Mjaft është mjaft

Mjaft është mjaft

Letra e plotë e Carrie Gracie në lidhje me pabarazinë në pagë

Sipas “The Guardian”

Përshtati në shqip: Valbona Nathanaili

Beteja personale, që falë guximit dhe dëshirës për të kontribuar për shoqërinë, këto gra i shndërrojnë në kuaza. Carrie Gracie është njëra prej tyre. Gracie ka qenë drejtuese e zyrës së redaksise në Pekin për BBC-në dhe denoncon politikën e pabarazisë së pagave ndërmjet burrave dhe grave, për punë të barabartë. Dhe ka dhënë dorëheqjen. Me riskun e shkatërrimit të karrierës dhe të financave, sigurisht. Por për një njeri që pretendon se punon me parime, parimet janë gjithçka. Ose nuk mjafton të thuash se kam parime, por edhe i zbatoj ato. Hipokrizia është monedhë e pavlefshme. Gënjeshtra e papranueshme. Profesionalizmi, sakrifica dhe përkushtimi janë vlera që duhet të kenë të njëjtin sistem referimi dhe shpërblimi. Suksese Carrie Gracie në kauzën tuaj.

E dashur audiencë e BBC-së

Emri im është Carrie Gracie dhe kam qenë gazetare e BBC-së për tre dekada. Me keqardhje të madhe, kam lënë pozicionin e kryeredaktorit për çështjet e Kinës dhe po flas publikisht, me zë të lartë, për krizën e besimit në BBC.

BBC është e juaja, e ju që paguani taksën për ta pasur atë. Dhe besoj se keni të drejtë të dini që këtu po shkelet ligji i barazisë dhe po i rezistohet trysnisë për një strukturë të barabartë dhe transparente në paga.

Në tridhjetë vjet që punoj për BBC-në, nuk kam kërkuar kurrë ta bëj veten personazh dhe kurrë nuk e kam kritikuar publikisht organizatën që dua. Nuk po kërkoj më shumë parà. Besoj se jam e mirëpaguar – krahasuar, veçanërisht, me të gjithë ata që punojnë për një organizatë që mbështetet në fonde publike.

Por sa i takon pagave, BBC nuk po i përmbahet vlerave të saj të besimit, ndershmërisë dhe përgjegjshmërisë. Informacionet në lidhje me rrogat, që BBC ishte e detyruar të jepte gjashtë muaj më parë, zbuluan jo vetëm vlera të larta dhe të papranueshme për prezantuesit dhe menaxherët që janë në krye, por edhe një hendek të papërligjur ndërmjet burrave dhe grave që bëjnë të njëjtat punë. Këto informacione dëmtojnë besimin e stafit të BBC-së. Për herë të parë, gratë patën prova të forta të asaj për të cilën kishin shumë kohë që dyshonin – të qenit e vlerësuar në mënyrë të pabarabartë.

Shumë prej grave kanë kërkuar barazi në pagë, nëpërmjet proceseve të brendshme të negocimit, por menaxherët e mohonin, duke thënë se nuk ekziston asnjë problem. Ky mentalitet-bunker, me gjasë, do ta çojë BBC-në në humbjen shkatërrimtare të proceseve ligjore dhe eksodin e shumë talenteve femërore të të gjitha niveleve.

Historia ime është një nga shumë të tjerat që referojnë pabarazinë, por shpresoj se do kuptoni detyrimin tim për të folur me zë të lartë.

Jam specialiste për çështjet e Kinës dhe flas rrjedhshëm mandarin. Për afro tre dekada kam raportuar ngjarje nga ky vend. Katër vjet më parë, BBC më nxiti të pranoj postin e sapokrijuar të kryeredaktorit për çështjet e Kinës.

E dija se puna kërkonte sakrifica dhe fleksibilitet. Duhej të punoja më shumë se 8 000 kilometra larg fëmijëve të mi adoleshentë, dhe në një shtet një partiak e me censurë të fortë, ku do përballesha me përgjime, shqetësime nga policia dhe kanosje për shkak të detyrës.

I pranova sfidat, por u theksova shefave të mi se kërkoja të paguhesha në mënyrë të barabartë me kolegët meshkuj. Njësoj si shumë kolege të tjera në BBC kisha kohë që dyshoja se, përgjithësisht, jam paguar më pak, por në këtë pikë të karrierës sime isha e vendosur të mos e lejoja të ndodhte përsëri. Me besimin se kisha siguruar pagë të barabartë me burrat për role ekuivalentë, u vendosa në Beijing.

Në katër vitet e fundit, BBC ka pasur katër kryeredaktorë ndërkombëtarë – dy burra dhe dy gra. Akti për barazinë i vitit 2010 pohon, se burrat e gratë që bëjnë punë të barabartë duhet të marrin paga të barabarta. Por në korrikun e vitit të kaluar mësova, se në vitin e mëparshëm financiar, dy burrat kishin fituar, së paku, 50% më shumë se dy gratë.

Pavarësisht këmbënguljes publike të BBC-së se vetë emërimi im demonstronte angazhimin e saj për barazi gjinore, dhe pavarësisht këmbënguljes sime se barazia ishte kusht për pranimin e postit, menaxherët kishin gjykuar, edhe një herë, përsëri, se puna e një gruaje ka më pak vlera se ajo e një burri.

Shushatja u shndërrua në lebeti kur dëgjova ankesën e BBC-së, se e kishin detyruar të zbulonte këto informacione për pagat. Dhe pa këtë informacion, unë dhe shumë gra të tjera që punojnë për BBC-në nuk do e mësonim kurrë të vërtetën.

I kërkova shefit tim, që e vetmja zgjidhje e pranueshme për të gjithë kryeredaktorët ndërkombëtarë ishte të paguheshin me të njëjtat paga. Ata kishin të drejtë të vendosnin për pagën e duhur. U bëra të ditur se nuk po kërkoja rritje page, por thjesht pagë të barabartë. Në vend të kësaj, BBC më ofroi një rritje të madhe page, por që vazhdonte të ishte përsëri larg barazisë.  U kërkova të më thonin nëse kishte diferenca ndërmjet roleve që kryenim dhe që justifikonin hendeqet në paga, por refuzuan të më japin shpjegime në lidhje me këtë.

Nga koha që refuzova këtë rritje të pabarabartë, kam qenë subjekt i një procesi tronditës fyerës, të paaftë dhe minues, që ende nuk ka dhënë ndonjë rezultat në lidhje më kërkesën time.

Mjaft është mjaft. Ngritja e Kinës është një nga historitë më të mëdha të kohës sonë dhe një nga më të vështirat për t’u treguar. Por nuk mund ta kryeja detyrën time, ndërkohë që e gjeja veten të angazhuar në beteja me shefat dhe pjesë të një procesi bizantin ankesash. Një javë më parë dhashë dorëheqjen nga roli si kryeredaktore për çështjet e Kinës dhe do të rikthehem në postin e mëparshëm, në redaksinë e lajmeve në televizion, ku pres të paguhem në mënyrë të barabartë.

Për gratë e BBC-së nuk është thjesht çështja e një a dy vitesh rrogë. Nëse marrim në konsideratë edhe disavantazhet në kontrata dhe përfitimet kur dalim në pension, këto diferenca përbëjnë një humnerë që thellohet përgjatë gjithë jetës. Shumë nga gratë e prekura nga kjo lloj politike nuk janë “yje” të super-paguara, por punonjëse që punojnë jashtëzakonisht shumë e me rroga modeste. Ato që e vuajnë më shumë hendekun në paga janë gratë që u takojnë minoriteteve etnike.

Ky nuk është lloji i hendekut në paga që BBC e pranon. Nuk është pse burrat fitojnë më shumë, sepse bëjnë më shumë punë, e cila paguhet më mirë. Është që burrat fitojnë më shumë për punë të njëjtë ose punë në vlerë të njëjtë. Ky është lloji i diskriminimit në pagë dhe është i paligjshëm.

Kur mësuam shkallën tronditëse të pabarazisë korrikun e vitit të kaluar, ne, gratë e BBC-së, u mblodhëm së bashku për të ndaluar kulturën e fshehtësisë që ndihmon në përjetësimin e këtij fenomeni. Ne i bëmë të ditur njëra-tjetrës detaje për pagat tona dhe u kërkuam kolegëve meshkuj të bëjnë të njëjtën gjë.

Ndërkohë, BBC ndërmori disa procese rivlerësimi. Drejtori në ikje i lajmeve, muajin e fundit, deklaroi: “Kemi bërë një audit të plotë në lidhje me barazinë në paga, i cili tregoi se ajo ekziston në të gjithë BBC-në”. Por mesa duket nuk ka qenë një audit i plotë. Sepse duhet të jenë përjashtuar gratë që kishin hendekun më të madh në paga. Tashmë BBC ka filluar një proces vlerësimi të talenteve, por gratë që kanë vuajtur pasojat nuk kanë besim në të. Pothuaj 200 gra që punojnë në BBC janë ankuar për pagën dhe ajo që dëgjojnë është se nuk ka diskriminim në paga në BBC. A është e mundur që të gjitha ta kemi pasur gabim? Nuk kam besim se menaxhimi ynë mund të japë një përgjigje të ndershme.

Në fakt, të vetmet gra që punojnë në BBC dhe për të cilat është e sigurt që nuk vuajnë ndonjë diskriminim në paga janë menaxheret e niveleve të larta, pagat e të cilave publikohen rregullisht. Për shembull, ne kemi një drejtore lajmesh, e cila nuk ka pse të luftojë për të pasur të njëjtën rrogë me atë të paraardhësit mashkull, sepse paga e tij ka qenë e publikuar dhe ishte £340 000 në vit – ajo merr të njëjtën vlerë. Në poste të tjera, fshehtësia që tregon BBC sa i takon pagave i bën gratë që punojnë në të po aq të cenueshme sa edhe në vendet e tjera të punës.

Si t’i bëjmë gjërat të funksionojnë me drejtësi?

BBC duhet të pranojë problemin, të kërkojë falje dhe të hartojë një strukturë të drejtë dhe transparente pagash. Për të shmangur humbjen e parave që paguani për BBC-në në gjyqe të pafituara kundër stafit femëror, BBC duhet menjëherë të pranojë gjykimin e pavarur në zgjidhjen e rasteve individuale.

Durimit dhe vullnetit të mirë po u vjen fundi. Në këta gjashtë muaj, nga zbulimi i këtij fenomeni në korrikun e vitit të kaluar, BBC është përpjekur të japë një zgjidhje të dështuar, sepse është bazuar në moton “përça dhe sundo”. Disa grave u është ofruar “rivlerësimi” i pagës, ndonëse përsëri nuk garanton barazi, ndërsa shumë të tjera i ka izoluar në një proces të tejzgjatur marrje në shqyrtim të ankesave të tyre.

Kemi ndjesinë se jemi në një lloj kurthi. Të flasësh me zë të lartë mbart riskun e masave disiplinore dhe, edhe të pushimit nga puna; gjyqet shkatërrojnë karrierën dhe minojnë financat. Për më tepër, shpesh BBC përpiqet t’i zgjidhë çështjet jashtë gjyqeve dhe kërkon një marrëveshje private, një zakon pa vlerë për një organizatë që është e angazhuar ndaj së vërtetës, ndërkohë që asnjë nuk ka bërë asgjë në zgjidhjen e këtij problemi sistemik.

Asgjë nga sa më sipër nuk është akuzë ndaj menaxherëve individualë. U jam mirënjohëse për përkrahjen dhe integritetin e tyre editorial në përballjen me trysninë e censurës në Kinë. Por për një kohë shumë të gjatë, kultura sekretive dhe ilegale e pagesave të BBC-së ka imponuar zgjedhjet e atyre që janë të detyruar të bëjnë të tilla, por duke i shndërruar në të pandershme. Kjo duhet të ndryshojë.

Ndërkohë, nuk jemi i vetmi vendpune që fsheh diskrimimin në paga dhe trysninë për transparencë që njeh vetëm rritje. Shpresoj që organizatat rivale të së njëjtës fushë të mos e përdorin këtë letër si mjet për të fshikulluar BBC-në, por si mënyrë për të reflektuar në çështjet e tyre të barazisë.

Është shumë e dhimbshme për mua të heq dorë nga posti im në Kinë në këtë mënyrë dhe t’i them lamtumirë kolegëve të zyrës së BBC-së në Beijing. Shumë prej tyre janë gra të shkëlqyera. Por nuk dua që brezi i tyre të luftojë të njëjtën betejë në të ardhmen, sepse brezi im nuk arriti të fitojë sot.

Grave të çdo moshe dhe në çdo vendpune, të cilat përballen me diskriminim në paga, u uroj të solidarizohen me simotrat e së njëjtës kauzë dhe të përkrahin kolegët meshkuj.

Po mbushet pothuaj një shekull nga koha kur gratë fituan të drejtën për të votuar në Britani. Le të nderojmë guximin e tyre, duke e shndërruar këtë vit, në vitin që do fitojmë paga të barabarta.

Carrie Gracie