Substancat radioaktive, veçanërisht radiumi Nga PIERR KYRI

Substancat radioaktive, veçanërisht radiumi

Fjala e mbajtur me rastin e marrjes së Çmimit Nobel

6 qershor 1905

Nga PIERR KYRI

Para së gjithash, më lejoni të them se jam shumë i lumtur të flas këtu, sot, përpara Akademisë së Shkencave, e cila na ka bërë, znj. Kyri dhe mua, nderin e madh duke na akorduar Çmimin “Nobel”. Në të njëjtën kohë, ju lutem pranoni ndjesën tonë për mbërritjen me vonesë në Stokholm, për arsye të cilat i kishim krejtësisht jashtë kontrollit.

Më duhet të flas sot, përpara jush, për karakteristikat e substancave radioaktive dhe, në veçanti, për ato të radiumit. Në fjalën time, ndoshta mund të mos kem mundësinë të përmend ekskluzivisht të gjithë punën e kryer. Në fillimet e studimit tonë në lidhje me dukurinë në fjalë, në vitin 1898, ishim vetëm ne dhe Bekerel njerëzit e interesuar. Por që nga ajo kohë është bërë shumë dhe sot është e pamundur të flasësh për radioaktivitetin, pa cituar një numër të madh fizikanësh, nga të cilët mund të veçoj disa prej tyre, si Radhërford, Debierne, Elster, Geitel, Giesel, Kauffmann, Crookes, Ramsay dhe Soddy, rezultatet e punës së të cilëve kanë shënuar një progres të rëndësishëm në dijet tona për vetitë e radioaktivitetit.

Në rrjedhojë, do të paraqes një përmbledhje të shkurtër të zbulimit të radiumit dhe cilësive të tij, si dhe do të flas për pasojat që këto dije të reja që kemi për radioaktivitetin priten të kenë në degë të ndryshme të shkencës.

Në vitin 1896 Bekereli zbuloi një karakteristikë të veçantë që vihej re te radiumi dhe elementët ku gjendej ai, atë të rrezatimit. Uraniumi lëshon një rrezatim shumë të dobët, i cili lë gjurmë në pllakën fotografike. Akoma, ky lloj rrezatimi ka aftësinë të kalojë përmes një letre të zezë a një flete metalike, si dhe të shndërrojë ajrin në përcjellës të rrymës elektrike. Rrezatimi nuk ndryshon me kalimin e kohës dhe për ne janë ende të panjohura shkaqet e prodhimit të tij.

Znj. Kyri në Francë dhe Shmidt në Gjermani kanë treguar se të njëjtat veti i zotërojnë edhe toriumi dhe lëndët ku gjendet ai. Akoma, në vitin 1898, znj. Kyri tregoi, gjithashtu, se nga të gjitha substancat kimike të përgatitura ose të përdorura në laborator, vetëm ato që përmbanin uranium ose torium kishin aftësinë të emetonin sasi të konsiderueshme rrezatimi Bekerel. Substancat që zotërojnë një aftësi të tillë ne i kemi quajtur radioaktive.

Në rrjedhojë, radioaktiviteti në vetvete paraqitet si një cilësi e atomeve të uranit dhe toriumit. Sa më e pasur është lënda në uran ose torium, aq më i fuqishëm është radioaktiviteti.

Znj. Kyri ka studiuar mineralet që përmbajnë uranium ose torium dhe në përputhje me të gjitha sa kemi dëshmuar më sipër, ka gjetur se janë radioaktivë. Por gjatë matjeve ka zbuluar, se disa prej tyre ishin më aktivë se sa duhej të ishin, në përputhje me përmbajtjen e uraniumit ose toriumit. Atëherë znj. Kyri shtroi hipotezën se këto substanca duhej të përmbanin elemente kimikë radioaktivë të panjohur më parë. Ne, znj. Kyri dhe unë, jemi përpjekur t’i gjejmë këto substanca të reja hipotetike në xeherorin e uraniumit, urarinite. Pas përfundimit të analizave kimike të këtij minerali dhe vlerësimit të radioaktivitetit të çdo pjese të ndarë gjatë trajtimit, kemi gjetur, para së gjithash, një substancë me radioaktivitet shumë të lartë, me karakteristika të ngjashme kimike me ato të bismuthit, të cilën ne e kemi pagëzuar me emrin Polonium dhe, më pas, (në bashkëpunim me Bémont), edhe një substancë të dytë shumë radioaktive, të ngjashme me bariumin, të cilën e kemi quajtur radium. Së fundmi, Debierne ka mundur të veçojë një substancë të tretë radioaktive që i takon grupit të elementeve të rrallë që gjenden në tokë, aktiniumin.

Këto substanca ekzistojnë në formë të ngurtë, por në sasi shumë të vogla, në trajtë gjurmësh, ndërkohë që zotërojnë një radioaktivitet jashtëzakonisht të lartë, dy milionë herë më të fuqishëm se ai i uraniumit. Pas trajtimit të një sasie shumë të madhe xeherorësh, ia dolëm të përftojmë një sasi të mjaftueshme të kripës së bariumit me përmbajtje radiumi, nga e cila mundëm të veçojmë radiumin, në formën e kristaleve të pastër, me metodën e fraksionimit të njëpasnjëshëm. Radiumi është homologu më i lartë i bariumit në serinë e metaleve alkalinë që gjenden në tokë. Pesha e tij atomike, përcaktuar nga znj. Kyri, është 225. Radiumi karakterizohet nga një spektër i qartë, zbuluar dhe studiuar për herë të parë nga Demarçay dhe, më pas, edhe nga Crookes, Runge, Precht, Exner dhe Haschek.

Efektet e përgjithshme të rrezatimit të radiumit janë shumë intensive dhe shtrihen në një interval shumë të gjerë.

Eksperimente të ndryshme: Shkarkon një elektroskop; rrezatimi është në gjendje të kalojë përmes një pllake plumbi disa centimetra të trashë; prania e tij shkakton lindjen e shkëndijave në ajër; nxit lindjen e fosforeshencës në platinoacidet, vilemitet dhe kunzitet e bariumit; rrezatimi ngjyros qelqin; nxit termoluminishencën në materiale të vjetër pas veprimit të rrezatimit që lëshohet nga radiumi; radiografitë që përftohen me ndihmën e radiumit.

Një substancë radioaktive, sikundër është radiumi, përbën një burim të vazhdueshëm energjie. Kjo energji gjendet në rrezatimin e emetuar. Akoma, së bashku me Laborde, kam treguar se radiumi është burim i vazhdueshëm nxehtësie, me përafërsi në masën 100 kalori për gram radium për orë. Po ashtu, Radhërford dhe Soddy, Runge dhe Precht, si dhe Knut Ångström kanë matur sasinë e nxehtësisë të emetuar nga radiumi. Nga matjet, duket se ky emetim është konstant edhe pas disa vitesh, ndërsa vetë energjia e çliruar në këtë mënyrë është e konsiderueshme.

Vepra e një numri të madh fizikantësh (Meyer dhe Schweidler, Giesel, Bekerel, P. Kyri, znj. Kyri, Radherford, Villard etj.) tregon se substancat radioaktive emetojnë tre lloj rrezatimesh, të cilat janë pagëzuar nga Radhërfordi si rrezatime α, β dhe γ. Ato ndryshojnë nga njëri-tjetri nga mënyra se si sillen në një fushë magnetike apo elektrike. Për shembull, fusha elektrike është në gjendje të modifikojë trajektoren e rrezeve α dhe β.

Rrezet β, të ngjashme me rrezet katodike, sillen si thërrmija të ngarkuara negativisht dhe duket se zotërojnë një masë 2,000 herë më të vogël se ajo e atomit të hidrogjenit (elektronit). Kemi verifikuar, znj. Kyri dhe unë, që rrezet β zotërojnë ngarkesë negative. Rrezet α, të ngjashme me rrezet e kanalit të Goldshteinit, sillen si thërrmija 1,000 herë më të rënda dhe të ngarkuara pozitivisht. Rrezet γ janë të ngjashme me rrezet Röntgen.

Disa substanca radioaktive, si për shembull radiumi, aktiniumi dhe toriumi, përpos rrezatimit direkt që emetojnë, kanë edhe një karakteristikë tjetër: ato janë në gjendje që mjedisin përreth ta shndërrojnë në radioaktiv. Radhërfordi ka ngritur hipotezën që secila nga këto substanca emeton një gaz radioaktiv të paqëndrueshëm, që ai e quan emanacion, i cili shpërndan në mjedisin rrethues substancën radioaktive.

Aktiviteti i këtij gazi që shkakton radioaktivitet zhduket, spontanisht, me kalimin e kohës, sipas një ligji eksponencial, karakteristikë për çdo substancë aktive. Në rrjedhojë, mund të pohojmë, se rrezatimi i gazit që çlirohet nga radiumi përgjysmohet brenda katër ditësh, nga toriumi përgjysmohet brenda 55 sekondash dhe nga aktiniumi përgjysmohet brenda 3 sekondash.

Nëse në mjedisin e ajrit aktiv që rrethon substancat radioaktive vendosim substanca të ngurta, edhe ato shndërrohen në radioaktive, ndonëse përkohësisht. Këtë fenomen, që e kemi zbuluar znj. Kyri dhe unë, e kemi quajtur radioaktivitet të induktuar. Si radioaktiviteti i induktuar, ashtu edhe gazet radioaktivë që rrethojnë substancat radioaktive, janë njësoj të paqëndrueshëm dhe zhduken, të dy, spontanisht, sipas një ligji eksponencial, karakteristikë e secilit prej tyre.

Eksperimente: Një tub qelqi, mbushur me gazin e emetuar nga radiumi që është sjellë nga Parisi; shkarkimi i një elektroskopi nga rrezatimi radioaktiv i induktuar; fosforeshenca e sulfidit të zinkut nën veprimin e rrezatimit radioaktiv.

Së fundmi, sipas Ramsay dhe Soddy, radiumi është origjina e prodhimit të vazhdueshëm dhe spontan të heliumit. Radioaktiviteti i uraniumit, toriumit, radiumit dhe aktiniumit duket të jetë i pandryshueshëm për një periudhë disa vjeçare. Në anën tjetër, radioaktiviteti i Poloniumit duket të zvogëlohet sipas një ligji eksponencial: përgjysmohet përgjatë një periudhe prej 140 ditësh, për t’u zhdukur pothuaj tërësisht pas disa vjetësh.

Këto janë faktet më të rëndësishme, bërë me dije falë përpjekjeve të një numri shumë të madh fizikanësh. Kam kënaqësinë të pohoj që një numër i madh fenomenesh janë studiuar me këmbëngulje dhe në thellësi prej tyre.

Pasojat e këtyre fakteve po bëhen të dukshme në të gjitha degët e shkencës: rëndësia e këtyre fenomeneve për fizikën është e qartë. Në laborator, radiumi përbën një mjet të ri hulumtimi, një burim të ri rrezatimi. Studimi i rrezatimit β ka treguar menjëherë që është shumë i dobishëm. Është zbuluar se ky studim konfirmon teorinë e J. J. Thomson dhe Heaviside për masën e thërrmijave në lëvizje ngarkuar me elektricitet. Sipas kësaj teorie, një pjesë e masës është rrjedhojë e ndërveprimit të energjisë elektromagnetike që ajo zotëron me etherin e vakuumit. Eksperimentet e Kauffmann-it me rrezatimin β të radiumit na çojnë në supozimin se thërrmija të caktuara kanë një shpejtësi pak më të vogël se ajo e dritës, gjë që sipas kësaj teorie, do të thotë se masa e thërrmijave rritet me shpejtësinë, për shpejtësi të afërta me ato të dritës dhe se gjithë masa e thërrmijës ka natyrë elektromagnetike. Nëse pranojmë edhe hipotezën tjetër që substancat materiale përbëhen nga një përzierje thërrmijash të ngarkuara me elektricitet, atëherë duket se kemi nevojë të rishohim e modifikojmë thellësisht parimet themelore të mekanikës.

Rëndësia që kanë dijet tona për vetitë e substancave radioaktive janë, ndoshta, edhe më të rëndësishme për kiminë. Gjë që kërkon të flasim për burimet e energjisë që përmban fenomeni i radioaktivitetit.

Në fillimet e hulumtimeve tona, znj. Kyri dhe unë pohuam që, ky fenomen, mund të shpjegohet me ndihmën e dy hipotezave shumë të përgjithshme, por qartësisht të ndryshme nga njëra-tjetra, paraqitur nga znj. Kyri në vitet 1899 dhe 1900 (Revue Générale des Sciences, 10 janar 1899, si dhe në Revue Scientifique, 21 korrik 1900).

  1. Sipas hipotezës së parë, supozohet se substancat radioaktive e marrin energjinë që çlirojnë nga një rrezatim i jashtëm. Në këtë mënyrë, rrezatimi i tyre mund të cilësohet si rrezatim sekondar. Nuk është absurde të supozojmë që hapësira përçohet vazhdimisht nga rrezatime me aftësi të fuqishme penetruese, ndërkohë që gjenden me shumicë substanca që kanë aftësinë t’i kapin ato. Në përputhje me studimet e kohëve të fundit të Radhërford, Cooke dhe McLennan, një hipotezë e tillë duket të jetë shumë e dobishme për të shpjeguar, edhe pse pjesërisht, rrezatimin shumë të dobët që çlirohet nga pjesa më e madhe e substancave.
  2. Sipas hipotezës së dytë, supozohet se substancat radioaktive e marrin nga brenda tyre energjinë që çlirojnë. Kjo do të thotë, që substancat radioaktive ndodhen në një proces evolimi të vazhdueshëm, në rrjedhojë të së cilit transformojnë vetveten në mënyrë të pandalshme dhe të ngadaltë, pavarësisht pamjes së jashtme të pandryshueshme që mund të ketë gjendja e disa prej tyre. Sasia e nxehtësisë që çlirohet nga radiumi përgjatë një periudhe disavjeçare është jashtëzakonisht e madhe krahasuar me atë që çlirohet nga reaksionet kimike që zhvillohen në lëndë të tjera, për të njëjtën peshë. Gjithsesi, në rastin e radiumit, nxehtësia e çliruar përfaqëson vetëm atë pjesë të energjisë që shoqëron transformimin e sasive shumë të vogla radium, aq të vogla, sa është e vështirë të dallohen edhe në periudhën e disa viteve. Kjo na çon në supozimin që transformimi është shumë më larg se asaj që mund të arrihet nëpërmjet transformimeve kimike të zakonshme dhe se vetë ekzistenca e atomit është në rrezik, duke qenë se atomi është i pranishëm në transformimin e elementeve.

Hipoteza e dytë ka treguar se është më pjellore në shpjegimin e vetive të substancave radioaktive, të quajtura kështu me të drejtë. Hipoteza ofron, në veçanti, një shpjegim të shpejtë për zhdukjen spontane të poloniumit, po aq sa për prodhimin e heliumit nga radiumi. Kjo teori e shndërrimit të elementeve është zhvilluar dhe formuluar me shumë skrupolozitet nga Rutherford dhe Soddy, të cilët pohojnë se kemi një ndarje të vazhdueshme dhe të pakthyeshme të atomeve të elementeve radioaktivë. Në teorinë e Radhërfordit, produktet e zbërthimit janë, në njërën anë, rrezet e emetuara dhe, në anën tjetër, gazi dhe elementi radioaktiv të mbetur. Këta të dytët mund të jenë një gaz i ri dhe një substancë e ngurtë radioaktive me peshë atomike më të vogël se sa elementi origjinal nga i cili ka rrjedhur. Konsideruar në këtë mënyrë, jeta e radiumit domosdoshmërish është e kufizuar nëse veçohet nga elementët e tjerë. Nga ana tjetër, radiumi gjendet në natyrë gjithmonë në shoqërinë e uraniumit, nga mund të supozojmë se është rrjedhojë e zbërthimit të tij.

Pra, mund të themi se kemi një teori të verifikueshme të shndërrimit të elementeve në njëri-tjetrin, por jo në atë mënyrë sikundër e kuptojnë alkimistët. Lënda inorganike evolon në mënyrë të pashmangshme me kalimin e viteve dhe sipas ligjeve të pandryshueshëm.

Pasojat e fenomenit të radioaktivitetit janë të rëndësishme për shkencën e gjeologjisë. Është gjetur, për shembull, që radiumi gjendet gjithnjë në shoqërinë e uraniumit në minerale. Dhe është gjetur, po ashtu, që raporti i radiumit me uraniumin është konstant në të gjithë mineralet (Boltwood). Këto gjetje konfirmojnë idenë e krijimit të radiumit nga uraniumi. Kjo teori mund të zhvillohet në një përpjekje për të shpjeguar shoqërizime të tjera elementesh që ndeshen shumë shpesh në minerale të ndryshme. Akoma, kjo teori na mundëson të imagjinojmë që elemente të caktuar mund të jenë formuar në dritën e diellit, në sipërfaqe të Tokës, që e kanë origjinën nga elemente të tjera, në një kohë që shtrihet brenda intervalit të periudhave gjeologjike. Kjo është një pikëpamje e re, të cilën gjeologët duhet ta marrin në konsideratë.

Elster dhe Geitel kanë treguar se prania e radiumit është shumë e përhapur në natyrë dhe se radioaktiviteti ka gjasa të luajë një rol të rëndësishëm edhe në meteorologji, falë jonizimit të ajrit, gjë e cila mund të provokojë kondensimin e avujve të ujit që gjenden në të.

Së fundmi, në biologji, rrezatimi i radiumit dhe lëndët radioaktive që ai krijon prodhojnë efekte interesante për këtë shkencë, të cilat aktualisht i ka shndërruar në objekt studimi. Rrezatimi i radiumit është përdorur në trajtimin e disa sëmundjeve (lupus, kancer, sëmundje nervore). Duhet theksuar se, për raste të caktuara, pasojat e këtij rrezatimi mund të jenë shumë të rrezikshme. Për shembull, nëse një person mban në xhep, për disa orë, një kutizë druri ose zarf letre, ku gjendet një ampulë me disa centigramë kripë radiumi, mund të mos ndjejë asgjë, por pas pesëmbëdhjetë ditësh në epidermë do t’i shfaqet një njollë e kuqe dhe më pas një mahisje e dhimbje shumë e vështirë për t’u kuruar. Simptoma më të rënda, që shfaqen për kohë më të gjata të ekspozimit ndaj rrezatimit, mund të jenë ato të paralizës dhe vdekjes. Radiumi duhet të transportohet vetëm në kuti me mure të trasha plumbi.

Kjo na nxit të mendojmë që radiumi mund të shndërrohet në një mjet shumë të rrezikshëm në duar kriminale. Këtu ka vend të shtrohet pyetja, nëse mendja njerëzore do të dijë të përfitojë nga zbulimi i sekreteve të natyrës, ose nëse jemi gati të përfitojmë nga dijet dhe jo të dëmtohemi prej tyre. Shembulli i zbulimit të Nobelit tregon se si një eksploziv i fuqishëm ka mundur të aftësojë njerëzimin në realizimin e punëve të mrekullueshme. Por dijet janë edhe një mjet i tmerrshëm shkatërrimi në duart e kriminelëve të mëdhenj, të gatshëm ta udhëheqin njerëzimin drejt luftërave. Unë jam një prej atyre që besojnë si Nobeli, se mendja njerëzore do të përftojë më shumë të mira se të këqija nga zbulimet e reja.

P.S. Nga Valbona Nathanaili

Më 1903, Akademia Mbretërore e Suedisë, u akordoi Çmimin Nobel tre shkencëtarëve: Henri Bekerel, për zbulimin e radiokativitetit natyror dhe çiftit Pierr e Mari Kyri, për punën e madhe në dhënien e provave të ekzistencës së këtij rrezatimi. Për shkak të angazhimeve të shumta, në ceremoninë e çmimit asnjëri nga të tre shkencëtarët nuk mundi të ishte i pranishëm. Vetëm në vitin 1905, Pierr Kyri arrin të shkojë në Stokholm dhe të mbajë fjalimin tradicional, me titull “Substancat radioaktive, veçanërisht radiumi”, ku jep një përshkrim të shkurtër të punës së kryer jo vetëm nga ai e bashkëshortja e tij, por edhe nga një grup i madh shkencëtarësh të fushës. 113 vjet më vonë, fjalimit të Pierr Kyri nuk mund t’i heqësh asnjë presje nga ato që deklaron, sepse është një dije e bazuar në fakte dhe e formuluar po mbi bazën e tyre.

Fabula? Mund të gjesh shumë, me tematikë e moral nga më të ndryshmet, por fokusi im, zgjedhur nga motoja e fjalimit të z. Kyri, është rënia, në ditët tona, në duar kriminale e “faktit” dhe shndërruar në “fake”: fake news, fake moral, fake principles, fake science. A do të dimë të shkëputemi nga shtrëngimi i “fake”? “Fake” është i lehtë aty ku nuk ka peshë dhe i ëmbël aty ku nuk ka moral, i shpejtë aty ku mungon vullneti dhe i shkëlqyeshëm aty ku ka marrë arratinë dija, ndërsa “fakti” është ai që propozon z. Kyri: jetëgjatësi, besueshmëri dhe vërtetësi, por që kërkon punë, sakrifica e pasion. Historia u siguron të gjithëve vendin që meritojnë!

who’s who – Sotir Peci

Sotir Peci (13 korrik 1873 – 10 prill 1932)

Nga Valbona Nathanaili

Sotir Peci u lind në Dardhë të Korçës. Ndjek gjimnazin grek në qytetin e Korçës. Diplomohet për fizikë pranë Universitetit të Athinës.

Për një periudhë kohore jeton në Rumani dhe, më 1905, emigron në ShBA.

Drejtor i fletores “Kombi”, e para gazetë shqiptare që botohet në gjuhën shqipe në Boston të Amerikës, gjatë periudhës 1906-1908, numri i parë i së cilës del më 15 qershor 1906. Një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Pecit në botimin e revistës është Fan Noli. Sipas Pecit, shkrimtarët janë pjellë e rrethanave në të cilat jetojnë, janë rrethanat historiko-shoqërore ato që krijojnë mundësinë e daljes së një talenti letrar.

  • “Tërë luftërat për liri, tërë kryengritjet kundrë zgjedhës, – shkruan ai në “Një vjershëtor kryengritës” (Kombi, Boston, 1908, 9 maj), – kanë krijuar vetë vjershëtorët e tyre… Homerë e polli lufta heroike e Trojës, Tirteun lufta e Spartanëve, heroi ynë Skënderbeu (me luftërat që bëri) inspiroi shumë vjershëtorë të mëdhenj, të huaj dhe të vendit.

Së bashku me Petro Nini Luarasin dhe Fan Nolin luajnë rol të rëndësishëm në formimin e shoqërisë “Besa-Besë” më 1907 në Boston dhe të “Lidhjes” në St. Lui. Më 1908 kthehet në Shqipëri, ndërsa drejtimin e revistës “Kombi” e merr Fan Noli.

Pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit, 14-22 nëntor 1908, si anëtar i delegacionit të shqiptarëve të kolonisë së Bukureshtit, (sipas relacionit të kryekonsullit austro-hungarez në Shkodër, dërguar Ministrit të punëve të Jashtme në Vienë, Baron Fon Erental, Demiraj & Prifti, 2008:182) me dy vota, ndërsa sipas revistës “Dituria”, viti 1909, është delegat i Shkodrës (Demiraj & Prifti, 2008:184).

Më 1909, pjesëtar i trupës pedagogjike të Normales së Elbasanit ku jep lëndët e matematikës dhe të shkencave të natyrës. Në periudhën 1911-1912 emërohet drejtor i shkollës “Mësonjëtorja shqipe” dhe drejtor për arsimin në Korçë. Më 1916-1917 është anëtar i Komisisë Letrare, Shkodër. Drejtor për arsimin në Tiranë, më 1919, nga qeveria e Durrësit. Merr pjesë si delegat në mbledhjen e Kongresit Kombëtar të Lushnjës (1920) dhe një nga hartuesit kryesorë të Statutit të Lushnjës.

Në qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjës, më 21 janar 1920, të kryesuar nga Sulejman Delvina, gjatë periudhës 30 janar – 14 nëntor 1920 zgjidhet Ministër i Arsimit, post që e mban edhe në kabinetin e Iliaz Vrionit (11 korrik – 16 tetor 1921).
Një nga iniciatorët e thirrjes së Kongresit të Parë Arsimor që u zhvillua në qytetin e Lushnjës më 15 gusht 1920 dhe pjesëmarrës në Kongresin e Dytë Arsimor më 1922.

Anëtar i Këshillit të Naltë më 1922 dhe në qeverinë gjashtëmujore të Fan Nolit, 16 qershor – 24 dhjetor 1924, ndonëse kishte konflikte të vjetra me Nolin. Qëndrimi i Pecit në këtë post, sipas Austin (2012: 56), më shumë se besnikëri ndaj udhëheqjes së re dhe besimit në metodat revolucionare, ishte bindja se në këtë mënyrë i shërbente më së miri interesave të vendit. Për patriotë si Peci, rreziku më i madh për Shqipërinë janë fqinjët e saj, veçanërisht Jugosllavia. Peci qëndron në Tiranë me shpresën se do të arrinte të bindte Nolin për legjitimizmin e qeverisë së re nëpërmjet organizimit të zgjedhjeve të reja, ose thirrjes së Asamblesë së zgjedhur më Dhjetor 1923. Me dështimin e qeverisë së Nolit, mërgon jashtë shtetit. Ndërron jetë në Follorinë, Greqi. Nga kontributet e tij në fushën e arsimit citohen shumë tekste shkollore, si dhe futja e eksperimentit në lëndët e shkencave të natyrës. “Mësues i Popullit”

Botime

1906 “Methodë për të mësuar ghuhën engleshche”, autor Sotir Peci, Boston: Shtypshkronja “Kombi”, 110 f. Botimi me shënime nga autori.

BALADA E LOTIT Nga Jorgo BLLACI

Jorgo BLLACI

BALADA E LOTIT

Vendosën ta godisnin me gurë
Marie Madalenën e gjorë,
Burrat që s’arritën ta shtinin dot në dorë,
Gratë ziliqare për lirinë e saj të shthurur
Dhe pleqtë inatçorë.
Po duke ndjekur udhën andej pari,
I biri i perëndisë u ndal aty për fat
Dhe urdhëroi:
– Të godasë i pari
Ai që asnjëherë s’ka rënë në mëkat!
Rrëmeti u shtang…

Legjenda kaq na thotë.
Por sapo biri i qiellit u largua,
Turmës kokëfortë
Demoni i mllefit përsëri iu zgjua.
Veç si të bënin? Frika e ndëshkimit
Ua mpinte krahët gurët sa rrëmbenin
Dhe gati sa s’pëllcisnin prej tërbimit,
Që s’gjenin dot mënyrën si ta shfrenin
Hakmarrjen mbi të gjorën Marie Madalenë.

– Pse s’marrim heremitin? – tha një zë, –
Veç njerëz si ai mëkate s’mund të kenë…
Ç’u tha, u bë.
Dhe heremiti i shpellës çalë – çalë
U gjend mes turmës.
– Merr një gur, – i thanë, –
Dhe bjeri asaj femre të përdalë!
Të urtit plak iu duk sikur i ranë
Atij me gurë kokës, po s’u ndie.
Papo i vajti mëkatares pranë:
– A janë të vërteta, – i tha, – moj bijë,
Këto që veshi më dëgjon për ty?
Asaj mbi ballë i ra një e zbehtë hije,
Një pikëz loti i vezulloi në sy
Dhe vetëm psherëtiu.
Plaku i mirë
Aherë iu kthye turmës:
– Nëse doni
T’ua plotësoj që këtë çast dëshirën,
Avituni këtu dhe më veçoni
Te kjo krijesë e ngratë mëkatin dhe njerinë,
Se trembem mos godas aty ku s’duhet
Dhe zemëroj padashur perëndinë!

Sa folëm ne që s’ishim fare atje,
Aq hapën gojë edhe ata që qenë.
Veç që prej asaj dite të gjithë bëjnë be
Për lotin e Maries Madalenë…
__________

Nga Koçi Petriti

Filozofi, kritiku dhe historiani i njohur Benedetto Croce, në studimin “Krishti dhe kurorëshkelësja”, (ku citon ungjillin e Shën Gjonit, VIII, 3-11), në fq. 109. të librit “Poezia antike dhe moderne”, ka këtë pasazh për subjektin e “Krishtit dhe kurorëshkelëses:
“Kjo faqe që është edhe një dramë e vogël për nga shtrirja konkrete, por tepër e madhe për nga thellësia e pasioneve, ka vepruar nëpër shekuj, në-për shpirtrat njerëzorë dhe poetikë, vepron edhe sot me pushtetin magjik të poezisë që qorton pa qortuar, që mëson pa mësuar… Piktorë të panumërt… janë frymëzuar prej saj, po asnjë poet s’ka guxuar të rimarrë e të përpunojë fjalët e saj…”.

Gjejmë rastin të themi: Ja, ku e kemi një poet, që ka guxuar të rimarrë dhe të përpunojë fjalët e saj! Ja, ku e kemi një krijim të bukur me subjek biblik, të denjë për çdo krijues të shquar. “Balada e lotit” është ndërtuar mjeshtërisht si rrëfim, edhe si ritmikë vargu, edhe si ligjërim-përgjëratë ungjillore, që përcjell poetikisht mesazhin universal të humanitetit.

__________

Nga Valbona Nathanaili

Lista me botime e autorit Jorgo Bllaci

Libra: Autor

2003    Bardi i shpirtit dhe i natyrës Autor Jorgo Bllaci / Aleks Gjinaj (red.) / Eva Bllaci (përg. për bot.) Tiranë: Naim Frashëri, 279 faqe.

2005    Lirika Autor Jorgo Bllaci (krijoi e përktheu) / Eva Bllaci (përg.) Tiranë: Naim Frashëri, 195 faqe.

2007    Kuja e violinës… Lirika dhe balada Autor Jorgo Bllaci / Tiranë: Naim Frashëri, 256 faqe. Vëllimi përmban poezi të autorit dhe përkthime të autorëve botërorë, si dhe një ese e autorit mbi përkthimin.

1964    Ligjërimet e pyllit Lirika Autor Jorgo Bllaci Tiranë: Naim Frashëri, 44 faqe.

1990    Epika e trëndafilave Poezi Autor Jorgo Bllaci / Perikli Jorgoni (red.) Tiranë: Naim Frashëri, 94 faqe.

1993    Zërat e jetës Poezi Autor Jorgo Bllaci / Aurel Plasari (red.) Tiranë: Shtëpia Botuese e Lidhjes së Shkrimtarëve, 208 faqe.

Libra: Redaktor

1995    Nesër...  Poezi Autor Kozma Billa / Redaktor Jorgo Bllaci Tiranë: Bllaci, 66 faqe.

1995    Antitezë Poezi Autor Lindita Daja / Redaktor Jorgo Bllaci Tiranë: Bllaci, 69 faqe.

1995   Planet i lodhur  Poezi Autor Konstandin Dhamo / Redaktor Jorgo Bllaci Tiranë: Bllaci, 112 faqe.

1995    Ëndërr mbi dallgë Poezi Autor Yllka Sulka / Redaktor Jorgo Bllaci Tiranë: Naim Frashëri, 76 faqe.

1994    Kur pikojnë gjethet Poezi Autor Ahmet Banushi / Redaktor Jorgo Bllaci Tiranë: Monroe, 72 faqe.

1994    Përtëritje  Poezi Autor Luan Burimi / Redaktor Jorgo Bllaci Tiranë: Naim Frashëri, 64 faqe.

1994   Shpella e trishtimeve të tua  Poezi Autor Arben Dedja / Redaktor Jorgo Bllaci Tiranë: Naim Frashëri, 72 faqe.

1994    Bukuria e lotëve Poezi Autor Albana Kaloshi / Redaktor Jorgo Bllaci Tiranë: Naim Frashëri, 62 faqe.

1996    Poezi të zgjedhura Autor Ali Asllani / Përgatiti e redaktoi Jorgo Bllaci / Bardhosh Gaçe (red.) Tiranë: Naim Frashëri, 209 faqe, me ilustrime.

1994    Fjalë të urta bishtqëndisura Autor Shefqet Merra / Redaktor Jorgo Bllaci Tiranë: Monroe, 63 faqe, me ilustrime.

1994    Dua yllin e fatit Poezi Autor Dallëndyshe Quka / Redaktor Jorgo Bllaci Tiranë: Naim Frashëri, 49 faqe.

1997    Ç’të bëj me fjalën…, e bardha dhe e zeza Poezi të zgjedhura Autor Arben Duka / Redaktor Jorgo Bllaci / Apostol Duka (red.) Tiranë: Iliria, 151 faqe.

1998    Koha e ndarjeve Autor Elmiha Drishti / Redaktor Jorgo Bllaci Tiranë: Bllaci, 62 faqe.

1997    Dallgët e mallit Poezi Autor Rozeta Kreste / Redaktor Jorgo Bllaci Tiranë: Bllaci, 57 faqe.

1998    Kam mall Poezi e tregime Autor Eva Qesari (Gavani) /  Redaktor Jorgo Bllaci Tiranë: Iliria, 84 faqe.

1998    Kujt i takon kjo buzëqeshje e brishtë…? Poezi Autor Valbona Jakova / Redaktor Jorgo Bllaci Tiranë: Bllaci, 59 faqe.

1996    Mes dashurisë e dhimbjes Lirika Autor Jorgo Çati / Redaktor Jorgo Bllaci Tiranë: Bllaci, 120 faqe.

1996    Ftesë për duel Vargje me spica Autor Jorgo Çati / Redaktor Jorgo Bllaci Tiranë: Bllaci, 100 faqe.

2006    Një pajton me ëndrra Fabula Autor Jorgo Çati / Zana Bihiku (red.) / Redaktor Jorgo Bllaci Sarandë: Milosao, 76 faqe.

2001    Atdheu është lakuriq Poezi Autor Trifon Xhagjika / Xhevahir Spahiu (zgjodh. dhe përg.) / Redaktor Jorgo Bllaci  / Visar Zhiti (red.) Tiranë: Naim Frashëri, 134 faqe.

2004    Dritëzat në natë Poezi Autor Ejup Ajdini / Redaktor Jorgo Bllaci Tetovë: Luma, 62 faqe.

2009    Një ditë troket: ditar poetik  Autor Jorgo Çati / Redaktor Jorgo Bllaci Sarandë: Milosao, 90 faqe.

2011    Një këngë e vonuar Poezi Autor Pjetër Cara / Redaktor Jorgo Bllaci Tiranë: Geer, 116 faqe.

2013    S’e kam nxjerrë në ankand Çamërinë  Vëllim me poezi Autor Kadri L. Ali / Redaktor Jorgo Bllaci Tiranë: K. Ali & Juenjo, 95 faqe.

1993    Ecja vertikale Poezi Autor Adem Abdullahu / Redaktor Jorgo Bllaci Tiranë: Naim Frashëri, 63 faqe.

1993    Dritëzat në natë Poezi Autor Ejup Ajdini / Redaktor Jorgo Bllaci Tiranë: Naim Frashëri, 67 faqe.

1993   Legjendë lirie Poezi Autor Daut Gumeni / Redaktor Jorgo Bllaci Tiranë: Naim Frashëri, 120 faqe.

Libra: Përkthime

1996    Ujrat pranverore. Rudini Romane Autor Ivan S. Turgenev / Përktheu Jorgo Bllaci Tiranë: Naim Frashëri, 270 faqe.

1994   Vjersha dhe poema të zgjedhura Autor Sergej A. Esenin / Përktheu Jorgo Bllaci Tiranë: Monroe, 130 faqe, me ilustrime.

1996    Vjersha dhe poema Autor Sergej A. Esenin / Përktheu Jorgo Bllaci Tiranë: Bllaci, ribotim i plotë, 191 faqe, me ilustrime.

1997    Vjersha e poema Autor Aleksandr S. Puskin / Përktheu Jorgo Bllaci Tiranë: Naim Frashëri, 245 faqe, me ilustrime.

1972    Rudini Roman Autor Ivan S. Turgenev  / Përktheu Jorgo Bllaci Prishtinë: Rilindja, 152 faqe.

1963    Ata që janë poshtë Roman për revolucionin meksikan Autor Marian Asuela / Përktheu Jorgo Bllaci Tiranë: Naim Frashëri, 119 faqe.

1961    Pema e çuditshme Autor Kornej Ivanovic Cukovskij / Përktheu Jorgo Bllaci / Donika Omari (red.) Tiranë: Naim Frashëri, 68 faqe, me ilustrime. Në këtë vëllim përfshihen: Halli i Fedorës; Dielli i grabitur; Pema e çuditshme; Krokodili; Jo kështu po ashtu; Zogu i klloçkës.

1962    Përse më dhemb zemra Vjersha të zgjedhura Autor Tu Fu / Përktheu Jorgo Bllaci / Janaq Gjeçi (red.) Tiranë: Naim Frashëri, 138 faqe. Parathënia nga Aleks Çaçi.

1961    Kali gërmuq Autor P. Jershov / Përktheu Jorgo Bllaci Tiranë: Naim Frashëri, 111 faqe, me ilustrime.

1961    Oborri ynë Autor Samuil Marshak / Përktheu Jorgo Bllaci Tiranë: Naim Frashëri, 90 faqe, me ilustrime.

1992    Ujrat pranverore Roman Autor Ivan S. Turgenev / Përktheu Jorgo Bllaci Tiranë: Naim Frashëri, 200 faqe.

__________

Mirënjohje

Falënderoj z. Arben Bllaci që mundësoi lejen për botimin e poezisë.

Pengjet e jetës Nga Prof. Dr. Myftar Barbullushi

Pengjet e jetës

Nga Prof. Dr. Myftar Barbullushi

Refleksione rreth librit “The Top Five Regrets of the Dying: A Life Transformed by the Dearly Departing”, të autores Bronnie Ware

Në rrugë dola / Pas meje porta u mbyll
Bagriskij

Mbrëmja po bie! Çuditërisht, në subkoshiencë, ky ka qenë perceptimi im për afrimin e momentit të ndarjes. Ora e së vërtetës, ora në të cilën je vetëm me veten tënde! Ora kur kërkon të kalojë nata e të kesh mundësi të zgjohesh. Ora kur mund të përmbledhësh gjithë historinë e jetës dhe të epokës kur ke jetuar. Ora e epilogut, e shkëputjes, e pendimeve. Lum kush nuk ka! Por nuk besoj të ketë të tillë.

Libri i autores australiane Bronnie Ware “Pesë pengjet më të mëdha të jetës”, lexuar me shumë kuriozitet nga miliona njerëz, konfirmon dyshimin tim. Të gjithë kemi pengje! Bronnie Ware, duke punuar në reanimacion, ka pasur mundësi të ndjekë dhe zhvillojë biseda e marrëdhënie të ngushta e të sinqerta me mijëra të sëmurë, të rinj dhe të vjetër, gra dhe burra, të pasur dhe të varfër, por që të gjithë kishin një fat të përbashkët: u kishin mbetur jo më shumë se 12 javë jetë! Një nga temat kryesore të bisedave ka qenë të dinte se çfarë do të dëshironin të kishin bërë ndryshe pacientët e saj. Përgjigjet ishin kaq mbresëlënëse, sa vendosi t’i botojë. Fillimisht në formën e një artikulli e më pas në një libër, që shumë shpejt u përkthye në 29 gjuhë të huaja, në të katër anët e globit.

Libri shpreh vizionin që kanë apo fitojnë njerëzit në fund të jetës së tyre. Interesante është, se  krahas larmisë së përgjigjeve, shumica e tyre konvergonin në 5 pika të përbashkëta, 5 pengjet më të mëdha, njohja e te cilave është mjaft e rëndësishme për ata që janë në fillim apo në mesin e viteve të jetës.

1.“Do të kisha dashur të kisha pasur kurajën të jetoja atë lloj jete që besoja vetë, jo atë që të tjerët prisnin prej meje”

Ky ishte pengu më i madh që kishin të gjithë pacientët që gjendeshin në fund të jetës së tyre. “Duhet të jesh vetvetja, të bësh zgjedhje konform moralit tënd dhe jo moralit të imponuar nga të tjerë. Ndryshe kthehesh në një kukull”, insiston Woody Allen tek filmi “Zelig”. Siç duket, kur njeriu sheh fundin e jetës së tij dhe kthen kokën prapa, vë re se shumë nga ëndrrat nuk ka mundur t’i realizojë. Një pjesë e tyre po vdesin, i ndërgjegjshëm se shkak për këtë kanë qenë zgjedhjet e bëra, shpesh në funksion të dëshirave të të tjerëve, për t’u dhënë qetësi e siguri të tretëve, jo vetes. Duhet të jetë e shpeshtë, sidomos në realitetin shqiptar, e për më tepër atë femëror, ku modelet jo vetëm profesionale, por edhe ato emocionale imponohen nga familja a shoqëria. Gjithsesi, kohët po ndryshojnë edhe në realitetin tonë. Gjenerata e re udhëheq ndryshimin.

2.“Do të kisha dashur të mos kisha punuar kaq shume”

Sipas autores, është pengu që e shprehnin të gjithë pacientët meshkuj! U mungonte rritja e fëmijëve dhe shoqëria e partneres. Ishin meshkuj që shumicën e jetës së tyre e kishin kaluar në rrotën e pandalshme të ekzistencës së punës, duke mos qenë të pranishëm pothuaj fare në rritjen e fëmijëve dhe në problemet e partnereve. Siç duket, në bilancin e fundit të jetës, u rezultonte se gjëja më me vlerë në këtë botë nuk është puna, sikundër mund të kishin menduar kohë më parë, por familja.

Edhe gratë e kishin një peng të tillë, por kryesisht ato të brezit të vjetër, të integruara kryesisht në jetën familjare dhe shumë më pak në jetën sociale, “Nëse do të më kishin kërkuar të zgjidhja ndërmjet profesionit dhe familjes, pa më të voglin dyshim do të kisha sakrifikuar të parën” – shprehet aktorja e famshme e Hollividit, Glenda Devis.

3.“Do të kisha dashur të kisha kurajën dhe lirinë për t’i shprehur haptas ndjenjat e mia”

Shumë njerëz i mbysin ndjenjat e tyre duke mos pasur as edhe kurajën a lirinë të pranojnë se ato ekzistojnë. Në rrjedhojë, e kalojnë jetën në një ekzistencë mediokre, duke mos arritur kurrë të bëhen ata persona që realisht mund të bëheshin, falë aftësive që zotëronin. Duke u qëndruar besnikë zakoneve dhe mentalitetit klasik, i ashtuquajturi “komfort” familjar mund të dominojë mbi emocionet. Për më tepër, edhe mbi jetën e tyre fizike. Ndrydhja, mungesa e kurajës, frika e ndryshimit, e humbjes së asaj që përgjithësisht rezulton të jetë materiale, jo rrallë i detyron njerëzit të shtiren sikur janë të kënaqur, ndërkohë që thellë-thellë kërkojnë diçka tjetër, ndoshta të gjejnë përsëri emocionin, tharmin e sfidës, kënaqësinë e vërtetë të jetës dhe jo të vegjetojnë, duke parë “Gymyshin” apo “Ezelin”.

Sa e sa kompromise banale shohim apo ndjejmë në shumë çifte apo familje që na rrethojnë, vetëm e vetëm sepse dikush nuk është i zoti të shprehe e të mbrojë fuqishëm idetë dhe ndjenjat e tij! Sa e sa kompromise të ndyra na rrethojnë në ambientin ku punojmë! Njerëz që zvarriten e vegjetojnë edhe pse me pak përpjekje e punë mund të ruajnë dinjitetin e nëpërkëmbur. Siç duket, sidomos para vdekjes, “pengu i mosrealizimit” të djeg e të dhemb shumë.

4.“Do të kisha dashur të kisha ndenjur më gjatë me miqtë e mi”

Thonë se miqtë janë si yjet në qiellin e pastër! Mjafton të ngresh kokën dhe janë aty. Ky është justifikimi më banal që kam dëgjuar, megjithatë i aftë për ta lenë miqësinë e artë të qëndrojë e fjetur gjatë viteve. Jo rrallë, ose shpesh, kujtohemi vonë për miqtë. Siç duket, njerëzit janë shumë të dobët për ta mbajtur peshën e rëndë të miqësisë për një kohë të gjatë. Si dhe shumë të ndryshëm! Miqësia do kohë dhe përpjekje për t’u mbajtur. Shumica e njerëzve do të donin t’i kishin pranë miqtë e tyre përpara se të vdisnin.

Pas 20 vjetësh, pasi kthehet në qytetin e lindjes, brerjen e vetme të ndërgjegjes personazhi kryesor i romanit “Shakaja”, të Kunderës, e ka për miqtë e tij!

5.“Do të kisha dashur t’i kisha dhuruar vetes time më shumë lumturi”

Ky lloj pengu ishte disi i veçantë, edhe surprizë, sikundër shprehet autorja e librit. Në përgjithësi, lumturia perceptohet e materializuar në sasinë e parasë dhe pushtetit që zotëron. Ndoshta është kjo arsyeja që shpesh vrapojmë pas parave dhe pushtetit, sepse na duket se përmbushja e secilës prej tyre është vetë lumturia. Këtë bindje kishte edhe Kroesus (595 p.K – afërsisht 546 p.K.), mbreti i Lidias në Azinë e Vogël, i cili i kishte të dyja, edhe pushtetin, edhe pasurinë.

Sipas Herodotit, një herë, në mbretërinë e Kroesusit mbërriti greku i mençur Solon. I entuziazmuar nga ky takim, Mbreti u mburr me pasurinë e tij të madhe. I sigurt në pasurinë dhe lumturinë e tij, ai pyeti Solonin:

“Sipas teje, kush është njeriu më i lumtur në botë?”, i bindur se Soloni do t’i përgjigjej “Ti, mbreti im, je njeriu më i lumtur”.

Por përgjigja e Solonit ishte ndryshe dhe, për më tepër, edhe shumë zhgënjyese:

– Për mua, njerëzit më të lumtur në botë janë tre: Tellus, i cili vdiq duke luftuar për vendin e tij, për mbrojtjen e athinasve dhe e varrosën me nderimet më të mëdha, si dhe dy vëllezërit, Kleobis dhe Biton, të cilët vdiqën në mënyrë paqësore, në gjumë, pas lutjes së nënës së tyre për lumturi të përsosur, sepse kishin demonstruar devotshmërinë më të madhe për vetë atë.

Më pas, Soloni shtoi se lumturia e jetës së një njeriu nuk mund të gjykohet deri në çastin e vdekjes së tij, sepse asnjëherë nuk i dihet rrjedhës që mund të marrë fati.

Të gjitha ato që tha Soloni rezultuan të vërteta! Lumturia e Kroesusit ndryshoi krejtësisht me vdekjen tragjike të djalit nga një aksident, vetëvrasjes së bashkëshortes në çastin e pushtimit të mbretërisë, për të mos shtuar edhe rënien e tij në duart e persëve.

Edhe pse kanë kaluar mijëra vjet nga kjo ngjarje, të njëjtin opinion mbështet edhe një studim i kohëve të fundit në revistën “Science”, qershor 2017, i cili hapej me titullin provokues: “Do të ishit më të lumtur në se do të ishit më të pasur?”.

Sipas artikullit, paraja jo vetëm që nuk gjeneron lumturi, por përkundrazi, shkakton ankth. Më shumë para, do të thotë më shumë objektiva për të realizuar, më shumë punë, më shumë udhëtime larg familjes dhe më pak kohë për familjen e shokët. Paraja të jep liri, por për t’i fituar ato duhet punë, baras me aspak kohë për të qenë i lirë e për t’i shpenzuar e shijuar ato. Jo më kot raportin e parasë me lumturinë e konsiderojnë “iluzion fokusues”.

“Të jesh i lumtur nuk do të thotë të kesh gjithçka që do, por të kënaqesh me ato që ke”- konkludojnë studiuesit.

Përtej një konkluzioni të paperceptueshëm

Pas këtij refleksioni dhe një lloj përsiatjeje emocionale, bazuar në faktorë objektivë e subjektivë, ku mbase nga më të rëndësishmit do të ishte vdekja e tim eti, e vetmja gjë që precipiton dhe, në një farë mënyre, edhe më impresionon, është se duhet të jetë shumë e rëndësishme që të paktën të plakemi mirë e të largohemi nga kjo botë me sa më pak pengje e pishmane. Kjo besoj se do të ishte ëndrra e çdo njeriu.

“Nuk kam asnjë peng apo pishman, kam vetëm nostalgji për të kaluarën” do te thoshte Marcello Mastroianni.

Në fakt, kam dashur të gjej ngushëllim tek fakti se vitet tek njeriu kanë po atë efekt, që ka koha tek vera. Ndoshta i “mashtruar” nga jetëgjatësia dhe racionaliteti gjithmonë e më impresionues i prindërve të mi, konstatimi se bëhesh më i vjetër, por nuk është e sigurt që bëhesh më i mençur, ka qenë i mbushur me doza trishtimi. Shtuar edhe nga leximi i librit të Bronnie Ware mbi pengjet e jetës dhe……

Pas disa muajsh refreni të përditshëm “Gatitu!”, një ditë prej ditësh, pasi kishte marrë lajmin e pensionit, komandanti i zborit, me një zë të zvargur, tha: “Qetësohuni“, pa e ditur as vetë se në atë moment ai kishte shprehur thelbin e një filozofie që përkonte me perceptimin tim për moshën, pleqërinë e më tej…

“Zotërinj, qëndroni me ne. Mbrëmja tashmë po bie” do t’u thoshte Konrad Adenauer pak ditë përpara se të vdiste moshatarëve të tij”.