12 Maj, Dita Ndërkombëtare e Infermierisë Nga Majlinda Hunda

12 Maj, Dita Ndërkombëtare e Infermierisë

Nga Majlinda Hunda

“Kujdesi infermieror është një art dhe, që të realizohet si i tillë, kërkohet përkushtim i plotë dhe përgatitje e fortë, sikurse për çdo vepër piktori apo skulptori, me ndryshimin se nuk do të punosh mbi një telajo ose një mermer të ftohtë, por me trupin njerëzor, tempullin e shpirtit të Zotit. Është një nga Artet e Bukura. Madje më i bukuri i Arteve të Bukura!”  Florence Nightingale 

Florence Nightingale u lind në Firence, Itali, më 12 Maj të vitit 1820, gjatë turit 4 vjeçar që prindërit e saj ndërmorën si “muaj mjalti”, për të njohur Europën. Ishte një vajzë delikate, akademike, aristokrate prej shtresës së lartë Angleze, por në kundërshtim me dëshirat dhe aspiratat e prindërve dhe të rangut shoqëror të cilit i përkiste, edhe pse u diplomua në shkencat matematikore, ja kushtoi jetën dhe aftësitë intelektuale e fizike problemeve sociale dhe, veçanërisht, shkencës së infermierisë. Në atë kohe, profesioni infermier konsiderohej i padenjë për një vajzë si Florence, e shkolluar në ambjentet e shtëpisë, prej profesorëve më në zë të University of Cambridge dhe, mbi të gjitha, mjaft e pasur. Megjithë kundërshtimet e prindërve të saj, u trajnua në shkollën e Infermierisë Kaiserswerth (Dusseldorf, Gjermani), ku u aftësua si infermiere, duke demonstruar kurajë dhe vendosmëri të rrallë.

Gjatë luftës së famshme të Krimesë të vitit 1854, “Zonja me llampë” siç u quajt me respekt nga luftëtarët, u bë e njohur për punën e saj vetëmohuese dhe risitë që aplikoi në metodat e mjekimit të plagëve duke shpëtuar shumë jetë njerëzore. Ajo fitoi admirimin e pavdekshëm të ushtarëve anglezë jo vetëm duke u mjekuar plagët, por edhe duke u shkruar e lexuar letrat, duke dërguar paratë në shtëpitë e tyre dhe të tjera shërbime të vlefshme. U kthye në Angli si heroinë kombëtare, me vlerësimet më të larta nga qeveria britanike e kohës.

Florence nuk e pëlqente shkëlqimin, jetën e salloneve dhe famën, ndaj ju përkushtua tërësisht punës së saj si infermiere. Punoi natë e ditë dhe shkroi e botoi një seri librash të vlefshëm me njohuri për shërbimin infermieror spitalor e reformat në shërbimet shëndetësore publike, njohuri të cilat i fitoi gjatë eksperiencës së punës së saj ne luftë. Numërohen rreth 200 raporte, kërkime dhe analiza që përmbajnë çështje të rëndësishme, si: higjienë, administrim spitalor, planifikim, organizim, obstetrikë, kujdes shëndetësor për të varfrit etj. Ajo njihet, gjithashtu, si infermierja e parë që hodhi themelet e Statistikës Infermierore (Evidence Based Nursing) dhe i hapi rrugën Kërkimit Shkencor Infermieror. Vulën e saj mbajnë ende leksionet mbi menaxhimin e planifikimin e shërbimeve shëndetësore.

E lindur për të qenë pranë njerëzve në nevojë, luftoi për idenë e një shërbimi shëndetësor të barabartë për të gjitha shtresat e popullsisë, pavarësisht ndryshimeve ekonomike. Florence ngriti me financimin e saj,në vitin 1860 në Londër, shkollën e parë të llojit të saj të quajtur “Shkolla dhe Shtëpia për Infermiere Nightingale”. Infermieret që studiuan në atë shkollë u bënë pionieret e para të infermierisë dhe shërbyen si mësuese për profesionistet e ardhshme. Ketë e pasuan edhe disa shkolla të tjera për infermierë të ngritura në Angli, të cilat funksionojnë si të tilla edhe në ditët e sotme. Zëri i saj ishte i fuqishëm,madje shërbeu si një avokate e problemeve të rëndësishme të shëndetit, duke ndryshuar rrënjësisht mentalitetin mbi profesionin e infermierit. Në nderim të punës së saj, Mbretëresha Viktoria i akordoi më 1883 Kryqin e Kuq Mbretëror. Në vitet e moshës së vjetër, Nightingale mori edhe shumë tituj të tjerë nderi, ndër të cilët edhe “Urdhri i Meritës”, duke u bërë kështu e para grua angleze me një titull të tillë. Florence Nightingale u bë gruaja më me influencë në Anglinë e shekullit XIX.

Ndërroi jetë në moshën 90 vjeçare, në paqe të plotë, e rrethuar nga dashuria dhe përkujdesjet e miqve të saj. Personaliteti dhe puna e saj e ngriten infermieristikën në këtë profesion të respektueshëm që ne njohim sot. Ajo vazhdon të na mësojë e frymëzojë dhe shërben ende si një model për infermierët. Nën moton e saj “viZion, vlera dhe zë”, infermieret shërbejnë kudo, duke e orientuar mbarë shoqërinë drejt përmirësimit të shëndetit dhe realizimit të së drejtës së pamohueshme për kujdes shëndetësor të barabartë për çdo njeri.

Për të nderuar emrin e saj është ngritur Muzeu Nightingale në Londër, janë ndërtuar monumente, emëruar spitale e shkolla mjekësore anembanë globit, janë realizuar dhe shfaqen filma e dokumentarë,  portreti i saj është vendosur në Banknotën e Serive D £10. Në vitin 2010, kisha e Shën Pjetrit në Londër, figurën e saj e shenjtëroi me një vetratë madhështore të punuar artistikisht në qelq shumëngjyrësh. Kishat Anglikane e përkujtojnë “Engjëllin e Krimesë” në Kalendarin e tyre Liturgjik. Për të janë shkruar poema! Zëri i Florence Nightingale është regjistruar në fonograf dhe që nga viti 1890 ruhet në Arkivin Zanor të Bibliotekës Britanike.

Foto kryesore: Florence Nightingale

Foto e dytë: Autorja e shkrimit, Majlinda Hunda

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.