dhe kështu i dërguam një mesazh personal Edenit duke rekomanduar mbështetje të plotë për Kupin. Eden nuk e mori kurrë këtë sinjal. Komunistët kishin penetruar në selinë tonë qendrore në Bari dhe shkatërruan mesazhin tonë me qëllim. Ndërsa prinim një përgjigje nga Eden, partizanët sulmuan forcat e Kupit në Shëngjergj, mashtruan selinë tonë qendrore dhe po avanconin në drejtimin tonë. Kupi po përgatitej për kundërsulm dhe ishte e qartë se një luftë civile ishte në prag të shpërthimit.

Menjëherë pas kësaj ne morëm një sinjal nga selia jonë qendrore në Bari që deklaronte se ishte vendosur për të mbështetur vetëm partizanët dhe se misioni ynë duhej të tërhiqej. Kjo ishte një goditje e hidhur dhe na dukej se e lamë Kupin në baltë. Pas disa javësh patrullimesh të dërguara si nga partizanët ashtu edhe nga gjermanet, më së fundi na u dërgua një anije.

Tradhtia jonë ndaj Kupit u bë më e keqe kur morëm urdhra se në asnjë rast nuk duhet të merrnim me vete shqiptarë në anijen që do të na evokonte. Me ne do të vinin vetëm Said Kryeziu dhe Ihsan Toptani që kishin dhënë një ndihmë të pakursyer për misionet britanike. Bile ata dërguan një oficer në anije për t’u siguruar që ne do të zbatonim urdhrat.

I dërguam një sinjal personal Edenit ku i kërkonim ndërhyrjen e menjëhershme për të evokuar edhe Kupin me njerëzit e tij, të cilin ai e aprovoi sapo e mori. Ndërkohë McLean dhe Ameri fluturuan në Kazerta ku takuan gjeneral Wilson, Komandanti i Ushtrisë në Itali dhe Harold Macmillan, ministri rezident i shtetit. Të dy ranë dakort që Kupi së bashku me njerëzit e tij të evakuohej dhe për këtë u urdhërua dërgimi i menjëhershëm i një destrojeri.

Ndërkohë Kupi dhe njerëzit e tij kishin marrë një anije për të kaluar në Itali e cila u prish dhe pastaj i tërhoqëm në Bari. Sapo arritëm u takuam dhe ishte një ribashkim i lumtur. Abaz Kupit dhe Ihsan Toptanit i vinte keq dhe e kuptonin braktisjen e turpshme që ju bëmë duke i lënë në Shqipëri.

Ky libër është padyshim më i miri për kohën e luftës në Shqipëri dhe unë ia rekomandoj atë të gjithë të interesuarve për atë vend dhe për historinë e tij të kohës së luftës.

Foto kryesore: Ballina e librit në gjuhën origjinale

Foto e dytë: Julian Amery Foto credit: Wikipedia

Prezantimi i Bahut për koncertet e Tiranës Nga Tedi Papavrami

Prezantimi i Bahut për koncertet e Tiranës

 Nga Tedi Papavrami

Në historinë e artit ndodh më shpesh nga ç’mendohet që majat të arrihen pak kohë pas hapjes së një fushe të re shprehjeje. Para Bahut, repertori për violinë solo nuk është shumë i gjerë e as i elaboruar, por ky fakt nuk e pengoi aspak kompozitorin e madh që në  vitin 1720 të kompozojë majën absolute të muzikës për violinë solo: 6 sonatat dhe partitat. Do të na duhet të presim vitin 1945 dhe sonatën për violinë solo të Bela Bartokut që të gjendemi në prani të një maje tjetër, të krahasueshme me ato që mjeshtri gjerman ka eksploruar mbi 200 vite më parë.

Sigurisht, midis të dyjave ka ekzistuar Paganini me 24 kapriçiot, i cili i ka hapur rrugë një forme të re virtuoziteti. Por në historinë e violinës, bashkimi i një vështirësie teknike ekstreme në shërbim ekskluziv të një qëllimi të epërm muzikor ndeshet deri tani vetëm tek këto dy vepra.

Cikli i plotë i sonatave dhe partitave të Bahut për violinë, kudo në botë, luhet rrallë në koncert. Në Shqipëri ende nuk është luajtur kurrë i tëri. Arsyet janë vështirësia e interpretimit dhe mosbesimi i organizatorëve që një violinë e vetme, pa piano dhe pa orkestër, të mjaftojë për të mbërthyer publikun nëpërmjet një muzikë pa efekte, që ka namin të jetë e rreptë, pa kompromise, ndonëse vetë fakti që janë kryevepra nuk vihet asnjëherë në dyshim.

Por cili është interesi i interpretimit të plotë të 6 sonatave dhe partitave, përveç sfidës teknike dhe fizike që paraqet? Në kohën që janë kompozuar këto vepra nuk njihen interpretime publike të tyre, aq më pak të të gjithave bashkë dhe nuk është e sigurt që vështirësitë teknike që paraqesin dhe që ende sot trembin me të drejtë shumë violinistë, nuk i tejkalonin mundësitë teknike të kohës kur u kompozuan.

Përgjigjja gjendet pikërisht në dëgjimin e të gjithë ciklit njëherazi: ndonëse Sonata I, tipike e muzikës për organo të kishave, paraqet një truall fetar që mund të quhet si e trashëguar nga edukata e përgjithshme, me Partitën I gjendemi papritur në një botë krejt tjetër. Në modelin e suitave franceze ajo shpreh diçka shumë më pak të distancuar, lidhur nga afër me pasionet, elegancën, kënaqësitë dhe hidhërimet njerëzore, që na kujtojnë jetën në oborret mbretërore franceze.

Pas saj, Sonata II, edhe pse e ndërtuar në modelin e alternancës së 4 kohëve me një fugë në mes (si dhe Sonata I), shpreh një intensitet dhe një pështjellim pasionesh, intensitet dhe revoltë shumë më frymëmarrëse, me përjashtim të momentit të paqes që paraqet koha e tretë andante. Nga ana e saj, Partita II që e ndjek, na duket se shpreh një dhimbje më të madhërishme se ajo e Partitës I. Aspekti elegant dhe paksa trillan i kësaj të fundit është shuajtur duke na lënë përshtypjen se nëse në Partitën I dhimbjet kanë zanafillë sentimentale, lidhur me hidhërimet e ndjenjave të dashurisë dhe plagës narcizike, këtu është ende një dhimbje njerëzore, por shumë më universale që mbretëron, si pafuqia përballë fatit, humbjes dhe vdekjes së të afërmve. Kulmi i saj është, sigurisht, çakona e famshme që vazhdon të mahnisë pafundësisht dëgjuesit dhe që krijon përshtypjen e një vërshimi të pareshtur ndjenjash të dhimbshme ku elementi hyjnor, që sjell paqe dhe ngushëllim në mes të saj, rrëmbehet edhe ai së fundi nga rikthimi i nostalgjisë dhe i melankolisë.

Këtu ndodh një ndërprerje: që në notat e para të Sonatës III e ndiejmë që jemi në një botë të përtejme, mbinjerëzore, si të skalitur në gur. Që në fillim ndjehesh si i pushtuar nga një optimizëm dhe distancë e re, por jo optimizëm njerëzor i bazuar në pritshmëri dihatëse dhe të lëvizshme: jemi në prezencë të diçkaje të sigurt dhe të pandryshueshme, përtej natyrës njerëzore, ku paqja është e përhershme dhe dhimbjet janë të distancuara. Këtë e mishëron veçanërisht Fuga në do mazhor, më e gjata që Bahu ka kompozuar gjatë gjithë jetës së tij. Gjendemi këtu në abstraksion dhe në metafizikë. Në Partitën III kjo thellësi paqeje hyjnore kalon në një etapë të re, për t’u transformuar në një ngazëllim të thjeshtë, fëminor, si një kthim i përhershëm në freskinë e vogëlisë: etapa më e lartë e urtësisë.

Unë nuk besoj që ky rrugëtim të jetë i rastit. Ai më duket se përfaqëson etapat e zhvillimit të një njeriu që arrin, nën ndikimin e kohës dhe mjedisit luterian kur u kompozuan, në çlirimin e pasioneve dhe të dhimbjeve njerëzore dhe në paqen absolute, falë besimit në Zot.

Por siç e dimë, sot nuk jemi në vitin 1720 e as në Gjermaninë luteriane të veriut. Fetë në Evropë janë larg influencës që ushtronin në atë kohë. Sot, nëpërmjet ndjenjave dhe tragjedisë njerëzore që na mbetet, duhet që pa ndihmën e tyre të përballojmë fatin tonë të pasigurt, me të gjitha dhimbjet e gëzimet që ofron. Për këtë arsye, këtë cikël kam zgjedhur ta përfundoj me Partitën II dhe Çakonën, pjesë që më ka ngushëlluar kaq herë gjatë gjithë jetës sime dhe e cila mendoj se është më pranë asaj që jemi sot.

Për fat të mirë, ndonëse besimi ose urtësia filozofike e vërtetë nuk i jepen kujtdo, magjia me të cilën Bahu, në sajë të gjenialitetit dhe mjeshtërisë që e karakterizojnë ka arritur t’a shprehë në muzikën e tij, ende sot mund të na ngushëllojë të gjithë.

who’s who – Tedi Papavrami

Tedi Papavrami u lind në Tiranë më 13 maj 1971. Ai u lidh me violinën që në moshën katër vjeçare. Studioi violinë me të atin, profesorin e njohur Robert Papavrami, i cili ndikoi thellë në të ardhmen e tij artistike. Në moshën tetëvjeçare interpreton Cingareskën e Sarasates me Orkestrën Filarmonike të Tiranës dhe tri vite më vonë Koncertin e parë për violinë të Paganinit. Në shtator të vitit 1982, falë flautistit Alain Marion dhe një burse të ofruar nga Qeveria Franceze, vazhdon studimet në Paris në Conservatoire National Superieur de Musique, nën drejtimin e Pierre Amoyal. Në vitin 1985 fiton konkursin “Rodolfo Lipitzer” në Gorizia dhe më 1986 fiton me unanimitet çmimin e parë të Konservatorit të Parisit. Pas kësaj date, zhvillimi i tij muzikor vazhdon në mënyrë të pavarur, nën këshillat e muzikantëve të ndryshëm që ka rast të takojë. Në vitin 1992 vlerësohet nga Sacem me çmimin “George Enescu” dhe më 1993 fiton çmimin e parë dhe çmimin special të publikut në Konkursin Ndërkombëtar “Sarasate” në Pamplona.

Ka dhënë koncerte në Evropë, Afrikën e Jugut, Turqi, Japoni, Izrael, Hong Kong me orkestra të ndryshme ose recital ; ka interpretuar nën drejtimin e dirigjentëve të njohur si K. Sanderling, C. Hogëood, A. Pappano, M.Honeck, F.X. Roth etj. Papavrami është ndër të paktët violinistë që interpreton në koncert integrale të 24 kapriçiove të Paganinit dhe të 6 sonatave dhe partitave të Bahut. Është vlerësuar në Francë nga revistat muzikore Diapason dhe Classica Répertoire me dallimet Diapazon i artë dhe Choc për botimin e tij të ri diskografik me 6 sonatat për violinë solo të Ëzhen Izaisë.

Pas vitit 2000 dhe vdekjes së Jusuf Vrionit, Tedi, krahas karrierës së tij si violinist, ka përkthyer frëngjisht veprat e Ismail Kadaresë, si dhe ka debutuar në disa filma.

Vështrim i përgjithshëm në fushën e legjislacionit të medias elektronike për fëmijë – Në disa vende të Europës

Vështrim i përgjithshëm në fushën e legjislacionit të medias elektronike për fëmijë

Në disa vende të Europës

Nga Erka Koçi & Andrea Nathanaili

Programet televizive janë të shumëllojshme. Në ditët tona, pranohet se shqetësimi kryesor i publikut sa i takon  medias elektronike shkaktohet, kryesisht, nga teprimi i skenave me dhunë dhe seks në ekranet televizive. Megjithatë nuk duhen lënë mënjanë edhe shqetësime lidhur me elemente të tjera me efekte negative, si p.sh. përdorimi i fjalorit vulgar. Në vendin tonë, afro 91% e popullsisë mendon se teprohet me dhunën dhe seksin në ekranet televizive. Por dhuna dhe skenat e tepruara erotike në ekranet tona përcillen edhe nga ato grupmosha, që me ligj duhet të mbrohen prej tyre. Problemi ridimensionohet kur mendon që një pjesë të madhe të kohës fëmijët i shikojnë programet duke qënë vetëm në shtëpi.

Po të pyesësh teleshikuesit se çfarë duhet rregulluar në veprimtarinë televizive, pjesa më e madhe përgjigjen: “Ligji”.  Dhe po të kërkosh arsyen e vërtetë,  pjesa më e madhe e tyre  përgjigjen: “Veçanërisht për mbrojtjen e fëmijëve”.

Gjithsesi duhet theksuar se mbrojtjen e fëmijve nga ekrani i TV-së nuk është ligji që e zgjidh përfundimisht. Problemi është kompleks dhe si i tillë kërkon përfshirjen e një sërë faktorëve për zgjidhjen e tij, por një prej faktorëve kryesorë është ligji.

Një sërë aktesh ndërkombëtare parashikojnë në nenet e tyre mbrojtjen e fëmijëve nga abuzime të ndryshme. Në fushën e medias përmbushja e këtyre detyrimeve nga ana e shtetit pasqyrohet në ligjin që rregullon veprimtarinë radiotelevizive dhe që në çdo vend ka karakter kombëtar. Me këtë kuptohet që pjesë e ligjit duhet të jenë nene që mbrojnë zhvillimin fizik, emocional apo psikologjik të fëmijëve, interesat dhe të drejtat e tyre morale nga fusha të tilla si pornografia, seksi, dhuna, përdorimi i një fjalori vulgar dhe deri tek vulgarizimi i gjuhës amtare në radio dhe television apo përdorimi i formave të ndryshme të humorit që cënojnë dinjitetin e njeriut.

Në fushën e strukturës programore

Nga përvoja e vendeve me demokraci të hershme dhe e vendeve me demokraci në zhvillim del e qartë se hartimi i ligjit dhe “qëllimi në shenjë” nuk është proces i lehtë. Ai kërkon diskutim dhe përmirësim të vazhdueshëm gjithmonë duke patur në qendër të vëmendjes balancën ndërmjet fjalës së lirë dhe mbrojtjes së të drejtave të fëmijve në mënyrë që TV-ja të arrijë potencialin e tij si një instrument i civilizuar që transmeton informacion, edukon dhe zbavit.

Poloni

Në dhjetor të vitit 1992 është aprovuar ligji polak i transmetimeve radiotelevizive. Në piken 4 të nenit 18 të aktit të transmetimit thuhet se:

“Programet ose transmetimet e tjera që kërcënojnë zhvillimin fizik, mendor ose moral të të vegjëlve, në veçanti ato që përmbajne pornografi ose dhunë të pakuptimtë e të tepërt duhet të ndalohen”.

Pas dy vjetësh aprovohet një rregullore në zbatim të këtij neni ku kërkohet që operatorët radiotelevizivë të ndalojnë transmetimin e programeve që:

  • Paraqesin violencë, brutalitet, veçanërisht pamje dhune, torture apo skena të tjera çoroditëse.
  • Paraqesin qëndrime të cilat i tejkalojnë kufijtë e zakonshëm të sjelljes së pranuar nga shoqëria dhe përmbajnë fraza, fjalë apo gjeste vulgare.
  • Në mënyrë drastike cenojnë normat e shoqërisë nëpërmjet pornografisë duke bërë një trajtim subjektiv të qënies njerëzore pa marrë parasysh dinjitetin.
  • Japin metoda dhe teknika të veprave kriminale.

Për sa më sipër mund të transmetohen nëse justifikohen nga vlerat e larta artistike, dokumentare apo historike, duke siguruar që transmetimi i tyre nuk shkel parashikimet e Kodit Penal.

Po sipas kësaj rregulloreje, operatori duhet të informojë teleshikuesit mbi natyrën e programit që do të transmetohet, duke specifikuar që ky program mund të ndikojë negativisht në zhvillimin fizik, emocional apo psikologjik të fëmijëve dhe adoleshentëve.

Një e veçantë tjetër e kësaj rregulloreje është se edhe reklamat e programeve të mësipërme, nuk duhet të transmetohen në intervalin e orëve nga 6.00 deri 23.00. Gjithashtu brenda 5 muajve nga aprovimi i kësaj rregulloreje, çdo operator duhet të ndërtojë rregulloren e brendshme administrative ku të klasifikohen programet e sipërpërmendur.

Slloveni

Në ligjin sllovak të transmetimeve, gjejmë një nen te posaçëm, nenin 20, që titullohet “Mbrojtja e të vegjëlve”.

Në pikën e parë të këtij neni theksohet, se operatori është i detyruar të sigurojë mostransmetimin e programeve ose elementeve të tjerë të cilët mund të dëmtojnë zhvillimin fizik, mendor ose moral të të vegjëlve, sidomos ato programe që përmbajnë pornografi ose dhunë të ashpër e të pajustifikuar.

Sipas pikës së tretë është e detyrueshme që programe të tilla të mos transmetohen ndërmjet orëve 6.00-23.00.

Në pikën 5 të po këtij neni thuhet se, transmetuesi televiziv është i detyruar të formojë dhe të ndjekë një sistem të unifikuar për shënimin e programeve, të adresuar për prindërit apo kujdestarët e të vegjëlve, të cilat informojnë mbi përshtatshmërinë e programeve për grupmoshat 7, 12 dhe 18 vjeç.

Pika 6 detyron Këshillin të përcaktojë një sistem të unifikuar shenjash, t’i publikojë ato dhe t’i shpërndajë tek transmetuesit e interesuar.

Transmetuesi është i detyruar të zbatojë sistemin e unifikuar të shenjave për programet e transmetuara prej tij.

Neni 19 i ligjit sllovak, krahas detyrimit për mbrojtjen e dinjitetit të njeriut, ndalon edhe format e hapura ose të fshehta të propagandimit të alkoolizmit, pirjes së duhanit, përdorimit të lëndëve narkotike e helmuese, si dhe efektet e përdorimit të këtyre lëndëve.

Në nenin 19 të ligjit finlandez theksohet se, një transmetues duhet të sigurojë që:

  • “Programet televizive të cilat ka të ngjarë të dëmtojnë zhvillimin e fëmijëve për shkak të përmbajtjes së tyre seksuale ose natyrës violente, të transmetohen në kohën gjatë së cilës fëmijët nuk vështrojnë zakonisht programe televizive.”

Nëse transmetohet një program i tillë, ai duhet të paraprihet nga një njoftim, ku të vihet në dukje efekti dëmtues në zhvillimin e fëmijëve. Njoftimi mund të zëvendësohet me një shenjë identifikuese gjatë gjithë kohës së transmetimit, që tregon efektin dëmtues të programit në zhvillimin e fëmijëve.

Në nenin 4 të ligjit slloven të transmetimeve thuhet vetëm se , “programet e transmetuara duhet të mbrojnë fëmijët dhe të rinjtë nga përmbajtja që mund të jetë e dëmshme për zhvillimin e tyre mendor dhe fizik”.

Patjetër që në zbatim të këtij neni mund të ketë një rregullore që përcakton specifikime të tjera, por që momentalisht nuk e kemi në dispozicion.

Norvegji

Ligji norvegjez detyron hartimin e rregulloreve që ndalojnë transmetimin e programeve televizive që rrezikojnë seriozisht zhvillimin fizik, mendor dhe moral të të miturve, në veçanti programet që përmbajnë pornografi ose dhunë të pajustifikuar. Sipas kësaj rregulloreje duhet përcaktuar koha dhe mënyrat e transmetimit të atyre programeve që rrezikojnë zhvillimin fizik, emocional dhe moral të fëmijëve.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Në dispozitat ligjore amerikane sanksionohet, që çdo stacion televiziv është i detyruar t’u shërbejë nevojave edukative dhe informative të fëmijëve. Këtu kihen parasysh fëmijët e moshës 16 vjeç e poshtë. Për problemin që ne jemi të interesuar, në ligjin amerikan quhen “materiale të pahijshme”, të cilat kufizohen por nuk ndalohen krejtësisht. Ato kufizohen duke shmangur transmetimin gjatë orëve të ditës, kur është rreziku më i madh që fëmijët ta ndjekin atë. Transmetimet që bëjnë pjesë në atë që përkufizohet si “e pahijshme” dhe që jepen midis orës 6.00 të mëngjesit dhe 10.00 të natës, i nënshtrohen ligjit për pahijshmërinë (i veçantë vetëm për Amerikën)

Në fushën e publicitetit

Legjislacioni polak ndalon transmetimin e reklamave që:

  • Drejtpërsëdrejti nxisin të vegjëlit të blejnë produkte ose shërbime.
  • Inkurajojnë të vegjlit të ushtrojnë presion mbi prindërit e tyre ose personat e tjerë per t’i bindur ata të blejnë produktet ose shërbimet që janë reklamuar.
  • Shfrytëzojnë besimin që të vegjëlit kanë tek prindërit e tyre, mësuesit ose personat e tjerë.
  • Pa arsye i drejtojnë fëmijët në situata të rrezikshme.

Afërsisht të kësaj natyre janë edhe kërkesat e legjislacionit finlandez. Reklamat në radio dhe televizion nuk duhet që:

  • Të nxisin të vegjlit të blejnë produkte ose shërbime që shfrytëzojnë mungesën e eksperiencës apo naivitetin e tyre.
  • Të inkurajojnë direkt të vegjlit të bindin prindërit e tyre, apo të tjerët të blejnë mallrat apo shërbimet që reklamohen.
  • Të shfrytëzojnë besimin e veçantë që të vegjlit kanë tek prindërit , mësuesit apo të tjerët.
  • Në mënyrë të paarsyeshme drejtojnë të vegjëlit në situata të rrezikshme.

Duke parë edhe ligjet e vendeve të tjera, dallohen të njëjtat kërkesa kufizuese për transmetimin e reklamave dhe publicitetit, në përpjekje për të mbrojtur zhvillimin normal të fëmijëve.

Marrëdhënia televizion – fëmijë. Sa punon media elektronike për edukimin e fëmijëve? Nga Andrea Nathanaili

Marrëdhënia televizion – fëmijë

Sa punon media elektronike për edukimin e fëmijëve?

Nga Andrea Nathanaili

Veprimtaria e medias elektronike, e cila përfshin prodhimin dhe transmetimin e programeve  në territorin e Republikës së Shqipqërisë, rregullohet me Ligjin nr. 8410, datë 30. 09. 1998, i ndryshuar, “Për radion dhe televizionin publik dhe privat në Republikën e Shqipërisë”, dhe me Ligjin nr. 9742, datë 28.05.2007 , “Për transemtimet numerike  në Republikën e Shqipërisë.

Sistemi i mbrojtjes së fëmijëve në transmetimet radiotelevizive në Shqipëri përfshin tre drejtime kryesore: ligjin organik, aktet nënligjore, kodet e etikës. Ligji Nr. 8410, datë 30.09.1998 “Për radion dhe televizionin publik e privat në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, përcakton detyrimet  e transmetuesve lidhur me respektimin  e mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, të shprehura në:

  1. Nenin 4, përcaktohen parimet themelore të zhvillimit të veprimtarisë radiotelevizive, ku, midis të tjerash theksohet se:
    • “Në këtë veprimtari respektohen në mënyrë të veçantë të drejtat, interesat dhe kërkesat morale e ligjore për mbrojtjen e të miturve.”
  2. Nenin 36, që përcakton se programet radiotelevizive duhet të respektojnë… “dinjitetin vetjak dhe të drejtat themelore të njeriut, dhe … të drejtat e fëmijëve dhe adoleshentëve….”,
  3. Nenin 38, i cili sanksionon ndalimin e programeve që nxisin dhunën, si dhe “prodhimi dhe transmetimi i programeve pornografike”,
  4. Nenin 43 ku thuhet se filmat e ndaluar për fëmijët nën moshën 14 vjeç nuk shfaqen në televizion, as pjesërisht, prej orës 06.00 deri në orën 02.00 të ditës tjetër.
  5. Nenet 56 dhe 57, që sanksionojnë ndalimin e reklamave që nxisin sjellje, të cilat rrezikojnë shëndetin dhe zhvillimin normal psikik të fëmijëve, të reklamave të pijeve alkoolike që drejtohen në veçanti fëmijëve si dhe kujdesin e veçantë në reklamat e destinuara për fëmijët, ose kur realizohen me fëmijë,  për të  mbrojtur interesat dhe veçantitë e moshës së tyre.

Rregullorja e hartuar dhe e miratuar nga KKRT  me vendimin nr. 795 dt. 27. 03. 2009, “Mbi shenjat paralajmëruese për respektimin e normave etiko–morale në programet radiotelevizive”  është një akt  nënligjor i rëndësishëm që ka për qëllim “rritjen e përgjegjësisë së operatorëve radiotelevizivë, që veprojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, ndaj zbatimit të kërkesave të ligjit për respektimin e normave morale dhe etike, veçanërisht mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, në programet radiotelevizive.

Kodi Etik i Medias Shqiptare, përgatitur nga Instituti Shqiptar i Medias në vitin 2006 është njohur dhe pranuar nga Shoqatat e transmetuesve radiotelevizivë. Në këtë kod, mes parimeve e kritereve të përgjithshme etike, theksohet në pjesë të veçantë (“Fëmijët dhe njerëzit e dobët”) respektimi i Konventës së OKB-së 1989, mbi të drejtat e fëmijëve, norma e kërkesa etike lidhur me publikimin e informacioneve e fotove me dhe për fëmijët, ruajtja e besimit, dinjitetit dhe jetës private të tyre, intervistimi  me pëlqimin e prindërve për fëmijët nën 14 vjeç etj. Edhe në Kodet e Etikës të transmetuesve radiotelevizivë në Shqipëri, si organizma vetërregulluese, janë përfshirë në paragrafë të veçantë parime e norma etike që theksojnë domosdoshmërinë e respektimit e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve në gjithë veprimtarinë e tyre radiotelevizive.

Nga analiza e programeve, vihet re se në vitet e fundit, si pasojë edhe e rritjes së numrit të operatorëve të licencuar kombëtarë e vendorë kemi një përmirësim në strukturë, krahas rritjes së ndjeshmërisë dhe ndërgjegjësimit  për domosdoshmërinë dhe cilësinë e programeve për fëmijë, të rinj dhe adoleshentë. Kjo shfaqet jo vetëm në hartimin e dokumentacionit përkatës për marrjen e licencës për programe radiotelevizive, por dhe në respektimin e kërkesave ligjore në vijueshmëri, gjatë transmetimit të emisioneve, për gjithë periudhën e licencimit. Është përmirësuar gama e shumëllojshmëria e programeve për fëmijë, duke tentuar drejt emisioneve me mesazhe edukative e formuese, me problematikë dhe target sipas grupmoshave. Veçanërisht televizioni publik i ka shfrytëzuar mirë potencialet dhe përvojën e vet në këtë fushë, duke realizuar programe dhe emisione të sukseshme për fëmijë, me nivel të arrirë, me gjuhë televizive të përshtatshme, që kanë rritur audiencën e teleshikuesve të vegjël. Ndërsa televizionet private kombëtare i janë drejtuar më shumë grupmoshave 12-18 vjeç, përmes programeve muzikore e argëtuese, që në thelb të konceptimit të tyre kanë garat dhe konkurset.

Por nuk mungojnë edhe përvojat negative, nga të cilat mund të listojë disa:

  • intervista me fëmijët pa pëlqimin e prindërve
  • intervistime të personave të përfshirë nga dhimbja
  • cenim i dinjitetit e privatësisë së adoleshentëve viktima të shfrytëzimit, në familje me probleme sociale.
  • përdorim i fëmijëve si mjet presioni, apo si “skupe” televizivë,
  • keqtrajtim e dhunim i personave e fëmijëve me aftësi të kufizuara, fëmijëve të braktisur, të sëmurë,  të abuzuar e të trafikuar
  • viktima të filmimeve të padëshiruara.
  • Përdorimin e  fjalorit vulgar që deformon formimin gjuhësor e shëndetin mendor të fëmijëve.

Në përfundim, televizioni duhet të paraqitet  si një plotësues i edukimit shkollor dhe familjar të fëmijëve, të nxisë një integrim sa më të plotë të fëmijëve në shoqëri, të mos bëhet arsye për shfaqjen e problemeve psikologjike dhe një zhvillimi të cunguar psikofizik apo në gjenerimin e konflikteve të reja.

Mendime dhe refleksione: zhvillime në lidhje me të drejtën e shprehjes, mendimit dhe komunikimit në gjuhën e pakicës Nga Andrea Nathanaili

Mendime dhe refleksione në lidhje me të drejtën e shprehjes, mendimit, komunikimit në gjuhën e pakicës

Andrea Nathanaili

Tiranë, tetor 2015

1. Zhvillime në lidhje me të drejtën e shprehjes, mendimit dhe komunikimit në gjuhën e pakicës (përfshirë transmetimet radio, shtypin e shkruar dhe kontaktet me to)

Garantimi i lirisë së shprehjes nuk mund të kuptohet i ndarë nga garantimi i një sërë lirish dhe të drejtash të tjera, të parashikuara në Kushtetutë, si: liria e shtypit, radios dhe televizionit (neni 22, pika 2). Liria e shprehjes me anë të mjeteve audiovizuale përfshin lirinë për ndërmarrje audiovizive, lirinë në përzgjedhjen e programeve në bazë të parimit të pavarësisë editoriale, si dhe lirinë në përzgjedhjen nga ana e individëve e programeve të dëshiruara. Neni 1 i ligjit nr. 8410 datë 30.09.1998 “Për Radion dhe Televizionin Publik e Privat në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, garanton pluralizmin mediatik duke parashikuar që në territorin e Shqipërisë ushtrohet veprimtari publike dhe private në fushën e radios dhe televizionit.

Zbatimi në praktikë i konceptit të pluralizmit në lidhje me lirinë e shprehjes dhe informimit në sektorin audiovizual, ka një dimension të jashtëm, që konsiston në numrin e konsiderueshëm të subjekteve radiotelevizive të licencuara, dhe një dimension të brendshëm, që lidhet me larminë e programeve dhe informacioneve që i përcillen publikut.

Për sa i përket dimensionit të jashtëm, gjykohet se mjedisi audiovizual në Shqipëri është mjaft i pasur (numërohen rreth 56 radio, 90 televizione analoge, 64 kabllore, 4 rrjete satelitore). Kjo është bërë e mundur nëpërmjet procedurave e kritereve ligjore të licencimit, relativisht jo kufizuese, por edhe politikës liberalizuese që ka ndjekur KKRT, duke iu përmbajtur në çdo rast qëndrimit rigoroz të garantimit të trajtimit të barabartë të kërkesave dhe aplikimeve.

Në këtë proces të larmishëm licencimi, nuk janë përjashtuar dhe nuk përjashtohen edhe subjektet qe i përkasin minoriteteve apo pakicave kombëtare, përkundrazi, kërkesat e paraqitura nga këto subjekte janë trajtuar gjithmonë me përparësi, duke pasur ne konsiderate rëndësinë që kanë transmetimet në gjuhën e pakicave. Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit, në të gjitha takimet dhe aktivitetet e zhvilluara me përfaqësues të pakicave kombëtare, ka nxitur paraqitjen e kërkesave për aplikim, duke u angazhuar në trajtimin me përparësi të tyre.

E vërteta është që gjatë gjithë periudhës së ekzistencës së këtij institucioni, kërkesat për licencim në fushën e transmetimeve radiotelevizive nga subjekte që i përkasin pakicave kombëtare, kane qenë të kufizuara. Në përputhje të plotë me pikat 2 dhe 3 të nenit 9 të Konventës Kuadër “Për mbrojtjen e minoriteteve”, në të gjitha rastet kur janë paraqitur këto kërkesa, Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit i ka trajtuar ato me vëmendjen maksimale, duke lehtësuar dhe ndihmuar në licencimin e tyre. Bazuar në kërkesat e vetë subjekteve janë licencuar operatorët radiofonikë “Armonia” dhe “Prespa” si dhe televizioni “Armonia”, përkatësisht për minoritetin grek dhe maqedonas si dhe janë në proces formalizimi përsëritësit të cilët ritransmetojnë programe televizive greke ne qytetin e Gjirokastrës.

Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit është i gatshëm të trajtojë me përparësi çdo kërkesë që do të paraqitej në të ardhmen nga subjekte që përfaqësojnë pakicat kombëtare, në përputhje të plotë me kriteret dhe standardet që kërkohen në fushën e transmetimeve radiotelevizive.

2. Zhvillime sa i takon bazës ligjore për mediat, përfshirë edhe mediat në gjuhët e pakicave

Legjislacioni bazë në fushën e medias elektronike është ligji nr. 8410, datë, 30.09.1998 “Për Radion dhe Televizionin Publik e Privat në Republikën e Shqipërisë”. Ky ligj, që nga miratimi i tij në vitin 1999, i është nënshtruar një sërë amendimesh që prekin aspekte të ndryshme të tij. Gjatë 5 (pese) viteve të fundit ligjit 8410 i janë bërë disa ndryshime që kanë të bëjnë kryesisht me përcaktimin e kritereve të sakta profesionale dhe ligjore, në zgjedhjen e anëtarëve të KKRT-së dhe të KDRTSH -së, kuorumin dhe vendimmarrjen e tyre Këshillave, me qëllim përmirësimin e cilësisë së punës dhe realizimit të misionit të tyre; rregullimin e mëtejshëm lidhur me funksionimin e administratës së KKRT-së etj. Të gjitha këto ndryshime në legjislacionin e medias nuk kanë të bëjnë aspak dhe nuk prekin mediat në gjuhën e minoriteteve.

Duke iu referuar ligjit aktual, në nenin 4 të tij, parashikohet që ‘’Veprimtaria radiotelevizive respekton paanshmërisht të drejtën për informacion, bindjet politike e besimet fetare, personalitetin, dinjitetin, jetën private të njeriut, si dhe të drejtat e liritë themelore të tij”.

Neni 36 përcakton që ‘’Programet radiotelevizive publike dhe private respektojnë dinjitetin vetjak dhe të drejtat themelore të njeriut, paanshmërinë, plotësinë dhe pluralizmin e informacionit, të drejtat e fëmijëve dhe të adoleshentëve, rendin publik dhe sigurinë kombëtare, gjuhën dhe kulturën shqiptare, të drejtat kushtetuese e njerëzore të shtetasve, të pakicave kombëtare në përputhje me konventat ndërkombëtare të nënshkruara nga Republika e Shqipërisë, diversitetin fetar shqiptar”.

Ndërkohë që në nenin 38 parashikohet që ‘’Në radio dhe televizion nuk lejohet të jepen programe që nxisin dhunën, urrejtjen kombëtare, fetare e raciale, veprime antikushtetuese, ndarjen territoriale, diskriminimin për shkak të bindjeve politike dhe përkatësisë fetare”.

Gjatë kësaj periudhe, një risi është dhe miratimi i ligjit nr. 9742 datë, 28.05.2007 “Për Transmetimet Numerike në Republikën e Shqipërisë”, i cili përcakton kuadrin rregullues për hyrjen e transmetimeve numerike në Republikën e Shqipërisë. Ky ligj sjell përmirësime të nevojshme dhe plotëson disa mangësi që kishte legjislacioni ekzistues në fushën e mediave në raport me standardet dhe me praktikat e njohura ndërkombëtare si dhe me vetë zhvillimet teknologjike në këtë fushë.

Në kuadër të përmirësimit të kuadrit ligjor ekzistues me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, Kuvendi i Shqipërisë ka ndërmarrë iniciativën ligjore për miratimin e projektligjit të ri “Për Transmetimet me zë dhe figurë në Republikën e Shqipërisë” që rregullon fushën e mediave dhe shërbimeve me zë dhe pamore si dhe transmetimet numerike brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.

Kjo iniciativë ligjore është ndërmarrë në përmbushje të detyrimeve që rrjedhin për Shqipërinë nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (nenet 70 dhe 102) si dhe nga akte të tjera ndërkombëtare, të cilat janë të detyrueshme për Shqipërinë, të miratuar në kuadër të Këshillit të Evropës dhe të BE-së. Kjo iniciative ligjore ka për qëllim të rregullojë me një ligj të vetëm dhe integral, dy fushat që aktualisht rregullohen nga dy ligje të ndryshme, të përmendura më lart.

Projektligji synon të ketë një përafrim të plotë me legjislacionin e BE-së në këtë fushë dhe me rekomandimet e Këshillit të Evropës. Projektligji është hartuar nga Komisioni Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, në bashkëpunim të ngushtë me ekspertët e Këshillit të Evropës dhe të Komisionit Evropian. Ky projekt-ligj është duke iu nënshtruar një procesi të gjerë këshillimi publik me te gjithë aktoret e interesuar.

3. Zhvillime për emisionet radio/televizive në gjuhët e pakicave

Lidhur me zhvillimet në këtë drejtim mund të shihet përgjigja e pyetjes së parë. Për më shumë hollësi shtojmë se disa radio, në kryeqytetin e Shqipërisë dhe në qendrat ku banon popullsi në pakicë etnike ose gjuhësore-kulturore, transmetojnë programe në gjuhën e këtyre pakicave. Të tilla janë:

  • Radio Televizioni publik (përmes studios së posaçme në Gjirokastër) transmeton programe në gjuhën greke
  • Radio “Sot 7” (Tiranë), që transmeton programe në gjuhën rome
  • Radio Televizioni ALPO (Gjirokastër) transmeton dy herë në javë programe në gjuhën greke
  • Radio Saranda, e cila transmeton një program të përditshëm (1/2 orë) në gjuhën greke.

Puna e këtyre mediave ka qenë faktor i rëndësishëm në promovimin e tolerancës dhe pluralizmit kulturor dhe krijimin e një klime harmonie ndërmjet komuniteteve të pakicave dhe shumicës së popullsisë.

KKRT, në zbatim të autoritetit që i jep ligji, i është drejtuar të gjithë operatorëve radiotelevizive në mënyrë të vazhdueshme, por edhe të drejtpërdrejtë, që raportimet e medias elektronike për çështje të komuniteteve e pakicave të jenë korrekte, jo diskriminuese duke promovuar një atmosferë të vlerësimit dhe diversitetit. Veçanërisht një rol të rëndësishëm në pasqyrimin e shqetësimeve e problemeve të tyre kanë luajtur televizionet lokale ku këto minoritete kanë qenë të pranishëm në shumë kronika e emisione duke pasqyruar aktivitete kulturore publike si dhe promovuar pjesë të traditave dhe të tyre.

Për një përmirësim të mëtejshëm të situatës në këtë drejtim është me interes vendosja e kontakteve me shoqatat e minoritetit rom dhe ato të komunitetit egjiptian, qoftë nëpërmjet shqyrtimit të ankesave të mundshme të tyre, qoftë përmes plotësimit të kërkesave të mirëpritura nga ana jonë për marrje licence për operatorë radiotelevizivë, konform kushteve të ligjit. Në këtë kontekst, KKRT u ka kërkuar publikisht anëtarëve të komunitetit rom dhe egjiptian të aplikojnë për licencim duke i ofruar edhe asistencën e domosdoshme.