Kufiri Ekuador-Peru Nga Johan Galtung

EKUADOR-PERU: ZONË DYKOMBËTARE, PARK NATYROR

Nga Johan Galtung

Përktheu dhe përshtati në shqip Valbona Nathanaili

• Shumë kreative, tha ish-presidenti i Ekuadorit kur dëgjoi propozimin tonë për mënyrën e zgjidhjes së konfliktit kufitar, për një zonë me sipërfaqe afro 500 km2, që kishte shkatuar tri luftëra ndërmjet Ekuadorit dhe Perusë. Ju gjetët si zgjidhje jo përcaktimin, edhe një herë, të vijës kufitare, por kthimin e tërë zonës në “zonë dykombëtare, në një park natyror”. Asnjë njeri deri më tani nuk na ka propozuar diçka të tillë!

Vërtet ai tha shumë kreative, por shtoi:

Do të duhen të paktën 30 vjet që të mësohemi me këtë ide dhe 30 vjet të tjera për ta zbatuar. Sidoqoftë, më lejoni të bëj një pyetje, si arritët në një ide të tillë?

Përgjigja ime mund të kishte qenë se propozimi erdhi jo si rezultat i faktit, që unë e njoh mirë historinë e Amerikës Latine, por sepse unë kam në trurin tim një lloj diagrame që më këshillon si të jem sa më praktik. Negociatorët e dy shteteve kishin praktikuar për 54 vjet me radhë ndarjen e kufirit, me tërheqje e shtyrje, kombinuar me negociata pa fund. Kishin provuar sulme ushtarake, fitore e dështime. Kishin hartuar kompromise në përpjekje për të përcaktuar vijën e kufirit që do t’i kënaqte të dyja palët për territorin e lakmuar. E vetmja gjë nuk kishin provuar ishte transendenca dhe formula e thjeshtë të dyja-dhe që çoi në lindjen e idesë së zonës dykombëtare.

Por përgjigja ime ishte disi më e detajuar:

• Unë kam një metodë të vogël: dëgjo atë që nuk është thënë, dëgjo të padëgjuarën. As ju, as kolegët tuaj nuk thanë asgjë përse duhet detyrimisht kjo vijë kufitare, ndoshta sepse të dy ju mendoni që është shumë e qartë, se nuk ka nevojë as të artikulohet. Ndoshta jeni të mendimit, se çdo metër katror e kësaj toke i përket dikujt, është pronë e dikujt. Dhe kështu është, ndoshta edhe 100 % e vërtetë. Por metoda ime prek pikërisht aksiomat e besimit, ato që duket sikur jo vetëm nuk ia vlen të diskutohen, por as edhe të formulohen. Pastaj fillojmë t’i bubërojmë, ngatërrojmë, përballemi me to, vendosim fjalën “jo” duke i mohuar tërësisht, derisa gjithçka bëhet më fleksibël. Të gjitha këto, si rregull, na çojnë përgjithësisht në gjera që mund të ndryshohen. Siç e thatë edhe vetë, propozimet janë kreative. Pikërisht sepse ne prekim aksiomat e besimit.

U ndamë si miq pas një darke të mirë, pa lënë ndonjë takim tjetër.

Tre vjet më vonë, më 1998, ndërmjet Ekuadorit dhe Perusë, u nënshkrua Traktati i Paqes. Pjesë e traktatit, ishte krijimi i një “zone dykombëtare, me një park natyror”, propozuar nga Ekuadori. Veçse parashikimi i ish-presidentit se do të duhen edhe 30+30=60 vjet nuk doli. Në fakt mjaftuan vetëm 3 vjet. Dhe u deshën plot 57 vjet që të arrihej një zgjidhje aq e thjeshtë.

Historia e konfliktit Ekuador-Peru

Historia e konfliktit fillon më 1941, kur zhvillohet edhe lufta e parë ndërmjet dy vendeve. Pastaj edhe tri të tjera. Në mes të tyre, përpjekje për të përcaktuar vijën, duke përdorur si kufi një vijë uji, por që e komplikonte problemin edhe më shumë, se herë dukej e herë zhdukej, në varësi të temperaturave dhe rreshjeve. Kufiri, në fund të fundit, nuk është gjë tjetër veçse një kompromis.Po ta shohim nga pikëpamja kronologjike, pozicioni të dyja-dhe në një konflikt kufitar që e kthen zonën kufitare në një “zonë të të dyve”, “zonë dykombëtare” është më se i thjeshtë. Pozicioni tjetër, as-as, do të thotë që zona të mos i përkiste asnjerit prej shteteve në konflikt, por p.sh. të merrej e të administrohej nga Kombet e Bashkuara. Një zgjidhje e tillë është e papranueshme. Ndërkohë, pikërisht thjeshtësia e bën “zonën dykombëtare” të lehtë për t’u pranuar edhe nga njerëzit që i njohin mirë historinë, ligjet ndërkombëtare dhe precedentët e mundshëm (kufiri të caktohej sipas shembujve të tjerë të ngjashëm), ndoshta edhe brenda kornizës së atyre që i quajmë “negociata”, me tërë ato marifete e vajtje-ardhje pa fund. Në pranimin e zgjidhjes së propozuar ndikoi edhe fakti që zona ishte e papopulluar dhe e varfër në pasuri natyrore.

Sigurisht, që edhe faktorë të tjerë luajtën rol të padiskutueshëm. Një nga këta faktorë është koha.

Që nga viti 1941 kishte kaluar shumë kohë. Ishin provuar rrugët legale dhe kur ato nuk funksiononin, fjalën e merrte ushtria, kërkohej zgjidhje ushtarake. Përpjekjet e tyre bazoheshin në një repertor shumë të kufizuar zgjidhjesh: 1. njeri fiton, çështja mbyllet; 2. armëpushim dhe vija e kufirit ndodhet deri aty ku është armëpushimi.

Të fiksuar pas idesë së përcaktimit të vijës së kufirit, të gjitha zgjidhjet e tjera ishin bllokuar. Për rrjedhojë: asnjë vijë kufitare.

E gjitha po kthehej në një skandal të madh. Të gjithë ishin të lodhur nga konflikti. Çelësi nuk ishte në gjetjen e ndonjë legjitimiteti të harruar nga e kaluara, por në pak kreativitet për ndërtimin e një të ardhmeje së bashku.

Transformimet e suksesshme të konflikteve kërkojnë vërtet kreativitet, por janë edhe shumë të lira në shpenzime. Dialogu me Presidentin e Ekuadorit kushtoi vetëm 125$ – një natë fjetje në hotel dhe një ndalim në Quito, shumë më pak se shpenzimet mesatare që qeveria paguan për diplomacinë. Të mos e krahasojmë pastaj me shpenzimet e një ndërhyrjeje ushtarake pas shpërthimit të dhunës që shkojnë në miliona dollarë. Transformimi paqësor i konfliktit përpara shpërthimit të luftës mund të shpëtojë mijëra jetë. Dhe e lejon shoqërinë të eci përpara.

Fjalimi përshëndetës në Universitetin e Teksasit Admiral William H. McRaven (veteran i flotës detare të SHBA-së)

Fjalimi përshëndetës në Universitetin e Teksasit

Admiral William H. McRaven (veteran i flotës detare të SHBA-së)

17 maj 2014

Përktheu dhe përshtati në shqip: Valbona Nathanaili

Slogani i universitetit është: “Çfarë fillon këtu, ndryshon botën!”. Më duhet ta pranoj… më pëlqen. “Çfarë fillon këtu, ndryshon botën!”

Sot janë pothuaj tetë mijë studentë që diplomohen pranë Universitetit të Teksasit. Ask.com, një model i shkëlqyer i rigorozitetit analitik, thotë se, mesatarisht, një amerikan ka mundësinë të takojë dhjetë mijë njerëz gjatë gjithë jetës së tij. Një shifër vërtet e madhe. Por nëse secili nga ju ka mundësinë të ndryshojë jetën e vetëm dhjetë personave, dhe përsëri secili nga këta të dhjetë, ndryshon jetën e dhjetë të tjerëve – vetëm dhjetë – atëherë në pesë gjenerata, ose përgjatë 125 viteve, brezi i të diplomuarve në vitin 2014 do të ketë ndryshuar jetën e 800 milionë njerëzve.

Tetë qind milionë njerëz! Mendoni pak: më shumë se dyfishin e popullsisë aktuale të Shteteve të Bashkuara. Nëse diplomohet edhe një brez tjetër, atëherë ju mund të ndryshoni jetën e gjithë popullsisë së botës, të tetë miliardë njerëzve. Por nëse mendoni se është e vështirë të ndryshosh jetën e dhjetë njerëzve, t’ua ndryshosh përgjithmonë, e keni gabim.

E kam parë të ndodhë përditë, në Irak dhe Afganistan. Një ushtarak i ri, oficer, mori vendimin të shkojë në të majtë, në vend të merrte në të djathtë në një rrugë në Bagdad dhe shpëtoi dhjetë shokët e skuadrës nga një pusi e ngritur aty pranë.

Në provincën e Kandaharit, në Afganistan, një nënoficere e skuadrave për përfshirjen e forcave femërore në luftime pati ndjesinë se diçka nuk po shkonte si duhet dhe e drejtoi togën larg vendit të dyshuar, ku doli se ishte instaluar një bombë artizanale që peshonte 230 kilogram. Veprimi i saj shpëtoi jetën e një duzine ushtarësh.

Nëse mendoni edhe më shumë, vendimi për të ndërmarrë një akt të tillë nga një person, nuk arrin të shpëtojë vetëm jetën e disa a shumë ushtarëve, por edhe të fëmijëve të tyre që ende nuk kanë lindur. Dhe jetën e fëmijëve të fëmijëve të tyre. Gjenerata të tëra arrijnë të shpëtohen nga një vendim, nga një person.

Ndryshimi i botës mund të ndodhë në çdo cep të saj. Çdo person është në gjendje ta sjellë këtë ndryshim. Kështu, çfarë fillon këtu, vërtet mund të ndryshojë botën, por pyetja në vijim është: Si do të duket bota pas këtij ndryshimi?

Personalisht jam i sigurt se do të duket shumë, shumë më e mirë, dhe nëse do keni durimin të më dëgjoni mua, marinarin e regjur, sikur edhe për një moment, sugjerimet e mia mund t’u ndihmojnë në rrugën tuaj drejt bërjes së kësaj bote më të mirë. Mësimet që kam nxjerrë gjatë kohës që shërbeja në ushtri, u siguroj se kanë rëndësi, edhe sikur të mos keni mbajtur asnjë ditë uniformë.

Kanë rëndësi pavarësisht gjinisë, etnisë, sfondit, orientimit a statusit tuaj social. Betejat që na duhet të zhvillojmë në këtë botë janë të ngjashme dhe mësimet për të dalë fitimtarë dhe për të bërë përpara – në ndryshimin e vetes dhe të botës përreth nesh – janë të vlefshme për t’u ndjekur e zbatuar njësoj, nga të gjithë.

Kam qenë pjesë e forcave SEAL për tridhjetë e gjashtë vjet. Gjithçka filloi me marrjen e vendimit për të lënë Universitetin e Teksasit dhe për të filluar stërvitjen në qendrën e këtyre forcave, në Koronado, Kaliforni. Bazat e stërvitjes si SEAL do të thotë gjashtë muaj vrapime të gjata torturuese në rërën e butë, not në mesnatë në ujërat e ftohtë të San Diegos, kalim pengesash të llojeve të ndryshme, orë pafund ushtrime gjimnastikore, ditë pagjumë dhe të qenit të vazhdueshëm në një gjendje të ftohti, lagështie dhe të vajtueshme.

Janë gjashtë muaj nën trysninë e vazhdueshme të luftëtarëve të trajnuar profesionalisht, të cilët kërkojnë të zbulojnë dobësitë e pranishme, në mendje e fizik, dhe t’i eliminojnë të gjithë ata që i shfaqin nga mundësia për të qenë ndonjëherë pjesë e forcave NAVY SEAL. Nga ana tjetër, stërvitja në këtë bazë kërkon të identifikojë studentët, që janë në gjendje të udhëheqin në mjedise në gjendje kaotike e të vështirë, nën ndikimin e një stresi të vazhdueshëm dhe praninë e kushteve sfilitëse. Për mua, bazat e trajnimit për të qenë pjesë e forcave SEAL ka qenë një periudhë jetësore e mbushur me sfida pafund për gjashtë muaj.

Sa më poshtë do të gjeni dhjetë mësimet që kam nxjerrë nga stërvitja si pjesë e forcave SEAL dhe shpresoj shumë të kenë po atë vlerë edhe për ju, ndërsa bëni përpara në jetë.

___________

Çdo mëngjes, gjatë stërvitjes bazë si pjesë e forcave speciale SEAL, instruktorët e mi, që në atë kohë ishin të gjithë veteranë të luftës në Vietnam, hynin në dhomat e kazermës dhe gjëja e parë nga e fillonin inspektimin ishte krevati ku flinim. Çdo gjë ishte në rregull, nëse qoshet ishin katrore, batanija e sipërme e tërhequr dhe puthitur më së miri, jastëku vendosur tamam në qendër, në anën e kokës së krevatit, ndërsa batanija e dytë e palosur me mjeshtëri dhe e vendosur në anën e kundërt.

Një detyrë e thjeshtë, që në rastin më të mirë mund të quhej rutinë. Por çdo mëngjes na kërkohej që rregullimi i krevatit të arrinte në perfeksion. Në atë kohë na dukej paksa qesharake një detyrë e tillë, veçanërisht sa i takon faktit që aspironim të bëheshim luftëtarë të vërtetë, anëtarë të skuadrave SEAL, të përgatitur më së miri për beteja të ashpra, por mençuria e këtij akti të thjeshtë më është vërtetuar vazhdimisht.

Nëse rregulloni krevatin çdo mëngjes, keni kryer detyrën e parë të ditës. Ky veprim u jep një ndjesi të vogël krenarie dhe u inkurajon të realizoni, më pas, edhe një detyrë tjetër, pastaj edhe një tjetër, edhe një tjetër. Në fund të ditës, detyra e parë e mbaruar me sukses është bërë pjesë e një serie detyrash të realizuara. Rregullimi i krevatit përforcon faktin se në jetë kanë rëndësi edhe gjërat e vogla.

Nëse nuk jeni në gjendje të kryeni si duhet gjërat e vogla, nuk do të jeni në gjendje të kryeni asnjëherë si duhet as gjërat e mëdha. Dhe nëse për një arsye a një tjetër, dita juaj ka qenë e keqe, kur të ktheheni në shtëpi do të gjeni krevatin e rregulluar – që ju vetë e keni rregulluar – dhe një krevat i rregulluar është në gjendje të ngjallë kurajën se dita e nesërme do të jetë më e mirë.

Nëse doni të ndryshoni botën, filloni duke rregulluar krevatin.

___________

Gjatë stërvitjes bazë SEAL, studentët ndahen në grupe, që shërbejnë, njëkohësisht, edhe si ekuipazhet e barkave. Çdo ekuipazh përbëhet nga shtatë studentë: nga tre për çdo anë të gomones së vogël dhe një që ka rolin e timonierit dhe përcakton mbajtjen e ritmit gjatë vozitjes. Ekuipazhi formohet çdo ditë në breg të plazhit, instruktohet si të kalojë nëpër zonën e dallgëve dhe të vozisë për disa kilometra përgjatë bregut.

Në dimër, lundrimi në Koronado do të thotë përballje me valë deri 3 metra të larta dhe është jashtëzakonisht i vështirë. Zgjidhja është që të gjithë të vozisin sa më shpejt dhe çdo lëvizje e lopatave të sinkronizohet me numërimin e timonierit. Është shumë e rëndësishme që secili nga ne të ushtrojë të njëjtën forcë te lopata, ose të bëjë përpjekje të barabarta, nëse nuk duam që varka të përfundojë në drejtim të kundërt me dallgën dhe, pa asnjë lloj ceremonie, përmbys e direkt e në breg. Që varka të arrijë në destinacion, të gjithë duhet të vozisin.

Nuk mund ta ndryshoni botën i vetëm – do të keni nevojë për ndihmë – dhe nëse doni vërtet ta përshkruani të gjithë rrugën, nga pika e nisjes deri në destinacion, duhen miq, kolegë, vullneti i mirë i njerëzve të panjohur dhe një timonier i fuqishëm që t’ju udhëheqë.

Nëse doni të ndryshoni botën, gjeni dikë t’ju ndihmojë të vozisni.

Rreth autorit

Admiral William H. McRaven (veteran i flotës detare të SHBA-së) ka shërbyer në flotën detare ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe është dalluar për cilësitë e aftësitë e shkëlqyera.

Përgjatë karrierës tridhjeteshtatë vjeçare, si pjesë e skuadrave për operacione speciale të flotës detare ushtarake (NAVY SEAL), ka kryer detyrën e komandantit në të gjitha nivelet.

Admiral me katër yje, detyra e tij e fundit ka qenë komandant i të gjitha forcave speciale operacionale të Shteteve të Bashkuara.

Aktualisht mban pozicionin e kancelarit në sistemin e Universitetit të Teksasit.

Fjalimi është shkëputur nga libri “Nëse doni të ndryshoni botën… RREGULLONI KREVATIN”, botuar nga Minerva, Tiranë, 2018.

Letër drejtuar Dr. Pekmezit, në lidhje me nevojën e blerjes së disa hartave, për rregullimin e kufijve veriorë, 1918.

I dashuri Zoti Dr. Pekmezi

Ju përshëndes nga zemra!

Po e shkruaj këtë letër për të mundur me sigurue nga dashamirësia e Juaj, disa materiale hartash shumë të vlefshme për Shqipërinë.

Koloneli dhe miku ynë Bajram Beg Curri, si do të konstatoni, e ka vërtetuar këtë shkresë dhe, ju siguroj, se këtu nuk disponohen harta të mira, përveç atyne të vjetra, harta të përgjithshme me shkallë 1: 200,000.

Për të mos u turpërue për vdekje me rastin e rregullimit të kufijve të ardhshëm, deri më sot nuk është përgatit asgjë (për shkak të krizës në Ministri), ju lutet zoti Kolonel për të veprue si më poshtë:

Me ble hartat, shkalla 1:75,000 harta speciale për të gjithë Shqipërinë, me kufijtë e 1913 – edhe Kosova, Gjakova, Peja, Shkupi.

Si mbas hartimit gjatë luftës 1916-1917, këto harta i ka pas pru nga Vjena, por i kanë humbur.

Janë vetëm këto: Fleta e hartës speciale: Fieri Nr. 7763; Kavaja Nr. 7583; Kruja 7363.

Këto harta nevojiten për qëllime operative.

Për rregullimin e kufijve, edhe harta speciale është e papërdorshme, porse vetëm për dosimin e luftës 1916-1918, shkalla 1:25,000 ose shkalla e dyfishtë ushtarake, sikurse përpilohet shkalla në punime origjinale. Në rast se nuk caktohen kufijtë shumë ekzakt, do të kemi në të ardhmen me mijëra konflikte gatë kufirit me serbët, me fshatra e lokalitete.

Këto harta 1:25,000 janë dorëzue qysh në gusht 1918 trupave operative nga ana e Institutit Gjeografik. Këto harta kanë një madhësi prej rreth 30×25 cm dhe përmbajnë rreth 25-30 km terren me një përpunim shumë të mirë. Në këto harta kanë punu afër 30 leksione, çdo leksion kishte 5-7 oficera (25 vetë) dhe kanë punu mbi 2 vjet për të gjithë (atë zonë të) vendin(t) që ishte okupuar nga trupat austro-hungareze.

Nga këto punime, siç u përmend, janë shpërnda qysh në gusht 1918 disa harta. Këto harta ishin fotografi të origjinaleve. Këto fotografina na nevojiten ne për rregullimin e kufijve.

Këtu nuk është përgatit deri tash asgjë dhe kur të vijnë Komisioni Ndërkombëtar s’do të kemi asgjë në dorë, as harta, as letër vizatimi, as instrumenta dhe tavolina vizatimi – dërrasa etj., etj.

Mbasi nuk e dimë se si do të shkojë kufiri, duhet që të kemi harta, që japin një terren prej 30-40 km në veri dhe në jug të kufirit të vjetër të 1913 – si mbas llogaritjes sime, nga derdhja e Bunës në det, nëpër Tarabosh, Hot, Grudë, Plavë e Guci, Pejë, Gjakovë, Prizren, Gorë, Lumë, Dibër, Qafë Thanë, Pogradec (Zvezda e Korçë këtu janë francezët), pra rreth 70-80 fletë (harta), mbasi do të marrin nga një Parie (kopje) Serbia, një Shqipëria, Lidhja e Kombeve, Italia, Greqia, Italia (është llogaritur dy herë), Franca, Anglia, Amerika dmth 9 Parie (kopje), pra do të duhet me u ble nga 9 herë një fletë (hartë). Një gjë e tillë është kaq e rëndësishme siç nuk ka qenë asnjë punë tjetër. Habitem si askush nuk kujdesohet për një gjë të tillë. Gjithë Shtabi i Përgjithshëm disponon vetëm një hartë të vjetër me një shkallë prej 1:200,000 dhe bëjmë kopje me letër kopjimi. Ja kemi tregu zotit Kolonel Bajram Currit rëndësinë e kësaj çështjeje. Ai na lutet që të ja dërgojmë sa më shpejt këto harta.

Në rast se nuk ekzistojnë fotografitë me shkallë 1:25,000 për të gjitha hartat (gjë që ëshët e mundur) e kufijve të 1913, atëherë ju lutem të na dërgoni ato harta që ndodhen. Në këtë rast, të na dërgoni hartat speciale 1:75,000, nga ato të marruna gjatë luftës 1916-1918 mbi Shqipërinë, edhe këto në 9 kopje.

Pa këto harta, Shqipëria do të turpërohet për vdekje me rastin e rregullimit të kufijve.

Njerëzit këtu grinden për gjëra të vogla dhe kërkush nuk e çan kokën për çështje që i përkasin të ardhmes s’onë.

Gjendja është shumë e mirë. Partitë grinden për çështje të vogla – kanë cmirë njëri-tjetrin. Në fronte, në Arras, dt. 29/10 u bën nga serbët disa sulme, por njerëzit e Ahmet Lepenica nga Vlora i thyen ata. Tashti ka qetësi. Qeveria do të dërgojë 200 veta, nën udhëheqjen e 5 inxhinierëve, për të ndrequr shtëpitë. Është shpallë amnistia e përgjithshme. Të gjitha këto hollësira i kam përpunue.

Tek serbët janë shpërndarë 1700 rus të ish-armatës Vrangel gjatë lumit Drin. Këta të shkretët janë gënjyer. Bëni propagandë kundër përdorimit të tyre, mbasi është kundër ligjit. Rusët erdhën në Serbi me kondit që të mos detyroheshin të kthehen më dhe, aq më pak, me lufte kundër nesh.

Si janë përdorë oficerët rus?

Kolonelët i kanë bërë baush-çuasha

Majorët i kanë bërë kaptera

Kapterat dhe togerat i kanë bërë nënoficera

Ata janë nën urdhrat e oficerëve serb, që më parë ishin nënoficera.

Bwni propagandw me anw të shtypit se Shqipwria ka një qeveri të pwrbwrw nga të gjitha partitë dhe se në vend ka qetësi, rregull dhe disiplinw. Këtë duhet të ma besoni, zoti Doktor.

Sikur serbwt të na linin rehat, ne do të sihin populli më i kënaqur i ballkanit, por qeveria është detyrue me mbajt 12000 ushtarw në front, dhe kjo kërkon shumë flori dhe argjend.

Ju lutem shumë të na dërgoni sa më shpejt hartat, si ato me shkallw 1:75,000 dhe sidomos 1:25,000.

Përgatiti për shtyp: Valbona Nathanaili

Çanta bosh dhe stomaku plot

Çanta bosh dhe stomaku plot

28 janar 2018 | Nga Valbona Nathanaili

Nga data 1 shkurt 2018, sistemi arsimor parauniversitar do t’i nënshtrohet një “eksperimenti” të ri të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Thelbi është lehtësimi i peshës së çantës nga librat me të cilën shkon fëmija në shkollë. Sipas njoftimit, nga 5-6 orë mësimore të ndryshme që bëhen në një ditë shkollore, pas datës së mësipërme do të zhvillohen vetëm gjysma e tyre. Thënë ndryshe, eksperimenti mund të quhet edhe “1 në 2”, pra një lëndë në dy orë mësimore, sepse nga 45 minuta që zhvillohej më parë, me urdhrin e ri, çdo lëndë do të zhvillohet në 90 minuta, sigurisht edhe me pushimet përkatëse në mes. Ndryshimi në kohëzgjatje nuk bën asnjë dallim në lëndët që zhvillojnë fëmijët në një ditë, dhe kam parasysh edhe ato që kanë tekste, dhe ato që nuk kanë trajtohen po njësoj, sipas të njëjtit rregull.

Qëllimi duket i mirë dhe i drejtë. Çanta  e shkollës është vërtet e rëndë për shpatullat e fëmijëve të shkollave publike. Dhe është shumë mirë të gjesh një zgjidhje që shpëton fëmijët nga “pesha  e  çantës”, por jo e librave. Por është shumë keq të gjesh zgjidhje që jo vetëm i gjejnë shkollat e mësuesit të papërgatitur dhe në mes të vitit shkollor, por edhe nuk duket se i shërbejnë qëllimit final të sistemit arsimor, atij të përgatitjes sa më cilësore të fëmijëve. Dhe është akoma më keq, sikur edhe nga pikëpamja e referimit, të thuash se librat janë të rëndë! Zgjidhja e propozuar “1 në 2” është t’i biesh problemit me sëpatë! Është në funksion të mbushjes së hapësirës boshe në fushën e reformave dhe ideve progresive në arsim.

Sistemi ynë arsimor publik vazhdon të degradojë dhe bindesh edhe më shumë kur dëgjon për nisma të tilla, pa asnjë studim paraprak për ndikimin që do të kenë në mënyrën e të mësuarit, ose për ngarkesën e përditshme, tashmë mendore e intelektuale të fëmijëve, ose për cilësinë e mjedisit shkollor në realizimin me sukses të këtij synimi dhe aftësinë e tij për t’u përballur me këtë ndryshim. Për ironi, kësaj reforme në organizimin e ditës shkollore nuk i shpëton as edhe fizkultura, që pas datës së mësipërme do të zhvillohet 90 minuta në ditë dhe ndoshta po aq edhe gjatë gjithë javës (për shembull, për ato klasa që e kanë 2 orë në javë), pra i vetmi aktivitet sportiv i planifikuar në shkollë në funksion të zhvillimit fizik të fëmijëve, do të përqendrohet në më pak ditë, çka nuk ndikon pothuaj aspak në zhvillimin e tyre.

Ndërkohë që përpiqej të gjente zgjidhjen më të mirë në lidhje me qasjen e problemit “peshë e çantës” dhe të kënaqte, njëkohësisht, domosdoshmërinë për një “reformë”, Ministria e Arsimit dhe Sportit mund të fillonte duke hedhur një sy se çfarë bëhet në shkollat private, ku në shumë prej tyre, fëmijët i kanë librat individualë vetëm për në shtëpi, sepse shkolla ka një kopje që qëndron në klasë dhe është në përdorim nga çdo nxënës, në lëndën përkatëse.

Ose të merrte në konsideratë një tjetër problem edhe më shqetësues, atë të kequshqyerjes së fëmijëve, një çështje tejet delikate, që së fundmi ishte objekt studimi e raportimi këtë fillimviti edhe nga Instituti i Shëndetit Publik. Fëmijë që shkojnë në shkollë të pangrënë! Fëmijë që konsumojnë një vakt në ditë! Kequshqyerja dhe uria kronike e një përqindjeje të madhe te fëmijët shqiptarë, sipas studimit, ishin alarmante. Për familjet e varfra të këtyre fëmijëve, çanta e rëndë është problemi i fundit për të cilën shqetësohen, sepse në fakt i çojnë fëmijët në shkolla pa çantë, ose edhe kur e kanë një të tillë, kush po pyet se çfarë ka brenda, është plot a bosh. E njëjta kambanë ra në Amerikë në fillimin e viteve 1940, kur nga matjet e rekrutëve që përgatiteshin për luftë, mjekët dhanë alarmin e kequshqyerjes, por pati veshë që e dëgjuan: në të gjithë vendin filluan programe të ndryshme ushqimi e mbështetje për familjet e varfra.

Çanta bosh dhe stomaku plot janë reforma që nuk zgjidhen sot për nesër. Në fakt janë reforma që kërkojnë para dhe investime të një lloji tjetër, të atij lloji që lidhet me vizionin e perspektivën, me synimin për të punuar jo për sot dhe për të rënë në sy të kryetarit, por për nesër dhe për të plotësuar interesat e publikut.

Negociatorë apo palë me interesa të kundërta? Dr. Valbona Nathanaili

Negociatorë apo palë me interesa të kundërta?

6 mars 2018 | Dr. Valbona Nathanaili

Rregullimi i një pjese të kufirit detar me Greqinë, në jug të vendit, ka disa vite që është shndërruar në shqetësim publik. Marrëveshja e arritur në vitin 2009, kur ministër i Jashtëm ishte z. Basha dhe shumicën në pushtet e zotëronte Partia Demokratike, sot është përsëri në rend të ditës. Arsyeja: Marrëveshja e lidhur nga demokratët i falte Greqisë më shumë det! Këtë radhë është Partia Socialiste që udhëheq bisedimet e reja, të dytat në radhë, përfaqësuar me ministrin e Jashtëm, z. Bushati. Pritshmëritë ishin që përvojat e hidhura të së djeshmes të shërbenin si mësim për të sotmen. Por jo!

Së pari, një çështje kaq delikate dhe që ka shkaktuar vazhdimisht indinjatë të thellë te publiku,  trajtohet me të njëjtën neglizhencë dhe në të njëjtin sfond politik grindjesh, shtuar akuzat e kundër-akuzat për tradhti kombëtare. Por jo vetëm njësoj me 10 vjet më parë, por edhe me 100 vjet më parë, kur duhej të rregullohej kufiri ynë verior tokësor. Sipas AKSh (dosja Pekmezi), më vitin 1918, një bashkëpunëtor i kolonel Bajram Beg Currit i dërgon dr. Gjergj Pekmezit, që në atë kohë jetonte në Austri, një letër, ku i lutet t’i dërgojë disa harta të mira të Shqipërisë, sepse shumë shpejt mbërrinte komisioni ndërkombëtar që merrej me këtë punë. Sipas letrës, “deri më sot nuk është përgatit asgjë për shkak të krizës në Ministri”, sepse “Partitë grinden për gjëra të vogla, kanë cmirë njëra-tjetrën” dhe “askush nuk shqetësohet për çështje që kanë lidhje me te ardhmen”.

Ne vazhdojmë ta shkruajmë historinë me të njëjtën “rimë”, që në përbërje të vargut të periudhës historike ka të njëjtat fjalë: grindje, mosmarrëveshje, mungesë transparence e profesionalizmi, dëshirë për t’u dukur dhe jo për të kontribuar realisht.

Situata u shndërrua në kufijtë e dramaticitetit, kur opozita akuzoi një nga anëtarët e komisionit për spiun, ndërsa z. Bushati tregoi certifikatën e sigurisë së tij lëshuar nga NATO. Sigurisht që nuk mund të pranoj, se agjencitë e inteligjencës së të gjithë botës dërgojnë listat e spiunëve të tyre te NATO dhe, NATO, pasi bën një kontroll nëse e ke emrin të  përfshirë a jo emrin (opsioni search lehtëson shumë punë!), jep verdiktin: i sigurt ose jo!!!!

Së dyti dhe në rrjedhojë të situatës së krijuar, anëtarët e komisionit të caktuar nga Ministria e Jashtme kanë humbur të drejtën për t’u quajtur negociatorë. Ata tashmë mund të quhen vetëm “palë” në zgjidhjen e një konflikti ndërmjet dy palëve, ne dhe Greqisë, interesave tona dhe interesave të tyre. Kjo falë gjuhës së komunikimit në publik që ka zgjedhur të përdorë ekipi “Rilindas”. Sipas z. Bushati, kjo marrëveshje është më e mirë, pasi u jep shqiptarëve më shumë det, sesa u jepte marrëveshja e z. Basha. Një deklaratë e tillë e shndërron një çështje teknike, në një çështje patriotike. Pra, ne jemi pala që përpiqemi të marrim sa më shumë det nga Greqia dhe për këtë arsye e duam Shqipërinë më shumë! Mirë z. Basha nuk ia arriti, por si mund ta arrijnë të ashtuquajturit “Rilindas”? Duke bërë hile? Pastaj, mund ta lejojë Greqia një gjë të tillë? Naive si pyetje, por të  pashmangshme në rrjedhojë të atyre që thuhen. Në një klimë të tillë, shtuar edhe atë pak a shumë të ngjashme në anën tjetër të kufirit, vështirë se mund të merren vendime me gjakftohtësi, ndërkohë që humbet misioni kryesor i një negociatori: atij që ofron zgjidhje për një çështje. Sepse çfarë zgjidhje ka kur kërkohet më shumë det dhe jo më shumë profesionalizëm dhe teknicizëm? Sepse çfarë zgjidhje ka kur kërkon të denigrosh një marrëveshje me një gjuhë të dyshimtë, bulliste? Të parët që kanë veshë të dëgjojnë një mesazh të tillë janë anëtarët aktualë të komisionit. Frika është që i pret i njëjti fat. Nuk veprojnë, humbasin kreativitetin dhe besimin te procesi.

Dhe njësoj si 100 vjet më parë, erdhi propozimi për një palë të tretë, vetëm se roli i komisionit ndërkombëtar të vitit 1918, në vitin 2018 kërkohet t’i jepet Gjykatës së Hagës. Sigurisht që një zgjidhje është të shkohet edhe në Hagë. Është e natyrshme të artikulohet. Ndonëse përpara Hagës mund të provohej edhe alternativë e dytë, me negociator një shtet të  tretë apo individ me autoritet ndërkombëtar në fushën e zgjidhjes së konflikteve.

Propozimet e mësipërme janë të vlefshme, por jo të volitshme. Shembujt e kësaj natyre janë të shumtë, por dëshpërues. Përpos kohës dhe parave shtesë që kërkojnë, ajo që është më e rëndësishmja, na humbasin shansin, që të paktën me fqinjët tanë, të ndryshojmë stilistikën e vargut historik, në mos për hatër të valles popullore që hoqi ministri i Jashtëm, për hatër të atyre qindra mijëra bashkatdhetarëve që punojnë e jetojnë në Greqi. Dhe ta shkruajmë këtë periudhë të historisë me fjalë që “rimojnë” me tolerancë, transparencë, bashkëpunim, profesionalizëm e integritet.